More
    KreuLetërsiBibliotekëMark Twain: Tregimi i djalit të prapë

    Mark Twain: Tregimi i djalit të prapë

    Na ishte njëherë një djalë i prapë i cili quhej Xhim – megjithëse, nëse do e vinit re, do të shihnit që thuajse të gjithë djemtë prapanikë quhen Xhejms në librat e të dielës. Ishte e çuditshme, po kaq sa e vërtetë që ky djalë quhej Xhim.

    Ai nuk e kishte mamanë të sëmurë – një nënë e sëmurë e cila ishte e devotshme dhe e lodhur, dhe do të ishte e lumtur të shtrihej nën tokë dhe të pushonte, por prej dashurisë së madhe lindi të birin, dhe ndjeu një ankth se bota do të ishte e ashpër dhe e ftohtë ndaj tij kur ajo të mos qe më. Shumë prej djemve prapanikë në librat e së dielës quhen Xhejms dhe kanë mamatë e sëmura të cilat iu mësojnë të thonë, “Tani po pushoj”, e të tjera; dhe iu këndojnë me ëmbëlsi, me zë të adhurueshëm; dhe më pas iu japin puthjen e natës së mirë, gjunjëzohen krah shtratit dhe i përkëdhelin. Por me këtë shokun ishte ndryshe. Ai quhej Xhim dhe gjithçka shkonte mirë me të ëmën – nuk kishte as lodhje e as gjëra të ngjashme. Ajo ishte shumë e fortë dhe aspak e kundërta; mbi të gjitha nuk bëhej nervoze për shkak të Xhimit. Thoshte se nëse ai do të këputte qafën diku, nuk se do t’i bëhej vonë. E vinte në gjumë me të rrahura, dhe nuk i jepte kurrë puthjen e natës së mirë; përkundrazi, i shkulte veshin përpara se të linte dhomën.

    Njëherë, ky djalë mistrec vodhi çelësin e depos dhe rrëshqiti poshtë si ngjalë për t’i dhënë vetes pak reçel, më pas mbushi vazot me katran, në mënyrë që e ëma të mos e vërente ndryshimin; për asnjë çast nuk pati shenjë pendese, madje as që i pëshpëriti vetes “A është e drejtë kjo që po bëj? A nuk është mëkat një gjë e tillë? Ku shkojnë djemtë e prapë që hanë vazot me reçel ëmbëltor?” dhe as që gjunjej për të premtuar se kjo do të qe hera e fundit dhe se nuk do ta përsëriste më; dhe të ngrihej i qeshur, me zemër të pastër; e të shkonte t’i rrëfente të ëmës gjithë ç’kish bërë; të përgjërohej për falje; të merrte bekimin e saj me lotët e krenarisë dhe mirënjohjes që shkonin lumë poshtë syve të saj. Jo, kjo ndodh thuajse me çdo djalosh mistrec në të gjithë librat, ndërsa me Xhimin ndodh çuditërisht e kundërta. Ai ha reçelin e thotë në mënyrën e tij mëkatare, të poshtër, që ishte kaq i parezistueshëm. Më pas e mbush me katran dhe thotë se dhe kjo është e parezistueshme, dhe qesh, dhe vështron “sesi plakaruqja e merr dhe e nuhat” kur zbulon proçkën; në të vërtetë ajo e zbuloi, ai mohon të dijë gjë mbi ç’po ndodh, ajo e rreh, ai nis qan me ngashërim. Ky djalë është plot të panjohura – gjithçka del të jetë ndryshe me të në krahasim me atë që i ndodh të prapit Xhejms në libra.

    Njëherë hipi mbi pemën e mollës së Fermës Akorn për të vjedhur, dhe dega nuk u këput, dhe ai nuk ra të thyente krahun, e as nuk u sulmua nga qeni i fermerit, as u shtri në shtrat për javë të tëra ku do të shërohej si më parë. Oh, jo! Ai vodhi aq mollë sa mundi dhe zbriti shëndoshë e mirë; dhe ishte gati nëse qeni do të sulej drejt tij për ta shqyer, pasi në dorë mbante shtrënguar një tullë. Ishte kaq e çuditshme – asgjë e ngjashme nuk ndodh nëpër ata librat e vegjël me kopertinë prej mermeri dhe me foto të burrave palltogjatë, meslidhur e me kapele, dhe pantallonat të shkurtra mbi kyçe; e gratë me palët e fustaneve nën krahë, pa tutelë. Asgjë si këto nuk ndodh në librat e së dielës.

    Njëherë vodhi thikën e xhepit të mësuesit, dhe kur nisi të ketë frikë se do e zbulonin apo do ta rrihnin, e vendosi fshehurazi nën kapën e Xhorxh Uillsonit – djalit të të gjorës vejushës Uillson, djalit shembullor, më të mirit të fshatit, i cili i përunjej gjithmonë të ëmës dhe që nuk thoshte kurrë një të pavërtetë, që mësonte kaq shumë dhe e dashuronte shkollën e së dielës. Kur thika ra prej kapës, i gjori Xhorxh vari kokën dhe u skuq si ta kishte pushtuar faji, dhe mësuesi ngriti menjëherë akuzën e fajësisë ndaj tij duke lëshuar mbi shpatullat e djaloshit të gjithë peshën e drejtësisë, një drejtësi kokëbardhë që nuk u shfaq mes tyre, dhe as që nuk u dëgjua të thoshte, “Kursejeni këtë djalosh fisnik – këtu fshihet një dorë tjetër! Po kaloja kah dera e shkollës gjatë pushimit të drekës, dhe pa e vënë re as vetë, vërejta krimin të kryhej!” Më pas Xhimi nuk u rrah, dhe drejtësia e nderuar nuk lexoi asnjë predikim përlotës dhe mori Xhorxhin për dore duke i thënë se një djalosh kaq i mirë meritonte të lartësohej, më pas i tha të ndanin shtëpinë së bashku, të fshinte zyrën, të ndizte zjarrin, të drejtonte punët, të priste drutë, të studionte drejtësi, të ndihmonte të shoqen me punët e shtëpisë, të kishte gjithë kohën e mundshme për të luajtur, të paguhej katër kacidhe në muaj dhe të ishte i lumtur. Jo; mund të ndodhte kështu në libra, por nuk mund të ndodhte kështu me Xhimin. Asnjë plakush kokëthinjur dhe i drejtë nuk ndërhyu në këtë çështje, kështu që djali i përsosur Xhorxh u dënua me rrahje dhe Xhimi u gëzua kaq shumë sepse, ti e di, Xhimi i urrente djemtë e moralshëm. Xhimi tha se “nuk duronte dot qengjin që pi dy nëna”. E tillë ishte gjuha e prapë e këtij djali mistrec të lënë pas dore.

    Por gjëja më e çuditshme që i ka ndodhur ndonjëherë Xhimit, ishte kur shkoi për të lundruar një të diel, dhe nuk u mbyt, e kur një herë tjetër shkoi për të peshkuar dhe e zuri stuhia, nuk u godit nga asnjë rrufe. Pse, mund të shohësh dhe të shohësh në cilindo libër që lexohet të dielave prej tani e deri në Krishtlindjen e ardhshme dhe nuk ke për të hasur në një gjë të tillë. Oh, jo; do të zbulosh se të gjithë djemtë e prapë të cilët shkojnë për lundrim do të mbyten me patjetër; dhe të gjithë djemtë që i kap stuhia ndërkohë që peshkojnë të dielave, fatkeqësisht i godet rrufeja. Varkat me djem të prapë gjithmonë përmbysen të dielave, dhe ka gjithmonë stuhi kur po këta djem të prapë dalin për të peshkuar të shtunave. Sesi Xhimi ynë iu shpëtonte këtyre ndodhive, mbetet ende mister për mua.

    Po ky Xhim kaloi një jetë të magjepsur – ndoshta kështu duhet të ndodhte. Asgjë nuk mund ta lëndonte. Madje i dha elefantit të fermës një thes plot duhan dhe elefanti nuk e ngriti feçkën ta godiste njëherë. Erdhi rrotull dollapit mbushur me aromën e mentës, dhe përsëri nuk piu acid nitrik në vend të ujit. Mori fshehur armën e të atit dhe shkoi për gjah një të shtunë, pa mundur të qëllojë tre apo katër nga gishtërinjtë e tij. E gjuajti të motrën me sa kishte fuqi mu në mes të barkut në inat e sipër, dhe ajo nuk u mbështoll mes dhimbjesh gjatë ditëve të gjata të verës, apo të vdiste nën fjalët e ëmbla të pendesës, që ai dhimbshëm prej buzëve të tij, me zemrën e copëtuar në duar. Jo, ajo ia hodhi paq. Ai rendi dhe shkoi prapa diellit, dhe kur u kthye nuk se ishte mërzitur prej vetmisë, as të dashurit nuk i gjeti të preheshin të qetë në varrezat e kishës, as shtëpia e djalërisë nuk ishte shkatërruar prej kohës dhe pluhurit të harresës. Ah, jo! U kthye po aq i dehur sa marinarët dhe ndalesa e parë ishte pranë shtëpisë.

    U rrit dhe u martua, krijoi një familje të madhe, dhe një mbrëmje i kaliti të gjithë në sëpatë, u pasurua me të gjitha mënyrat e mashtrimit dhe poshtërsive; dhe tani është ligësia më e madhe në fshatin e tij të lindjes, dhe është botërisht i respektuar, dhe i përket Legjislacionit.

    Pra tani e sheh që nuk pati kurrë një djalë të prapë quajtur Xhejms në librat e të dielës, që kishin kësi fati sa mëkatari ynë Xhim me jetën e tij magjepsëse.

    Përktheu Antonio Çikollari

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË