Shënime për librin “Petro Marko, shkrimtar i lirisë” i studiuesit Behar Gjoka
Librin “ Petro Marko, shkrimtar i lirisë”, të studiuesit të mirënjohur Behar Gjoka, kam patur fatin ta lexoj kohë më parë në dorëshkrim, por kur e mora të botuar, ndjeva një emocion të veçantë, m’u duk se po takoja shkrimtarin e madh nga afër, si dikur në klubin e gazetarëve, ku pinim kafe dhe bisedonim për letërsinë dhe jetën. M’u duk sikur po ia dëgjoja zërin karakteristik dhe fjalët e tij poetike:
Rrëmbem, o dallg’ e bukur, si pirate,
dhe më bashko me kapedanët trima,
zemërdelfina e t’ashpër vetëtima…
I tillë qe Petro Marko në letërsinë shqipe, një vetëtimë që ndriçon qiellin, por edhe tund tokën për t’u thënë asaj dhe njerëzve të saj se liria është një nga ato aspirata për të cilat ia vlen të shkrish edhe jetën. Nëse nobelisti Gabriel Garcia Marquez do të thoshte shumë vite më vonë se “ nuk ka lavdi më të madhe se vdekja për dashuri”, Petrua ynë, me gjithë jetën dhe veprën e tij, na ka thënë se “ nuk ka lavdi më të madhe se vuajtja dhe vdekja për liri”. Ai ishte nga ajo racë shkrimtarësh dhe poetësh që për dashurinë jepnin jetën, por për lirinë jepnin edhe dashurinë.
Prandaj më duket shumë i bukur dhe domethënës titulli i librit të Behar Gjokës kushtuar veprës së pavdekshme të Petro Markos. I kam lexuar pothuajse të gjithë librat studimorë të Gjokës për emrat nga më të shquarit e letrave shqipe, që nga Pjetër Budi, Mitrush Kuteli, Migjeni e Kadare, Martin Camaj e Anton Pashku, Kasem Trebeshina e Agim Gjakova, deri te më të rinjt, si Flutura Açka dhe Ben Blushi. Por ky libër për Petro Markon, për mendimin tim, ka veçantinë se Behar Gjoka ka kapërcyer veten, duke na dhënë një vepër poliedrike, me një studim të thelluar po aq edhe të detajuar, me stimë dhe profesionalizëm të pazakontë, me vërtetësi dhe qasje shumëplanshe, me krahasime dhe pikëpërkime që nderojnë shkrimtarin tonë dhe vetë letërsinë shqipe.
Në veprën e Behar Gjokës janë zbuluar dhe zbërthyer me disiplinë shkencore filologjike të gjitha përmasat e veprës së Petro Markos, larmia letrare dhe stilistike që atë e karakterizon; që nga publicistika, letërsia për fëmijë, poetika, drama dhe proza, veçanërisht ajo romanore. E gjitha kjo e parë në një kaleidoskop të gjithanëshëm e të gjithkohëshëm, në përmbajtje e në formë, në stil dhe në gjuhë. Nëpërmjet penës-bisturi të Behar Gjokës e shohim dhe e përjetojmë për të mos e harruar kurrë Petro Markon si bard të kohëve moderne, si mjeshtër i vargut dhe skalitës i gjuhës, si një prozator i afreskut të kohës që jetoi, sa klasik në mjeshtërinë e tij magjike, po aq edhe pararendës i modernes dhe modernitetit në letërsinë tonë, veçanërisht në lëvrimin e romanit. Gjithmonë kam menduar se “Qyteti i fundit” është romani i parë modern i letësisë shqipe, në një kuptim edhe djepi i modernes në prozën tonë.
Ndërkohë, përqasja e romaneve të Petro Markos me disa nga tekstet e shkrimtarëve të huaj për ta vendosur prozën e tij në një kontekst përtej letrave shqipe, në një përafrim me letërsinë europiane dhe botërore, na evidenton që romanet e tij lundronin në të njejtin det, përplaseshin me të njejtat dallgë të kohës si veprat e Heminguejit, André Marlósë,Halldor Llaksnesit, Erih Maria Remarkut, Oruellit etj. Nga krahasimi i realizuar midis romanit “Hasta la vista” dhe “ Për kë bien këmbanat” të Ernest Heminguejit, me romanin “Shpresa” të André Marlósë, apo me “Homazh Katalonjës” të Oruellit, mund të krijosh një pamje më të plotë për Luftën e Spanjës, në të cilën morën pjesë si vullnetarë disa nga shkrimtarët më të njohur. Po ashtu, konkludon Behar Gjoka, edhe analiza e romanit “Qyteti i fundit”, përveçse përforcon tiparet moderne në prozën e Petro Markos, e përqas atë edhe në kontekstin e letësisë bashkëkohore botërore.
Është tejet i rëndësishëm konkluzioni i studiuesit Gjoka se Petro Marko, pa asnjë mëdyshje, është shkrimtari më përfaqësues i dy kohëve, i dy mendësive të qëndrimit ndaj letërsisë, si dhe i vlerësimeve dhe anatemimeve, duke mbetur një rebel i përjetshëm, në jetë dhe letërsi. Por Petro Marko ishte edhe një personalitet i jashtëzakonshëm i dimensioneve humane. Dhe këtë përfytyrim të Markos, studiuesi na e përshfaq nëpërmjet analizës së hollësishme teoriko-letrare të librit “ Retë dhe Gurët”, të cilin ai e konsideron si “libër unik të letërsisë shqipe të shekullit njëzetë” dhe nënvizon se në atë libër, Petro Marko, rebeli i përjetshëm, dashnori i lirisë si pakkush në kohën e tij, ngujuar në një vetmi trazuese, mbase edhe tmerruese, mbytur në kaq derte dhe brenga, realizon një intervistë me vetveten, si një formë komunikimi specifike….Në këtë libër, thekson Gjoka, Petro Marko shfaqet si luftëtar i paepur në kërkim dhe në mbrojtje të lirisë, si shkrimtar i lirisë dhe ëndrrës për të qenë i lirë. Ndërsa akademiku Ali Aliu, në studimin e tij për shkrimtarin, ka shkruar: “ Janë
të rrallë ata shkrimtarë që kanë mundur të ruajnë aq me konsekuencë dhe fanatizëm dinjitetin e krijuesit dhe të njeriut, të arrijë sintezën harmonike të njeriut dhe të artistit ashtu siç ka mundur të shquhet Petro Marko.”
Duke lexuar librin e Behar Gjokës kërkova në ditarin tim shënimet për disa prej takimeve të mia me Petro Markon… Në njerin prej tyre, atë të 17 marsit 1989, lexova…” Po pija kafe në klubin e gazetarëve me Petro Markon, njerin nga shkrimtarët dhe gazetarët e mi të adhuruar…Ai më foli për një tregim që kishte shkruar këto ditë. Pastaj kujtoi ditët kur kishte botuar revisten ABC, në kohën e Zogut, numri dy i së cilës e çoi në burg. Fliste me pasion dhe kujtonte hollësira…Në numrin e dytë, më tha, ne shkruam një artikull ku thonim se në Tiranë mund të bëhet kushdo kodosh apo ministër, apo diçka e tillë. Na erdhi xhandari. Por qe i mirë se na tha që të fshihnim ca kopje para se të digjej revista. Më morën e më çuan te Etem Toto, ministër i brendshëm. Bolshevik! Je shitur te rusët, më tha. Unë i nxorra mbi tavolinë këpucën e grisur nga dukeshin gishtrinjtë dhe i thashë: Po të isha i shitur nuk do t’i kisha gishtrinjtë përjashtë!”
Petro Marko kurrë nuk bëri shitblerje me dinjitetin, as me talentin, as me moralin, as me jetën dhe burgimet e panumërta, as me internimet dhe as me kujtimet e kalvarit të tij të pashembullt. ADN-ja e tij përshkohet nga LIRIA dhe vetëm nga LIRIA. “ Edhe në çastet më të vështira të jetës kam ëndërruar lirinë, të jem i lirë si zogjtë nëpër pyje.”- ka shkruar ai ne librin e kujtimeve RETË DHE GURËT. Në emër të kësaj lirie ai ndërtoi jetën dhe veprën e tij. Lirinë nuk e shiti kurrë, as kur u njoh me politikanë shqiptarë të emigruar që paguheshin nga Athina dhe Beogradi, nga Musolini apo nga Ndihma e Kuqe Internacionale. Nuk e shiti as kur e perjashtuan nga universiteti i Athines, vetëm e vetëm se në një fshat të Shqipërisë kishte qenë mësues i gjuhës shqipe. Nuk e shiti as atëherë kur mbreti i ofroi rrogën e nënprefektit që të mos shkruante se “populli i Shqiperise është pa buke!”, por të shkruante për dasmat dhe zdërhalljet e oborrit. Nuk u shit as atëherë kur kalemxhinjtë e diktaturës e censuronin, e spiunonin, e bojkotonin, ia hidhnin veprat në kosh para botimit, apo ia çonin për karton pas botimit.
Ky qëndrim i kushtoi shumë vuajtje, tortura, burgosje, plagë të rënda në jetën e tij personale dhe familjare. Nuk besoj të ketë ndonjë shembull tjetër shkrimtari që të ketë provuar në jetën e tij të gjithë llojet e burgjeve; të mbretërisë, të fashizmit dhe të diktaturës, të ketë provuar të gjitha llojet e privacioneve, të gjitha strapacimet e ndalimit, djegies, shkatërrimit të gazetave dhe librave të tij.
Kur Petro Marko u nis për të luftuar kundër tiranisë dhe diktaturës në Spanjë, na kumton studiuesi Behar Gjoka, fatmirësisht u takua me Migjenin, i cili i tha:” Ti ke shkruar vargje të mira…ke shkruar shumë po nisja jote për në Spanjë është poema më e bukur që po shkruan…” E tillë ishte gjithë jeta e Petro Markos: jeta e pandarë nga vepra; dhe vepra e pandarë nga jeta. Thuajse e gjithë poezia dhe sidomos proza e tij ka buruar nga ajo që ai ka përjetuar, nga trazimet e vendlindjes, nga udhët, rrëpirat dhe furtunat e Shqipërisë, në të cilat ai nuk ishte vëzhgues i thjeshtë, por pjesë organike e pandarë. Personazhet e tij nuk janë nxjerrë nga blloqet e shënimeve, por drejtperdrejt nga njerëzit që ai njohu kudo ku vajti dhe vuajti. Peisazhet që ai përshkruan, situatat dramatike, nuk janë vetëm imagjinatë, por kryesisht përjetim. “ Dukej sikur kishim dalë nga varri i Spanjes.” Këtë metaforë nuk mund ta perceptonte askush, përveç një autori që vetë e ka përjetuar. “Erdhën dhe hapën kapakun e varrit tim dhe me nxorrën.” Këtë përfytyrim mund ta kishte vetëm një autor që provoi të gjitha llojet e burgjeve të kohës që jetoi, të gjitha torturat që përdornin xhelatët. Dhe megjithatë, ishte dhe mbetet një qëndrestar dhe optimist deri në sarkazmë. Kur një nga torturuesit e pyet dhe e urdhëron të tregojë emrat e gjermanëve dezertorë, ai përgjigjet se po, njeh dy gjermanë, i njeh shumë mirë dhe madje me emra; di edhe shumë mirë se çfarë kanë bërë ata. Cilet janë? – ulërin torturuesi. Dy gjermanët e vetëm që unë njoh janë Gëte dhe Shileri,-pergjigjet Petro Marko.
Në kujtimet e tij Petro Marko pohon me sinqeritetin që gjithmonë e ka karakterizuar: “Hapat që hidhja, aksionet që kryeja dhe vargjet që krijoja, nuk m’i impononte njeri, por ishin jeta ime, ëndrra ime, gëzimi im.” Asnjë shkrimtar nuk do të mundte të kujtonte këtë skenë nga jeta e tij personale: “…Kur më thirrën me emër për të më pushkatuar, nuk ndieja më asgjë, sikur ecja në ajër, sikur rruzulli vërtitej me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe gjithë planeti sikur më shtypte e më merrte me vete në hapsirën e një vorbulle rrëqethëse dhe në delir.” Jo me kot, Dritëro Agolli e ftoi Petro Markon në një ditë përkujtimore të dëshmorëve dhe i tha: “Sot kam nderin të pi kafe me një dëshmor të gjallë!”
Dhe e gjithë kjo jetë e çuditshme, e ashpër, e vuajtur dhe e përgjakur, jeta me vdekjen nën jastek, jeta me ëndrra të vrara,me ideale të nëpërkëmbura, me intriga dhe hipokrizi, me prapaskena kodoshësh dhe hungërima pushtetarësh; çfarë ka sjellur në veprën e atij që e jetoi? Shumëkush do të përgjigjej se ajo mund të ketë sjellur vetëm urrejtje dhe hakmarrje…
Por pikërisht në të kundërtën e kësaj, në humanitetin dhe himnin që ai i ka thurur dashurise njerëzore, qëndron e madhërishmja e veprës së Petro Markos, të cilën na e zbulon aq mirë studiuesi Behar Gjoka në faqet e librit të tij. Të gjitha veprat e Petro Markos, që nga HASTA LA VISTA, QYTETI I FUNDIT, NJË EMËR NË KATËR RRUGË, NATA E USTIKËS, LEHANIA etj. bartin mesazhin se në këtë botë JE, OSE NUK JE NJERI; alternativë tjetër nuk ka.
Një nga tiparet që shkëlqen në jetën dhe veprën e Petro Markos është edhe atdhedashuria. Është e madherishme! Është sublime për të. Në mbarim të luftës në Spanjë, njeri nga bashkëluftëtarët e këshilloi të mos kthehet ne Shqipëri, por ai u përgjigj: Sa për atë që më thua se atje më pret litari, parapëlqej të varem në Shqipëri se sa në vend të huaj. Ndërsa kur u kthye nga njera luftë për të vazhduar tjetrën, shkroi: Dhe në u vrafsha, s’ka gjë; do të shtrihem në tokën time dhe do të më qajnë me ligje njerëzit e mi. Do të mbetem aty, i vdekur ose i gjallë, për të mos u larguar kurrë. Si duket i fliste që nga varri gjyshja e tij…Thonë se gurët e mëdhenj, atje poshtë në Shën Mëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vendin e tyre. Po të jesh trim zemërbardhë e po të shkosh andej natën i dëgjon të dëftejnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Ndërsa ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë ré…Vijnë, qajnë dhe ikin….
Dhe përmes reve shkrepëtin vetëtima e përjetshme e Petro Markos.
Himarë, 26 prill 2025