More
    KreuLetërsiBibliotekë"Marshi i reaksionit në një ditë të nxehtë vere", tregim nga Marius...

    “Marshi i reaksionit në një ditë të nxehtë vere”, tregim nga Marius Dobrescu

    Vapa në atë orë të ditës kishte mbuluar qytetin me një rreth të rëndë dhe të lagësht, prej të cilit, sado të përpiqeshe,nuk kishe ku të shkoje. Poshtë, në rrugë, kalimtarët dukeshin sikur notonin në ajër, duart i lëviznin si ca krahë të ndonjë zogu që ishte në agoni, ndërsa këmbët i hidhnin në kalldrëmin e flakëruar sikur të ishin në ndonjë ëndërr të keqe.

     Eshtë e vështirë të jetosh në këtë qytet, tha me vete ish-togeri, pastaj u hodh përsëri në krevat dhe filloi të lexojë. Këtu, në papafingon ku jetonte, zërat nga poshtë arrinin të mbytur, duke depërtuar dhe ato me zor në shtratin e lagësht të vapës nën të cilën qyteti dihaste.

    Pak ditë më parë kishte dalë nga burgu, ku qëndroi ca më pak se dy vjet dhe po merrte veten. Me këtë shfajësohej. Në të vërtetë nuk po e merrte fare veten, një zagushi e tmershme e mundonte prej disa ditësh.

    Shokët e shkollës ushtarake, shumë prej tyre oficerë në Ushtrinë e re Popullore , i shmangeshin.Dhe me të drejtë,k ush guxonte të kompromentonte karrierën me një ish koleg të shkollës ushtarake të Tërgovishtes të cilit i ishin hequr gradat  dhe ishte dënuar për motive politike, që sapo kishte dalë nga Zhilava? Problemi i tyre.

     Gjëja më e vështirë ishte se nuk gjente asnjë lloj pune dhe rronte me disa qindra lekë që ia kishte dhënë i ati, një fshatar i pasur, i rrënë nga vafti, nga Tënkëbeshti.Pasi i dërgoi ato lekë  me një bashkëfshatar, plaku nuk donte të dëgjonte për të dhe as nuk gëzohej ta pranonte në shtëpi, në fshat. Ndoshta me të drejtë.

    Tani, duke u kthyer në kohë, dhe ai vetë ndjente keqardhje për ato që kishin ndodhur. Duke e vënë veten në situatën në të cilën ishte gjendur, tani do të kishte gëlltitur gjuhën dhe jo të thoshte fjalët për të cilat u dënua. Por ja që dy, tre fraza të kostojnë. Diskutimi kishte ndodhur midis kolegëve të klasës, që porsa kishin dalë nga shkolla.Flisnin të gjithë njëherësh, pa dëgjuar dhe pa patur frikë se ndonjëri prej tyre mund të spiunonte në polici. Ai i dha rëndësi vetes, provoi të dalë mbi të tjerët. Kush është më i mire, arsenali ushtarak gjerman apo ai sovjetik? Ja një pyetje të cilës nuk është mirë ti përgjigjesh. Nëse do kishte menduar edhe atëhere si sot nuk do kishte pësuar gjë.

     Por edhe të lexonte gjithë ditën nuk mundej. Kur mërzitej hidhte një këmishë në shpatulla, vishte sandalet dhe fillonte të ecte ngadalë nëpër bulevardin Viktoria. Garsoniera ku rrinte ishte e një miku që ndodhej në një lokalitet të thellë të Moldovës dhe nga lart, nga dritarja, dukej e gjithë rruga, deri në magazinën “Viktoria”, ku dikur ndodhej “Galeria Lafayette”, Posta  e Madhe dhe madje edhe  kupola e Qëndrës së Ushtrisë. Nuk ishte keq nëse nuk do ishte kaq nxehtë si tani.

          U vërtit në krevat me librin në dorë dhe e ndjeu se i erdhi gjumi. Kjo vapë

    prej dreqi e ka fajin, tha me vete ish-togeri dhe vuri librin poshtë, drejt në dysheme. Flokët në qafë i ishin lagur nga djersa, por nuk përtoi ti fshinte. E pati bërë disa herë këtë veprim gjatë mëngjesit.

          Ato disa minuta që dremiti ia shtuan ndjesinë e neverisë. Në djall, tha, duhet të ngrihem dhe të dal, ndryshe do çmendem këtu. Bëzëitja që dëgjoi në ëndërr nuk donte ti dilte nga koka, sikur pas ballit, një mizë e madhe dhe nervoze që nuk dihej nga kishte hyrë, përplasej mes dy xhamash.Megjithatë kjo bëzëitje nuk vinte nga koka e tij, por prej diku jashtë, nga rruga, afrohej hap pas hapi, ndërsa zërat dëgjoheshin vazhdimisht dhe më qartë. Çudi, tha me vete, kujtoja se koha e marsheve me parulla kishte kaluar. Klasa punëtore triumfoi, morri pushtetin dhe e ardhmja i përket asaj. Ato dy vjet, sa qëndroi në “universitet”, në Bukuresht dhe në gjithë vendin kishin ndodhur ndryshime të cilat disa i cilësonin si epokale. Jehonat e tyre arrinin edhe tek ai,në burg, gjatë konferencave të oficerëve–edukatorë dhe nga gazetat që i lexonin në kolektiv. Po, çdo gjë ishte përmbysur me kokën poshtë dhe ndonjëherë ishte kaq i çoroditur dhe i pafuqishëm sa që nuk deshte të mendonte se çfarë e priste jashtë.

    Poshtë, në bulevardin Viktoria, bëzëitja e të folurave e përzjerë u transformua në një det zërash të cilat, herë pas here, shpërndante në ajrin që zjente disa parulla të cilat ai nuk i kuptonte. Në të vërtetë mendja nuk pranonte ti kuptonte, kaq të habitshme i dukeshin.Eshtë e pamundur,

    mërmëriti ai dhe u ngrit nga krev ati, morri një stol dhe u ngjit në dritare. Kjo është e pamundur, tha përsëri.Fjalët e turmës tani përplaseshin në muret e ndërtesave  të larta duke u bërë, nga një çast tek tjetri, më të qarta.”Poshtë komunistët! Qeveri pa komunistë!” S’ka mundësi, sa s’thirri, si i liruar nga prangat. Dhe një mendim i papritur i largoi çdo gjurmë të ndjesisë së plogështisë. Po, janë tanët, mendoi i gëzuar si një fëmijë. I shkoi nëpër mend se mund të kishin ardhur amerikanët. Ndoshta rusët kanë ikur me nxitim dhe në vend të tyre kanë ardhur amerikanët. Hëm, çdo jetë vallë? Po shiko, o budalla, shiko dhe ti pak jashtë! Nuk është ëndërr,nuk është ëndërr, jo.

    Dhe ish-trogeri veshi shpejt sandalet ,rregulloi këmishën mbi kurizin e djersitur dhe vrapoi nëpër shkallë jashtë, të shohë se çfarë po ndodhte. Disa fqinjë, duke i kapërxyer shkallët nga dy njëherësh, u përplasën me të dhe vazhduan më tej, të zverdhur në fytyrë dhe të djersitur. Ky është kulmi, thërriste nga një kat më i vogël një plak, invalid lufte, duke vërtitur bastunin mbi kokë. Një demonstratë antikomuniste mu në zemër të kryeqytetit! Doli në bulevardin Viktoria në çastin që turma e tensionuar po vinte nga bulevardi i Indipendencës. Kreu i kolonës ndaloi dhe po priste fundin. Një parullë e madhe, me disa gërma shumë të trasha, tundej e fryrë si një velë anijeje. Poshtë komunistët! Shpresa jonë është Amerika! Disa flamuj me stemën mbretërore vareshin të përthyera nga vapa si ndoca lecka të panevojshme. Por kulmi ishte se në bulevardin Viktoria nuk dukej këmbë polici, sikur qyteti të ishte lënë në duart e monarkistëve. Kjo i dha kurajo. Nga burgu i kishte mbetur zakoni poshtërues t’ju shmangej uniformave blu. Mungesa e forcave të rendit i ngjalli besimin.

          Turma filloi të lëvizte përsëri.Kolona ishte pak më e gjatë se njëqind metra, ndërsa ata të rreshtave të fundit ecnin sikur të këndonin me la,la,la.

    Por, s’ka gjë, kështu ndodh gjithmonë. Marshimi iu duk një shenjë e mirë. Ishte fillimi. Kush e di çdo vinte më pas. Ndoshta edhe në qytete të tjera po ndodhte e njëjta gjë.

          Me hapa të shpejta hyri edhe ai në mes të kolonës. Njerëzit e panë si të habitur. Mos mendojnë se jam ndonjë provokator i ndyrë, tha me vete ish togeri. Filloi të nxitojë dhe dalëngadalë po i afrohej rreshtave të para. Kur kaluan “Galerinë”, ai ndodhej prapa atyre që mbanin parullën. Poshtë komunistët!  Pa komunistë!,- dëgjoi zërin e vet dhe iu duk sikur nuk foli ai, por dikush tjetër, një i panjohur që kishte fytyrën e tij, zërin dhe furinë e tij. Ishte momenti të hakmerrej për ato dy vjet të kaluara mes të dënuarve ordinerë, hajdutë, përdhunues dhe banditë,atje ku e kishte hedhur fati. Të hakmerrej për tradhëtinë e ish kolegut dhe për proçesin ku iu ndalua çdo lloj mbrojtjeje.

     Vetëm tani vuri re se midis manifestuesve gjendeshin shumë pak gra. Nga trotuari kalimtarët  shihnin kuriozë. Një pjesë tundnin dorën me ndrojtje, të tjerët buzëqeshnin pa besim, ndërsa  shumica  kishin portrete të zgjatur si shenjtorë byzantine. Kush mund të besonte se rrota do të kthehej një ditë, tha me vete ish togeri. Fytyrat e njerëzve të kolonës ishin vazhdimisht edhe më të djersitura. Nëse dikush do ti kishte kërkuar ti përshkruajë njerëzit në të djathtë dhe në të majtë të tij, apo para dhe pas tij, me siguri nuk do kishte mundur.

    Çdo gjë përreth tij, fytyrat e njerëzve, duart dhe këmbët e tyre, flamujt, shapkat dhe këpucët të deformuara nga arnat, gjithçka, pra, e kishte humbur çdo trajtë individuale, ishte përzjerë në një formë të  shëmtuar, në një brumë që zjente nga e cila nuk arrinin të riformoheshin. Ose ndoshta kështu i ngjanin atij, ngaqë dielli i pamëshirshëm i godiste tëmthat dhe e kishte trullosur.

    Njerëzit e kreut të kolonës dhe ai bashkë me ta ndërkohë, kapërxyen kryqëzimin me bulevardin Elisabeta. Këtu ndaluan edhe një herë, për të pritur ata që kishin mbetur prapa. Ndoshta do flasë ndonjë nga shefat, mendoi ai kur pa një grup që nxitonte pa kuptim nga trotuari Qendrës së Ushtërisë. Pasi u grupuan përsëri, manifestuesit u frymëzuan menjëherë. Pankartat filluan të tundeshin me forcë, zërat u bashkuan në parullat e njohura dhe… Këtu befasia e tabllosë që zbuloi para tij ia ndërpreu mendimet. Nuk ka mundësi, tha i habitur si kurrë ndonjëherë. Përsëriti disa herë fjalët e fundit, sikur të donte të kuptonte më mirë  ato. Por nuk kishte asgjë për të kuptuar. Pak nga pak gjërat filluan të marrin formë në kokën e tij dhe një hije frike u struk në shpirt. Frika morri përmasa tmerri dhe arriti ti mbizotërojë çdo mendim, ndërsa lëvizjet filloi ti ketë kaotike sikur të kishin humbur çdo koordinim mendor.

    Në trotuar, e hipur në një piedestal që lartësohej mbi rrugë, një ekip nga stacionet e lajmeve filmonte.Skenari ishte i thjeshtë dhe nuk e pati të vështirë ta kuptojë: qeveria komuniste e sapo zgjedhur donte ti përcillte opinionit publik një sinjal të qartë dhe pikërisht se përpjekjet e fundit të opozitës reaksionare, e cila nuk pajtohej aspak me idenë se e kishte humbur lojën, ishin të kota. Ish togeri kuptoi  më në fund se njerëzit rreth tij ishin disa figurantë të paguar fare pak, të cilët deklamonin disa parulla të mësuara përmendësh, ndërsa ai ishte i vetmi që i shkuli mushkëritë duke thirrur  me dëshirë të vërtetë. I trembur nga kjo ide, rralloi hapat dhe dalëngadalë mbeti më prapa, derisa u gjend në fund dhe po ashtu fshehtas doli nga kolona.

    Me frikë në shpirt u kthye në dhomëzën e tij në papafingo dhe për shumë javë nga ai moment jetoi me frikë të madhe, duke pritur nga një çast në tjetrin ta “ngrinin” përsëri dhe ta dënonin për veprimtari kundër regjimit. Dhe unë mendoj se, ndoshta realizuesit e dokumentarit, duke parë filmin nga fillimi në fund, do kenë bredhur ngado për ta gjetur figurantin që interpretoi në mënyrë aq bindëse atë rol pa asnjë vlerë. Por ndoshta nuk ka qënë kështu dhe filmi me marshin e reaksionit e viteve të para të pushtetit popullor do jetë harruar në ndonjë sirtar plot me pluhur dhe me bishta cigaresh.

            Përktheu nga rumanishtja Pandi Bello

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË