Në 30-vjetorin e shuarjes së Hekuran Zhitit, kur bijtë kujtojnë etërit
Nga Visar Zhiti
Tridhjetë vjet më parë, më 15 mars 1989, në qytetin e Lushnjës ndërroi jetë aktori i estradës dhe komediografi Hekuran Zhiti, që u dha aq shumë gaz e të qeshura njerëzve, me vite, por vetë pati një jetë të vështirë dhe të trishtuar që, sa bëhej i njohur, e shmangnin dhe e braktisnin, i përndjekur që herët, deri edhe me dënime dhe me qëndresë ideale. Por edhe me arritje të pabesueshme. Im atë. Prind i dhembshur dhe i sakrificave.
Dua ta kujtojmë, sepse më huton dhe trondit se si vepron mekanizmi institucional i harresës mbi ca e ca, vetvetiu apo i qëllimtë, me porosi të fshehta, të pashkruara, sipas ideologjive, me shuarje emrash, deri edhe me përbaltje etj., etj., apo “kështu jemi ne (?!)”…
Duhen vëllezër e bij këmbëngulës, miq idealë, që të kujtohen herë pas here, jo shtetërisht, p.sh. poetët e pushkatuar Vilson Blloshmi e Genc Leka, i varuri Havzi Nelaj, shkrimtari Lazër Radi apo romancieri Astrit Delvina etj. Do të duhej Kleri Katolik që të kujtoheshin intelektualët e mëdhenj të kombit, martirët tanë studiues, poetë e shkrimtarë, ndryshe do të rivriteshin. Pse harrohen përvjetorët e poetit më guximtar Trifon Xhagjika? Të disidentes së parë grua, shkrimtares së parë Musine Kokalari? Të Arshi Pipës, por edhe të Faik Konicës, Gjergj Fishtës? Të Mitrush Kutelit, Ernest Koliqit? Të Lasgushit, Fatos Arapit? Të Zai Fundos, Xhavat Korçës, Isuf Luzajt, Mirash Ivanajt, Kahreman Yllit etj.? U provua me albanologun, bibliofilin dhe shkrimtarin Mit’hat Frashëri, me ceremoninë dinjitoze zyrtare që iu bë dhe që nga ajo ditë ai s’është lënë më i qetë. Nuk po zgjatem me këtë dukuri, që ndihet shpesh. Duhen angazhime dhe hulumtime të tjera, shkundje dhe përgjegjshmëri shtetërore, një kalendar vlerash dhe një agjendë kujtese e institucioneve të kulturës. Sot dua të kujtoj tim atë, ndoshta këtu fillon, kur bijtë nderojnë etërit. E kujtoj jo vetëm si bir, prandaj do të doja të isha i fundit, por ja që të fundit ndonjëherë dalin të parët, ngaqë, siç thonë ata që e kanë njohur dhe kanë shkruar për Hekuranin, “ai mbetet një fenomen”, ku bashkohen natyrshëm mësuesi i nderuar patriot dhe poeti i satirës së thukët, aktori i lindur i humorit dhe shkrimtari i beftë i shumë komedive, i një aradhe, ndërkaq mik besnik, por që s’pajtohet me asnjë realitet, i kompromisit dhe i përtalljes së kompromisit, inatçi i zjarrtë dhe i ndjeshëm pa fund, zemërgjerë dhe kryefamiljar i denjë dhe qytetar shembullor. Ai vërtet është shpallur “Qytetar Nderi” në Lushnjë dhe një rrugë mban emrin e tij, por rruga e jetës së tij është një dramë më vete, një qëndresë në ferr duke bërë ndërkohë që njerëzit të shqyheshin gazit me ferrin e tyre për ta pasur më të lehtë.
VENDLINDJA DHE ELEGJITË
Pas malit të Tomorrit, në Tomorricë, në fshatin Milovë, jetonte fisi i Zhitëve, aty nën hijen e tempullit të famshëm të Olimpit të Shqiptarëve.
Ishin familje e madhe dhe e pasur, me toka e bujq, me kullota e me dhen që s’numëroheshin, me prona dhe poshtë në Berat, madje edhe më larg, në Selanik të Greqisë. Në kullën e Zhitëve, me këtë mbiemër hebraik, që thuhej se duhej ta kishin ngaqë do të kishin mbajtur hebrenj në kohëra më të hershme, bujtnin gjithmonë miq, komitë, dervishë, murgj që iknin për në malin Atos, të panjohur, bejtexhinj, vinin çeta luftëtarësh, partizanë, ballistë, oficerë grekë të luftës italo-greke, ushtarë italianë të mbetur pas kapitullimit të fashizmit etj. Ajo kullë ishte strehë e njeriut. Në fillimet e shekullit XX filluan të merreshin edhe me punë intelektuale. Hekurani, fëmija i dytë mes tre vëllezërve dhe dy motrave, lindi më 13 prill 1911 dhe që të kishte jetë, jo vetëm i vunë një emër të tillë, por e kaluan edhe përmes hekurave të perustisë/ kambies së zjarrit. Vëllai i madh i Hekuranit do të hapte një shkollë në vendlindje dhe do të shkruante vjersha dashurie, por diktatura komuniste do ta pushkatonte me të parët si nacionalist, edhe pse vëllai më i vogël i tyre do të dilte malit partizan, me të parët edhe ai.
Hekurani, pasi mbaron shkollën fillore në Berat, shkon për studime në “Normalen” e famshme të Elbasanit, ku spikat për vjershat e tij satirike dhe interpretimet në skenë, i vlerësuar nga pedagogët e tij si Simon Shuteriqi, babai i shkrimtarit dhe studiuesit Dhimitër Shuteriqit, dhe Karl Ljarja, babai i aktorit Rikard Ljarja etj., por edhe nga shokët e klasës si shkrimtari i ardhshëm Sterjo Spasse etj. Ëndrra e tij u bë teatri. Luante në pjesët teatrore që përkthenin pedagogët dhe nisi të shkruajë edhe vetë.
Revista “Normalisti” (botuar në Tiranë, shtypshkronja “Shkodra”, 1933) ka edhe këtë kujtim të bashkëstudentit të tij, Vasil Vaska: “…Gjith natën e kaluem tue bamë gas, tue këndue e tue çfaqun nji komedi të trillueme prej H. Zhitit…” Kurse miku tjetër i klasës, Haki Ballshi, në një kumtesë do të thoshte: “E qeshura, sipas Hygoit të madh, është dielli që përzë dimrin nga fytyrat e njerëzve. Dhe neve na e hiqte dimrin nga fytyrat e qeshura që na jepte një diell-njeri, një humorist i rrallë, shoku ynë i klasës H. Zhiti. Ai ishte Omar Khajami ynë… Portretin e tij nëpër reklama e shëtisnin hamejtë e skenës rrugëve të qyteteve, duke u bërë kështu humoristi më i mirë i Jugut…”
“Ne e kishim idhull H. Zhitin”, – do të thoshte në Uashington “Në zërin e Amerikës” gazetari i mërguar Ilia Therecka, ish-i burgosur politik…
“Normalistët” bëjnë një turne në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, se kur e njeh vendin, e do edhe më shumë. Në Shkodër i priti patriarku i letrave shqipe, Atë Gjergj Fishta, që e vlerësoi Hekuranin sipas dëshmive gojore.
Të gjithë mësuesit e “Normales” dhe nxënësit e klasës i shkruajnë një letër Mbretit Zog I që Hekurani të çohej me studime jashtë për aktrim, por një bursë e tillë nuk ishte parashikuar. Mbaron “Normalen” në vitin 1932 dhe punon si mësues në Patos, ku është nderuar me titull, e më pas në fshatrat e minoritetit grek në Jug.
Rebelohet kundër pushtimit të vendit nga Italia fashiste, vitet e luftës i kalon në Berat, bashkohet me lëvizjen rinore, nuk ishte dakord me atentatet dhe vëllavrasjen, bashkëpunon me intelektualët nacionalistë Mit’hat Frashëri, Sejfi Protopapa, Abaz Ermënji, me kushëririn e tij Safet Butka, është shok me Margarita e Kristaq Tutulanin, me shkrimtarët Vexhi Buharaja, Mustafa Greblleshi, me Petro Markon e Nonda Bulkën etj.
Në elegjitë e Hekuran Zhitit do të vajtoheshin njëlloj si të rënët nga radhët e partizanëve po ashtu dhe të Ballit Kombëtar.
POEMA E PËRQAFIMIT TË KUNDËRSHTARËVE DHE DËNIMI
Kulmi elegjiak i poezisë së Hekuran Zhitit do të arrihej me poemën “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, që u botua gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore shumë herë në gazeta të ndryshme të vendit, Tiranë, Korçë etj., dhe u dramatizua, duke u shfaqur, përveçse në Berat, në Vlorë e Lushnjë e deri edhe në kinema “Kosova” në Tiranë.
Poema do të shpërndahej edhe si trakt, ndërkohë partizanët kishin urdhër, siç e dëshmonte edhe vëllai i autorit të saj, partizan në ato vite, që ta mblidhnin poemën kudo dhe ta digjnin. Mbas luftës autori i poemës do të ndëshkohej. Gjatë torturave do t’i thuhej, përveç të tjerave, se me atë poemë pacifiste kishte sjellë shumë dëme.
Poema do të harrohej bashkë me emrin e autorit. Madje, në vitet e diktaturës, në fabrikën e letrës në Lushnjë, ndërsa sillnin botime të ndaluara për t’i ricikluar në letër të bardhë, krahas “letërsisë së verdhë” apo të zezë, rozë të paraluftës, revistave kulturore, fetare etj., por dhe librave të kritikuar që i nxirrnin nga qarkullimi, u soll edhe një revistë, ku ishte botuar edhe kjo poemë.
Pas rënies së diktaturës, poema po kujtohej dhe u ribotua, madje u vu në skenë serish në Lushnjë, me regji të Llukan Kolës.
Mes shkrimeve kritike për këtë poemë, po zgjedhim se ç’ka shkruar profesor Agim Vinca në veprën “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)”, Prishtinë, 1997, në kapitullin “Poezia si akt moral”: “Një krijim interesant i kohës së luftës, antipod i poemës “Epopeja e Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt, mund të konsiderohet poema “Përqafimi i dy kundërshtarëve” e Hekuran Zhitit (Hekuran Zhiti, “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, “Jehona”, nr. 3, f. 53, Shkup, 1994) e cila, njësoj sikurse dhe autori i saj, njihen fare pak, për të mos thënë aspak. Kjo poemë (…) luftën dhe antagonizmat e saj në Shqipëri nuk i sheh në planin ideologjik dhe politik, por në atë kombëtar. Siç e thotë edhe vetë titulli i saj, ajo kërkon përqafimin e kundërshtarëve, pra pajtimin kombëtar midis palëve në konflikt: partizanëve dhe ballistëve…
Në përpjekje e sipër të dy taborëve kundërshtarë vëllai vret vëllain dhe kur merr vesh ç’ka bërë, nxjerr revolverin dhe vret veten. Pastaj shfaqet “Fantazma e Ajkunës” si personifikim i nënës shqiptare nëpër shekuj. Dramaciteti dhe tragjizmi i poemës rritet: përmbi trupat e bijve të vrarë bie edhe mëma e mjerë!
Autori e parandien se përçarjet dhe vëllavrasjet që filluan gjatë luftës, do të vazhdojnë edhe pas saj. Shqiponja është simbol i flamurit dhe i atdheut. Ajo lë edhe dy porosi, me anë të të cilave kërkon bashkim e përparim për Shqipërinë dhe përmend Kosovën dhe Çamërinë e robëruar. Dy vargjet ku apostrofohen ato, janë ndër më të bukurat e poemës: Si i ngjau Kosovës dhe Çamërisë së shkretë,/ Ëndërruan lirinë, u bënë ëndërr vetë.
Dhe në fund amaneti. Shkaba i përbën bijtë e saj që të bashkohen rreth flamurit dhe idealit kombëtar, në mënyrë që Shqipërinë “të mos e fshijnë nga karta”.
Lufta e Hekuran Zhitit më shumë do të ishte të shkruarit, teatri.
…teksa trumbetohej me të madhe pushteti i ri i komunistëve, perdja e skenës kishte rënë dhe spektatorët kërkonin me duartrokitje e brohoritma të dilte para tyre dhe të përshëndeste autori i komedisë së porsashfaqur… por ai vononte shqetësueshëm dhe askush nuk thoshte dot se s’mund të vinte më, e kishin arrestuar dhe dergjej në një nga qelitë plot ujë në godinën pranë, në atë të burgut të qytetit…
VAZHDIMET E VËSHTIRA
Deshi fati që Hekuran Zhiti mbeti gjallë. Doli nga burgu. Mori gruan dhe djemtë dhe iku për andej nga nuk e njihnin. Filloi punë si hamall në portin e Durrësit. Por s’e linte ëndrra, teatri. Filloi me punëtorët atje. E morën vesh kush ishte dhe e hoqën nga porti, s’mund të punonte atje, “zonë kufitare”.
Punëtor krahu, shtronte rrugët me kalldrëm dhe bënte shkallët e qytetit, atje ku do të zbulohej më vonë amfiteatri i Durrësit.
Një ditë e pa me çekan në dorë në një gropë rruge ministri i Arsimit të atëhershëm, ai që do të ishte edhe rektori i parë i universitetit shqiptar, miku i vet, Kahreman Ylli.
-Ç’bën këtu, Hekuran? – i tha.
-E di Partia, – u përgjigj Hekurani.
-Kthehu në arsim, – i tha ministri…
Nevojat e vendit ishin të mëdha, ekonomi e rrënuar dhe kulturë akoma më e rrënuar. Dhe lufta për rimëkëmbje ishte e madhe. Duke përfituar nga një zbutje e luftës së klasave, Hekuran Zhiti riemërohet si mësues, por në fshatrat e Lushnjës. Mësim dhe teatër edhe atje. Madje, edhe kur shtrohet një herë në spital, teatër edhe me të sëmurët dhe mjekët.
Arrin të bëhet themelues i teatrit të estradës profesioniste në qytetin e vogël, ku grumbulloheshin më së shumti familjet që nuk e donin dhe nuk i donte regjimi, në rrethinat e së cilës fillonin fushëtirat e internimeve Savra, Gradishta, Pluku, Grabiani dhe burgu i grave, Kosova e Vogël.
Themelues i orkestrës së estradës dhe dirigjent i saj, madje edhe i bandës muzikore dhe i operetës së parë dhe të vetme në Lushnjë, do të ishte muzikanti i madh Fotaq Filipeu, i porsadalë nga burgu i Burrelit. Nga internimet, nga andej ku do të ishin miku i Migjenit, dr. Lazër Radi apo ai që do të bëhej kardinali i parë shqiptar, Mikle Koliqi, do të vinte edhe ai që do të bëhej ndër parodistët më të shkëlqyer të vendit, Gjosho Vasija. Hekuran Zhiti shkëlqeu si aktor, e deshi publiku, po rinjihej, po ribënte portretin e tij, shkruante, por pa pasur të drejtën e botimit. As mbas vdekjes. Vetëm kur të vdiste diktatura.
Nëpër fshatra e thërrisnin me emrin e personazheve që interpretonte, edhe pemët mbusheshin me spektatorë për ta parë. Shkrimtari klasik, Nonda Bulka, deshi që Hekurani të punonte në Tiranë në revistën e satirës dhe të humorit “Hosteni”, por s’e lanë. Arriti të botonte ndonjë gjë me pseudonim a ndonjë skeç në almanakun “Estrada”, me ndihmën e Tahsim Aliajt apo Dionis Bubanit.
Regjisori i njohur i Teatrit Popullor, Pirro Mani, do ta kërkonte ta merrte në Tiranë, “duke e ndërruar me 5 aktorë të vetët”, natyrisht që s’ia dhanë. Shkak biografia.
Do të vlerësohej edhe nga aktori i teatrit Kadri Roshi, nga ai i estradës Luftar Paja etj., nga këngëtarja emblematike Vaçe Zela, nga kritikët Razi Brahimi, Miho Gjini, i cili i bëri edhe një portret, por nuk ia botuan, nga shkrimtari Pëllumb Kulla etj., deri edhe nga vetë diktatori Enver Hoxha që, kur e pa një herë në skenë, në Olimpiadën e Estradave në Durrës, teksa u ngjit në skenë për të përgëzuar aktorët, pra kur u gjendën ballë për ballë, si në tragjeditë e Shekspirit, komiku ironik përballë tiranit-mbret, “ti luan mirë”, – i tha. Kaq.
BOTIMET
Janë 3 libra, presin edhe të tjerë. Krijimtaria e Hekuran Zhitit ka tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës, e cila ka bërë ta rikujtojnë jo vetëm në dheun amë, por edhe në Kosovë e Maqedoni dhe tek arbëreshët në Itali, në diasporë e deri në SHBA.
Së pari, doli postume përmbledhja me poezi “Kryengritje shqiptare në parajsë”, ku qëmtohet kryesisht krijimtaria e Hekuran Zhitit e shkruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, para dhe pas saj, si dhe një pjesë nga satirat, ku në mënyrë parodike përmblidhet se kërkon të këndojë “trimëritë e një Ak(c)ili”. Më pas dolën njëherësh “7 komedi”. Po i rendisim titujt: “Nusja në thes”, “Palla e nderit” “Shakaxhinj dhe batakçinj”, “Magjistari i rremë”, “Gratë e atij fshati” “Rruga e Skraparit”, “Të përmbysurit”.
Në ballinat e dy librave janë dy vizatime të nipit të autorit, Ajonit fëmijë, që i bëri posaçërisht. “Hekuran Zhiti – shpirti krijues që priti kaq gjatë”, do të shkruante prof. dr. Josif Papagjoni (“Mehr licht”, Tiranë, 2007. Dhe më pas e përmbledhur në enciklopedinë Teatri & Kinematografia Shqiptare, Tiranë, 2009).
Papagjoni thotë: “…jo shpesh ngjet që të zbulohet krejt një autor i panjohur më parë nga lexuesi i gjerë; një autor i ngujuar diku në pjesën e territ të kohës a të fatit… Një zbulim… çka është një ringjallje e shpirtit të një autori që lipset të zërë vendin e vet të merituar në banesën e hirshme të dramës e të teatrit, një ringjallje… A ishte e mundur vallë të ekzistonte një krijimtari e tillë dramaturgjike në vitet 1944-1946, ku thuhej se edhe janë shkruar këto pjesë? A ishte e mundur të shpëtonte pa u vënë re ky autor elegant, aq shpotitës, modelimi i një moleriani shqiptar, a Kalderoni, a Goldoni, plot shije e nur?
…nuk mund të rrimë pa shfaqur habinë dhe admirimin tonë të sinqertë. Në çast më vijnë në mendje autorë të tillë, si Kristo Floqi me komeditë e tij të shkurtra apo Et’hem Haxhiademi me tragjeditë e tij. Janë bashkëkohës në letërsi, dy të parët tashmë të mirënjohur dhe me vendin e tyre të nderit në historinë e dramaturgjisë shqipe, kurse Hekuran Zhiti krejt i panjohur, pa një vend meritor dhe detyrimisht, me nxitimin për t’i dhënë kurorën e mohuar që i takon…” Kritiku tjetër Mexhit Prençi thekson: “Vizioni i qartë i autorit e ka orientuar që ta kërkojë të qeshurën komike, jo te hunda e shtrembët, as te gunga e kurrizos, as duke u tallur me dialektet e gjuhës shqipe, apo përqeshur personalitetet e ndritura historike të kombit (siç ndodh sot në më shumë se një ekran televiziv), por te morali i deformuar i njeriut dhe shpirti i shëmtuar i tij. Libri i tij i tretë është drama “Të mblidhemi në Lushnjë”, e vetmja që ka si përmbajtje Kongresin famëmadh të Lushnjës, i konsideruar si pavarësia e dytë e Shqipërisë. Jemi në prag të 100-vjetorit të këtij kongresi. Skena pret dramën…
NË VEND TË MBYLLJES SI NJË APEL PAQEJE
Piktori shkodran Guljelm Mosi, me banim në Itali tani, i frymëzuar nga Hekuran Zhiti dhe sidomos nga poema e tij “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, realizoi një triptik në vaj, ku në tablotë e parë është Nëna Shqipëri me dy djemtë e saj luftëtarë, partizani me ballistin krah për krah, ashtu siç duhet të ishin, me në sfond flamurin e kuq kombëtar, teksa jepet kushtrimi për liri, por dy vëllezërit i ndau historia a antihistoria.
Në të dytën është Nëna Shqipëri kryeulur, që vajton mbi dy varret në borë të djemve të rënë në luftën vëllavrasëse, kurse shqiponja ka dalë nga flamuri dhe ka ngritur flatrat dëshpërueshëm, edhe qielli i duket i shkretë. Në tablonë e tretë janë poeti kombëtar Gjergj Fishta me Hekuran Zhitin, adhurues të tij ashtu si dhe i Naimit “Shqipëribërës”. Tabloja na kujton dhe thënien e shkrimtarit Nonda Bulka, i cili shprehjet: “Hekuran Zhiti është Fishta i Toskërisë. Të kujtojmë. Beteja e kujtesës fitohet duke kujtuar…”