More
    KreuOpinionMbi kritikën letrare dhe demonët e saj

    Mbi kritikën letrare dhe demonët e saj

    Nga Mehmet Kraja

    Për shumë kohë, te ne kritika letrare është kundruar si gjini letrare në shërbim. Pra, një gjini letrare që nuk funksionon për veten e saj, por u kryen një shërbim gjinive të tjera letrare, si prozës, poezisë, dramës etj. Në të vërtetë, kritika nuk është gjini letrare e mëvetësishme, nuk është krijimtari themelore, por është një të menduar për letërsinë, një këndvështrim për letërsinë, një gjykim për të. Pra, nëse shprehemi me kategori sociologjike, ajo është superstrukturë; nëse shprehemi me kategori filozofike, ajo nuk është ekzistencë, nuk është materie, por është gnoseologji, ose ontologji, pra mundësia ose pamundësia objektive dhe subjektive e njohjes së një realiteti, për të cilin ende nuk e dimë nëse është krejtësisht objektiv ose krejtësisht subjektiv. Ndonëse është zhvilluar paralelisht me vetë prodhimin letrar themelor, primar, kritika letrare ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe sot një synim i lexuesit të specializuar për të depërtuar në të fshehtat e dukshme dhe të padukshme të një vepre letrare themelore. Në letërsinë shqipe kritika letrare fillon të zhvillohet pasi prodhimi primar letrar arrin një shkallë zhvillimi, merr trajtë dhe specializohet shumë më vonë, për të kaluar nëpër dy fenomene, deri diku paradoksalë: fenomeni i parë ka të bëjë me periudhën kur kritika letrare shqipe, veçmas pjesa e saj që u zhvillua në Kosovë, krijon ose vetëkrijon idenë se është më e rëndësishme dhe më e zhvilluar se vetë produkti letrar themelor, pra se vetë letërsia; fenomeni i dytë ka të bëjë me idenë se kritika letrare është e pavarur, madje se është oponencë e letërsisë dhe e lexuesit, dhe se ndaj krijimtarisë themelore letrare, sikundër edhe ndaj lexuesit, mund të sillet pa asnjë konsideratë. Mendoj se këto dy situata paradoksale e kanë çuar kritikën tonë letrare në një rrugë pa krye, kur ajo realisht e ka humbur funksionin e saj. Kritika letrare tani mungon, sepse ajo tashmë nuk ka funksion, nuk i shërben një qëllimi, nuk i shërben askujt, as lexuesit, as veprës letrare, as autorit të shkrimit letrar themelor, vetëm atyre që e shkruajnë atë.
    Fenomeni i parë, fenomeni i mbivlerësimit të vetvetes, me kritikën tonë letrare ndodhi nga mesi i viteve shtatëdhjetë dhe më vonë, kur studimet tona për letërsinë vunë kontaktet e para me shkollat moderne letrare, të cilat bënin analiza të thelluara të tekstit, duke anashkaluar metodat tashmë të vjetruara sociologjike, historike, biografike etj., të analizës së veprave letrare. Përveç dijes letrare dhe njohjes së fenomenit krijues, depërtimet e thella në përbërësit strukturorë të tekstin letrar kërkonin edhe njohje të procesit krijues, sikundër kërkonin nga kritiku dhe studiuesi i letërsisë të ishte edhe ai kreativ dhe të kishte imagjinatë, ndryshe nga kritikët e deriatëhershëm që i referoheshin më shumë dijes skolastike. Shumica e kritikëve tanë të gjeneratës së re i përvetësuan këto metoda të analizës dhe të studimit të veprës letrare, kështu që Barti, Sosyri, më vonë Todorovi, Zheneti etj., përveçse zëvendësuan në të gjitha pikat Sent-Bevin, Bjelinskin apo edhe Lukaçin, u bënë emra “familjarë”, të përdorshëm dhe të përshtatshëm për çdo rrethanë. Nuk do mend se kësaj kritike të avancuar, ndër punët e para që bëri, iu desh të krijonte letërsinë e saj, veprat e saj dhe autorët e saj, të tillë që do të ishin kuadër i mjaftueshëm për marrjet e saj joselektive. Nëse nuk do ta gjente një letërsi, një autor dhe një vepër të tillë, ajo do ta shpikte atë me çdo kusht. Në këtë mënyrë, në vitet shtatëdhjetë dhe prapa, në letërsinë e Kosovës kritika krijoi autorët e saj, të cilët ishin të papërdorshëm për lexuesin me nivel të tillë kulturor që mezi absorbonte letërsinë e realizmit socialist të Shqipërisë, në një kohë që media e shkruar dhe botimet gëlonin nga autorët që nuk i lexonte askush dhe nuk kishin asnjë funksion në jetën kulturore të këtij ambienti. Megjithatë, kjo rrethanë i ndihu kritikës sonë që të vendoset mbi letërsinë themelore dhe të bëhet, në njëfarë mënyre, sundues dhe zot i saj, të bëhet arrogante, imponuese dhe të sillet pa konsideratë ndaj krijimtarisë letrare.
    Situata do të bëhet e pashpresë vitet e fundit, kur numri i studiuesve të letërsisë të shtohet në mënyrë joproporcionale me krijimtarinë themelore letrare. Aktualisht, ne themi se nuk kemi kritikë letrare funksionale, ose themi se nuk e kemi të mjaftueshme, një e tillë kritikë, e cila do të ndiqte zhvillimet letrare aktuale dhe do t’i shërbente letërsisë dhe lexuesit. Por, në anën tjetër, kemi një shtim të pakontrolluar të të ashtuquajturve studiues të letërsisë dhe shtim rapid të teksteve që mbajnë në agjendë disa autorë të viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, që mbajnë në agjendë shkollat e studimeve letrare botërore të po kësaj periudhe, në një kohë që letërsia shqipe dhe letërsia kontemporane kanë njohur zhvillime krejtësisht të reja, më të avancuara se tekstet kritike të shumicës së studiuesve. Në studimet kontemporane për letërsinë, në anën tjetër, kemi një kthim pothuajse të përnjëhershëm nga fenomenologjia, si një përfshirje komplekse të të gjithë përbërësve të fenomenit letrar, ku analiza tekstore, në të cilën janë barrikaduar studiuesit tanë të letërsisë, është vetëm një komponent, i rëndësishëm gjithsesi, por jo i vetëm. Pra, në këtë pikë, sado që përpiqet të duket e avancuar, kritika letrare te ne vitet e fundit ka shënuar ngecje dhe rënie.
    Por paradoksi më i madh qëndron në faktin se tani, së fundi, në Kosovë nuk kemi pothuajse asnjë libër proze në vit që të botohet, nuk kemi asnjë libër dramash, gjithnjë e më rrallë kemi ndonjë libër të shënuar poezish, ndërkohë që kemi nga disa libra në vit studimesh letrare, që nuk i shërbejnë as letërsisë as lexuesit, por iu shërbejnë përfituesve të letërsisë. Kjo lloj supremacie, të cilën e kanë krijuar studimet letrare dhe kritika letrare mbi letërsinë themelore, nuk është e natyrshme dhe është e predispozuar të dështojë. Pra, si përfundim, dilema e kahershme nëse kritika letrare është krijimtari themelore letrare, apo është vetëm përfituese e saj, mbetet ende, sikundër edhe dilema tjetër, se cili është funksioni i kritikës, a duhet ajo t’i shërbejë letërsisë dhe lexuesit, apo as njërës as tjetrit, por është lloj i krijimtarisë që funksionon për veten e saj. Nëse kritika nuk ka një funksion utilitar dhe është pjesë e krijimtarisë imagjinatave, ose e konsideron veten si të tillë, ajo duhet të heqë dorë nga imponimi. Ajo nuk mund t’i imponojë askujt asgjë, as vlerësim, as sugjerim, as vullnet, as dije, as rregulla, as kode, pra asgjë. Ajo duhet të tërheqë lexuesin e saj jo duke “shfryrë nepsin” mbi letërsinë themelore, por duke e joshur atë me depërtime të thella, qofshin edhe imagjinatave, në shtresimet kuptimore të veprës së letërsisë themelore. Së këndejmi, kritika letrare te ne duhet të pushojë të sillet si padrone e letërsisë, ose si oponencë e saj…

    (Fjalë e mbajtur në tribunën për kritikën letrare, në kuadër të takimeve letrare “Azem Shkreli”, më 23 maj 2012, në Pejë)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË