More
    KreuOpinionMatteo Mandalà: Vendi i veprës kadareane në letërsinë bashkëkohore. Disa hipoteza për...

    Matteo Mandalà: Vendi i veprës kadareane në letërsinë bashkëkohore. Disa hipoteza për një vështrim tipologjik mbi ‘Ismailandin’

    Ditëlindja e Ismail Kadaresë është rasti festiv më i përshtatshëm për të hedhur hipoteza të reja mbi rolin dhe vlerat që gëzon në kuadrin e letërsisë bashkëkohore vepra e shkrimtarit tonë të dashur dhe që patjetër do të jenë në qendrën e vëmendjes në debatin e ardhshëm kritik. Në fakt nga çasti i zbarkimit në Shqipëri të një Çiçikovi me uniformë ushtarake, shtigje të reja do të hapeshin para letërsisë shqipe bashkëkohore. Romani i gjeneralit italian që kërkonte ushtrinë e vdekur në trojet shqiptare, vërtet tërhoqi vëmendjen për talentin e veçantë artistik të autorit të ri, por asokohe askujt nuk ia merrte mendja se letërsia shqiptare nga ai çast e tutje do të ndahej në dy periudha ante dhe post quem, të lidhura me figurën dhe veprën e Ismail Kadaresë. Në fakt botimi i parë i Gjeneralit shënon një kthesë historike që na lejon, nga njëra anë, të pohojmë se pas atij botimi asgjë nuk do të ishte më si parë, e nga ana tjetër, t’ia hyjmë një shqyrtimi të plotë të procesit artistik kadarean. Sot ky shqyrtim shkencor është bërë i domosdoshëm pas vendimit të autorit për ta mbyllur përfundimisht veprimtarinë e tij krijuese, duke na detyruar të shtrojmë pyetjen kryesore: ç’vend zë vepra e Kadaresë në letërsinë bashkëkohore jashtë kontekstit letrar shqiptar?

    Përgjigjja e kësaj pyetjeje kërkon një analizë të veçantë të veprës letrare të Kadaresë, qoftë të asaj në vargje, qoftë edhe të asaj në prozë. Një analizë që për shkak të kompleksitetit të temës nuk mund të zhvillohet në mënyrë të plotë dhe shteruese brenda hapësirës së kufizuar të kësaj bisede. Prandaj në vijim do të rrekem të përshkoj pikat kyçe të hipotezës hermeneutike falë së cilës u përpoqa të gjeja fillin e zhvillimit të mendimit estetik të Kadaresë me synim të përshkruaja ato tipare që na lejojnë të vendosim veprën e tij brenda hullisë së letërsisë “moderniste”. Për t’ia arritur këtij synimi duhet, së pari, të shmangim çdo lloj qasjeje ideologjike apo politike në interpretimin e veprës letrare, së dyti, na duhet të kërkojmë në të universalet letrare, sepse kemi të bëjmë me një vepër artistike dhe jo me një manifest politik. Është rasti ta theksojmë qysh në fillim këtë pikë sepse edhe disa përcaktime të tjera që janë përdorur për të inkuadruar prozën e Kadaresë, – si p.sh. ai “postmodern” –, nuk na bindin, pasi ose tiparet e marra në shqyrtim për të mbështetur këtë hipotezë të dytë përgjithësisht nuk përputhen me “postmodernizmin” e vërtetë që dominoi narrativën e gjysmës së dytë të shek. XX, ose, nëse ka ndonjë përkim të rastësishëm, ky varet nga vizioni modernist që përqafoi Kadare qysh prej periudhës rinore. Duke lënë mënjanë të parat për shkak të mospërputhjes së tyre, mes të dytave ka disa tipare që ia vlen të ndalemi.

    Në veprën e Kadaresë nuk ka asnjë gjurmë të mënyrës së ngurtë, pedante dhe obsesive të përshkrimit të realitetit të jashtëm, pra të mungesës totale të vëmendjes për psikologjinë e brendshme të personazheve, çka karakterizon realizmin fenomenologjik të Alain Robbe-Grillet. Përkundrazi, kujdesi ndaj detajeve që vihet re te Kadare nuk është vetëm në funksion të qëllimit për t’i dhënë gjallëri realitetit, por synon edhe t’ia fshijë shkëlqimin e jashtëm e ta shndërrojë gradualisht në një përmasë shpirtërore, si të ishte zgjatim i psikikës njerëzore përtej kufijve të natyrshëm mendorë. Mjafton të kujtojmë teknikën e “listës”, të cilën Umberto Eco, kur analizon kapitullin e parafundit të Uliksit, e gjen tek “evokimi i imazheve hapësinore pa u dhënë atyre peshë” (ose, thënë italisht, “annullamento della pertinenza semantica”).

    Në këtë teknikë të mirëfilltë moderniste e kanë burimin zgjatjet e shumta dhe shtrembërimet kohore, që e prishin rrjedhën lineare të “kohës së rrëfyer” dhe të “kohës së rrëfimit”, duke arritur në disa raste vorbullën barthesiane të “kohës-kartë”: koha e ngjarjeve që përjetojnë personazhet nuk përkon kurrë as me kohën “realiste” të ngjarjeve, as me kohën “reale” të letërsisë, çka shkakton një efekt tëhuajësimi të ngjashëm me atë që u përpoq të arrinte James Joyce duke bllokuar rrjedhën e kohës. Në shumë romane të Kadaresë këto tema përbëjnë topos-e që na shpien sigurisht drejt modernizmit: mjafton të përmendim veprën rinore Përbindëshi dhe vijimin e saj Kështjella, pa lënë mënjanë kompozicionin e ndërlikuar që karakterizon Dimrin i vetmisë së madhe, tek i cili do të ndalemi më poshtë. Po ashtu, përmasa hapësinore te Kadare nuk është kurrë qëllim në vetvete, por lidhet me veprimet e personazheve, duke marrë hera-herës forma të ndryshme: hapësira është gjithmonë në funksion të veprimeve të personazheve dhe mund të pësojë zgjerime që përcaktojnë lakore plastike surreale edhe kur vetë përshkrimi zhvillohet me realizëm.

    Pa lënë mënjanë këtu përdorimin e perceptimit shqisor, sidomos të dëgjimit, që e shndërron “zhurmën” në një praktikë ideologjike e cila lidh pikat kyçe të historisë së romaneve të ndryshëm. Mjafton t’u kushtohet vëmendje zhurmave, uturimave, krakëllimave, sirenave, biçikletave, motorëve, pëshpërimave, ulërimave, e do të shihet sesi ndryshon vetë gjendja e personazheve që pësojnë një metamorfozë ontologjike, të cilën Kadare e ka huazuar pa dyshim nga incipit-ionomatopeik i Finnegans Wake të Joyce-it, pasi ky i fundit nga ana e tij e kishte marrë prej «metaforës zanafillore të qytetërimit njerëzor», për të cilën Giambattista Vico shpjegoi se ndër të gjithë tropet është ajo që «u jep kuptim e ndjenjë gjërave të pakuptimta».

    Raportet kronotopike që vendos Kadare në romanet e veta përbëjnë një nga elementet strukturore të karakterit modernist të narrativës së tij. Po të marrim parasysh një nga kryeveprat e tij, romanin Dimri i vetmisë së madhe,mund të themi pa ngurrim se ai do përfshirë në grupin e romaneve urbanë të shek. XX, pasi ndan me disa syresh, si Uliksi i James Joyce-it dhe Berlin Alexanderplatz i Alfred Döblin-it, ndërveprimin e jashtëzakonshëm dhe të vazhdueshëm mes mjedisit urban dhe banorëve të tij, në rastin tonë, të banorëve të një kryeqyteti periferik e të pazhvilluar si Tirana e viteve ’60, që Kadare e shndërron në një metropol modern, plot gjallëri dhe me tipare perëndimore. Një element tjetër strukturor që ia vlen të përmendet është përmasa e veçantë ontologjiko-ekzistenciale e personazheve, të gjithë “në kërkim të identitetit të tyre”, një lloj kërkimi, një quête autentike ariosteske. Në të vërtetë, falë faktit që ata veprojnë dhe vërtiten në një mjedis urban, është e natyrshme që t’u kryqëzohen rrugët, të këmbehen e të takohen rastësisht me njëri-tjetrin, duke zbuluar kështu fuqinë e përditshmërisë së rëndomtë. Nga kjo pikëpamje koncepti i labirintit narrativ xhojsian forcohet dhe lidhet me një pluralizëm polifonik – një lloj demokracie me shumë zëra – që nga njëra anë i afron disa kapituj të Dimrit me kapitullin X të Uliksit ku rimitizohet me terma modernë miti homerik i Simplegadave dhe që, nga ana tjetër, ia kundërvë hapur dinamizmin e romanit të Kadaresë njëtrajtshmërisë artificiale, të zvargët dhe statike të doktrinës estetike të realizmit socialist.

    Lidhur me funksionin e personazhit kadarean, meriton një shënim të shpejtë edhe arkitektura e romaneve, sidomos vëmendja e veçantë me të cilën Kadare, duke nisur nga Dimri, do të realizojë një lloj qarkullimi të brendshëm të historive që rrëfen, të rrethuara thuajse të gjitha nga një incipit që zgjidhet vetvetiu në një explicit të natyrshëm. Dihet se Kadare, ndoshta pas shembullit të Balzakut dhe të Zolasë a ndoshta, më saktësisht, në hullinë e modelit të Faulkner-it, i zhvendos personazhet nga një roman në tjetrin, a thua se dëshiron të sigurojë vijimësinë kohore të veprimeve të tyre. Kufijtë në letërsi nuk janë kurrë barriera të pakapërcyeshme, madje as kur bëhet fjalë për kufij fizikë, siç mund të jenë subjektet narrative. Nuk është fjala për një truk të parëndësishëm, sepse në disa romane kjo zgjedhje është pjesë e një strategjie narrative që synon të forcojë dhe ta bëjë më tëhuajësues ndërveprimin e diegjezës përmes një efekti en abŷme të pafundmë, aq të brendshëm sa të jashtëm. Duke marrë parasysh disa romane, si p.sh., Ura me tri harqe dhe sidomos Prilli i thyer, lexuesi mund ta vërë re që fillimi dhe fundi i historisë së rrëfyer janë të njëjtë, edhe pse të përmbysur, sikur të ishin përballë një pasqyre. Në një shqyrtim më të gjërë krahazues e njëjta strategji diskursive vu në dukje kompleksitetin e sistemit nervor të universit narrativ kadarean. E kam fjalën për një perandori letrare artificiale, thellësisht vetjake, të pashoqe e ndoshta të papërsëritshme; shumë të ngjashme me Yoknapatawpha-n, botën artificiale që Faulkneri quante “my apocryphal county”, dhe që duke parafrazuar emrin e përveçëm të shkrimtarit tonë, do të quaj: |Ismailand|, nga “(It) is my land”.

    Elementi i fundit është ndërthurja mes legjendës dhe realitetit, mes mitit dhe historisë, që përbën një nga aspektet më karakterizuese të narrativës kadareane falë pjellshmërisë së saj tematike. Miti, legjenda dhe simbolikja te Kadare nuk kanë pasur kurrë karakter spekulativ dhe nuk janë kufizuar kurrë në një përsiatje shterpë, tipike për eksperimentet postmoderne. Më shumë sesa një ushtrim i thjeshtë formal, ky përpunim i kërkuar – “i rafinuar” e quan Francesco Altimari – i miteve të kulturës së lashtë shqiptare, larg së qeni vetëm «një kryengritje e mirëfilltë estetike ndaj ortodoksisë ideologjike të realizmit socialist», fiton një funksion tematik organik brenda programit narrativ, duke u bërë një nga shtyllat mbajtëse të gjithë sistemit kadarean, madje një veprimtari e mirëfilltë poietike. Mund të pohojmë pa mëdyshje se, sikurse miti në lashtësi ishte pajtuesi i madh i njeriut me kompleksitetin e padeshifrueshëm të realitetit, ashtu edhe letërsia, sidomos ajo që zhvillohet në kundërvënie me pushtetin, për Kadarenë përfaqëson të vetmen rrugë të sigurt drejt palingjenezës së shkrimtarit dhe ndërgjegjes së tij artistike. Me fjalë të tjera, për ta thënë me Cesare Pavese-s, pika qendrore për një shkrimtar nuk është të dijë se ka një traditë, por ta kërkojë atë.

    Pikërisht këtë ka bërë Kadare kur, duke gjurmuar thellë në traditën gojore shqiptare, gjeti temat, simbolet dhe ideologjemat që do t’i çelin shtigjet forcës së tij krijuese. Jo më kot shprehja e disa tipareve që sot na lejojnë ta përfshijmë veprën e tij narrative në një nënkategori të modernizmit, më saktë në atë të realizmit magjik, varet nga përpunimi i miteve shqiptaro-ballkanike, sidomos të atij revenant të cilin e gjejmë qoftë në romanet që e rimitizojnë hapur, qoftë në ato ku ngre kokë si dukuri thuajse paranormale. Nga kjo pikëpamje është me vend përsiatja kritike përmes së cilës Thomas Pavel e ka përfshirë Doruntinën në një grup të veçantë veprash, – më saktë Le chante du mond (1934) i Jean Giono dhe La Rue Mantuleasa (1968) të Mircea Eliade-s – që kanë të përbashkëta tiparet kryesore të të ashtuquajturit «surnaturalisme ethnique». Prania e turbullimit, që siç pohon Ato Quayson është një «element themelor i realizmit magjik», është e shpeshtë në romanet e Kadaresë, përfshirë ato që mbahen si më afër estetikës së realizmit socialist. Te Dimri, p.sh., ndërtimi i atmosferës surreale ku gjallon rrëfimi Unheimlich – dmth. jofamiljar, pra heretik – dhe ku shfaqen fantazma të ndryshme – si ajo e Koçi Xoxes me vrimat e plumbave në gjoks ose si ajo e protagonistit – mbështetet mbi hollësi të tjera tëhuajësuese, që krijojnë gjendje të papajtueshme me realitetin natyror. Qeniet njerëzore provojnë shfaqjen e brengës dhe të ndjesisë së pasigurisë «kur bien – siç thekson Ato Quayson – në një kontekst social të copëzuar e të dhunshëm që përçon mesazhe paradoksale. Në këto rrethana shkohet drejt rrënimit të unit, që zëvendësohet nga një strukturë me natyrë ambigue, e cila mbetet pezull mes ankthit dhe terrorit. Pikërisht ky është vendi i Unheimlich-it» dhe ky është edhe rezultati final ku mbërrin njësimi kadarean me një realitet, i cili, duke humbur ngjyresat e normalitetit, dyfishohet për t’u shndërruar në anën e vet absurde, irreale, pra magjike.

    Në shprehjen «Realiteti atje dyzohej, shumë shpejt fillonte irealja», që citoj nga Pallati i ëndrrave dhe që mund ta konsiderojmë si vetëpërkufizimin më të përshtatshëm të poetikës kadareane, haset përzierja e rrafsheve diskursive dhe sidomos fshirja e kufijve që ndajnë realitetin nga trillimi, përmbajtjen nga forma, deri edhe personazhet nga autori. Këtu ndoshta mund të hasim një element të përbashkët me letërsinë postmoderne, megjithëse mësimi përmes të cilit Jorge Borges parodizonte iluzionin e rremë të John Wilkins-it, na shtyn të mendohemi mbi përpjekjen e kotë për të “kuptuar” realitetin me anë të taksonomive të gjuhës. është rasti të kujtojmë këtu se edhe për Kadarenë vlejnë metaforat e Flaubert-it dhe të Kafkës: shkrimtari nuk është gjë tjetër veçse urithi flobertian, ose kafsha misterioze kafkiane, që, duke u strukur thellë e më thellë në labirintin e zgavrave që ai vetë gërmon në tekst, ushqen shpresën e kotë të mos zbulohet nga kërkuesit, dmth. lexuesit. Në fakt kush banon në botën e krijimit artistik jo vetëm që e njeh mirë efektin e njësimit të autorit me tekstin – qoftë kur ky përkufizohet në rrafshin e funksionit “gjuhësor” siç bën Michel Foucault, qoftë kur shpallet metaforikisht “i vdekur” në rrafshin ontologjiko-tekstor, sikurse ka vënë në dukje Roland Bathes –, por është në gjendje të ofrojë një interpretim subjektiv shumë më bindës se ato që percepton lexuesi i shkujdesshëm që kritikohet ashpër nga Vladimir Nabokov.

    Veprat e Kadaresë janë plot me shenja të qarta që na shpien te roli i autorit në kuptimin modernist, rol i cili luhet në emër të marrëdhënies së ngushtë mes jetës dhe artit që mundon ndërgjegjen e autorit. Në këtë pikë e marrim me mend se Kadare nuk do të pajtohej me ne, por s’ka dyshim se modernistët do të pajtoheshin, duke filluar nga Franz Kafka, që shkrimtari ynë e mban, së bashku me Danten, Shekspirin e Gogolin, si një nga frymëzuesit e tij kryesorë. Tek e fundit besojmë se Kadare do të pajtohet me faktin – e metaforizuar me së miri pikërisht nga Kafka – se germat, para se të shkruhen në kartë, gdhenden nga një makinë torture në mishin e gjallë të shkrimtarit të mbyllur në një qeli të burgut pa mure që quhet Letërsi. Kjo dhimbje e fortë dhe e thellë e bëri shkrimtarin të gjenerojë një vizion modern e t’ia hapë letërsisë së atdheut të tij dritaren që për shumë kohë mbeti e mbyllur. Kjo është merita kryesore e Ismail Kadaresë: t’i ketë hapur shtigje të reja letërsisë shqipe, t’u ketë dhënë modele të suksesshme letrare brezave të rinj, t’i ketë siguruar një të ardhme qytetërimit letrar bashkëkohor. Fjalët tona do të jenë gjithnjë të pakta dhe të pavlera për ta falënderuar këtë shkrimtar të jashtëzakonshëm me të cilin edhe shkruesi i këtyre radhëve është i lumtur të ketë ndarë miqësi dhe bashkëpunim. Edhe “një qind” i dashur Mjeshtër, mik i madh i arbëreshëve!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË