nga Bujar Hudhri
Prej shumë vjetësh stenda “Albania” mungon në Panairin më të madh në botë që organizohet çdo vit në mes të muajit tetor. Është një shpërfillje e përvitshme që shteti shqiptar i bën një ngjarjeje me përmasa botërore në fushë të kulturës.
Dhe nuk bën dallim nëse është qeverisje e majtë apo e djathtë, të gjithë e kanë fshirë prej kohësh nga agjenda e tyre njërin nga detyrimet bazë që kanë për mbështetjen dhe promovimin kulturës së vendit.
Kjo mungesë e padurueshme, kjo vetmi e librit shqip, bëhet edhe më alarmuese kur sheh stendat e shteteve që na rrethojnë. Duke filluar me Kosovën, me një stendë impresionuese, e sponsorizuar çdo vit nga Ministria e saj Kulturës. Po ashtu shtetet e tjera, si Maqedonia, Sllovenia, Kroacia, Serbia etj. Por edhe të gjitha shtetet europiane dhe të botës. Nuk e ke të vështirë të lexosh të njëjtat fjalë: Mbështetur nga Ministria e Kulturës x, y, z. Pra, një stendë e veçantë me emrin e shtetit dhe stenda të panumërta të botuesve privatë të po këtyre vendeve. Me një fjalë, shteti merr prodhimin letrar që botuesit privatë e kanë realizuar brenda një viti dhe e paraqet, e përball me kulturat e tjera. Dhe të mendosh për botuesit e huaj privatë, me një përvojë mbi shekullore, të fortë ekonomikisht, megjithatë shteti i tyre u rri pranë. Sepse shteti ka për detyrë që kulturën e tij ta përhapë në të gjitha gjuhët.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/10/7311cff0-cd9a-4cce-a476-6b602cdfc0aa-1024x768.jpg)
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/10/Stenda-Kosove-1024x768.jpg)
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/10/556369b9-47ce-4d95-ab87-269f8efec23f-1024x768.jpg)
Ka me dhjetëra shkrimtarë shqiptarë që janë botuar në gjuhë të tjera, sikundër ka të tjerë, të rinj, që mund të paraqiten në këtë stendë duke u dhënë shansin që të bien në kontakt me botues, agjentë, përkthyes nga gjithë bota.
Dhe diçka tjetër: duke mos pasur një stendë “Albania”, a mund të kërkojmë ne që autorët shqiptarë shtetas të Serbisë, Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi, të jenë të përfaqësuar proporcionalisht me kolegët e tyre në këto vende?
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/10/b6661749-314d-4f20-9cf5-3b294449d8ef-1024x768.jpg)
Nëse ka ndonjë panair tjetër ku stenda “Albania” mund të paraqitet me dinjitet përballë botës kulturore, cili mund të jetë përveç këtij panairi? Kur Shqipëria pret çdo vit që shkrimtari i saj i famshëm, Kadare, kandidat për Nobel, të marrë me meritë këtë çmim, a nuk është e qartë se stenda “Albania” mund veçohet nga qindra stendat e tjera edhe të vendeve më të mëdha të botës, që nuk e presin një lajm të tillë?
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/10/585cdcb1-bc1d-4295-85f3-77f864bda61a-1024x768.jpg)
Por kjo stendë mungon dhe zbrazëtia nuk mund të mbushet kurrë me veprimtaritë anemike që organizohen nga Ministria e Kulturës në tetorin e librit në Tiranë.