More
    KreuIn memoriamMatteo Mandalà: Lamtumirë Mjeshtër i dashur, Mik i shtrenjtë i Arbëreshëvet!

    Matteo Mandalà: Lamtumirë Mjeshtër i dashur, Mik i shtrenjtë i Arbëreshëvet!

    Lajmi i vdekjes së Ismail Kadaresë më mbërriti papritur pardje në mëngjes pak përpara se të fillonte mbledhja e radhës e këshillit të departamentit. Brenda pak çasteve në fytyrat e kolegëve të mi u shfaq një vel trishtimi, shprehje e një pikëllimi të sinqertë për këtë humbje të madhe të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Të gjithë kolegët e mi e çmojnë artin e Kadaresë; disa syresh kishin pasur rast ta njihnin personalisht në vitin 2009 gjatë ceremonisë solemne të dorëzimit të titullit Laurea Honoris Causa që iu akordua nga Universiteti i Palermos. Aty për aty në atë auditor ku ishin mbledhur profesorë dhe studiues të shquar italianë u konkretizua tributi modest, por domethënës në kujtim të shkrimtarit të madh shqiptar.

    Kadare ishte një mik i shtrenjtë dhe vlerësues i madh i arbëreshëve dhe i historisë së tyre kulturore dhe letrare. Të pavdekshme do të mbeten vlerësimet që ai i kushtoi Jeronim De Radës dhe Skënderbeut, imazhin historik i të cilit ai e lidhte thuajse instinktivisht me arbëreshët e Italisë. Ende sot të gjalla janë kujtimet dhe mbresat e udhëtimeve që shkrimtari ynë ndërmori në Kalabri dhe në Sicili. Gjatë këtyre vizitave ai u rrethua nga përzemërsia dhe entuziazmi masiv. Të shumtë ishin arbëreshët që donin ta takonin, t’i shtrëngonin dorën dhe t’i shprehnin mirënjohjen e tyre. E paharrueshme mbetet vizita që ai bëri në Horën e Arbëreshëve, kur, i shoqëruar nga e shoqja Helena dhe nga mbesa Doruntina, gjatë një momenti që edhe sot nuk mund ta përshkruaj me fjalë, të pranishmit perceptuan në fjalën e Kadaresë ndjesinë e mishërimit magjik të së vërtetës letrare.

    Kadare ka qenë një nga përfaqësuesit më karizmatikë të letërsisë botërore, ndër interpretuesit më të thellë të shoqërisë bashkëkohore, dëshmitar i pashoq i tragjedisë që ngërthen hera-herës shoqërinë njerëzore duke i mohuar të drejtat më elementare. Për këtë arsye vepra e tij letrare përbën një thesar kulturor të paçmueshëm, që në të ardhmen do të tërheqë gjithmonë e më shumë vëmendjen e lexuesve dhe kritikëve. Të gjithë studiuesve dhe në veçanti Akademisë së Shkencave u bie barra të vlerësojnë trashëgiminë e artit kadarean dhe t’ia përçojnë atë kritikisht pasardhësve. Kjo është një detyrë shkencore që do të na lejojë jo vetëm të përsosim paradigmën e vdekjes së autorit, temë kjo fort e dashur për teorinë letrare, por edhe të pohojmë se vepra e Ismail Kadaresë është tempulli i vërtetë ku ai prehet sot. Kadare thoshte shpesh se për dekada të tëra kishte jetuar si një gjysmë i vdekur mes të gjallëve: nëse ne studiuesit e letërsisë do t’ia dalim në punën tonë, mund të them me plot gojën që në të ardhmen Kadare do të jetë më i gjalli ndër të vdekurit!

    Së shoqes, Helenës, vajzave Gresës dhe Besës, nipërve dhe mbesave, botuesit Bujar Hudhri, Akademisë së Shkencave, kolegëve dhe miqve të shumtë të Ismail Kadaresë u bëj ngushëllimet më të sinqerta në emër të arbëreshëve, të familjes sime dhe në emrin tim personal.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË