More
    KreuLetërsiBibliotekë"Mëkati", tregim nga Mehmet Elezi

    “Mëkati”, tregim nga Mehmet Elezi

    Ditën që mbushi njëqind e nëntë vjet Bade Nokja u ndreq në bërrryl dhe lypi me e çue në kishë. Due me u rrëfye. Nusja e nipit e këqyri ngultazi, në rrekje me lexue  ndërmjet rrudhave diçka për shëndetin mendor të Lokes.  Sa ia kish prurë kafen dhe po ia ndërronte shpuzoren. Mos u bëj merak, i tha. Kur të kesh nevojë e thërrasim ne priftin, e bien djemtë fill me veturë. Do Zoti ajo ditë është ende larg. Ti je e fortë. Jo, tha Bade Nokja. Due me shkue vetë. Bëri me shenjë nga celulari që ia linin gjithmonë te kryet, thuaju djemve ta njoftojnë. Ma sill xhubletën. Dua me këmbët e mia.

    Stërnipi ndezi makinën dhe Bade Nokja e pa veten në rrëfimore. Vinte era dërrasë pishe, kisha qe ndërtuar vonë, pasi u përmbys regjimi. Atë, me ma sqarue një pyetje, i tha priftit. Është mëkat me i shpëtue prej vdekjes katër vocërrakë jetimë, në një natë fort të ligë? Prifti i tha të ka bekuar Zoti, ke një familje të ndershme, të madhe sa një katund, bash prej atyre jetimëve që i ke rritur me thonjtë e duarve (para njëqind vjetësh, deshi me thanë, por e mbajti gojën).  M’i bëre leqe pyetjes, tha Bade Nokja. Prifti mendoi se ka fillue me u rrokatë e ngrata. Çudi do të ishte e kundërta, tha.

    Nga barku i Bade Nokes bëheshin 79 frymë, në katër breza, brezi i parë ende gjallë, ajo.  Kur i ndërroi jetë burri, qe nuse tridhjetë e një vjeç, e bukur si dita, me katër carrokë të vegjël prush për tokë. Dhe me kutinë e duhanit në shokë. Vetëm një herë kish hangër një shuplakë prej të shoqit, aq të fortë sa sytë i qitën gaca. Shkak kish qenë pikërisht duhani. Ajo e pinte fshehtas, ai e kuptoi dhe ia veshi turinjve. Ajo nuk qau. Nuk shqiptoi asnjë fjalë. Javë më vonë ai e pa rastësisht gruan kur rrëshqiti në kopsht, këputi hajnisht një fletë duhani dhe filloi me e përtypë. Bëri sikur s’e vuri re. Në fund të javës u kthye prej pazarit me një kuti duhani flakë të re dhe ia lëshoi në prehër.

    – Ia pafsh hajrin. Kalle e qitja tymin faqe gjithkujt, njësoj si unë!

    Kur mbeti e ve, e ktheu me llullë. Kutia lyp zotnillëk, grije duhanin e mbështille me ngé, ku kish ngé ajo? Llulla s’ka kerrname. Shtyp me dorë gjethin e tharë, mblidhe duq me gishta, vuri gacën përsipër, kaq. Me një të mbushur llulla e madhe merrte duhan sa për pesë cigare. Bade Nokja pinte dhjetë-dymbëdhjetë  llulla në ditë. Derisa një prej nipave nguli këmbë, po të blejmë paketa. Me filtër, janë më pak të dëmshme për shëndetin.  Për çudi Bade Nokja pranoi me e lanë llullën. Por cigaret jo me filtër, tha. Me filtër jepja tënd ati. Ato nuk ma shkojnë hujin e duhanit mua. Pinte tetë filxhanë kafe në ditë, ndonjëherë nëntë ose dhjetë, kafe turke të fortë. Llullën e djegur në buzë gjatë dhjetëvjeçarëve kur e ndizte pa pushim, gjithnjë te kryet. Po e mban te nënkresa, si allti, e ngucte stërnipi.

    Bade Nokja iu rrëfye priftit. Herë me zë të rreptë, herë veç lëvizje buzësh, herë thjesht  pëshpërimë, sikur fliste vetmeveti. Dhe në një rast, me heshtje guri.

    Më dëgjo atë. Dhe mos m’iu shmang pyetjes.

    Kokërr drithi nuk më kish mbetur në kullë. Me i lypë kujt s’kisha gojë. Gjindja e gjakut e kumbarët, të tërë më kishin ndihmuar. Të tërë ishin në zgrip për vete. Përveç Sokol Myshkut. Sokol Myshku nuk qe në zgrip. E kish koshin plot me drithë ai. Por Sokol Myshkut nuk mund t’i bija në derë. Kulla e përhimtë e tij nxinte si gur vorri.  Në kodër, matanë përroit.

    Katër jetimët e mij prush për tokë. Shpia pa një kore bukë. Pa një kallamoq me ua zie. Dhe cegmë e madhe, me t’u ngri pështyma në gojë. Zjarrin ua mbaja ndezur edhe natën.  Muret e kullës e hanin zjarrin. Shpia vetëm mure e kulm, e pabërë meremet. Im shoq e nisi e nuk  e mbaroi, aq i kish pasë shkrue Zoti ymër.  Në skaj kisha sajuar një ndarje të vogël. Atë, ti je i ri, nuk mund ta dish. Çelte drita, uji në tas te kryet e fëmijëve kishte ngrirë. Një gisht trashë akulli në të. Vatra nuk mund të ngrohte. Duhej me ngrohë barku. Barku cijatte si kusia  thatë në zjarr. Barku i katër jetimëve prush për tokë. Dy ditë pa shti gjë në gojë. Tri, katër ditë, nuk e di.

    Kishin kënduar gjelat e mesnatës, atë.  Nalt në kodër zymtonte kulla e Sokol Myshkut. Në daç zymtonte, në daç ndriçonte. Në oborr të kullës koshi i madh, koçeku i mbushur plot, misër qelibar. U jep edhe lopëve, thoshnin, por unë s’e di. Nata qe  vorr, atë. E ngrirë si i pamëshiri. E thatë si i pashpirti. Ujqët s’kishin fuqi me ulurue.

    Po qeni i murrët te kulla e Sokol Myshkut a kish fuqi me lehë? Qeni i madh te kulla e Sokol Myshkut kish hangër. Edhe lopët e Sokol Myshkut kishin hangër, thoshnin u jep edhe drithë, jo veç tallë. Djemtë prush për tokë të Bade Nokes s’kishin hangër. Nana asht në këtë botë veç me vuejtë. Me iu ça zemra dyzash. Nanë mos u bafsh kurrë!

    Katër djemtë e Bade Nokes së bukur në gjumë skaj vatrës. Bade Nokja e ngratë merr bregun e përroit përpjetë. Hëna fshehur. Bade Nokja, hënë e vdekur. Qet hapin nëpër terr, bregut të përroit përpjetë. Rrëshqet nëpër gurët veshur me cipë akulli. Ruaju, moj grua, moj zezane e zezë. Se mos e thyen këmbën kund e mjerë djemtë e tu sa grima, jetimë prush për tokë.

    Qeni i idhët i Sokol Myshkut, Samurri i murrët, nuk ndihet. Është lidhur në krahun tjetër të kullës? E kanë shti brenda në këtë mot, ku ujk e dhi flenë bashkë?

    Koshi plot me kallamoq të verdhë zdrit si diell. Koshi plot me kallamoq qelibar merr frymë si i gjallë. Ke zemër ti, kosh? Hape barkun për katër djemtë e mi të ngratë prush për tokë. Çele një birë për thesin tim. Terr skëterrë, nuk na sheh kush. Falmë Zot, për jetën e katër fëmijëve të mi prush për tokë. Sa me e kalue edhe një natë të çartur. Koshi e dëgjon. Koshi çel barkun. Bade Nokja çel grykën e thesit. Samurri i murrët nuk po leh.  Dora e Bade Nokes së bukur, e hollë rreze, tërheq kallamoqët. Nga një, nga dy. Thesi  mbushet deri në gjysmë. Thesi mbushet plot. Ajo kthehet, e lëviz pak thesin, do me ia lidhë grykën thesit. Se çka ndien mbas shpatullave. Mbas shpatullave nxin një hije korbi. Fjalë nuk qet prej goje, as tingull, as zë. Sa kohë ka ashtu shtang, ai burrë? Rri dhe pret sa të mbushë thesin ajo. Bade Nokja çohet. Hija hesht si hije. Hije edhe Bade Nokja. Rrinë ballas pa folur, një minutë, një orë? Ajo le thesin dhe niset. Ai e kap te zogu i dorës. Ajo e këqyr në sy, shihen sytë në terr?

    Ai i bën me shenjë, merre thesin. Ajo mendon më bënë veshët. Ai përsërit, merre. Merre thesin, por dorën nuk ia lëshon. Bade Nokja e bukur e sheh veten ngushtë. Ai do me ia dhanë misrin. Por nuk do me ia falë. Ai po lyp me e këmbye. Po lyp diçka shpërblim. Po lyp një send të vdekur. Të hyrë në dhé për së gjalli. Të hyrë në varr bashkë me të shoqin. Me burrin që Bade Nokja e deshi aq fort. Bade Nokja është betuar para atij trupi si gdhe bjeshke, kur e paloi nën dhé.  Është betuar në Zot.

    Katër djemtë e saj si katër zogj pa pendla, skaj vatrës, te hiri. Zjarri shkimë, ata po dridhen. Ata po flasin përçart. Janë çuar jerm ndoshta. Dritaret e kullës u duken si sy ujku. Trarët e kullës mbi fytyrë si kthetra. Zjarri si gojë kulshedre. Gërryer barku i tyre, i tëri bërë përrua. Zjarri do të jetë shkimur tashti. Ai nuk ia lëshon dorën. Ç’po kërkon moj dorë? Katër djemtë e mi te votra, të zbehtë si vdekja. Zjarri është shuar, ata po ngrijnë, shpluet. Zemrat ligështuar për një kore bukë. Ai nuk ia lëshon dorën. E vetmja dorë ku mund të kapen sonte ato katër jetë të vockla.  Mund të vish sa herë të duash, dëgjon ajo një zë të huaj. Një zë nga matanëbota. Ai nuk ia lëshon dorën.

    Natë, faleminderit, që je e verbët sonte.

               Yje, faleminderit, pa sy, dritëngrirë.

    Vdekje ku je? Ah, jo. Djemtë e mi të vegjël prush për tokë!

    Atë, m’u tëhuajsua krejt shtati im. I fëlliqët m’u bë, i ndytë. As me e prekë veten me dorë nuk doja!

    Njëqind vjet m’u dukën derisa  mbërrina në kullë. Sa të mbërrij në kullë, thashë, e ta ve kusinë mbi zjarr. Ta vloj ujin fort e t’ia lëshoj shtatit tim. Ashtu të valë  t’ia qes. Ta laj, ta rjep. Shtatin tim fëlliqur si kurrë, kësaj nate. Si kurrë. Dhe kurrë më!

    Nuk desha me vdekë pa u rrëfyer, atë. Është mëkat që i shpëtova gjallë katër jetimët atë natë? Katër vezë të vogla, në mes të udhës së madhe. Gjithkush mund t’i shkelte. Mund t’i shtypte gjithçka.

    Stërnipi po e priste në oborr të kishës. Pa dalë nga makina. Dëgjonte muzikë. Ndërronte ç’kemi me dikë në telefon dhe buzëqeshte. Pa të shoh një herë, shumë po vonohet Lokja. Në derë u përball me priftin. Prifti bëri kryq.

    – E thirri Shën-Pjetri, bir!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË