Eseja si pjesë rëndësishme e revistës letrare
Shpesh bëhet pyetja: për se shërbejnë në thelb revistat letrare dhe ç’rëndësi apo çfarë misioni kanë, kur në të vërtetë produkti i letërsisë apo kulmimi i saj është libri? Një nga përgjigjet më të sakta kësaj pyetjeje ia ka dhënë filozofi dhe shkrimtari spanjoll Jose Ortega y Gasset, i cili thotë: “Edhe duke qenë më i përsosuri, libri është përherë një abstragim, një fragment. Gjysma e tij mbetet në placentën e nënës, ku u ushqye, në ambientin e fshehtë të ideve, të parapëlqimeve, postulateve, të dhënave që ishin atmosfera e mbirjes së tij si filiz. Si çdo gjë thelbësore, letërsia vuan nga një kontradiktë e pamëshirshme. Sepse nuk ka pikë dyshimi që letërsia finalizohet me librin; me të ajo kulmohet, me të frytëzohet, dhe nga ai merr emrin. Porse, nga ana tjetër, libri është vetëm një çast i fluksit intelektual, që tek ai ndalet, kristalizohet dhe ngrin. Në çdo libër ka diçka të rreme në lidhje me jetën intelektuale efektive, një rremtësi e ngjashme me atë që ndodh me lëvizjen në fotografinë e çastit. Për të korrigjuar pak a shumë këtë defekt të lindur të librit duhet të shërbejë revista, ajo ka një mision të ngjashëm me atë të placentës. Revista duhet të dallohet nga libri njëlloj siç dallohet publikja nga privatja.” Pra, libri është vepra e kthyer në send, në diçka të ngurtësuar, ndërkohë që jeta intelektuale rrjedh dhe vepron para dhe pas tij, por ajo shfaqet edhe në forma përgatitore, ku ka gjykime, dyshime, kureshti etj. Do të qe shumë interesante që në një revistë shkrimtarët të botonin ato që nuk shkojnë kurrë nëpër libra, gjërat e parakohshme, të palindura, të fshehura; madje edhe kur botojnë vepra në proces, pjesëza të asaj krijimtarie që më tej do të shkojë të ndryhet e të “ngrijë” në libër, sërish ajo formë e parë e saj flet për një tjetër klimë të fshehtë dhe parake të krijimit. “Na pëlqen libri kur është bërë mjaltë, por njëlloj do të na pëlqente të ishim të pranishëm gjatë procesit të mjaltëzimit, të shihnim drithërimën e bletëve në korsetë e tyre të arta”, – thotë Jose Ortega y Gasset.
Dimensionin e fenomenit letrar vetëm revista mund ta paraqesë. Nga libri në libër nuk i vëmë dot re as devijimet, as eksperimentet që bën shkrimtari, gjersa magma e tij ngrin brenda dy kapakëve. Në revistë po, e që këtej roli i saj i domosdoshëm në zhvillimet e letrave. Ndërsa shtypi letrar (më e shumta faqet e të përditshmeve kushtuar kulturës dhe letërsisë), shumë i rëndësishëm edhe ky, ndryshe nga libri dhe revista letrare, që janë letërsi në ngjizje e sipër, duhet ta shohë letërsinë për së jashtmi, si një fakt dhe të na informojë mbi luhatjet dhe ndryshimet e saj, të na përshkruajë gëlimin e ideve, të veprave, të emrave krijues, të na japë, me aq sa mundet, një lloj hierarkie letrare, përherë të ndryshueshme, por që, sidoqoftë, përherë ekziston. Por çfarë specifikash kanë revistat letrare, këto “korrigjuese të defekteve të librit”? Ato mund të klasifikohen në dy grupe: revista të krijimit letrar të një toni polemik; dhe revista erudicioni, investigimi dhe kritike. Të dyja grupet kanë një rëndësi të caktuar për zhvillimet letrare, por për nga karakteri tepër i përkohshëm dhe dalja në momente tronditjeje, gumëzhimi apo shqetësimi letrar paraqesin më tepër interes dokumentar ato të grupit të parë. Në këtë kuptimin e fundit është folur, siç u tha më sipër, për misionin e tyre si një mision prej placente (njëlloj si placenta, që bashkon trupin e fëmijës me të nënës në barkun e saj), pasi ato në përgjithësi mbledhin materiale letrare që më të shumtën e herës nuk arrijnë të ngjizen në një libër. Thuhet se revistat letrare lindin me një lloj zelli ikonoklast, pasi për të çarë udhën, për të imponuar kredon e tyre estetike besojnë se hapi i parë që duhet të bëjnë për këtë është të shkatërrojnë kredon paraardhëse. Plot shembuj të tillë ka me revistat tona që lindën fillimviteve ’90 dhe që nuk patën jetë të gjatë, por që në njëfarë mënyre e kryen misionin e tyre prej krijimtarie polemike. Në përgjithësi lëvizjet apo rrymat letrare shfaqjen e tyre të parë e kanë pasur nëpër revistat letrare, madje flitet se asnjë periudhë apo shkrimtar që nuk është shfaqur më parë nëpër revista letrare, me përjashtime të rralla, nuk meriton vëmendje. Revista letrare paraprin, parashikon, zbulon dhe polemizon, madje përgatit përkthyesit dhe shkrimtarët e së nesërmes. Revista letrare “Mehr Licht” u krijua në vitin 1996, në një kohë kur kishin lindur të paktën tri prej shtëpive botuese private (që sot janë kryesoret në treg), të cilat përpiqeshin me ç’mundnin të kënaqnin grykësinë e lexuesit shqiptar për veprat e ndaluara gjatë 50 vjetve, të kapnin kohën e humbur, ta mbushnin atë boshllëk dhe të pasqyronin njëkohësisht aktualitetin e letrave botërore. Ndërkohë risitë që krijoheshin në letrat shqipe brenda lirisë së rigjetur nuk qenë fort tërheqëse për këto ente botuese; vazhdonte të mbetej në hije letërsia e ndaluar shqipe dhe po ashtu në harresë edhe një pjesë e mirë e letërsisë sonë të traditës, ndërsa letërsia e krijuar brenda mureve të burgjeve mbetej gjithashtu e pazbuluar, edhe kjo jo shumë e kërkuar nga botimet private. Në këtë vrap të çmendur në kërkim të kohës së humbur botimet e shtëpive botuese private në më të shumtën e rasteve (pa dyshim që ka edhe përjashtime) nuk ndiqnin kurrfarë rregulli apo protokolli në lidhje me përkthimin letrar. Rezultati qe shkatërrimtar për letërsinë në përgjithësi: pati një çoroditje në vlerësimin e mirëfilltë letrar, që u shoqërua me një mungesë të theksuar të një reference a të një sistemi vlerash. E pra, gjatë 14 vjetve të jetës së saj si shërbesëtare e letërsisë dhe kulturës kombëtare, revista letrare “Mehr Licht” ia ka dalë të promovojë shkrimtarë dhe përkthyes letrarë shqiptarë; ajo është kthyer jo vetëm në një enciklopedi të letrave botërore dhe shqiptare, me një formacion të tejbollshëm për to dhe “vendshfaqjeje” për të gjithë produktin letrar jo fort të përfillur nga tregu i botimit privat, që u përmend më sipër, por edhe për krijimet, idetë dhe eksperimentimet letrare të krijuesve të rinj dhe jo të tillë shqiptarë. Ajo është munduar të nxisë, veç të tjerash, zhvillimin e gjinive letrare pak të lëvruara te ne aktualisht, siç janë eseja letrare dhe kritika letrare, të cilat përbëjnë një lëndë të rëndësishme të revistave letrare. Këtë e ka bërë nëpërmjet rubrikave të saj të përhershme, siç janë rubrikat “Ese” dhe “Studime”. Tani “Mehr Licht” po rikthen traditën e saj të dhënies së çmimit për esenë dhe kritikën letrare, që do të jetë i përvitshëm dhe do të jepet nëpërmjet një konkursi. Produktet më të mira të këtyre gjinive gjatë një vitido të botohen në suplementin e revistës në numrin e fundvitit. Një nga qëllimet e këtij shkrimi është të ndalet edhe te kritika letrare dhe eseja, të cilat janë gjini letrare që pasurojnë, porse, siç u shprehëm më lart, pak të lëvruara aktualisht te ne. E kemi bërë zakon të flasim, të gjykojmë dhe të japim mendimin tonë për letërsinë, një vepër letrare apo problemet që lidhen me letërsinë dhe kulturën në përgjithësi kafeneve, por pak e bëjmë këtë publikisht; shpesh kritika letrare ngatërrohet me opinionin e keq mbi një vepër, apo, përkundrazi, me thurje lavdesh për të. Me pak fjalë, kritika letrare është arti i të gjykuarit të një produkti letrar, i veprave letrare, është studimi, vlerësimi dhe interpretimi i letërsisë. Ky gjykim mund të prekë shumë faqe të këtij produkti, që nga shqyrtimi i faktit se si është ngjizur vepra letrare dhe në ç’masë ajo i pëlqen lexuesit, që nga vrojtimi i shpikjeve apo risive që ajo përmban e gjer te gjykimi mbi stilin, korrektësinë gramatikore, figurat letrare etj. Kritika letrare mund të ketë formën e një studimi teorik apo të një prezantimi dhe përmbledhjeje, e cila merr formën e një shkrimi gazetaresk. Ky i fundit është edhe më i frytshmi apo më orientuesi për masën e lexuesit, që shpesh gjendet i çorientuar për sa i përket zgjedhjes së një vepre letrare për të lexuar. Që këtej edhe roli apo misioni i kritikës letrare, jo vetëm si udhërrëfyese vlerash, por ndoshta edhe si edukuese shijesh letrare. Sa për esenë, ajo është një letërsi idesh. Ndonëse ka moshë të lashtë, sërish mund të thuhet se është një gjini moderne. Një nga tiparet e saj të thelbëta është zhdërvjelltësia, që do të thotë se ka një thjeshtësi shprehjeje dhe një aftësi për të komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë e, mbi të gjitha, në përgjithësi për tema të aktualitetit. Gjuha e saj është direkte, por elegante; nuk ka detaje dhe hollësira të sipërfaqshme dhe forma e saj është e thjeshtë, por përmbajtja ka një informacion të saktë. Eseja ngre një sërë pyetjesh dhe jep përgjigjet që mundet, por pothuaj asnjëherë nuk arrin dot të japë të gjitha përgjigjet, pyetja mbetet. Me gjithë vështirësitë për t’u përcaktuar, sërish mund të thuhet se, sidoqoftë, eseja duket të jetë e kundërta e një mendimi që ka mbërritur në fazën e tij përfundimtare, pasi ajo është trajtimi i një apo më shumë subjekteve, por pa i shteruar ato. Eseja është, si të thuash, një vepër që paraqet gjendjen aktuale të mendimit. Eseisti propozon një diskutim idesh, për të qenë më të saktë, ai propozon një lloj intuite të menduar e të peshuar mirë. Tjetër karakteristikë të saj eseja ka faktin që e trajton subjektin në shumë pikëpamje, duke hapur një maksimum këndesh goditjeje dhe përdor shumë citime. Eseja është fusha e mendimit të lirë dhe fushëgjerë; këtu qëndron edhe dallimi i saj me gazetarinë, pasi kjo e fundit propozon një pamje të vetme dhe të përqendruar.
Në kapitullin 50 të librit të parë, që e titulloi “Nga Demokriti dhe Herakliti”, Montaigne-i, mjeshtri i esesë dhe ai që i dha emrin qysh në mesjetë, na jep një përcaktim të esesë, që ka vlerë edhe sot e kësaj dite, përveç vlerës historike, sigurisht: “Gjykimi është instrumenti i nevojshëm në ekzaminimin e çdo lloj gjëje, andaj edhe unë e përdor në çdo rast në këto sprova. Kur bëhet fjalë për një lëndë që nuk e kuptoj, me plot arsye e përdor gjykimin, duke e hetuar thellësinë e lumit për të gjetur vaun, dhe pastaj, nëse më ngjan fort i thellë për trupin tim, mbaj këmbët në breg të tij. Bindja për të mos shkuar më tej është një shenjë e vlerës së gjykimit, dhe nga ato që kanë rëndësi të madhe. Shpesh rrekem që një objekti pa peshë dhe hiçmosgjë t’i jap rëndësi dhe ta konsolidoj; tjetër herë përsiatjet e mia i përkushtohen një çështjeje të fisme dhe fort të rrahur si diskutim, ku nuk gjen asgjë të re, pasi udha është shkelur aq shumë nga të tjerë njerëz, sa s’të mbetet veçse të ndjekësh gjurmët e paraardhësve. Në rastet e para gjykimi gjendet në ujërat e veta, zgjedh udhën që i do qejfi dhe mes mijëra shtigjeve përcakton atë që i përshtatet. Zgjedh kuturu argumentin e parë. Të gjithë për mua janë të mirë njëlloj dhe asnjëherë nuk i vë vetes qëllim që t’i shteroj gjer në fund, sepse asnjërin prej tyre nuk e rrok tërësisht: nuk thonë më shumë ata që na premtojnë t’i trajtojnë tërë aspektet e gjërave. Nga njëqind gjymtyrë dhe fytyra që ka çdo gjë, zgjedh njërën, herë për ta lëpirë, herë për ta përkitur, dhe herë për ta shpuar gjer në kockë. Përsiatem mbi gjërat jo duke u shpërndarë, por duke u thelluar aq sa kam mundësi dhe shpesh më pëlqen të studioj ndonjë xixëllim të tyre të pazakontë.”
Është për t’u vënë në dukje fakti se sot esetë apo sprovat kanë një lexues shumë të gjerë dhe gëzojnë sukses në tregun e librit. Si mund të shpjegohet një gjë e tillë? Sipas kritikëve, por edhe sociologëve, ndonëse eseja nuk është përherë fort e lehtë për t’u kuptuar, ajo e tërheq lexuesin, sepse: së pari, ky i fundit është shumë i dhënë pas trajtimeve që kanë një nuancë autobiografike (shumë ese e përmbushin këtë kriter), pasi është mendimi, idetë dhe pikëpamjet e autorit që shprehen haptazi dhe pa dykuptimshmëri në të; dhe së dyti, lexuesi pret apo mëton të ketë përgjigje për probleme ekzistenciale dhe thelbësore, sidomos për ato aktuale, siç është rasti me sprovën e fundit të Kadaresë “Mosmarrëveshja”. Kjo sprovë është mbase e para dhe e vetmja, pas një shekulli e ca, që për nga rëndësia dhe ndikimi barabitet me një nga veprat më të mëdha të Rilindjes, me manifestin e saj politik dhe ideologjik “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” të S. Frashërit. Numri i jashtëzakonshëm i shitjeve, dhe në një kohë shumë të shkurtër, i kësaj sprove, e cila godet dhe intrigon që me titullin e saj: “Mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”, ka rrëfyer të paktën dy gjëra shumë të rëndësishme në lidhje me lexuesin shqiptar: e para, në këtë kohë që jetojmë, kur vazhdojmë të kemi probleme të pazgjidhura me të kaluarën dhe historinë tonë, kur afria konceptuale histori-mit përdoret tinëzisht për të rrëzuar shenjat e kombit në emër të modernizmit dhe të luftës kundër nacionalizmit të sëmurë, kur ekziston një gjendje e amullt dhe kaotike e mendimit shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti ndaj çështjeve ekzistenciale të aktualitetit, lexuesi shqiptar është në kërkim të pikave të sigurta të referencës për të pasur përgjigje për pyetjet thelbësore që lidhen me kombin, historinë dhe aktualitetin; dhe e dyta, lexuesi shqiptar është ngulmazi në kërkim të mjeshtërve të konsoliduar të mendimit të sotëm shqiptar. Mbase në këtë pikë vetë sprova apo eseja si gjini është e detyruar të përballet me një rrezik modern, rrezik që koha do ta tregojë nëse do ta ndryshojë thelbin e saj. Ajo po perceptohet vetëm si një tribunë e përgjigjeve, ndërkohë që në të vërtetë është vendi i ngritjes së pyetjeve.
11 dhjetor 2010