More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNatalino Sapegno: Dantja dhe “Komedia Hyjnore”

    Natalino Sapegno: Dantja dhe “Komedia Hyjnore”

    Autori i epistolës aq të diskutuar drejtuar Cangrande della Scala-s e shpjegon objektin e Komedisë si synim për “t’i larguar nga gjendja e mjerimit ata që rrojnë në këtë botë dhe për t’i shoqëruar në një gjendje lumturie” (removere viventes in hac vita de statu miserie et perducere ad statum felicitatis); dhe shton se lënda filozofike ku inkuadrohet ky qëllim është etika, e nënkuptuar si reflektim për themelet e të vepruarit dhe si mjet aktiv i vetë veprimit; aq sa e gjithë poema, në strukturën e saj të ndërlikuar e të  shumëllojshme, si dhe në harmonizimin e alternuar të pjesëve arsyetuese, shpjeguese dhe argumentuese, – me përmbajtjen e saj doktrinore dhe shumësinë e domethënieve të drejtpërdrejta e të atyre alegorike, si dhe me atë “modus tractandi”, që është specifikisht poetike, pasi shpërfaqet në një trillim të pasur e të ndjeshëm narrativ dhe dramatik, – mund të thuhet se është “e konceptuar jo për abstragime teorike, por me synim veprimin” (non ad speculandum, sed ad opus inventum). Nuk ka rëndësi këtu të zgjidhet çështja e autenticitetit të epistolës, ndaj së cilës edhe në kohët tona janë ngritur mjaft dyshime, megjithëse shumica të imëta e të ndërlikuara më shumë se të mbështetura në argumentime të shëndosha e të sakta filologjike; ka interes, në të kundërt, të njihet dhe të shpërfaqet përcaktimi i thukët i propozuar për thelbin e veprës, si ai që më mirë se të tjerët, edhe sot, përvijon, në kuadër të një rrethane kulturore dhe historike të dhënë, qëllimin e parë dhe formën e saj, impulsin e fuqishëm njerëzor e moral dhe orkestrimin e larmishëm të elementeve abstrakte dhe fantastike, që synojnë në tërësinë e tyre të njëjtin objektiv ndriçimi dhe ndërtimi: atë të programit të reformimit dhe të profecisë, të paraqitjes apokaliptike të shprishjes mondane dhe kumtit të zjarrtë të ringjalljes, të akuzës dhe nxitjes: atë të një sistemimi të mrekullueshëm skemash doktrinore që, duke iu përshtatur të gjitha të dhënave, edhe më të imëtave, të realitetit rrethues, synon në çdo çast, në mënyrë të ndërgjegjshme, të transformohet në një teh të mprehtë veprimi dhe çlirimi vetjak e shoqëror, moral e politik.

    Gjetja e formës së “lumturisë” njerëzore, në rrafsh të realitetit rrethues dhe atij të përjetshëm, do të thotë, në fakt, për Danten, në çastin kur nisi të krijojë poemën, të qartësojë dhe të kapërcejë brenda ndërgjegjes së tij, në mënyrë subjektive dhe objektive, duke u përpjekur të shëlbojë “botën që n’teposhtë âsht varë” (mondo che mal vive), arsyet “e gjendjes së mjerimit” (status miserie); nënkupton, pra, një interpretim me hov polemik të situatës historike dhe një vullnet veprues për të ndërhyrë në atë situatë, për ta modifikuar dhe për ta sjellë në “rrugën e vërtetë” (diritta via): nevojën për ta rivendosur atë qëndrueshmëri, që ai e percepton si të rrezikuar rëndshëm e thuajse të shkatërruar, në ekuilibrin intelektual dhe normativ, konsakruar nga tradita shekullore e kulturës; për ta risjellë qytetin e njeriut, që është larguar në mënyrë të rrezikshme dhe ka mbërritur në zgrip të shkatërrimit, e ta pajtojë çdo moment dhe rrethanë me modelin hyjnor të qytetit të Zotit.

    Kjo nevojë, duke u inkuadruar në shkallën më të lartë të zhvillimit dhe perëndimit të kulturës mesjetare e skolastike dhe në sferën e një përvoje vetjake shumë të vuajtur, kërkon një zgjidhje jo teorike dhe abstrakte, por konkrete dhe aktive në rrafsh të dhimbjes e të bindjes, me qëllimin për të trandur dhe për të nxitur ndjesitë, fantazinë dhe vullnetin e lexuesit: jo një traktat, një “majë e sintezës”(summa) filozofike, por një përrallë simbolike, e aftë të shkrijë në strukturën e saj të pandashme një tërësi të gjerë dhe imtësisht të përcaktuar elementesh përgjithësuese dhe fantastike, të përkthejë idetë në mite dhe imazhe që i përshtaten pasurisë dramatike të një përvoje të tanishme. Nga ky thelb përvojash biografike dhe arsyesh morale, ku pendimi dhe synimi i konvertimit e i përtëritjes së njeriut si individ lartësohet dhe zgjerohet derisa të shpërfaqë në vetvete ankthin dhe nevojën për përtëritje të njerëzimit mbarë, buron poema me natyrën e saj të dyfishtë, vetjake dhe universale, lirike dhe etike; pasqyrim poetik, ndonëse i mbështetur në një skelet shumë të qëndrueshëm arsyesh doktrinore të një procesi të dyfishtë shpërblimi (redenzione): të njeriut Dante, prej gabimeve të tij, nëpërmjet qasjes dhe vëzhgimit të kthjellët të pasojave të mëkatit, si dhe shpresa e vizioni i “lumnisë së amshueme” (eterna beatitudine); si dhe të gjithë njerëzve, nga gjendja e pështjellimit dhe bjerrjes ku kanë rënë nga padija dhe nga faji, falë ndërgjegjësimit për synimet tokësore dhe qiellore që atyre u janë dhënë nga “provanija”  (Provvidenza), dhe përcaktimit të duhur të dy pushteteve, atij kohor dhe atij shpirtëror, që kanë detyrën për t’i shoqëruar në kryerjen e atyre qëllimeve.

    “Komedia Hyjnore”, kopja e parë e shtypur, 11 prill 1472
    Përkthyesi i “Komedisë Hyjnore”

    Kultura e kohës dhe sugjestionet letrare të mesjetës i hapnin udhë si të natyrshëm dhe të domosdoshëm trillimit të një udhëtimi në botën tjetër, si ai që, më mirë se çdo tjetër, do t’i jepte shkrimtarit mundësinë për të projektuar dhe për të sistemuar elementet e shpërndara të një kronike të lëvizshme, të çrregullt dhe kontradiktore, në sfondin e palëvizshëm dhe harmonik të një rendi qiellor të drejtësisë së përsosur, ndërkohë nga ana tjetër do t’i lejonte të kryente paralelisht dhe të ngjizte në një të vetëm dy çastet e përbashkëta të frymëzimit të tij: atë të paraqitjes ideale të përvojës së tij autobiografike dhe synimit objektiv të ndreqjes fetare dhe politike të shoqërisë që ka humbur rrugën dhe është prishur.  

    Në ç’mënyrë e kur lindi paraprakisht dhe mori formë dalëngadalë në shpirtin e Dantes një përgjithësim i tillë dhe trillimi strukturor në të cilin ai do të shpërfaqej, si dhe përvijimi i detajuar i gjithë trajtesës, nuk mund të thuhet thjesht, ndërsa vazhdon ende dhe nuk duket se do të marrë zgjidhje në një ide që të dakordësojë shumicën, debati i studiuesve për gjenezën dhe kronologjinë e poemës, e ndërkaq ngelet, e me gjasa do të ngelet përgjithmonë, po aq e pasigurt dhe e mangët dhe problematike, njohja nga ana jonë e jetës së poetit.

    Për sa i përket kohës së shkrimit, ndër vlerësimet divergjente midis atyre që ua atribuojnë krijimin e plotë të veprës viteve të fundit të jetës së Dantes, pas humbjes së ndërmarrjes së Arrigo-s VII, dhe tyre që e mendojnë të filluar rreth vitit 1307, kjo e dyta, pavarësisht argumentimeve të brendshme dhe të jashtme me të cilat e mbrojnë mbështetësit e saj, duket më e arsyeshme, veç të tjerash për faktin se kjo hapësirë e gjerë kohore jep mundësinë e ndërtimit të një konstrukti aq të gjerë dhe të ndërlikuar. Por ajo që na shtyn të parapëlqejmë këtë tezë është përqasja e kujdesshme e pjesëve të ndryshme të librit dhe bindja që rrjedh në lidhje me modifikimin dhe pasurimin e pjesshëm të konceptit moral, politik dhe fetar të shkrimtarit, me zhvillimin shkallëzor të kushteve psikologjike dhe sentimentale; nga ku rrjedh një proces i dyfishtë saktësimi i skemave doktrinore dhe një konfigurim më i saktë i idealit etiko-politik, nga njëra anë, si dhe i dobësimit progresiv dhe rafinimit të impulsit fillestar satirik dhe polemik.

    Ia vlen, në fakt, të konsiderohet Komedia si një vepër “në krijim e sipër” (in fieri) dhe jo një bllok i parafabrikuar konceptesh dhe formash: do të kuptohet më mirë mënyra se si impianti strukturor dhe vetë mjetet artistike të cilat përdoren prej poetit piqen njëkohësisht me premisat e tij teorike, me qartësimin paraprak dhe më pas me zbutjen dhe distancimin nga arsyet e tij polemike. Nga ana tjetër, kjo bindje, kur merret e mirëqenë, nuk ndikon aspak në dëmtimin e bindjes për natyrën unitare të poemës, e cila bazohet në qëndrueshmërinë e një koncepti kryesor dhe të një intuite fillestare që i përputhet atij koncepti dhe e transformon atë, duke e fekonduar në një varg të ndërlikuar dhe koherent figurash; aq sa nga një rrënjë e thellë mbin dhe rritet në rrjedhë të kohës një pemë e jashtëzakonshme, me trungun dhe degët e saj të shumëllojshme, dhe me gjethet, lulet, frutat, pa hije shartesash, shtresëzimesh dhe mbishtresimesh arbitrare dhe mekanike, përkundrazi, sipas një ecurie zhvillimi tërësisht të natyrshëm dhe organik. Dhe është e vërtetë, më pas, që kjo rrënjë parësore, bërthama themelore e frymëzimit, thellohet në kohë, duke tejkaluar tërësisht çastin fillestar të shkrimit; lind dhe rritet, mund të themi, me përpunimin e të gjithë përvojës biografike të Dantes, me pjekjen e personalitetit të tij intelektual dhe moral, aq sa shenjat e tij të para mund të dallohen qysh në shkrimet e para rinore të poetit, dhe, nga ana tjetër, në fazën më të lartë të zhvillimit të tij, ai tregohet i aftë të rrokë dhe të përmbledhë, të ndryshuara dhe të pasuruara, por jo të mohuara në thelbin e tyre jetësor, edhe çastet më të largëta të kohës së shkuar, mbetjet më të zbehta dhe më të brishta të asaj përvoje.

    Për sa i përket mënyrës se si lindi Komedia, çështja bëhet më e ndërlikuar dhe e vështirë; përderisa, për të rrokur në tërësi domethënien e veprës, që nuk është vetëm poema më e madhe e letërsisë sonë, por me fjalë të tjera përmbledhja dhe maja më e lartë e gjithë qytetërimit europian mesjetar, analiza duhet shtrirë shumë më larg se të dhënat e zhveshura biografike, dhe përtej vetë personalitetit individual të shkrimtarit, në kuptimin e rindërtimit tërësor të një pasurie doktrinore filozofike dhe teologjike, juridike dhe politike, përvojash letrare dhe kanonesh retorike, traditash historike dhe kronikash të jetuara, në kuadër të një horizonti që tejkalon gjerësisht kufijtë e një bashkësie të caktuar kombëtare dhe gjuhësore dhe synon të përhapet deri në kufijtë e skajshëm të kristianizmit. Dhe do të duket e natyrshme, sidomos, të vërehet se vepra lindi në një moment fermentimi të skajshëm dhe mrekullie po aq sa dhe ekuilibri të paqëndrueshëm, në prag të një krize që po merrte përpara dhe shumë shpejt do të trandë sistemin e Europës kristiane, duke hedhur poshtë bazat e saj ideale e duke shkatërruar njërën pas tjetrës skemat e organizimit të saj politik.

    Përgjatë shekullit XIII erudicioni historik e shkencor i mesjetës dhe prodhimtaria e pafund e abstragimit skolastik gjetën shkallën e duhur dhe relativisht të pandryshueshme të përpunimit në një tërësi repertorësh të fryrë, në enciklopedi dhe maja teorike (summae), që paraqiten si sistemimet më të mëdha dhe më organike të dijes njerëzore të konceptuara ndonjëherë qysh nga Aristoteli e këndej; por ja, në kufijtë e këtij sistemi dhe nga vetë gjiri i tij lind një problematikë krejt e re, e trazuar dhe fragmentare, që megjithëse respekton drejtimet themelore të konstruktit dhe kriteret metodologjike të kërkimit, madje duke e sforcuar herë-herë qëndrimin e skajshëm racional, ka tendencën, ndonëse në mënyrë të pandërgjegjshme, të gërryejë harmoninë e strukturës dhe të zhvendosë në mënyrë të rrezikshme rrafshin e analizës.

    Filozofia, pa e mohuar haptazi parakushtin teologjik, fillon të pranojë në mënyrë të druajtur autonominë e saj dhe të pranojë në masë gjithnjë e më të gjerë elementet mondane dhe heretike. Koncepti i provanisë (provvidenziale), agostinian, i historisë nuk përputhet plotësisht me llojshmërinë dhe shumësinë e reales, ndërsa historiografia e së zakonshmes u jep hapësirë gjithnjë e më të madhe ngjarjeve, pasioneve, kontrasteve të jetës së përditshme.

    Doktrinat politike nuk heqin dorë prej skemës së dy auto-riteteve universale dhe debatojnë problemin e raporteve mes Kishës dhe Perandorisë, pikërisht në ato vite merr nga të dyja kahet dhe formulimet e tij më të rrepta dhe sistematike, ndërkaq ajo skemë bëhet gjithnjë e më e përdorshme, më e pasur në përmbajtje të posaçme dhe konkrete; por ndërkaq, krah institucioneve universale në fazë dekadence gjithnjë e në rritje, lindin dhe lulëzojnë format e reja shtetërore, konsolidohen monarkitë kombëtare, komunat e përçara nga luftëra të ashpra të brendshme evoluojnë dalëngadalë në zotërime; dhe ndërkaq, në mosmarrëveshjet e përvojës së dhimbshme të përditshme, i hapet shtegu brenda ndërgjegjes kundërvënies mes atyre idealeve të përjetshme të drejtësisë dhe rregullit me realitetin e prishur, të dhimbshëm, kaotik dhe të rrëmujshëm të konflikteve për shkak të interesave dhe pushtetit.

    Në organizimin social mbijetojnë ende, dhe do të zgjasin për një kohë të gjatë, strukturat e ngurta ekonomike dhe juridike të sistemit feudal, me idealet karakteristike të jetës fisnike dhe kavalereske si dhe raportet e ngurta të dallimeve dhe varësive mes shtresave të ndryshme, përveç dy klasave të mëdha të klerit dhe laikëve; por tashmë në këtë kuadër vërehen krisje dhe kontradikta të thella, përvijohen shenjat e një realiteti të ri, me ngjitjen e shpejtë të përfaqësuesve qytetarë dhe borgjezë, ndërsa koncepti i fisnikërisë së trashëguar zhvillohet në atë, shumë më të paqëndrueshëm dhe të hapur, të sjelljes së mirë dhe virtytit individual, dhe marrin vlerë, duke u ndërgjegjësuar për forcën e tyre, vlerat reale të cilat, në brendi të bashkësive të veçanta, krijojnë, jashtë dhe shpesh në konflikt me hierarkitë e njohura teorikisht, modifikimin e paprerë dhe gjithnjë e më të thellë të raporteve të hegjemonisë: inteligjenca, shkathtësia, aftësia ndërmarrëse, fuqia e fitimeve të menjëhershme e të mëdha.

    Mbizotëron ende në letërsi prirja doktrinare dhe qëllimi moralist, me një dallim të prerë dhe thuajse në kontrast mes elementeve përmbajtjesore dhe atyre formale, të lëndës dijesore dhe disiplinave teknike dhe retorike, që asaj lënde i përshtatet nga jashtë nëpërmjet një procesi përputhjeje ilustruese, dekorative dhe ornamentale, shpjeguar nga skema të sakta intelektualiste; por në ato skema vërehet tashmë tharmi i një ndjeshmërie të re, më të zhdërvjellët dhe të shumëllojshme, ndërfuten një shumësi qëndrimesh dhe reagimesh individuale; në sfondin anonim e të palëvizshëm të ideve, të ndjenjave dhe elementeve shprehëse bazë, lulëzojnë situata të caktuara dramatike dhe lirike, lindin figurat e para tërësisht karakterizuese të poetëve të rinj dhe, ndërsa lind një shije më e mprehtë, një mënyrë e re më e ngjeshur e leximit dhe asimilimit të shembujve të poezisë klasike, përpunohet tashmë për përdorim të përditshëm një letërsi gjithnjë më e pasur dhe e shumëllojshme me natyrë rrëfimtare dhe argëtuese, me një autonomi gjithnjë e në rritje synimesh dhe funksionesh posaçërisht estetike, jo në shërbim të qëllimit thjesht pedagogjik, madje herë-herë diktuar nga një impuls i pastër afektiv dhe nga një synim gati hedonistik.

    Dhe ndërkaq, krahas dhe thuajse në kontrast me gjuhën e lartë dhe universale të kulturës skolastike, që priret të fiksohet në skema të ngrira leksikore dhe gramatikore, ngrihet mjeti i ri i idiomave vulgare që dalëngadalë ndërgjegjësohet për dinjitetin dhe forcën e tij shprehëse. Dante merr pjesë, madje është ndër përfaqësuesit dhe krijuesit më të shënuar të këtij çasti të qytetërimit që mbyll mesjetën dhe përgatit Rilindjen: tek ai, asketizmi fetar dhe dija teologjike jetojnë përkrah kuriozitetit të kontrasteve njerëzore dhe të shfaqjeve natyrore; fryma e fundit e së përjetshmes as nuk e shkatërron as nuk e mbyt përballjen e ankthshme me ngjarjet politike; studimi i gjatë i filozofëve skolastikë nuk bie në konflikt me dashurinë e madhe për letërsinë dhe gjuhën e re dhe bashkë me to, me kërkimin e apasionuar dhe imitimin e poetëve klasikë; synimi didaktik dhe koncepti alegorik i poezisë ndërlidhen me besimin e palëkundur dhe të shpallur haptazi tek arti, jo vetëm si mjet dhe disiplinë retorike, por edhe si vlerë e pavarur e së bukurës.

    Në mënyrë më të saktë mund të thuhet se në personalitetin e Alighieri-t derdhet, dhe me fjalë të tjera ilustrohet, me një vetëdije që tek askush nuk gjendet aq e kthjellët dhe dramatike, kriza e hierarkive dhe formave të qytetërimit mesjetar; ndërsa vepra e tij përfaqëson përpjekjen më të madhe dhe më të lartë për ta tejkaluar atë krizë dhe për të ndrequr ekuilibrin tanimë të prishur. Qartësia e palëkundshme mendore dhe etike dhe për pasojë, nevoja e krijimit harmonik dhe koherent, e sistematizimit të qëndrueshëm teorik të të dhënave të përvojës, në vend që ta çojë, siç do të ndodhë për pasuesit e tij më të afërt, në qetësim poetin pas copëtimit dhe prishjes së atyre skemave intelektuale, e shtyn atë të pohojë me besim të vrullshëm vlerën e tyre të pazëvendësueshme dhe të përhershme. Pa hedhur poshtë dhe pa mohuar asnjë nga elementet e gjalla që po lulëzonin në realitetin e ri intelektual dhe moral, social dhe politik të kohës së tij, ai e përqendron vëmendjen në synimin për t’i rikrijuar ato dhe për t’i futur sërish në unitetin kompleks të sistemit; ai përballet me atë realitet me të gjitha armët e arsyetimit dhe të elokuencës, të polemikës, të predikimit dhe satirës, me një besim gjithnjë në shënjestër, por që çdo herë rilind më krenar dhe luftarak, si mundësi dhe nevojë e një sinteze intelektuale, që të propozohet si mjet i pagabueshëm gjykimi dhe udhërrëfyes i sigurt i veprimit njerëzor.

    Në këtë kontrast, jo të fjetur, por të mbizotëruar nga një vullnet për siguri, qëndron çasti dramatik gjithnjë i pranishëm në poezinë e Dantes: arsyeja e përhapjes së tij dhe e kërkimit në pafundësinë e ndjenjave tokësore dhe njëkohësisht, arsyeja e strukturës së rreptë që i mbishtresohet asaj lënde të paformë dhe shumëformëshe dhe e përthith dhe e inkuadron në fluksin e duhur të një koncepti unitar, ku të gjitha kontradiktat dhe plagët shërohen, justifikohen, sqarohen. Po kështu edhe arti, ndonëse i ndier si asnjëherë më parë në vlerën specifike dhe potencialitetin e tij të pamatë, nuk burgoset në kafazet e lirizmit apo nuk humbet në labirintet e një fantazie argëtuese; nuk e mohon, madje e thekson, cilësinë e tij ngushtësisht funksionale dhe detyrën e tij në kuptimin e gjerë edukativ; derisa të propozohet, në fazën e fundit të kulturës skolastike, kur skemat e përpunuara nga mendimtarët duken tashmë të paafta për natyrën abstraguese të tyre t’i përshtaten shumësisë dhe shqetësimit të përvojës së gjallë, si një mjet i ri më i gjallë dhe më i përshtatshëm për ta paraqitur atë realitet abstrakt, me një aftësi, krahasuar me traktatet e majave teorike (summae), shumë më të fuqishme dhe gjerësisht më bindëse, evokuese dhe stimuluese, më drejtpërdrejt efikase dhe të shtrirë pa kufij në hapësirë dhe kohë.

    Sapegno

    Për ta kuptuar më mirë dhe më thellë gjenezën e një qëndrimi të tillë mendor, që duket se përputhet me nevojën themelore të një situate të caktuar historike, ka rëndësi, sidomos, nga tërësia e të dhënave të pasigurta dhe të copëzuara të biografisë së poetit dhe të dhënave të tjera të sigurta që mblidhen nga aktiviteti i tij letrar minor, të ruhen dy lloje kryesore faktesh: nga njëra anë, përpjekja vitale, gjithnjë në përputhje me nevojën intime dhe asnjëherë diletanteske, që ai bën për asimilimin e lëndës intelektuale dhe praktike që i ofron realiteti rrethues dhe ku formohet e piqet personaliteti i tij prej njeriu dhe shkrimtari; nga ana tjetër, ekzili që shënon një kthesë vendimtare të ekzistencës së tij dhe përshpejton ritmin e asaj pjekjeje të brendshme, duke përqendruar dhe duke orientuar të gjitha elementet e shpërndara të doktrinës dhe pasionit, të kulturës dhe shijes, në një qëllim të vetëm, koherent dhe të ndërgjegjshëm.

    Dhe kjo përpjekje shihet sidomos në përvojën më ngushtësisht të quajtur “letrare”, që shkon nga Vita Nuova, në ushtrimin e gjatë, të shumëllojshëm dhe në dukje kontradiktor të veprës Rime, ku disiplina formale dhe retorika (që përpunohet në kontakt me frytet më të gjalla dhe normat më të rafinuara të shijes bashkëkohore, nga ajo provensale e guitonianëve që pak shpërfaqet së jashtmi te pasuria krijuese e “trobar clus” e Arnaldo-s, nga psikologjizmi i lartë i “stil novo-s” te saktësia e lirikës alegorike dhe doktrinore, nga gjallëria qytetare e shkëmbimit polemik të soneteve (tenzone) me Forese-n tek elokuenca e këngës morale dhe politike) dhe zhvillimi paralel i një çështjeje vetjake (dashuri, meditime, vuajtje, inate) i përshtaten plotësisht zgjerimit të vazhdueshëm të ndjeshmërisë e të mjeteve artistike të përdorura për t’i shprehur; kështu që në asnjë çast ushtrimi formal nuk bëhet qëllim në vetvete dhe kudo shndërrohet në humanizëm shtesë, në të kundërt, çdo modifikim dhe fitim i përvojës intelektuale dhe praktike përvijohet nga një potencialitet në rritje i burimeve instrumentale, të destinuara të gjitha për t’u shfrytëzuar në orkestrimin madhështor e shumë të artikuluar stilistik të poemës madhore.

    Nëpërmjet këtij shtegu, historia e dashurisë së Betariçes dhe temat e prishjes morale dhe të ndreqjes të trajtuara në “letërsinë” rinore me synim paraqitjen e parabolës së një ngjarjeje ekzemplare, qysh atëherë “tregues” të mënyrës se si shkrimtari përqafon me seriozitet jo të zakonshëm format e një stili dhe shkolle, do të arrijnë të ngrihen te Komedia në një domethënie shumë të lartë simbolike; dhe në gjuhën e poemës mund t’i gjejmë njërën krah tjetrës, çdo herë të orientuara në kapacitetin e tyre të saktë funksional, lirizmin e himneve dhe ethet pasionale të këngës së tri grave, rimat e ashpra të poezive për gruan-gur, strukturën e ngjeshur të silogjizmit në vargjet doktrinore dhe dhunën kolerike të këngës kundër koprracisë, realizmin e theksuar satirik të shkëmbimit polemik të soneteve (tenzone) me Forese-n dhe madje, deri disa lloje tonesh bisedimore e gati me shaka të disa soneteve dhe baladave minore.

    Akoma, në mënyrë tjetër dhe ndoshta më të qenësishme, përpjekja e Dantes duhet theksuar, në fazën e pjekurisë së përvojës së tij, në qëndrimin ndaj asimilimit dhe përpunimit të rezultateve më të mëdha të mendimit dhe erudicionit skolastik, asnjëherë me frymën e atij që kënaqet të spekulojë në mënyrë abstrakte, por gjithnjë me qëndrimin e atij që dëshiron ta zbatojë dijen e marrë në një përvojë konkrete jete dhe që ofrohet të penetrojë thellë në gjykimin e një situate historike, të një tërësie të caktuar problemesh, duke i inkuadruar dhe duke i vënë në skema që përfshijnë vizionin e përgjithshëm të realitetit. Nëse në Convivio shkenca, megjithëse e zhytur në kostumin pompoz mesjetar dhe e rënduar nga metoda ngushtësisht deduktive e të argumentuarit, duket, të paktën për sa i përket qëllimit, se mirëpret me padurim konkretësinë dhe se përfshihet nga pasioni; dhe se toni i ligjërimit merr domethënie prej publikut të cilit i drejtohet (që nuk është më ai i klerikëve dhe dijetarëve, por i atyre që grindjet politike dhe jeta publike i kanë lënë larg shkollave) si dhe prej cilësisë së autorit (i cili nuk është, ai vetë, një profesionist i ditur, por, siç e shpall edhe vetë me krenari, një autodidakt); nga ku rrjedhin mënyrat e hapura dhe të rrëmbyeshme të parashtrimit, që kapërcejnë  rreptësinë e ligjërimit ngushtësisht skolastik; në traktatet në latinisht, pastaj, shkenca, konkluzionet themelore dhe metodën e së cilës shkrimtari i ka përftuar tashmë në mënyrë të plotë dhe të rrjedhshme, duket se vihet e gjitha në zbatim të zgjidhjes së problemeve që kanë shije të fortë aktualiteti: në De vulgari eloquentia, traktati i përvojës lirike në një gjuhë vulgare, formulim teorik që vetëzhvillohet vazhdimisht në një gjykim historik dhe në një kritikë militante; në Monarchia, doktrina e dy pushteteve dhe pohimi i autonomisë tokësore të Perandorisë, kërkoi të zgjidhë konfliktet dhe të shërojë sfilitjet e një kronike vuajtjesh dhe turbullire, duke shpaguar kështu ankthin e përhapur për drejtësi, rregull dhe paqe.

    Pikërisht këtu, ku herë-herë pasioni i njeriut gris nëpërmjet vajesh tronditëse strofën përbërëse të shkrimeve skolastike (“O qenie njerëzore, sa stuhi e fatkeqësi, sa dështime duhet të të kenë marrë përpara, kur i shndërruar në bishë me shumë krena, ke qenë i shtrënguar të ndjekësh shumë synime”//O genius humanumum, quantis procellis atque iacturis quantisque naufragiis agitari te necesse est, dum, belua multorum capitum factum, in diversa conaris!), mund të perceptohet si momenti virtual i kalimit nga arsyetimi në mit, baza primare e një mesazhi poetik, ku motivi bazë i thurjes abstraguese del në pah si mjet dhe guidë e gjykimit praktik dhe të vepruarit konkret.

    Se sa ka ndikuar ekzili për ta përvijuar në përmasën e vërtetë dhe për të orientuar në zgjedhje të caktuara veprimin e Dantes si dhe prirjen e tij të përgjithshme për gjykim të pasionuar ndaj fakteve etiko-politike, ekzil që e goditi papritmas në muajt e parë të vitit 1302 dhe e rëndoi me ankth të gjithë periudhën e fundit të jetës së tij, duke e zvarritur drejt një jetese endacake e të poshtëruar, në një alternativë torturuese ankthesh, shpresash, entuziazmesh, zhgënjimesh, është gjë që dihet dhe nuk ka nevojë të theksohet.

    Ekzili i dha personalitetit të tij vulën e zemërimit dhe melankolisë, pezmatimit dhe ashpërsisë, me rrahje të lehta dhe të zjarrta përmallimi nostalgjik, që e karakterizon ende në mendjen e shumicës; ekzili e thelloi në një bindje të patundur konceptin e tij të historisë dhe gjykimin e tij për ngjarjet e bashkëkohësisë. Prej meditimit për shkaqet e shkatërrimit të tij personal, pasi u rrënua besimi fillestar në aftësitë e institucioneve vendore për të siguruar një ritëm të qetë dhe të rregullt jete, pasi evidentoi në ambicien e shfrenuar të shtresave në konflikt, në zilinë e ndërsjellë dhe në pangopshmërinë për pushtet dhe pasuri, arsyet e luftërave civile dhe të paqëndrueshmërisë së ligjeve, morën shkas bindjet pesimiste për situatën historike, që nga anarkia e bashkësisë qytetare “civitas” zgjerohet pak nga pak derisa përfshin tragjedinë e Italisë dhe më pas atë të kristianizmit mbarë: një kuadër i pafund, dëshpërues, grabitjesh, pasionesh të shfrenuara, padrejtësish, degradimesh, dhune të shëmtuar, nga i cili duket se është fshirë tanimë çdo shenjë e vazhdimësisë hyjnore dhe duket se janë larguar të fyer “sytë e drejtë” të Zotit. Vetëm se, nga përmasa e një konsiderate të tillë pesimiste, duhet medoemos të buronte, në vetëdijen kristiane të shkrimtarit, besimi në një zgjidhje të plotë dhe afatgjatë të kontradiktave historike. Por vetëm kush e ka rrokur përmasën dhe thellësinë e asaj gjendjeje shpirtërore mund të vlerësojë plotësisht intensitetin e ndjenjës që aty kapet fort, kundër anarkisë dhe kontradiktave të realitetit, për të ruajtur të paprekura konceptet ideale të drejtësisë dhe paqes kristiane; madhështinë e mendjes, që përpiqet të kuptojë atë pështjellim, t’ia zbulojë arsyet dhe t’ia përshtatë zgjidhjet, duke e krahasuar me modelin hyjnor, me vendosmërinë e përkryer të një sistemi ideologjik madhështor.

    Komedia lind nga ky takim mes një përvoje të dhimbshme dhe një bindjeje të fuqishme, nga kjo fitore dramatike e një besimi që evidentohet dhe lartësohet në përplasjen e përditshme me realitetin që e kundërshton dhe duket se e hedh poshtë; dhe ajo shpreh njëkohësisht dhe në mënyrë alternative atë ankth dhe atë besim, zemërimin e madh dhe agoninë morale të poetit.

    Atyre që e kanë kuptuar mirë gjenezën e krijimit të poemës, që u përpoqëm të përshkruajmë, u del si e pavend dhe në përgjithësi arbitrare çështja aq shumë e përhapur në kritikën danteske të shekullit tonë, e unitetit poetik të librit dhe e marrëdhënieve dalluese apo mospërputhjes mes strukturës dhe poezisë, skemës doktrinore dhe lulëzimit shpërthyes të intervaleve fantastike. Struktura, përmbajtja poetike, teknika narrative dhe dramatike e trajtesave lindin, në fakt, nga e njëjta pikë dhe kushtëzojnë njëra-tjetrën. Por nevoja për të individualizuar elementin specifikisht më poetik të veprës mund të kishte arsyen e saj të ekzistencës diktuar nga nevoja për të sqaruar gjykimin e turbullt të lexuesve të parë, të cilët e vinin theksin në vlerat morale dhe në gjerësinë e objektit abstrakt, dhe kohë më vonë për të reaguar ndaj kufizimeve dhe zhvlerësimeve të letrarëve, të prirë për t’ia mohuar një ngrehine dijeje si jashtë kohe dhe pa shije një vlerë fantastike autonome dhe cilësimin si poezi e vërtetë.

    Në këtë kuptim ajo është e gjallë tashmë qysh në kritikën e fundshekullit XVI: te Salviati, që nënvizon “veçantinë” dhe “energjinë” e gjuhës së Dantes; te Borghini, që dëshiron që të vlerësohet në fund të fundit “si poet, dhe jo si filozof apo si teolog”;  rikthehet në fillim të shekullit XVII në faqet e Alessandro Guarini-t, që ngulmon në tonet e ashpra, por heroike, në mënyrën kundërthënëse gjithnjë në lëvizje dhe që u përshtatet në një mijë mënyra nevojave gjithnjë në ndryshim të situatës dramatike dhe epike të poemës, ku zhvillohet një melodi me hope, por e fuqishme; vërehet deri dhe në përpjekjet e letrarëve të shekullit XVIII, për të nxjerrë nga ajo përzierje “suxhuku” (salmigondis), nga ai “mishmash grotesk” (guazzabuglio grottesco), një antologji, megjithëse të dobët, të fragmenteve që nuk ofendojnë krejt ashpër shijen e tyre të përcaktuar racionaliste; por sidomos shpërfaqet, qysh nga Vico te De Sanctis, në parabolën e flaktë të kritikës romantike, si reaksion nga njëra anë ndaj interpretimit intelektualist të Komedisë dhe nga ana tjetër, në caqet e një edukimi humanist, si një ngadhënjim i gjeniut poetik dhe i sublimes, që thyen rregullat e pedantëve.

    Edhe në monografinë e Croce-s një nevojë e tillë ruante deri diku një vlerë aktualiteti, si reagim ndaj admirimit konfuz të dantizmit zyrtar dhe ndaj kërkimeve të mërzitshme të alegoristëve ekstremë; veçse te Croce, pikërisht kjo rrymë kritike, në çastin kur shfaqej me koherencë absolute dhe ndërgjegje totale, përfundonte duke u ngurtësuar në një gjetje skematike dhe tërësisht të huaj kundrejt kontekstit specifik të veprës që jepej për t’u ilustruar, duke vendosur atë distancë të rreptë mes elementeve abstrakte dhe atyre fantastike, ku këto të fundit, të izoluara në cilësinë e tyre si fragmente të këndshme, shfuqizojnë apo dobësojnë substancën e tyre konkrete prej poezie. Në të vërtetë, Croce rrëzonte, si të panevojshëm dhe të papërshtatshëm për konceptin e tij të artit, pikërisht momentin më domethënës të asaj kritike danteske romantike nga e cila merrte shkas polemika e tij: ajo kritikë nuk kishte hequr kurrë dorë nga interpretimi i pandarë i Komedisë, kishte kërkuar gjithnjë t’i vlerësonte jo në rrafsh kundërvënieje, por lidhjeje të ndërsjellë dialektike, raportet midis strukturës dhe poezisë, dhe kishte ngulmuar mbi nevojën për ta lexuar “në mënyrë historike” poemën, në kuadër të një kulture dhe ndjeshmërie qartësisht të përcaktuar: nga Vico, që e lidhte “gjeninë e zemëruar” të Dantes me “historinë e kohëve barbare të Italisë”, te Foscolo, që përpiqej të rindërtonte dhe të dokumentonte sfondin historik të librit për të përftuar një gjykim të saktë estetik; nga Hegel-i, i cili e gjente cilësinë e veçantë të poezisë së Dantes pikërisht në aftësinë e tij për ta “zhytur botën e gjallë të veprimeve dhe pësimeve, të veprave dhe fateve individuale, në sfondin e një realiteti të pandryshueshëm”, te De Sanctis, i cili e quante Komedinë “poemën e universit, gjeometrinë e përjetshme logjike të krijimit të mishëruar në tri botët kristiane, qyteti i Zotit, brenda të cilit pasqyrohet qyteti i njeriut në të gjithë realitetin e tij të aksh vendi dhe aksh kohe, njëra trajtë shembullore dhe gjykatëse e tjetrës”.

    Sa e dëmshme qe humbja e vëmendjes ndaj asaj çka është përjetësisht e vlefshme në këto pohime të kritikëve romantikë për perceptimin e drejtë të veprës danteske mund të shihet lehtë sot në shkrimet e atyre pasuesve të mbijetuar të Croce-s, që përgjatë librit dhe në çdo faqe të tij janë në kërkim, prej magjistari të shëmtuar, të një poezie të pastër që nuk gjendet dhe në mënyrë të bezdisshme dallojnë pjesët poetike dhe jopoetike, duke izoluar episode dhe grupe tercinash dhe ka gjasë hemistikësh të veçantë. Gjë për të cilën do të ishte e tepërt të harxhoheshin këtu tepër fjalë. Por mund të thuhet se, duke pasur parasysh ato formula, ne, përkundrazi, duam të reagojmë edhe kundër qëndrimit të përhapur sot ndër dantistë që e vënë theksin në unitetin abstrakt të veprës, në trillimin strukturor, në elementet simbolike dhe alegorike, duke mbyllur sytë para asaj që është poezia e Komedisë, lëndës energjike, të ndryshueshme, të shqetësuar dhe dramatike njerëzore, që jeton dhe pulson në skemat e një skeleti të qëndrueshëm religjioz.

    Sipas nesh, duhen mbajtur të palëvizshme të dyja ekstremet e marrëdhënies dialektike; nuk duhet harruar kurrë se figurat që krijon Dante janë gjithnjë në funksion të një koncepti moral, se theksimi i personazheve dhe fuqia e situatave dalin në pah gjithmonë nga projektimi i tyre në një sfond realiteti të pandryshueshëm, që i përshkon dhe i përplotëson; por duhet edhe të mos mbyllen sytë para lëndës së fuqishme njerëzore që derdhet në ato krijime, dhe se si fantazia godet kudo me të njëjtën fuqi realiste, me të njëjtën siguri vërtetësie dy rrafshet paralele të simbolit dhe kronikës, të së tashmes dhe së përjetshmes. Pa dyshim se ai që izolon personazhet e veçanta të poemës, Francesca apo Farinata, Ulisse apo Pier della Vigna, Ugolino apo Cacciagiuda, Brunetto apo Forese, e kështu me radhë, për të nxjerrë në pah veçanërisht motivet lirike o patetike, elegjiake apo dramatike të situatave të ndryshme, duke abstraguar nga struktura ku gjenden, jo vetëm u qaset interpretimeve arbitrare dhe në kundërshti me kushtet historike të kësaj poezie, por edhe gjymton dhe varfëron cilësinë, dhe bëhet i paaftë të kuptojë natyrën e frymëzimit dantesk, që nuk është kurrë transkriptim i një gjendjeje shpirtërore, por gjithnjë gjedhe dramatike dhe dinamike e një problematike të ndërlikuar dhe një gjendjeje morale. Por është e vërtetë se i largohet po aq plotësisë kuptimore të këtij frymëzimi edhe ai që e shpjegon të gjithën sipas simbolesh të thata dhe lejon t’i rrëshqasë lëvizja dramatike falë së cilës poeti mbërrin plotësinë e domethënies etike të pasqyrimit, lëndën e dendur dhe të ngjeshur psikologjike që i nxit gjithnjë e më tepër “shembujt” e ringjallur, në dakordësi të qëndrueshme mes bazës strukturore dhe fantazisë të frytshme.

    Detyrë e një kritike danteske moderne dhe të mprehtë duket të jetë pikërisht ajo e dallimit rast pas rasti se si buron çasti më i lartë poetik dhe si përthith prej arsyeve të strukturës dhe transmeton prej saj pikë për pikë ngacmimet dhe sugjerimet morale në figura e situata të ndjeshme dhe të artikuluara nga ana njerëzore. Kjo sjell, natyrisht, një përcaktim më të saktë të mënyrave artistike nëpërmjet të cilave frymëzimi dantesk përvijohet, një studim të imët të njësive dhe konstanteve shprehëse nëpërmjet të cilave përmbushet ajo që Auerbach, me formulë të thukët, e quan “konceptim i figurshëm” i mesjetës, d.m.th realizmi i përveçëm poetik i Aligieri-t. Në veçanti, do të ngelet për t’u parë se si, me modifikimin në kohë të qëndrimeve sentimentale të shkrimtarit (në një hark që vetëm pjesërisht identifikohet me zhvendosjen e situatave strukturore), ndryshon edhe cilësia e artit, që bëhet hap mbas hapi më i guximshëm dhe i hollë, duke përbrendësuar, me procedime akoma më të holla dhe me cilësinë e një dijeje teknike që duket se përsos, me të njëjtin ritëm të vështirësive dhe paqartësive, ndonjëherë dhe të lëndës, mënyrat fuqimisht dramatike, por edhe më periferike dhe të thjeshta, të kantikës së parë. Synimi ideal i një kritike të tillë do të jetë të zvogëlojë në maksimum hendekun, që në vitet e fundit është ngushtuar ndjeshëm, mes cilësisë së veçantë të një poezie lindur në kushte historike të shkuara dhe aftësisë së asimilimit të ndjeshmërisë estetike të sotme.

    Përktheu nga italishtja Blerina Suta

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË