More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNamik Dokle: "Dimri i vetmisë së madhe" dhe takimi me Kadarene

    Namik Dokle: “Dimri i vetmisë së madhe” dhe takimi me Kadarene

    Duke lexuar numrin e posaçëm të gazetës ExLibris kushtuar 85-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, edhe mua, si shumë të tjerëve, m’u përshfaqen disa kujtime; leximi i librit të tij të parë, adhurimi dhe zënkat me shokët për emrin e tij, shënimi “leni kadarenat” i mësuesit të letërsisë në fletoren e hartimit, diskutimet studentore, pastaj njohja dhe takimet e bisedat me të. Si gjithnjë në këso rastesh, më i kthjelltë shfaqet takimi i parë. Për më tepër që ishte në një kohë delikate për shkrimtarin, vetëm pak ditë pasi kishin filluar sulmet e ashpra kundër romanit të tij “Dimri i vetmisë së madhe”. Ato nuk bëheshin vetëm në gazeta, por edhe në zyra të mëdha e të vogla. Nuk harroj dot fjalët, madje as zërin dhe lëvizjen e kokës me inat bualli të një kolegu që më tha: “ U thye më në fund edhe qypi i Kadaresë!”

    Isha atehere gazetar i ri në gazetën “Puna”. Romanin e kisha lexuar akoma pa dalë në qarkullim, falë dashamirësisë së koleges Shpresa Kamani, një nga më të shquarat gazetare në gjithe historine e shtypit shqiptar. Dhe një ditë ajo më thirri dhe me porositi të shkoja në uzinën Traktori.

    -Do të bëhet një diskutim për romanin e Ismailit, – më tha. -E di qe ti e adhuron, prandaj po ta ngarkoj këtë detyrë. Kam folur edhe me Ismailin.

    Atje njoha edhe poetet e rinj Moikom Zeqo dhe Thanas Dino. Ismaili fliste pak.

    Diskutimi u bë në një sallë të repartit të tornerisë. Kur mbaroi diskutimi, Ismaili më pyeti:

    -Çfarë do të shkruash?

    -Do te pasqyroj me vërtetësi ato që u thanë, folën saktë dhe me shumë dashuri, më duket mua.

    – Po, po,- tha ai dhe më kërkoi që fundin e shkrimit, lidhur me fjalën e tij në takim, ta bënte ai vetë. Ishte nje kenaqesi e madhe per mua, pa me shkuar fare ne mendje se çfarë do te ndodhte me tej.

    Kryeredaktori im, pasi e lexoi shkrimin, pa më thënë asnjë fjalë, shkoi në zyrën e njerit prej shefave të Keshillit Qendror te Bashkimeve Profesionale, organ i të cilit ishte gazeta. Kohë tensioni dhe parandjenjash aspak te mira. Nuk u gabova.

    -Nuk do ta botojmë”, -tha kryeredaktori,-do ta çosh në gazetën DRITA, kështu është porosia.

    Për fat, atje takova Ismailin. E lexoi shkrimin dhe i pëlqeu. Por, kryeredaktori i gazetës DRITA, i vuri gërshërët e mëdha. Ma dha ta shikoj dhe vura re se kishte prerë pa meshirë vlerësimet më pozitive për romanin.

    -Kështu botoje me firmën tënde, kjo që ka mbetur nuk është shkrimi im!- i thashe.

    -Ajo që ke shkruar ti nuk përputhet me politikën e gazetës sonë,- më tha.

    -Unë kam shkruar ato që u thanë atje, nga inxhinierët, teknikët, punëtorët,- u përpoqa të mbroj shkrimin.

    U bënë edhe disa telefonata poshtë e lart dhe, në perfundim, artikulli nuk u botua.

    Kanë kaluar thuajse 49 vjet dhe unë e kam ruajtur shkrimin, bashkë me dorëshkrimin e Ismail Kadaresë, rreth 5 faqe gjysmëformati. Po e sjell, me pak shkurtime…

    DISKUTIM I NGROHTË PËR ROMANIN  “ DIMRI I VETMISE SE MADHE”

    Romani i fundit i shkrimtarit tonë të mirënjohur Ismail Kadare ka ngjallur një interes të jashtëzakonshëm të lexuesit, në mbarë vendin. Diskutohet kudo, në auditore, në zyra, në rrugë, në urbanet e Tiranës. Diskutojnë edhe punëtoret, teknikët dhe inxhinierët e uzinës Traktori, që kanë patur fatin ta njohin edhe nga afër shkrimtarin e shquar. Para pak ditesh ata e ftuan autorin për një bisedë rreth veprës së tij të sapobotuar. Ishte një diskutim i ngrohtë, dashamirës dhe plot mendime interesante. Le t’ua lemë fjalën atyre:

    Lumir V. -Romani “Dimri i vetmise se madhe” ka ngjallur diskutime te shumta. Kam parë edhe shumë kritika, por mua ky roman më ka pëlqyer shumë, t’i lemë llafet. Ore, si çdo njeri tjetër, edhe shkrimtarët besoj, kur e nisin një punë, i vënë një qëllim vetes. Edhe qëllimi i romanit të Ismailit është i qartë dhe, për sa ma pret mua, e ka realizuar. Nëpërmjet forcës së madhe të artit ai e ngre lart qëndrimin heroik e të patundur të popullit.

    Kam jetuar çaste emocionuese në shumë pjesë të romanit, sidomos ajo nata e zimave të zinj, ajo mbledhja e Kremlinit dhe shumë episode të tjera. Edhe para këtij takimi kemi diskutuar për këtë roman.Ky nuk eshtë libër që humb si hiri i vatrës. Ka mendime nga më të ndryshme. Kritika nuk duhet të bëj sehir sulmet ndaj romanit. Ore, edhe ne kemi ndonjë verejtje, ose shokët e mi po ashtu. Për shembull, disa thonë se nuk del sa duhet roli i klasës punëtore në roman. Ndoshta e kam gabim, por mua më duket se del. Pse, a mos duhet të shkruante Ismaili se sa pistona janë prodhuar kundër bllokades? Dua të them edhe diçka; në linjën e djemve të rrugës së Dibrës, sikur bie toni i romanit, nuk e di pse, atë Benin herë e besoj, e herë nuk e besoj. Dërgimi i tij në Pashaliman, dikujt prej shokëve të mi i është dukur si ulje vigjilence, por mua më duket se vetë romani është një sirenë alarmi për të mbrojtur atdheun nga e keqja. Mjafton për mua të kujtoj faqet ku përshkruhen ëndrrat e këqia të shoferit të furgonit TR 17-55.

    Timoshenko P.- Tema që trajton romani është madhore. Ne që e lexojmë emocionohemi, biem në mendime, krenohemi. Romani qëndron si një vepër e madhe e letërsisë sonë. Por mendoj se ndonjë gjë, mbase duhet riparë nga autori. Më duket se nuk ka dalë sa duhet mobilizimi ynë për të përballuar dimrin e madh që është sulur mbi ne. Le të marrim për shembull klasën punëtore. Nuk është fjala për pistonat, por ama edhe me aq sa ka romani, më duket e pamjaftueshme. Vetë romani i ka hapësirat për trajtimin më gjerë të kësaj qe po them. Për shembull kur Besniku vjen në uzinën nr. 3, apo kur ndodh përmbytja. Duke i kapur këto aspekte, do të shpërndahej njëfarë zymtësie dhe lëkundje e tepruar që ngre krye herë pas herë në roman.

    Koço Ç.- Mbi të gjitha unë ndieva krenari duke lexuar romanin e Ismailit. Dhe aq më shumë kur e shikoj këtu, midis nesh. Për mendimin tim, romani ka si linjë kryesore tragjedinë e madhe të socializmit. Tabloja është dhënë qartë, ja të lexoj ca rreshta: “ Epidemia frynte si një erë e ngrohtë mbi gjithë hapësirën e kampit socialist. Revolucioni po zinte dhjame. Mbi trupin dyzetvjecar te Bashkimit Sovjetik po dilnin thinjat e perandorisë.” E shikoni çfarë tabloje? Po te rruga e Dibrës, romani sikur ngushtohet. Vizioni i autorit është shumë më i gjerë nga sa shikoj unë, por mund të ishte edhe më mirë.

    Naim N.- Popujt nuk maten me numrin e tyre, por me kauzat për të cilat luftojnë. Populli ynë është i madh dhe ky roman që i kushtohet atij është vepër madhore. Autori bukur e thotë diku se çdo gjë e madhërishme nuk lind dot pa dhimbje. E gjitha kjo jepet bukur në roman. Ka shumë ditë që diskutojmë për romanin, për pëlqimet, mëdyshjet, keqkuptimet tona. Dhe ka aq shumë gjëra të bukura, gjithkush mund të zgjedhë atë që i pëlqen më shumë. Mua më pëlqen shumë përshkrimi dhe analiza si tip i plakës Nurihan.Vdekja e saj është një detaj artistik shumë i goditur. Polici ka ndaluar makinën e ambasadorit sovjetik për të kaluar procesioni që përcjell plakën Nurihan. Duket sikur polici i thotë ambasadorit: “ Prisni. Tani e keni radhen ju për të vdekur.” Dhe si për ta plotësuar këtë detaj, një tjetër edhe më i bukur, kësaj radhe me gjeneralin Zheleznov. Ka ardhur një gjeneral perëndimor për të mbledhur eshtrat e ushtarëve pushtues të Shqiperisë. Paralajmërim kuptimplotë për të gjithë Zheleznovët.

    Lea M.- Disa thanë këtu apo në diskutimet jashtë, se nuk pasqyrohet sa dhe si duhet roli dhe figura e gruas. Unë që jam grua po iu them se Rabo është një nga personazhet gra më të fuqishme të  letërsisë shqipe. Ajo nuk është personazh, është simbol, është himn për gruan shqiptare. Kaq kisha.

    Bujar L.- Unë jam mrekulluar me tre momente të romanit

    I pari- ai i natës së zimave të zinj. Tablo e jashtëzakonshme.

    I dyti- ai i mbrëmjes së 7 nëntorit, ose më mirë ta quajmë mbrëmja e gjeneralëve. Ata janë mbledhur si përpara një plani për të pushtuar kështjellën. Por vjen dhe momenti i tretë, ai kur Zheleznovi e merr përgjigjen për ëndrrat e gjeneralëve.

    Më kanë pëlqyer shumë figura të romanit, si ajo e fotografit Xan, e garderobistit të Kremlinit, e Belul Gjikës, e Rrem Hutës etj.

    Abaz K.- Romanin e kemi diskutuar dhe me siguri do të vazhdojmë ta diskutojme. Jo vetëm ne dhe jo vetëm këtu. Kështu ndodh me veprat që nuk i mbulon pluhuri i harresës. Më duket se disa shokë ngatërrohen për kohën që merr subjekti i romanit. Ajo përfshin vetëm disa muaj. Është goditja e parë, dimri i parë i vetmisë së madhe. Dhe kjo shfaqet shumë mirë. Dhe më pas del klasa punëtore në skene dhe i ve supet. Kështu edhe ka ndodhur.

    Në fund e mori fjalen shkrimtari Ismail Kadare. Ai falenderoi punëtorët, teknikët dhe inxhinierët e uzinës për organizimin e takimit, i cili u bë në një atmosferë kaq të gjallë dhe që ishte aq e vlefshme për të. Ai falenderoi gjithashtu diskutantët për vlerësimin që i bënë librit të tij si edhe për ato kërkesa dhe sugjerime që parashtruan, në mënyrë që ky libër të lozë sa më mirë rolin e tij. Autori i romanit tha se për të kanë qenë gjithmonë të dobishme kontaktet me lexonjësit dhe tregoi me shembuj konkretë se si disa herë nga këto kontakte shkrimtari mund të përfitojë po aq, në mos edhe më tepër se nga kritika letrare profesioniste.

    Ai tha se për të, ashtu si për shumë shkrimtarë, rishikimi i veprës pas botimit, është një proçes normal pune dhe këtë ai e ka bërë me shumicën e veprave të tij. Është e natyrshme, tha ai, që për një vepër shumëplanëshe dhe komplekse si romani për të cilin sapo diskutuam, ka gjithmonë vend për të parë diçka dhe për të retushuar diçka. Ai tha pastaj se ishte dakord me shumicën e diskutantëve që thanë se nuk ishte e nevojshme që klasa punëtore të zinte një linjë të veçantë në roman, sepse, në fund të fundit, e gjithë kjo luftë behej për të mbrojtur interesat e klasës. Nga ana tjetër, romani përshkruan vetëm fillimin e bllokadës, për të cilën do të shkruhen vepra të tjera ku të tregohet se si e mbajti peshën klasa punëtore apo fshatarësia, sipas detyrës që mund t’i vejë vetes çdo shkrimtar. Megjithatë, tha autori i romanit, në libër ka mundësi të theksohet më  tepër prania e klasës, brenda konstruktit të tanishëm të veprës. Ai tha gjithashtu se do të rishikojë me kujdes ato momente ne roman ku mund të ndihet një farë rënie e tonit epik-madhor. Ai theksoi se këto do të jenë retushime apo plotësime që do te bëhen brenda strukturës ekzistuese të veprës, strukture të cilën ai nuk ka ndërmend ta ndryshojë.

    Shkrimtari Ismail Kadare tha pastaj se ishte kënaqësi e vërtetë për të që të merrte pjesë në një takim të tillë, ku ndihej jo vetëm pjekuria, por edhe nje shije shume e mirë artistike.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË