More
    KreuLetërsiShënime mbi libra“Melankolia”, ku Konica zbuloi inteligjencën gjuhësore

    “Melankolia”, ku Konica zbuloi inteligjencën gjuhësore

    Poezia e parë e Eqerem Çabejt

    Rastësisht, duke gërmuar në arkivin e periodikëve shqiptarë, atë të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, në një prej faqeve kulturore ndeshëm një poezi të rinisë së gjuhëtarit Eqerem Çabej të titulluar “Melankolia”, shkruar në kohën kur ishte student në Graz të Austrisë.
    Konkretisht, ishte gazeta “Tomorri”, e vitit 1943, e njohur si gazetë e propagandës fashiste, po në fakt faqet kulturore-letrare kishin një qasje të një natyre krejt tjetër. Në vitin e parë të saj, 1941, ishte drejtor Vangjel Koca, që më pas dha dorëheqjen duke e marrë në drejtim Hilmi Leka. Nxitja për të hulumtuar drejt faqeve letrare, ku shumë personalitete të kulturës e dijes shqiptare të viteve ’40, siç duket, e kishin tribunë për t’u shprehur, – pra nga ky hulumtim në një prej numrave të saj ndeshim një shkrim të Faik Konicës mbi poezinë dhe poetët shqiptarë, si refleksion kritik nga vitet ’20. Tanimë e dimë stilin konician, mprehtësinë dhe ashpërsinë e tij kritike, e lidhur kjo me publicistikën, por sidomos me kontributin letrar.
    Në këtë kontekst vështrojmë edhe sot shkrimin që e botojmë të plotë (më poshtë), mbi vjershërimet në Shqipëri. Artikulli është “Vjershat”, ku Konica na afron jo vetëm panoramën poetike, por në konkretizim të kërkimeve të reja poetike sjell poezinë e Çabejt. Siç duket nga artikulli, gjuhëtari, në atë kohë student, ia kishte dërguar personalisht Konicës, kur ky i fundit e “përdor” si fakt të ri letrar, duke sjellë në krahasim një tjetër poezi. Kjo për Çabejn student, përderisa i ka besuar, duhet të ketë qenë një rast i artë, pasi poezia ishte e përfshirë e plotë jo vetëm si publikim, por dhe si vështrim kritik.
    Tërheqim vëmendjen se ironia, intuita, e çon të sigurt Konicën në burimin e së vërtetës, qoftë si fakt letrar, por edhe stilist. Ndërsa çfarë vjen interesante në këtë histori, – mbi zbulimin e poezisë së Çabejt që mund të jetë ndoshta ndër të parat, përderisa Konica e cilëson faktin e studentit – është jo vetëm vlerësimi kritik, si punë fillestare e një vjershëtori. Konica flet për “njolla” të këtij krijimi, duke e shqyrtuar mirë inteligjencën gjuhësore të Çabejt, si një “nga ata që kuptojnë mirë vjershëtorët e gjuhëve të huaja”. Në krahasimin e atypëratyshëm me poezinë e Herman Neumann-it vëmë re ngjashmëri stilistikore, koncepti poetik, por edhe të gjuhës letrare. Në këtë rast Konica nuk e “zhvesh” krejtësisht Çabejn nga shqyrtimi i shpejtë, por e “ruan” për t’i dhënë fuqi shkëndijës së krijuar në ndjeshmërinë e studentit të Grazit. Imagjinoni se ky artikull është shkruar në vitet ’20, pasi bëhet fjalë për një botim të mëparshëm në gazetën “Drita” në Boston, pra është një kohë kur dukej thatësirë në territorin letrar pas së ashtuquajturës Rilindje Shqiptare. Ndërsa entuziazmi i Konicës ka dy tehe, se si përkthimet dhe modeli poetik kultivon brendinë shpirtërore të poetit të ri, deri te shqetësimi se “munt të presim me kohë lulzimin e nonjë vjershëzie me frymë të ndryshme”.
    (V. M.)


    Vjershat
    Një nga gjërat për t’ardhur çudi dhe keq në Shqipëri të sotme, është numër i math i njerëzve që shkojnë kohën duke shkruar vjersha të gjata, pa frymë dhe pa shie. Është vërtet se s’i bëjnë njeriu dëm; po munt t’a përdorjin kohën e tyre më mirë. Për një Gjergj Fishtë dhe për një Andon Chako, që dinë ç’është forma, ç’është ritmi, sa qindëra të terë që nxijnë kartë më kot! Mbaj mënt në kohë të luftës, në Vjenë, një Sulo Be’ Resuli më pruri një vjershë nj’a tetë-qint radhësh ku vajtonte tërmetin e Shkodrës. M’u lut t’a këndoj dhe t’a ndreq. E mbajta një javë: dhe duke shkurtuar këtu, duke shuar atje, duke prerë e duke arnuar, e përmblodha vjershën në nj’a gjashtë dhjet radhë vetëm. Kisha bërë fjalë me vjershëtorin t’piqeshim n’odën t’ime një ditë të shënuar. Dr. Omeri dhe Milto Gurra, të cilët kishin vazhduar gjithë ndryshimet, kur panë fytyrën e re të vjershës, qeshnë dhe thanë se auktori nuk do t’a njihte si të tijnë. Dëshërojin të ndodheshin në atë kohë që të shikojin si do t’a gëlltitë hapin vjershëtori. Po pijm çaj që të tre, “kur namëta”! u-hap dera dhe hyri Sulo Be’ Resuli. Pas komplimentave të zakonëshme, pyeti për vjershën, dhe unë i dhashë “veprën” e tij dhe shkurtimin që kisha bërë nga ajo. E këndoj me habi, u-verdh, u-skuq, kërkoj shpjegime – “shikoni këtu” i thashë: “një fjalë në shkurtimin t’im që nuk ish në vjershën t’uaj; nuk shtova gjësendi, vetëm hoqa ca radhë, u ndrrova vëndin ca të tjerave.
    Me një fjalë e shoshita vjershën, bëra atë punë të mërzitur po të nevojshme të shoshitjes që e bën çdo vjershëtor i mirë po që juve nuk ju pëlqeu t’a bëni”.

    “S’di, munt të jetë më mirë kështu”, tha Sulo Beu; “po unë nuk i vë dot fre enthuasiasmës: kur mar zjarr, më dalin vjershat posi tym, shkëndija dhe flagë, dhe s’e kam në dorë të qëndroi, t’i zgjedh e t’i gdhënt fjalët”. – “Kuptoj” i thashë; “ju zënë ethet poetike, ju ndizet gjaku, dhe nuk munt të ftoheni para se të mbushni disa fletë kartë me vjersha”. – “Tamam ashtu” tha Sulo Beu.

    “Mirë” i thashë unë “po ca ditë pasi i keni shkruar, pse mos i mirrni një nga një radhët. Këtë e bën çdo vjershëtor. Dini frengjishten dhe munt të marrim për shëmbëll La Fontaine-n, sa të lehta, sa natyrale duken vjershat e tij! Rrjedhin si nonjë vijë uji në mes të lëndinave. Duket sikur vjershëtori i ka shkrojtur pa pengim e pa mundim. Po në vafshim në bibliotekën e Parisit ku ruhen dorëshkrimet e La Fontaine-it, do t’i gjejmë të mbushura me të shuara, me shtime, me ndreqje nga dora e vjershëtorit dhe do të kuptojmë se ato vjersha që na pëlqejnë më tepër për gjuhën e ëmblë të tyre, e kanë vënë vjershëtorin në shumë punë”.
    Vjershat, që të quhen me të vërtetë, vjersha, duhet të përmbajnë nonjë mendim të bukur, nonjë ndienjë të thellë ose të hollë, – dhe ky mendim, kjo ndjenjë duhet të çfaqet në një formë të mbaruar. Më zuri njëditëzaj syri një vjershë gjermane me titullin “Das Herz” – “Zëmëra”:

    Zwei Kammern hath das Herz,
    Drin wohen
    Die Freud end der Schmerz.
    Wacht Freude in der einen,
    So schlummert
    Der Schmerz still in der seinen.
    O Freude, habe Acht!
    Sprich leise,
    Das nicht der Schmerz erwacht.

    Zëmëra ka dy të ndara.
    Atje rinë
    Gëzimi dhe Dhëmbja.
    Kur gëzimi ri zgjuar në njerën,
    Ahere dremit
    Dhëmbja e qetë në tjatrën.
    O Gëzim, ki mëndjen!
    Fol ngadalë;
    Se mos zgjohet Dhëmbja!

    Herman Neumann

    Ja një vjershë e vërtetë; dhe ndonëse përkthimi do t’a dobtojë shumë, prap bukurija e saj nukë çduket fare. Nër Shqiptarët nukë gjenden vjersha me frymë t’atillë.
    Mue vjershat shqip që më duken më të mbaruara, flas për të rinjtë, janë vjershat satirike, si ato të Ramiz Harxhit që u-kthyen në Shqipëri, të Merko Koronit që rron n’Amerikë, e të disa të tjerëve. Ato vjeresha kanë një kripë, një shie të veçantë, se janë thjesht kombëtare duke patur rrënjë të vjetëra në Shqipëri.
    Nga student shqipëtarë jashtë, dua të thom nga ata që kuptojnë mirë vjershëtorët e gjuhëve të huaja, munt të presim me kohë lulzimin e nonjë vjershëzie me frymë të ndryshme. Një student n’ Universitet të Graz-it, n’ Austri, më dërgoj ca kohë më parë vjershën që vazhdon:

    Melankolisë

    Kur unj kryet mi tryezë,
    Del ngadal nga det’ i zëmrës;
    Madhështore
    Mbretëreshë, në të zezë,
    Sy prej sfinxi, shpirt-lëngore,
    O Melankoli!-
    E me buzët të përhirë,
    E të ngurëtën fytyrë
    Ç’thua? Ç’thua?…
    Ah, dhe mua
    Ngjeth Drithdire:
    Sapo mezi vien gëzimi.
    E ndiek ti si hij e tij,
    Aq’e qetë,
    Aq’ e shkretë,
    O Melankoli!

    Eqerem Çabej

    Kjo vjershë ka disa njolla; po çfaq një dëshirë dhe një kërkim për rithmë të ri që është për të lëvduar.
    Faik Konica
    (Marrë nga gazeta “Dielli” e Bostonit, viti 1926)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË