More
    KreuLetërsiShënime mbi libra"Mbretëria e ëndrrave" në vegimet e Ndue Ukajt

    “Mbretëria e ëndrrave” në vegimet e Ndue Ukajt

    Nga Elvi Sidheri
    shkrimtar dhe përkthyes

    Të lexosh në ditët e sotme një vazhdë të rrjedhshme tregimesh, doemos përbën pikësëpari një sprovë besnikërie ndaj ëndjes tënde letrare, duke nënkuptuar gjithaq edhe një dëshmi të mëtejshme të përkushtimit tënd si lexues ndaj krijimit letrar si dukuri kulmore e frymëzimit njerëzor…

    E fatmirësisht të gjitha këto përsiatje të mësipërme, ngërthehen vetvetiu në përmbledhjen burimore të frymëzimeve tregimore që Ndue Ukaj na ofron përmes Mbretërisë së tij të Ëndrrave, ku pleksen e shpleksen pareshtur pikëtakimet e tij intelektuale, letrare dhe vetjake me universin bashkëkohor shqiptar e atë kosovar në veçanti, të ravijëzuara në suazat e një sërë rrëfimesh që mishërojnë thelbin e stadit zhvillimor dhe mendësisë aktuale të shoqërisë, kombit dhe shtetit të cilit autori i përket kulturalisht, përveçse gjuhësisht.

    Mbretëria e Ëndrrave përvijohet nëpër skutat më kuptimplota që ndryjnë mrekullisht tisin e botëkuptimit të sotëm shqiptar, të sendërtuar nëpërmjet një shumësie personazhesh groteske e guximtare, ngjarjesh rrëqethëse dhe vagëllimesh onirike, fanitjesh të shkuara dhe amullish të tashme, duke shpërfaqur një larmi dehëse pikënisjesh që të shpien drejtpërdrejt në bërthamën e ngurosur ku dergjet vetë shpirti i drobitur i shqiptarit të shekullit XXI, në Kosovë apo tjetërkund.

    Janë tregime ku rrëfehet zhdërvjellët realiteti ynë i prekshëm,qoftë në kuturisjet që depërtojnë në honet e maktheve të një sundimtari anakronik (personazh përherë aktual në viset tona të lashta dhe fort harraqe për shkak të kujtesës së mangët, fatkeqësisht) apo në mëdyshjet mistike të njeriut të pushtetshëm kundruall pasqyrës ku jetësohet mirëfilli gjithçka syri ynë i hutuar ngurron të shikojë çiltërsisht; qoftë në deliret e satrapit që digjet nga marazi prej qesëndisë së vegjëlisë; qoftë në përshkrimet e kthjellëta të përditshmërisë së zymtë të një kryeqyteti të dalë nga flakët e luftës, ku mugëtirat jetësore e shoqërojnë këmba-këmbës njeriun krijues në kohë, hapësirë dhe gjallim pandalshëm.

    E në këtë realizëm ëndërrimtar të sintetizuar përmes secilit prej këtyre rrëfimeve ekzistenciale ku frymon sakaq gjithsecili që rëndon mbi dheun e këtyre trojeve, pa dyshim duke përfshirë këtu edhe lexuesit që do të kenë fatin të lexojnë dhe të kridhen me zemër e mendje në këto tregime, autori ia ka dalë kryekëput mbanë që vranësirave ciklike që vrenjtin rregullisht qiejt shqiptarë, t’u japë sidoqoftë ngjyrat e penelit të frymëzimit të tij, që duke zhveshur lakuriq mbretër, prijës e pushtetarë mëtues të absolutizmave të tejshkuara, rreket të zgjojë ndërgjegje të dremitura, të çelë sytë e verbuar rishtas dhe t’ia rikthejë ylberin kulturor qytetit, vendit dhe shoqërisë së tij.

    Kjo Mbretëri Ëndrrash sjell njëherësh edhe portretizimin besnik të dukurive më karakterizuese të tranzicionit kosovar, ku veçanërisht për lexuesit nga përtej Morinës në Shqipëri, ndriçohen dritëhijet e zhvillimeve që i kanë dhënë trajtat e sotme shoqërisë, kulturës dhe aktualitetit në Kosovë, në çdo aspekt e veçori që kanë ndikuar fuqimisht në këtë këndvështrim.

    Gjithashtu këto tregime ofrojnë një mori puqjesh grishëse me tranzicionin shqiptar të tridhjetë viteve të fundit, paçka se vitet e tranzicionit në Kosovë patën rrjedhur në kondita krejt të ndryshme, teksa gjithsesi ndërkaq shpërfaqen ngjashmëri të panumërta me gjithçka të ndodhur në Shqipëri thuajse njëkohësisht, përkundër ndryshimeve jo të pakta në shoqëritë e Kosovës dhe të Shqipërisë, për shkak të ndarjes thuajse shekullore, regjimeve totalitare dhe shtypjes të cilës i qenë nënshtruar përdhunshëm shqiptarët në gjithë hapësirat ballkanike të banuara prej tyre gjatë shumicës së shekullit XX.

    Këto vegime që gjejnë jetësim në tregimet që i japin trajta kuptimore të patjetërsueshme kësaj Mbretërie Ëndrrash të mirëfilltë që emërton këtë libër, janë shpeshherë shajnitë tona individuale që ndërfuten tinëzisht në ëndërrimet tona natore, duke na bërë të gjejmë kthjellimin e shumëpritur ku shoshiten shumë nga pikëpyetjet çoroditëse të përditshmërisë tonë sfilitëse, e ndoshta edhe disa nga përgjigjet thelbësore do të gjenden në këtë libër.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË