I dashur Moikom,
Kur lexoja librin tënd “Deti Kanibal” dhe përnjëherë pas tij “Plagosja e kujtesës”, të shkrova që vargjet e tyre po i shijoja shumë, nga pak çdo ditë, me gllënjka-vargje, njëlloj siç shijohet një verë e çmuar. Ashtu siç i lexoj përherë vargjet e tua, dehem lehtë me to, ndonëse bëj kujdes të mos lexoj njëherit më tepër se 20 – 30 syresh (marrëzi bën njeriu shumë i dehur) dhe ngjitem në të tjera lartësi të ekzitencës, në të tjera dimensione sipërane që kozmosi yt poetik përmban. Por nuk po të shkruaj për to.
Nuk po të shkruaj për romanin e Julia Kristevës “Meurtre à Byzance » që më sygjerove ta lexoj, pasi të ishte kujtuar kur lexove novelën time « Pa zemër në kraharor » dhe më shkrove: U zhyta në leximin marramendës i zotëruar nga idea e udhëtimit a fluturimit në një shumësi labirintesh, Mira, nuk është tregim, por shpalosje, më shumë një bërthamë romani, një fantazmagori spanjolle dhe e botës prekolumbiane, një prerje rrathësh e realiteteve dhe mitologjive. Teksti yt letrar është gjithashtu një ekzotikë dhe shqetësim universal! Dhe ditë më pas kur po kuroheshe në Greqi, më dërgove tekstin: MJEKË,MJEKË … PA ZEMËR NË KRAHAROR! Teksti yt! Të jesh “një trëndafil pa kopësht” Të pish mijëra dolli pilque-pijen e bardhë te actekëve. Në vend të vrisnin Frida Kahlo-n, vranë Trockin! Ah, kafka e madhe prej sheqeri e Fuentes! Ah,guri mistik i jadës!Ah, QUETZALCOATL-I, Gjarpëri me pendë !Të jesh rishtarja e Erosit të actekëve-duke mos qenë! Teatër kukullash druri që bëhen fëmijë prej mishi dhe gjaku të Colodit të jashtëzakonshëm -sepse Buratinoja është vëllai i vërtetë i Lizës në botën e çudirave. Gjatë qëndrimit në Greqi një ditë shkova në Eleusina, tek tempujt e riteve të Demetrës, të Persefonit, të Kores dhe të Teleforit, të mistereve eulisiane-aty ishte një shpellë,e mbiquajtur si e Plutonit,ku dikur kishte gjarpërinj të shenjtë si hyjni të nëntokës, ktonike-vëllezër virtualë te Gjarpërit me pendë të actekëve. Aty përjetova disa çaste plot dhimbje,mbase tëre amëshimin-sepse kjo shpellë konsiderohej si porta e Hadit.
Nuk po të shkruaj për Borges-in, mjeshtrin tonë, plakun dinak që te “Shifra” thotë se ai që po i lexon fjalët e mia, po i shpik ato, dhe as për komentet tona për vërtetësinë e këtyre fjalëve, ngase jetojmë në një të vetme botë; as për “ Pierre Menard-in” e tij dhe përgjigjen time letrare ndaj ftesës- hamendësim të Borges-it për një Pierre Menard të Dytë, kur thura tregimin “ Pierre Menard-i i dytë, autori i Kishotit” me mendje te ti. Sepse je ndër të paktët që mund ta shijojë tregimin tim, pasi, mbi të gjitha, njihje “ në majë të gishtave” atë që pat shkruar Borges-i, dhe se ai tregim të pëlqente përmbi gjithë të tjerët e shkruar prej tij. Sepse do ta shijoje si askush sidomos palimsestin e Cervantes-it që imagjinova, ti që e ke palimsestin specialitetin tënd. Dhe më shkrove: E dashur MM/ Mos më thuaj se gërma e dyfishtë MM nuk lidhet me Menard-in e Borges-it/ Për të zhvarrosur dhe ringjallur ato Troja/ Sapo e lexova tregimin tënd në Milosao./ Habitërisht më tingëlloi si Pierre Menard-i i Tretë/ Po Pierre Menard-i i Katërt?/ Po i njëmijti?/ Po Pierre Menard-i zero?
Nuk po të shkruaj për kartolinën që Xhevo Spahiu të solli nga Parisi dhe që mbante në frëngjisht dy vargjet e tua, foton e së cilës ma dërgove: ishte një mol i bardhë përmbi të kaltrën e detit me një far në horizont. Dhe vargjet e tua gdhendur me kripë të bardhë përmbi hapësirën e kaltër. Të shkrova: vargjet e tua mbajnë në krahë pluhur dritëhëne.
As për librin tënd “Eshtra Zodiaku” nuk po të shkruaj, ku ndodhet një poezi që ma ke kushtuar mua, vargjet e të cilit kanë absolutisht atributin që të nxjerrin nga çdo lloj gjendje e keqe ku mund të ndodhesh, dhe të bëjnë të ndihesh mirë, në një botë me ngjyra, përtej këtij realitetit të pashije të çdo dite…
Nuk po të shkruaj për Ernesto Sabaton, shkrimtarin e madh të botës, shkrimtarin tonë më të madh të të gjitha kohërave, shkrimtarin që, ashtu si ne, ka stërgjysh Skënderbeun. Më kujtohen shpesh bisedat e vyera me të kur erdhi atë fundprill të vititi 1996 në Tiranë për të marrë çmimin letrar që i kishim përgatitur ne të gjithë, me Fondacionin Velija në krye. I kemi përmendur shpesh ne të dy fjalët e tij, amanetin e së ëmës arbëreshe, dëshirën përvëlonjëse të princit të letrave argjentinase për të mos ikur nga kjo botë pa parë malet e Shqipërisë… Dhe përkrenarja e Skënderbeut në shkrimëtoren e Sabatos ne Santos Lugares, dhe lulja supernatyraliste që pikturoi përmbi një pecetë letre dhe na i la si kujtim një muzg në dhomën e verëravetë restorant Piazza-s…
Nuk po të shkruaj as për Lukianin nga Samosata, rehtorin e shekullit të II, i cili shfaqet në tregimin tim “Pasqyrat”, për pasqyrën që mundi të këqyrte në hënë. Më shkrove se konsiderohej si Volteri i Antikitetit, se e kishe përmendur shpesh në krijimet e tua dhe, pasi komentuam gjatë librin e tij që porsa kisha lexuar “ Histori të vërteta”, më dërgove tregimin tënd të gjatë dhe të mrekullueshëm mbi Aleksandrin e rremë, të frymëzuar prej një subjekti të Lukianit nga Samosata. Ishte koha kur kisha lexuar dy tregimet e tua po aq të pazakonta e magjike “ Enigma e Napolit” dhe “ Andrea Manesi”.
Nuk dua të ndalem as te labirintet, të gjitha labirintet që kemi zënë ngoje gjatë komenteve tona pa fund. Veçanërisht labirinti i Drakulës në Budapest në tregimin tim te “Flutura mes gjinjve”, për të cilin më shkrove: E dashur Mira, brenda Mirës është labirinti i dyfishtë, i paraardhësve dhe pasardhësve të tu- mijëra nga e kaluara dhe miljona nga e ardhmja. Tregimi yt për labirintin më kujtoi metaforën e futjes në një Perpetuum Mobile të një thriller-i.Kam kaluar shumë netë në Budapest dhe kam shkruar: “ …I mësova tërë Drakulat të jenë vegjetarianë…”
Së fundi, nuk po të shkruaj as për Teutën e Ilirisë, bisedat tona ndër vite për të, dhe as për misterin, vagullinë, mjergullën e dendur që mbulon vdekjen e saj, ku hodha spirancën e lëndës që ngjizi kozmosin e “ Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë; pikërisht në një vargun tënd që hamendsonte vetvrasjen e saj, kthimin në re… Ah, shpirti hyjnor Teutës, i çliruar nga njerëzorja, prijësi i Ilirisë kohërave të pafundme.
Po të shkruaj në të vërtetë për PSALMET. Jo ato të Davidit, Psalmet e tua, për liturgjinë tënde poetike, këngët e Biblës së shpirtit tënd. Janë të magjishme, janë të jashtëzakonshme. I lexoj dhe i rilexoj duke mbajtur frymën, duke i dëgjuar herë në hebraishten parake të ëndrrës, herë të shoqëruara me muzikën e një instrumenti të lashtë me korda, që kohërat moderne ia kanë fshirë emrin. Më mbrojnë, më lartësojnë, më rrëfejnë udhën sipërane…
Psalmi 153. O, Fjalë e vërtitshme mes hapësirave, që je Trandafil i Erërave!/Pse mermeri i skalit heronjtë e vrarë mes baltës?/Ah, përfytyrimet janë kafshët, që poeti i pjell në kopështin zoologjik të metaforave!/Gjaku ikën si zvarranik i lashtë, i kuq në shkretëtirën blu!/Dhe dëbora na mbështjell si qëndisje baroke dantellash bërë nga gishtat e magjishëm të ajrit!/O, gramatika memece e pasqyrave!/Pse fytyrën e Arkilokut e kam maskë dhe kam mbi supe një pelerinë anemonash dhe kristalesh?/O, drita të pagjumësisë hyjnore!/Këta semaforë janë piktura dadaiste, ose janë epikriza e sëmundjeve të mia për mjekët e kozmosit!/Dhe qivuri prej Hëne e ka mbyllur brenda qytetin/Me lopata gjethesh e hedh dheun e dritës mbi varrin e imazhit tim!/Mes sendeve të pavdekshme pse isha (jam) kaq i vdekshëm?
I dashur Moikom, ky është një sistem i ri planetar i shkrimësisë, me figura letrare të pangjashme me asnjë figurë letrare të njohur më parë. I quajnë si krahasime, metafora, metonimi… Por në të vërtetë janë diçka tjetër, diçka thellësisht e tjetërllojtë, e fuqishme si gjaku, e prushtë dhe tronditëse si ndjenja. Sistemi yt. Janë figura gjeniale, pse janë të pamundura, nuk ekzistojnë as në realitetin e jashtëndrrës, as në imagjinatën njerëzore, por kur i dëgjon në gjuhën e shenjtë aramaike apo shqipe, imagjinata vetë, prej magjepsjes, pjell një imagjinatë të përshtatshme për t’i asimiluar dhe shijuar. Dhe atëherë ndjesitë njerëzore i kapërcejnë kufijtë që njohim dhe krijojnë ekstaza ndjenjash dhe ndjesish, të ngjashme me ato të perëndive…
E MIRA MEKSI në emër të një falenderimi,…(ndoshta emocionues) shumë falemenderit për kët memorje, për ERUDITIN MAJKOM që e njohem , e më shumë nuk e njohem, shkak i rrethanave të egra, që ç veshen mbase identitetin tonë në katastrofa të pa menduara. Sa keq kur ende midis nesh rri mjegullira, mjegullira që s’na lë të shohim, të afrohemi për të quar përpara idetë, kulturën tonë. Uroj që këso shkrimprezentime edhe tjera vlera jo vetëm përmbrenda vendit , po sikur deri me tash edhe nga bota intelektale të kemi nga mendja, dora jote vyeshme gjithnjë, të njihmi me botën e vlerave që ishte një perde tepër e errët dhe e pa depërtueshme në mendjën tonë. Qofsh me shëndet dhe të mirat më të mira sikur emëri i jua : MIRA që na gëzon aq shumë me shkrimprezentimet tua.