More
    KreuLetërsiBibliotekë"Më fal, më fal, më fal", tregim nga Marie Aubert

    “Më fal, më fal, më fal”, tregim nga Marie Aubert

    ‘Në një nga ditët e ardhshme, me të dalë nga shkolla, do të shkojmë te pishinat publike,’ them unë. ‘Të pëlqen ideja?’

    ‘Sot?’ pyet ajo.

    ‘Sot ke për të shkuar te mami,’ them unë. ‘Është e premte.’

    Ajo përpiqet që ta zhbllokojë rripin e sigurisë; butoni, herë pas here, është problematik, dhe për më tepër ajo nuk është mësuar të ulet përpara. Më në fund, unë i vij në ndihmë. Oborri i shkollës është i mbushur me fëmijë; është pushimi i parë.

    ‘Maja,’ them unë. ‘Si thua, do ta përqafosh babin?’

    Ajo është e mpirë, por gjithsesi më lejon ta përqafoj. ‘Më fal,’ them unë, dhe filloj nga e para duke i përsëritur fjalët, të paktën, tre herë. E lejova ta veshi fustanin vjollcë, pavarësisht se bën akoma shumë ftohtë. Herë pas here, jam përpjekur më kot që t’ia lidh flokët gërshetë, gjë që e mërzit shumë, edhe pse ajo e di që Kathinka është vetmja e cila mund ta ndihmojë në këtë punë. Një faqe i është buhavitur, por këtë nuk do ta kisha vënë re po të mos e dija se çfarë ka ndodhur. Nuk e besoj.

    ‘Mund të largohem tani?’ pyet ajo.

    Qëndroj ulur pa kurrfarë dëshire për të folur, por më në fund, miratoj me kokë. Si ngaherë, ajo e përplas derën me forcë pas vetes, ndërsa unë filloj të kërkoj. Çantën e shkollës ngjyrë rozë me stampën e Elsa-s nga filmi Frozen, si edhe zverkun të mbuluar nga flokët e saj të imtë që është shumë e vështirë për t’i lidhur gërshetë. Kështu, unë nxjerr veturën nga parkimi dhe marr rrugën poshtë drejt autostradës ku dhe përfundoj i bllokuar në mes një vargu të gjatë makinash.

    Kohët e fundit, çdo mëngjes Maja nxjerr trikon e leshtë për ta veshur në shkollë. Është një veprim që përsëritet shumë herë. Pulovra nuk i pëlqen, pantallonat gjithashtu. Shtratin e vet nuk e honeps. Dëshirë t’i pastrojë dhëmbët nuk ka, sepse pasta e dhëmbëve nuk është e njëjta me atë që ka në shtëpinë e mamasë.

    ‘Edhe këtu në shtëpinë tënde je,’ i them unë. ‘Në shtëpinë e babait.’

    ‘Jo, nuk është kështu,’ p;rgjigjet ajo.

    Ajo hedh shkelma në drejtimin tim, më shtyn dhe më shan, ‘baba i keq, baba i keq.’ Ajo nuk lodhet kurrë, shkelmon, ulërin dhe këlthet me një forcë natyrore sa herë që e bën këtë. Unë i bërtas, më bëhet sikur stomaku më merr zjarr, duart dhe fytyra më përvëlojnë; nuk e di se nga më vjen kjo, godas murin, ndërkohë që pejzat e fytit më tendosen çdo mëngjes, çdo mëngjes të mallkuar, çdo mbrëmje kur ajo bëhet gati për të fjetur. ‘KUR DREQIN DO T’I VESHËSH PIZHAMAT DHE DO TË BIESH PËR TË FJETUR?’ Acarimet më kanë lodhur. Britmat nuk i duroj dot më. Ndjehem i dërrmuar. Trupi po më shkërmoqet. Koka më buçet. Kam nevojë për qetësi. Çdo mëngjes, gjatë rrugës për në shkollë çirremi të dy; në punë arrij gjithmonë me vonesë. Sa herë që e kthej te Kathinka, ajo i ngjitet mamasë pas trupit te hyrja e shtëpisë tek i thërret ‘Mammaaa! Sa shumë më ke munguar!’ Këtë e bën me një zë të dhimbshëm, a thua se e kam keqtrajtuar, ndërsa Kathinka është pothuajse e gatshme të më drejtohet me një zë fishkëllyes dhe të më pyes se çfarë ka ndodhur; i them se nuk ka ndodhur absolutisht asgjë, por e shikoj që ajo nuk më beson.

    Sa herë që takohemi, nuk flasim për asgjë tjetër veçse për Maja-n. Nuk zëmë në gojë as ekonominë, as  avokatin, por as edhe Nina-n. Këtë të fundit jo që jo. Tek rrijmë tek dera, flasim vetëm për takimin me prindërit dhe rrobat e palestrës, ja, kështu ia dalim mbanë ne. Maja i qëndron ngjitur Kathinka-s dhe i rrëfen asaj, në një mënyrë argëtuese, gabimet që kam bërë unë.

    ‘Babi harroi të m’i jepte me vete rrobat e palestrës, po, ai harroi,’ thotë ajo tek shikon Kathinka-n plot shpresë, ndërsa Kathinka, sikur t’i ketë humbur të gjitha shpresat tek unë, më buzëqesh. Në të vërtetë, ajo duket e kënaqur, e kënaqur, ta marrë dreqi ta marrë.

    Që herët në mëngjes, gjithçka shkoi mbrapsht. Ajo përmbysi kartonin e qumështit, i cili, u derdh i gjithi në dysheme. Unë shkela mbi të. Ushqimin e paketuar që ajo do ta merrte me vete në shkollë nuk po e gjeja dot, ndërkohë, ajo angullinte se unë isha trundryshkur dhe një baba i keq, i keq, i keq. Tek po qëndronim në korridor dhe bëheshim gati të dilnim jashtë, me njëzetë minuta vonesë, ajo filloi t’i hiqte getat që kishte veshur.

    ‘Maja, mos fillo prapë me këto tani,’ thashë unë.

    ‘Nuk dua t’i vesh getat,’ tha ajo. ‘Ato më hanë.’

    ‘Getat janë shumë të bukura,’ thashë unë. ‘Dje i veshe.’

    ‘Nuk dua t’i vesh!’ ulëriti ajo.

    U përpoqa që ta mbaja nga krahët me qëllim që të mos e lejoja të zhvishej. Vijuan britma, ulërima, shkelma. U inatosa aq shumë, sa po më dridheshin duart, stomaku më digjte; tek qëndroja i përkulur mbi të, ndjeva pështymën në të dy cepat e gojës dhe përsëri shkela me këmbë getat e saj, ndërkohë që ajo ulërinte. ‘Dua të shkoj te mami,’ bërtiste ajo, ‘dua të shkoj te mami.’ Në momentin që e lashë pak më të lirë, ajo më iku sërish nga kontrolli, dhe duke i marrë me vete getat, goditi me këmbë një radhë me këpucë por dhe çizme që i degdisi në të gjitha qoshet. Aty, e godita, fort. Shuplaka e kapi te mollëzat e faqes dhe te syri i majtë. Ajo humbi ekuilibrin dhe për pasojë përplasi pjesën e pasme të kokës te faqja e murit ku varen xhaketat. Goja i mori për poshtë në njërën anë, më pas, u dëgjua një rënkim i gjatë. ‘Më iku,’ mendova, dhe qëndrova në këmbë pa lëvizur, me sytë mbi të. ‘Më fal,’ thashë unë. Gjoksi dhe stomaku më kishin marrë flakë. ‘Më fal, më fal, më fal, më fal.’ E mora në dorë dhe e tunda. ‘Më fal, më fal, më fal, vogëlushja e babit. Nuk doja ta bëja këtë, nuk kisha ndërmend, nuk doja ta bëja këtë. Më fal, humba durimin. Nuk duhej ta kisha bërë kurrë një gjë të tillë, nuk duhej ta kisha bërë kurrë këtë.’

    Më pas, gjeta një qese me copa akulli në frigorifer, e futa në një shami dore dhe ia vendosa mbi sy. Pallton e dimrit e mbante akoma të veshur. Në frigorifer gjeta një coca-cola bajate dhe mbusha një gotë për të, si një idiot.

    ‘I kam larë dhëmbët ,’ tha ajo duke e larguar gotën nga vetja.

    Sa nuk shpërtheva së qeshuri nga përgjigja e saj, sa e zgjuar, dhe sa e mirë që u tregua.

    ‘E shikon, tani kam për t’u vonuar,’ tha ajo tek qëndronte ulur dhe ndryste syrin me qesen e akullit.

    ‘Do dërgoj një mesazh,’ thashë unë.

    ‘Çfarë do të shkruash?’ pyeti ajo duke më hedhur një shikim vjedhurazi me syrin tjetër. Goja e saj ishte shumë e vogël.

    ‘Do të shkruaj se sot u zgjuam me vonesë,’ thashë unë. Ajo nuk foli.

    Mësueses së saj i dërgova një sms. Përshëndetje miqësore dhe emoji me fytyra që buzëqeshnin. ‘Dreqi e marrtë,’ thashë unë, tek ndjeva një të përzier në të gjithë trupin. I përkëdhela flokët. Floku i saj është shumë i butë. Ajo mbështeti fytyrën në të dyja duart dhe hodhi shikimin nga tavolina.

    ‘Nuk duhej ta kisha bërë kurrë atë që bëra,’ thashë unë. Askush nuk ka të drejtë të veprojë kështu. Këtu përfshihem dhe unë.’

    Më në fund, e mora pranë vetes dhe e ula në prehër; ajo mbështeti kokën në gjoksin tim dhe më mori në gushë. E largova pak nga vetja dhe e pashë me kujdes. Faqen e kishte akoma të kuqe. ‘Mund t’i ngeli edhe shenjë,’ mendova. Ndoshta, kur ta çojë me makinë te Kathinka, shenja do t’i duket.’

    Gjendja e trafikut nuk kishte pësuar asnjë ndryshim. Duhej t’i kisha thënë se nuk duhej të fliste për atë që kishte ndodhur. Pa shiko ku më shkon mendja. Marr Nina-n në telefon, dhe është pikërisht ajo që e ngre receptorin.

    ‘Hej, i dashur,’ thotë ajo.

    Kisha shpresuar se telefonin do ta ngrinte dikush tjetër. I them se jam përsëri me vonesë për mbledhjen e mëngjesit, kurse ajo qesh dhe më pyet nëse gjërat përsëri kishin dalë jashtë kontrollit.

    ‘Po,’ përgjigjem unë. Asaj i kanë pëlqyer gjithmonë shakatë.

    ‘O zot,’ thotë,’ ajo. Ajo nuk është aspak naive.

    ‘Nuk është aspak e lehtë për të,’ them unë.

    ‘Sigurisht që jo,’ thotë ajo pa vonesë. ‘Këtë e di mirë.’

    Tek jam duke parkuar, më vjen ndërmend ideja se me t’u futur brenda në shtëpinë e Kathinka-s, Maja do të vë ulërimën, ‘babi më rrahu, babi më rrahu.’ Ajo nuk ka për të ardhur më që të rri me mua, në shtëpinë time, Kathinka nuk ka për ta lejuar një gjë të tillë, mundet që të marrin telefon nga shkolla, dhe madje, edhe nga organizata e mbrojtjes së fëmijëve; më merren mendtë, kam qëlluar me pëllëmbë vajzën time.’

    Kur arrij në punë, mbledhja e mëngjesit sapo ka mbaruar. Të pranishmit dalin nga mbledhja me kupat e kafesë dhe laptop-ët nëpër duar. Në ajër ndjehet aroma e së premtes, për pushimin e drekës, qeraset tortë. Nina më jep një ledhatim të shpejtë tek më kalon pranë. Stein-i më përshëndet me kokë, ndërsa unë i kërkoj të falur.

    ‘Nuk ka asnjë problem,’ thotë ai dhe më godet lehtë mbrapa shpatullave. ‘Nganjëherë ndodh edhe kështu, ja, mblidhemi të gjithë së bashku.’

    A thua se mua më kishin ardhur periodat. Asgjë nuk po shkon mbarë. Të tjerët merren me projekte për të cilat nuk kam asnjë lloj interesi deri në momentin e fundit. Së shpejti, do të ma vënë vizën, për shkak të Maja-s, ndërsa unë ndjej turp që mendoj gjëra të tilla. ‘Më fal,’ them me vete, është e vetmja gjë që them gjatë gjithë ditës, ‘më fal, më fal, më fal.’

    Nina futet vjedhurazi në apartamentin tim me dëshirën që ne të puthemi, ndërkohë, unë ndërroj kafen në makinën e kafesë në një cep të kuzhinës.

    ‘Do të vish tek unë pasi ta çosh Maja-n në darkë?’ pyet ajo.

    ‘Patjetër që po,’ përgjigjem unë.

    Në apartamentin e saj mbrëmjet janë të bukura. Ne gatuajmë, pimë verë, bëjmë dashuri dhe më pas shikojmë një film. Të jepet përshtypja se je me pushime. Në raste të tilla, përpara se unë të mbërrij aty, ajo bën shumë, pastron, merr pluhurat me fshesën e korrentit, blen verë të shtrenjtë, fileto, si edhe përpiqet të tregohet e shpenguar. Duket shumë qartë se ajo mezi pret që të më shikojë, dhe kur e takoj mëngjeseve duket se është në siklet që unë t’i them diçka tek e cila ajo të mbështetet fort, t’i them se unë dua që ajo ta takojë Maja-n, dhe se ne të dy do të fillojmë të bashkëjetojmë në të njëjtin apartament.

    ‘Më dukesh shumë i lodhur,’ thotë ajo tek më puth në anë të buzëve.

    Më pushton dëshira që t’i them se kot sorollatesh dhe ëndërron të bësh fëmijë me një abuzues fëmijësh.

    E vështroj tek qëndroj i ulur para kompjuterit duke u shtirur se po punoj. Ajo është ulur pranë dritares, e shikoj në gjysmë-profil. Ja, kështu e pashë atë gjatë gjithë stinës së vjeshtës vitin e kaluar. Tani ajo është më e imët; mund të them se kjo nuk është gjë e mirë për të, vërtet, dhe sikur të isha i aftë, unë do t’i jepja fund çdo gjëje me të. Çfarë di Nina, me gjithë librat e saj, me hyrjen e saj të vogël me dy dhoma dhe shoqet e veta me foshnje të vogla, stërvitjen që bën në palestër, dhe kohën që disponon? Çfarë di ajo për mua, Kathinka-n, Maja-n dhe për të gjitha ato që ne përfaqësojmë?

    Jam duke pritur në makinë jashtë shkollës. Fëmijët dalin jashtë duke rendur, tre nga tre, dy nga dy, dikush vetëm, ngadalë dhe të ndrojtur, të tjerët në grup duke ulëritur. Maja është futur në mes dy vajzave, ose është pak e tërhequr më mbrapa, për këtë nuk jam i sigurt. Ajo futet në makinë dhe përshëndet. Gërshetat pothuajse i janë prishur plotësisht, ndërsa kordelet i qëndrojnë me vështirësi mbi flokë.

    ‘E kalove mirë sot?’ e pyes unë.

    ‘Mirë,’ thotë ajo.

    Është ajo Maja e zakonshme, por ndoshta jo plotësisht.

    ‘Me kë e kalove pushimin e madh?’

    ‘Me Mia-n dhe Selma-n.’

    ‘Çfarë bëtë gjatë pushimit?’

    ‘Luajtëm me litar.’

    ‘Oh, sa mirë.

    ‘Unë kërceva me litar më shumë se vajzat e tjera,’  thotë ajo tek më shikon drejt e në sy për herë të parë. Gjithmonë e jep veten kur ndjehet krenare, nuk e fsheh dot. Buzëqeshja e saj e përmbajtur përshkon gjithçka tej për tej, ndaj si unë dhe Kathinka, nuk mund t’i bëjmë ballë.

    ‘Je shumë e zonja!’ them unë me një entuziazëm të tepruar dhe e përgëzoj duke i rrahur supet lehtazi.

    ‘Çupa ime!’

    Faqen e majtë e ka akoma të fryrë. Nuk ka mundësi të gjendet sy në botë që të mos ta vë re atë. E vështroj me kujdes nëpërmjet pasqyrës tek ngas makinën, dhe përpiqem ta vë veten në vendin e Kathinka-s në momentin kur ajo do ta takojë, pa ditur asgjë. Ndodhem me vajzën time pas një dite të zakonshme, por nuk po ia dal dot, jam shumë i inatosur. Mendoj për zërat e lartë, ngërdheshjet, avokatin dhe shërbimin e mbrojtjes së fëmijëve. Ndez dritat e parkimit, fus makinën në një xhep të zbrazët ku zakonisht pushojnë autobusët, dhe frenoj.

    ‘Ke folur sot me ndonjë tjetër për këtë?’ e pyes unë.

    Ajo mohon me kokë dhe hedh shikimin nga dritarja, me kokën tashmë të ulur e të mbështetur mbi gjoks.

    ‘Është më mirë të mos i themi mamasë për atë që ndodhi,’ them unë. ‘Si ti edhe unë, i kemi vënë kapak kësaj pune, apo jo? Mami, ama, mund të mërzitet dhe ta keqkuptojë, kështu pra. Si thua, Maja?’

    Ajo i heq kordelet dhe tërheq flokët.

    ‘Në qoftë se ajo të pyet, thjesht, mund t’i thuash se u vrave duke luajtur me litar,’ them unë.

    Janë fjalë që të lënë një shije të keqe, megjithatë unë i thashë ato.

    Ne mbërrijmë te Kathinka me makinë. Në shtëpinë tonë. Unë ia mbaj çantën Maja-s tek i ngjitemi një rrugice të shtruar me zhavorr, ndërkohë, Maja vrapon përpara. Kathinka hap derën para se unë të arrij t’i bie ziles, ndërsa Kathinka e përqafon me gjithë fuqinë e saj. Asgjë nuk ka ndryshuar. Aroma që ndjen kur futesh në korridor, pikturat dhe fotografitë që sheh mbi mure, si edhe çelësi i dritës që varet lirshëm. Këtu ndodhet gjithçka nga ajo që dikur ishim ne, por unë nuk banoj më këtu, ndaj nuk i heq këpucët në korridor dhe nuk futem brenda që të ulem në divan, për këtë arsye, ai që mungon, jam unë.

    ‘Kaluat mirë?’ pyet Kathinka. Zëri dhe buzëqeshja e saj janë neutralë.

    ‘Po, mirë kaluam,’ them unë. ‘Në çantë do të gjesh programin e ri të javës.’

    ‘Bukur,’ thotë ajo. ‘Po ti vogëlushja ime, kalove mirë? Ç’ke pësuar kështu në faqe?’

    Ajo e merr Maja-n në gushë.

    ‘U vrava duke luajtur me litar,’ përgjigjet Maja.

    ‘Ah,’ bën Kathinka.

    Maja heq këpucët dhe i vendos ato me kujdes në vendin e tyre. Zverku i saj është i hollë dhe i vogël. Ajo kthen kurrizin dhe m’i ngul sytë në kohën që Kathinka po ia var xhaketën. Ajo nuk ma ndan shikimin.

    Përktheu nga norvegjishtja:  Aristidh Shqevi

           Oslo, 26.09.2020                 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË