More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMatteo Mandalà: Takimi ...

    Matteo Mandalà: Takimi “i pashmangshëm” i shqiptarëve me Danten

    Në titullin e një eseje të famshme Ismail Kadare e ka quajtur të pashmangshëm takimin me Danten. Një cilësim i fortë që meriton dy konsiderata të shpejta: nga njëra anë, gjithë duke përligjur lidhjet ndërtekstore mes veprës narrative të shkrimtarit të madh shqiptar dhe udhëtimit në botën e përtejme të kryepoetit tonë, ai cilësim hedh dritë në mënyrë epifanike mbi natyrën e raportit të veçantë mes një Populli, atij shqiptar, dhe një Poeti, italianit ante litteram, që e lidhi emrin e vet me universalitetin e poezisë. Nga ana tjetër, nuk është e rastit që pikërisht duke ekzaltuar fuqinë e paktit intim, të fshehtë, të thellë, pra të pashmangshëm, që shqiptarët kanë lidhur me Poetin Hyjnor, Kadare i vuri vetes detyrën të kërkonte nëpër skutat e historisë së trazuar shqiptare domethënien e vërtetë të karakterit të pashmangshëm të takimit me Danten a më mirë të themi të takimit mes dy popujve dhe dy kulturave që shkrimtari shqiptar qëllimisht e daton duke filluar nga pushtimi italian i Shqipërisë. Në faqet e esesë përshkruhen ngjarje të cilat jo vetëm e ndajnë nga pushtimi fashist i 7 prillit 1939 vëmendjen që shqiptarët i kushtuan veprës së Dantes, por na japin disa çelësa leximi të cilët po mjaftohemi vetëm t’i cekim shkarazi, sepse nuk është vendi këtu për t’i shtjelluar hollësisht.

    Në thelbin e vet “poetik” hipoteza e Kadaresë mbetet e vlefshme: karakteri i “pashmangshmërisë” së Dantes nuk mund të shpjegohet ndryshe veçse duke e lidhur me periudhat e ndryshme historike dhe me kërkimin e dëshpëruar nëpër vargjet danteske të rrugëdaljes nga krizat epokale që kanë jetuar shqiptarët. Po ashtu, s’ka dyshim fakti që Kadare nuk mënon të vërë në dukje se historia e takimit të këtyre të fundit me veprën e Dantes nis nga kohëra shumë më të vjetra dhe sidomos se protagonistët e parë të asaj historie kanë qenë ata shqiptarë të cilët qysh nga Mesjeta e Vonë, pra duke nisur nga dhjetëvjeçarët që pasuan vdekjen e Dantes, u ra shorti të mërgojnë përgjithmonë në Itali. Po të marrim parasysh disa të dhëna të jashtme nga jeta e dy studiuesve arbëreshë të Dantes – Domenico Mauro (1812-1873) dhe Tommaso Di Salvo, i pari nga Shën Mitri në Kalabri, i dyti nga Hora e Arbëreshëve në Sicili – mund të rindërtojmë kufijtë gjeografikë dhe kronologjikë që përcaktojnë, nga njëra anë, vendet arbëreshe ku është rrënjosur kulti i Dantes, nga ana tjetër, periudhën historike gjatë së cilës janë realizuar kontributet më të mira në studimin dhe përkthimin e veprës së Dantes. Kësisoj mund të kuptojmë më mirë arsyet që e bënë Kadarenë ta quante “të pashmangshëm” takimin me Poetin e Madh, duke përdorur po atë mbiemër që zakonisht përdorim për fatin e njerëzve dhe të komuniteteve.

    Një nga këto arsye ngjan me një magji sa të brishtë aq edhe të fortë, sikurse magjia që ngjall fjala poetike danteske anë e mbarë botës. Ndoshta kemi të drejtë të supozojmë se arbëreshët janë magjepsur nga profecia e Cacciaguida-s dhe mund të kenë gjetur aty shëmbëllimin e andrallave të tyre të vjetra, të endjeve të gjata dhe të fatit dramatik të mërgimtarëve. Ndoshta, duke e vënë veten në vend të Dantes përpara detyrimit të për braktisur çdo gjë dashur, sidomos Atdheun, të pajisur edhe ata me frymën e shenjtë, do të kishin bërë gjithçka për të shmangur vuajtjet për shkak “të bëmave të tyre”. Ndoshta kësaj i detyrohet përpjekja e tyre për të shndërruar bujtinën e dhimbjes në një vatër të re, një përpjekje e vazhdueshme sidomos në çastet në tragjike të historisë italiane, fillimisht gjatë Risorxhimentos, pastaj gjatë dy luftërave botërore, por edhe më vonë, gjatë periudhës së rindërtimit që pasoi. Tek e fundit, pikërisht Italia që ëndërrohej më kot nga Dante, ishte vendi për të cilin luftuan arbëreshët dhe po ajo Itali përbënte një vegim për shqiptarët që nga Ballkani hidhnin vështrimin me admirim dhe nderim përtej Adriatikut, me shpresën se do të mund të shihnin të realizuar ëndrrën për të pasur edhe ata një Atdhe të lirë e të pavarur. Te ky ideal i përbashkët, që thuajse përbën një marrëveshje “kombëtare” në emër të Poetit Hyjnor, takohen shqiptarët e Veriut, të cilët përkthyen të parët gegërisht veprën e Dantes, me arbëreshët që ia hynë përkthimit të asaj vepre në variantin e tyre dialektor të toskërishtes.

    Sfida për të përkthyer veprën danteske ka qenë e vështirë, edhe sepse atyre nuk u shpëtonte domethënia e fjalëve që vetë Dantja kishte shkruar te Convivio:

    “Nulla cosa per legame musaico armonizzata si può de la sua loquela in altra trasmutare senza rompere tutta la sua dolcezza o armonia” (Convivio, I, 7).

    Arti i përkthimit është i ndërlikuar dhe jo gjithmonë të lejon të arrish rezultate të larta. Këtu qëndron, me gjasa, shpjegimi i përpjekjeve të ndryshme, të gjitha të lavdërueshme, duke filluar fundi i shekullit XIX deri më sot për t’u dhënë përkthimeve “harmoninë dhe ëmbëlsinë” e origjinalit. I pari që provoi të përkthente Komedinë hyjnore ishte Luigi Lorecchio, i cili në vitin 1896 ia besoi Jeronim De Radës botimin e një versioni në arbërishten e Pëhuriut Këngën I të Ferrit (v. 1-136). Disa vjet më vonë, vëllai i Luigjit, Anselmo, patriot i madh dhe aktivist i lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, botoi në faqet e revistës La Nazione Albanese që kishte themeluar vetë, versionin gegë të episodit të Paolos dhe Françeskës (Ferri V, v. 88-142) përkthyer nga i riu shkodran Sakol Baazi. Gjatë atij fundshekulli nuk munguan studimet, si ai që Giuseppe Angelo Nociti botoi pjesërisht, apo imitimet rinore, si ato që ndërmori Zef Skiroi në bankat e liceut bashkë me mikun Luigi Pirandello, duke ngjallur kështu lëvdatat që profesori i tyre i dashur Mario Villareale përfshiu në një tingëllimë që ia kushtoi poetit të ri arbëresh: Il divino Alighier non ti rincora, / che va cantando: Il nome di poeta / «È nome che più dura e che più onora»?

    Shekulli i artë i përkthimeve danteske në shqipe ka qenë shekulli XX. Vincenc Prennushit i takon merita të ishte i pari shqiptar që në vitin 1924 ia hyri përkthimit të vargjeve të Dantes duke na dhënë në një shqipe elegante këngën e Shën Françeskut (Par. XI). Shembullin e tij e ndoqi Ernest Koliqi, përkthimet e të cilit i përkasin fillimit të viteve ’30 të shekullit të shkuar. Versionet e pjesshme të përkthimeve të tij në gegërishte do t’u hapin udhën përpjekjeve të mëvonshme, disa prej të cilave shquhen për cilësi të lartë. Jo rastësisht shembulli i tij u ndoq nga i riu Pashko Gjeçi, i cili në vitet 1937-1938 botoi në revistën Cirka me pseudonimin Surgens disa pjesë nga Ferri (III, v. 82-136; X, v. 22-93; XXXII, v. 1-90), duke ia hyrë kështu një pune të gjatë që vetëm në vitin 1962 do të kurorëzohej me botimin integral të Komedisë Hyjnore në shqipe, me një parathënie të Llazar Siliqit. Puna prej pionieri e Gjeçit ende sot nuk është kapërcyer, paçka se me rënien e diktaturës pas vitit 1990 u ndërmorën disa përpjekje përkthimesh të pjesshme të veprës së Dantes. Ndër këto vlen të përmendim përkthimet e Ferrit të Çezar Kurtit (1996), të Hektor Shënepremtes (2017), dhe të Meritan Spahisë (2018), ky i fundit i vetmi i shoqëruar me shënime shpjeguese sipas modelit të botimeve italiane. Falë këtij parapëlqimi që ka pasur Ferri, na duket përsëri “e pashmangshme” të flasim për vuajtjet “e skëterrshme” që kanë hequr shqiptarët gjatë regjimit të Enver Hoxhës, sidomos të dënuarit politikë dhe intelektualët që patën fatkeqësinë të kalonin periudha pak a shumë të gjata në burgjet e Burrelit dhe të Spaçit. Në ato vende vepra e Dantes shfaqej si një ngushëllim, si një rreze e vagët shprese për t’u kthyer gjallë nga ai udhëtim absurd në ferrin ku i kishte flakur regjimi. Mjafton të lexohen titujt e romaneve të shkrimtarit Visar Zhiti (Ferri i çarë, Rrugët e ferrit)për të rrokur impaktin pati në jetën reale të shqiptarëve vepra e Dantes gjatë atij gjysmëshekulli të historisë së tyre. Arbëreshëve u mbeti barra të merrnin stafetën historike, me Gaetano Gerbino-n që përktheu në arbërishten e Horës disa këngë të Ferrit dhe sot me përkthimin e guximshëm të Zef Skiro di Maxhos që vendosi ta kremtojë shtatëqindvjetorin e vdekjes së Dantes duke na sjellë arbërisht për të parën herë një përzgjedhje tingëllimash nga Rimat dhe nga Vita Nova.

    Në vitin 1932 Ernest Koliqi kishte përkthyer dy tingëllima të famshme të Dantes: e para Aq’ e njerzìshme e aq’ e hijshme gjanë [Tanto gentile e tanto onesta pare] nga Vita Nova (XXVI), ndërsa e dyta, Kisha me dasht’ qi ty, Lapin e mue [Guido i’ vorrei che tu Lapo ed io], nga Rimat. Me këto përkthime Koliqi dëshmoi jo vetëm se e zotëronte në mënyrë të përsosur italishten, por edhe se ishte në gjendje të plazmonte më së miri poetikisht gegërishten në variantin e Shkodrës. Këtë e vuri në dukje edhe Martin Camaj në një studim që botoi në vitin 1962 ku theksoi aftësinë me të cilën qoftë Koliqi, qoftë Pashko Gjeçi në përkthimet përkatëse të Ferrit, ia kishin dalë t’u jepnin «vargjeve t’origjinalit veshjen e vërtetë e shijen e gjuhës shqipe». Në atë studim Camaj parashtroi edhe disa vërejtje kritiko-stilistike ku, veç të tjerash, evidentoi me mprehtësi dy qasje të ndryshme traduktologjike në përkthimet e Gjeçit: nga njëra anë kujdesin për të respektuar besnikërisht origjinalin dhe nga ana tjetër një farë lirie relative në shqipërimin e disa shprehjeve idiomatike të Dantes përmes frazeologjisë shqipe, asaj që gjëllinte në gjuhën e folur, ose asaj që ishte regjistruar në tekstet e traditës kanunore shqiptare. Sikurse e ka vënë në dukje Lisandër Kola në parathënien e përkthimit të Ferrit nga Meritan Spahija, kjo çështje ka të bëjë me disa aspekte teorike mbi të cilat u ndal Umberto Eco duke iu referuar sidomos vështirësive të përkthimit të Dantes. Largimi nga “skema e rendit të fjalëve të italishtes letrare, duke i qëndruar besnik mendimit të origjinalit” për Camajn nuk përbënte ndonjë problem, sikurse nuk përbënte problem mospërputhja kuptimore e disa fjalëve të përkthimit shqip me kuptimet e fjalëve të italishtes mesjetare të Dantes. Sidomos kur ishte fjala për neologjizma të shqipes që për shkak të moshës së tyre të re nuk ishin ngulitur mirë në ndjesinë gjuhësore të lexuesve. E gjitha kjo natyrisht duke mbajtur parasysh historinë e re të gjuhës poetike shqipe dhe të strukturës së saj jo vetëm kuptimore, por edhe tingullore e ritmike, çka për gjuhën e Dantes ka rëndësi të madhe.

    Këto vërejtje të cilave u shtohen ato të Umberto Eco-s mbi nevojën e një analize paraprake interpretuese të italishtes së Dantes, vlejnë edhe për vlerësimin e përkthimit arbërisht të rimave danteske nga Zef Skiroi. Përtej konsideratave që shpreh vetë përkthyesi në parashtresë, është vendi këtu të saktësojmë se teksti vjen në arbërishten e Horës së Arbëreshëve, fshati ku kanë lindur shumë intelektualë, mes të cilëve edhe poetë të shquar që i bëjnë nder letërsisë klasike dhe bashkëkohore shqipe. Pra një gjuhë që, sikurse gegërishtja, ka një traditë të konsoliduar poetike tek e cila mbështetet mjeshtërisht Zef Skiro, gjithë duke hedhur sytë hera-herës, nën shembullin e Pashko Gjeçit, edhe te gjuha e folur popullore. Zef Skiro dëshmon një profil të lartë traduktologjik edhe me disa zgjidhje “të pazakonta” që vihen re, për shembull, në përdorimin e sicilianizmave tashmë të konsoliduar në arbërishten e folur, të cilat, përtej konsideratave mirëfilli sociolinguistike dhe dialektologjike, i kishte përdorur edhe vetë Dantja. Që të bindemi për këtë mjafton të lexojmë diskutimin rreth përdorimit të emrit mashkullor të shqipes malli që nuk njihet në arbërishten e Horës, ku hasim rëndom emrin dashuri që lihet mënjanë nga përkthyesi ynë sepse, duke qenë i gjinisë femërore, nuk përkon gramatikisht me gjegjësin italisht amore. Pikërisht me këtë vëmendje për detajet Skiro vërteton se di të orientohet mjeshtërisht, nga njëra anë, në arkaicitetin e leksikut të arbërishtes së dëshmuar qoftë në traditën e poezisë së kultivuar, qoftë në atë që flitet në fshatin e tij, por edhe në ngulimet e tjera të shpërndara në gjithë Jugun e Italisë, nga ana tjetër në vitalitetin dhe modernitetin e shqipes së përbashkët. Rezultati përfundimtar është një kombinim i arrirë me vlerë të dyfishtë: ngrihet pa dyshim niveli i arbërishtes, që “fisnikërohet” në kuptimin dantesk të fjalës, por njëherazi shpërderdhet një pjesë e arkaicitetit të arbërishtes në shqipen e përbashkët, sidomos në atë ballkanike, duke e afruar atë në kohë me italishten mesjetare të Dantes. Të dyja këto aspekte janë të rëndësishme edhe në rrafshin e muzikalitetit të vargut që, pa u shtyrë në analiza të thelluara të strukturës së njëmbëdhjetërrokëshit të veçantë të shqipes, i garanton lexuesit shqipfolës kënaqësinë e “harmonive të ëmbla”, të cilat Dante mendonte se mund të ruheshin vetëm në gjuhën origjinale. Edhe për këtë arsye po aq të rëndësishme sa të tjerat që zumë ngoje më lart, ky homazh në arbërishte i Skiroit vjen si gur i çmuar (Par., XV, 85-86) që zbukuron gjerdanin e historisë së takimit “të pashmangshëm” të shqiptarëve me Danten.


    Guido, u deja se ti e Lapo e u vet

    nga një magjepsje e madhe t’ishëm shpjerë
    e vënë mbi një vark’ sa me çdo erë
    pas vllimit tëj dhe timit t’ vej për det.
    kshtu çë furtura o tjetër mot të shkret
    ngë mënd na jipëj ndo pengim të tjerë
    madje, tue rruar në të njëjtën vlerë,
    sa t’ rrijëm bashk’ të kishëm më shum’ et.
    E zonjën Vanna e zonjën Lagia pra
    m’ atë çë te tridhjetat vargu ë shfaqur
    i miri magjistar me ne t’i shtoj:
    e ktu për dashuri tue fol’ t’ na shkoj
    e nganjëra te ato t’ ish e këndaqur
    si kam bes’ se dej’ t’ ishëm edhe na.


    Sonet ABBA, ABBA, CDE, EDC

    Dante fjandaks se Guido, Lapo e ai vetë si për magji të ishën rrëmbyer e venë te një varkë çë me çdo erë të vejë për dejt sipas dishirimit të tyre e të vet, ashtu çë as shtërgatë as tjetër mot i keq mënd të bëhej pengesë, madje tue rruar gjithmonë me një qëllim të njëjtë të i rritej dishirimi të rrijën bashkë. E dej pra se magjistari i butë të vëjë me ata zonjën Vana e zonjën Lagia e atë jetrën çë ndodhet tek i tridhjethti vend (bukurije) e dej se kish ligjërohej përherë për dashuri e se nganjera e atyreve të ish e këndaqur, ashtu si Poeti ka besë se dej t’ishën ata.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË