More
    KreuLetërsiBibliotekëMuriel Spark: Viti i parë i jetës sime (tregim)

    Muriel Spark: Viti i parë i jetës sime (tregim)

    Unë erdha në këtë botë ditën e parë të muajit të dytë të vitit të fundit të Luftës së Parë Botërore, një të premte. Ka dëshmi të bollshme se gjatë vitit të parë të jetës sime unë nuk buzëqesha kurrë. Më njihnin si foshnja, të cilën asgjë dhe askush nuk mund ta bënte të buzëqeshte. Të gjithë personat që më kanë njohur në atë kohë ma kanë pohuar këtë. Ata u përpoqën shumë, këndonin, më hidhnin lart e poshtë si të isha një top, kërcenin rreth e qark, ngërdhesheshin. Vite më vonë, anëtarë të familjes, por edhe miqtë e tyre ma kanë rrëfyer këtë shumë herë; por unë, të gjitha këto i kam ditur vetë që në kohën kur isha foshnjë.

    Së shpejti do të dëgjoni të flitet për atë shkollën e re të psikologjisë për të cilën edhe mund të keni dëgjuar se pas kërkimeve dhe eksperimenteve të gjatë dhe aspak të lehtë, ajo ka vërtetuar se të gjitha foshnjat e gjinisë njerëzore lindin të gjithëdijshme. Foshnja të porsalindura që dinë gjithçka që ndodh kudo në botë; ato kanë aftësinë për të kuptuar çfarëdolloj bisede që dëshirojnë të ndjekin dhe të lidhen me gjithfarë mjedisi. Ne të gjithë e kemi provuar këtë fuqi. Fuqi që na shpëlahet nga truri vetëm pas një viti që kemi ardhur në jetë. Sepse na kërkohet nga ambienti rrethanor që të rritemi për t’u bërë të dobishëm në një mënyrë praktike. Gradualisht qelizat e gjithëditura të trurit tonë pësojnë ndërprerje në komunikim, ndonëse triva të tyre mbeten te disa individë në formën e ESP-ës, gjë që ndodh edhe me të rriturit në disa fise primitive.

    Kjo nuk është teori e re. Poetë dhe filozofë, si zakonisht, i kanë ditur këto që në fillim të herës. Prova shkencore ekziston dhe madje ajo është e disponueshme. Ndoshta dora e fundit është duke u hedhur te disa qeliza në Universitetin e Harvard-it. Nga ky moment e këtej manifesti i ri do t’i jepet botës, dhe bota do të kandiset.

    Më lejoni atëherë që së pari të shprehem, sepse tani jam shumë e sigurt për mirëfillësinë e kujtesës sime në lidhje me ndodhitë e së kaluarës. Autobiografia ime, siç edhe fare mirë e perceptova atëherë, nisi në vitin më të lig që bota kishte njohur deri në atë moment. Përveç faktit që kisha lindur pa dhëmbë dhe dergjesha në shtrat, i paaftë për t’u ngritur mbi jastëk a për të thënë diçka me përjashtim të këlthitjeve të çjerra si ato të zogjve në oborrin e një ferme ose ulërimave të ngjashme me sirenat e makinave të policisë, me fshikëzën e urinës dhe zorrët e brendshme tërësisht jashtë kontrollit, unë pezmatohesha edhe më shumë nga sjellja e sisorëve dykëmbësh që kisha përqark. Ata ishin njerëz të veshur me rroba të zeza, femra të një specie së cilës mesa dukej i përkisja dhe unë, dhe që thonin se kishin humbur bijtë e tyre. Unë flija vërtet shumë. Ato ama ishin të lira të shkonin dhe t’i gjenin bijtë e tyre. Ashtu siç herë pas here humbte ajo karfica e posaçme e pelenave të mia që nëna ime a ndonjë dado ia përkushtonte kujdesit tim. Këto gra të shkujdesura të veshura me të zeza humbnin burrat dhe vëllezërit e tyre. Më pas vinin në shtëpinë tonë për t’i bërë vizitë mamasë ku edhe kakarisnin e klithnin mbi djepin tim. Unë, nuk zbavitesha aspak.

    ‘Në të vërtetë foshnjat nuk buzëqeshin pa mbushur tre muaj,’ tha nëna ime. ‘Dhe madje as që duhet të buzëqeshin pa u bërë tre muajsh.’

    Vëllai im, gjashtë vjeçar, ecte lart e poshtë me hap ushtarak me një pushkë lodër të hedhur mbi njërin sup:

    Duka i Madh e i moçëm i York-ut

    Dhjetë mijë ushtarë dispononte;

    I urdhëronte të ngjiteshin në majë të kodrës

    Dhe i zbriste poshtë sa herë që donte.

    Kur ishin lart, ata ndodheshin lart.

    Kur ishin poshtë, ata ndodheshin poshtë.

    Tek ngjiteshin lart.

    Nuk zbrisnin poshtë.

    ‘Dëgjoni!’

    ‘Pa shikojeni pak, ai ka dhe një pushkë mbi krah!’

    Kishin kaluar dhjetë ditë nga çasti që kisha parë dritën e diellit, kur Rusia u tërhoq nga lufta. U sintonizova me Carin, tashmë një i burgosur, dhe pjesën tjetër të familjes së tij, meqë atdheu dukshëm e kishte shkurorëzuar, sepse shumë kohë përpara se të lindja unë aty kishte ndodhur një revolucion. Të gjithë kishin në gojë atë ngjarje. Unë u sintetizova me Carin. ‘Asgjë nuk do të më detyronte ta nënshkruaja Traktatin e Brest-Litovsky-t,’ i tha ai së shoqes. Gjithsesi, askush nuk ia kishte kërkuar ta bënte këtë.

    Në këtë periudhë unë flija njëzetë orë në ditë për t’u forcuar. Dhe nga ato që vija re gjatë katër orëve të tjera e dija se kjo që po bëja do të më vlente në të ardhmen. Fronti i Perëndimit në frekuencën time ishte vetëm gjak, baltë, trupa të bëra kortarë- kortarë, përplasje dëmprurëse, flakërima të ethshme dritash nën qiellin e errët, shpërthime, terror total. Meqenëse ishte e qartë se kisha lindur në një moment të papërshtatshëm të historisë botërore, e ardhmja më shqetësonte, sepse unë nuk isha në gjendje ta ngrija kokën nga jastëku dhe gjatësia ime nuk i kalonte pesëdhjetë e një centimetrat. ‘Me të vërtetë do të dëshiroja që të isha një dhelpër ose një zog,’ D. H. Lawrence i shkruante dikujt. O Jezu i trishtë, i moçëm e rrëqethës! Më zuri gjumi.

    Çarçafë të përgjakur e të përflaktë çanë përmes qiellit. Kalendari shënonte 21 mars, dita e pesëdhjetë e jetës sime; ndërkohë Ofensiva Gjermane e Pranverës kishte filluar përpara se unë ta merrja ushqimin e mëngjesit. Kasaphanë e pafund. Tek pashë atë skenë u vrenjta në fytyrë.

    Dhe bëra një përpjekje të reagoja fuqishëm. Por përpjekja ishte e dobët. I xhindosur, dhe në pritje të ankthshme për të rimarrë forcat, ulërita për ushqim. Pas ushqimit ndërpreva ulërimën, por vazhdova të qëndrojë i vrenjtur.

    Duka i Madh e i moçëm i York-ut

    Dhjetë mijë ushtarë dispononte…

    Ato tundnin djepin. Kurrë nuk dëgjova një këngë më të pamend se kjo. Përtej, në Berlin dhe në Vienë njerëzit vdisnin nga uria, ngrinin nga të ftohtit, bënin greva, rebeloheshin, sokëllinin me të madhe nëpër rrugë. Në Londër të gjithë nguteshin për në punë dhe hungëronin se kishte ardhur koha që gjithë atij mallkimi të madh t’i vinte fundi.

    Të rriturit përreth meje zbardhnin dhëmbët; kjo nënkuptonte buzëqeshje, por edhe se ata ishin të kënaqur dhe në qejf. Flisnin për triska mishi, sheqeri dhe gjalpi.

    ‘Ku do të përfundojë e gjitha kjo?’

    Rashë për të fjetur. U zgjova dhe u sintonizova me Bernard Shaw, i cili po i thoshte të gjithëve ta qepnin gojën. Pastaj kalova tek Joseph Conrad-i, i cili çuditërisht ishte duke thënë të njëjtën gjë. Pata mendimin se nuk ia vlente të buzëqeshja, ndonëse diçka e tillë pritej nga unë nga dita në ditë. Më pas u hodha në Turqi. Gra të veshura në zi mblidheshin dhe llomotisnin në haremin e tyre; bla-bla-bla. Ishte një gjë e mërzitshme, ndaj dhe u ktheva në bazën time në shtëpi.

    Gra të veshura në zi të një versioni britanik hynin e dilnin nga shtëpia. Vëllai i mamasë, i veshur me një uniformë ushtarake, u fut brenda duke kollitur. Ai ishte helmuar nga gazi në llogore. ‘Tout le monde à la bataille!’ thërriste me një ton të ngritur Marshalli Foch, plakushi ndyrësirë, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave Aleate. Xhaxhai u kollit nga thellësia e mushkërive, nga të cilat nuk u shërua kurrë, por pavarësisht nga kjo, ai ishte i destinuar për në front. Kopsat e tunxhta të uniformës feksnin nga reflektimi i zjarrit të oxhakut. Tashmë unë peshoja pesë kilogram e gjysmë; duke parë se jetën e kisha përpara dhe se më duhej të përballoja gjithë këtë turmë, tendosa trupin dhe lëshova disa shkelma. Më ushqenin gjashtë herë në ditë, por ushqimin nuk e nxora asnjëherë deri në momentin kur Vindictive u fundos në portin e Ostende-s, ditë kjo në të cilën unë shkelmoja me një forcë të veçantë tek bëja banjë.

    Në Francë, ushtarët nën armë kalonin mbi të vdekurit sa herë që hidheshin në sulm tek mbushnin fushat e betejës me gjymtyrë e duar, ose mbyteshin në baltë. Burrat më të fuqishëm kishin humbur jetën në të gjitha frontet përpara se unë të lindja. Shërbimi i rojës përdorte trupat e pajetë për të ngritur barrikada, ndërkohë që luftëtarët nuk gëzonin shëndet të mirë që në krye të herës. Unë kontrollova gishtat e këmbës dhe të duarve duke e ditur se do të kisha nevojë për to. The Playboy of the Western World ishte vënë në skenë te Court Theatre në Londër, por herë-herë unë lidhesha direkt me Dhomën e Komunave, e cila më vinte në gjumë pa e kuptuar fare. Në përgjithësi unë preferoja Frontin Perëndimor ku ishte e mundur ta mësoje se çfarë po ndodhte në të vërtetë. Ishte thelbësore që të kishe dijeni për të gjitha të këqijat, gjakun, shpërthimet dhe gjithçka, sepse duhej të përgatiteshe, ashtu siç thonin edhe Boyskautët. Virginia Wolf-i gogësiu dhe zgjati dorën drejt ditarit të saj. Ishte e vërtetë, unë preferoja Frontin e Perëndimit.

    Në muajin e pestë të jetës isha në gjendje ta ngrija kokën nga jastëku dhe ta mbaja atë lart. Sendet që m’i jepnin i mbërtheja në dorë pa vështirësi. Disa prej tyre rrapëllinin e trokëllinin. Unë i breja ato me qëllim që të filloja e t’i vija dhëmbët në përdorim. ‘Akoma nuk ka buzëqeshur?’ pyetën hallat e zymta. Mamaja, e tërhequr në mbrojtje, tha se kishte mundësi që unë të isha një nga ato fëmijët që buzëqeshin vonë. Në gjatësinë e valës sime Pablo Picasso po martohej, kurse në fillim të korrikut në katedralen e Shën Pavlit u festua me një ceremoni të hareshme përvjetori i argjendtë i dasmës së mbretit George V dhe mbretëreshës Mary. Ata shëtitën me makinë përmes rrugëve të Londrës bashkë me fëmijët e tyre. Njëzetë e pesë vite lumturi familjare. Një zhurmë e madhe u bë për dorëzimin ceremonial të shpatave në Guildhall ku mbreti dhe mbretëresha morën një çek me vlerën e pesëdhjetë e tre mijë sterlinave për t’i përdorur në vepra bamirësie sipas dëshirës së tyre. Tout le monde à la bataille! Tatimi mbi të ardhurat në Angli kishte shkuar në gjashtë shilinga për një stërlinë. Të gjithë flisnin për Përvjetorin e Argjendtë, bla-bla-bla, ndërsa dhjetë ditë më vonë, Cari dhe familja e tij, tashmë në Siberi, u ftuan që të zbrisnin në një dhomë të vogël në qilar. Bam, bam, buçitën armët; klithje dhe gjak kudo përqark, gjë që shënoi kështu dhe fundin e familjes Romanoff. Unë shtrëngova muskujt. ‘Një fëmijë i bukur e i shëndetshëm,’ tha doktori, gjë që më dha një kënaqësi të madhe.

    Tout le monde à la bataille! Këtu përfshihej edhe xhaxhai im i helmuar nga gazi. Shëndeti im ishte përmirësuar deri aty sa isha në gjendje të hiqesha zvarrë deri te rrethorja. Brendan Russell-i me gëzim vazhdonte të qëndronte në burg sepse kishte shkruar diçka subversive në favor të pacifizmit. Pas sintonizimit, si zakonisht, me linjën e frontit dukej sikur gjermanët po i fitonin të gjitha betejat, por megjithatë ata po e humbnin luftën. Dhe kështu ishte. Ata që kishin fitime të mëdha vjetorë ishin të shqetësuar nga tatimi i ri mbi të ardhurat, gjashtë shilinga për një stërlinë. Sidoqoftë, të gjitha gratë mbi të tridhjetat fituan të drejtën e votës. ‘Do të më duhet të pres shumë kohë,’ tha njëra nga hallat e mia plakushe dhe fytyrëngrysur. Fjalimet në Dhomën e Komunave si gjithmonë më vinin në gjumë dhe kjo ishte arsyeja që nuk arrita të kap në kohën e duhur njëfarë fjalimi prej oratori të zotit Asquith me rastin e armëpushimit të njëmbëdhjetë nëntorit. Zoti Asquith ishte një ish kryeministër shumë i vlerësuar, i cili më vonë mori titullin e kontit; ai ishte dëbuar nga posti prej zotit Lloyd George. Unë e kisha dëgjuar qartë Asquith-in tek i referohej zotit Lloyd George me fjalët ‘ai cjapi i mallkuar nga Uellsi’.

    Armëpushimi u nënshkrua në kohën kur unë isha zgjuar. Arrita të ngrihem në këmbë me ndihmën e shufrave të shtratit. Sipas mendimit tim, dhëmbët po më dilnin shumë bukur dhe ia vlente barra qiranë që t’i kaloja të gjitha ato mundime për t’i nxjerrë të gjithë. Tani peshoja nëntë kile. Në të gjitha frontet e luftës nëpër botë, të vrarët në luftim e sipër bashkë me ata që kishin humbur jetën nga plagët, kishin arritur shifrën tetë milion e pesëqind e tridhjetë e tetë mijë e treqind e pesëmbëdhjetë, ndërsa luftëtarët e plagosur dhe të gjymtuar kishin mbërritur shifrën njëzetë e një milion e dyqind e nëntëmbëdhjetë mijë e katërqind e pesëdhjetë e dy. Me këto shifra në kokë u ula në karrigen time të lartë dhe përplasa me forcë lugën mbi tavolinë. Një nga mikeshat e mamasë, e veshur me rroba të zeza, recitoi:

    Me Vdekjen unë kam lënë takim

    Në barrikada të vëna në dyshim,

    Me t’u kthyer pranvera me gjethet që nën hije fëshfërijnë

    Dhe lulet e mollës që ajrin mbushin me gëzim,

    Unë me Vdekjen kam lënë takim.

    Thuhej se shumica e poetëve ishin vrarë. Poezia i bënte ata t’i njomnin sytë me shamitë e tyre të bardha e të pastra të dorës.

    Në shkurt, me rastin e vitit të parë të ditëlindjes sime, më sollën një kek me një qiri. Për vizitë erdhën shumë fëmijë me prindërit e tyre. Që nga përfundimi i luftës kishin kaluar dy muaj dhe njëzetë e një ditë. ‘Përse ajo nuk buzëqesh?’ Vëllai im u caktua ta shuante qiririn me frymë. Të rriturit diskutonin për luftën dhe situatën politike. Për zotin Asquith dhe zotin Lloyd George. M’u kujtua një mbrëmje private ku zoti Asquith kishte pirë shumë. Ai ishte duke luajtur me letra, por në çastin kur i erdhi radha për t’i prerë ato, gabimisht ai u përpoq të priste një kuti të madhe me shkrepëse. Në një rast tjetër e kisha parë t’i hidhte krahun mbi supe një zonjë brenda një veture të markës Daimler, dhe përgjithësisht të sillej me të në një mënyrë tepër miqësore. Për çudi ajo tha: ‘Mjaft më me këtë marrëzi, do t’i them shoferit ta ndali makinën, mjaft, përndryshe do të zbres nga makina.’ Zoti Asquith u përgjigj: ‘Pash zotin, çfarë arsye do të japësh?’ Nejse, mua më kishte ardhur ora e ushqimit.

    Të ftuarit për ditëlindjen time mbërritën. Ishte shumë e trishtueshme, u shpreh njëra prej grave e veshur me rroba të zeza, që Wilfred Owen-i u vra pikërisht para përfundimit të luftës, dhe me atë rast ajo citoi nga një poemat e tij:

    Nuk u dashkan kambana për ata që vdesin si bagëti?

    Por vetëm zemërimi i përbindshëm i topave që dëgjohet si ushtimë.

    Fëmijët lëshonin piskama e çapiteshin nga të gjitha drejtimet. Njëri prej tyre ishte i sëmurë, një tjetër lagu dyshemenë tek qëndronte në këmbë tek vështronte pellgun gojëhapur. Dyshemeja u fshi, ndërsa unë përplasa lugën me forcë mbi tavolinë.

    Me Vdekjen unë kam lënë takim

    Në një qytetn flakërimë;

    Kur pranvera sërish në veri të rimarrë një udhëtim,

    Dhe fjalën e dhënë ta mbaj si një premtim,

    Nuk ka sesi unë të mungoj në këtë takim.

    Më shumë prindër dhe fëmijë erdhën për vizitë. Një burrë i shëndoshë që po ngrohte të ndenjurit pranë zjarrit tha: ‘Vazhdoj t’i mbetem besnik mendimit se fjalët e Asquith-it me rastin e armëpushimit ishin aq me vend…’

    Kekun e ditëlindjes ma sollën pranë karriges së lartë ku isha ulur për të parë mirë; qiriri ndriçonte dhe regëtinte përmbi kremin ngjyrë trëndafili. ‘Sa keq që ajo nuk buzëqesh kurrë.’

    ‘Do të vijë edhe koha kur ajo do të buzëqeshë,’ tha mamaja dukshëm e tronditur.

    ‘Ajo që Asquith-i tha menjëherë pas luftës në Dhomën e Komunave,’ tha zotëria i shëndoshë me të ndenjurit nga zjarri, ‘ishte kaq me vend. Ai tha se lufta ka spastruar dhe ka larë të gjitha të këqijat e botës, falë zotit! Fjalët e tij i mbaj mend me saktësi: ‘Gjithçka është rinovuar. Në këtë larje dhe spastrim të madh vendi ynë pati privilegjin për ta luajtur rolin e vet…’

    Kaq u desh. Unë shpërtheva në një buzëqeshje, të cilën të gjithë e vunë re, i bindur se ajo ishte provokuar nga fakti se vëllai im sapo kishte shuar qiririn e kekut të ditëlindjes. ‘Ajo buzëqeshi!’ thirri mamaja. Të gjithë filluan të kakarisnin për faktin që unë po buzëqeshja. Për më tepër unë klitha nga gëzimi si të isha një korb i çmendur. ‘Fëmija im po buzëqesh!’ thirri mamaja.

    ‘Merita është e qiririt të vendosur në kekun e ditëlindjes,’ u shprehën ata.

    Mallkuar qoftë keku! Që atëherë kam filluar të buzëqesh krejtësisht natyrshëm, si çdo njeri tjetër që merr vesh nga punët e shtëpisë, por kur vërtet dua të buzëqesh, me një ndjenjë që më del nga thellësia e shpirtit dhe e parë nga të gjitha anët, mund të them se buzëqeshja më vjen si një reagim ndaj fjalëve të thëna në Dhomën e Komunave menjëherë pas Luftës së Parë Botërore nga burri i shquar dhe sqimatar, i ndjeri zoti Asquith.

    Përktheu: Aristidh Shqevi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË