More
    KreuÇmimeMichele Cometa: I madh është privilegji i poetëve. Laudatio për Ismail Kadare...

    Michele Cometa: I madh është privilegji i poetëve. Laudatio për Ismail Kadare nga

    I madh është privilegji i poetëve. Atyre u jepet të ëndërrojnë ëndrrat e njerëzimit, ëndrrat e një populli të tërë. Ismail Kadaresë i është dhënë privilegji të ëndërrojë ëndrrat e popullit shqiptar. Reinhard Kosellek, filozofi i madh i Begriffsgeschichte, i “historisë së koncepteve” e bashkë me të edhe babai i “cultural history”, Peter Burke, kanë evokuar shpesh nevojën e një historie kulturore të ëndrrave si bazë për të kuptuar arsyet e thella të një kulture. Prej kohësh kjo histori e kulturës është zbatuar nga poetët të cilët përmes ëndrrave shkruajnë historinë e fshehtë të një populli e njëherazi të gjithë njerëzimit.

    Ëndrrat e poetëve nuk janë më pak të vërteta se realiteti. Në fakt ato zgjasin, jetojnë më shumë se çdo realitet dhe përmes epokave përbëjnë fytyrën e saj fantazmore dhe të pakujtueshme. «We are such stuff / As dreams are made on; and our little life / Is rounded with a sleep», shkruante Shekspiri, duke nënvizuar në këtë mënyrë faktin se realiteti ynë në dukje është një ëndërr krahasuar me një të vërtetë që e tejkalon metafizikisht dhe e përthelbëson atë.

    Këto ëndrra, ëndrrat e poetëve, janë mbushur me heronj që banojnë në këtë tokë bashkë me ne, ndonjëherë më gjatë se ne. Ata janë ëngjëjt mbrojtës ose djajtë që na shoqërojnë heshturazi derisa ndiejnë zërin e një poeti që bën të gjëmojë kumti i tyre, një zë që vjen nga zgafellat e së shkuarës, nga thellësia e pakujtueshme që qëndron para çdo historie, jehona e gurëve, e bimëve, e koraleve, e fosileve që kanë jetuar miliona vjet para nesh që jemi mbi këtë tokë prej diç më shumë se një çasti.

    Ismail Kadare ka ëndërruar ëndrrat e njerëzimit prej asaj ngushtice Kohe që është Shqipëria; prej pikëvështrimit të atij «kombi të vogël, emri i të cilit do të thotë “Vendi i shqipeve” – sikurse thotë te Pasardhësi (2003) – një shtet i ri që lindi mbi rrënojat e Perandorisë Osmane në fillim të shekullit të shkuar. Një komb me tri fe, katolike, ortodokse e myslimane, që u shpall monarki nën një sovran gjerman që i përkiste një feje të katërt, protestantizmit. U kthye në republikë nën udhëheqjen e një peshkopi shqiptar që u rrëzua nga një luftë civile e udhëhequr nga mbreti i ardhshëm, tashmë shqiptar. Ky i fundit u rrëzua nga një tjetër mbret, kësaj here italian, që e shkurorëzoi dhe aty për aty e shpalli veten “Mbret të Italisë, të Shqipërisë dhe të Etiopisë”. Së fundi, pas kësaj krushqie groteske që i përfshiu shqiptarët për herë të parë në historinë e tyre në një shtet të përbashkët me zezakët, ia behu diktatura komuniste». Pastaj vijon historia e ditëve tona, jo më pak ëndërrake se ajo që sapo përshkruam me fjalët e Kadaresë. Ëndërrake, por jo më pak e prekshme dhe fatale.

    Kadare vërtet ka ëndërruar ëndrrat e njerëzimit nga ky pikëvështrim “shqiptar”, por ai e di fort mirë se historia e madhe e vendit të tij s’është veçse një bërdungë e kohës, ndërkaq e ashpër dhe e qartë shfaqej në hartën e Europës një rrudhë e thellë që shënon kufirin mes tokës dhe detit, mes Lindjes dhe Perëndimit, mes së shkuarës dhe së ardhmes. Kjo rrudhë është toka e Shqipërisë që banohet prej mijëra vjetësh të cilët nuk kanë lënë gjurmë në institucione, në libra…, por te ëndrrat, te mitet e letërsisë shqiptare, përfaqësuesi më i denjë i së cilës është sot Kadare.

    Ismail Kadare, si të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, na ndihmon të jetojmë bashkë me këto fantazma, duke qenë letërsia e madhe një «incantatione… a mortuis evocetur» sikurse shkruante qysh në vitin 1623 Francis Bacon, pra një bashkëbisedim me të vdekurit. Me të vdekurit e një lloji të veçantë, që ëndrra i kthen në jetë përmes epokave.

    Kadare i ka ringjallur këto figura të pavdekshme e bashkë me ta ka populluar botën. Këto figura tashmë na shoqërojnë e mund t’i përmendim emër për emër. Ndonjëherë ato mbeten anonime, por në anoniminë e tyre nuk janë më pak shtypëse e obsesive: Mark- Alek Quprilli, Maksi, Lul Mazreku e Vjollcia Morina, Gjorg Berisha, Gjon Ukcama, Mark Gurabardhi, Skënderbeu, e pastaj Pasardhësi, Udhëheqësi, fëmija shqiptar…

    Tek e fundit letërsia nuk është gjë tjetër veçse një karuzel i përskuqur personazhesh, xombesh, revenantësh, çifutësh endacakë, të pavdekurish. Doemos të pavdekur që në veprën e Kadaresë nuk janë vetëm objekt dhe subjekt i rrëfimit, si Kostandini, vëllai i vdekur që i sjell nënës në shtëpi Doruntinën, a si koloneli italian Z., që u vra nga Plaka Nicë, me eshtrat e përbaltura brenda në thes. Në veprat e Kadaresë nuk flitet vetëm për këto “kthime”. Të pavdekurit e tij nuk kanë asgjë të përbashkët me tmerrin e modës së kinematografisë postmoderne, e as me llahtarinë vampire që gjejmë në letërsi jo larg asaj shqipe. Këta të pavdekur nuk kanë të bëjnë as me teratologjinë që ka pushtuar letërsinë në këto kohë të vështira as me nekrofilinë, as janë thjesht hapësira e personifikuar e një ndëshkimi të përjetshëm – si Drakula a si çifuti endacak – as figura banale të Unheimliche… Në narrativën kadareane luhet pikërisht me të kundërtën: me pamundësinë për t’i dhënë fund një çështjeje, asaj të personazheve të letërsisë e të mitit, që mishëron fuqinë e pamundësisë për të vdekur, pamundësisë për t’u zhdukur (çështje kjo shpesh tragjike dhe e dhimbshme, por jo e përzishme), me fjalë të tjera, fuqinë e jetës me çdo kusht, kundër çdo arsyeje dhe rastësie. Pra ka një përmasë soteriologjike në figurat që mbushin romanet e Kadaresë: Maksi që gremiset në një botë paralele e vdes duke vrarë shqiponjën që e heq zvarrë drejt Shqipërisë, e cila ngjitet duke rënë në një përmasë tjetër; Skënderbeu që prej botës së përtejshme nxit të luftojnë shqiptarët për 25 vjet me radhë; i muruari i urës, maskë tragjike «prej mishi… eshtrash e… shpirti» që një ditë do të ringjallet e «do të jetojë mbi të gjithë». Lista mund të zgjatej për faqe të tëra, aq sa ç’janë personazhet e Kadaresë.

    Po cilët janë vërtet këto personazhe? Ç’thellësi fshehin brenda trupave të tyre zgavrorë e mikpritës? Nga ç’vise të errëta ngjiten ne jetë e përse?

    Kadare nuk e shpjegon. Si të gjithë poetët e mëdhenj, ai vetëm sa vë në skenë fantazmat dhe end rreth tyre ëndrrat e njerëzimit. Në to regëtin vezullimi i mitit që ndonjëherë na duket si i zbehtë vetëm sepse vjen prej së largu.  Në rrëfimet e tij tingëllojnë zërat e perëndive dhe të heronjve homerikë, të folklorit shqiptar e ballkanik, njëmijë e një historitë e përrallave orientale, kronikat fantastike të kalorësve pa kohë. Çdo roman i Kadaresë është një alegori e thellë që ne ndonjëherë ia dalim t’i depërtojmë nën lëkurë, duke e shpjeguar natyrisht me historinë shqiptare të këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit, e duke mbetur gjithsesi të vetëdijshëm se do të duhej t’i hynim më thellë, ndoshta kaluar mbi një shqiponjë që na shpie lart marramendshëm, ndoshta duke përqafuar herezinë e marrë të Kostandinit që na bën të besojmë në ringjalljen e të vdekurve, në një apokatastazi finale.

    Edhe pse romani Kush e solli Doruntinën? (1986) duhet konsideruar si vepra teologjike e Kadaresë, ai nuk përdor mjetet e teologjisë, por ato të letërsisë. Të pavdekurit e tij, që janë përjetësisht të gjallë dhe përjetësisht të rinj, mund të ngrihen nga varret e historisë; ata janë shpresa e së ardhmes, i Pashkatërrueshmi (das Unzerstörbare) që Kafka kërkonte për letërsinë e tij, ajo rrënjë e lëvizshme që na bën të shqiptojmë emrin e një populli dhe të një kulture pa rënë në fundamentalizëm, çka na shtyn t’i bëjmë ballë historisë në emër të mitit e të qëndrojmë në kohë kundër kohës, duke shpresuar kundër çdo shprese.

    Asnjë “përzgjedhje” – si te nomenklatura terroriste e romanit kafkian Pallati i ëndrrave (1990), ku banon një burokraci që kontrollon ëndrrat e njerëzimit – do të mund të fshijë «ëndrrat e shpikura, domethënë ato që askush nuk i ka parë me të vërtetë» e që ekzistojnë vetëm në fantazinë e poetëve. Me këtë roman Kadare na dëfton domethënien e  thellë që ai i jep letërsisë. Në një faqe që rrok majat më të larta dhe kthjelltësinë e një alegorie kafkiane lexojmë: «…kishte zëra që thoshin se të parët e ëndrrave veç e veç prej njerëzve nuk ishte veçse një fazë kalimtare e njerëzimit, dhe se do të vinte një kohë kur ëndrrat do ta humbnin këtë cilësi dhe, ashtu si lëvizjet ose veprimet e tjera të njeriut, do të bëheshin të dukshme edhe ato prej gjithkujt. Me një fjalë, ashtu si një bimë ose fryt që për njëfarë afati rrinte nën tokë, gjersa i vinte koha për të dalë mbi sipërfaqe, edhe ëndrra e njeriut tani për tani ishte brenda gjumit, por kjo s’do të thoshte se do të ishte gjithmonë kështu. Një ditë ajo do të dilte në dritën e diellit, do të zinte vendin e saj midis mendimit, përvojës dhe veprimit njerëzor… Të tjerë thoshin se Apokalipsi s’ishte gjë tjetër veçse dita kur ëndrrat do të dilnin prej burgut të gjumit, sepse ringjallja e të vdekurve, që prej njerëzve përfytyrohej në mënyrë metafizike, nuk do të kryhej veçse në këtë trajtë. A mos ishin ëndrrat kumtet e banorëve të atjeshëm? thoshin ata. Kjo kërkesë e tyre shekullore, kjo lutje, gërgamë, ankim, quaje si të duash, do të merret një ditë parasysh».

    Kësaj Drejtësie i ka zënë besë gjithmonë letërsia, këtë Drejtësi ajo ka përgatitur dhe evokuar. Letërsia është ëndrra e pavdekshme e kësaj Drejtësie. Ismail Kadare ëndërron bashkë me ne.

    (Shqip nga Gëzim Gurga)

    Marrë nga  fjalimi i me rastin e dhënies së titullit Doctor Honoris Causa Ismail Kadaresë

    nga Universiteti i Palermo

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË