More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMaria Sinatra: Efekti Zeigarnik në romanin “MI MANCHI” të Fate Velajt

    Maria Sinatra: Efekti Zeigarnik në romanin “MI MANCHI” të Fate Velajt

    Romani “MI MANCHI” lëviz në sfondin e një realizmi të bazuar mbi saktësinë e një vëzhgimi të mprehtë por mbi të gjitha, mbi origjinalitetin dhe interpretimin transformues të tij, në të cilin objektet, pejsazhet dhe fizionomitë e personazheve, janë riprodhuar me tipare tejet të personalizuara.

    Janë pikërisht përshkrimet, qofshin ato të paraqitjes së personazheve të treguara si dhe vëzhgimi i portreteve të fotografuara që e paralajmërojnë lexuesin për ngjarje të thella e përvoja ndjenjash të dhimbshme në të shkuarën, si dhe shprese për të ardhmen.

    “Fytyra. Përtej Identitetit” e titullon Fate Velaj një nga ekspozitat fotografike të tij.

    Protagonistët e këtij cikli, kërkuar dhe gjetur brenda ambienteve të së përditshmes së tyre, ndërtojnë një galeri të larmishme që përbëhet nga elemente të artit fotografik si dhe atij lirik të Velajt. E thënë shkurt: ajo që Fate Velaj bënë në roman, është pikturimi me fjalë e me shprehje i burrave dhe grave që, një herë  i trajton duke bashkëbiseduar dhe një herë duke jetuar si gjithë të tjerët e dhënë atyre tipare sipas eksperiencës së jetës që kanë përshkuar gjatë të cilës, u janë rrokullisur gëzime, fatkeqësi apo humbje njerëzish të dashur.

    Dhe pikërisht këtu kryhet dhe ndërthurja mes artit gjithpërfshirës të Velajt: pikturës, fotografisë dhe lirikës -, por edhe vetë jetës së tij.

    Fillimi i romanit është kronika e një udhëtimi që e sjell autorin nga Vjena në një qytet të vogël të Salentos, Negromonte, i dëgjuar vetëm për verën Negramaro.

    Autori tregon impresionet e udhëtimit që e shoqërojnë lexuesit në një atmosferë të veçantë e që bëhet kornizë e gjithë romanit. Përshkrimet e gjalla të peisazheve dhe personave që ai takon gjatë këtij rrugëtimi, që si përherë në librat e tij vijnë përmes një dialogu e monologu kërkojnë të rrëzojnë pengesat dhe të krijoj lidhje shpirtërore midis popujve, dhe në këtë rast: Austrisë, vendi ku Velaj jeton, Shqipërisë vendi i origjinës së tij si dhe Italisë, vendit të tij – mund të them pa frikë i adoptimit shpirtëror të tij -, nisur kjo nga ndjeshmëria e thellë me anën e së cilës është shkruar romani të cilin e trajton plotë dritë dhe ndjenja bazuar kjo në njohuritë e pamata që ai ka për tiparet, karakteristikat dhe zakonet e popullit italian.

    Nëse rrugëtimi i tij ka një pikë mbërritjeje, një kronologji, ai është vetëm një pretekst, sepse në fakt, gjatë rrugëtimit, përqëndrimi i autorit ndalet për një kohë të shkurtër mbi një objekt apo person, si për të trajtuar një proçes analogjie, abstraksioni,  apo një dalldisje lirike të momentit që po përjeton. Në këtë mënyrë, ndërthuren fragmente të mbushura me elemente që rindërtojnë pjesërisht kujtimet fëmijërinë dhe adoleshencën e tij: zhvillime artistike, figura njerëzish të dashur dhe pse jo, situata shpërthuese ëndrrash me sy hapur.

    Në këtë proces rrëfimi, bëhet evident takimi i elementeve heterogjen ku kontrasti është provokuar prej trukeve dialektike që rrjedhin nga vetë natyra e autorit herë fotograf, herë piktor dhe herë shkrimtar.

    Më kujtohet kur Heinrich Heine në një tregim dedikuar Detit të Veriut në ato që ai i quante “Reisebilder” (përshkrime udhëtimesh) i njihte Goethes kapacitetin e veçantë të vëzhgimit, të ndjeshmërisë dhe mendimit, që në fakt, janë po ato që ka dhe Fate Velaj.

    Dhe në të vërtetë, ai u jep këtyre elementeve shumëformëshe një ekuilibër sinergjik deri në atë pikë, saqe justifikon refleksionin e qartë të tij, duke ja dalë të lëvizë mes frymëzimit, entuziazmit mbi ambientin që e rethon si dhe mendimit razional dhe kritik ndaj vetvetes.

    Zbarkimi në Negromonte, zhytja brenda një klime atavste, apatike dhe artistikisht të përgjumur të qytetit, bëhen nxitje për ide të reja, për t’i shtuar elemente të tjera vetvetes dhe këtu Fate Velaj, falë aftësisë fantastike që ka për të vëzhguar efektet, nxjerrë në pah rolin e katërt të tij -, i heq vellon e trishtë të atmosferës qetësisht biblike qytetit.

    Është pikërisht ai, Velaj i së kuqes së zjarrtë nëpër pikturat e tij, i syve të gjallë mbushur me habi dhe plot dëshirë për jetën i portreteve fotografike që nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të gjente një shkak për t’i shkundur iluzionet pa energji shtytëse qytetarëve të Negromontes, të cilët janë mbyllur brenda vetes nga ankthi, dhe kjo, ndoshta nga që akoma nuk janë çliruar nga momentet tragjike sado që në pamje, mundohen t’i fshehin mirë ato.

    Kështu, “MI MANCHI”, dedikimi i shkruar në një portë të mbyllur nga një person i identifikuar me gërmën B për të dashurën e tij G, është vetëm një shkak. Një mijë pyetjet që i lindin për identitetin e të dyve, për historinë e dashurisë së tyre si dhe përfundimin e saj, hyjnë e dalin nga mendja e autorit që edhe pse vihet në rolin e investigatorit e në kërkim të çdo detaji, nuk harron se është një romancier dhe krijon një histori në histori të mbushur me kodime ndjenjash.

    Dhe është pikërisht kjo historia e tjetrit që e nxit atë të verë në punë rolin e tij të katërt duke i detyruar disa personazhe të shtrihen në “Divanin Frojdian” me të vetmin qëllim, t’i shkëpusë ata nga jeta monotone dhe t’i fus në një proces të brendshëm, t’i rrëfejnë atij, momente të veçanta të jetës së tyre, shpeshherë edhe të dhimbshme. Dhe Fate Velaj ja del ta zgjoj qytetin nga grija normale e agonisë që e ka mbërthyer.

    Përdorimi i një stili gjuhësor të mprehtë, realist dhe të rrjedhshëm, lehtëson hyrjen e lexuesit brenda romanit i cili, edhe pse shpesh herë merr kthesa ngjarjesh intime, fsheh një mesazh të thellë e sublim: nevojën për të dashuruar jetën, pavarësisht çfare ndodh gjatë saj. Dhe këtu arti, pavarësisht nga format e tij, është lokomotiva e nevojshme shtytëse.

    Është sinjifikativ fakti që, edhe pse Velaj mund ta bënte prezente identitetin e B-së dhe G-së si dhe vetë historinë e tyre, ai lë çdo gjë pezull duke shkaktuar kështu një efekt Zeigarnik. Dhe kjo, ose nga dëshira për suspancë apo nga vetëdija se, nëse do ta bënte një gjë të tillë, do ta vendoste përsëri në gjumë Negromonte-n.

    Këtu mbaron dhe detyra e tregimtarit Fate Velajt: Të shkruaj jo vetëm për objektin e romanit, për një akt te lirisë imagjinare apo thjesht për një kënaqësi egocentrike, por për një vizion  artistik si faktor i rëndësishëm komunikativ dhe ndërmjetësues.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË