KreuLetërsiShënime mbi libraMorelle Smith: Çapaliku të çon me mjeshtëri drejt një zgjidhjeje befasuese e...

Morelle Smith: Çapaliku të çon me mjeshtëri drejt një zgjidhjeje befasuese e të papritur

Lekë Cukali, rrëfimtari i romanit «Saga e Sarajevës», është një shkrimtar që mbërrin në qytetin prej të cilit romani merr titullin, për të kaluar aty një muaj në një rezidencë letrare. Më vonë mësojmë se ka marrë pjesë edhe më parë në disa rezidenca të tilla, ndaj për të nuk është e pazakontë të kalojë një muaj në një vend të huaj për t’u përqendruar te të shkruarit. Por, thuajse menjëherë, kjo rezidencë i duket ndryshe. Një nga arsyet është se mbart me vete kujtime nga një album fotografish të vjetra, të cilin i ati e nxirrte dhe ia tregonte herë pas here. Një degë e familjes së të atit ishte larguar nga Shkodra, në Shqipëri, në fund të Luftës së Parë Botërore. Besohej se kishin shkuar në Bosnjë, por, me ardhjen e komunistëve në pushtet në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, vendi ishte mbyllur pothuajse krejtësisht ndaj pjesës tjetër të botës dhe lidhjet me ta ishin ndërprerë.

Kujtimet e fotografive dhe të rrëfimeve të të atit i rikthehen Lekës teksa përpiqet të mësohet me mjedisin e ri. Por që në fillim ka gjëra në banesën e re që e acarojnë: ngrohja nuk punon, nuk ka ujë të ngrohtë, bën një të ftohtë të pazakontë për stinën, nuk ka një tavolinë të përshtatshme ku të punojë dhe as Wi-Fi, ndaj nuk mund të lidhet me Esmën, e cila ka për detyrë të merret me çdo problem që mund të dalë. Kur më në fund arrin të lidhet me të, duke shkuar në një kafene e duke përdorur Wi-Fi-n e saj, ajo përpiqet t’u japë zgjidhje ankesave të tij të shumta, por lë të kuptohet se ai po tregohet i paduruar e kërkues, ndërkohë që ajo po bën gjithçka mundet.

Përveç kohës që i duhet t’u kushtojë problemeve praktike, Leka e ka të vështirë t’i përmbahet edhe projektit letrar që kishte parashikuar dhe, çuditërisht, ndien se i kanë shteruar idetë. Nis ta përndjekë dëshira e të atit për të gjetur pasardhësit e të afërmve që ishin shpërngulur këtu, si edhe fotografitë e këtyre njerëzve. Historia e udhëtimit të tyre nga Shkodra në Sarajevë ia pushton gjithnjë e më shumë mendimet, sikur të jetë detyra e tij të zbulojë ç’u ka ndodhur.

Romani më pas ndahet në dy pjesë: e shkuara, në fund të Luftës së Parë Botërore, me historinë e udhëtimit të familjes nga Shqipëria në Bosnjë dhe të jetës së saj atje, dhe e tashmja, ku Leka interesohet gjithnjë e më shumë për të mësuar rreth këtyre të afërmve, gjurmët e të cilëve kanë humbur. Njëkohësisht, atij i duhet të merret me problemet praktike të banesës, me njerëzit e organizatës që supozohet ta ndihmojnë dhe me ata që takon në kafenetë e qytetit, të cilët nuk kanë dëgjuar për familjen e tij dhe nuk duken veçanërisht të interesuar për ta ndihmuar. Fillimisht, pyetjet që bën dhe marrëdhëniet e tij me të tjerët përshkohen nga njëfarë acarimi: duket se nuk arrin të krijojë lidhje as me njerëzit, as me vendin; ndihet i veçuar, sikur e mbajnë larg.

Në rrafshin tjetër kohor të romanit, të afërmit e Lekës ikin nga kaosi dhe rreziku në Shkodër, ndërsa ushtria austriake tërhiqet në fund të Luftës së Parë Botërore. Familja përbëhet nga nëna dhe katër fëmijët, pasi babai është vrarë në luftë. Edhe ky rrëfim është shkruar në vetën e parë, nga këndvështrimi i djalit më të vogël, Mikelit, i cili ishte rreth dhjetë vjeç kur u larguan nga Shqipëria. Pas vuajtjesh e rreziqesh, ata gjejnë strehë te një familje hebreje zemërmirë në Sarajevë, ku nëna punon si kuzhiniere dhe kujdeset për shtëpinë, ndërsa fëmijët rriten në kushte relativisht të mira e të sigurta – deri në trazirat e viteve 1930, kur një tjetër luftë mbërrin në Ballkan.

Dy historitë dhe dy rrafshet kohore gërshetohen. Në të tashmen, Leka nis të ndiejë se e shkuara i kalon fare pranë, nëpër kafene, në qëndrimet e fqinjëve, madje edhe në vetë banesën e tij. Arrin të gjejë disa gjurmë të të afërmve, por ende mbeten nyje që nuk mund t’i zgjidhë. Në zemër të misterit, ai përballet me çështjen e identitetit: çfarë është e ç’kuptim ka, sa lidhet me gjeografinë e vendin, sa me kohën dhe sa mund të përftohet duke zbuluar të fshehtat e së shkuarës.

Ka gjetje të bukura që e bëjnë të prekshme ndjenjën e tëhuajësimit që përjeton Leka. Mungesa e interesit të Esmës për problemet e tij e acaron gjithnjë e më shumë. Ai humbet vazhdimisht rrugën në labirintin e rrugicave të qendrës së qytetit. Personazhe «të zakonshme» rezultojnë të kenë një domethënie që ai e ndien, por nuk arrin ta rrokë plotësisht: pronari i një kafeneje sillet në mënyrë të dyshimtë, thuajse armiqësore; fqinji, i cili në fillim sillet miqësisht, madje shpreh admirim për të, më pas i lë shënime të koduara që e trazojnë. Leka nuk është i sigurt se kujt mund t’i besojë, nëse mund t’i besojë ndokujt.

Kjo është një histori vërtet rrëmbyese dhe emocionuese. Stefan Çapaliku është mjeshtër në krijimin e atmosferës, në shpërndarjen e hollësive të vogla dhe në mbjelljen e dyshimeve që, si një gur në këpucë, fillimisht shkaktojnë njëfarë bezdie, por më pas rriten në mendjen e rrëfimtarit, derisa nuk je më i sigurt nëse frikat dhe paranoja e tij janë të tepruara apo plotësisht të përligjura. Dhe, pasi të ka prirë nëpër labirintin e qytetit dhe të personazheve të tij, të vdekur e të gjallë, Stefan Çapaliku të çon me mjeshtëri drejt një zgjidhjeje befasuese e të papritur.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË