More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNdue Ukaj: Një risi e bukur poetike në hartën e letërsisë shqipe

    Ndue Ukaj: Një risi e bukur poetike në hartën e letërsisë shqipe

    Pasthënia e vëllimit të ri poetik të Entela Tabakut, “Qeramikiana”

    Arti ndodh dhe zor të gjendet ndonjë shpjegim si dhe përse. Këtë të vërtetë e pohon edhe shkrimtari e letrari i im i pëlqyer, Jorge Luis Borges, kur flet për enigmën e poezisë. Dhe këtë të vërtetë letrare – nëse gjakojmë të vërteta në art – na dëfton enigma e poezisë. Në këtë rast, poezia e Entela Tabakut dhe libri me poezi “Qeramikiana.” Një përmbledhje e strukturuar, ku gjuha e tingujt janë të mishëruara në sinkroni me mendimin e fjalën e zgjedhur dhe krijojnë një hartë poetike unike. Dhe poezia e Entelës rrjedh prajshëm, është rrjedhë e natyrshme e ndjesive të thella poetike dhe shqetësimeve intelektuale: poezia ka tension, por i ik retorikës, kritikon, por kurrë nuk banalizohet, ka mendim të thellë, por nuk moralizon, ka kritikë, por nuk shpërfytyrohet. Kjo poezi ofron peizazhe të bukura ku lexuesi hedh sytë e i prehet shpirti si në një zbardhje drite ose perëndim të bukur dielli, hap shtigje e rrugë, dëshmon, shtron pyetje, flet për ndjesi të thella e përsiatje rreth temave ekzistenciale njerëzore.   

    Poezitë e kësaj përmbledhje i shquan një forcë shprehëse autentike: në gjuhë dhe në zgjedhjen estetike origjinale. Poetja e ndërton universin letrar me gjëra të përditshme, siç është jeta, larg abstraksioneve e gjakimeve abstraksioniste. Dhe shkruan një poezi të jetës së thjeshtë që është jeta e vërtetë e poezisë. Poezia e saj shkruhet në mëngjeset e bukura kur jeta ia vesh fustanin, në mbrëmje të errëta kur mendon për fjalën, kur dita bëhet natë e nata ditë, kur ndodh t’i dalë gjumi e të mendojë për gjëra të shkuara, në nëntor kur ndien se po hyn në dimër, kur gjurmon jetën me gishtërinjtë e hollë dhe në kënde, shkund pluhurin e kohëve dhe flet për të vërteta të amshueshme. E tillë është kjo poezi edhe kur guxon të godasë arketipat e legjendave të moçme dhe t’u jap trajtë e semantikë të re: Rozafës, Doruntinës, Liza Elez Alisë; kur tregon se asgjë nuk është e re në këtë botë, flet për fjalët e vjetra që marrin gjithmonë kuptim të ri, për gramatikën e kohës e të jetës, për jetën matanë vatrës, ulërimën në dritaren e së bijës, për zgjimin e mrekullueshëm, kur tregon se gruaja nuk është hyjni, kur vendi amë bahet lëmsh e deri te poezia e fundit “Poezia nuk i ka të gjitha përgjigjet”, që duket sikur e rrumbullakon rrugëtimin poetik dhe njëherësh jep përgjigje për krejt natyrën e këtij libri poetik të shtrirë në kohë e hapësira të ndryshme. Si e tillë, kjo poezi bëhet njëlloj përgjigje e vetëdijshme për filozofinë e poezisë dhe për krejt atë çka shkruan poetja.

    Poezia e Entelës karakterizohet nga një forcë e kontrastit e shtrirë në fushën e mendimit e të figurës dhe kjo përftohet përmes gradacionit poetik e shqetësimit intelektual, në ide e figuracion. Kështu, ajo e ruan traditën moderniste të poezisë si shprehje e lartësive shpirtëror dhe e gjakimeve intelektuale. Ajo flet me ankth për harresën, fjalët e vjetra, rrjedhën e natyrshme të fëmijëve dhe perëndimet e bukura nordike, dhe kudo, gufon dashuria për të bukurën, të madhërishëm e sublimen. Poetja zhbiron thella temat ekzistenciale të kohës së saj e të botës në të cilën vërtit ajo dhe njeriu i kohës, dhe nëpër trajektoret e poezisë ajo flet për vete e për të tjerët, për fatet e saj e të breznive të harkut të saj kohor, por pa u ndalë kurrë në një kohë, sepse arti nuk ndalet në një kohë, ndonëse është, si të thuash, produkt i një kohe.

    Poezia është bijë e dritës. Kjo shprehje më erdhi në mend porsa mbarova së lexuari këtë përmbledhje poetike. Më duket se kam lexuar diku, por s’e kujtoj tani. Mund ta ketë thënë Roberto Bolano. Më vjen në mendje dhe në krejt përfytyrimin tim si një gurgullim fjalësh të zgjedhura, si një vegim lartësish që vjen në momente frymëzimi e gëzimi që të sjell poezia e bukur. Dhe me mendje e me zemër them: kjo poezi është një tryezë përplot ushqim shpirtëror, është një tryezë e fjalëve të zgjedhura, shoqëruar me tingujt e një zemre që ka çka të thotë dhe di si të shprehet. Dhe kjo është e mrekullueshme, sepse poetët zotërojnë një forcë të çuditshme, në punën e tyre shpalosin të fshehtat e zemrës e mendjes, tingujt e shpirtit, rrëfehen, tregojnë gjakimet, ëndrrat, ndjesitë, humbjet, trishtimin, pra përvojat e tyre i bëjnë publike.  

    Për mua kjo është forca madhështore e poezisë.

    Poezia e Entelës ka plot gjallëri, melodi e tinguj, ka mesazhe e emocione, kujtime e imazhe, pra ka tërësinë e  një jete ekzistenciale dhe këto poetja i transmeton me gjallëri, imazhe të bukura, figura të goditura dhe mendime të thella, prandaj ky libër është një risi e bukur poetike në hartën e letërsisë shqipe. Është një poezi që këshillon, ndonjëherë qorton, si në vargjet:

    tash që po e harrojmë të kaluemen

    a e vëren si përsëritet?

    A ekziston një mënyrë e mirë – më e mira ose më vlefshmja – siç këshillojnë studiuesit letrarë, si E. D. Hirsch, për të lexuar e interpretuar një poezi a një vepër?

    Sa herë jam përballë një dileme të tillë, e rilexoj poezinë… dhe them, ç’ kuptim ka të tregosh se një poezi është e bukur, kur zor është të thuash diçka më të bukur se ekzistenca e saj.  Megjithatë, gëzimi duhet ndarë me tjerët dhe gëzimi që të ofron një libër duhet t’ua këshillosh të tjerëve, lexuesve.

    Artii hap lexuesit horizonte të reja drite dhe e pasuron shpirtërisht. Kjo është madhështore, e në këtë drejtim poezia është një thirrje dhe dikush ka thënë “një mënyrë shëlbimi”, mendim të cilin e përqafoj ngrohtësisht dhe të cilin ia atribuoj me vetëdije letrare kësaj poezie.  

    Prishtinë, shkurt, 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË