More
    KreuLetërsiBibliotekë"Marjo", tregim nga Artur Spanjolli

    “Marjo”, tregim nga Artur Spanjolli

    I kapte gjithmonë gjërat me një dorë. Shkonte drejt banjës duke e hapur derën me një dorë, po ashtu hapte edhe frigoriferin, merrte thikën, vishte bluzën apo pantallonat, deri edhe priste bukën, veç duke përdorur një dorë. Të djathtën. Kur i nevojiteshin të dyja duart, nuk e përdorte të majtën e cila ishte gjithmonë e bllokuar nga objekti në përdorim. Shpesh, për shembull, fiksonte mirë mbi tavolinë bukën me kockën e parakrahut të majtë dhe me të djathtën, priste fetën e bukës. E priste bukën shkel e shko, gjithmonë me sytë ngulur nga sendi amorf që kishte mbërthyer me thonjtë e dorës së majtë. Ishte një ves aq i keq sa gjithmonë babai, kur e shihte ashtu, bëhej përherë nevrik. Sillej sikur natyra ta kishte lindur veç me një gjymtyrë. Tek dora tjetër shtrëngonte gjithmonë objektin. Shpesh, babait nuk i durohej dhe i kthehej tërë mllef. “Do të ta thyej për tokë atë send!” i thonte me një lloj nervozizmi.

    “Po po, ti!” ia kthente djali, me sytë të cilët nuk i hiqte nga sendi me sipërfaqen e limesët, krejt të shndritshëm.

    “Ore, a e kupton që dukesh si handikapat ashtu, me një dorë. Sikur tjetra të të ishte paralizuar!” Flit me murin po deshe. Marjo vazhdonte të hante makaronat me salcë, dhe sytë, i mbante krejt të përqendruar, të përpirë nga ekrani i sendit të hatashëm. Kjo ishte ndoshta liria e re? Një vartësi totale nga ai send petë, drejtkëndësh, i lëmestë, 150 gramësh, i cili po gllabëronte jo vetëm atë, por të gjithë racën njerëzore që prej dy dekadash?! Gjithkund. Nëpër rrugë, mbi autobusë, në metrò, nëpër shtëpia, thjeshtë përballë njëri tjetrit, njerëzit nuk bënin asgjë tjetër veç se rrinin me sytë ngjitur tek ky objekt i shndritshëm. E preknin ekranin me gishtin tregues, krejt të përthithur nga ai send, sikur të gjitha fijet e botës të ishin të lidhura me atë objekt sa i nevojshëm dhe praktik po aq edhe absurd. Shpesh ecnin si të tromaksur, nga t’i çonin këmbët, gati sa nuk përplaseshin me njëri tjetrin, gati sa nuk bënin aksidente, nga hutimi. Por ato, sytë, nuk i hiqnin kurrë nga ai send, të cilin e shtrëngonin në dorë. Kur i mbaronte bateria, ishte sikur t’i fironte vetë shpirti, ndaj trembeshin dhe shqetësoheshin, sikur ai objekt, jo vetëm të kishte shpirt dhe t’i dhembte, por të ishte vetë porta ndërlidhëse, gati magjike nga ku njerëzit e rinj, tashmë arrinin të komunikonin me tërë universin.  Ishte si një epidemi e re, e rrezikshme e cila, pak nga pak po gllabëronte të tërë njerëzimin. Ai send, ishte futur aq thellë në jetën shoqërore sa pa të tashmë, asgjë nuk mund të bëhej, asgjë nuk mund të zgjidhej.

    “Hiqe atë telefon kur të flas!“

    “Flit ti se unë të dëgjoj!”

    “Jo. Dua që ti ta heqësh, pastaj të filloj të flas.”

    “Ore. Po të dëgjoj.” Ishin ulur tek tavolina. Njëri përbri tjetrit. Marjo, i kishte mbaruar makaronat. Tani po hante qoftet erëmirë. I brente pak nga pak si një miush i cili nuk ka uri, dhe tek ushqehej nuk i ndante sytë nga mini ekrani i androidit të tij.

    “Ta thashë një herë. Fike atë telefon!”

    “Hajt pra. Se jam duke bërë pak pushim mbas studimit ». u justifikua ai.

    A e kupton se po bëhemi si alienët. S po arrijmë më të komunikojmë me njëri tjetrin as edhe brenda shtëpisë. Gjithkush në cepin e vet i zhytur tek telefoni i tij. Edhe duke ngrënë bukë do ta përdorim këtë të mallkuar telefon?! E kupton apo jo në ç pikë jemi?!” ngriti zërin burri.

    “Hajt mo edhe ti. Ja se e fika!” vazhdonte të thoshte Marjo, por akoma e mbante ndezur telefonin ku njëra mbas tjetrës, mbasi ai i prekte me gisht, shkisnin imazhet që po ndiqte me sy, krejt i përpirë.

    “Fike të thashë!” ulëriti babai.

    “Pse ulëret?”

    “Ta kam thënë pesë herë deri tani. Kur hahet nuk ndizet telefoni!“

    “E di pra e di. Ma ke thënë!”

    “Ta kam thënë por ti nuk merr vesh dhe bën sipbas kokës tënde!” Marjo e fiku me një shfryrje prej 13-vjeçari. E la mënjanë dhe prapë po me tërbim filloi të hajë.

    “Hë më trego ç bëre sot?!” tha pastaj me rrëmbim.

    Babait akoma nuk po i iknin nervat. Rrinte ashtu në heshtje, krejt i zemëruar dhe tek mbllaçitej shtrëngonte dhëmbët.

    “Ky djall telefoni na e mori shpirtin. Po na gllabëron të gjallë. Na u ka bërë tmerr. Sa herë të kam thënë: ti duhet ta zotërosh atë, dhe jo ai të të zotërojë ty!”

    “E di e di!”

    “E din por nuk e zbaton. Ty sikur të ka lindur Perëndia me një dorë vetëm. Sa herë të kam parë që prej hutimit, duke ecur me sytë e ngulur tek tik toku, në vend që të shkosh në banjë je futur tek depo e rrobave të vjetra!”

    “Jo more. Po ja fut kot.”

    “Unë po ja fus kot?”

    “Dëgjo këtu. Telefoni, e dimë është shumë i dobishëm. Na nevojitet për tu lidhur me njëri tjetrin, aty marrim informacione, argëtohemi, lexojmë, por nuk duhet kurrsesi që ai të na gllabërojë dhe ne të bëhemi skllevër të tij.”

    “Nuk thua shyqyr që njeriu i sotëm, në vend të pistoletës në brez, mban një celular në xhep!”

    “Po kjo ç lidhje ka?”

    “Si nuk ka lidhje? Njeriu është emancipuar.”

    “Mos ma dridh muhabetin!”

    “Ti po ma dredh muhabetin” ia ktheu Marjo babait.

    “Telefoni duhet të ketë oraret e tij në këtë shtëpi. Qartë!” ngriti zërin akoma burri. “Çfarë u bëmë ne këtu. Të huaj, apo jemi një familje?! Se s’po merret vesh asgjë. Gjithkush për hesap të vet. Mamaja tek fb-ku. Ti tek: tik-toku. Andri tek Youtube-i. S’po merremi më vesh. Shpesh, mamaja, thjesht për të më thënë diçka, edhe pse është në cepin tjetër të dhomës, preferon të ma shkruaj në telefon!”

    “Ho re mo. Na mërzite edhe ti me këtë moralin tënd!”

    “ç bëre sot në shkollë?”

    “Asgjë s bëra. Të përditshmet”.

    “Okay, më trego të përditshmen. Dua ta dëgjoj. E din ti sa është i rëndësishëm komunikimi direkt me njëri tjetrin. Kur isha unë i vogël, ishim dhjetë vetë në shtëpi dhe plaste muhabeti për shtatë palë qejfe!”

    “Fillove ti?!” tha Marjo dhe u ngrit vrik nga tavolina.

    “Ku po shkon. Nuk ke mbaruar!”

    “Dua të shkoj në banjë. Lejohet?”

    Tha kështu dhe mbërtheu telefonin me thonj nga tavolina.

    “Lëre atë!”

    “E di vetë ç bëj”.

    “Lëre atë aty!”

    Ndërkohë Marjo e kishte marrë dhe po ikte rrëmbimthi drejt banjës.

    Ishin vetëm në shtëpi. Burri vazhdoi të mbllaçitej në heshtje dhe meditonte. Celulari vërtetë po ndërronte mbarë shoqërinë  njerëzore që prej tre dekadash. Pak nga pak, ai po bëhej gjithnjë edhe më i domosdoshëm. Tashmë pa të nuk mund të jetohej dot. Në fillim kishte rezistuar me heroizëm. Gjatë. Kishte mbajtur fort Nokian e tij të dikurshme. Por pak nga pak, shokët në punë kishin filluar ta quanin: Arkaik. “Akoma me atë Nokia-n rrangalle ti ore? Ne jemi tek Android-i. Ne navigojmë në internet!” Tashmë, gati gjithçka ndodhte duke u futur nga ajo deriçkë e vogël abstrakte. Kalonte nëpër eter dhe shkonte gjithkund. Si një sistem intergalaktik i padukshëm, ku rrjete energjie madhore lidhnin me fije të padukshme të gjithë kozmosin që njihnim dhe zotëronim. Njeriu e kishte shpikur atë, okay. Por a e kishte vënë atë vallë vërtet në funksion thjeshtë të vetvetes? Të komoditetit të vetvetes? Apo ai objekt amorf po e transformonte atë tinëzisht pak nga pak dhe pa kthim? Pasojat? Pasojat nuk diheshin. Kush do ta mbante përgjegjësinë mbi të? E shpikëm armën bërthamore, tani mund të vetëshkatërroheshim? Kush do të përgjigjej për këtë? Shkencëtarët? Financuesit? Politikanët? Të gjithë ngrinin supet. Edhe tani me celularin njëlloj. Skenari po përsëritej. Asnjë nuk e dinte, asnjë nuk arrinte ta parashikonte impaktin e këtij sendi amorf në të ardhmen mbi jetën, mbi marrëdhëniet në shoqëri, në familje. Kush do të ishin efektet e teknologjisë me kalimin e kohës? Ç mentalitet, ç raporte, ç moral, ç ideologji do të formonte ai send tek ndërgjegjja kolektive? Do të ishte një proces konstruktiv? Distruktiv? Apo asnjanës? Asnjë nuk e dinte. Asnjë nuk mund ta parashikonte këtë gjë. Veç jeta do ta tregonte. Ishte hera e parë që njerëzimi po e eksperimentonte. Të shohim një herë ç do të bëhet? Ç do të ndodhte? Si do të transformoheshin marrëdhëniet njerëzore? Dukej pak si ajo historia kur robotët e shpikur dhe të programuar nga njerëzit, pak nga pak ishin rebeluar dhe ishin ngritur kundra vetë krijuesve të tyre. Kundra vetë njerëzve. Interneti, bashkë me të edhe celulari, ishte si një teh me dy të prera. Nga njëra anë ndihmonte aq shumë në shpërndarjen e informacioneve, në ndërlidhjen dhe komunikimin mes njerëzve. Ishte i rehatshëm dhe i aftë për të kursyer kohë. Po ndihmonte pra për të krijuar një ndërgjegje të re në racën njerëzore. Ndoshta edhe në emancipimin e shpejtë të tij. Mjaftonte të imagjinoje, fëmijët e sotëm të cilët dinin gati gjithçka, ndoshta edhe gjëra të cilat nuk duhej t’i dinin për moshën e tyre. Të cilët të krahasuar me gjeneratën e tij fare të paditur, të pafajshme, fare naive, këto të sotmit ishin më të zhdërvjellët, më të informuar, dhe gati gati më të avancuar nga intelekti. Dukej sikur nuk e kishin më atë pafajësinë e dikurshme. Shpesh, ai i shihte si “përbindësha” adoleshentë. Në teori ishin të mirë por në praktikë ishin zero. Nuk dinin as si të mbijetonin, as si të loznin, siç bënte dikur ai fëmijë. Nuk dinin as si të mbroheshin nga rrugaçët. Interneti ishte i dobishëm, por kishte edhe një internet tjetër të dëmshëm. Një internet të errët. Dark, ku lidheshin mes tyre për punë të mbrapshta pedofilë, kriminelë, hajdutë, mashtrues dhe anarkikë. Figura të errëta dhe të dyshimta, njerëz të sëmurë psikik, të cilët kishin krijuar rrjete komunikimi mes tyre. Ky internet i rrezikshëm, nuk arrinte të kontrollohej dot as nga policia. Ashtu siç kishte edhe një internet plot me informacione fallco dhe të kota, të cilat përziheshin me informacionin serioz dhe kompetent duke ngatërruar krejt njerëzit. Kishte një internet të papërgjegjshëm i cili pa kontrollin prindëror, mund ta dëmtonte fëmijën që lundronte në të. Liria totale kishte qenë vetë ideja themeltare e internetit, ku gjithkush mund të gjente gjithçka. Pa asnjë ndalesë, bllokim apo censurë. Por pak nga pak, me internetin njeriu po bëhej ndoshta edhe më delikat? Më i thyeshëm, i kontrollueshëm, ndaj manipulohej dhe sulmohej më kollaj. Njeriut po i fironte ndoshta liria, privacy-ja dhe sidomos pavarësia e tij. Tashmë ishte krejt i varur dhe i kontrolluar nga syri i Vëllait të Madh, krejt i varur nga ai sistem, në të cilin, prej të cilit, dhe nga i cili, hynin dhe dilnin shumica e informacioneve të mundshme.

    Burri e krahasonte shpesh internetin me një pyllishtë të madhe ku jeta, brenda kishte mbjellë gjithçka. Si bishën e uritur që shqyente më të dobëtin. Si perlën ashtu edhe mrekullinë e fshehtë të saj. Si në jetën e vërtetë ku e mira dhe e keqja ndërthureshin. Si njeriu i cili ishte sa hyjnor, po ashtu edhe aq pervers. Sa kriminel ashtu edhe aq mëshirëmadh. Edhe interneti, ndrynte gjithçka brenda. Nga pornografia pa limite, e cila po influenconte në krijimin e një mentaliteti kurvëror të ri, deri edhe tek informacioni më i pastër dhe i domosdoshëm. Një enciklopedi pa limite.

    Por nëse njerëzimi po ecte, falë teknologjisë në një drejtim krejt të ri, ai nuk kuptonte kush ku dhe kur do të ndalej? Kush do të ishte fundi i këtij sistemi? Donte të dinte si do të përfundonte kjo histori.

     Në fillim. Vite më parë, nuk e kuptonte se si mund të bëheshin parà pa i prekur ato fare. Se si mund të krijohej plus valore thjesht në formë virtuale. Paratë tashmë ishin thjeshtë shifra. Zero pa fund nëpër banka, sisteme informatike, gjithçka mund të prodhohej. Njeriu mund të bëhej i pasur, pa pasur mundësinë të prekte asnjë lloj malli material. Vite më parë dikush ia kishte shpjeguar më konkretisht si funksiononte interneti. Një super tru, hiper memorje, mega bibliotekë, magazinë virtuale me qendër në Miami-t, kishte mbledhur dhe mbante brenda memories së saj, të gjitha informacionet e botës. Ndaj falë të cilit, gjithkush, duke paguar, mund të futej aty duke parë, vëzhguar, konsultuar o përdorur informacionet sipbas nevojave të veta.  

    Burri vazhdonte të brente mishin e gjellës së zier. Lëngu plot me proteina, shija e qepës së zier me salcë, piperi i zi, ia shtonte shijen ushqimit të cilin ai tashmë po e shijonte krejtësisht vetëm. Tek mendohej, lëvizte kokën dhe shpesh fliste me zë edhe pse ishte vetëm. Që ishte i dobishëm interneti dhe telefoni, këtë as nuk e vinte në dyshim, por duke hyrë me kaq nxitim dhe prepotencë në jetën e rinisë, kushedi se si do ti vinte fundi kësaj pune. Nëse bota, për shekuj e shekuj kishte ecur me hapa breshke, dhe në shekullin e kaluar me hapa pak më të shpejtë. Tani, ajo, bota po vraponte me hap të lehtë. Por do të vinte një ditë që motori i saj do të përshpejtohej gjithnjë e më shumë, do të rriteshin xhirot e ingranazheve të saj dhe njerëzimi do të fillonte të ecte me galop. Për të shkuar ku? Asnjë nuk e dinte. Njeriu punonte, shpikte, krijonte për ta pasur jetën sa më të lehtë, të bukur dhe të rehatshme. Por komoditeti paska një çmim. Humbjen e privacy-së. Skllavërinë e re nga objekti i lëmestë, dhe sidomos rendja si i çmendur drejt të mirave materiale. Njerëzimi kishte arritur ndoshta në konkluzionin se parajsa mbi këtë tokë qëndronte tek kamja, luksi, mirëqenia materiale, komoditeti, rehatia? Skllav i këtij iluzioni, po harronte ndoshta të jetonte?

     Gjërat ndryshonin përditë. Atij i ngjante se njerëzimi ishte në stadin e fundit të xhirove të shpejtësisë. Nuk kishte se si. Me armët bërthamore, me shfrytëzimin sistematik të lëndëve të para, me ndotjet kimike dhe mbeturinat radioaktive, me centralet bërthamore, me ndotjen e ambientit, me prerjen pa hesap të pyjeve dhe me shfrytëzimin pa asnjë respekt të natyrës kjo rënje, kjo çmenduri e njeriut po arrinte ndoshta kulmin? Apo thjesht ishte një alarm i kotë. Toka ishte ndoshta shumë më e madhe dhe fare e aftë që të përthithte gjithë këto problemet e vogla në gjirin e saj? Gjithçka transformohej përditë. Aq shpejt dhe aq me nxitim sa nuk kishte kohë për të shijuar një të re, kur shpejt e shpejt dilte e reja tjetër. Ku po shkonin njerëzit? Nga po ecnin? Në një terr të ri teknologjik? Natyrisht dikush e dinte rrugën e këtij udhëtimi. Natyrisht kishte përgjegjësi për këtë udhëtim. A udhëheqës spiritualë. Ai nuk dinte asgjë. Ngriti gotën e verës së kuqe dhe piu vetëm. Heshtja e kuzhinës thyhej veç nga të qeshurat e mbytura të Marjos, i cili, me siguri, në banjë ku mbyllej shpesh, shihte video humoristike dhe ia kriste një të qeshure histerike. Një të qeshur me veten e vet, me asgjënë e mureve, thjeshtë duke komunikuar me objektin amorf nga ku e tërë bota, shpesh prezantohej e rreme, virtuale, herë e këndshme dhe herë cinike dhe pa shpirt. Një botë pa empati dhe krejt e rrezikshme. Një botë fare pa kontroll e cila i shpëtonte deri edhe kontrollit atëror dhe nuk shteronte kurrë.   

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË