(Marrë me shkurtime nga parathënia e librit “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve” i Matteo Mandalà, botimet “Naimi”, vlerësuar nga juria e Çmimit Kombëtar për Letërsinë si libri më i mirë studimor i vitit)
Interesat shkencorë të Matteo Mandalà përfshijnë lëmenj e sektorë të ndryshëm të albanologjisë, nga folklori dhe kultura popullore te letërsia e kultivuar, dialektologjia, leksikologjia, fonetika dhe morfologjia, etimologjia, historia, antropologjia kulturore, për t’u ndalur sidomos te filologjia dhe ekdotika, fusha këto të fundit që, për nga vetë natyra e tyre, kërkojnë një qasje ndërdisiplinore, ose për ta thënë me fjalët e Çabejt, një “metodë globale”. Libri “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve” përmbledh një përzgjedhje të kontributeve të autorit në fushën e gjuhësisë, kryesisht të dialektologjisë, të historisë së gjuhës shqipe dhe të etimologjisë…
Në grupin e studimeve të kryera në funksion të punimeve filologjike dhe ekdotike është edhe ai Mbi gjuhën e Lekë Matrangës, të parit autor arbëresh që njohim. Pa e tepruar do të thoshim se kemi të bëjmë me një punim filologjik ekzemplar, i cili i ka të gjitha elementet për të shërbyer si model paradigmatik, si manual teorik dhe si udhëzues praktik për të gjithë ata filologë që do të merren me përgatitjen e botimeve kritike të traditës sonë letrare.
M. Mandalà, përveç meritës së padiskutueshme, ka pasur edhe fatin e rrallë, madje, më mirë të themi unik, të ketë në dispozicion tekste të plota që dëshmojnë çdo fazë të punës dhe të procesit të gjatë të hartimit të veprës së Matrangës: variantin dorëshkrimor autograf të Matrangës, variantin e përgatitur nga rishikuesi a redaktori që në fakt bënte punën e censorit për Vatikanin, me ndërhyrje të shumta, plotësime, heqje e shtesa të bëra prej këtij pa dijeninë e autorit, variantin e kopistit që përgatiste një kopje të pastër dorëshkrimore për shtypshkronjën e që, duke mos qenë shqipfolës, kopjonte mekanikisht germë pas germe pa kuptuar asnjë fjalë, duke bërë natyrisht gabime të shumta, së fundi librin e shtypur që bart edhe gjurmët e ndërhyrjeve dhe gabimeve të pavetëdijshme të radhitësit të shtypshkronjës.
Në këtë botim kritik secili prej këtyre elementeve dorëshkrimore i nënshtrohet një analize të imët e të gjithanshme, gjuhësore, rrethanore, tekniko-tipografike dhe secili syresh i risillet, i rikthehet lexuesit (në kuptimin e restitutio textus) prej Mandalàsë përmes një metode ekdotike dhe aparati kritik rreptësisht shkencor. Në fund ai i propozon lexuesit një tekst të vetin kritik, një lloj kompromisi lachmannian, me fjalë të tjera rindërtimin e një teksti që paraqitet si rezultante optimale e të gjitha varianteve të trashëguara, pra, të një teksti jo ashtu siç dëshmohet nga dorëshkrimet, por ashtu siç duhej të ishte në synimet e autorit… Sepse siç ka thënë me të drejtë filologu italian Aurelio Roncaglia: “Që të përdoret në mënyrë korrekte, çdo lloj teksti, qoftë ky fetar, shkencor, juridik, historik a letrar, së pari duhet paraqitur në formën e vet autentike. Shtrembërimi qoftë edhe më i vogël i bazës dokumentare të një teksti rrezikon ta dëmtojë rëndë gjykimin tonë mbi të. Pa tekste të sigurta nuk mund të bëhet as histori letrare, as kritikë», as gjuhësi historike, do të shtonim ne. Mirëpo për fat të keq sot një pjesë të mirë të veprave të traditës sonë letrare, sidomos që nga Rilindja e këtej, i kemi në dorë, ku më shumë e ku më pak, të paplota, të cenuara, të cunguara, me fjalë të tjera, të pasigurta. Na duhen tekste të sigurta!
Pikërisht te përmbushja e kësaj premise epistemologjike qëndron edhe merita e veçantë e studimit Mbi gjuhën e Lekë Matrangës që përfshihet në këtë vëllim, i cili ka si objekt gjuhën e vetëm njërit prej tri dorëshkrimeve që kemi trashëguar nga vepra e Matrangës, sepse sikurse është vërtetuar më së miri në monografinë e lartpërmendur, ai është i vetmi dorëshkrim autograf i pacenuar nga ndërhyrjet e aktorëve dhe faktorëve të tjerë që morën pjesë në procesin e botimit të librit, e si i tillë përbën të vetmen dëshmi autentike të gjuhës së autorit të parë toskë që njohim në historinë e shqipes.
Me interes të veçantë janë analizat e Mandalasë mbi disa veçori morfologjike të gjuhës së Matrangës dhe ballafaqimi me mendimet e shprehura nga gjuhëtarë si Marko La Piana, Selman Riza, Eqrem Çabej e Shaban Demiraj. Këto të dhëna që nuk janë të panjohura për gjuhësinë shqiptare, në dritën e analizave dhe saktësimeve të Mandalasë marrin një vlerë të re. Sikurse e thotë vetë autori, «vështruar në këtë dritë, vepra e Matrangës përbën një dokument me vlerë të madhe për rindërtimin e disa prej fazave më të moçme të historisë së shqipes».
Fakti që arbëreshët edhe pas vendosjes në Itali vazhduan të ruanin dhe të zbatonin me kryeneçësi ritin fetar bizantin, qysh në fillim nuk ishte parë me sy të mirë nga prelatët lokalë të kishës katolike dhe përgjithësisht nga mjedisi sicilian, që i kishte identifikuar ata gjithmonë me grekët skizmatikë… Në këto kushte klerikët arbëreshë, të vetëdijshëm për rrezikun e zhdukjes që i kanosej kishës së tyre dhe mbarë komunitetit arbëresh, vendosën të kërkonin një rrugëzgjidhje. Kështu, në vitin 1734, me nismën e at Gjergj Guxetës u themelua Seminari Arbëresh i Palermos, që formalisht duhej të përgatiste klerikë për komunitetin arbëresh, por realisht, nën drejtimin e Gjergj Guxetës u shndërrua në një qendër kërkimesh dhe studimesh mbi historinë, kulturën fetare, doket, zakonet dhe gjuhën e arbëreshëve.
Projekti ideologjik i at Gjergj Guxetës niste në thelb si një lëvizje vetëmbrojtjeje e një komuniteti të vogël që nuk donte të shuhej duke u konformuar dhe asimiluar nga mjedisi rrethues, e në të njëjtën kohë nuk donte as të mbetej gjithmonë viktimë paragjykimesh fetare dhe diskriminimesh socio-politike. Sado e pabesueshme të duket sot, pikërisht kështu lindi ajo aventurë e jashtëzakonshme që përfshiu breza të tërë intelektualësh arbëreshë dhe që mes mijëra vështirësish pas më se një shekulli kaptoi Adriatikun për të zgjuar nga gjumi shqiptarët, duke i dhënë udhë lëvizjes së Rilindjes Kombëtare.
Lëvrimit të gjuhës shqipe prej dy dishepujve të at Gjergj Guxetës, Nikollë Filjes dhe Nikollë Ketës, i kushtohen dy studime të Mandalasë të përfshira në këtë përmbledhje. “Disa vërejtje mbi të folmen arbëreshe të Munxifsit përmes veprave të Nikollë Filjes” e merr shkasin nga botimi kritik i Kodikut të Kieutit, që Mandalà përgatiti dhe botoi në Itali në vitin 1995.
Autori i këtij kodiku, Nikollë Filja, ishte nga fshati Munxifs (it. Mezzojuso) në zemër të Sicilisë, një ngulim arbëresh ku sot nuk flitet më shqipja. Për këtë arsye gjuha e Kodikut përbën njëherazi edhe të vetmen dëshmi të kësaj të folmeje arbëreshe të zhdukur, ashtu siç flitej treqind vjet më parë. Prej këtej merret me mend edhe rëndësia e këtij dokumenti për historinë e gjuhës shqipe. Pikërisht shqyrtimi i tipareve gjuhësore më arkaike të këtij teksti përbën objektin e studimit të Mandalasë, i cili, sikurse në rastin e gjuhës së Matrangës, për të arritur te gjuha e Filjes duhet të hetojë më parë gjithë kontekstin historiko-kulturor, përfshirë sistemin grafik, që u mbivendoset tipareve gjuhësore të tekstit.
Nikollë Keta ka qenë pa dyshim nxënësi më i shquar i at Gjergj Guxetës, vijues i denjë i projektit madhor të krijimit të identitetit etnokulturor arbëresh dhe njëherazi autori me veprën më të gjerë, më komplekse e më poliedrike në historinë e albanologjisë së shek. XVIII, që përqafon fusha dhe sektorë si historiografia, teologjia, filozofia, etnokultura, folklori, gjuhësia dhe krijimtaria letrare. Përveç veprës madhore Tesoro di notizie su de’ Macedoni (1777), e cila përmbledh të shtjelluara të gjitha elementet që përbëjnë impiantin teorik të mbarë lëvizjes kulturore arbëreshe të shek. XVIII, Keta shkroi edhe disa vepra në gjuhën shqipe, botimi kritik i të cilave, i përgatitur nga M. Mandalà, u publikua tash së fundi për lexuesin shqiptar. Nga monografia që shoqëron këtë botim kritik është shkëputur studimi “Disa vërejtje gjuhësore mbi veprën shqip të Nikollë Ketës”. Në dritën e analizave gjuhësore që parashtrohen në këtë studim të Mandalasë mund të nxirren disa përfundime mbi kontributin që i dha Keta lëvrimit të gjuhës shqipe. Ka së paku dy arsye kryesore në bazë të të cilave mund të pohohet se me këtë autor shqipja e shkruar nga arbëreshët shënoi një hop të madh cilësor:
Të folmet arbëreshe me karakterin e theksuar konservativ që paraqesin, kanë përbërë gjithmonë një minierë të dhënash me vlerë të madhe për studimet historike në fushë të shqipes. Fakti që arbërishtja u shkëput nga trungu i shqipes ballkanike nga fundi i shek. XV, duke ndërprerë apo duke tjetërsuar zhvillimin e natyrshëm historik të shumë proceseve gjuhësore, shënon një tregues të vlefshëm për datimin dhe shtresimin e një sërë dukurish fonetike, gramatikore dhe leksikore. Ndër këto të fundit interes të veçantë paraqesin huazimet leksikore, sidomos ato nga turqishtja, shtresimi historik i të cilave, me gjithë arritjet e deritashme, mbetet një nga çështjet ende të pazgjidhura plotësisht nga studimet tona gjuhësore. Dy nga studimet e përfshira në këtë vëllim kanë për objekt shqyrtimin e turqizmave e përgjithësisht të orientalizmave që dëshmohen qoftë në të folmet arbëreshe të gjalla të Italisë, qoftë në veprat e traditës shkrimore arbëreshe, sidomos asaj të shek. XVIII të zhvilluar në Sicili, krahasuar, nga njëra anë, me orientalizmat që gjenden në të folmet romane të Sicilisë prej nga mund të kenë hyrë në arbërishte, nga ana tjetër, me turqizmat e dëshmuar në veprat e autorëve të vjetër gegë dhe kryesisht ata që përmban Fjalori i Francesco Maria da Lecce-s, si burimi më i pasur leksikor i shqipes së fundshekullit XVII.
Rezultatet e këtij kërkimi shumërrafshësh besojmë se përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e njërës prej çështjeve të mprehta të shtresimit historik të leksikut të shqipes.
Në këtë kuadër studimet e Mandalasë të përfshira në këtë vëllim, sikurse edhe botimet kritike të veprave të autorëve arbëreshë të traditës si Filja dhe Keta, të përgatitura prej tij, sjellin një kontribut të vyer në ndriçimin e historisë së fjalëve të vjetra të gjuhës shqipe. Pikërisht vetë emrit të kësaj gjuhe, pra “shqipes”, dhe gjithë çerdhes leksikore që rrjedh soje, i kushtohet studimi “Shqip, shqiptar, shqipini në Fjalorin (1702) e Francesco Maria da Lecce-s”. Deri para se të zbulohej dorëshkrimi i Fjalorit të Da Lecce-s, dëshmitë e pakta që kishim nga përdorimi i parë ndajfoljor i fjalës shqip, referuar gjuhës, te Meshari i Buzukut (1555) deri te dokumentimi i parë i etnonimit shqiptar te Kuvendi i Arbënit (1706) ishin të pamjaftueshme për të ndjekur zhvillimin e brendshëm semantik të kësaj çerdheje leksikore dhe sidomos motivimin e kuptimeve të sotme. Duke analizuar me akribi të dhënat e shumta që përmbahen te Fjalori i Da Lecce-s, Mandalà arrin të zbulojë kuptime tashmë të zhdukura dhe të rindërtojë mjeshtërisht strukturën e plotë kuptimore të fjalëve dikur polisemantike shqip, shqiptar e shqipini, duke hedhur kështu përfundimisht dritë mbi historinë e zhvillimit të brendshëm të etnonimit të shqiptarëve.
Në tërësinë e vet ky vëllim përfshin studime të zgjedhura me synimin për të dhënë një kuadër të qartë të prirjeve të albanologjisë së sotme arbëreshe e njëherazi për të vënë në pah faktin se studimet gjuhësore të kryera nga albanologët arbëreshë mbi komunitetet e tyre përbëjnë një model paradigmatik të qasjes shkencore ndaj çështjeve të mëdha të gjuhësisë shqiptare. Falë veprimtarisë së pandërprerë shkencore të shkollës albanologjike arbëreshe, diakronia dhe sinkronia, tradita letrare dhe tradita gojore, ekdotika dhe dialektologjia strukturohen brenda një vizioni epistemologjik që, siç ka bërë deri më sot, do të vijojë të garantojë rezultate të sigurta edhe në të ardhmen.
Prof. Gëzim Gurga, Universiteti i Palermos, Itali