More
    KreuOpinionNick Ripatrazone: Murgu, që për hir të dashurisë për Anne Sexton, braktisi...

    Nick Ripatrazone: Murgu, që për hir të dashurisë për Anne Sexton, braktisi Zotin.

    Anne Sexton vdiq 45 vite më parë dhe, si gjithë poetët, donte dashuritë e pamundura, ato të mishëruara në mishërimin e qiellit. Kjo histori, në fakt, fillon nga fundi, nga vdekja. Vdekja për një poet përkon me librin e fundit, sikundër “The Awful Rowing Toward God” (“Vozitja e tmerrshme drejt Zotit”), libër që doli në vitin 1975, pas vdekjes. E kishte shkruar brenda dy javësh. Gjatë një vizite në një spital psikiatrik, Sexton takon një prift katolik. I thotë atij se nuk dëshiron të shkojë në kishë. “Unë nuk di si të lutem. Do të doja që Ai të ishte Perëndia im. Por nuk dua të di për Të. Dua ta shpik Atë”. Priftin e rrëmben simpatia, lexon poezitë dhe thotë shprehjen që përsëritet ritualisht mes adhuruesve të Sexton: “Makina jote e shkrimit është altari yt”.

    *

    Historia fillon me kushtimin e librit të fundit. “Për murgun Denis, kudoqoftë.” Kush është murgu Denis, çfarë ndodhi me të? Në këtë histori ka dy të dhëna për t’u rrëfyer. Dashuria si një dorëzim i egër ndaj të pamundurës. Dhe gjuha, ligjërimi, si një gjurmim i të pamundurës, nuselalë milimetrash, që rrethakon atë që nuk ka fjalë, heshtjen që verbon.

    *

    Historia tregohet me njëfarë nguti nga Nick Ripatrazone në numrin e radhës të “Literary Hub”. Titulli: “Poetja dhe murgu. Një histori dashurie e Anne Sexton.”

    Më shumë se njëfarë piskame therëse e patetikës poetike. Megjithatë, ja tek jemi në shtjellën e një tregimi me një oshëtimë mesjetare. Brenda një poeti, në fakt, është gjithmonë dikush që dëshiron të rrënojë të vërtetat e shenjta, që dëshiron të prishë marrëveshjet me mjaltë fjalësh.

    *

    Në vitin 1961 poetesha botoi “To Bedlam and Part Way Back.” Mbërrin një letër, e cila e godet ndër shumë të tjera. E shkruante një murg. “Unë nuk di shumë për jetën e një murgu, do të doja të dija.” Sexton nuk besonte te Zoti sikundër dikush që digjej për të. I flet për murgun Romano Guardinit. Veçon një citat. Do ta përdorë atë për “All My Pretty Ones” (1962).

    *

    Letërkëmbimi rritet thellësisht kur murgu i dërgon poetes një fotografi të vetën. Ajo nuk ia kishte kërkuar. “Tani që të shoh, më duket se je matador më shumë sesa murg”. Mandej, shkurt 1962, “Je tmerrësisht i bukur për të qenë murg, ke sy të paparë”. Bukuria, megjithatë, është në largësi të pandreqshme, për faktin e flirtimit me Zotin nëpërmjet murgut, për ta mposhtur atë. Joshi Perëndinë. Duke e detyruar atë të parapëlqejë mishin për t’u bashkuar me një grua.

    Asgjë s’ dihet për murgun. “Nuk ia dimë emrin. Vajza e Sexton, në letrat e tij, e quan me pseudonimin At Dennis Farrell. Ai ishte i ri. Jepte mësim. A ishte i dashuruar?” Në një letër, murgu i dërgon poetes një kryq. Ajo e vendos dhe i shkruan atij. “Kur e var në qafë, më mbërthen një ndjenjë përulësie, sigurie”. Dhe më tej: “Kam nevojë për ty në mënyrë të parrëfyeshme. Kam nevojë për dashurinë tënde, për atë që është e vërtetë, e sjellë, e dhembshur”.

    *

    Sexton sheh në këtë marrëdhënie të çuditshme – ne nuk duam ata që janë të barabartë me ne, ata që na pasqyrojnë, por ata që ofrojnë veten në kundërshti – një burim estetik: “Letrat e tua ndikojnë në stilin tim, nuk mund ta imagjinosh sesa shumë” (17 maj 1962). Dhe disa javë më vonë: “Letrat e tua më japin shumë gjëra… aureolën e vetvetes, të Zotit, të një jete ndryshe, të miqësisë së vazhdueshme. Të dua. E di që më do. Por unë do të të humbas. Sepse vazhdoj të humbas atë çfarë dua…”. Ajo i dërgon poezinë “Për Eleanor Boylan. Duke folur me Zotin”. Në një dyvargësh sheh Zotin “madhështor, që mbulon qiellin / si një kandil deti gjigant që zgjerohet”.

     Sexton vepron si një gjarpër në jetën e murgut, pak nga pak e zbulon, zhbiron caqet e qëndresës së tij. “Papritur, ndjej një marrëdhënie njerëzore që e kam ëndërruar shpesh, por që e kam menduar të pamundur”, i shkruan ai. Tashmë, në vitin 1963, pas dy vitesh letërkëmbimi, ai e njoftoi se donte “të kapërcente murin” dhe të largohej nga manastiri. Sexton është e tmerruar. “Letrat tona… nuk mund të krahasohen me një marrëdhënie. Në një letër – pavarësisht nëse është shkruar drejt, sinqerisht, lirisht apo me dashuri – është e mundur të jesh më e dashur se në jetën reale, nuk ka mure, objekte apo njerëz në një letër, fjalët fluturojnë nga zemra, përmes gishtave… Në njëfarë mënyre, mendoj se të kam mashtruar, nëse të kam bërë të besosh se kjo ishte një marrëdhënie”. Poetesha nuk e do murgun: nëse murgu nuk do të jetë më murg, ajo nuk do ta arrijë më Zotin. Vazhdon. “Po të largohesh nga manastiri dhe të martohesh, asnjë grua nuk do të lejonte të më shkruaje”. Sigurisht që nuk është ajo, Ana, që dëshiron të martohet me të. Së fundi, përmend letrat e Kafkës drejtuar Milenës, të cilat gjithmonë shkojnë përshtat.

    Ky murg i panjohur bën atë që kishte premtuar. Largohet nga manastiri në gusht të vitit 1963. Për vite, s’dihet asgjë më shumë. Rikthehet më 10 dhjetor 1966. Ajo është e zemëruar. “S’ duhet të më lije në këtë heshtje”. Ai i thotë se kishte qenë në Çikago, ku ajo kishte një lexim publik. “Ne mund të kishim parë njëri-tjetrin, mund të kishim folur, por s’di ku je”, i thotë Sexton.

    Ndoshta, mund të jenë takuar në Çikago.

    Ndoshta ai i dha dorën, qoftë edhe për një çast. Ndoshta. Kurrë nuk e themi të vërtetën në letrat tona, në mendimet tona”, shkruan gazetarja, me një emfasi të theksuar. Më në fund, poetja ka fituar mbi besimin, ka më shumë besim te poetja se te hyjnia. Tashmë, nuk dimë asgjë për ish-murgun dhe as ajo nuk dëshiron të dijë: Nëse je aq i dobët sa të mohosh Zotin, çfarë kërkon nga unë?

    Luajti si një Madalenë dhe dikush parapëlqeu të sakrifikonte Zotin, pa e lënë atë të ndjente barrën.

    Sy që kryqëzojnë, fjalë që nënkuptojnë vraja plagësh, do të thuhet.

    “Duke lexuar për jetën e Anne Sexton

    në letërkëmbimet e saj.”

    Përktheu Rielna Paja

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË