KreuLetërsiBibliotekëMark Simoni: Gruaja që shkruante në tren (tregim)

Mark Simoni: Gruaja që shkruante në tren (tregim)

Pengu im për ta gjetur me doemos atë libër, (dhe që ta lexoja patjetër), tashmë qe zbehur, dhe ishte bërë krejt i kotë. Mbasi unë, as nuk ia mësova dot emrin asaj gruaje që shkruante atë natë, dhe as titullin s’kisha nga t’ia dija atij libri, përpara se të botohej. Ky tundim nisi të më fikej dhe shuhej ngadalë, dhe erdhi duke u  plogështuar, deri sa u bë dembel, dhe zvarritej me përtesë brenda ndërgjegjes sime.

Por bash atëherë kur po hiqja dorë përfundimisht nga kjo dëshirë, dhe po e flija mendjen një herë e përgjithmonë, (se nuk mund ta gjeja kurrën e kurrës as librin dhe as emrin e autores së tij të panjohur), se nga mu shpif e mu bedit një zjarmi pasioni, një hov, më buisi një hatër i fortë, njëfarë joshjeje brenda vetes, ndoshta një lakmi e turbullt për t’i shkuar mbrapa idesë që, ta kërkoja me doemos dhe patjetër atë copë libër, të shkruar atë natë të errët, në atë tren të çuditshëm, që ikte mes përmes Europës, nëpër shi dhe mjegull.

Nisa të kujtoja ngadalë dhe me kujdes, krejt i vemendshëm, çdo imtësi, çdo detaj të atij udhëtimi të gjatë, në kompartimentin e trenit me xhama gjithë avull, që ikte nëpër terr, duke fërshëllyer si një bishë e tërbuar. Dhe nga gruaja e asaj nate, që po shkruante libër, nuk doja të harroja kurrësesi asgjë, asnjë filigram nga gjithë ato grimasa të fytyrës dhe lëvizjeve të saj, nga gjithë ato orë të shkruari. Dhe pastaj prej atje, (si nga leksiku i një gjuhe të çuditshme), të mund të nxirrja, sado pak, aq sa të mundja, aty këtu, shenja dhe simbole, nga ku, nëpër to, të gjeja ndonjë sinjal të gjuhës së trupit të saj, e që ndoshta, mbase të më zbërthente ndonjë fill emocionesh të atij libri që qe shkruar, bash aty para syve të mi. Dhe e gjitha kjo më vonë të më çonte dalëngadalë, tek mundësia se çfarë qe shkruar në atë libër, (si mënyrë për ta gjetur), dhe për t’i rënë me gjasë mbase në kokë edhe titullit të tij.

(Mu kujtuan shtriganët, magjistarët, fallxhorët, madje dhe arkeologët me amforat e gjetura, që bënin çmos të ndërtonin narrativën e tyre nga simbole gjithëfarë lloji. Dhe qesha me vete.).

E mbaja mend si tani mënyrën se si ajo grua u ngjit në vagonin e madh të trenit ku qeshë dhe unë, se si vuri rrobat në sedilje, valixhen e hypi lart, sistemoi laptopin në tavolën e vogël përpara, pastaj u mor me shallin e dimrit, (duke e lënë gjysëm të palosur), nxori një velencë të bukur me kaproj dhe deborë, rregulloi dy a tre blloqe, nga një termus i kuq hodhi kafenë në gotën plastike, dhe, pasi u rehatua, duke u mbështetur ngeshëm në shpinoren e sediljes, në fytyrë iu përhap një dritë rehatie. Dukej menjëherë se qe nga ato udhëtare që do të bënte një rrugë të gjatë, dhe po shkonte për larg.

Kujtoj se ishte shumë naziqe, elegante dhe me një trup të hajthëm, me ca lulka ledhesh, nga ato përkdhelitë mes gruas dhe fëmijës. Lëvizte gjithë finesë dhe maturi, me atë delikatesën sikur jetonte frikën se nga çasti në çast edhe mund të krisej si vazo qelqi. Gjërat që pati sjellë me vete, çdo veshje dhe salltanet që e rrethonte, e tregonte se ajo qe me një shije të hollë.

Sytë e hijshëm, me pak përhumbje melankolie nëpër to, i jepnin qenjes së saj një tis misteri të rafinuar, që siç duket e kishte kuruar përherë me shumë kujdes dhe vetëdije.

Më kujtohet si tashti, se si u hidhte sytë shënimeve nëpër blloqe, se si gishtrinjë e saj vallëzonin në tastjerën e laptopit, pastaj ndërmendej për ca çaste, duke mbyllur lehtë sytë, dhe ashtu fantazonte, (mbase duke lidhur mendimet, idetë, skenat). Nuk e harroj as sot e kësaj dite lapsin e saj të kuq, që shkarraviste, nënvizonte apo fuste nëpër rrathë ato çfarë pati shkruar atje nëpër ato fletë blloqesh. Pastaj përsëri, mbasi përqëndrohej për pak çaste, i lëshohej turravrap me vrull tastjerës, me një farë alarmi për të ruajtur që të mos i harronte ato që kishte ndërtuar në kokën e saj. Ndalej herë pas here, e rishikonte atë që pati shkruar, korigjonte dhe fshinte nëpër të, përqendrohej dhe përmblidhej për të vazhduar përsëri, akoma, aty, mbi tastjerë dhe ekran, duke picërruar sytë. Herë pas here rregullonte velencën që kishte hedhur mbi gjunjë, e cila vazhdimisht rrëshqiste ngadalë si një re e butë. Dallohej menjëherë se kishte gjithnjë kujdes elegant ndaj vetes.

Prej brenda sharmit të saj dukej sikur fluturonin dhe vinin herë pas here psherëtima të ëmbla, ca ndjeshmëri të holla, të buta, krejt frymëzim.

Këto detaje që kujtoja, qenë të këndshme dhe plot hire, por aspak nuk ma ndihmonin dëshirën time për ta gjetur kështu çfarë ajo pati shkruar, as se çfarë qe ai libër, dhe aq më pak se si mund ta kishte emrin ajo shkrimtare.

Mbaja mend se pothuaj gjatë gjithë udhëtimit, ajo pati ndenjur vetëm me veten e vet, e kapluar nga fantazia e asaj që po krijonte. Ishte disi e kyçur për ta deshifruar sado pak, për të nxjerrë prej skutave të ngjarjeve të atij libri që po bëhej të paktën ndonjë pjesë a ndodhi. U mundova të sillja nëpër mend, (me çdo mënyrë), ndonjë mundësi për të kuptuar sado pak nga libri, pikërisht duke lexuar qenien e saj, dhe të shihja ndonjë detaj, skenë ngjarje, taman si ai fëmija i vogël, që nëpër plasën e derës të mund të kuptoja se çndodhte atje brënda. Ajo kishte një mjegull të lehtë misteri rreth vetes, me një përhumbje romantike të përzier me një melankoli të ëmbël. Ashtu e përhumbur dhe ëndrrimtare, bëhej përherë edhe më e largët, por gjithësesi akoma dhe më magjepsëse.

Megjithëse ajo qe e brishtë dhe delikate si një pafajësi, e përkorë, sharmante, gjithë nur, tërheqëse, por për të hyrë brenda saj qe shumë më e vështirë se pushtimi i ndonjë fortese, apo leximi i teksteve të vjetra, nga gjuhët e vdekura.

Ato grimasa të imta, emocionet e përhapura nëpër gjithë qenien e saj, aty këtu dhe veç e veç, detaje fare të vogla, trandje trupi, dridhje të lehta, sy të tronditur, supe të mbledhura sikur po mbrohej nga ndonjë suferinë. Pastaj pamjen e fytyrës së saj që regëtinte nga një fjollë drite, ajo buzëqeshje e përkorë me një dhimbje dhe brengë të lehtë, herë pas here se si merrte me dorë, gjithë finesë, flokët që i vareshin dhe i hidhte pas. Dhe megjithëatë, të tëra këto jo vetëm që nuk më thonin asgjë për atë që po shkruhej në librin e saj, por përkundrazi, mi sukullonin dhe mi rrënonin dhe ato pak gjëra që kisha mundur të hamendsoja deri në ato çaste.

S’kam për ta harruar se, bash at’botë që unë gjysëm i përgjumur, qeshë kapluar nga ca kujtime të mijat të herëshme, kur befas ajo grua më tha t’i dëgjoja vetëm një pasazh të shkurtër e fillikat nga gjithë ajo që po shkruante.

Preku ballin, sikur bash aty hapej porta e kështjellës së saj, hodhi vështrimin disi përtej, atje ku s’kishte asgjë veç asaj që ajo po fantazonte, dhe nisi të më lexonte ngadalë.

Fliste për  vetëtimën që flakroi atje tej, jashtë trenit, dhe që e  përndriti botën përrreth në mënyrë të frikshme. Tregonte me ca penelata të lehta natën përtej xhamit, atë që e kisha parë dhe unë, për rrufenë që krisi e shugulloi gjithë qamet, dhe shiun që lotonte nëpër dritaret e ftohta përtej avullit, si dhe për konduktorin e mjerë e të mrrolur që po kontrollonte me avashllek dhe angari, vagon pas vagoni. E pati shkruar krejt bukur, impresionante, plot imazhe dhe efekte, duke ndarë kështu me mua atë gjë që e pata parë dhe vetë. Mbase vetëm e vetëm për të verifikuar tek unë shijen dhe emocionin e një lloj lexuesi, si dhe për të kuptuar e parë rreagimin tim. Dhe, kur vuri re se, mbase unë u përqëndrova më tepër se sa i pëlqente asaj, ajo me elegancë dhe finesë e mbylli leximin, heshti dhe u kthye përsëri brenda vetes së vet. Qe një heshtje e gjatë, e përzier me rrënojat e një buzëqeshje të vagullt, (opake si vetë pamja e turbullt e xhamave me avull). Pastaj hodhi vështrimin përtej dritares, atje ku nuk dukej asgjë dhe u përhumb.

Herë pas here e varte kokën mbrapa, duke hedhur vështrimin në tavanin e vagonit, apo ngrihej ngadalë, me qetësi, dhe bënte ecje në koridorin mes ndenjëseve. Pastaj kthehej dhe i lëshohej përsëri shkrimit dhe tastjerës, kundronte përtej dritaresh nëpër natë, siç dukej mundohej të dallonte sado pak se në çfarë vendesh po kalonte treni.

Gjithë atë natë të gjatë e të pa fund, nuk më harrohet se bëri tri a katër telefonata, të thjeshta, nën zë, krejt të shkurtëra. Njëra qe rreth një krimi, ku ajo kërkoi vetëm një detaj për informacion, ndërsa të tjerat i bëri në koridorin e vagonit, me zë fare të ulët, ku unë nuk mbaja mend të kisha dëgjuar gjë.

Kur u kthye kishte një hare të brendshme, shikonte e entuziasmuar përrreth, sikur aty do të gjente diçka që i duhej për librin, kundroi natën atje larg, jashtë, siç duket për të marrë prej andej ndonjë realitet që ia vlente. Menjëherë hodhi vrik e vrik në bllok ca shënime të shkurtra, dhe andej nga mesnata vuri mbi trup velencën, mbështeti mjekrrën në dorë dhe e peshoi gjithë kokën aty, dhe krejt e lodhur pastaj, dalëngadalë e mori gjumi.

Kujtoj se bashkë me agun e ditës, pas tërë asaj nate të gjatë, po afrohej dhe stacioni ku unë duhej të zbrisja. Ajo ndjeu lëvizjen time dhe u zgjua. Fytyra e saj dukej sikur më thoshte, “S’ke çfarë i bën”, dhe duke mënjanuar velencën që kishte mbi trup, u ngrit dhe më përqafoj. Ndjeva puthjen e lehtë të saj diku mes qafës dhe veshit, frymën e grohtë që i doli prej trupit, si dhe aromën e parfumit tundues. U ndamë. Ajo ndenji atje, (në atë tren që ikte me revan dhe gjithë rropamë), duke vazhduar udhën e largët dhe librin e  saj, që nuk munda dot, kurrën e kurrës, të mësoja sado pak se çfarë qe shkruar në të.

***

Dhe vetëm sot, kur radioja në kasetofonin e makinës jepte “Rondo veneciane”, e muzika u ndërpre nga zëri i alarmuar i spikerit për një lajm të shkurtër, (ku u tha se para pak çastesh  qe vrarë  një shkrimtare e dëgjuar, duke shqiptuar me ton emrin e saj), shtanga. Dhe mu kujtua pas kaq kohësh ajo natë e errët dhe gruaja e bukur që shkruante libër në tren. Në çast më kapi alarmi dhe frika, dhe menjëherë më shkoi mendja se e vrara mund të ishte pikërisht shkrimtarja e asaj nate. (Ngaqë ajo qe e vetmja krijuese në botë që, jo vetëm e kisha parë në proçesin e të shkruarit, por unë nuk njihja askënd tjetër, asnjë figurë, dhe asnjë njeri letërsie, përveçse atë grua të panjohur në atë udhëtim të gjatë).

Më kapi ankthi, dhe një dhimbje e fortë më përshkoi trupin. Doja të dija akoma më tepër për ngjarjen, të mund të gjeja se a bëhej fjalë pikërisht për të apo për ndokënd tjetër, kur në çast spikeri ia behu përsëri.

Tashmë zëri nuk ishte më aq emocional sa në lajmin i fillimit. Qe një gjuhë racionale, gjuhë gazetaria dhe investigimi. Deklaratë e prerë, e ftohtë kallkan, e marrë nga leksiku i zbulimit dhe hetimeve. Pavarësisht se qeshë krejt i përqëndruar, përsëri e kuptova se njëra pas tjetrës po më iknin gjëra nga kronika. Munda të kap se: “Mendohet se është vrarë nga një njeri që e ka takuar shkrimtaren të paktën edhe një herë të vetme… Duket se është vrasje inati, pasioni, mbase dhe një cmirë e thellë…. Vrasësi i ka vjedhur një pjesë të dorëshkrimit të romanit të saj më të ri, dhe mendohet që e ka botuar këtë fragment në gazeta përpara se të dilte libri…Jemi në kërkim të shkrimit të gazetës. Po ashtu po lokalizojmë dhe ngushtojmë identitetin e këtij njeriu, që nuk ka fare lidhje me letërsinë, por që tronditi dhe bëri për vete lexuesit, me një jetëshkrim të veçantë, duke vënë për autor, një emër artistik të vetin, të sajuar … Shkrimtarja e njohur u vra pikërisht sot, në çastin që sapo libri doli nëpër librari…. Po shikohen të gjitha praktikat e linjave dhe biletave të trenave, mbasi ajo, një pjesë të veprës së saj e ka shkruar pikërisht në njërin nga trenat e jugut, dhe sepse vetëm atje ka mundësi t’i jetë përvetësuar ajo pjesë e dorëshkrimit.

Mos!-thashë me vete. – Qënka vërtetë ajo!

Në çast, dhimbja ime e pa orientuar dhe aq mirë për atë grua, filloi befas të më kthehej në një frikë dhe ankth, në një farë sikleti që po më ngushtohej rreth frymës dhe trupit, mbasi përnjëherësh e pashë veten që unë mund të isha bash aty, në rrëfanë të ngjarjes, i përzier në një rrethanë të ndërlikuar, i kapluar në një zinxhir detajesh krimi. Kërkova me nxitim në telefon emailin e biletës së atëherëshme të trenit, (dërguar on line), ku atje, ishte jo vetëm emri im, por dhe data, numri i sediljes, numri i vagonit, matrikulli i trenit, orari, linja.

Megjithëse u mundova ta ngushëlloja veten që nuk kisha kurrëfarë lidhje me këtë punë, as me ngjarjen dhe as me krimin, dhe se asgjë nuk më bashkonte fare me letërsinë dhe me ato dorëshkrime e shkarravina dreqi, (që kurrë nuk i mësova se çfarë qe shkruar nëpër to), hiç, po hiç, as me botimin e fragmenteve të romanit, madje as nuk kisha  ndonjë urrejtje apo ambicie ndaj dikujt për tu bërë shkrimtar, por, prap se prap e kuptova që, sido që të vinin punët dhe hetimet, ato do të mbërrinin edhe deri tek unë. Ndjeva se frika po më tutlonte ngadalë, por me ngulm dhe pa mëshirë. Nuk po mbushesha dot me frymë.

E ktheva menjëherë makinën drejt shtëpisë, duke u fërkuar në ca parmakë anash rrugës. Doja të vishesha sa më parë me një palë rroba më formale, dhe, pastaj, të nisesha për në zonën e Toskanës, atje ku kishte ndodhur vrasja, dhe t’ia behja vetë tek ato, e të shpjegohesha fill e për pe’ në zyrat e hetimit, për udhëtimin e asaj nate.

Sapo iu afrova shtëpisë, vura re që oborri qe mbushur me policë, si dhe plot makina me fenelinë. Patën mbërrituar shumë para meje.

Teksa më bënë ca pyetje fare të thjeshta, ashtu duke u sjellur vërdallë në këmbë, nëpër sallonin e ndenjës, kur befas, njëri nga njerëzit e hetimit solli nga dhoma ime e gjumit një tufë letrash dhe blloqesh. Unë kurrë s’kisha patur gjëra të tilla në shtëpi, ndaj në çast i njoha, i kisha parë bash atëherë në tren, atë natë, dhe se qenë taman letrat e gruas që shkruante.

U thashë se i njihja ato letra e blloqe shënimesh, tregova se si gruaja shkruante dhe shkarraviste apo nënvizonte nëpër to, por po habitesha se si ato qenë të gjitha aty, në dhomën time, nëpër të cilën hyja dhe dilja tërë kohën dhe nuk më patën rënë kurrë, asnjëherë në sy!

-Çfarë duan këto materiale të huaja në shtëpinë tuaj, a na thua? Si kanë mbërritur deri këtu tek ti?

-Patjetër që dikush i ka futur fshehtas këtu, për të më ngatërruar dhe për të ma varur mua këtë ngjarje në qafë. Duket që i ka sjellë këto dy a tre netë, (menjëherë sapo ka bërë krimin), dhe që unë kam qenë në udhëtim. Ju lutem kontrolloni nëse shtëpia ime ka ndonjë thyerje, ndonjë dritare të shtyrë, derë a xham të dëmtuar, ndonjë gjurmë të huaj dyshemeje, shenja gishtrinjësh, a ku di unë!

Nuk folën. U sollën dhe pak nëpër kthinat dhe zgëqet e shtëpisë, fotografuan me kujdes vend e pa vend, mbajtën ca shënime, dhe duke dalë më thanë që mos të largohesha nga qyteti, mbasi do të më thërrisnin e takonin përsëri.

Pëshpëritej nën zë se, në motelin buzë autostradës, ku u gjet trupi i gruas së bukur, bash në atë çasit kur llogaritej se kishte ndodhur krimi, (djali nuk kishte qenë për rreth dy orë në hotelin e vogël), ndërsa kamerat papritmas qenë fikur, duke e futur në mjegull hetimin.

Ditëve unë prisja me gjak të ngrirë se kur do të binte dera apo telefoni, lexoja gjithë ankth gazetat për të marrë vesh sadopak se çfarë po ndodhte me vrasjen. Ndërsa netët për mua qenë pafund të gjata, të lodhshme, me ca ëndërra të rënda halli, ku nëpër to më fanepseshin skena të çuditshme, të deformuara, në pusin e të cilave kisha rënë dhe nuk po dilja dot!

Bash atëherë kur pata një farë qetësie, (mbasi qenë bërë disa ditë që askush nga ato të hetimit nuk ishte dukur), befas më përfshiu një lloj ankthi tjetër. Pikërisht frika se përse, pikërisht përse, ato të hetimit nuk po vinin të më pyesnin. Mos ngjarja, nëpër ato zyra dhe dosje po formohej dhe plotësohej ngadalë, me kujdes, pa mua, por nga dëshmitarët dhe hetuesit, dhe unë që as dija fare se ku isha në raport me krimin, dhe çfarë mendohej nga ata rreth asaj vrasjeje. Më shkoi mendja që, mbase kur të mbyllej dhe të kopsitej çdo gjë, më në fund kur s’do të isha i zoti të mbrohesha dot, do të më thërrisnin për të më treguar se cili qe faji im dhe se si isha përfshirë në vrasje. Kjo më dërmoi dhe rrënoi krejt, mbasi mu fiksua se ndoshta diçka po luhej pas shpinës sime.

Dhe taman sikur të ma kishin dëgjuaralarmin e ndërgjegjes sime të rraskapitur, hetuesit nisën të më telefononin kohë e pa kohë, vizitonin shtëpinë time dhe dy herë më thirrën gjatë seancave kur pyetej konduktori i trenit, babai i djalit që dyshohej se pati vrarë  gruan e bukur.

Pyetjet që më bënin ishin të ftohta, gjoja si rutinë, por vende vende nëpër to dalloheshin marifete, djallzi dhe gracka. Madje nuk qenë mirëfilli pyetje, shtroheshin si tema diskutimi. Rrezja e këtyre temave  më dukej se zgjerohej dhe zmadhohej enkas,  vetëm e vetëm që unë të ndjehesha lirshëm dhe i qetë, deri në ndonjë çast fatal kur unë ta humbisja vemendjen. Më dukej vetja sikur po ecja në majë të gishtave, në  një bashtinë me mina, ku nga çasti në çast, këmbët e mija mund të shkelnin në vendin e gabuar.

Dëgjova të flitej lart e poshtë se djali nuk pati botuar pjesë të librit por vetëm ngjarje dhe udhëtime të jetës së tij.

Pavarësisht se çdo ditë blija një krah gazeta dhe i hapja vrik e me një frymë atje ku qe shkruar për vrasjen, që të mund të kuptoja qoftë dhe sado pak se çfarë po bëhej me hetimet dhe si kishte ndodhur në të vërtetë krimi, prap se prap kronikat qenë krejt të vakta, të stërgjatura, pa ndonjë substancë faktesh, më shumë merreshin me famën e gruas dhe fatkeqësinë e saj, se sa me narrativën e ndodhisë, dhe aspak as me arsyen e vrasjes dhe subjektin apo me përsonin konkret, të dyshuar.

Çdo ditë e më tepër po kuptoja se sa më shumë që linja e hetimit përballej me vështirësitë e versioneve dhe alibive  të ndryshme, aq më tepër vërshonin tek njerëzit thashethemet, interpretimet sipas qefit, pa kufi, pa asnjë teklif.

Nëpër disa portale fantazi nga më të harlisurat merrnin përsipër të flisnin për krimin, ezoteri arsyesh, rrethana të çuditshme, protagonistë të sëmurë.

Të gjitha këto, jo vetëm që nuk më orientonin, por më patën krijuar një konfuzion dhe anomali aq të madhe, dhe më patën lodhur aq shumë, sa për një çast e mblodha mendjen. Në gjithë atë hetim të pa fund, fati i keq do të kishte ruajtur një vend edhe për mua. Mbase ngaqë doshta, përse nuk kisha dalluar në tren ndonjë rrezik që i kanosej gruas dhe pikërisht kjo neglizhencë e imja, sipas tyre, mund të më përfshinte disi në faj. Ose, atë natë, ata mund të dyshonin se, unë në të vërtetë a kisha zbritur disa stacione para gruas, apo thjeshtë, vetëm sa kisha ndërruar vend në tren, (nga njëri vagon në tjetrin), mbasi ata mund të kishin kuptuar tek unë njëfarë tundim të lehtë dhe të turbullt, që më pati shkaktuar prezenca e gruas së bukur, prej të cilës unë vërtetë nuk pata dëshirë as ta humbja dhe as të ndahesha. Pyetje lloj lloji, kryeneçe, që buisnin nga ndërgjegja ime e trembur, më pushtuan krejt, dhe më lodhën aq shumë sa, isha gati që, sido që të  vinin punët, (edhe nëse do më ngarkonin ndonjë pjesë të fajit), qeshë drobitur e rrënuar aq shumë sa do ta pranoja, vetëm e vetëm që më në fund të mbyllej ky ankth e kjo punë.

Në darkë, në televizor, zëdhënsja foli mbi ecurinë e hetimeve. Fytyra e saj e zbehtë, ku nuk lëvizte asnjë muskul, ngjante shumë me kopertinën meite të dosjeve të hetimit. Ajo foli për detaje të reja, u mundua të bënte shpjegime të sakta dhe racionale tëvrasjes, sqaroi rreth shkrimit të gazetës, udhëtimin në tren të shkrimtares, fikjen e kamerave të hotelit, dhe u mundua me të gjitha mënyrat të zhdavariste sado pak mjegullat dhe alibitë. Megjithëatë edhe në ato deklarata ndjehej konfuzioni, sa erdhi një çast dhe zëdhënësja u dorëzua disi duke pranuar se:

“Më duhet të shpjegohem që këto anomali krijohen pa dyshim edhe nga përfshirja në rrethanat e krimit edhe e shumë personave të tjerë, që pavarësisht se nuk kanë lidhje direkte me vrasjen, ato edhe  tërthorasi janë ndihmës të kësaj ngjarje të rëndë.”

Më ra pika!

Pas ca ditësh hetuesit dhe policët ia behën prap, u sollen si pa vemendje hollit dhe dhomave, u morën me ca doreza dyersh dhe reze dritaresh, fotografuan sopraluçen e papafingos, dhe në fund më pyetën nëse gruan e trenit e kisha takuar përsëri pas asaj nate të gjatë, nëse kisha parë ndonjë njeri në tren që më kishte bërë përshtypje për ndonjë gjë, dhe a më kishte treguar ajo ndonjë diçka nga çfarë po shkruante, dhe përse po e shkruante. E mblodha veten dhe u përgjigja ngadalë, shkurt dhe prerë, me fjalë të pakta, në mënyrë që ata të mos gjinin te fjalët e mia kurrësesi mundësi dhe shtigje për të formuar pyetje të tjera të reja.

Në mëngjes pa zbardhur drita, mbërritën gazetat e së shtunës, ku në krye të ballinave të tyre, me gërma të mëdha e të dukshme lajmëronin se gjyqi do të hapej shumë shpejt, mbasi hetimet po mbylleshin dhe qenë drejt fundit.

Në gjithë atë turravrap leximi, duke mu marrë fryma, i shtriva gazetat të tëra njëherësh, mbi kolltuqe, kanape, tavolinë, hapur të gjitha atje te kronikat për vrasjen e gruas së librit.

Munda të kuptoj se vrasësi i dyshuar, qe një artist i çmendur, fotograf, njeri i aventurës, që gjithë jetën e kishte kaluar udhëve të botës, sa nga njëri kontinent në tjetrin, pjesë e shumë ngjarjeve të çuditshme, plot plagë e burgje, kazino dhe të dashura, që kishte luajtur dhe në një film një rol të nivelit të dytë, (por që kritika e kinemasë e kishte trajtuar në shkrime shumë më me vëmendje se aktorët kryesor të filmit), dhe pastaj për të mbërritur deri tek dashuria me shkrimtaren e bukur të trenit. Ky djalë qe i biri i konduktorit të biletave, atij burri si murg që sillej nëpër vagona, dhe që e kishte parë gruan e hijshme edhe dy a tri herë të tjera, në udhëtime të gjata, duke shkruar letërsi në tren. Siç dukej e njihte mirë lidhjen me të birin.

Dashuria e tyre kishte qenë një lidhje pasioni, zjermie, vrulli dhe afshi. I kishin rënë botës së bashku kryq e tërthorë, pikërisht nëpër ato rrugë, ku së pari kishte qenë djali. Ai kishte përshkuar guidën për herë të dytë me të dashurën, duke i treguar dhe rrëfyer fill e për pe, gjithë aventurat, dështimet, plagët. Dhe ditën që qenë ndarë, diku në një port të vetmuar, me ca skafe kontrabande, ajo i kishte premtuar djalit se, jetën e tij të çuditshme do ta bënte libër. Dhe nuk do të ndryshonte asgjë nga të vërtetat, që kishin edhe aq shumë art e letërsi në to. Djali i kërkoi që t’i qendronte besnike ngjarjeve, si dhe një pjesë të fitimeve të librit, t’ia dhuronte atij, mbasi kishte shumë dëshirë të kishte një skaf dhe të bridhtë atë pjesë të botës që nuk e pati shijuar.

Thuhej se djali pati gjetur nëpër dorëshkrimet e romanit (të siguruara nga i ati konduktor), tri a katër histori të shkurtëra, që nuk ishin të jetës së tij por të dikujt tjetër,  dhe i kishte kërkuar autores së librit që t’i zhdukte ato pasazhe një çast e më parë.

-Unë e kam të shenjtë jetën time, të veçantë si të askujtë tjetër, madje edhe shumë artistike, (gjë që të frymëzoi dhe ty), dhe nuk më duhet ta pasuroj me asgjë nga jetët e të tjerëve. Jeta ime i ka të vërtetat si trille letërsie, nuk ka fare  nevojë për fantazi.

Unë i kam që të gjitha gjërat çfarë mund t’i ndodhin një njeriu në këtë jetë. Sikur një gram ngjarje t’i shtohet jetës sime ajo e humb ekuilibrin, zhbjellohet, hepohet, merr formë tjetër, dhe pastaj jeta ime dhe unë vetë nuk jemi më ato që ishim. Eshtë si në formulat kimike, që janë të kopsitura dhe të ngrira, dhe në to nuk mund të shtosh qoftë dhe një valencë, qoftë një molekulë, sepse atëherë lënda humb vetitë, strukturën, ngjyrën, aromën, të gjitha cilësitë. – shkruhej në kronikën e njërës prej gazetave, shkëputur nga tabulatet e telefonit të djalit.

Dhe i frikësuar se e dashura nuk do t’i hiqte ato pjesë, ai qe ngutur ta botonte jetën e tij në gazetë, ftohtë, pa emocion dhe pa asnjë frymëzim dhe letërsi, vetëm e vetëm për të kushtëzuar dhe shtërnguar autoren e romanit, që t’i rrinte besnike linjës së jetës së djalit, pa devijuar asnjë gjë, pa e mbushur me skena dhe ngjarje shtesë.

Bash atje, në një prej kronikave, ku shpjegimi po i afrohej arsyeve të vrasjes, boja e gazetës për dreq qe fare e zbehtë dhe e pamundur të lexohej. Siç dukej rruli i shtypit pati marrë ujë dhe atje nuk dallohej më asgjë.

Më kapi ankthi dhe një farë supersticioni, që ndoshta kjo ishte e vetmja kopje gazete e pa shtypur mirë, (që më kishte rënë mua, që isha mbase njeriu më i interesuar të dija çdo gjë rreth kësaj ngjarje). U turra për tek qoshi i rrugës ku shiteshin gazetat. Rradhë njerëzish po blinin librin e ri që sapo kishte mbërritur në qytet. Në kopertinë qe portreti i gruas, krejt ashtu siç e pata njohur unë. (Ndjeva njëfarë malli). U mata të vihesha në radhë për ta blerë, por në çast  hoqa dorë dhe mora vetëm gazetën që po kërkoja. Qe po ashtu e pa shtypur mirë. Mora dhe një kopje tjetër. Dhe një tjetër. Të gjitha faqet e kronikës qenë të zbehta meit, si fytyra pa bojë e një të vdekuri.

* * *

Bash atëherë kur publiku ishte në vëmendje më shumë se asnjë herë tjetër, dhe po pritej me ankth dhe kureshtje nga të gjithë që të niste gjyqi, mbërriti në medja një njoftim për shtyp i prokurorit  të distriktit.

Ai, me një fytyrë të mprehtë si vetë aktet ligjore, lajmëroi ftohtë dhe prerë për shtyrjen e gjyqit për një kohë të pa caktuar, duke shpjeguar shkurt që, linja të reja, arsye të papritura si dhe përsonazhe të tjerë, (që lidheshin me krimin), qenë zbuluar ditët e fundit. Dhe po punohej me kujdes për të krijuar prognozën e saktë të kësaj ngjarje që tronditi gjithë vendin.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË