Intervistoi: Violeta Murati
Viti 2019, më saktësisht data 16 shtator 2019, shënoi 200-vjetorin e lindjes së shkrimtarit arbëresh Franqisk Anton Santori (1819-1894). Veprat e para letrare të këtij autori në Shqipëri kanë hyrë përmes jush, a mund të na sillni një historik se çfarë ju lidh me këtë autor dhe krijimtarinë e tij?
Rreth 20 vjet më parë, kur po merresha me transkriptimin e dorëshkrimeve origjinale në frëngjishte dhe përgatitjen për botim të letërkëmbimit të Dora d’Istrias me De Radën, kuptova që kisha në dorë një burim të paçmueshëm e parësor ku mund të nxirrja informacione shumë të vlefshme mbi periudhën e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, që njihet me emërtimin Rilindja Shqiptare. Në galerinë e personaliteteve të spikatura të shekullit XIX më tërhoqi vëmendjen veprimtaria e Franqisk Anton Santorit, të cilin Dora d’Istria e konsideronte si “përfaqësuesin më të plotë të kulturës shqiptare” dhe romanin e shkruar prej tij në arbërishte “një kuriozitet letrar”. Në vitin 2006 m’u besua nga Departamenti i Studimeve të Europës Lindore, Universiteti i Napolit “L’Orientale”, transkriptimi dhe përgatitja e rreth 1000 fletëve dorëshkrim në arbërishte e italishte të këtij romani, i pari i zbuluar deri më tani i shkruar në shqipe. Një botë e magjishme u hap përpara meje. Dhe u nisa për udhë. Njohja ime e deriatëhershme ishte e mjaftuar me njohuritë e marra në shkollën e mesme dhe në universitet, kështu që m’u desh të zgjeroja e të pasuroja njohuritë e mia për kohën kur kishte jetuar e kishte shkruar Santori, lidhjet e tij me De Radën dhe kultivues të gjuhës e patriotë rilindas, njohjen e thellë të krijimtarisë së tij të botuar apo të mbetur ende në dorëshkrim. Sot mund të them me bindje se koha i dha të drejtë Dora d’Istrias në vlerësimin e saj.
Ju i keni kushtuar prej vitesh tanimë kohën tuaj studimore Santorit, transkriptimit, studimit e botimit të veprave të tij në dorëshkrim, ndërsa në fjalën hyrëse të dramës “Emira”, të botuar pak kohë më parë, shënoni se “sa më shumë thellohem në këto studime, aq më shumë befasohem, nginjem, trishtohem…”, pse një ndjeshmëri kaq komplekse? Çfarë ka ndodhur me këtë autor, me transmetimin e veprës së tij?
Befasohem nga gjerësia e krijimtarisë së tij, shumëllojshmëria e gjinive letrare që lëvron: dramë, melodramë, satirë, komedi, tragjedi, novela në vargje, roman, fabulistikë, rapsodi. Ai rezulton të jetë më prodhimtari i letërsisë arbëreshe dhe themeluesi i disa llojeve e gjinive të letërsisë sonë: i dramës në vargje e në prozë, i satirës, i fabulës e i romanit. Nginjem nga dashuria e pamatë e Santorit për kombin e gjuhën e tij; nga gjakimi për të shkruar në arbërisht, për të hartuar e për të përpunuar alfabetet e tij, për të dokumentuar e për të derdhur në veprat e tij përrenj formash gjuhësore nga të folmet arbëreshe e krahinave të ndryshme; nga mjeshtëria e tij e krijimit; nga njohja e thellë e shpirtit njerëzor të skalitur në personazhet e veprave të tij.
Trishtohem kur konstatoj se Santori qe, e mbetet ende, një lëvrues i pafat: para vdekjes nuk mundi t’i botojë shkrimet e veta dhe pas vdekjes, pasi një shekull e gjysmë më pas nga shuarja e tij, ka ende vepra që rezultojnë akoma të pabotuara dhe ai nuk e ka gjetur ende vendin që i takon në letërsinë shqipe, në programet shkollore apo universitare të studimit në Shqipëri, në historitë e letërsisë shqipe.
Duke përfshirë edhe botimet shqiptare dhe të studiuesve arbëreshë, a ka ardhur i plotë Santori dhe korpusi i tij letrar? Ju keni bërë një pasqyrë mbi filtrin e botimeve kritike, si është kjo situatë?
Ndonëse një nga autorët më në zë të letërsisë arbëreshe, Santori mbetet një shkrimtar për t’u zbuluar dhe korpusi i tij letrar, me gjithë kontributet e çmuara të studiuesve arbëreshë e shqiptarë, ende nuk ka ardhur i plotë nën filtrin e botimeve kritike filologjike rigoroze që nënkupton një dorëzani të sigurt, një përgjegjësi për të përcjellë nga autori te studiuesi e lexuesi një tekst të padyshimtë e mbi të cilin nuk është ndërhyrë as duke e redaktuar, as duke e përshtatur, as duke transformuar usus scribendi-n e vullnetin e autorit. Nëse marrim këtë kriter për bazë, nuk është e vështirë të dallosh se cilat vepra e kanë sjellë tekstin në tërë besueshmërinë e tij, e cilat mbeten në kuadrin e botimeve vullnetmira apo divulgative, të cilat kanë vendin e vet, por kurrsesi nuk ofrojnë garancinë shkencore të dekodifikimit të një dokumenti origjinal, pra nuk mund të shërbejnë si tekste studimi për nxënësit, studentët e aq më tepër si bazë të dhënash mbi të cilat mund të ndërtohet një punim shkencor. Krijimtaria e Santorit ka ardhur e botuar në të gjitha format, si ato filologjikisht rigoroze, pra në botime kritike, si ato vullnetmira. Periudha pas viteve 2000 shënon një çuarje përpara të traditës filologjike arbëreshe të para atyre viteve dhe korpusi letrar po vjen e po plotësohet; raporti i botimeve filologjike kundrejt atyre vullnetmira po ndryshon në të mirë të botimeve kritike, dhe kjo falë zbulimeve, gjetjeve dhe rritjes së përgjegjshmërisë së komunitetit të filologëve arbëreshë e shqiptarë. Problem mbetet përthithja dhe shfrytëzimi i këtij kontributi nga masa tjetër e studiuesve, pedagogëve e mësimdhënësve të sistemit parauniversitar, të cilët ende preferojnë ta lexojnë, ta studiojnë e ta përçojnë këtë krijimtari në variantin standard apo ta evitojnë fare.
Për një filolog, studiues i tekstit, pse bëhet sfidues kërkimi, për atë që konsiderohet si “vullneti i fundmë i autorit”, në një realitet arkivistik shqiptar?
Vështirësi dhe plot befasi të bukura shoqërojnë një studiues filolog, i cili merr përsipër të qëmtojë e të hetojë me kujdes rrugëtimin e teksteve letrare a dokumentare që nga momenti kur janë shkruar e deri në ditët e sotme. Sa më shumë përparojmë në kohë, aq më e paktë bëhet mundësia për të rënë në gjurmët e origjinalit, dhe aq më shumë shtohen mundësitë për t’iu shmangur atij. E qëllimshme ose jo, shmangia nga vullneti i fundmë i autorit na çon në një interpretim të gabuar të fakteve historike, gjuhësore a letrare, dhe nuk na jep një tekst të sigurt mbi të cilin mund të ndërtohen studime të mëtejshme e të nxirren përfundime të patëmeta. Detyra e filologut të tekstit është të studiojë dhe të grumbullojë të dhënat e mundshme nga botimet e studimet e mëparshme për autorin a veprën që merr përsipër të sjellë në dritë, të shfrytëzojë të gjitha burimet e mundshme direkte dhe indirekte, të ndjekë e të verifikojë çdo gjurmë a të dhënë për të sjellë një tekst në tërë besueshmërinë e tij, duke sinjalizuar çdo problematikë që mund të ketë hasur gjatë punës. E gjithë kjo kërkon një mundim të madh. Jo më kot kjo punë quhet ndryshe edhe “punë murgu”.
Në Shqipëri ata që ndërmarrin një punë të tillë numërohen me gishtat e dorës, pasi pakkush e merr mundimin ta bëjë. Universitetet shqiptare, për arsye nga më të ndryshmet, nuk “prodhojnë” më studiues të tillë aq të nevojshëm për të sjellë të pacenuar tërë atë lëndë arkivore letrare apo dokumentare qoftë. Një sugjerim e kam edhe për ata zotërues të arkivave privatë, në Shqipëri a në Arbërinë italike: bëjini të njohur materialet që keni, hapuni dyert studiuesve filologë dhe bëni të mundur që t’i prekin dokumentet, t’i studiojnë e t’i botojnë ato. Kështu ndihmoni të vërtetën dhe e ktheni arkivin tuaj familjar edhe në një pikë referimi për të gjithë.
Po përsëris shqetësimin tuaj, me pyetjen: A vuan ende sot letërsia shqipe nga mungesa e sigurisë dhe e autenticitetit të një teksti të dhënë, pra çfarë ndodh me filologjinë e tekstit?
Sigurisht që vuan. Nuk ka si të mos vuajë kur panorama e trashëgimisë gjuhësore e letrare është multiforme dhe me shumë probleme të vështira për t’u zgjidhur. Kemi të bëjmë me: letërsi të shkruar me alfabete të ndryshme nga ai i unifikuar (Manastir, 1908); rrallëni dokumentesh e pamundësi për t’i shfrytëzuar; letërsi e shkruar nën censurë e autocensurë (variante të autorit); letërsi e transmetuar jo besnikisht (botime vullnetmira/ divulgative, botime shkollore). Bashkëndaj pozicionimin tim ndaj këtij problemi me studiuesin Shaban Sinani kur konstaton se letërsia shqipe është një letërsi e pabotuar ose, për të qenë të saktë, është një letërsi vetëm pjesërisht e botuar, e botuar keq, e përshtatur, e deformuar, larg vullnetit të autorëve. Prandaj kthimi i vëmendjes së studiuesve nga filologjia e tekstit dhe botimi kritik do të ishte rruga e duhur për sjelljen e një korpusi të plotë të veprave letrare e varianteve të tyre, nëse ka të tilla, sipas kritereve të përcaktuara qartë nga filologjia, që nënkupton: të ndërtosh në tërësinë e tij dhe në formën autentike e besnike, e parë kjo si shprehje e vetme e legjitime e vullnetit të autorit, duke eliminuar e dokumentuar keqformime apo deformime arbitrare që mund të ketë pësuar ky tekst në rrjedhë të kohës.
Pak kohë më parë sollët në një dritë të re, në një botim kritik të përgatitur prej jush, dramën “Emira” të Franqisk Anton Santorit. Në nëntitullin sqarues ju përcaktoni se keni paraqitur një rrugëtim të tekstit letrar dhe botim kritik të varianteve dorëshkrim në arbërishte. Sa e prekur nga kjo problematikë në trajtimin e trashëgimisë sonë letrare është “Emira”, drama e parë e shkruar në prozë në gjuhën shqipe deri më sot?
Nuk i shmanget kësaj problematike, shumë të pranishme në trajtimin e trashëgimisë sonë letrare, edhe drama e parë e shkruar në prozë në gjuhën shqipe deri më sot: “EMIRA” e Franqisk Anton Santorit. Përvoja e grumbulluar dhe familjarizimi me mënyrën e të shkruarit të Santorit dhe gjuhën e tij më japin mundësinë të dalloj menjëherë gjatë leximit të një vepre të botuar nëse një formë e dhënë gjuhësore ose mënyrë të shprehuri i përket atij ose jo. Duke qenë se bëhet fjalë për vepra që janë themelvënëse të gjinive letrare të letërsisë shqipe, e për pasojë edhe të trashëgimisë letrare arbëresho-shqiptare, dhe duke konstatuar në të gjitha botimet e deritanishme të saj shmangie nga vullneti i autorit dhe përcjellje të këtyre shmangieve nga njëri botim tek tjetri, me mbështetjen e drejtuesve dhe kolegëve të Institutit të Gjuhës e të Letërsisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike (ish-Qendra e Studimeve Albanologjike) u bë e mundur të realizohej përgatitja dhe botimi i kësaj vepre tanimë me një garanci shkencore. Punimi përmban përshkrimin dhe analizën krahasuese me dorëshkrimin të të gjitha botimeve kryesore në qarkullim, fax simile-t e pesë akteve të plota të dramës me tekstin e transkriptuar përbri, si edhe 2 variante të ndryshme nga ai i ploti, nga një akt prej secilit prej tyre, aq sa na kanë mbërritur deri më sot.
Çfarë vështirësie ka pasur transkriptimi i teksteve, dimë që Santori përdorte disa variante të alfabeteve në një kohë kur shqipja vetëm flitej?
Njihen 4 alfabete të hartuara nga Santori që kanë evoluar në rrjedhë të kohës dhe që janë përdorur prej tij në faza të ndryshme të krijimtarisë. Vështirësia kryesore qëndron në përcaktimin e kodit alfabetik të përdorur prej autorit, më pas dekodifikimi bëhet i mundur. Kjo në një situatë ideale kur dokumentet janë të ruajtura mirë. Por dorëshkrimet e Santorit kanë kaluar nga një dorë tek tjetra dhe aktualisht shfaqen të zverdhura, me njolla lagështie, të dëmtuara në anë e aty-këtu edhe të grisura. Megjithatë, sot me teknikat e fotografimit e të zmadhimit bëhet i mundur edhe leximi aty ku boja mund të jetë zbardhur pak. Ndërsa për pjesët e grisura rindërtimi i tekstit është i pamundur dhe kjo duhet sinjalizuar nga përgatitësi. Një pjesë e mirë e dorëshkrimeve santoriane nuk përmbajnë datën e krijimit, kështu që njohja e alfabeteve të tij, përqasja me alfabetet e përdorura në letërkëmbim, aty ku është e mundur, na ndihmojnë në mënyrë indirekte për të përcaktuar kronologjinë e hartimit të veprave letrare prej tij. Me rëndësi të madhe është njohja me përvojën e filologëve të tjerë që janë marrë me përgatitjen filologjike të veprave të Santorit. Marrja parasysh dhe respektimi i zgjedhjeve të bëra prej tyre në transkriptim ndihmon studiuesit në kalimin nga një vepër tek tjetra pa mundim.
Ju vini themelet e letërsisë mbi këtë vepër, duke u vlerësuar se “Emira” është drama e parë në prozë në historinë e letërsisë shqipe. Si ka qenë përcjellja e kësaj vepre, transmetimi i tekstit, fati që e ka ndjekur nga dorëshkrimi e deri më sot?
Rezultatet e kërkimeve të deritanishme e vlerësojnë si të tillë. Nuk përjashtohet asnjëherë mundësia e zbulimit të dokumenteve të tjera letrare që mund ta përditësojnë këtë vlerësim. I pari është vetë De Rada që e ka dhënë këtë përcaktim kur e cilëson “Emira”-n si të parin Dram çë bëhet përpara ndë gjūh shqipe (EDR, f. 203). Më pas të gjithë studiuesit e kanë përqafuar këtë përcaktim dhe koha ende nuk e ka vënë në diskutim atë. Kërkimet e mia të derisotme nëpër biblioteka, arkiva shtetërorë e familjarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, më parashtruan një larmi Emira-sh. Unë kam marrë në shqyrtim 14 syresh, ku përfshihen dorëshkrime e botime të plota të dramës, duke përjashtuar e duke lënë mënjanë botimet e pjesshme apo fragmentet në botimet e ndryshme shkollore, për të realizuar një analizë të arsyetuar të degëve që do të përbënin pemën e transmetimit të tekstit të dramës EMIRA. Studimi ynë synon të vendosë një rregull në këtë linjë transmetimi duke ndërtuar disa pista shqyrtimi e përqasjesh, duke parashtruar e duke ndriçuar hipoteza dhe duke rindërtuar brenda mundësive rrugën që teksti letrar ka ndjekur që nga origjinali i hartuar e deri më sot, duke dalluar e duke veçuar ato botime që për arsye nga më të ndryshmet paraqesin shmangie të theksuara nga vullneti i autorit i pasqyruar në dorëshkrimin e tij. Verifikimi na bëri të mundur një klasifikim të dy linjave kryesore të transmetimit dhe një identifikim të dy dëshmive bazë të botuara: ajo më e hershmja e botuar nga De Rada me 3 akte në revistën e tij Fìamuri Arbërit më 1887 dhe ajo më e plota, me 5 akte, e botuar nga Francesco Solano më 1984, nga ku zënë fill e zhvillohen raporte birërie e afrie mes dëshmish.
Ju na vini në dijeni se dëshmia më e hershme për këtë vepër është dokumentuar nga De Rada, çfarë vlere ka në këtë histori prania e tij, në cilësinë e botuesit? Si është vlerësuar ndërhyrja e De Radës në dorëshkrim nga pasardhësit, deri në ç’masë ka qenë kjo ndërhyrje dhe a ka dëshmi të reagimit të vetë Santorit për këtë? Ju vetë çfarë fenomeni keni hasur, vënë në dukje?
Është e dokumentuar që De Rada botoi për herë të parë 3 aktet e para të Emirës në revistën e tij Fiamuri Arbërit. Na rezulton se teksti i përdorur nga De Rada ndryshon dukshëm nga ai i Santorit. Të ketë pasur një tjetër dorëshkrim në dispozicion apo i ka njohur vetes të drejtën të ndërhyjë në tekst? Ata filologë që janë marrë me botimet kritike të veprave të Santorit, që kanë pasur rastin të kenë në dorë dorëshkrimet origjinale të tij, që kanë shfrytëzuar edhe burime të tjera si dorëshkrimet e letrave të këtij të fundit, e kanë shumë më të lehtë që, në një kontakt të parë me veprën e botuar, t’u bjerë në sy dallimi mes tekstit në dorëshkrim e tekstit të botuar. Syri i stërvitur dhe familjarizimi me alfabetin, kaligrafinë, stilin e autorit, gjuhën e përdorur, format gjuhësore karakteristike janë një instrument shumë i vlefshëm për identifikimin, rilevimin dhe veçimin e ndërhyrjeve të një dore tjetër në tekst. Vetë prania e De Radës në cilësinë e botuesit të një vepre të caktuar duhet të na shtojë kujdesin e vëmendjen. Ai ishte i njohur për prirjen e tij të vazhdueshme për të rishikuar e ndryshuar veprën e vet edhe kur teksti ndodhej në shtypshkronjë; kjo prirje me shumë gjasa e ka shoqëruar edhe në redaktimin e përgatitjen për botim të disa krijimeve të Santorit si edhe të dramës në fjalë. Përqasja e tri varianteve nxjerr në dritë një sërë mospërputhjesh që kanë të bëjnë kryesisht me: reduktim apo zgjerim të skenave, duke i shkrirë e përzier ato, apo duke i kaluar në aktin pasardhës, heqje apo shtim të replikave, shkurtime apo zgjerime brenda replikës, sajim i replikave të tjera që nuk kanë informacion të përbashkët me dy variantet dorëshkrim, zëvendësim i një monologu të tërë të shndërruar në 4 vargje këngësh, shkurtim i këngëve, ndryshim i didaskalive. Nuk i shpëton ndryshimeve as ekspozicioni i dramës dhe paraqitja e personazheve të saj. Për të mundësuar një përgjigje lidhur me shkallën e ndikimit të De Radës jemi ndalur edhe në analizën e njësive leksikore të dramës. Kemi shfrytëzuar së pari autografe të vetë Santorit: fac-simile-t e dorëshkrimeve të dramës në 5 akte që gjenden në Arkivin e IGJL në Tiranë, dorëshkrimet origjinale të aktit I të dramës, të tjera dorëshkrime origjinale të aktit V, që gjenden ende sot në Bibliotekën qytetëse të Kozencës si dhe korpusin respektiv të konkordancave të përgatitur prej nesh. Kemi konsultuar gjithashtu korpusin e konkordancave të romanit të Santorit Sofia e Kominiatëve,përgatitur po prej nesh, si dhe fjalorë/ konkordanca të disa prej veprave të Santorit, fjalorë arbërisht-shqip të botuar në Itali dhe Shqipëri, dorëshkrimet origjinale të leksikonit të Santorit që gjendet në AQSH, Tiranë, si edhe letërkëmbimin origjinal me De Radën në AQSH, Tiranë. Nuk do të mungonin, si pjesë gjegjëse e krahasimit, edhe botimet me karakter letrar e gramatikor të De Radës, një pjesë të përafërta me kohën kur u botua drama Emira. Lista e gjatë e shembujve mjafton për të kuptuar që De Rada ka dhënë një kontribut aktiv redaksional të tillë saqë nuk mund të bëhet fjalë më ruajtje të usus scribendi të Santorit, por për një variacion mbi një tekst që iu besua atij për botim. Nuk kemi hasur dëshmi të Santorit për këtë argument, përveç dëshirës së tij të zjarrtë për ta parë Emirën të botuar të plotë e mundësisë për ta lexuar “të gjithën njëherësh”.
Cila është dëshmia më e plotë deri më sot e dramës? Ju flisni për botimin e prof. Solanos në vitin 1984, çfarë paralajmëronte ky botim? A mund të thuhen shkurtimisht ku dallon nga varianti i “Emira”-s që keni botuar sa u takon problemeve të filologjisë së teksteve? Në Shqipëri, në këtë kohë, veprat letrare arbërishte qarkullonin lirshëm.
Botimin e plotë të pesë akteve të dramës e gjejmë më 1984, nga prof. Francesco Solano, në Kalabri (EFS). Në kopertinë dhe në faqen prezantuese të librit paralajmërohet lexuesi se do të njihet me tekstin shqip të veprës, me një hyrje, përkthimin në italishte dhe shënimet përkatëse të përgatitura nga prof. Solano. Fakt është se ky libër, i botuar nga komuna e Qanës (Cerzeto) me rastin e 90-vjetorit të vdekjes së Santorit, përmban vetëm tekstin në shqip të 5 akteve të dramës, përkthimin respektiv në faqen përbri, si dhe në faqen e fundit të tij një tregues orientues të akteve dhe faqeve. Ky botim, i bërë me gjasë në nxitim e sipër, nuk u ndoq nga një ribotim i plotësuar që do të përfshinte studimin hyrës, shënimet filologjike apo një listë të personazheve të dramës. Por nuk mund të mos pranojmë se botimi i vitit 1984 mbushi një boshllëk të madh në trashëgiminë e gjinisë së dramës shqipe, sepse solli në dritë variantin e plotë të saj, plotësoi e tejkaloi variantin e botuar nga De Rada dhe për shumë kohë mbeti botimi i vetëm mbi të cilin u mbështetën studiuesit, nxënësit e studentët. Mbi këtë botim gjithashtu janë bazuar edhe ribotimet e mëvonshme në Itali si edhe rimarrjet e përshtatura të kësaj drame për një lexues të zakonshëm në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Nëse këtë botim sot do t’ia nënshtronim një ekzaminimi filologjik kritik, në përqasje edhe me dorëshkrimet e varianteve që ne kemi në dorë, do të vëmë re një sërë mospërputhjesh. Në pamje të parë varësia përmbajtësore nga dorëshkrimet EDI/EDF është e dukshme, por mbetet për t’u analizuar nëse Solano ka zgjedhur në mënyrë të ndërgjegjshme të ndërhyjë në format gjuhësore të autorit, duke synuar të zgjerojë rrethin e lexuesve të Santorit edhe në Shqipëri e më gjerë, duke lehtësuar sadopak kontaktin, receptimin dhe shijimin e kësaj drame nga lexuesi i përtej detit.
Hasim probleme të rindërtimit të pasinjalizuar të tekstit, ndërhyrjet në atë që quhet “gjuhë e autorit”, pra ato forma gjuhësore që kanë shmangie nga forma e dorëshkrimit, karakteristikë e Santorit, gati një ripunim i plotë i përkthimit të dramës në italishte. Vepra u botua më 1984, kohë kur në Shqipëri botimet e përshtatura të veprave letrare në arbërisht qarkullonin lirshëm dhe studioheshin nëpër programe mësimore. Breza të rinj shqiptarësh që po shkolloheshin vetëm në standard do ta kishin të pamundur ta kuptonin e akoma më vështirë ta shijonin atë në variantin gjuhësor të shkruar. E vetmja mënyrë për ta zbutur sadopak këtë largim nga origjinali do të ishte sjellja e tij në një mënyrë të tillë që do të ruante përmbajtjen, por do të anonte gjuhësisht më shumë nga shqipja që flitej e studiohej asokohe në Shqipëri. Vetëm kështu Emira mund të qarkullonte pa pengesë ndër shqiptarë, ashtu siç kishin qarkulluar edhe botimet e mëparshme të Santorit, po nën kujdesjen e Solanos.
Cilën konsideroni si “dëshmia më e denjë për besim deri më sot”?
Faksimilet e dorëshkrimit të sigluar EDI gjenden pranë arkivit të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe përmbajnë të pesë aktet e plota të dramës. Në dosjen ku janë vendosur është shkruar me shkrim dore, me bojë blu, emri i sjellësit të faksimileve në Shqipëri, por jo burimi nga janë marrë. Disa vjet më vonë, në një studim mbi dramën e Santorit, Klara Kodra jep të dhëna mbi burimin, studiuesin arbëresh Papas Giuseppe Ferrari. Nga shqyrtimi i fac-simile– ve nuk na rezulton që të përmbajnë vulën dalluese të Bibliotekës Qytetëse të Kozencës, siç e përmbajnë dorëshkrimet e tjera të gjetura në Kozencë pranë kësaj biblioteke. Me gjasë ky dorëshkrim i ka përkitur një arkivi familjar. Faksimilet e dramës, të shënuara me siglën EDF, na kanë ardhur nga një burim tjetër. Në mesvitet ’80 të shekullit të kaluar, studiuesi Italo C. Fortino ka pasur në dorë origjinalet e dramës, asokohe në pronësinë e Papas Giuseppe Ferrarit EGF. Ky i fundit, falë dashamirësisë së tij, i ka mundësuar studiuesit të bëjë një kopje fotostatike të dorëshkrimit. Fortino kujton se dorëshkrimi i veprës ishte i lidhur, pa fletë të shkëputura, pak i dëmtuar dhe teksti qartësisht i lexueshëm. Pas shqyrtimit të autografeve Fortino ia rikthen ato zotëruesit të tyre. Duke ndjekur këtë gjurmë, disa vjet më parë, 2009, u munduam të viheshim në kërkim të tyre. Ndalesa e parë do të ishte arkivi i trashëguar, i botuar a dorëshkrim, i prof. Ferrarit i cili aktualisht gjendet në Firmozë (Bibliotheca Parroçhiale di Acquaformosa). Nga kërkimi i hollësishëm i fondit akoma të papërpunuar të tij, rreth 19 kuti të mëdha kartoni, nuk gjetëm gjurmë. Pjesa tjetër e arkivit mbetet në zotërim të familjarëve të tij dhe mund të na vihet në dispozicion vetëm në saje të vullnetit të tyre të mirë. Nga krahasimi i dy faksimileve të veprës, të ardhura nga dy drejtime të ndryshme, por nga i njëjti burim, na rezulton se ka një përputhje të plotë mes tyre në formë dhe në përmbajtje, përfshirë edhe dëmtimet identike. Edhe Solano rezulton të ketë pasur në dorë të njëjtin dorëshkrim mbi të cilin kemi punuar ne. Është i njëjti dorëshkrim që ka qarkulluar në qarqet intelektuale arbëreshe, falë dashamirësisë së zotëruesit të tij Giuseppe Ferrari, e që sot fle a fshihet ende në ndonjë arkiv.
Cila ishte gjendja e dorëshkrimeve?
Gjatë kërkimeve tona në Bibliotekën Qytetëse të Kozencës, Salla e Dorëshkrimeve, fondi “Girolamo De Rada”, të përmbledhura në një dosje me dorëshkrime të tjera të Santorit, kemi gjetur edhe disa dorëshkrime origjinale të aktit I (4 skena), të cilat i kemi sigluar EDK.a. Bllokun tjetër të dorëshkrimeve origjinale, të gjetura po në Bibliotekën Qytetëse të Kozencës, fondi “Girolamo De Rada” e kemi sigluar EDK.b. Ai përmban 5 skena nga akti V i dramës. Nuk ka një titull, por përmbajtja, personazhet dhe kaligrafia na sigurojnë për përkatësinë e tij. Dorëshkrimet janë të zverdhura nga koha, përmbajnë njolla lagështie në ngjyrë kafe që nuk e pengojnë leximin, ndërsa disa grisje të cepave herë-herë e pengojnë atë. Mund të shfletoni studimin për informacione më të detajuara.
Nga cili dorëshkrim origjinal kanë buruar faksimilet që keni shqyrtuar në këtë botim kritik dhe mund të parashtrojmë shqetësimin tuaj nëse ka pasur ndryshime mes vetë dorëshkrimeve të gjetura në Bibliotekën Qytetëse të Kozencës ku keni bërë kërkimet, pra a kishit të bënit me të njëjtin dorëshkrim apo me variante të ndryshme të hartuara nga vetë autori në kohë të ndryshme?
Një burim tjetër indirekt do të ishte edhe analiza e alfabeteve të përdorura nga Santori për përpilimin e varianteve të Emirës. Përqasjet me alfabetet e tjera të përdorura po nga Santori na lejojnë të veçojmë aktin I e të vetëm që ka mbërritur deri më sot të EDK.a si një variant të parë e të përputhshëm me kohën kur janë shkruar edhe melodrama të tjera nga Santori. Ndërsa dorëshkrimet EDF/EDI dhe EDK.b nga pikëpamja e alfabeteve të përdorura përputhen plotësisht. Po cilit dorëshkrim i takon ballina e shkëputur dhe e ruajtur deri më sot? Në mungesë të informacioneve më të plota, pasi përputhja e alfabeteve nuk na ndihmon për të bërë dallimin, po i referohemi përmbajtjes së tekstit të ballinës. Teksti i shkruar në këtë ballinë është dygjuhësh, italisht dhe arbërisht, dhe jep informacione për titullin, vendin, kohën, tipografinë që me gjasë kishte marrë përsipër botimin, por jo për autorin. Edhe teksti i fac-simile-ve EDF/EDI përmban përpilimin e akteve të plota të Emirës në dy gjuhë. Ndërsa teksti i aktit V, i mbërritur i vetëm në ditët tona (EDK.b), është i hartuar në dy kolona për çdo fletë, por vetëm në arbërisht, pa përkthimin gjegjës në italishte. Në pritje të daljes në dritë të origjinaleve të EDF/EDI, për ekzaminime më të hollësishme të tipit të fletës, bojës e penës së përdorur nga Santori, pasi kërkimet tona ende nuk kanë reshtur, tani për tani mund të hipotetizojmë që kjo ballinë i ka përkitur variantit EDF/EDI. Edhe teksti i EDK.b ka raste që ndryshon nga ai EDF/EDF? Jo më kot vendosëm që të përfshinim në këtë botim edhe variantet EDK.a dhe EDK.b të sjella në botim kritik. Pas përfundimit të hartimit të variantit të plotë për botim më 1864, ka shumë gjasa që De Rada t’i ketë kërkuar një variant më të përpunuar ose vetë Santori të ketë përgatitur një variant më të zhdërvjellët për ta vënë në skenë, apo siç shprehet vetë ai “esperimentare sulla scena”, gjë që ka menduar ta bëjë edhe herë tjetër. Me gjasë mund të jetë ky i fundit variant mbi të cilin ka punuar De Rada apo për të cilin flet A. Straticò. Zbulimet e derisotme nuk na lejojnë të kalojmë kufijtë e hipotezës lidhur me këtë problem.
A njihet koha e hartimit të veprës? Si ka qenë receptuar, pritur, nga intelektualët e kohës, a ka të dhëna?
Nëse do t’i referoheshim përmbajtjes së veprës dhe aftësisë së Santorit për të qenë një dëshmues dhe dokumentues i ngjarjeve historike dhe shoqërore të kohës e vendit ku jetoi, Emira filloi të përpilohej në një periudhë pas bashkimit të Italisë, pas vitit 1861. Burimi i parë i drejtpërdrejtë për të përcaktuar kohën e hartimit të veprës është viti 1864, që Santori shkruan me dorën e tij në ballinën e dramës të përgatitur për botim ([Co]senza, Tipografia Bruzia, 1864). Gjurmë të pakontestueshme të përfundimit të hartimit të veprës dhe dërgimit për shtyp gjejmë edhe në letërkëmbimin e De Radës me Niçolò Tommaseo-n, më 16 shkurt 1864, kur shkruan ndër të tjera: Ora è in lo stampare un grande dramma albanese; e prima ha dato in luce il romanzo che ho l’onore di mandarle. Nuk kemi të dhëna direkte pse botimi i veprës u shty për më shumë se dhjetë vjet e për më tepër pse nuk u bë nga tipografia Bruzia, e cila i kishte botuar edhe romanin historik në italishte La figlia Maledetta më 1863. Një përpjekje për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje bën Oreste Parise, përgatitësi për botim i romanit të sipërpërmendur, pararendës i Emirës. Parise e sheh këtë shtyrje te dështimi a mossuksesi i receptimit të romanit nga intelektualët e kohës dhe erës së re politike që kishte ardhur. Është vetë Santori që në letërkëmbimin e tij me De Radën, më konkretisht më 11 shkurt 1887, i kërkon mikut e botuesit të tij t’i heqë mënjanë një numër kopjesh të Emirës me qëllim që të lexoheshin me një frymë e jo pjesë-pjesë.
Çfarë është “Emira”? Çfarë ngjarjesh ka, mbi ç’lëndë letrare mbështetet? Në ç’kushte u përpilua vepra?
Filologu është ura lidhëse dhe garanti i transmetimit të saktë ndërmjet autorit dhe lexuesve të një vepre. Roli i tij mbaron aty ku nis edhe puna për analizimin e veprës nga studiuesit e kritikët letrarë, të cilët tanimë mund të mbështeten mbi një tekst të sigurt.
Por po rizgjoj kureshtjen e lexuesve të gazetës suaj duke u kujtuar se në këtë dramë bëhet fjalë gjerësisht për dërgimin e kolonelit Pietro Fumel në Kalabri menjëherë pas bashkimit të Italisë. Misioni i tij do të ishte shtypja dhe vënia nën kontroll e fenomenit shumë të përhapur të cubërisë. Santori, mjeshtër në përshkrimin e ngjarjeve dhe zhvillimeve të përditshme, merr shtysën për të shkruar një dramë që do ta pasqyronte në mënyrë reale, gati-gati fotografike, të gjithë përpjekjen e Fumelit dhe taktikat mizore që ndoqi ai. Më shumë histori reale sesa trillim artistik tingëllon përshkrimi që personazhet e Santorit i bëjnë Fumelit dhe bëmave të tij. Ata janë rrëfyes dhe pësues të këtij represioni. Në dramë njihemi me teknikat që përdorte Fumelli: përdorimi i torturës dhe terrorit, pushkatim pa proces gjyqësor të cubave apo civilëve të tjerë të dyshuar, burgosja e të afërmve të cubave, pa dallim moshe dhe seksi për t’i detyruar që të vetëdorëzoheshin, grumbullimi i bagëtive dhe grigjave në vende të rrethuara për t’iu ndërprerë furnizimin me ushqime atyre. Në të vërtetë historia e njeh kështu Fumelin. Ekzekutimet e urdhëruara prej tij bëheshin në vende publike apo nëpër rrugë. Viktimave u hiqej koka dhe vendoseshin mbi hunj si paralajmërim për ata që strehonin apo mbështesnin cubat, kufoma të tjera hidheshin në lumin e Kratit. Episodi më i njohur i represionit të tij të pamëshirshëm mbetet pushkatimi i njëqind fshatarëve të pambrojtur e të paarmatosur në Fanjanë.
“Emira” është shkruar në një fazë kur Santori ishte ndarë nga romanticizmi, dhe kishte përqafuar realizmin, i cili hera-herës bëhet shumë therës. “Emira” është më shumë se histori, është një pasqyrë e gjallës e jetës arbëreshe të kohës, që mbart edhe dramën njerëzore brenda, me karaktere shumë të spikatura personazhesh, me momente trishtimi e gëzimi, shoqëruese të përditshmërisë së tyre. Lënda gjuhësore e letrare mbi të cilën mbështetet janë të folmet arbëreshe dhe folklori i pasur që ata e trashëguan më së miri.
Si ndiheni pas një pune kaq voluminoze, me botimin e romanit “Sofia e Kominiatëve”, të 114 fabulave të shqipëruara në vargje nga Santori, teksteve të rapsodive santoriane dhe tani me dramën “Emira”?
Nxitem të punoj akoma më fort, që si pjesë përbërëse e komunitetit të filologëve që janë marrë e po merren me tejshkrimet e botimet kritike të veprave të tij, të sjellim para studiuesve, studentëve, nxënësve e lexuesve të interesuar Santorin, atë të vërtetin, të pastruar nga çdo deformim që mund të ketë pësuar në rrjedhë të viteve krijimtaria e tij.
Dhe e fundit, përse nuk kemi një imazh të Santorit?
Lidhur me pyetjen tuaj mund të sqarojmë se nuk kemi rënë në gjurmë të një portreti apo fotografie të trashëguar prej tij. Santori vdiq i varfër dhe me brengën e thellë se krijimet e tij do të mbeteshin të “gropsuara ndë errësi”. Kjo brengë ndoshta justifikon edhe dëshirën për të mos u fotografuar dhe vullnetin që me vdekjen të mos mbetej asnjë kujtim pas tij. E gjejmë të konfirmuar këtë fakt në një letër që vetë Santori i dërgon De Radës më 14 shkurt 1894. Do të vdiste 7 muaj më vonë.