Agim Vinca, Antologji e lirikës shqipe të dashurisë, Prishtinë, 2024, f. 280.
Prej antologjisë së Gustav Majerit Della lingua e della literatura albanese (Romë, 1885) e deri te vëllimi i Profesor Agim Vincës, Antologji e lirikës shqipe të dashurisë (Prishtinë, 2024), janë botuar shumë përzgjedhje qasjesh të ndryshme, sprovash të veçanta dhe panorama e përmbledhje me përmbajtje nga gjini e lloje letrare të caktuara. Prej Gustav Majerit, te Gaetano Petrotta, Dhimitër S. Shuteriqi, Rexhep Qosja, Nasho Jorgaqi, Rexhep Ismajli, Ali Aliu, Bashkim Kuçuku, Gazmend Krasniqi etj., janë botuar vëllime antologjish me poezi, proza, drama, kritika, ese, si dhe përmbledhje gjithëpërfshirëse për autorë, personalitete, tema kombëtare, politike, kulturore dhe madje përzgjedhje tekstesh për të huaj.
Prej mënyrës së përgatitjes së tyre, prej gjithëpërfshirjes së tyre, prej përzgjedhjes së teksteve dhe prej vlerave estetike të paraqitjes së tyre nuk është vështirë të shihet se rezultatet më të mira i kanë sjellë ligjëruesit e këtyre llojeve dhe gjinive, si dhe njohësit dhe studiuesit shumëvjeçar të tyre.
Profesor Agim Vinca është ligjëruesi dhe studiuesi më i mirë i poezisë shqipe prej më shumë se një gjysmë shekulli, prandaj nuk është e rastit që ai ka përgatitur disa vëllime/përzgjedhje me poezi, madje në gjuhën shqipe dhe boshnjake, ndërsa së fundi ka sjellë një nga antologjitë më të mira të poezisë shqipe të kohës sonë. Duke qenë ligjërues dhe studiues prej pesë dekadash, duke e njohur e parë atë në tërësinë e saj dhe duke e vlerësuar atë brenda vlerave estetike, ai nuk kishte se si të ankohej për mangësitë e saj, për shkak të mosnjohjes së letërsisë së një periudhe letrare a një tjetre, një hapësire gjeografike a një tjetre, duke përfshirë këtu edhe diasporën. Përkundrazi në antologjinë e tij ai nuk ka mbajtur qëndrim refuzues as ndaj përbërësve estetikë, dialektorë a ideologjikë, ndaj një krijuesi a një tjetri, sikur kanë mbajtur paraardhësit e tij dhe madje bashkëkohësit e tij viteve të fundit, prandaj antologjia e tij është një dhuratë, sikur është shprehur në përkushtim e tij në librin që na e dhuroi: “me dashuri, për dashurinë…”.
Kur në vitin 1970 Profesor Rexhep Qosja botoi Antologjinë e lirikës shqipe, një prej vërejtjeve që ju bë nga shtypi i kohës ishte se në atë vëllim poetik kishte “pak poezi patriotike”, ndërkohë që ai në pasthënien e saj kishte theksuar se “kjo poezi nuk qëndron në ndonjë nivel të lartë artistik….”. Atë kohë Profesor Qosja qe përgjigjur: “Është e vërtetë se pjesa më e madhe e poezisë sonë patriotike nuk qëndron në nivelin e, për shembull, poezisë meditative ose të poezisë së dashurisë. Krijimi i lirikës patriotike është sa i lehtë aq edhe i vështirë: mund ta shkruaj shumëkush, po edhe pak kush”. (Qosja, Rilindja, 1970/1971: 24)
Profesor Agim Vinca, i cili dekada më vonë ka botuar një antologji të poezisë atdhetare (Muza e mëmëdheut, 2012), në këtë vëllim, sikur do të donte Profesor Qosja, ka kapur majat e poezisë, poezinë e dashurisë në përmasa kohore, hapësinore dhe estetike, duke përfshirë këtu edhe atë të traditës popullore.
Vëllimi hapet nga një Parathënie, me qëllim dëshmie mbi karakterin historik të projektimit të saj, strukturën historiko-letrare të natyrës së një antologjie të tillë, shpjegimet teoriko-letrare mbi thelbin e vetë poezisë së dashurisë, strukturën përmbajtjesore të periudhave letrare dhe përfaqësuesve të saj (nga letërsia e vjetër deri te postmodernistët), si dhe kriteret e përpilimit të një vëllimi të këtillë.
Motivi, shtytja e një ndërmarrje të tillë ka një histori të veçantë. Ajo fillon diku nga fundi i viteve ’60 kur një nga përkthyesit kroat dhe autor i një Antologjie të lirikës botërore të dashurisë, në veprën e tij shqiptarët i përfaqësonte me një shkrimtar epik të përmasave kombëtare e ballkanike, At Gjergj Fishtën dhe me një poet krejt të panjohur shkodran.
“Si ligjërues i poezisë bashkëkohore shqipe në fakultet, por edhe si poet, – shkruan Profesor Agim Vinca, – atëbotë isha thuajse ditë e natë me libra poezie në dorë; i lexoja dhe rilexoja vazhdimisht; mbaja shënime e bëja komente; i analizoja me gojë e me shkrim; ua lexoja studentëve në orët e ligjëratave e ushtrimeve dhe kërkoja mendimin e tyre për to; mësoja përmendsh vargje e strofa, por edhe vjersha të tëra (natyrisht ato më të bukurat) dhe kërkoja edhe nga studentët e mi që të vepronin njësoj. Me një fjalë, isha shumë i lidhur me poezinë në përgjithësi dhe me poezinë shqipe në veçanti (siç jam, pak a shumë, edhe sot) dhe nuk mund të pajtohesha lehtë që të injorohej a anashkalohej ajo nga kushdoqoftë. Nuk mund të pajtohesha, prandaj, kurrsesi me qëndrimin që kishte mbajtur ndaj poezisë shqipe – në rastin konkret ndaj poezisë erotike shqipe – autori i Librit të artë të lirikës botërore të dashurisë, pavarësisht në ishte ky qëndrim pasojë e mosnjohjes apo e paragjykimeve eventuale për letërsinë dhe kulturën shqiptare” (15-16).
“Atëherë vendosa t’i hyja hartimit të një antologjie të lirikës shqipe të dashurisë, ku do të përfshiheshin perlat e lirikës shqipe me këtë temë, duke filluar nga letërsia gojore e deri te vjershat e poetëve të kohës sonë. Dhe i hyra punës në këtë projekt ambicioz e afatgjatë. Në një fletore e dosje të veçantë shënoja ditë pas dite e vit pas viti titujt e vjershave dhe emrat e autorëve; bëja shënime e komente rreth tyre; i shtypja në makinë ose i përshkruaja me dorë (për t’i përjetuar më mirë) tekstet e vjershave, qofshin edhe të gjata; e plotësoja herë pas here “listën” me emra të rinj poetësh e tituj të rinj vjershash; e braktisja këtë punë për një kohë, herë më të gjatë e herë më të shkurtër, për t’iu rikthyer përsëri. Kjo punë zgjati, siç thashë më lart, me vite e dekada” (16).
Njohës i traditë dhe i prirë që ta respektoj atë, Profesor Agim Vinca, periudhat e zhvillimit të letërsisë shqipe i ka ndarë pak a shumë, e edhe emërtuar sipas një tradite historiko-letrare, që i ka njohur prej më shumë se një shekull shkolla shqiptare: I. Letërsia e vjetër, II. Rilindësit, III. Indipendenca, IV. Bashkëkohorët dhe V. Postmodernistët. Lexuesit e veprës shkencore të Profesor Agim Vincës, të cilët Profesorin e tyre e kanë njohur për prirjet shumë të rrepta të përdorimit të terminologjisë dhe nocioneve historiko-letrare, mbase edhe nuk e kuptojnë drejtë këtë ndarje. Por njohësit dhe kulturës dhe letërsisë universale të tij ndërkaq, e kuptojnë se nuk është aspak e rastit. Një Antologji me synim një temë të caktuar – perlat e poezisë shqipe të dashurisë, nuk kishte pse ta përjashtonte poezinë e poetëve anonim dhe nuk e kishte të domosdoshme ndarjen e tyre me periudha, koncepte dhe nocione teoriko-shkencore: Letërsi e vjetër / letërsi biblike / letërsi e bejtexhinjëve; Letërsi e Rilindjes/letërsi e romantizmit; Letërsia e independencës/Letërsia ndërmjet dy luftërave/Letërsia moderne dhe brenda saj: letërsia romantike, realiste, neoklasiciste, parnasiste e simboliste/letërsia moderne; letërsia bashkëkohore / letërsia sociale / letërsia e realizimit socialist/ letërsia moderne / letërsia postmoderne etj. Përtej kësaj ndarjeje, në vëllimet antologjike si kjo e Profesor Vincës nuk do të ishte fare e rastit që të mungonin jo vetëm autorë të njohur për motive të tjera historiko-letrare po edhe ndonjë periudhë e tërë letrare. Për më tej, nuk është e rastit, që disa poetë, me veprën e tyre më të mirë hyjnë në një periudhë letrare, ndërsa në këtë vëllim kalojnë në një periudhë tjetër letrare. Vetëm një njohës i gjerë, studiues për një periudhë shumë të gjatë i poezisë, dhe për më tej, poetë i kërkimeve të thella stilistike, si Profesor Agim Vinca, ka mundur të sjellë një përzgjedhje kaq sistematike të saj, sipas periudhave, autorëve dhe madje poezive veç e veç.
Megjithëse ka disa dekada që poezia popullore është përjashtuar nga sintezat, panoramat dhe antologjitë historiko-letrare në letrat shqipe, profesor Agim Vinca e ka hapur antologjinë e poezisë së tij me një cikël të zgjedhur prej katërmbëdhjetë poezish nga poetët anonimë, botuar nga studiues shqiptarë e të huaj gjatë tre shekujve të fundit, duke përfshirë këtu edhe motërzimet dhe variantet: Bukuria e Tanushës, Në drrasë të vekut kush po kan…, Shumë u desh vasha me trimin, Mike me shami më nj’anë, Sojzeza, moj sojlarushe etj. Cikli i tyre është përcjellë nga një koment përmbyllës, në të cilin janë theksuar veçoritë themelore të tyre: “përmbajtje të gjerë dhe një regjistër të pasur mjetesh shprehëse”(45); “sensualizmin” (45), “poetin liberal” (45), “larminë e madhe të mjeteve shprehëse” (45), “lakonizmin e paparë” (45). Po kështu mund të thuhet edhe për poetët pa emër, anonimë: “individë të talentuar” (45), “një a më shumë”(45), prandaj edhe këngë me shumë variante.
Periudhën e letërsisë së vjetër, të prezantuar në këtë Antologji, e përbëjnë dy kushërinjtë: Pjetër e Lukë Bogdani. I pari me tri vargje ndërsa i dytë ma tri strofa; një bejtexhi me dy poezi Sulejman Naibin, me përshkrime nga më të pasurat të vajzës, si dhe dy fragmente të poemës së Jul Varibobës, me të cilin hapet letërsia laike e arbëreshëve, shkruan Profesor Vinca. Mbetet për të hyrë në këtë kapitull edhe Hasan Zyko Kamberi dhe një poezi e pagjetur e tij për takimin e djalit me çupën.
Nëse poezia e letërsisë së vjetër është më modeste në raport me poezinë e dashurisë, sepse kjo letërsi ende nuk ishte shkëputur nga përbërësit biblikë të njësive estetike dhe tematike, letërsia e shkrimtarëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare është më dorëlirë me motivet e dashurisë dhe më tej ndjenjat erotike, në raport me përmbajtjet iluministe, humaniste dhe atdhetar. Nga kjo periudhë historike, përkatësisht letrare, janë përfshirë shkrimtarët Jeronim de Rada, Zef Serembe, Naim Frashëri, Anton Zako Çajupi, Gjergj Fishta, Zef Skiroi, Aleksandër Stavre Drenova –Asdreni, Fan S. Noli dhe Hilë Mosi. Ndonëse Anton Zako Çajupi, me kryeveprën e tij “Baba Tomorri”, Gjergj Fishta me kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis”, Aleksandër Stavre Drenova me vëllimin “Psallme Murgu”, Fan Noli me pothuajse të gjitha poezitë e tij të veprës “Albumi”, hyjnë në periudhën e letërsisë së independencës, në Antologjinë e Profesor Agim Vincës, përkatësisht me poezitë e zgjedhura me temë lirikën e dashurisë, ata hyjnë në periudhën e letërsisë së romantizmit.
Nëse e pranojmë mendimin e historianëve të letërsisë se romantikët pa përjashtim kanë shkruar me sukses jo vetëm poezinë e patriotike/atdhetare po edhe poezinë e dashurisë, mbështetur edhe në këtë vëllim mund të thuhet se prej letërsisë së shkrimtarëve të periudhës së romantizmit (po e theksoj romantizmin si drejtim letrar dhe jo Rilindjen si periudhë e zgjimit kombëtar, sepse disa prej shkrimtarëve këto poezi i kanë shkruar dhe botuar në Periudhën e Indipendencës), mund të përgatitet një antologji shumë e pasur e lirikës së dashurisë.
Pse të mos thuhet kështu?
Motivi atdhetar dhe motivi i dashurisë, në veprën Këngët e Milosaos, të themeluesit të letërsisë së romantizmit Jeronim De Radës, brenda veprës zhvillohen në mënyrë komplementare; poezia e Zef Serembes atdhetarizmin e zhvillon brenda motivit të dashurisë; vlerat estetike të poezisë së dashurisë në krijimtarinë letrare të Naim Frashërit, kulmojnë në majat e vlerave estetike të poezisë atdhetare; motivet e lirikës popullore të dashurës në poezinë e Çajupit janë po kaq të pasura sa edhe në poezinë sociale; poemthi i Gjergj Fishtës Një lule vjeshtet konsiderohet një nga lirikat më të bukura të tij dhe e vetmja e këtij motivi; poezia e Zef Skiroit është një himn i rrallë i mallit dhe dashurisë njëkohësisht; poezia e Asdrenit me gjithë atdhetarinë e tij dhe përmasën më moderne të bashkëkohësve të tij, nuk mund të perceptohet pa poezinë e dashurisë. Poezia e tij me motive dashurie mund të konsiderohet si krijimtaria më me ndikim në kulturën shqiptare edhe për faktin se tekstet e tij shumë herë janë bërë këngë artistike të komponuara, jo vetëm në kohën e tij, sikur thuhet për Hil Mosin, po edhe në kohën tonë. Më i veçantë në këtë Antologji shfaqet Fan S. Noli. Autori që, sipas Profesor Qosjes mund të përfshihej me të gjitha poezitë në një vëllim të Antologjisë historike të letërsisë shqipe me përjashtim të poezisë Plak, topall dhe ashik, pikërisht me këtë poezi shfaqet në Antologjinë e lirikës së dashurisë, të Profesor Agim Vincës.
Më në fund, Noli i plotë, antologjist!
Po kështu mund të thuhet edhe për Hil Mosin, atdhetarin e publicistin e madh, por poetin modest të poezisë atdhetare, që nuk i ka përmbushur kërkesat për të qenë kapitull i veçantë i periudhës së letërsisë së romantizmit në sintezën e Profesor Qosjes, por tani i përmbush kërkesat për të qenë poeti i lirikës së dashurisë në Antologjinë e Profesor Agim Vincës.
Me poezinë lirike të dashurisë të Periudhës së Indipendencës hyjnë tetë autorë: shkrimtari më i popullarizuar i ligjërimit popullor, Omer Khajami i shqiptarëve do të thotë Profesor Agim Vinca, poeti i popullarizuar Ali Asllani, me shtatë poezi; intelektuali, atdhetari, kryepublicisti e bibliofili më i madh i gjysmës së parë të shekullit XX, por poeti modest, Mid’hat Frashëri, me poezinë Asaj…; poeti e përkthyesi i veçantë, po jo shumë i njohur deri më tash Lazër Shantoja me poezinë Për nji puthje të vetme; shkrimtari më i popullarizuar i lirikës shqipe, sigurisht jo vetëm i dashurisë, nositi i poezisë sonë Lasgush Poradeci, me dymbëdhjetë poezi; poeti i asaj vazhdimësie të artë të traditës shqiptare Ernest Koliqi; prozatori, më parë se sa poeti, i satirës shqiptare, “rrëmbyesi” i një vajze franceze sipas “traditës shqiptare”, Nonda Bulka; poeti dhe më tej prozatori e kritiku brilant Mitrush Kuteli; poeti i mjerimit Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, poezia e të cilit në lirikën e dashurisë shfaqet me elemente, të cilat i tejkalojnë përbërësit e lirikës së dashurës nga tradita në letërsinë bashkëkohore; dhe së fundi Nexhat Hakiu, poeti që e ka krijuar simbolin e parajsës së ëndrrës së të dashuruarve.
Le të thuhet këtu se kjo është periudha e poetëve që si me numrin e poezive ashtu edhe me numrin e vargjeve dhe përbërësve stilistikë të realizimit të saj, e ka tejkaluar letërsinë e periudhës pararendëse dhe është bërë pothuajse e paarrirë në periudhën prapavajtëse.
Kapitulli i pestë, përkatësisht lirika bashkëkohore e dashurisë mund të quhet periudha më karakteristike dhe më gjithëpërfshirëse (gjeografike, historike dhe stilistike) e antologjisë së lirikës së dashurisë. Brenda këtij kapitulli janë përfshirë jo vetëm “shkrimtarët nacionalë”, sikur thuhet përgjithësisht për shkrimtarët e Rilindjes apo vetëm “shkrimtarët e Shqipërisë”, sikur thuhet ndonjëherë për shkrimtarët e periudhës mes dy luftërave botërore, po shkrimtarët e gjithë hapësirës etnike dhe madje diasporës, në ato përmasa që nuk shfaqen në periudha të tjera para saj dhe madje pas saj, kur shkrimtarët e postmodernes nuk shkruajnë vetëm në gjuhën shqipe (si kriter i përfshirjes së tyre brenda Antologjisë), po edhe në gjuhën e shteteve ku jetojnë.
Në kapitullin për letërsinë bashkëkohore të poezisë së dashurisë janë përfshirë shkrimtarë nga Shqipëria shtetërore, Kosova dhe shkrimtarët në ish-Jugosllavi, e kjo do të thotë edhe shkrimtarët në Maqedoninë Veriut; shkrimtarët e diasporës historike dhe shkrimtarët që kanë shkruar dhe shkruajnë sot në diasporën e re në Europë dhe Amerikë.
Kapitulli i poezisë së lirikës së dashurisë hapet pothuajse në mënyrë të pazakonshme, me një krijues nga diaspora, bardin e poezisë arbëreshe Vorea Ujkon dhe me poetin e kryqëzimit tradicional të strukturës së poezisë shqipe e sintezës tematike moderne evropiane Arshi Pipën; për të vazhduar me shkrimtarin mbamendës të letërsisë së Luftës së Dytë Botërore Llazar Siliqin, shkrimtarin e përtëritjes së sonetit në letrat shqipe dhe gjuhës së pasure të togfjalëshit të tij, Enver Gjerqekun; lirikun dhe poetin e dehjes dhe së bukurës bodleriane, Vehbi Skënderin; poetin dhe lirikun e këngës tradicionale për “zogëzën” e Dukagjinit, Din Mehmetin; kryemjeshtrin e poezisë erotike shqiptare, poetin bohem, poetin që e “zhveshi gruan e eposit” Pano Taçin etj:
E ndezur prush,
Te bregu i lumit hapin e shtriu;
Kur pa që s’e shikonte kush,
u zhvesh… e pyelli psherëtiu. (Tanusha, f. 218).
Më tej Profesor Agim Vinca ka sjellë Fatos Arapin, shkrimtarin e fatjetës dhe dashurisë, poetin që gjatë gjithë jetës krijuese e përcolli poezia antologjike e dashurisë Ti do të vish… ndërsa me rastin e vdekjes, si asnjë poet tjetër i dha lamtumirën pikërisht një lirikë dashurie Si s’të desha pak më shumë; poetin e dashurisë së heshtur, lasgushianin që krijonte në qetësi dhe pa ndikimin e lexuesit bashkëkohës të tij, madje edhe pas rënies së komunizmit, Mihail Hanxharin; Dritëro Agollin, poetin që si as edhe një lirik tjetër ka ndërlidhur traditën popullore të poezisë së dashurisë me traditën e lirikës më të bukur të Rilindjes dhe Indipendencës e bashkëkohësve të tij, traditën e krijuesve më të mirë të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe botërore, duke i parë ato, shqipëruar dhe përshtatur si një mjeshtër po i të njëjtit format; Dhori Qiriazin poetin e baladave intime, shkruar atëherë kur poezia shqipe ishte letërsi para se gjithash lirikë e linjave të largëta; Bilal Xhaferi, poeti i dhimbjeve të mëdha etnike dhe trishtimit personal, si vetë titulli i poezisë: Vetëm ti lulëzon në peizazhet e trishta; Adem Gajtanin, poetin e kopshtit të të gjithë përbërësve të dashurisë dhe madje xhelozisë; Ismail Kadarenë, poetin e poezisë lirike të dashurisë përgjithësisht dhe poetin e lirikës erotike në kuptimin e parë të saj, poetin e “lirikës elitare dhe elegante”, komenton në tekstin e tij përmbyllës Profesor Vinca; Qerim Ujkanin, poetin e krijimit klasik të portretit të gruas; Azem Shkreli, poetin e mendimit dhe fjalës së thellë e të kulluar, poetin e ndjeshmërisë së mendimit të motshëm dhe trajtës moderne të të thënit; Jorgo Bllacin, poetin e jetës së errët prej burgu dhe poetin e përkthyesin e lirikave të bukura të dashurisë; Adelina Mamaçin, poeten e erosit të vashërisë; Frederik Reshpjen, Koçi Petritin, Musa Vyshkën, Ndoc Gjetjen, Xhevahir Spahiun, “poetin më autentik në letërsinë shqipe”, “poetin me dhunti të rrallë krijuese në letërsinë bashkëkohore”, thotë Profesor Vinca; Natasha Lakon, Bardhyl London, dhe poetët që dy dekadat e fundit me përkushtimin e tyre ndaj kujtesës, poezisë dhe përkthimit hynë në shumë antologji, ku nuk kanë mundur të hyjnë poetët e brezit dhe fateve të tyre: Iljaz Bobajn, Skënder Rusin dhe sidomos Visar Zhitin.
Poezia e kësaj periudhe, si asnjë tjetër, e ka zgjeruar horizontin gjeografik të krijuesve, i ka përplotësuar temat universale dhe personale të dashurisë, e ka ridimensionuar strukturën përmbajtjesore të teksteve të poetëve anonim, poezisë pararendëse dhe poezisë botërore. Nuk mund të thuhet ndërkaq për përpunimin e strukturës së vargut e të rimës, një përvojë kjo me të cilën identifikohet poezia e shkrimtarëve të periudhës së independencës.
Vëllimi i Antologjisë së lirikës së dashurisë përmbyllet me kapitullin e shkrimtarëve përfaqësues të cilët Profesor Agim Vinca e ka përfshirë brenda kapitullit Postmodernistët: Abdulla Tafa, Teodor Keko, Petrit Qejvani, Adem Gashi, Petrit Ruka, Mimoza Ahmeti, Rita Petro, Gjekë Marinaj, Lulzim Tafa, Alket Çani, Donika Dabishevci, Ag Apolloni dhe Vjollcë Berisha.
Janë shumë karakteristika historike, kulturore, biografike e estetike që e përshkojnë këtë kapitull postmodernistësh: numri i vogël i tyre (trembëdhjetë), në krahasim me numrin e madh që shfaqen dy dekadat e fundit, ndonëse tre përfaqësuesit më të ri (Dabishevci, Apolloni dhe Berisha) kanë lindur në vitet 1980-1983; numri dukshëm i madh i shkrimtareve femra (Mimoza, Rita, Donika, Vjollca, jo rastësisht i shënova pazakonshëm emrat e tyre e jo mbiemrat); përbërësit intelektualë të biografisë së tyre (Abdullah Tafa, e Rita Petro – botues, Petrit Qejvani – profesor, Gjekë Marinaj, – ligjërues, Lulzim Tafa – ligjërues, Donika Dabishevci – studiuese, Ag Apolloni –ligjërues, Vjollcë Berishsha –studiuese). Shumë prej tyre jetojnë jashtë hapësirës shqiptare. Një numër dukshëm i madh i tyre janë jo vetëm autorë poezish po edhe njohës e ligjërues të saj si dhe përkthyes e madje botues të letërsisë së vendeve ku jetojnë. Poezia e tyre nuk është poezi e vargjeve të çastit, por realizime të temave të mëdha nga miti i trashëgimisë te tema e incestit. Ato janë poezi të një posthumanizmi hapur erotik, ardhur në letërsinë europiane kryesisht pas vitit 1968 dhe letërsinë shqipe kryesisht pas vitit 2000 dhe teknikisht, poemtha me struktura të gjera krijuese, një dëshmi kjo se ato nuk janë poezi të rastit po tekste të shkruara me dhunti krijuese, njohje të teknikave të vargut dhe kërkim të temës së dashurisë nga qiellorja deri te tokësorja e më tej. Skajet e këtij kërkimi madje nga “puritanizmi te voluptanizmi” (Profesor Vinca), i ka realizuar vetëm ky brez i krijuesve postmodernistë.
Vëllimi Antologji e lirikës shqipe të dashurisë e Profesor Agim Vincës është një nga antologjitë sigurisht më të plota dhe më të mira, të përgatitura tri dekadat e fundit.
“Kanë kaluar vite e dekada nga koha kur më lindi ideja fillestare për këtë antologji e deri më sot kur po i jap fund asaj për t’ua bërë dhuratë lexuesve – besnikë të fjalës së bukur shqipe, – shkruan Profesor Agim Vinca, – kudo që janë, në tërë hapësirën shqiptare apo edhe në botën e madhe. Edhe të huajve që interesohen për vlerat shpirtërore të shqiptarëve si komb, sigurisht” (32).
Në këtë vëllim janë përfshirë sigurisht poetët dhe poezitë më të mira të lirikës së dashurisë. I kam vendosur emrat e të gjithë poetëve të përfshirë në këtë vlerësim i vetëdijshëm se pas botimit të saj reagimi i shkrimtarëve të cilët nuk janë përfshirë në këtë Antologji, nuk do të jetë i vogël. Sigurisht do të reagojnë për shkak se në këtë vëllim nuk janë përfshirë disa nga poetët që janë përfshirë në Antologjinë historike të letërsisë shqipe, po jo edhe këtu; janë përfshirë në Antologjinë e lirikës shqipe por jo edhe në këtë vëllim lirik; janë përfshirë në Antologjinë e poezisë së letërsisë shqipe për të huaj, po jo edhe këtu. Do të thonë madje se në këtë vëllim nuk është përfshirë edhe një nga poetet më të mira të lirikës arbëreshe, recensuesja e këtij vëllim Kate Xukaro, si dhe poetët pa të cilët janë përfshirë dekada më parë në antologjitë e letërsisë shqipe, si dhe do të shkojnë më tej duke u “shqetësuar” se si Profesor Agim Vinca, njëri prej lirikëve më të mirë të poezisë bashkëkohore shqipe dhe madje njëri prej poetëve më të mirë të lirikës së dashurisë, e paska “përjashtuar” edhe vetën!
Le të jetë prandaj kjo një nga dëshmitë e parimësisë së tij etike dhe antologjike, që në Antologji (cila do qoftë ajo) nuk mund të përfshihesh pa poezi antologjike dhe nuk mund të vetëpërfshihesh. Në këtë rrjedhë, besoj, të gjithë mund të vinë në një përfundim unik: nga kjo Antologji nuk mund të nxirret asnjëri prej tyre dhe asnjë prej poezive të tyre.
Prishtinë, më 1 nëntor 2024