More
    KreuLetërsiBotime të rejaMira Meksi: Vjeshta e Patriarkut është një poemë madhështore në prozë, një...

    Mira Meksi: Vjeshta e Patriarkut është një poemë madhështore në prozë, një simfoni. Kjo është edhe sfida e vërtetë e përkthimit të saj

    Bisedoi Bujar Hudhri

    Kur është botuar Vjeshta e Patriarkut dhe në çfarë terreni letrar?

    Vjeshta e Patriarkut është botuar më 1975, dhe është një roman për diktatorët në frymën e krijimeve letrare me këtë temë që asokohe morën një rëndësi shumë të madhe në vendet e Amerikës Latine për faktin se diktaturat i kishin zhytur këto vende në kriza të thella të njëpasnjëshme politike, ekonomike dhe sociale.

    Ky roman erdhi pas suksesit të jashtëzakonshëm botëror të romanit Njëqind vjet vetmi, i cili i dha me 1982 Çmimin Nobel autorit të tij Gabriel García Marquez-it. A ka ngjashmëri mes të dy romaneve?

    Romani që i dha Marquez-it famën e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, pa dyshim edhe të shekullit tonë, pra Njëqind vjet vetmi u kthye edhe në veprën më të “bezdisshme” në kuptimin letrar për autorin. Në një intervistë të tij, Marquez-i shprehet se gjithë bota kërkonte prej tij një Njëqind vjet vetmi të dytë apo të tretë, të cilën unë mund t’ia jepja, shprehet ai, por nuk ishte qëllimi im. Ai dëshironte të krijonte një vepër larg temave dhe stilit të Njëqind vjet vetmi. E arriti me mundime shumë të mëdha, duke bërë mijëra ushtrime letrare. Gjersa  përgjatë tetë viteve shkrim të përditshëm, ia doli të shkruante Vjeshta e Patriarkut. Për një krahasim po ju them se shkrimi i romanit Njëqind vjet vetmi i mori rreth dy vjet. Duke iu referuar këtij romani Marquezi ka thënë se, nëse do të kujtohem në letrat botërore, do të kujtohem pikërisht për romanin Vjeshta e Patriarkut.

    Shkurt, çfarë trajton ky roman?

    Do ta përmblidhja me fjalët: përjetësi, pushtet, vetmi, dashuri dhe vdekje. Radha e këtyre fjalëve mund të ndryshojë. Është portreti i diktatorëve të Karaibeve, të Amerikes Latine që vulosën politikën e këtyre vendeve përgjatë shekullit XX, është apogjeu dhe rënia e një lideri politik dhe ushtarak, është shkëlqimi i tij që në fillim konsiderohet si një hero i madh që shpëton kombin nga vithisja, por që në të vërtetë është krejt e kundërta e dukjes: një despot me një pushtet të pakufijtë që shkon shumë përtej jetës njerëzore, që komandon si gjaksor duke krijuar fatkeqësi të panumërta, shkatërrimin e të gjithë vendit dhe një vetmi apokaliptike…

    Çfarë mund të thoni për stilin e këtij romani kaq të jashtëzakonshëm?

    Ashtu si pjesa më e madhe e romaneve të García Marquéz-it, ngjarjet tregohen në retrospektivë, me anë të kujtesës, njëlloj si kohët e tyre sa të larmishme aq dhe të pafundme. Pa dyshim që jemi në ujërat e metodës së realizmit magjik, karakteristikë e të cilit është ndërthurja, përzierja e situatave të mundshme, të përditshme, reale dhe të vërteta me elementë magjikë që ndodhin brenda romanit me natyrshmërinë më të madhe që mund të bëhet. Rrëfimi realizohet nëpërmjet shumë zërave letrarë që kombinohen me njeritjetrin edhe brenda një fraze apo periudhe, duke nisur nga veta e parë dhe gjer te rrëfimi kolektiv me zëra në kor. Struktura tejet e veçantë e Vjeshta e Patriarkut karakterizohet nga një numër shumë i pakët pikash dhe presjesh, çka bën që rrëfimi të jetë njëtrupësh, monolit, (ka herë kur një frazë, si një frymë shpirti, të jetë dhjetra e dhjetëra faqe e gjatë) që ndërtohet në bazë të një harmonie të përsosur të të gjithë elementeve që e përbëjnë, duke krijuar kësisoj një simfoni të arrirë.

    Përshkrimet e hollësishme gjer në filigrana ndjesore, aromatike, tingëllore apo dritësore dhe larushane, metaforat e pabesueshme, figurat e tjera letrare elegante, prerëse dhe ndezullitëse e tejkalojnë ndjeshëm fantazinë më të përndezur njerëzore. Është një poemë madhështore në prozë – një magji e vërtetë ku lexuesi hyn për të dalë i tjetërsuar . Vjeshta e Patriarkut është një përsosmëri stilistike.

    Duket sikur pas përkthimitt të suksesshëm të Dashuria në kohërat e Kolerës, Njëqind vjet vetmi, Dymbëdhjetë tregimet pelegrine dhe Kujtim kurvash të trishta, ishte krejt e natyrshme që “lulja pirate e Gabos”siç ju quajti vetë Marquez-i në takimin tuaj në Barcelonë në fillim të viteve ’90, ta përkthente këtë roman që është më i vështiri por edhe më i studiuari nga kritika botërore si një fenomen letrar.

    Jam shprehur se me shqipërimin e Njëqind vjet vetmi i “hyra detit në këmbë”, dhe se nga ajo aventurë e rrezikshme letrare nuk dija nëse do të dilja gjallë. Por volia e madhe e ndihmës që vetë botimet Onufri më ofruan,sidomos nëpërmjet punës qëmtuese redaktoriale dhe krahasimore me gjashtë variante të romanit në fjalë në gjashtë gjuhë të ndryshme me aq përkushtim, ishte çlirim i madh, por edhe një certifikatë sigurie. Paskëtaj, deklarova me një ndjenjë të madhe lirie në zemër se i kisha “larë llogaritë”me përkthimin e veprës së shkrimtarit tim të shtrenjtë. Dukej sikur misioni im ndaj gjuhës sime dhe shkrimtarit të madh ishte përmbushur. Por synimet e Onufrit shkonin përtej, kërkonin të arrinin apogjeun e veprës së Marquez-it, botimin e romanit Vjeshta e Patriarkut, që në afro 50 vitet e botimit të tij, askush nuk kishte marrë në sy t’i avitej për ta përkthyer, qoftë edhe një fragment të tij, kur dihet se te ne guximi i përkthyesve për të përkthyer kryeveprat e letërsisë botërore është haluçinant. Sipas Biblës hebraike, Qohelet, ka një kohë për gjithçka. Kishte ardhur për mua, ndonëse mëdyshjet, vramendjet, tmerri dhe ankthet ishin vdekjeprurëse, koha e përkthimit të kësaj vepre sa të jashtëzakonshme aq edhe të frikshme për t’u përkthyer: kisha arritur maturinë e zejes sime si përkthyese letrare, njihja si askush veprën e plotë të Marquez-it, aq sa mund të dalloja lehtësisht nuancën kuptimore të një fjale të përdorur prej tij në gjithë gamën e sinonimeve të saj, isha shumë e afërt me stilin, kolumbianizmat e tij, dhe fantazinë markeziane që pillte situata dhe personazhe magjike me “teprime” gjeniale; përpos kësaj, kisha në dispozicion kohën e mbylljes së pandemisë, një kohë e frikshme, e errët dhe plot trysni ekzistenciale, por që rezultoi të ishte çuditërisht edhe shumë nxitëse për krijimin letrar. E megjithatë, kësaj here duhet t’i hyja “oqeanit në këmbë”. Me sa duket ishte kryqi im. Pa dyshim që kisha në krah Onufrin, me botuesin dhe gjithë stafin, duke veçuar Kadian, redaktoren syxixë dhe tejet të aftë dhe të kujdeshme.

    Sa kohë ju mori ky përkthim dhe cilat ishin vështirësitë e tij? A është e aftë shqipja jonë të sjellë në nivelin e duhur një kryevepër të tillë?

    Pothuaj tre vjet. Vështirësitë kanë qenë të mëdha, më ndodhte të riformuloja fraza disa herë në variante të ndryshme për t’u kthyer, më në fund, të varianti i fillimit. Netë pa gjumë. Ka patur raste që merrja vendimin për t’u dorëzuar, pastaj sërish e sërish më motivonte proza e madhe e Marquez-it dhe pasioni i panginjshëm për ta patur në gjuhën tonë, ashtu siç e kishin jo vetëm gjuhët e mëdha të botës, por pothuaj të gjitha gjuhët, deri edhe gjuha mandarin. Sërish përkthimi i tij ishte kthyer në një mision letrar. Leksiku i romanit është tejet i pasur, por siç e kam shpjeguar edhe për përkthimin e të tjera veprave të tij, ky leksik shërben si një instrument për të gjetur ekuivalentin e fjalëve në gjuhën tonë, ka raste për t’i nxjerrë nga harresa ku ka rënë, apo qoftë edhe për të krijuar neologjizma. Vështirësia e vërtetë e përkthimit të Vjeshta e Patriarkut qëndron në faktin që përmenda më sipër, se bëhet fjalë për një poemë madhështore në prozë, për një simfoni të arrirë, ku çdo fjalë-varg apo fjalë- tingull duhet të qëndrojë në vendin e duhur, në ngjyrën e duhur, në dritë-hijen që duhet, në një harmoni të përsosur me të tërën. Sa për aftësinë e shqipes për të dhënë kryeveprat e letërsisë botërore, nuk lodhem së përsërituri se shqipja, njëlloj si greqishtja e lashtë, është një gjuhë e epshme, e zhdërvjellët, me të mund të bëhen çimçakiza gjuhësorë. Është gjuha që më ka lejuar, duke e anashkaluar këtu modestinë e tepruar, t’i shkoj “pas fijes” dhe besnikërisht prozës labirintike, magjepsëse dhe magjike të Marquez-it, edhe aty ku të mëdhave gjuhë të botës u është dashur të kalojnë në variante shpjeguese.

    Çfarë i sjell gjuhës, kulturës sonë përkthimi i Vjeshta e Patriarkut?

    Me bindje të madhe por edhe me ngazëllim them se është një ngjarje e madhe për gjuhën dhe kulturën tonë botimi në shqip i Vjeshta e Patriarkut. Jo vetëm se transmeton vlera të mëdha dhe të vyera letrare, por edhe sepse është një shkollë e mirëfilltë e mjeshtërisë së vështirë të shkrimësisë për të gjithë shkrimtarët shqiptarë, të rinj apo të konsoliduar qofshin.

    *Karikaturë miqësore e ka dërguar nga Firence (Itali), posaçërisht për gazetën, shkrimtari dhe piktori Artur Spanjolli

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË