More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMigena Kapllani: Kthim në tempullin e humbur nën pluhur (Refleksion mbi librin...

    Migena Kapllani: Kthim në tempullin e humbur nën pluhur (Refleksion mbi librin e Ajkuna Daklit)

    Çfarë e shtyn një njeri të shkruajë deri edhe pas shumë vitesh heshtjeje? Këtu mund të përdorim sintagmën e njohur të at Zef Pllumit “Rrno për me tregue”. Nëse ajo kohë (monizmi) u mbyll në regjistra e dosje të zverdhura që akoma sot nuk u zbardhën, një mënyrë mund të jetë rrëfimi i atyre që e jetuan atë kohë, ku siç thotë me të drejtë dikush, për të gjithë “ndau në mënyrë të barabartë vetëm varfërinë”. Po dashtë Zoti të ketë qenë vetëm varfëri materiale, e të mos ketë varfëruar dhe mendjet e shpirtrat e njerëzve.

    Magjia e të shkruarit, kur përjetësia bëhet një fjalë gjithnjë e më e shkurtër, siç thotë autorja në parathënien e librit të saj “Çizme lëkure në kohë lufte”, është shtysa e parë që ul atë të shpluhurojë nga heshtja e gjatë skicat e hedhura diku.

    Tregimet e saj janë kujtesë e gjallë e asaj fëmijërie lëmsh, pa qartësi e pa vërtetësi, që u jetua turbull mes të vërtetash gjyshesh, që frikshëm mohoheshin nga bijtë dhe kundërshtoheshin nga nipërit e paditur e të indoktrinuar. Nuk ndahej dot ajo turbullirë aso kohe dhe sot del nevoja të thuhet dhe një herë për të zbardhur mjergullën dhe ta dëgjosh me zë të lartë të vërtetën e fshehur, përndryshe akoma nuk e beson. Kohë dilemash absurde: ka Zot, apo s’ka; partizan, apo gjerman; quhesh spiun, apo jo; dinë gjyshet, apo kanë rrjedhur; të deklasuar apo jo; kjo thuhet, apo s’thuhet?! Cila ishte e vërteta, mësohet shumë vonë, madje për të justifikuar jetën që bëmë, akoma nuk i themi si duhet ato. Kemi frikë se zhbëjmë atë që ishim. Frika e psikoanalizave të pabëra kurrë do na persekutojë gjatë.

    Një shpëtim për autoren tonë asokohe e për një pjesë të mirë, janë librat si pasuri që mund të krenohesh në çdo kohë. Shpesh gjatë leximit, gjendesh mes ngjarje të ngjashme. Cili/cila ka moshën e njëjtë, gjen veten. Një pjesë e fëmijëve “të deklasuar” të asaj kohe, mund të jenë gjendur nëpër shtëpi të bukura me ëndrrën “ah sikur të ishte shtëpia ime!”, por që ironikisht ishin shtëpi të shtetëzuara dhe askush nuk të rrëfente pse nuk mund ta kishe ti më atë shtëpi. Një luftë e përballje e çuditshme brenda fëmijërisë së saj/sonës. E duam një gjysh partisan, edhe pse ai urren gjyshin tënd të mirë. Kohë kafkiane, kohë e mjergullt, kohë që nuk ka akrepa, sepse diçka ka ngecur, për të ecur disi sot (dhe pse shumë ngadalë) përmes këtij libri. E gjithë fëmijëria jonë të kujton përrallën e Vëllezërve Grim “Gjon teveqelin”. Ne ishim ashtu…

    Ka një humor të fshehur brenda tregimeve. Ka qenë edhe kjo një mënyrë për ta përballuar të keqen ndër ne. Ashtu si tregojmë me humor dajakun e prindërve, ashtu ndërthuret edhe tragjikja me një lloj qeshje nën buzë e Ajkunës. Këtë perceptim më japin “hurmat e qullëta që bënin helaq gjermanët”; ditëlindjet e sajuara të gjysheve; patetizmi luftarak i mbrojtjes së asaj ideologjie në gjuhën e fëmijës; rrokotelat e shpjeguara si thesar te soleta bashkë me kotelet që pjell macja; “Gjithmonë gati” e saj me vonesën në shkollë; betimet e saj po që nuk i beson as vetë; naiviteti i shprehjeve për absurditetin e asaj kohe që nuk i linin të arratiseshin “armiqtë” (një armik më pak, thotë fëmija naiv); bakllavaja si preteks “gëzimesh” të fshehta; misteri i të brendshmeve të Lavdijes që kishte pesë gojë për të ushqyer, një burrë pijanec dhe tre dhëmbë mangët me një gardërobë jo shumë të pasur, si dhe çështjet madhore në fund të filxhanit, shëndeti, marrëdhëniet me qeverinë e ndonjë hasëm; konteksti i shprehjes “edhe pushtuesit veshin këpucë, por jo partizanët se ishin këpucë me porosi” e të tjera si këto.

    Më pëlqen zgjedhja që i bën ruajtjes së disa emrave, historive, apo ngjarjeve në origjinal. Mendoj se bën mirë që i sjell ashtu të qartë në tregimet e saj historitë e jetuara e të përjetuara me elemente autobiografike në to. Ata le të mbeten diku në kujtesën e atyre që i njohin; të tjerët njësoj e kanë sidoqë të quhej personi apo vendi. Për ata që njohin emrin e “Gurabardhit”, “1 Majit”, sheshi “te xhamia”, bedenat e kalasë, muzeu i luftës, ndërtesa e daklëve si shkollë 8-vjeçare, guri i derës, zona që përcaktohen në mënyrë eufemistike si “zona e lojës që nuk shkonte dot deri atje” (për rrugë larg qendrës); të gjitha janë kujtime të bukura për një lexues të qytetit, apo një lexues tipik jashtë tij për çudinë e toponimeve që rëndom në mes nesh përdorim. Vendet janë kapitull më vete që aq bukur i ravijëzon në librat e saj. Kujdeset të mos i lëndojë ato vende që janë kujtime që nuk të lëshojnë e mbetesh në to “kapur si në një rrjetë”. Këto vende “shformojnë fytyra dashurish të shembura” në reflekset e xhamave të ndërtesave të reja. Qarkullimi në to është memorje.  Qyteti është bërë pjesë e rëndësishme më tepër kur u largua prej njërit atdhe, drejt tjetrit. Në çdo vend të ikësh, rrëshqet në të njëjtat rrugë të hedhura sipas të njëjtit vals të njohur.

    Dialekti i ruajtur në gjuhën e plakave (atyre plakave që i vunë shpatullat jetës së shndërruar e të rrëzuar kokëposhtë) që dhe vetë e përdor në gjuhën e saj si një formë krenarie e trashëgimisë përmes gjuhës, është një tjetër tipar dallues i saj. I vijnë natyrshëm gjuhës së librit shprehje si: helaq; shoku Stavri të na marrë të keqen; e zbërdhulët; si pulë pa kokë; flet pa pikë pa presje; hilacak; qaj për së gjalli; po të rrëmosh nëpër kuti dhe t’i heqësh të gjitha rrangullat njëra pas tjetrës si fletët e qepës, gjen libra; plasja në varreza apo burg e një njeriu që nuk donte t’ia dinte kush; mbytur si kuti konservash nëpër trena etj. Figuracionin që përdor, e sjell me një natyrshmëri e pa sforcime.

    Tregimet janë të ndara në tri pjesë. Nis që nga fëmijëria të ndajë kohët; para e pas monizmit. Pjesa e parë mbyllet me një rrëfim zëri tjetër nga i autores vetë. Në pjesën e dytë të tyre, tregon ngjarje të rënda me pjekurinë e një vajze që jeta e ka sprovuar. Te tregimi “Shpresë dhe humor të mirë”, tregon se si rriten më shpejt seç duhet fëmijët me histori humbjesh që i përballin si të rritur. Jo më kot këtë ndarje e shoqëron me një shprehje të shkrimtarit të saj të preferuar Heminguj “Bota thyen çdokënd… Ata që nuk i thyen, i vret…”. Kohët kur ndodhin ngjarjet në këtë pjesë janë të fokusuara më tepër te karakteret se sa te vetë koha kur kanë ndodhur. Tregimi “Zamiri”, sjell histori të fëmijëve të trishtë të asaj kohe, që çdokënd do të trondisnin në çdo fazë të rrëfimit. Në ato kohë, me gjithë gjeografinë e vogël të qytetit, njerëzit e humbnin lehtësisht shqimit njëri-tjetrin. Ani, në asnjë rresht nuk ka sentimentalizma e qyrravitje. Pjesa e fundit ka një tjetër strukturë. Vjen si një gjë kompakte më vete për të sjellë një histori plot dhimbje, si shumë të tjera të rrëfyera, por që sjellin marrëdhënie të shumëfishta, të nënës me birin, të mikes më të mirë, të jetës dhe vdekjes, sikur në këtë mbyllje do të sqarojë tërë atë botë mendimesh që e rrethon dhe mundon. Nënat janë “as vajzë as grua” deri në momentin kur në krahë kanë beben e tyre. Më pas gjithçka bëhet një histori tjetër, treguar në histori pa fund. Ato (nënat) janë arsyeja “e shpikjes së gjuhës, janë e para rrokje, janë krahu ku fle fëmijëria jonë, janë fara ku mbjellim më pas ëmbëlsinë e syve të tyre.

    Tregimet e Ajkunës vijnë më shumë prej ikjeve pa kthim, që trondisin aq fort sa lënë shenjë. Ajo që mbetet në këto shndërrime të autores, janë të brymosura në fjalën dashuri. Kjo dashuri duket në konfirmimin e qartë që bën në çdo shkrim, kur dukshëm tregon se për cilin/cilën ajo është krijuar. Është pak a shumë si një ditar që do të kujtojë secilin person që ka lënë gjurmë në jetën e saj. Një shtëpi e lënë diku larg, i kujton kalldrëme, portokaj, ku ndihet e mbrojtur dhe e sigurtë siç e thotë diku tjetër, një tempull pa apostuj, me shenjtërinë e groposur në pluhur.

    Ajo që dua të them në fund fare është: librat e saj janë tepër të qartë për mua që kam jetuar të njëjtat gjëra, dhe dua ta mendoj se perceptimi i asaj fëmijërie të bukur për moshën, por groteske për kohën, të kapet nga lexuesi i ri. Historia vjen mirë edhe me letërsi. Siç thotë Kadare “në asnjë rast, e përsëris, në asnjë rast letërsia dhe arti nuk e sulmojnë jetën reale, për ta dëmtuar, por përkundrazi, luftojnë që ta bëjnë më të bukur, më të jetueshme.”

    Në ikje mësojmë të duam e të shohim më mirë, e siç mbyll Ajkuna me fjalët e të atit në ikje “Fjalët e shumta nuk duhen/ fjalët e bukura nuk thuhen”.

    NJË KOMENT

    1. Ajkuna eshte nje mike e vertete per mua. Unë nuk e kam kontaktin e duhur me te riun shqiptar per te kuptuar gjendjen e këtij brezi. Me vjen kaq mire qe shoh se zj.Kapllani ndermjetson me aq lehtësi mesazhin per lexuesin: Ajo që dua të them në fund fare është: librat e saj janë tepër të qartë për mua që kam jetuar të njëjtat gjëra, dhe dua ta mendoj se perceptimi i asaj fëmijërie të bukur për moshën, por groteske për kohën, të kapet nga lexuesi i ri… .
      Për mua ketu qendron forca dhe bukuria e librit te saj. Është një e vërtetë aq lakuriqe, saç është e denjë ta shohësh e ta vlerësosh.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË