More
    KreuIn memoriamMelanie McDonag: Vlerësim për Ismail Kadarenë, një shkrimtar që vërtet e meritonte...

    Melanie McDonag: Vlerësim për Ismail Kadarenë, një shkrimtar që vërtet e meritonte Nobelin

    Përktheu: Jola Tasellari

    Hiq mënjanë Bob Dylan dhe Kazuo Ishiguro, e vërteta është se reagimi i shumë njërëzve kur marrin vesh për fituesin e çmimit Nobel përgjatë këtij shekulli është: Kush? I diskutueshëm është fituesi i fundit, Jon Fosse, por shumica tjetër as që nuk i afrohet peshës së vërtetë të çmimit. Annie Ernaux? Abdulrazak Gurnah? Louise Gluck? Është po aq e vështirë të shmangësh idenë se juria më tepër është ndikuar prej aspektit etno-gjinor sesa ato të meritave letrare përgjatë krijimtarisë jetësore.

    Këtë javë ndërroi jetë, dhe të mërkurën u varros, një njeri që vërtet e meritoi çmimin për të cilin u nominua pesëmbëdhjetë herë; çmim që fort e deshi dhe nuk e mori kurrë: Ismail Kadare. Tetëdhjetë e tetë vjeçari mund të jetë i panjohur për shumë britanikë, por kjo më tepër tregon për ishullizimin e letërsisë dhe kulturës angleze, sesa për meritat e tij letrare. Ai ish’ ajo që duhej, një shkrimtar që krijoi diçka të veçantë; një lloj simbolizmi alegorik, që çau mespërmes kohës për të treguar diçka në një kohë dhe vend tjetër mbi të vërtetat e përjetshme të lirisë dhe tiranisë. Kadare ishte padiskutim shqiptar, padiskutim një shkrimtar kombëtar, por si të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, ai ish’ rrënjosur në një vend të caktuar dhe njëkohësisht universal. 

    Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, romani që e bëri të njohur, shpërfaq historinë e një gjenerali italian që rrëmon në Shqipëri për eshtrat e ushtarëve të tij të vrarë gjatë okupacionit, duke qenë kështu një roman për të gjitha luftërat, po aq sa vetëm për atë luftë. Shpirti i Gjirokastrës, vendlindjes së tij, ia del disi të shpërfaqet në disa prej narrativave të autorit. Ura me tri harqe është kronika e një murgu të shekullit të katërmbëdhjetë, që dokumenton përpjekjet e pafata për të ndërtuar një urë përmes një lumi të vrullshëm, njohur edhe si Ujana e Keqe, që do të shkatërronte tërësinë e varkave të vjetra dhe sistemin e kullimit të qytetit; një metaforë për ballkanasit modern po aq sa dhe ato të vjetër.

    Pallati i Ëndrrave është një fabul gati përndjekëse për një të ri, puna e së cilit është të interpretojë ëndrrat e banorëve për Sulltanin në burokracinë Osmane. Por disa ëndrra janë kërcënuese për stabilitetin e shtetit dhe kësisoj, të rrezikshme. Metafora e dukshme, por kurrë e tepruar. Hije kafkiane? Them se po.

    Kadare ka qëndruar në Moskë përpara se të thyheshin marrëdheniet mes sovjetikëve dhe shqiptarëve, gjë që i ka ndikuar në punën e vet. Libri i fundit ishte Kukulla, një rrëfim i jetës së nënës së vet, me një qasje realiste ndaj atij brezi grash në Shqipëri.

    Kadare është kritikuar se ka qenë pikërisht ajo që nuk ishte: një shkrimtar disident. Kërkoi azil në Francë pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, me argumentin se i rrezikohej jeta me regjimin pasardhës, gjë që dukej mëse e mundshme. Megjithatë, nën diktatin e Hoxhës, shkruajti me metafora në vend që të bënte kritika të drejtpërdrejta mbi regjimin; gjë që duke ditur natyrën e frikshme të atij sistemi, më duket diç e arsyeshme.

    E takova para disa vitesh në Paris, ku shteti Francez, me gjithë vlerësimin për kulturën, i kish’ dhënë këtij azilanti politik dhe së shoqes një apartament të këndshëm pranë Boulevard St Michel. Ishte mikpiritës dhe i gatshëm për ta takuar. Ka ca gjëra që më mbetën në mendje përgjatë bisedës sonë. Kishte jetuar në Gjirokastër në të njëjtën rrugë që ishte rritur Enver Hoxha. Kur e pyeta për kohën se kur e kuptoi se Hoxha nënkuptonte lajm i keq për vendin e tij, ai më tregoi thjesht se e gjyshja nuk kishte ndonjë mendim të mirë për ta si familje. “Nuk janë familje e mirë”, kish’ thënë ajo si me përbuzje. Dhe ashtu doli vërtet.

    Kadare fliste më hapur për diktatorin kur ishte jashtë Shqipërie sesa në Shqipëri, por kujtoi aty kohën kur takoi në Paris vejushën e Enverit, Nexhmije Hoxhën, Elena Ceausescu-n shqiptare. “Nuk ke qenë i sinqertë me ne”, i thotë ajo. Ai i tregon kyçet: “A do tregoheshe ti e sinqertë me një gjarpër?” Pra, me fjalë të tjera, do të thoje çfarë mendoje nëse rrezikoje?

    E pyeta për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe u irritua. “Shqipëria është në Evropë”, tha me zë të prerë, gjë që në mënyrë të pavetëdijshme më çoi të mendoja për Brexit dhe se Evropa nuk është vetëm Bashkimi Evropian. Nuk e pëlqente islamin dhe ishte tërësisht kundër ndikimit turk në Ballkan, si në të tashmen ashtu dhe të kaluarën historike. 

    Në një intervistë tjetër ka thënë diçka që na vlen ta mbajmë mend mirë: “Kam krijuar një korpus letrar gjatë një periudhe, ku kemi dëshmuar dy sisteme krejtësisht të kundërta politike nga njëra-tjetra: një tirani që zgjati plot tridhjetë e pesë vjet dhe lirinë e këtyre njëzetë viteve. Në të dyja rastet e vetmja gjë që mund ta shkatërronte letërsinë mbetet e njëjta: censura ndaj vetes” Kjo na rezonon diç’, apo?

    Kadare ishte një njeri i admirueshëm dhe veprat e tij do vijojnë të jetojnë. Sa e pamend nga ana e jurisë së çmimit Nobel që e ka anashkaluar vit pas viti të vetmin shkrimtar evropian që vërtet e ka merituar çmimin. E donte atë çmim dhe vuri buzën në gaz kur i thashë se mund ta fitonte vitin e ardhshëm. E kisha gabim.

    E nëse Kadare e meritonte çmimin Nobel, përkthyesi i tij, John Hodgson, meriton po ashtu çmim për faktin se e ka sjellë Kadarenë kaq shkëlqyer pranë anglishtfolësve. Homologu i tij francez është Jusuf Vrioni. Përkthyesi është pasqyra përmes së cilit një autor shndrit në një gjuhë tjetër. Nëse është bërë mirë, nuk e dallon asfare. Në të kundërt, menjëherë! Përkthimet e tij ishin të mrekullueshme…

    3 korrik 2024, The Spectator

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË