More
    KreuIntervistaMira Meksi: Në “Parisi vret”, kam bërë letrarisht portretin e shkrimtarit shqiptar...

    Mira Meksi: Në “Parisi vret”, kam bërë letrarisht portretin e shkrimtarit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht

    Bisedoi Andreas Dushi

    Shpeshherë, dy çaste apo elemente dukje pa ndonjë lidhje organike, referojnë njëri-tjetrin. Rimbaud-ja, p.sh., ngjyrat i paraqiste me shkronja në një poezi të tijën. Me rastin e titullit tuaj, Parisi vret, mund të krijohet hapësirë që ngjiz një të tillë referim? Pra, vrasja personifikohet nga Parisi dhe/ ose anasjelltas, apo rasti ku Parisi vret është një i vetëm, ai i romanit tuaj?

    Soneti Zanoret i Arthur Rimbaud-së, një nga më të studiuarit në krijimtarinë e tij, ka zanore nistore të fjalëve të ndryshme që marrin ngjyrë në saje të kuptimit të fjalës përkatëse, si p.sh., O – është blu, sepse është zanorja nistore e fjalës Oqean dhe oqeani është blu; apo I është e kuqe, sipas fjalës Indian që e ka lëkurën të kuqe. Këtë simbolikë me zanore dhe ngjyra pak a shumë ka krijuar poeti francez. Ndryshon puna me Parisi vret, një metaforë pak më e ndërlikuar. Pa e shfletuar librin, gjithkush nëpërmjet kësaj metafore kupton: Parisi i ndezullitur nga dritat, i quajtur qyteti më i bukur i botës, dërrmon e vret me bukurinë e tij. Jemi të familjarizuar me metaforën “bukuria vret”. Thuhet edhe se Parisi është qyteti i dashurisë, dhe kjo do të thotë se intensiteti i kësaj ndjenje është aq i madh, aq elektrizues në këtë qytet, sa edhe mund të vrasë metaforikisht.

    Por kush nis të lexojë romanin Parisi vret ndeshet që në fillim me një metaforë që gjallon dhe zhvillohet përgjatë librit: ky është titulli i një poezie të shkrimtarit Martin Gjergji, personazhi kryesor i romanit, i shkruar vite më parë dhe që ka si temë revolucionin francez të vitit 1789. Në trysninë e madhe të ngjarjeve ku ai ndodhet, vargjet e kësaj poezie pothuaj të harruar, të cilat, të veshura me një mision fatthënës, i shfaqen papritmas në kujtesë duke marrë një rol oguri për të – ato përkojnë me qoka të drejtpërdrejta  të vendeve ku ai gjendet në udhëtimin e tij të papritur në Paris. E gjithë kjo i krijon ankth, frikë, tmerr dhe një bindje të ngulët se policia e fshehtë e Tiranës ka vendosur ta eliminojë në Paris. Ngjarjet e mëvonshme i tregojnë lexuesit të romanit se nga metaforë, Parisi vret, kthehet në një kërcënim real: Parisi, qyteti i dritave, është personifikim i dorës vrasëse të shkrimtarit – në Paris është përgatitur nga policia e fshehtë shqiptare vrasja e shkrimtarit të madh. 

    Në përkushtimin e romanit shkruani se një ngjarje e vërtetë që keni dëgjuar për atë kohë të mbrapshtë ka frymëzuar idenë qendrore të Parisi vret. Në zgrip të ekzistencës së saj, diktatura komuniste në Shqipëri është bërë më kërcënuese se kurrë. Shkrimtari i njohur Martin Gjergji udhëton për në Paris. Një udhëtim i frikshëm dhe i veshur me shumë mister. Shkrimtari rrezikon deri edhe jetën nga një kurth i policisë së fshehtë të Tiranës. Sa të vërteta ka në këtë ngjarje? Sa i vërtetë është personazhi kryesor, i cili duket se mund të identifikohet lehtësisht nga çdo lexues shqiptar?

    E kam thënë shpesh se përherë ka një fillesë, një element ngjizës apo një gur në themel të çdo ngrehine romani. Kësaj here kjo fillesë ka qenë një rrëfim, i cili, ndonëse kam jetuar në kohën e mbrapshtë të diktaturës dhe kam përjetuar shumëçka, më tronditi thellë. Aq sa u kthye në ide ngjizëse e lëndës romanore. Sigurisht, kur një realitet futet në punishten e krijimit, u nënshtrohet prosedeve letrare, shndërrohet në një tjetër realitet, në realitetin letrar. Në këtë prizëm, në realitetin e përftuar, i cili është fiksion, trill, nuk mund të flasim për persona konkretë të jetës reale.

    Ngjarjet e romanit shkojnë drejt kulmimit të tyre me daljen në skenë të një vajze të re, “njëra nga vajzat më të bukura, më të talentuara dhe më interesante të kryeqytetit shqiptar”, bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit, e cila dërgohet në Paris me një mision tepër delikat – të zbulojë qëllimet politike të shkrimtarit dhe në varësi të tyre, të zbatojë urdhrin e frikshëm që i është dhënë. Jam i bindur se për të sidomos, por edhe për të tjera personazhe episodike, lexuesi i intriguar do të dojë t’i identifikojë me personazhe reale.

    Ky është një fenomen që ndodh jo rrallë edhe në botën e madhe, sidomos me këta lloj librash që kanë brenda të vërteta historike. Aq më tepër në një shoqëri të vogël si kjo jona, aq më tepër për një realitet kaq të afërt. Është pjesë e joshjes së leximit krijimi i përqasjes së realitetit objektiv me atë të trillit romanor. Krijohet një “thashethemnajë” më pas që them se i bën mirë leximit, e cila nuk është e pashëndetshme. Shpesh shkrimtarët luajnë me elemente të tilla intriguese që e nxisin imagjinatën e lexuesit përtej aktit të leximit të thjeshtë. Dhe vepra gjallon kësisoj.

    Çfarë portreti shkrimtari keni dashur të bëni pikërisht në një moment kritik të historisë sonë: momentit kur, pas tronditjes së diktaturës komuniste prej rënies së Murit të Berlinit, vjen përmbysja e madhe? Në fillim të romanit, kreu i shtetit komunist e quan shkrimtarin e madh “alter egon e ideologjisë komuniste”. Si duhet kuptuar?

    Siç thoni, kam bërë letrarisht portretin e një shkrimtari shqiptar të njohur ndërkombëtarisht pikërisht në këtë kthesë të historisë shqiptare. Është shkrimtari që flirton me diktaturën për të mbrojtur veprën e tij, vepër që çmohet jo vetëm në vendin e vet, por edhe shumë më gjerë. Është shkrimtari që përdoret nga diktatura për propagandën e ideologjisë së vet, sidomos në arenën ndërkombëtare. Është shkrimtari-intelektual që nuk e quan veten hero, por që kur rrezikon të kthehet në armën që mund t’i japë dërrmën diktaturës, eliminohet prej saj pa më të voglën mëdyshje. Është shkrimtari që nuk mund të shihet kurrsesi në një optikë dyngjyrëshe, por shumëngjyrëshe.

    Sigurisht, romani nuk është vetëm kaq, përpos fragmenteve nga koha e komunizmit, perversitetit të policisë së fshehtë të diktaturës, aty ka pasion dashurie, tradhti, histori familjesh të fisme arbërore, dokumente të  jetës së Skënderbeut të padeshifruara që nga koha e mesjetës dhe që mund të pasurojnë historinë. … Kam thënë diku se Mira Meksi shkruan historinë e letrarizuar Shqipërisë. Çfarë vendi zënë faktet historike në këtë roman, apo në përgjithësi në veprën tuaj?

    Kam shkruar dikur se shkrimtari mund të zgjedhë të sillet edhe si historian, sepse faktet historike janë aty dhe mund të interpretohen sërish e sërish nën dritën e zbulimeve të reja apo thjesht në bazë të një mendësie të caktuar. Personalisht më pëlqen shumë të sillem si historiane letrare, të rrëmoj në faktet historike, të dokumentohem për to dhe të shkruaj vepra letrare në formën e metafiksionit historiografik. Dhe, po, historia ka peshë në veprën time letrare, aq sa mund të them se në çdo vepër timen ka elemente historike. Është një lloj binjakëzimi me arkeologjinë, në kuptimin që i jepte Marguerite Yourcenar-i kur thoshte, duke iu referuar veprës së saj Kujtimet e Hadrianit, se ndërtonte së brendshmi atë që arkeologët e bënin së jashtmi. 

    Në roman atmosfera parisiane vjen tejet e gjallë, rrugët, bulevardet e njohura, historitë e kishave të vjetra të përziera me historinë e Parisit, kafenetë e shkrimtarëve, restorantet e famshme… Mbi të gjitha, “Ritzi”, hoteli legjendar dhe luksoz i Parisit, suita perandorake që imiton apartamentet e Maria Antuanetës dhe ku është vendosur Martin Gjergji. Çfarë funksioni ka në këtë roman me nota të theksuara të romanit psikologjik gjithë ky luks, gjithë këto vezullime që duken krejt të paarritshme për një shqiptar të asaj kohe, qoftë edhe ky një shkrimtar i njohur? Më ka lënë përshtypje të thella Klubi i Bashkimit Ndëraleat, çfarë përfaqëson ai?

    E vërteta është se shkrimtari i njohur shqiptar është ftuar në Paris nga Ministria e Jashtme e Francës dhe Klubi i Bashkimit Ndëraleat – çka e nënkupton luksin e qëndrimit të tij në Paris. Klubi, i krijuar më 1917, me qëllim mbështetjen e oficerëve të Antantës, me anëtarë personalitete dhe njerëz shumë të fuqishëm të industrisë, bankave, politikës, mediave, fisnikërisë etj., dhe që vazhdon të funksionojë edhe në ditët tona, përfaqëson Europën, fuqinë e saj, si edhe shpirtin e saj të lirisë dhe demokracisë. Është ky klub që e nxit dhe e mbështet shkrimtarin shqiptar për t’u bërë frymëzim për të rinjtë dhe studentët në revoltën e tyre kundër regjimit diktatorial. Keni të drejtë që, sidomos një pjesë e romanit, ka një shkëlqim dhe një luks të ekzagjeruar. Ky shkëlqim nxjerr në pah dhe kontraston me zymtësinë e shpirtit të shkrimtarit shqiptar, të torturuar nga frika, parandjenjat e zeza, vdekja e afërt nga dora e policisë së fshehtë shqiptare dhe mbi të gjitha, nga nguti për të realizuar qëllimin e tij final përpara se ta vrasin dhe që është rimishërimi në trupin e një gruaje në botën e lirë.

    Marrëdhënia shumëfaqëshe e shkrimtarit me gratë, erotizmi i thekshëm me skena të zjarrta mërshore, sindromi i krenarisë fallike, pasioni i dashurisë, ezoterizmi, legjenda, realitetet magjike dhe një strukturë labirintike herë e ndërlikuar dhe herë me thjeshtësinë e një joshjeje të parezistueshme – panorama e romanit Parisi vret. Sigurisht, nuk i analizojmë dot të gjitha edhe për të mos e zbuluar gjerësisht romanin. Le të ndalemi te marrëdhënia e shkrimtarit me gratë.

    Është pa dyshim një marrëdhënie tepër e ndërlikuar dhe me shumë anë të errëta, duke u bërë kësisoj pasqyra e jetës shpirtërore nën diktaturë, ku krijohet ndrydhje, moskomunikim dhe zvetënim shpirtëror. Çdo dashuri e nisur përfundon në errësirë. Mungesa e dritës, e zhvillimit dhe lulëzimit të dashurisë, bëhet tipar i jetës shpirtërore të shkrimtarit, aq sa edhe kur përfshihet nga një pasion i madh dashurie, i cili duket se do të këpusë më në fund zinxhirin e fatkeqësive të tij dashurore, zhgënjimi është shumë i madh. Me kohë, gruaja vetë, trupi i saj, marrin një rëndësi ekzistenciale për Martin Gjergjin. Shkrimtarit i krijohet idengulitja se, që të kalojë në botën e lirë, duke ekzistuar njëkohshëm në vendin e tij të izoluar, duhet të rimishërohet në trupin e një gruaje në botën e lirë. Sepse shpirti i tij, vepra e tij, ndodhen tanimë përtej kufijve të mbyllur të Shqipërisë. Zhvillimi i kësaj idengulitjeje dhe kulmimi i saj, duke kaluar në pengesa dhe aventura nga më të jashtëzakonshmet, përbëjnë edhe kulminacionin e romanit.

    Do të doja të ndaleshim te personazhi i dytë shumë i rëndësishëm i romanit, te Jurendina Muzaka, vajza që dërgohet në Paris nga policia e fshehtë e Tiranës. Është personazhi që e keni trajtuar me shumë dashuri.

    Ndërsa unë mendoj që ta lëmë vetë lexuesin ta zbulojë këtë personazh të rrallë dhe gjithë dritën me të cilën ajo rrethohet, si edhe fatin e saj në dukje tragjik.

    Në fund, dalim pak nga romani dhe shkojmë në të ardhmen, ku unë e kam bërë të njohur projektin tuaj të radhës, përkthimin e romanit të fundit të Marquez-it, me titull Shihemi në gusht. Këto ditë, ndërkohë, na ra në dorë kjo letër e The New Yorker-it që refuzonte botimin e tregimit Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë, pak muaj para se Marquez-i merrte Nobel”-in. Këtë tregim e keni sjellë ju në shqip dhe po ashtu, edhe pjesën kryesore të veprës së Marquez-it. Si e komentoni, si e shihni këtë letër? Po për romanin e ri, të cilin keni nisur ta përktheni, pra, edhe e keni lexuar, çfarë mund të na thoni?

    E kujtoj si sot çastin kur në Shtëpinë e Përkthyesit në Tarazona të Spanjës, ku ndodhesha në vitin `90, më ra në dorë novela e numërtuar, e sapobotuar e Marquez-it, Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë. Më magjepsi dhe u vura menjëherë ta shqipëroja. Më pas ia dërgova me faks për botim Besnik Mustafajt që drejtonte revistën “Bota letrare”. Ishte kjo novelë e jashtëzakonshme, e cila u botua në shqip pa të drejta autori, që në takimin me Marquez-in në Barcelonë u bë shkak që shkrimtari i botës të më quante “lule pirate”. Refuzimi i botimit të kësaj novele të Marquez-it, autorit të romanit të përbotshëm të 100 vjet vetmi, nga revista  The New Yorker, ndonëse absurd, nuk është diçka e re në jetën letrare të Marquez-it apo të të tjerë shkrimtarëve të mëdhenj. Bota e botimit është shumë e egër, botuesit bëjnë erën dhe shiun, janë gjuetarët e sprovuar të talenteve letrare, promovuesit e tyre, por edhe rroposësit e tyre me raste. Është fenomen shumë i njohur që shkrimtarët janë ndeshur jo rrallë me moskuptimin e tyre apo janë bërë viktima të lajthitjes së botuesve. Gjithsesi, më bëri përshtypje që në letrën e refuzimit botuesi i The New Yorker shfaqet si mbrojtës i etikës së leximit në vendin e tij, në kuptimin që, kur flet për vlerat e pamohueshme të shkrimësisë së Marquez-it në atë novelë, vë theksin mbi faktin që lexuesi amerikan është i pazoti për t’i shkuar pas apo për ta kuptuar.

     Si anekdotë, thuhet se botuesi spanjoll që i refuzoi Marquez-it botimin e romanit 100 vjet vetmi si vepër të dobët artistikisht (thuhet pa e lexuar atë) refuzoi me këmbëngulje ta lexonte edhe kur ai roman u bë fenomen ndërkombëtar.

    Shihemi në gusht është romani i ri i Marquez-it, një vepër postume që do të botohet në shqip dhe në gjuhët kryesore të botës, ashtu si në origjinal, në 6 mars të vitit 2024, në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh. Do të jetë një festë e madhe letrare, panbotërore. Vepra vjen si pjesë e korpusit: Dashuria në kohërat e kolerës, Nga dashuria dhe të tjerë djaj dhe Kujtim kurvash të trishta.

    Është një roman i mrekullueshëm që sjell aromën dhe magjinë e Karaibeve, pasionin e dashurisë, dëshirat e fshehta dhe të zjarrta të një gruaje në vjeshtën e moshës së saj, si edhe shijen e dashurive fluturake dhe jetëshkurtra…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË