More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNamir Lapardhaja: “Vjeshta e patriarkut”, një poemë madhështore për tiraninë dhe një...

    Namir Lapardhaja: “Vjeshta e patriarkut”, një poemë madhështore për tiraninë dhe një përqasje krahasuese me “Vjeshtën e Xheladin beut” të Mitrush Kutelit

    Kur mbaron së lexuari “Vjeshtën e Patriarkut” të Gabriel Garsia Markezit e kupton se sapo ke përfunduar një mrekulli estetike. “Vjeshta…” është më tepër se sa një roman. Është një poemë madhështore shumëzërëshe që në qendër ka ditët e mbrame të një tirani. Është një vepër e gjatë, por e magjishme. Ndofta, pak e lodhshme dhe e bezdisshme, por kënaqësia që ndjen në fund është e pakrahasueshme. Është nektari që prodhon letërsia e madhe. Stilistikishte e paaritshme. Markezi i rikthehet fjalive të gjata, pa pika, presje apo shenja të tjera pikësimi, dhe si lexues të duhet një përqëndrim maksimal nga fillimi deri në fund, përndryshe nuk do të arrish dot të kuptosh asgjë. Kemi të bëjmë me një vepër eksperimentale për sa kohë Markezi nuk e përsëriti të njëjtin model stilistik në veprat e mëvonshme.

    Përkthimi dhe botimi i “Vjeshtës së Patriarku” në gjuhën shqipe është një ngjarje kulturore.

    Vepra nuk ka një rrëfimtar, por është e konceptuar si një polifoni zërash, ku është e vështirë të kuptosh se ku nis një dhe ku përfundon tjetri.

    Rrëfimi sillet nëpërmjet retrospektivës së vazhdueshme, e cila merret dhe rimerret nga fillimi deri në fund dhe në qendër ka pushtetin, lavdinë, kënaqësinë, epshin, dhunën, hakmarrjen, krimin pasionin…. të një diktatori latino-amerikan, i cili shërben si prototip i të gjithë diktatorëve, ngase nuk identifikohet me emër, por qartësohet në sytë e lexuesit nëpërmjet bëmave dhe ngjarjeve që zërat rrëfimtar, shpeshherë viktima të dhunës së tij, tregojnë për të.

    Për herë të parë për “Vjeshtën e Patriarkut” kam lexuar një ese të studiuesit Aurel Plasari me titull “Letërsia dhe muret” (Tiranë, 1993), ku, mes të tjerash, ai është i pari që evidenton ngjashmëritë mes kësaj vepre dhe novelës shqiptare “Vjeshta e Xheladin beut” të Mitrush Kutelit. Në dijeninë time, Plasari është i pari që përqasi dy veprat në fjalë dhe sugjeroi se ngjashmëritë vijnë si pasojë e “toposeve të përbashkëta”, sepse, sipas tij, kemi të bëjmë me të vërteta të rendit universal që të nxjerrin tek vështrimet e mëdha të botës dhe të jetës.

    Kështu që, pas mbarimit të “Vjeshtës së Patriarkut”, m’u desh t’i rikthehem leximit të novelës “Vjeshta e Xheladin beut”, e cila është interpretuar gabim nga kritika sociologjike, që e ka parë si tallje dhe vënie në lojë të shtresës së bejlerëve.

    Ngjashmëritë janë të mahnitshme. Që në titull, të dy veprat kanë fjalën çelës “vjeshtë”, e cila është një alegori për periudhën e fundit të jetës së dy protagonistëve, pavarësisht nga përmasat e njërit apo të tjetrit.

    Të dy personazhet janë ndërtuar në një rrafsh psikanalitik sikur të ishin dy vëllezër siamezë dhe të ishin thurur nga i njëjti autor. Tek të dy bota e brendshme është më e rëndësishme se sa bota e jashtme dhe ajo jepet në ndryshim të vazhdueshëm, me të gjithë ule-ngritjet e saj, me të gjitha dyshimet, pasiguritë, luftën, urrejtjen, frikën apo dhunën e paskaj.

    Xheladin beu është i etur seksualisht. Ai fle jo vetëm me vajza të vogla “të jatakut” pa dallim, të cilat i çnderon dhe pastaj i marton, por është i gatshëm të përdor edhe të birin si dylber apo më tej të përdhunojë edhe të bijën, që nuk e njeh që është e tij.

    Ndërkohë që po e njëjta uri seksuale duket edhe tek Patriarku i Markezit, i cili jo vetëm që kryen marrëdhënie seksuale me vajza të vogla dhe gra të panjohura, por është i gatshëm të bëjë të njëjtën gjë edhe me ushtarë meshkuj.

    Të dy janë në periudhën e tatëpjetës përfundimtare.

    Xheladin beu ndjen një zbrazëti m’u në zemër, çuditet dhe nuk e kupton se nga i vjen, edhe pse mëngjesi i asaj dite nuk është i keq, ndërkohë që Patriarku edhe kur gëzojnë dhe festojnë për të më tepër se sa i gëzuar është i trishtuar, sepse “u bënë njëqind vjet, ta marrë djalli, u bënë njëqind vjet, sa shpejt kalon koha”.

    Vjeshta e të dyve është vjeshta e fundit e jetës. Është vdekja prej së cilës të dy tremben njëlloj. Të dy përfundojnë në vdekje kafshërore, me kriza histerie dhe çmendurie.

    Po si është i mundur kjo ngjashmëri e madhe midis dy veprave, të cilat janë shkruar në periudha të largëta kohore dhe në hapësira të pangjashme me njëra-tjetrën?

    E para e shkruar në 1926 në një dhomë të mbyllur, kur Dhimitër Pasko jetonte dhe studionte në Bukuresht, ndërsa e dyta në vitin 1975, kur shkrimtari i madh kolumbian ndiente aromën e ëmbël dhe flladin e lehtë buzë brigjeve të Karaibeve.

    Tek eseja “Borgesi dhe ankthi im i ndikimit” në librin “Për letërsinë”, studiuesi dhe shkrimtari italian Umberto Eco flet për marrëdhëniet që mund të ketë midis dy autorësh (A dhe B) dhe për fenomenin e ndikimit midis tyre. Ai thotë se mund të gjendemi në dy situata:

    A dhe B kanë shkruar në të njëjtën kohë.

    A-ja kronologjikisht është para B-së, prandaj diskutimi rreth ndikimit ka të bëjë vetëm me ndikimin e A-së te B-ja.

    Megjithatë, nuk mund të flasësh për konceptin e ndikimit në asnjë fushë (letërsi, filozofi, arte etj.) po nuk vure në majë të trekëndëshit një X, të cilin Eco e quan “gjithësia e enciklopedisë”.

    Ky X duhet marrë në konsideratë edhe në rastin e përqasjes sonë, ngase nuk mund të bëhet tjetër shpjegim për të, vetëm se duke thënë se tek të dy shkrimtarët ka shërbyer kultura universale si mjet loje për krijimin e veprave të tyre.

    Marrëdhënia A/B mund të vendoset në mënyra të ndryshme:

    B-ja gjen diçka në veprën e A-së dhe nuk e di se pas saj është X-i;

    B-ja gjen diçka në veprën e A-së dhe, me anë të veprës së A-së, ngjitet deri tek X-i;

    B-ja i referohet X-it dhe vetëm më pas kujtohet që X-i ishte në veprën e A-së.

    Duke iu referuar dy autorëve tanë, i pari (A-ja – Kuteli) dhe i dyti (B-ja – Markezi), do të ishte e mundshme që B-ja të gjente diçka në veprën e A-së ose që B-ja, me anë të veprës së A-së, të ngjitej deri tek X-i, por sigurisht që asnjë prej këtyre nuk ka ndodhur. Ajo që ngelet të besojmë është mundësia e tretë që përmend Eco-ja, pra që B-ja i referohet X-it dhe vetëm më pas kujtojmë se X-i ishte edhe në veprën e A-së.

    Në këtë kuptim, X-i që na rekomandon Eco-ja dhe krahasueshmëria nëpërmjet “topos-eve universale” që na rekomandon Plasari, bën që dy veprat dhe dy shkrimtarët të përqasen dhe të krahasohen, por që sigurisht madhështia e secilës qëndron në origjinalitetin dhe individualitetin e të dy shkrimtarëve.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË