More
    KreuLetërsiBibliotekë"Medaljoni i Dyrrahut", fragment romani nga Pol Milo

    “Medaljoni i Dyrrahut”, fragment romani nga Pol Milo

    Vështroni si shket sipër valash

    E tundet anija me nge! –

    …Me krismë e me prush prej stërkalash

    Mi të shkreptiu një rrufe!…

    Lasgush Poradeci

    Peshkatarët mblidheshin rregullisht në barakën e Urës së Dajlanit. Ata kishin hapur rrjetat e tyre dhe po i pastronin. Më pas u qepin të çarat, i mbledhin dhe bëhen gati për çastin e duhur.

    Pasi mbarojnë punë me rrjetat, ulen në stolat e drurit dhe porositin.

    Aty diskutohet, pihet cigare, verë, raki dhe tregohen histori gjatë gjithë ditës. Ca histori të vërteta e ca histori të kamufluara, sipas stilit vetjak të narracionit. Petraqi zakonisht diskutonte qetë. Të gjithë e dëgjonin me vëmendje jo vetëm si një nga më të vjetrit aty, por edhe si i ditur dhe i lexuar. Ata të gjithë mendonin se Petraqi kishte një rrjetë të fshehtë, mistike, për teorinë e kapjes së peshqve.

    Këtu nuk ishte fjala për të kapur peshqit e mëdhenj, por, fundja, edhe ata peshkatarë ishin. Ai thoshte se peshkatarët janë si shkrimtarët. Të dy janë vazhdimisht në peshkim. Disa gjuajnë peshq, disa gjuajnë karaktere. Më pas, karakteret e tyre i ngjallin nëpërmjet personazheve të tregimeve. Ata të gjithë ishin të sigurt se, mos në ndonjë libër a në ndonjë tjetër, ata janë si personazhe të gjalla, të lëvizshme, dinamike. Për këtë qeshnin me të madhe dhe ngrinin dolli. Ngrinin dolli për shpirtrat e tyre, që do të ringjallen nëpërmjet personazheve të librave, njësoj si Krishti ringjalli Shën Llazarin nga varri. Dhe për këtë ndiheshin krenarë, pasi edhe Jezu Krishti i Nazaretit fundja, peshkatar kishte qenë.

    Një ditë ai kishte dalë për peshkim, bashkë me peshkatarët e tjerë, dhe ishin kthyer me barkat plot me peshq. Kishin festuar duke pirë verë pafund. Madje njëherë, thoshin ata me bindje të plotë, kur vera kishte mbaruar, Jezu Krishti e kishte kthyer ujin në verë dhe ata kishin pirë deri natën vonë. Gjashtë voza nga gjashtëdhjetë e gjashtë litra secila. Për këtë duhet Krishti, argumentonin ata, për të mbushur varkat me peshq dhe vozat me verë.

    – Po ujin në raki, a e kthen ai Krishti juaj? – kishte pyetur një peshkatar tjetër. – Unë verën nuk e pi, por ama rakinë e thaj. Ndoshta ndonjëherë qëllon ta kthejë ujin në raki, e atë ditë më thërrisni edhe mua.

    – Po kaq shumë sa ke pirë ti, do të të ketë zënë gjumi atë ditë! – i kishin thënë ca të tjerë duke qeshur.

    Sa më shumë që takohej me peshkatarët, aq më shumë kuptonte se e kaluara dhe e ardhmja ndërthureshin me njëra-tjetrën. Më pas Petraqi i kishte folur edhe për disa dorëshkrime që ndodheshin në Vatikan, si edhe i kishte dhënë disa informacione që sillte deti për anijet e mbytura me amfora me verë të Shën Pjetrit, apo dhurata me mish dhie pastërma, që Skënderbeu i dërgonte Papës në Romë.

    Këtu vinin e fshiheshin piratë detesh, kusarë, hajdutë. Vidhnin andej dhe i sillnin këtej. Në këto anë vinin nga Franca, Spanja, Malta, Egjipti e Italia. Ata tregonin se këtej kishte kaluar Odiseja, Herkuli, Bajlozi i detit. Ja nga këtu kishte ardhur, derisa Gjergj Elez Alia ia çau ballin me topuz. Pastaj diskutimi vijonte edhe më tej, me analiza më të thelluara. Këtu erdhën edhe gjermanët, por jo për të pushtuar. Ata thanë që erdhën vetëm për të kaluar këndej, por nuk ishte vetëm kaq. Hitleri nuk u sul për të pushtuar, por për të zbuluar mistere. Ai ishte pjesë e një sekti sekret me qëllime të qarta dhe okulte. Ai gjithashtu përdorte edhe simbole, siç ishte kryqi i thyer, simbol pagan i hershëm. Mozaiku i kryqit të thyer u gjet më vonë në themelet e një pallati pranë forumit bizantin të qytetit. Por ai kryq provon se këtu kanë ekzistuar simbole pagane shumë më parë se periudha bizantine apo romake.

    Në një gur që ishte përdorur në murin bizantin të qytetit, doli se nga pas tij ishte gdhendur një yll me pesë cepa. Guri u zbulua kur u shemb një pjesë e murit bizantin gjatë një tërmeti të fuqishëm. Kurse ylli ishte gdhendur në gurin, që dikur shërbente si një pjesë në hyrjen e një tempulli pagan. Ylli ishte simboli i dritës dhe i dijes. Tempulli më pas u shkatërrua. Ata gurë kohë më pas u ricikluan, duke u përdorur për ndërtimin e mureve dhe ndërtesave të mëvonshme.

    Sa shumë mistere ka këtu, që ende nuk janë zbuluar!

    Në trojet ilire ylli ekzistonte si simbol. Apostujt e mistereve vinin këtej për të kërkuar shenjat. Astrologët gjithashtu. Areali i Mesdheut, që përfshin të gjitha tokat e kulturuara, ka qenë plot me simbole. Të njëjtat simbole janë shfaqur paralelisht njësoj si në Egjipt, Marok, Jerusalem apo deri në Etiopi. Gjuha dhe simbolet vijojnë të jenë të njëjta si atëherë. Një qytetërim i lashtë me emrin Atlantidë, që dikur lulëzoi fort, tashmë është zhdukur. Thuhet se pjesë të këtij qytetërimi gjenden nën ujërat e deteve. Vetë Mesdheu ka qenë pjesë e një Atlantide të mrekullueshme.

    Kurse dijen grekët e vodhën nga egjiptianët. Më pas e morën romakët. Apostulli erdhi në brigjet e Mesdheut ku flitej shqip dhe zbriti në Thesaloni, deri në kufijtë ku flitej kjo gjuhë. Pastaj u kthye sërish. Po të kishte mundësi të shkruante, ai do të kishte shkruar disa letra në gjuhën shqipe.

    Përpiluesi i hieroglifëve egjiptianë, profeti Thot, fliste shqip. Mbishkrimet më të vjetra në tokë flasin shqip, gjuhë nga e cila lindën gjuhë të tjera të popujve të botës. Mbijetesa e popullit shqiptar dhe prejardhja e tyre pellazgo-iliro-etruske hedh dritë mbi të vërtetën që nuk guxon të zbulohet.

    Nga filozofët e kohës së vjetër mësojmë për popujt e Hënës, të cilët erdhën në fuqi pas agresioneve të njëpasnjëshme të fiseve të egra primitive, duke lakmuar dhe uzurpuar begatinë e popujve të Diellit.

    Për këtë Herakliti kishte paralajmëruar: “Mos ju mbaroftë pasuria, o burra të Efesit, që t’ju turpërojnë poshtërsitë tuaja”.

    Forcat e dritës në botë, pasardhësit e popujve të kulturës hyjnore të kohës së vjetër, të stepura nga forca e errësirës ndër shekuj, nga kahet e egra dhe anarkike të zhvillimit të botës dhe të civilizimit njerëzor, sipas një ligji të natyrshëm, pritet të zgjohen sërish nga gjumi mijëravjeçar. Këto forca do të mundin dhe demaskojnë botëkuptimin e trashëguar mesjetar, duke rindërtuar Epokën e Artë, në shembullin e ndritur të rilindësve etruskë, si Leonardo da Vinçi, Dante Aligeri, Marin Barleti, Galileo Galilei e mijëra pellazgo-etrusko-ilirë të kohës së re. Koha e re duhet të sjellë rilindjen nga obskurantizmi mesjetar i feniksit të ndritur njerëzor, nga gjiri pellazg i shpërndarë anembanë botës dhe nga mrekullia hyjnore dionisiane dhe apoloniane.

    Peshkatarët argumentonin se këto baraka ishin njësoj si tavernat e Adriatikut. Shoqëritë sekrete në botë nuk bëjnë dot asgjë pa tavernat. Jo më kot lozhat e tyre e nisin jetën nëpër taverna dhe hane, në mënyrë që pija dhe ahengu të mos jenë pjesë e pandershme e përfytyrimit të tyre në publik. Ata besonin se do të vinte një ditë, kur historia do të rishkruhej sipas mënyrës së vërtetë, duke përfshirë të gjitha të vërtetat e lëna ose të harruara jashtë saj.

    Ilirët nuk ishin të dhënë vetëm pas traditës, por edhe pas prakticitetit. Ata kishin krijuar një kombinim të simboleve, ngjyrave, estetikës jetike me pjesën praktike të jetës. Zejtarinë, prodhimin, bujqësinë dhe peshkimin e kishin mënyrë jetese. Sipas kësaj mënyre, ata rregullonin marrëdhëniet me forcat e natyrës. Adhuronin perënditë, yjet dhe diellin, por i zbukuronin shtëpitë, veshjet, orenditë me një kulturë të çuditshme. Përdornin aromat, erëzat, vajrat dhe sidomos verërat. Amforat e verës dhe enët e baltës dinin t’i piqnin, t’i pikturonin dhe t’i lyenin me ngjyrë të kuqe. Ngjyra e kuqe tek amforat është simboli i verës. Vera është përdorur masivisht gjithmonë. Edhe gjatë luftës, edhe në kohë paqeje, në gëzime, festa, hidhërime dhe vdekje.

    Skënderbeu vetë e dinte mirë këtë. Ai dhe ushtria e tij pinin verë para betejave dhe pas tyre. Dheu në betejën e Vajkalit ishte i kuq, jo prej gjakut, por prej verës. Vera për herë të parë është prodhuar në Iliri. Më pas është çuar në Alba të Piemontes.

    Njëri nga peshkatarët tregonte për thesare të tjera, të humbura në anijet e mbytura, qypa me florinj, monedha, diamante, varëse dhe medaljone të shtrenjta. Njëherë kishte ndodhur që në veri të Bishtit të Pallës, aty ku përfundonin batllat nënujore, kishin parë një dritë të fortë që dilte nga fundi i detit. Dukej se atë dritë e krijonte diçka e mbinatyrshme. Peshkatarët ishin frikësuar. Duke qenë se atë ditë po afronte stuhia, deti ishte i turbull dhe me dallgë. Një erë e fortë frynte nga jugu, në drejtim të kundërt, dhe anija mezi lëvizte. Të gjithë e dinë se kur fryn jugu, sjell vetëm stuhi, erë e dallgë. Ishte muzg, gati në të ngrysur. Në një moment kujtuan se ishte një rrufe që çau qiellin. Por më pas panë që drita e fuqishme erdhi nga fundi i detit. Ishte shpirti i Poseidonit, argumentonin ata. Një forcë elektrike aq e madhe patjetër që ishte mbinatyrore, ose mijëra vite më parë aty ka qenë mbytur diçka. Diçka e fuqishme që prodhon dritë. Në kthim nuk e kishin hapur më atë muhabet, pasi kishin pasur frikë se mos e bllokonin peshkimin nga ajo anë.

    Shumë fenomene të pashpjegueshme kanë ndodhur historikisht në rrethinat e këtij qyteti. Siç vijojnë të ndodhin ende. Një fenomen i pashpjegueshëm është edhe situata aktuale e qytetit, thoshin peshkatarët. Një situatë kaotike, një kaos i vërtetë. Dikur kishte më shumë rregull. Tani s’ka asgjë. Nuk merr vesh i pari të dytin. Për këtë kishin thirrur për ndihmë sërish Petraqin, pasi vetëm ai me teoritë e tij mistike mund t’u jepte shpjegim këtyre fenomeneve.

    Petraqi kishte folur për teorinë e moderuar të kaosit, ku brenda tij ka rregulla, dhe brenda këtyre rregullave është teoria e grepit të peshkatarit. Por që t’i kapësh, duhet të jesh peshkatar. Për teorinë e kaosit kishte edhe një libër në anglisht, që Petraqi ia kishte dhënë Andrit ta studionte. Aty ai kishte gjetur mjaft gjëra të pashpjegueshme, që vetëm në këtë mënyrë merrnin kuptim. E pashpjegueshmja që shpjegohet nga qielli, thoshin peshkatarët.

    Qielli është mbretëria e kaosit të programuar. Mistikët e kishin kapur këtë veçori të kaosit, atij kaosi të përbuzur nga sistemet aktuale të rendeve sociale. Kaosi është mbreti i botës së madhe e jo më i këtij qyteti të vogël. Prandaj njeriu ka ndryshuar, nuk është ai që ka qenë para një mijë apo dy mijë vjetësh.

    – Mos hyftë e keqja e metropolit! – thoshin ata. – E keqe e përhershme, e pashërueshme, ku fshatarët bëhen ministra, por kurrsesi zanatçinj; peshkatarët peshkojnë jo vetëm peshq, por edhe teori filozofie.

    E pastaj qeshin dhe bëjnë gëzuar me verë të kuqe të hapur, të prodhuar në rrethinat dhe fshatrat e qytetit. Dikush thoshte se është bërë me hile, por askush nuk e çante kokën, për aq kohë sa e hidhnin në bark dhe ua sillte trutë vërdallë.

    Gëzuar!

    ***

    Dielli ndriçonte detin e qartë dhe rërën si kristal. Përgjatë bregut, një burrë me rroba të gjata dhe me një kapelë të kuqe dukej i vetmuar. Në dorë mbante një detektor metalesh dhe lëvizte me të përgjatë bregut sa majtas-djathtas. Duke qenë se ishte zbaticë dhe deti ishte tërhequr, ai kishte mundësi të futej deri në pjesën e zbuluar të tokës me brazda dhe të vijonte të kërkonte. Pastaj dilte sërish në rërën e bardhë.

    Gjente hekurishte të ndryshme, sende prej bakri, hekuri, bronzi, alumini, sermi e floriri. Gjente zinxhirë, vathë, varëse të çfarëdo lloji. Njerëzit që i kishin humbur, bashkë me to kishin humbur edhe shpresën se mund t’i gjenin sërish. Kështu që, sipas ligjit të së drejtës romake, kush i gjente ato, bëhej pronari i tyre. Gjetësit i lindte e drejta e pronësisë mbi reliktet që gjente. Ndaj kërkonte dhe gërmonte. Futej në det dhe dilte sërish. Ndalonte. Gërmonte.

    Sapo gjeti një varëse, e ngriti ta shikonte më mirë. Duhej t’i kishte rënë ndonjë vajze a gruaje. Atë duhej t’ia kishte dhuruar dikush.

    Ndoshta të kërkoje me detektorin e metaleve ishte gjëja më e mirë që mund të bëje. Mund të kërkoje dhe të gjeje detaje dhe fakte për tezat shkencore. Mund të gjeje edhe medaljonin e dijeve. Atë që ndriçon si dritë. Ndoshta po, pse jo!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË