More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMilazim Krasniqi: Vepra letrare dhe studimore e Sali Bashotës

    Milazim Krasniqi: Vepra letrare dhe studimore e Sali Bashotës

    Botimi i veprës së zgjedhur të një autori, vetvetiu paraqet një ngjarje letrare e kulturore në kuadër të një ambienti konkret letrar, shkencor e kulturor. Vepra e zgjedhur e një autori e prezanton dhe e legjitimon autorin në formë më të plotë, e krijon mundësinë e një vlerësimi më afirmativ po edhe më kritik. E prezantuar në një perspektivë kronologjike dhe askeologjike, veçmas kur është seleksionim e finalizim i vetë autorit, vepra e prezanton jo vetëm nivelin artistik, po edhe oscilimet e afiniteteve e koncepteve estetike, të cilat janë të paevitueshme, kur një autor ka një jetëgjatësi si shkrimtar dhe një opus të madh letrar e studimor. Pse? Në esenë monumentale “Mbi strukturalizmin”, Jan Mukarzhovski konstaton diçka që vlen plotësisht edhe për autorin tonë: “Zhvillimi i strukturës individuale të veprës së autorit nuk është i atillë që të mundësojë ndryshimin e strukturës me kërcime të papritura: kontinuiteti i saj nuk ndërpritet as nga ndryshimet radikale, gjithmonë ekziston rivaliteti ndërmjet asaj që mbetet dhe asaj që vazhdon, prandaj edhe autori është i mbyllur në kufijtë e individualitetit të vet, të cilin me veprën e vet, në të vërtetë, e përsosë pandërprerë, por pikërisht për këtë arsye nuk mund të dalë jashtë kufijve të saj.” Pra, edhe Bashota si poet, sado që ka bërë evoluime dhe kërcime estetike ndër decenie, prapë e ka ruajtur kontinuitetin e krijimtarisë së vet artistike, duke e përsosë dhe duke e legjitimuar fort stilin e vet. Sot është njëri nga zërat më kumbues të poezisë shqipe në nivelin e saj kombëtar, pikërisht me atë kontinuitet brenda kërkimit estetik bukur radikal.  Për ilustrim po iu sjell disa vargje nga libri “Albumi i grisur” (1986) dhe disa nga libri i fundit i autorit, në të cilat mund të evidencohet edhe kontinuiteti, po edhe ndryshimi i konceptuar, por edhe ndryshimi në strukturën e vargut:  

    Secili e gris hisen e fatit të vet  

    Nën qiellin e hapur  

    Kaq vonë (“Vjeshtake”)   

    Ndërsa po ajo kategoria e fatit, në poezinë “Secili e vizaton fatin e vet” tashmë ngërthen edhe një shtresëzim filozofik e etik dhe realizohet me një leksik më të shtruar emocionalisht, por duke e ruajtur kontinuitetin me preokupimin me fatin jetësor dhe konceptin estetik:    

    Secili e vizaton fatin e vet  

    Në shuplakë të dorës  

    …  

    Secili e vizaton fatin e vet  

    Me dorëzat e bardha  

    Nëse ngjyrat treten si frika  

    Në fund të shpëtimit  

    Secili e vizaton fatin e vet  

    Përtej kuadrit të kufijve konceptualë e estetikë, të vendosur nga autori, vepra e markon autorin edhe në rrjedhë më të gjerë kontekstesh shoqërore, politike kombëtare, pasi që Zeitgeist është prezente në të. Lidhja me brezin e viteve tetëdhjetë, sikundër u tha më herët, është lidhje organike, është participim aktiv në formësimin e asaj fryme tematike e stilistike. Pra, e kuptueshme që brenda atij brezi, Bashota mund të cilësohet si njëri nga përfaqësuesit qendrorë të brezit.  

    Duke qenë edhe studiues i letërsisë dhe mësimdhënës i saj në universitet, Sali Bashota e ka ruajtur edhe një lidhje diskrete me letërsinë shqipe të traditës e sidomos edhe me rrjedhat e poezisë moderne botërore. Pra, edhe nga këto relacione me traditën dhe me rrjedhat aktuale të poezisë botërore, poezia e Sali Bashotës mbetet një poezi që aspiron harmoninë dhe sintezën e elementeve që në dukje të jashtme duken si të kundërvëna, siç në fakt janë tradita dhe moderniteti. Por, vlerat zakonisht nuk janë papajtueshmërisht të kundërvëna, përkundrazi në të shumtën e rasteve mund të jenë esencialisht komplementare.  

    Po ta skicojmë shpejt dhe vetëm në nivel informimi kronologjinë e veprave poetike të Sali Bashotës, e kuptojmë se si janë të ndërlidhura edhe ato aspekte që i përmendëm më herët, rivaliteti dhe kontinuiteti i asaj që vazhdon, lidhja me brezin e me frymën e kohës, stili personal, vlera estetike në rritje etj.

    Vëllimet poetike të poetit Sali Bashota kanë këtë letërnjoftim titujsh e këtë kalendar botimi: «Albumi i grisur» (1986), «Zogu me profil vjeshte» (1989), «Plagomë» (1994), «Dalje nga trishtimi» (1999), «Bukuri e nëmur» (2006), «Dorëshkrimi i ngjallur» (2011), «Në fillim ishte Drita» (2017) «Asnjë zë tjetër» (2018), «Lutja e parë e shpirtit», (2020), «Pëshpëritja e agonisë – libri i karantinës» (2020) dhe «Matanë dashurisë është një lumë» (2023), si dhe vëllimet me proza poetike: «Ëndrra në parajsë» (2006), «Sytë e vetmisë» (2011), «Zemërimi i heshtjes» (2014), «Shkallët e natës» (2020) dhe «Mëkati i buzëqeshjes» (2023.) Titujt shpalosin një mesazh njohjeje traumatike të botës, me oksimoronin si njëra nga figurat qendrore të figuracionit të mbarë poezisë së poetit. Ndërsa kalendari i botimeve dëshmon për një ritëm pothuajse marramendës të shkrimit, ndoshta për shkrimin si një frymëmarrje intelektuale që e ndihmon autorin të jetojë, pak a shumë ashtu siç thotë Cvetan Todorovi në traktatin “Letërsia në rrezik” se “letërsia na ndihmon të jetojmë.”  

    Brenda këtij opusi krijues voluminoz, lexuesi do të mund të komunikojë, sado që nganjëherë me një gjuhë jo shumë dekoduese, gjendjet emocionale, njohjen e aspekteve të ndryshme të jetës personale e sociale, idealet dhe ëndrrat, zhgënjimet dhe pësimet, bukurinë dhe shëmtinë e dukurive dhe të realitetit. Ligjërimi i rënduar poetik në disa raste lidhet me përvojat direkte jetësore, fjala vjen me luftën e fundit në Kosovë, meqë Bashota është nga ata poetë të cilëve iu është djegë bashkë më shtëpinë edhe e tërë biblioteka dhe dorëshkrimet. Kjo përvojë e hidhur reflektohet në disa nga vëllimet poetike të autorit. Kjo përvojë jetësore e shkrimtarit dhe studiuesit që i janë djegë librat dhe dorëshkrimet e bën Saliun të jetë në grupin e atyre shkrimtarëve që kanë pësuar nga praktika dhe ideologji të skëterrshme si inkuizicioni, fashizmi, nazizmi, komunizmi.  

    Në një rast, menjëherë pas çlirimit të Kosovës, në vitin 1999, për librin e tij “Dalje nga trishtimi” kam shprehur këtë vlerësim, i cili vlen edhe sot dhe vlen për gjithë produksionin poetik të Bashotës. Në atë shkallë të stresit autorial, Sali Bashota në diskursin poetik më shumë ka shpalosur veten, duke u përafruar me konceptin e subjektivizmit romantik. Jeta e krijuesit në një ambient shtypës në fillim dhe shfarosës më vonë, e ka detyruar që përgjigjet t’i kërkojë nga shpirti i vet, e jo nga reagimet e jashtme, sepse as që ka pasur kohë të hulumtojë jashtë vetes. Kjo është në pajtim me logjikën sipas të cilës rreziku direkt për individin, kërkon edhe reagimin direkt të tij. Mund të konstatohet lehtë se edhe leksiku që semantizohet më shumë në vargun  poetik të Sali  Bashotës, është  i fondit që mbulon kuptime dhe gjendje stresuese: fantazmat, frika, gjarprinjtë, skeleti, vdekja, jetëvdekje, thika, trishtimi, dheu i zi etj. Duke u bërë qendra semantike të vargut, këto fjalë dhe togfjalëshat e krijuar nga to, funksionalizojnë estetikisht një atmosferë poetike të fuqishme. Edhe vetë përsëritshmëria e disave prej tyre, vjen e bëhet element i konstruksionit artistik të poezive.  

    Këtë mënyrë formësimi të vargut e të figurave Bashota e ka kultivuar edhe në vëllimet e mëvonshme. Sigurisht duke e ngritur në nivele më të larta e duke e begatuar, gjë që e kam konstatuar edhe në një rast tjetër. Ligjërimi poetik me intonacione të larta, gati me klithma, e bën bindës këtë konceptim. Sikundër që pohonte Llotmani, “nuk udhëheq vetëm tema shenjën gjuhësore, por edhe shprehja gjuhësore udhëheqë temën”. Pra, koncepti për poetin si iluminues e si ëndërrimtar mbetet aktiv, por ligjërimi gjuhësor-poetik i ndryshuar për të, ndikon që edhe ai status të shihet si i ndryshuar. Saktësisht siç është në realitetin jetësor! (…) Për ta bërë sa më të qartë këtë raport, po iu njoftoj se në librin “Lutja e parë e shpirtit”, pra cikli “Imazhi i pestë: Dhimbja”, me vënien e imazhit në plan të parë, i cili sikundër dihet është elementi më i ekspozuar i përjetimit postmodenist të jetës/botës, dëshmon se Bashota tashmë ka avancuar shumë në ligjërimin me këtë frymë. Intonacionet e pasuruara të vargut, të bashkuara me nivele të tjera të ligjërimit poetik, në mënyrë intuitive marrin përsipër të bëhen shenja të realitetit të kohës në të cilën jetojmë në panik, ndërmjet kaosit e anarkisë, antivlerave dhe dehumanizimit. Llotmani ka sinjalizuar moti: “Për shqyrtimin e korrelacionit ritmik të intonacionit dhe semantikës së vargut, si pikë nistore duhet të shërbejë bindja që rendi ritmik-intonativ nuk është strukturë e pavarur, por është element që shërben për një varg nënstrukturash, të cilat në bashkëveprim konstituojnë sistemin unik të tekstit, i cili quhet poezi dhe i cili paraqet shenjë të përmbajtjes së caktuar dhe model të realitetit të caktuar.”  

    Falë përvojës së gjatë si poet dhe si studiues i pasionuar i letërsisë, Sali Bashota është autor që i njeh këto vibracione intonative-ritmike, ideologjike, stilistike e sociale, prandaj edhe arrin t’i definojë gjuhësisht në pajtim me realitetin.  

    Prozat poetike, të cilat jam i prirur t’i shohë si pjesë komplementare e vargut poetik të Bashotës, janë brenda kornizave motivore e stilistike të vargut të tij. Në poezinë tonë nuk di ndonjë autor tjetër të ketë vëllim kaq të madh të prozave poetike dhe sigurisht edhe kaq arritje artistike në këtë formë sinkretike të shprehjes poetike.   

    Sikundër është përmendur më herët, Sali Bashota është edhe studiues i njohur i letërsisë shqipe. Me këtë rast veprat e tij studimore do të prezantohen vetëm telegrafikisht.  

    Në gjashtë librat me ese dhe studime letrare, Sali Bashota, bën analiza, interpretime dhe vlerësime kritike, në radhë të parë, për vepra të rëndësishme të shkrimtarëve të letërsisë romantike dhe të letërsisë moderne shqipe. Në mesin e tyre, dallohen studimet për shkrimtarët e mirënjohur, siç janë: Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jeronim de Rada, Gjergj Fishta, Françesk Anton Santori, pastaj Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Migjeni, Musine Kokalari etj., si dhe për vepra të shkrimtarëve të letërsisë bashkëkohore shqipe.  

    Po kështu, në librat me studime, Sali Bashota, trajton dukuri dhe fenomene letrare e estetike, që ndërlidhen me autorë dhe vepra të caktuara, para së gjithash, të poetëve, prozatorëve, kritikëve letrarë, të cilët i përkasin periudhave të ndryshme të letërsisë shqipe.  

    Studimet letrare të Sali Bashotës shquhen me gjuhën e tyre të qartë e argumentuese, me stilin e rrjedhshëm e origjinal, si dhe me sistemimin e dijeve më të avancuara në fushën e kritikës letrare bashkëkohore. Në këto studime, dallohet aftësia dhe përkushtimi i studiuesit për t’u përqendruar kryesisht në qasjen analitike dhe krahasimtare, por në raste të veçanta edhe për të bërë sinteza të suksesshme studimore, siç është monografia letrare për Mitrush Kutelin.  

    Me veprat e tij studimore Sali Bashota ka dhënë një kontribut të çmuar, duke e pasuruar kritikën letrare shqipe me ide, mendime, pikëpamje, por edhe vlerësime të qëndrueshme kritike.  

    Për fund: botimi nga Shtëpia Botuese “Logos A” i kësaj kolane me veprat e zgjedhura të poetit e studiuesit Sali Bashotës, është një projekt që e legjitimon edhe më fort këtë botues si një vatër e vlerave dhe e afirmimit të tyre. Ndërsa lexuesit i mundëson ta vazhdojë e ta rivendos komunikimin me veprën poetike e studimore të një autori të njohur dhe që tashmë është referencë në poezinë shqipe. Kur bëhen bashkë në një projekt të këtillë një shtëpi botuese serioze, sikundër është “Logos-A” dhe një autor serioz, sikundër është Sali Bashota, lexuesi është pala fituese.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË