More
    KreuIntervistaMimoza Ahmeti: Qysh fëmijë kisha ndjesinë e njësimit me universin. Gjithçka tjetër...

    Mimoza Ahmeti: Qysh fëmijë kisha ndjesinë e njësimit me universin. Gjithçka tjetër më dukej e kotë

    Intervistoi: Violeta Murati

    Mimoza, intervista me ju është gjithnjë një bisedë e lirë, kurioze, që rrallë i vijnë medias në perceptime kaq të sinqerta, filozofike e përmbushëse… Kur e keni kuptuar së pari herë se jeni lindur për të shkruar – ka shkrimtarë që e pohojnë pa kurrfarë egoje këtë zbulim te vetja?

    Nuk është se më ka tërhequr veçanërisht të shkruarit. Kjo sepse qysh fëmijë kisha ndjesinë e njësimit me universin dhe gjithçka tjetër më dukej thuajse e kotë. Hapësira ka qenë dhe mbetet qenia ime, e cila tani është edhe më e fortë tek unë, sa më shumë ndotet qyteti.
    Me sa duket, të shkruarit është një proces historik dhe unë iu nënshtrova atij nëpërmjet tim eti. Librat e ndryshëm që ai më dha të lexoj gjatë fëmijërisë, nuk më pëlqyen shumë, disa madje aspak. Vendosa të zgjedh një, me dorën time, nga biblioteka e madhe e apartamentit. Ishte pikërisht “Bel Ami”, një libër të cilin ai ma kishte ndaluar ta lexoja para se të rritesha.
    Duhet të kem qenë rreth dhjetë vjeçe, kur e lexova librin brenda një dite dhe një nate. Babai hyri në dhomë pikërisht kur isha duke lexuar në shtrat, rreth orës dhjetë të mbrëmjes.
    Mbylla sytë nga frika. Ai kujtoi se po flija. Ma hoqi librin nga duart dhe e vuri në bibliotekë. Unë u ngrita pasi ai iku, e mbarova leximin gjatë natës, por edhe sot e kam të gjallë ndjesinë e atij fenomeni zhgënjyes që ishte brenda shijes sime: një ngatërresë pa ndonjë arsye dhe pa ndonjë zgjidhje, e quajtur dashurie, të cilën një dhjetëvjeçar do ta priste ndryshe, dhe kalova një gjendje neverie nga leximi i kësaj kryevepre, mbase ngaqë isha fëmijë.
    Isha fëmijë. Por unë mund t’ju them që kam gjithë jetën që përpiqem të mbërrij pastërtinë e fëminisë sime, serenitetin dhe sigurinë e saj, që buronte nga perceptimi i pandërmjetësuar. Mund të pohoj pa kurrfarë droje se në moshën trevjeçare isha qenia që jetonte me universin dhe se madhështinë dhe heshtësinë komunikuese të asaj moshe, me të, unë mund ta arrij vetëm në një jetë tjetër, ndoshta jo sot.
    Ja një fragment poeme që pasqyron këtë marrëdhënie, nga “lufta” për t’u bërë i zakonshëm, nga libri Pjalmimi i luleve, poezi, 2002:

    LUFTA PËR T’U BËRË I ZAKONSHËM

    Ti je gjeni, më tha im atë
    kur prisja të më thosh: fëmijë.
    Pashë përreth: natyrë e egër,
    njerëz të paformuar dhe një mjedis
    krejt i palatuar.
    E pra, nuk isha më shumë se tre vjeç
    kur ndjeva se jam i tëhuaj
    dhe qysh atëherë vazhdoj të vuaj
    veçantinë e vëzhgimit tim.

    Ju betohem: s’ka ujë, s’ka qiell
    s’ka det më të kulluar
    se vështrimi i një trevjeçari
    dhe as përbuzje më të përsosur
    se ajo e një të sapodaluri nga shpërgënjtë.

    Unë i shpoja me sy të mëdhenjtë
    ua lexoja zorrët, peshën, tulet
    dhe erërat ua ndieja pa i nuhatur
    dhe kisha një krupë madhështore
    pa pasur nevojë për sistem dijesh.
    Isha një qelizë e çuditshme
    me veti selektive të habitshme.

    Kështu, kur isha aq e pasionuar pas fizikës së relati-vitetit në gjimnaz, pra pas hapësirës së mirëfilltë, im atë më detyroi të ndiqja degën gjuhë-letërsi dhe t’i kushtohesha hapësirës njerëzore, që Heideger e quan Qenia dhe Koha, ndërsa Luhmann e quan Meaning, domethënë – kuptimi.
    Babai ishte shumë i trazuar nga hartimet e mia, detyra shkollore këto asokohe, dhe ai më thoshte se askush nuk e shkruan shqipen më bukur se ti. Por ai duhej të kup-tonte, nëse do të ishte një burrë i zgjuar dhe jo thjesht i determinuar, se rruga që po më shpinte ishte një rrugë që kërkonte një shpirt intrige, që dinte të ndante para se të ndiente që, me thënë të drejtën, gjithmonë më ka munguar, veç ndonjë rasti për të shpotitur, kur ma sjellin të tjerët në majë të hundës.
    Vite më vonë do replikoja me tim atë në poemën Harrimet, po nga libri Pjalmimi i luleve:


    Im atë më pat thënë: kurrë
    burrat nuk do të jenë problem për ty,
    që sipas tij: unë do ta kisha grurë
    me çdo burrë, në çdolloj teke
    a vendi, thua se këta të gjorë
    ishin takëme dhe jo qenie dhe
    pastaj: Qëllimin, mos e harro qëllimin, përsëriste im atë,
    thua se ky ishte një ushtë që duhej
    ngulur në zemër të kohës.

    Shkarkesa. Shkarkesa imagjinative. Përse
    o atë s’më the asgjë për rrokullisjet
    në harrimet e mahnitshme, për yjet
    idealë që ndrijnë sapo shuhet qëllimi,
    për mbresat mashkullore që do të ishin
    aq të rralla në jetën time, si tërfili me katër fletë
    në përralla.

    Përse nuk më the: bija ime, hidhu, rrëkëllehu,
    dehu në harrim dhe kape realen me vaguj shpirtërorë
    duke e mbështjellë me bulëza puthjesh
    që mishi yt i bekuar si çdo mish të riu
    të mund ta përçojë të paprekur nëpër rrjedhë –
    rijësimin,
    dhe se veç këtij embrioni s’ka gjë tjetër,
    por baltë e plagjiat social!

    Për të mbështetur idenë e llojit të talentit tim natyror, do të thosha se libri im me tregime Absurdi Koordinativ, 1996, i botuar edhe në frëngjisht, është i tëri një letërsi psiko-fizike, dhe se aty do të gjeni gjithë ligjësitë e lëvizjes, më shumë sesa në një libër fizike me emër. Dhe kështu një ditë, një profesor i shquar i fizikës sonë, që sapo qe kthyer nga Gadishulli Skandinav dhe kishte lexuar tregimet e mia, më lutej që ta takoja, për të më thënë që t’i ktheja sytë drejt fizikës, pasi kjo ishte edhe fusha që kishte aq shumë nevojë për mua, sepse më konsideronte të lindur për shpëtimin e saj dhe se njeriu nuk mund të zhvillohej më shumë sesa kishte kuptuar hapësirën!
    Por, duke u rikthyer te poezia, unë e mora shumë seriozisht atë dhe letërsinë. Kisha lexuar shumë poetë ndërkohë, shkruaja dhe reflektoja përditë dhe i dija të gjitha vargjet e mia përmendësh. Vetëdija e tyre u bë universi im, aq saqë edhe kur ecja në rrugë, isha gjith-monë atje, në qendrën e krijimit.

    Pas një heshtjeje të gjatë, së fundi duket një periudhë intensive për ju; një vit më parë botuat vëllimin Libri i lumturisë, ka një rigjallërim të poezive të tua, për më tepër edhe me rikthimin te romani, me veprën e re Tutori. Ka shkrimtari një përcaktim për kohën?

    Nuk kam heshtur asnjëherë. Ndoshta ka heshtur media për krijimet e mia. Besoj se trysnia mbi artin është një pjesë elementuese e artit. Media bënte sikur unë nuk po shfaqesha, por nëse shohim titujt, – Pjalmimi i luleve, 2002, poezi, ORA; Gruaja Halucinante, roman, 2006, OMBRA GVG; Ich Liebe Dich Adlia, novela, 2008, M. Barleti; Libri i Lumturisë, 2016, poezi, Mapo Editions, dhe së fundmi, Tutori, 2018 Mapo Editions, – nuk kam reshtur së shkruari asnjëherë.
    Ka një politikë në mediatizimin e vlerave, e cila edhe ajo nuk është vazhdimisht e dashuruar me krijuesit. Më kujtohet e shoqja e Borgesit, Anamaria, njëherësh edhe sekretarja e tij, e cila përsëriste se Borges gjatë gjithë jetës së tij u sulmua nga armiq të shumtë. Dhe mendojeni, ai ishte një poet i verbër, transcendental, që nuk i hynte kujt në hise, përkundrazi, vetëm zmadhonte hapësirën e qenies, e megjithatë i prekur nga zilia e signifikimit.

    Flasim pak për Tutori – çfarë është botimi i këtij romani që fillon nga viti 1994 dhe mbaron në vitin 2017?

    Tutori është një roman i marrëdhënieve të shpirtit transcendental me shpirtin e qytetit, të ndjesive të holla e perceptimeve thesare, të cilat rrjedhin me një fluidited pa penguar përçimin e vëmendjes së lexuesit.

    Ky libër që u mbarua nën tensionin e hakerimit në vitin 2017, pikërisht kur unë shkruaja në gazetën Mapo për zhvillimet pozitive në vendin tonë prej fushës së reformave, është një roman poetik që filloi qysh në vitin 1994 dhe u rezistoi gjithë transferimeve të mia (më ka humbur vetëm një fashikull i vogël pa subjekt, por më i bukuri). Roman i cili bën thirrje për një rishikim të mjeteve të dallimit, me të cilat na mësojnë, stërvitin dhe kontradiktojnë, brenda një kulture universalizuese e cila nuk e eliminon dot konfliktin, pasi përgjithësimi nuk mbulon dot çdo kontekst.

    Duke cituar George Spencer Brown, ai thotë se ne, njerëzit, jo vetëm u mësojmë brezave dijen e injorancës, por më e keqja është se u mësojmë atyre të jemi krenarë për të, dhe kjo është më e rrezikshme sesa injoranca. Romani Tutori është pikërisht një apel për një dije johistorike, për një marrëdhënie që të mos bazohet te frika. “Tutor” vjen nga shqipja, me u tutë, me u trembë. Autoriteti është ajo dashuri që i kërkohet tjetrit duke e frikësuar!

    Ky roman është pritur me mjaft jehonë nga kritika e media, që zbulon botë të pafundme shqetësimesh e kërkimesh, me personazhe të rrallë… Pse psika femërore mbetet aq kurioze, por edhe pak e “kërkuar” në letrat shqipe?

    Psikika femër është kurioze se përse është femër? Dhe përse nuk shkon kjo në një botë mashkull?
    Bota mashkull e ka kërkuar femrën sipas mënyrave të ndryshme historike, por jo në mënyrë natyrale. Kjo është edhe arsyeja e vuajtjeve shpirtërore të mashkullit, pasi lidhja e tij në trup dhe në gjak ka qenë lidhje përgje-gjësie, nderi, dhe se ai gjithmonë ka qenë i ndrydhur në zgjedhjet e veta nga pesha e ekzistencës dhe ekzistenca, edhe kur nuk e shtyp më, e shtyp si ekzigjencë. Njeriu mashkull nuk e ka të lehtë të orientohet midis mundë-sisë dhe karakterit historik. Si dhe përtej fjalës së dhënë apo të trashëguar!
    Femra mbetet e çuditur nga të gjitha këto, pasi ajo e përdor mashkullin për të parë mundësitë e veta, por jo pse është përdoruese, por se e kupton se ai është i dedikuar në diçka tjetër nga vetë ajo, që është të qenët mashkull në kuptimin social dhe simbolik të kësaj fjale. Kjo përcakton edhe kërkesën për psikikë femër, që është e kufizuar në kulturën tonë, por jo në atë franceze!

    A mund ta konsiderojmë librin tuaj edhe një “libër politik”?

    Unë e kam konsideruar romanin Tutori si literaturë për paqe. Në të vërtetë, thuajse gjithë letërsia ime e pas nëntëdhjetës tenton të takojë lexuesin në mënyrë jotendencioze, introspektive.
    Por nëse një letërsi për paqen mund të shikohet edhe si politike, kjo është diçka e mundur, edhe pse pak e çuditshme!

    Kritika e ka cilësuar lëndën e Tutorit tërësisht perceptive, ku vështirë të dallohen personazhet, pra është një miks virtualiteti… Pse bëhet e vështirë në këtë kontekst, në këtë kohë, dallimi mes reales dhe joreales?

    Mendoj se miksimi i elementit jetësor me atë simbolik nuk e pengojnë lexuesin të gjejë rrugën mes shumësisë së kuptimeve që vesh shpirtin e leximit. Çdo vepër është një strukturë simbolike. Si e tillë, ajo shpreh një dispozitë jo vetëm pasqyrimi, por edhe leximi. Besoj se ambiguiteti mes reales dhe joreales gjithmonë brenda simbolikes, pasi jemi te shkrimi, vetëm rrit kapacitetin metaforik të lëndës, kënaqësinë e shumëfishtë të shtimit sematik me diskursin jetësor përgjatë perceptimit, gjë që i jep gjallëri e veskull përfytyrimit.

    Kujtojmë se romani juaj i parë Arkitrau, apo i dyti Gruaja halucinante, që pritet të ribotohen së shpejti, ashtu si edhe Tutori – pra, këto romane mbajnë iluzionin e prozës autoreferenciale… me paralajmërimin, siç e quan Plasari, tanimë tinëzar: “Çdo ngjashmëri me ngjarje ose persona realë është e rastit…” A mund të quhet një shkrimtar i mirë, ai që ka frikë të përdorë “Uni-n”?

    Iluzioni i prozës referenciale është më pak iluziv sesa iluzioni i prozës apo romanit klasik, realist, objektiv, ku me përgjithësime apo tautologji personazhizuese, ke iluzionin se po krijon botën e cila të ka krijuar dhe ti vetëm e inforcon atë duke e drunjëzuar. Kjo bëhet e padurueshme atëherë kur autori edhe e di se po e bën. Nuk e di nëse përdorimi Unë është kusht për një letërsi të arrirë.
    Nga gjithë sa kam lexuar kur isha fëmijë, më ka kënaqur shumë libri Muku i vogël dhe tregimi Këpucët e Abu Qazimit!

    A mund ta marrë lexuesi librin Tutori thjesht si roman dashurie ose mbi dashurinë?

    Tutori është një roman i dashurisë dhe i dramës së erosit qytetar dhe politik. Romanet e dashurisë janë shumë të dashur për lexuesin dhe po aq të kërkuar. Mund ta quani si të doni romanin Tutori. Madje edhe epik, siç e quan Plasari, të cilin e falënderoj për parathënien që shkroi për romanin në fjalë!

    A jeni ju “heroina” e Tutorit? Kujtojmë Flaubert-in kur thotë: unë jam zonja Bavari duke vënë në lëvizje e tronditur kritikën e kohës mbi këtë “dekretim”, vetëshpallje…

    Mendoj se romani Tutori nuk ka personazhe heronj. Personazhet e tij janë post-heroikë. Kjo është veçantia e tyre. Ata nuk e kuptojnë më historizmin. Ai shfaqet për ta jo si vazhdim, por si kontingjent (negacion i papritur). Besoj se një pjesë e madhe e botës së tyre është jetësore, pra reale, ku përfshihet edhe vetja ime.

    Çfarë ka më të shtrenjtë një shkrimtar nga përvojat jetësore?

    Një shkrimtar ka të shtrenjtë ato rrethana dhe ata pak njerëz të cilët e nxjerrin nga kurthi i ekzistencës. Që e ndihmojnë të kapërcejë izolimin dhe të sfidojë burracakërinë e disa kushteve. Këta pak njerëz nuk është e thënë të kenë bërë udhë të gjatë me ty. Madje, ata janë si kometa në jetën tënde, që shfaqen vetëm një herë. Shfaqjet dhe zhdukjet e tyre ndërtojnë edhe nukle reflektimi, të cilat mund të kenë shansin të bëhen edhe vepra letrare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË