More
    KreuIn memoriamMira Meksi: Ramon Sanchez Spanjolli që e deshëm të gjithë

    Mira Meksi: Ramon Sanchez Spanjolli që e deshëm të gjithë

    E takova në verën e vitit 1984 në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, kur, e porsadalë nga studimet universitare, iu bashkëngjita aradhes së punëtorëve të përkthimit të veprave të Enver Hoxhës në gjuhë të huaja. Ishte militant marksist-leninist, kishte katër vjet që punonte aty si redaktor në redaksinë e spanjishtes, qe spanjolli i parë në botë që njihja e që dukej sikur kishte dalë nga ndonjë faqe romani spanjoll i paraluftës për të përfaqësuar tërë racën e tij asturiase: truplartë, me ballë të lartë e mustaqe të plota ala Maupassant dhe me një emër të fshehë lufte, që i bënte nder portretit të tij: Karlos. Asaj kohe e pati mbaruar misionin e tij në Shqipëri, po kthehej në vendin e tij dhe stafetën e punës redaktoriale po ia linte një tjetër militanti spanjoll marksist-leninist, katalanasit që e pati zgjedhur emrin e tij të luftës ca më prozaik akoma, duke e marrë nga soji i shkrimtarëve barcelonas, që ishte Andreu Martin.

    Në redaksinë e spanjishtes, që drejtohej nga Skënder Vuçini autoritar, pjesë e së cilës nisa të isha edhe unë, ndenja shumë pak kohë me Carlos-in tonë (kafet që pimë u numëruan me gishta), por mbaj mend mirë dy gjëra, që mund t’i shtohen portretit që bëra më lart: bllokun e përhershëm, nga i cili dukej sikur nuk ndahej një çast, dhe cigaren e markës franceze “Gitanes”, nga e cila vërtet nuk ndahej kurrë, në kutinë intriguese të së cilës shfaqej një figurë e kaltër valltareje cigane, e mbështjellë nga një tym i bardhë. Mbaj mend se pyetja që i bëra për të, shpërtheu një rrëfim të gjatë e të papritur historik mbi atë markë cigaresh të hedhur në treg qysh në vitin 1910 e që pati ndërruar pamje gjithsaherë, ndonëse përherë kishte shenja dhe simbole spanjolle si mantilla etj. Më tregoi gjithçka, madje edhe emrin e disenjatorit të figurës së parë të paketës “Gitanes”, dhe këtë e bëri me aq elegancë dhe gjuhë të pasur e të detajuar, por edhe me një lloj çapkënllëku dhe humori të hollë, që më mrekulloi tërë kohën që zgjati rrëfimi, gjersa në fund, për ta mbyllur, më tha jo pa një lloj krenarie dhe duke qeshur se “Gitanes” qe cigarja e Jacques Prévert-it, Albert Camus-së, Julio Cortázar-it dhe të tjerë shkrimtarëve dhe artistëve të famshëm. Dhe kështu, sa herë gjatë tërë miqësisë sonë 28-vjeçare do të vihej të më rrëfente diçka, përherë e bënte këtë me aq përkushtim, mjeshtëri, detajizime dhe humor, sa përherë më mrekullonte. Ndërsa blloku qe një pasuri e tërë në lëmin e përkthimit: aty Ramoni (pas kthimit në vendin e tij morëm vesh se emri i vërtetë i Carlos-it ishte Ramon) kish shtrirë tërë eksperiencën e tij katërvjeçare në përkthimin dhe redaktimin e teksteve, kryesisht politike, nga shqipja në spanjisht. Mbaj mend po ashtu se në bagazhin e tij, kur u largua po atë vit nga Shqipëria, kishte dhjetëra libra nga letërsia shqipe: Ramoni po linte pas fatin e përmbushur të militantit marksist-leninist dhe po i projektonte vetes një fat letërsie. Aty nga viti 1987, kur Ramoni iu fut seriozisht punës së vështirë të përkthimit letrar nga shqipja në spanjisht me veprën e Kadaresë, duke shkelur në udhë krejtësisht të panjohura (qe hera e parë që përkthehej drejtpërdrejt letërsi shqipe në spanjisht), blloku i tij i përhershëm u kthye “në një katalog të vogël, por të çmuar me zgjidhje dhe ekuivalenca, si dhe me shtigje që çonin në ndonjë përgjigje për pyetjet e shumta që po më dilnin gjatë punës së përkthimit”, siç thotë ai vetë në librin “Shqipëria në pasqyrën e letërsisë”.        

    Ishte viti 1991 dhe ndodhesha në Tarazona të Spanjës, në Shtëpinë e Përkthyesve, ku i qeshë futur punës së vështirë të përpilimit dhe përkthimit të një antologjie të poezisë bashkëkohore shqipe dhe ku ndihma e Ramonit, i cili erdhi disa herë për të punuar me mua në Tarazona, qe vërtet e çmuar, kishte raste dhe shpëtimtare; sipas shkrimeve dhe vlerësimeve që u bënë, doli të qe një nga antologjitë më të rëndësishme të poezisë shqipe botuar jashtë kufijve të Shqipërisë atyre viteve. Qe koha kur përpiqesha të përktheja në shqip mjeshtrit e letrave hispanoamerikane, kur rrekesha të botoja shkrime në shtypin spanjoll të kohës, me ndihmën e Ramonit, për të bërë të njohur letërsinë shqipe dhe kur botoja poezi shqipe në spanjisht; qe koha kur takoja Gabriel Garcia Marquez-in në Barcelonë dhe kur Ramoni përkthente në spanjisht shkrimin tim të ndjeshëm për takimin me të dhe ia dërgonte Carmen Balcels-it, agjentes së tij letrare, me qëllim që të zbuste zemërimin e saj ndaj botimeve pirate në shqip të kolumbianit të madh.

    Më kujtohet që më 23 shtator të atij viti, në sallonet e pallatit të famshëm “Gaviria” në Madrid, bëhej prezantimi i “Pallatit të ëndrrave” të Kadaresë në spanjisht, përkthyer nga Ramon Sanchez Lizarralde dhe botuar nga Muchnik, në një ceremoni ku qe ftuar dhe autori. Kishte pothuaj një vit që Kadareja kish braktisur Shqipërinë dhe qe strehuar në Francë, me një akt që synonte të bëhej kambana e alarmit në botë kundër diktaturës komuniste shqiptare, e cila vazhdonte të rezistonte ende, duke lënë një boshllëk të madh tek intelektualët shqiptarë. Ftesës së Ramonit për të marrë pjesë në ceremoni iu përgjigja vetëtimthi dhe fluturova drejt Madridit. Emocioni qe i madh jo vetëm pse takova Kadarenjtë pas një viti të gjatë e të vështirë ndarjeje dhe përjetova një klimë të përndezur feste, ku shumëkush nga personalitetet e botës së letrave hispanike fliste për shkrimtarin shqiptar si për një kandidat shumë pranë “Nobelit”, por edhe pse takova dhe bisedova gjatë me Mario Muchnik-un, botuesin e njohur spanjoll të Kadaresë. Nga hebreu shtatshkurtër, entuziazmi dhe besnikëria e të cilit ndaj shkrimtarit shqiptar vazhdoi shumë gjatë, mësova për përpjekjet e jashtëzakonshme me vite të Ramonit jo vetëm për ta sjellë denjësisht në spanjisht nga origjinali shqip shkrimtarin e madh, por dhe për të gjetur një botues të denjë për ta botuar të përkthyer në spanjisht nga origjinali dhe jo nga frëngjishtja, siç bëhej. Është një nga kujtimet më të bukura që kam me Ramonin dhe që e përmendnim shpesh të dy, sepse në mbarim të ceremonisë së prezantimit të “Pallatit të ëndrrave”, në një sallë të vogël të pallatit “Gaviria”, ndezëm të katër së bashku një shandan – si shenjë bashkimi – e më pas Ramoni dhe unë dëgjuam nga Kadarenjtë fjalët: “Do të kthehemi sa më shpejt që të jetë e mundur në Shqipëri.” Tri ditë më pas shkruanim të dy (ndonëse u botua vetëm me emrin tim) artikullin “Vetmia e madhe e Kadaresë” për gazetën “Heraldo de Aragon”, ku i shpjegonim botës spanjolle të vërtetën e “arratisjes” së Kadaresë nga Shqipëria në vjeshtën e vitit 1990.

    I rrëfej këto kujtime, që më prekin shpirtin, sepse mendoj se ato e përcaktojnë më së miri Ramonin tonë, mikun e të gjithë shqiptarëve, i cili, mbi të gjitha, ishte tejqyra e spanjollëve për të parë botën shqiptare: duke njohur si askush tjetër realitetin shqiptar, historinë, kulturën dhe letërsinë shqipe, ai kontribuoi në davaritjen apo zbutjen e paragjykimeve dhe pamjeve të shtrembëruara që spanjollët kishin për botën shqiptare, siç thotë edhe vetë në përmbledhjen e teksteve të tij mbi letrat shqipe, që botuesi i “Onufrit” pati dashamirësinë ta botonte dhe që unë e pagëzova me emrin “Shqipëria në pasqyrën e letërsisë”.

    Ramon Sanchez-i përbën një fenomen më vete si lëvrues i artit të komplikuar të përkthimit letrar: pa kryer studime të mirëfillta filologjike, pa pasur asnjë lloj tradite apo baze të mëparshme përkthimi të letërsisë shqipe në spanjisht ku të mund të mbështetej dhe në kushtet e mungesës së fjalorëve shqip-spanjisht dhe spanjisht–shqip (ky i fundit me plot mangësi është botuar vetëm në vitin 1999), arriti jo vetëm të përkthejë me sukses një pjesë shumë të çmuar të veprës së Kadaresë, por edhe të nderohet me Çmimin Kombëtar të Përkthimit në Spanjë, të japë leksione dhe konferenca të rëndësishme universiteteve të botës mbi përkthimin letrar në përgjithësi dhe atë të veprave të Kadaresë në veçanti, të ketë poste drejtuese në shoqatat e përkthyesve të Spanjës dhe të krijojë një revistë shumë të vlerësuar mbi përkthimin letrar të quajtur “El Trujaman”.

    Në një shkrim të titulluar “Të ngratët përkthyes të mirë” Garcia Marquez-i thotë se ajo që aspirojnë përkthyesit nuk janë dafinat mbi kokën e tyre, porse shmangia e qortimeve dhe “incidenteve”. Dhe kjo është e vërtetë. Por, sidoqoftë, duke qenë përkthimi letrar si një nga punët më të vështira, më anonime dhe më të keqpaguara, përkthyesit janë shumë bashkëpunues dhe solidarë mes tyre. Por bën vaki që nganjëherë të dalin edhe me “krenari të lënduar” nga marrëdhënia e punës me shoqi-shoqin, edhe kur janë miq të vjetër, siç shkruan Ramoni për një aventurë letrare që ndodhi mes tij dhe meje, me Kadarenë në mes, në shkrimin “Përkthyesi i ripërkthyer” dhe që ia vlen të rrëfehet.

    Ndodhi që më 1994 Kadareja të zhvillonte një bisedë në Bibliotekën Kombëtare në Madrid mbi “Don Kishotin”. Sipas Ramonit, e tëra biseda e tij në shqip ishte e improvizuar (pra nuk ekzistonte tekst i shkruar, me përjashtim të disa shënimeve) dhe përkthimi i saj në spanjisht (i bërë nga Ramoni) u regjistrua, për t’u zbardhur më pas, pa vënë dorë as autori dhe as përkthyesi, dhe botuar në një revistë spanjolle. Vite më vonë, me lejen e Kadaresë dhe për ta botuar në revistën “Mehr Licht”, e përktheva nga spanjishtja në shqip të vetmin tekst ekzistues të bisedës së lartpërmendur dhe vetë autori punoi mbi përkthimin tim për t’i dhënë tekstit në shqip vlerën e origjinalit, çka u shënua edhe në botimin e saj në numrin 14 të “Mehr Licht” në vitin 2000. Këtu përfundon edhe marrëdhënia ime me tekstin, Kadarenë dhe Ramonin. Porse më 2001 botohet në shqip “Unaza në kthetra” e Kadaresë, ku është edhe biseda a konferenca në Bibliotekën Kombëtare në Madrid mbi “Don Kishotin”, por kësaj here në shënimin që e shoqëron (dhe që nuk ishte formuluar prej meje) shkruhet: “Konferenca është improvizuar nga autori në gjuhën franceze, përkthimi spanjisht i botuar nga shtypi i Madridit mund të merret si i vetmi tekst i shkruar i saj.” Dhe në fund: “Përktheu nga spanjishtja Mira Meksi.” Kusurin për “mohimin” e tekstit të parë të shkruar nga Ramoni padrejtësisht e mora unë “përkthyesja e përkthyesit” dhe kohë më pas, kur u sqaruam të dy për keqkuptimin, të paktën midis nesh (Ramoni nuk e njihte botimin korrekt të konferencës së parë në “Mehr Licht”), vendosëm që shkrimin e Ramonit “Përkthyesi i ripërkthyer” ta botonim në shqip për hir të aventurës që mbante.

    Njerëzit si Ramoni të imponojnë respekt dhe admirim, por edhe të frymëzojnë miqësi të vërtetë. Në lamtumirën që na la ne miqve të tij me anë të një teksti të shkurtër dërguar me e-mail, mes të tjerash shkruan se po largohet, përveçse i qetë dhe në paqe, ndoshta edhe me një lloj marramendjeje që shkakton konceptimi i “zhdukjes subjektive”, si një nga gjërat më të ftohta dhe më të pakuptueshme të ekzistencës… Por me sa duket kjo “zhdukja subjektive” s’është veçse brenga dhe dhembja e madhe që shkaktoi ikja e Ramonit dhe kujtimi që lindi përnjëherë për të mbushur humbjen për spanjollin që e deshëm të gjithë, së bashku me mirënjohjen e madhe për atë çka bëri për kulturën tonë.

    23 korrik 2011

    Foto: Është një nga kujtimet më të bukura që kam me Ramonin dhe që e përmendnim shpesh të dy, sepse në mbarim të ceremonisë së prezantimit të “Pallatit të ëndrrave”, në një sallë të vogël të pallatit “Gaviria”, ndezëm të katër së bashku një shandan – si shenjë bashkimi – e më pas Ramoni dhe unë dëgjuam nga Kadarenjtë fjalët: “Do të kthehemi sa më shpejt që të jetë e mundur në Shqipëri.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË