More
    KreuIntervistaMimoza Hysa: Përkthimi i Montales në Shqipëri, i ndërlikuar dhe...

    Mimoza Hysa: Përkthimi i Montales në Shqipëri, i ndërlikuar dhe i keqkuptuar

    Intervistoi: Violeta Murati

    Jeni vlerësuar në Itali, në vitin 2015, me çmimin e përkthyesit më të mirë të huaj, për të cilën pati një ceremoni të posaçme duke u shprehur se të mungonin duartrokitjet dhe mirënjohja e kritikëve, studiuesve dhe lexuesit shqiptar. Ja ku jemi në rastin konkret, nderoheni nga Akademia Kult, si përkthyese, përcjellëse e letërsisë italiane në gjuhën shqipe, duke marrë çmimin me poezinë e një autori mjaft të ndërlikuar e të vështirë, si Montale…Jo i zakonshëm ky vlerësim, e ndjek një histori?

    Besoj se vlerësimet fshehin gjithnjë pas një rrugëtim, një proces që bëhet i dukshëm vetëm në fund, atëherë kur për ty gjithçka ka mbaruar. Vlerësimi në Itali më zuri në befasi: nuk kisha menduar kurrë se karriera ime meritonte të vlerësohej me një çmim të tillë. Vlerësimi vinte nga emrat më të njohur të letërsisë dhe përkthimit në Itali, të cilët përpos përkthimit kishin vlerësuar maksimalisht mënyrën sesi kisha zgjedhur ta përcillja letërsinë italiane në shqip: përzgjedhjen e autorëve, shoqërimin me shkrime kritike e studimore, intervistat me autorët dhe praninë e tyre në Shqipëri. Pati sidomos rëndësi për ta studimi që shoqëronte botimin e veprës së Magrisit në shqip, duke qenë se kishte të bënte drejtpërdrejtë me punën time si përkthyese. Kjo për të thënë se përkthimi nuk fillon dhe nuk mbaron me shqipërimin e veprës. Përkthyesi është njëkohësisht dhe një përçues kulturash, ndaj përgatit terrenin pritës, si kur përgatitet tona për mbjelljen e një peme: punimi, plehërimi dhe ujitja që pema të lëshojë rrënjë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me poezinë e Montales. Edhe pse e kam njohur herët si poet, shumë vonë kam vendosur ta përkthej veprën e tij sepse edhe formimi im si përkthyese ka ndjekur etapat e veta: e kam nisur me autorë që ua njihja më mirë krijimtarinë si Pascoli, Leopardi, Quasimodo, për të mbërritur në autorë më të vështirë si Magris apo së fundmi Montale. Para dhjetë vitesh vendosa ta studioj veprën e tij, e veçanërisht kalimin e rëndësishëm të autorit nga “Eshtra sepjesh” te “Rastet” që ka shënjuar edhe një hop cilësor në krijimtarinë e poetit. Për këtë kalim delikat në vitin 2009 mbrojta tezën studimore në mbarim të trevjeçarit për Letërsi e Kulturë Italiane në Universitetin ICoN në Itali, me temën: “Nga “Eshtra sepjesh” te “Rastet”. Mbi ecurinë kritike të veprës së Montales”, e cila u vlerësua me maksimumin e pikëve. Gjatë viteve në vijim mora përsipër edhe përkthimin e këtij vëllimi duke e shoqëruar atë edhe me një aparat të domosdoshëm shpjegues.

    Çfarë duhet të dijë lexuesi shqiptar në veçanti, i mësuar për më tepër për një kohë të gjatë me poezinë e shërbesës, poezinë himnizuese, para se të marrë në dorë veprën e Montales?

    Lexuesi ynë është edukuar gjatë me letërsinë e shërbesës, me poezinë himnizuese dhe militantiste, ndaj rezulton disi e vështirë ngulitja shijimi i një letërsie që ka pikë së pari vlera estetike. Montale i ka dhënë përgjigje kësaj pritshmërie kur është shprehur se poezia e tij nuk është krijuar për të përcjellë mesazhe, edhe pse mesazhet janë për rrjedhojë të pashmangshme, por është krijuar për të shoqëruar lexuesin në vështirësitë e jetës duke i falur kënaqësi estetike dhe shpirtërore. Lexuesit do t’i duhet të kalojë një proces njohjeje të autorit e përmes tij edhe të vetes gjatë leximit të këtij vëllimi.

    Gjithmonë për letërsinë shqipe është folur si një “ardhje me vonesë” për nga lëvizjet, rrymat krahasuar me ato evropiane. Rasti Montale për një tregues kronologjik çfarë ndodhte në vitet ’30 në Shqipëri, çfarë dëshmon sipas jush?

    Historia e zhvillimit të letërsisë shqipe është një histori vonese, histori shmangiesh nga rrymat dhe dukuritë letrare bashkëkohore, histori asimetrike nga pikëpamja kronologjike dhe shembujt për ta përligjur këtë konstatim janë të shumtë. Mjafton të përmendim “Lahutën e Malcisë” së Fishtës, një epos romantik i ardhur në 1937, kur në letërsinë europiane gëlonin rrymat impresioniste, surrealiste, futuriste, hermetike, të cilat patën jehonë, sërish të vonuar në shqip, vetëm pas viteve nëntëdhjetë. Edhe pse studiues të shumtë janë marrë me shkaqet historike dhe letrare të shmangieve në letërsinë shqipe, ka mbetur ende pa u saktësuar diçka thelbësore: vonesa në procesin e zhvillimit të letërsisë shqipe është në vetvete vonesë në përkthimin në kohë të letërisë botërore. Sipas treguesit kronologjik të përmbledhjes, “Rastet” është shkruar në një hark kohor që shkon nga viti 1928 deri në vitin 6 Rastet 1939, kohë kur në Shqipëri Ernest Koliqi boton “Gjurmët e stinëve” më 1933; Lasgush Poradeci po më 1933 boton “Vallen e yjeve” dhe në 1937-ën nxjerr vëllimin e dytë poetik “Ylli i zemrës”; Migjeni boton poezitë e tij nëpër gazetat e kohës, si dhe “Vargjet e lira” më 1936, edhe pse nuk ishin bërë të njohura për lexuesin e, së fundmi, Gjergj Fishta përfundon dhe boton “Lahutën e Malcis” më 1937, të nisur që më 1905-ën. Te të katër këta poetë bashkëkohës të Montales, sendet nuk kanë arritur të ngjallen, të shpirtëzohen e të qendërzohen duke anashkaluar unin lirik, për të arritur në shkallën sipërore të indiferentizmit ekzistencialist modern, mohues ndaj realitetit. Poetët, qoftë pozitivisht e qoftë negativisht, kanë vendosur lidhje me këtë realitet duke u pozicionuar: me adhurim për rrënjët e shkuara te Koliqi, me përbuzje për të tashmen te Migjeni, me paqe me universalen njerëzore te Poradeci dhe me himnizim ndaj arketipales te Fishta. Po ashtu, në asnjë nga poetet shqiptarë nuk ka lindur dyshimi mbi fuqinë e fjalës: poezisë i besohet roli pasqyrues i realitetit dhe përcjellja e mesazheve. Në një panoramë të tillë, Montale bashkëkohës me katër poetët shqiptarë, tingëllon i pakuptueshëm dhe pa referentë mbështetës.

    Për ironi, “pak më vonë” kemi rastin e Zorbës, që ju e përmendni se mund të jetë ndikuar nga Montale, në një kohë që kontaktet me letërsinë perëndimore u vështirësuan…ç’ishin sipas jush këto kërkime për thelbin poetik, edhe pse poezinë e Zorbës, ashtu si Camajn e të tjerë lexuesi i njohu vonë?

    Zef Zorba, me sa kam lexuar kohët e fundit prej tij, do të ketë njohur më mirë dhe të jetë ndikuar më tepër nga përmbledhja e parë e Montales “Eshtra sepjesh” (provat e Zorbës në bashkëlidhjen e poezisë me muzikën, në ciklet “Fugat e fundit” apo “Mbresat e rrugëve”, kanë përkime të qarta me ciklin “Lëvizje” të Montales), meqenëse “Rastet” u botua në pak kopje më 1939-ën dhe u përhap vite më pas kur Zorba ndodhej në Shqipëri dhe kontaktet me poezinë botërore u vështirësuan. Kjo nuk e pengoi poetin shqiptar të bëjë paralelisht gati të njëjtin kërkim ndaj thelbit të poezisë, mundësisë së saj për ta shprehur realitetin, ashtu si poeti italian. E dëshmon këtë jo vetëm të kuptuarit e poezisë, si imazh që evokon objektin, por edhe kërkimet e tij për të qëmtuar fjalë të rralla e arkaike, përpjekja për të ringjallur një fjalor të harruar, proces ky i përafërt me atë të Montales përtej detit. “Shtegu” shpëtimtar montalian që te “Rastet” i besohet “gruas-engjëll”, konceptohet njëlloj edhe në poezinë e Zorbës, të shkruar më 1946: I errët ky shteg. Nuk mundem/rrugën me gjetë pa dritën/ tande. (Çka më sëmbon?)/ Në cep të greminës,/që joshë e ngujon,/ a nuk e sheh si po lëkundem?/…. dhe po e njëjta fytyrë që te Montale është e mbuluar nga “akujt” (Të çliroj ballin prej akujve), te Zorba është me “pluhur bore”. E gjitha kjo për të dëshmuar se botimi jo në kohë i poezisë së Zorbës apo edhe Camajt, njohja e vonuar e lexuesit shqiptar me këta poetë, që “rimarrin fillin e këputur të vazhdimësisë së letërsisë shqipe”, të paktët ku mund të gjenden përkime me poezinë moderne bashkëkohore, vështirëson dhe komunikimin e veprës së Montales me lexuesin shqiptar.

    Në fakt përkthimi i vonë, i një aradhe autorëve me përmasa ndikuese në letërsinë e çdo vendi, siç ju jeni ndalur në parathënie nga Montale, Xhojsi, Elioti, Paundi, Beketi, Stivensi , Mandelshtami, Rilke etj e ka vënë përkthyesin shqiptar në mëdyshje të rëndësishme, që lidhen me konceptet por dhe mënyrën e përkthimit… Nisur nga rasti konkret, qoftë përkthyesi, por dhe letërsia pritëse a mendoni se kanë probleme për të zgjidhur ende?

    Natyrisht që ka. Vonesa në përkthimin e autorëve me përmasa të tilla ndikuese në letërsinë e çdo vendi, si Montale apo Xhojsi, Elioti, Paundi, Beketi, Stivensi, Mandelshtami, Rilke dhe Kafka e vë përkthyesin shqiptar para mëdyshjeve të rëndësishme, që ndajnë prerazi koncepte bazë mbi mënyrën e përkthimit dhe funksionin e tij, duke qenë se përkthimi në këtë rast kthehet në një fenomen të ri e, për rrjedhojë, qëllimi i përkthimit anon më tepër në zgjidhjen e problemeve me letërsinë pritëse, sesa me nxjerrjen në pah të veçantisë së veprës. Përkthimi i kuptuar si metatekst duhet të përforcohet nga gjegjës parapritës, nga citime apo reminishenca të mëparshme, e në mungesë të tyre, përthithja e autorit ndërlikohet. Në këtë këndvështrim, rasti i përkthimit të poezisë së Montales vështirësohet, jo thjesht nga mungesa e një strukture referente rrymash moderniste në letërsinë shqipe, por veçanërisht nga ardhja e vonuar e poezisë anglosaksone të shekullit të kaluar në shqip, sidomos poezisë së Eliotit dhe konceptit të tij të “bashkëlidhjes objektive”, që ndikoi në mënyrë vendimtare në procesin krijues të poetit.

    Si ka qenë vëmendja për këtë poet në kohën kur u botua?

    Ardhja e një autori të rëndësishëm në gjuhën pritëse përbën edhe një moment letrar për kulturën vendase dhe teorikisht ka lidhje, jo vetëm me problemet specifike të përkthimit, por sidomos me funksionimin e tij dhe, për këtë arsye, procesi duhet të përgatitet për të mos dështuar dhe për të mos e kthyer veprën në një ishull artificial. Ndihmesë të madhe në këtë rast japin kanalet e specializuara për kalimin e përkthimit, si: universitet, revistat letrare, kritika dhe mediumet profesionale. Për ta kuptuar më konkretisht dhe për të krijuar një kuadër të plotë të mekanizmave që i krijojnë terrenin një fenomeni letrar, po paraqes rastin e përkthimit të Montales në Angli. Montale u përkthye në Angli si poet bashkëkohës dhe me një vëmendje të veçantë të protagonistëve të rëndësishëm të panoramës letrare anglosaksone, si Elioti e Beketi. Botimi i poezive të tij kaloi në disa faza: periudha 1928-1936 u karakterizua nga botime të vazhdueshme në revistat më në zë letrare të kohës në Angli, shoqëruar me recensione kritike. Një botim përmbledhës i veçantë u bë më 1946-ën, nga Fine Arts Department of Reading, me një numër të kufizuar kopjesh, vetëm 150. Më 1946-ën, BBC hapi një kanal të ri, Third Programme, unik në llojin e tij, i orientuar si medium masiv në shërbim të kulturës, me financime shtetërore, i drejtuar nga një prej personaliteteve në fushën e gazetarisë si Donald Kern-Ros2 , themelues i një reviste të rëndësishme letrare, përkthyes dhe lektor universiteti. Më 1955-ën, kanali i kushtoi dy emisione të rëndësishme poezisë së Montales dhe për këtë rast u përgatit dhe vëllimi i parë me përmbledhje poezish, të përkthyera nga Edvin Morgan, nën kujdesin e shkollës së Art-University of Reading dhe kritikut Luixhi Menegelo. Një aparat i tërë kritike: revista, studime, programe të specializuara për të paraprirë ardhjen e një autori të rëndësishëm në një botim të veçantë, edhe pse referentët metatekstualë në letërsinë anglosaksone ishin të shumtë.

    Në Shqipëri ky poet, ashtu siç ju ka përfshirë edhe juve, ka një proces përkthimi duke kujtuar disa emra si Anton Papleka, Shpëtim Kelmendi, Arben Dedja, Visar Zhiti, Xhevahir Spahiu, e më vonë në cikle nga Ledia Dushi, Leka Ndoja etj… ku është Eugjenio Montale në gjuhën tuaj?

    Përkthimi i Montales në Shqipëri pas viteve nëntëdhjetë ka ardhur si një proces i ndërlikuar dhe i vështirë. Megjithatë vlen për t’u përmendur si një arritje e rëndësishme përmbledhja e parë e “Antologjisë së poezisë italiane të shekullit XX”, ku gjendet dhe një cikël me poezitë e Montales, me përkthime të Shpëtim Kelmendit, Anton Paplekës, Klara Kodrës, Arben Dedjas, Visar Zhitit dhe Xhevahir Spahiut. Cikle të poezisë së Montales janë botuar në revistat letrare Mehr Licht, Aleph, Poeteka, si dhe në suplementin Milosao nga përkthyesit e mësipërm dhe të tjerë, si Ledia Dushi, Leka Ndoja etj.. Vëllimi i parë poetik i Montales “Eshtra sepjesh”, është botuar më 2006 shoqëruar me parathënie kritike dhe shënime përkatëse. Në përkthimet e sipërpërmendura, edhe pse në veçanti ka metatekste të arrira dhe stilistikisht të qëlluara, nuk mungojnë dhe moskuptimet dhe keqkuptimet. Në këtë vazhdë përkthimesh mendoj se vëllimi “Rastet” ka ardhur së pari i pajisur me një aparat shpjegues të domosdoshëm për të kuptuar poezinë montaliane dhe së dyti i shoqëruar me shkrime kritike që lehtësojnë në një farë mënyre përthithjen dhe kuptimin e autorit.

    Na tërheq vetëdija intelektuale që ka shoqëruar poezitë e Montales duke kuptuar atë si “art që lindet nga përplasja e arsyes me diçka që nuk është arsye”. Çfarë është kjo “beteje” me fjalën?

    Çdo krijues ngre brenda vetes pyetje të rëndësishme, të cilave përpiqet t’u japë përgjigje gjatë gjithë krijimtarisë së tij. Për Montalen, si poet filozof, pyetja tunduese ka qenë: sa mundësi ka poezia të paraqesë të vërtetën, realitetin? Sa mundësi ka që mendimi i cili u nënshtrohet ligjeve të logjikës të paraqesë kaosin e përvojës jetësore? Sa mundësi ka fjala, e prerë kallëp dhe e aftë për të përcaktuar vetëm një koncept abstrakt në një kohë të ngurtësuar, të depërtojë në këtë realitet të pakapshëm e shumëformësh që nuk ndalet dhe ta ngulisë atë një herë e mirë? Në fazën e parë të krijimtarisë së tij, te vëllimi “Eshtra sepjesh” (Ossi di seppia), ku janë përmbledhur poezi të shkruara nga viti 1916 deri në vitin 1925, Montale mban një qëndrim mosbesues lidhur me aftësinë shprehëse të fjalës e të poezisë në vetvete.
    Ajo çfarë poezia mund të thotë, sipas poetit, është vetëm “ajo që nuk jemi”, pra një përkufizim mohues ndaj realitetit “të ashpër” e “zhuritës” që na rrethon. Poeti dhe poezia e tij janë zënë ngërç në një botë shterpë, aspak mikpritëse për njeriun, armiqësore dhe të ftohtë, ku vuhet “e keqja e të jetuarit”, e kuptuar si sëmundje ekzistenciale. Me gjithë këndvështrimin e errët, Montale që në zanafillë ia beson shpëtimin fjalës, poezisë, kuptuar kjo e fundit ashtu siç e përcakton vetë poeti si “art që lindet nga përplasja e arsyes me diçka që nuk është arsye…”, pra si vetëdije intelektuale për të gjetur dritën e shpresës dhe të rrugëdaljes. Montale ia ka besuar fjalës poetike mundësinë e kuptimit dhe zbërthimit të botës përqark. Kjo ka përbërë edhe sfidën e krijimtarisë së tij.

    Ç’janë Rastet? Ka një shpjegim nga ju pse ky jetësim kaq misterioz për figurën femërore?

    “Rastet” paraqitet si një korpus këngësh dashurie, ku spikat prania e tri figurave femërore, mes të cilave veçanërisht njëra, personazhi i gruas-engjëll, siguron edhe pasurimin e kumtit nëpërmjet shndërrimit të saj të vazhdueshëm. Vetë poeti ia ka kushtuar veprën I. B.-së, studiueses amerikane, me origjinë hebreje, Irma Brandeis me të cilën pati një lidhje dashurie të parealizuar. Në vitet e fundit është botuar edhe letërkëmbimi mes Montales dhe Irmës që përbën edhe një material shtesë për interpretimin e kësaj vepre.
    “Rastet” paraqitet si kërkimi i një takimi që shndërrohet pabeft në ndarje: gratë e kësaj përmbledhjeje paraqiten si personazhe në arrati, bredharake që nuk zënë vend, gjithnjë me mendjen e ngritur; ose janë figura femërore të pranishme ose jo, që sulmojnë poetin me kujtimet e tyre e me fanitjet e magjishme, që sakaq davariten. Vëllimi “Rastet” është në një farë mënyre paraqitja stilistike e kundërshtisë së vazhdueshme, e ngërçit të përhershëm mes emocionit dhe arsyes, mes shpirtërores dhe pamjes së qashtër të reales.
    I shkruar në një kohë të errët për Italinë, nga viti 1928 deri në vitin 1939 kur dhe u botua, “Rastet” edhe pse në dukje nuk ka lidhje me situatën politike të vendit, u kthye në një simbol të vështirësisë për të jetuar, të mundësisë për t’iu shmangur vorbullave përpirëse të kohës, në një shpresë për rininë e asaj kohe.

    Ju e kërkoni me ngulm, si nga rastet e rralla në përkthime, vëmendjen e lexuesit drejt këtij poeti, por ashtu si ju, në kërkim të përmbushjes së vet shpirtërore, si një “ftesë për të shpresuar”…Aq sfidë ishte përkthimi për ju i kësaj vepre?

    Mendoj se është detyrë e njerëzve të letrave që në zallahinë e botimeve të orientojnë lexuesin drejt letërsisë së mirë. Montale është një autor i thellë që të ndihmon për të kuptuar gjithë rrugëtimin e poezisë italiane duke filluar prej Dantes, ndaj njohja me të do të ishte një mundësi e mirë për të përshkuar shekuj të zhvillimit të poezisë.
    Përpos procesit njohës, poezia e Montales të ndihmon për të kryer edhe një rrugëtim në kërkim të përmbushjes shpirtërore dhe të kënaqësisë estetike, ndaj dhe kam bërë detyrën time si udhërrëfyese dhe shpjeguese e tekstit montalian. Për ta arritur këtë më është dashur që të këtë proces ta kaloj vetë si lexuese, studiuese dhe përkthyese. Më kanë ndihmuar mjaft edhe miqtë e mi krijues dhe njohës të letërsisë italiane gjatë procesit të përkthimit. Do të doja të përmendja këtu konsultimet dhe mendimet e vyera të poetëve dhe përkthyesve Parid Teferiçi, Luljeta Lleshanaku dhe Arian Leka, si dhe studiueses Persida Asllani. Një punë të kujdesshme ka bërë gjithashtu shtëpia botuese PEGI, kryeredaktorja Aida Baro, redaktorja letrare Tereza Babasuli dhe korrektori Arlon Lika, të cilët i falënderoj përzemërsisht.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË