More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMaria Roces González: Gjeografia e kujtesës së heshtur

    Maria Roces González: Gjeografia e kujtesës së heshtur

    Refleksione nga leximi i romanit “Kolerë në kohë të dashurisë” të Namik Dokles

    TRANSUSTANCIAR:

    (Nga latinishtja mesjetare: transubstantiare)

    1. Të transformosh një substancë në një tjetër. Guri filosofik i transformonte metalet në ar.

    2. Në doktrinën katolike, shndërrimi i bukës dhe verës në trupin dhe gjakun e Krishtit me anë të fjalëve të shenjtërimit eukaristik.

    “ Në këtë fshat të mallkuar flitkan edhe me të vdekurit?”-thirri ajo dhe këmishën e fundit që kishte në dorë e rrasi në çantë pa e palosur.

    “ Këtu flasin edhe me ata që s’kanë lindur akoma”, i thashë.

    “ E si kështu? Çfarë race janë?”

    “ Nuk di gjë për racën, por këtu, në fund të botës apo në askund, mbështjellë me mjegull, gjendet ky fshat, ku lindin burra, të cilëve u zbardhen flokët qëkur janë fëmijë dhe shikojnë natën më mirë se ditën”, përsërita fjalët e plakës që kishte vdekur atë ditë.

    Fragment nga romani “ Kolerë në kohë të dashurisë” faqe 15

    Është për këtë realitet, që autorja e këtyre refleksioneve, kur lexon se ekziston një vend ku dielli lind dy herë çdo ditë dhe hëna perëndon dy herë çdo natë, e kërkon atë dhe, nëse nuk ngulitet aty, nuk e harron. Dhe ajo çka mbetet nga një lexim nuk është aq libri në vetvete, por janë imazhet që evokon dhe ruan.

    Sepse ai është një territor letrar i dashur dhe i dallueshëm ( Bukojna e romanit “Vajzat e mjegullës”; Bjeshkreta e “Kolerë në kohë të dashurisë”); një hapsirë e mbarsur me legjenda dhe besime magjike të paraardhësve, (Ju qoftë rruga e lehtë si uji!) ku bashkëjetojnë njerëz të mirë e të përkorë si Xhaxhai në romanin e parë e Fran Carani i tanishëm që bëhet kronist; me individë pak ekstravagantë, një fatthënëse 300 vjeçare (Majka/ Lokja e Madhe) dhe një poet që është edhe mësuesi i shkollës së fshatit.

    Një hapësirë narrative me skena të frymëzuara, në një farë mënyre dhe një farë forme një gjeografi e njohur; ajo e lidhjes midis ngjarjeve të kaluara, peisazheve dhe kujtimeve, por që do të shfaqen, brenda trillimit, si universe me jetë më vete, duke krijuar një botë të re që gjen vërtetësinë e vet në krijimin letrar.

    Një territor letrar, por edhe kufitar, i nëpërkëmbur nga xhelatët e bodrumit,- Salko i asaj kohe, të romanit të parë, ndërsa tani 2M-ja, ai që shkon nga fryn era-, të rëndët e komiteteve me ballkon dhe pa ballkon, dhe, sidomos nga Lugati apo Grobniku, toger Hatja i atëherëshëm, shtypës i egër dhe dhunues,- i rritur në kohën e Bukojnës deri hetues dhe tani, i emëruar prokuror i shtetit që u jep plumbin e fundit (plumbin e besimit, siç e quan) të pushkatuarëve…

    Hate, o kapterr i motrës,

    Pse po shkon si urthi tokës?

    Kjo Partia, he lum dada,

    Edhe mutit i dha grada!

     DRITAREN e këtij territori të martirizuar përshfaqet gjithashtu edhe lidhja e ngushtë dhe bashkëpunimi i madh Majka/Lokja e Madhe me poetin-mësues; shfuqizimi nga Partia-njerkë i traditave dhe riteve të Shëngjergjit, duken rrjedhat e çezmës Topillo/ Shkozëbardhë, krua i përgjakur nga pushkatimi i poetit; shfaqet tragjedia e gjyqit të përsëritur të Dudanit, tashmë si sfidë apo teatër absurdi nga studentët, në gjykimin me avokat mbrojtës të një qeni rrugësh kur për njerëzit nuk lejohej avokat; gjithashtu pushkatimi i qenit të bardhë dhe arushës; ditari-kronikë i një “katundari grindavec”, Frani nga Bjeshkreta, siç ishte Xhaxhai nga Bukojna; nxjerrin kryet gjithashtu mrekullitë e Anadolles, të shndërruar tashmë në Nusen e shtëpisë, mbrojtësen e dashurisë dhe, pse jo, vuajtjet dhe sekretet e nënave, asaj të Valmirit dhe asaj të Antigonës në rastin e romanit të dytë, etj. etj.

    Me baltën apo lëndën pjellore të territorit letrar të Gorës- peisazhin e imagjinatës dhe kujtesës së letërsisë dhe jetës -, dhe nëpërmjet transkriptimit të saktë të fjalëve që veprojnë në transustansiacion, substanca e romanit Vajzat e mjegullës, shndërrohet në substancën e “Kolera në kohë të dashurisë”. Jemi në shtëpi, vazhdojmë në shtëpi, dhe kjo gjë na kënaq, pavarësisht Partisë-njerkë, pavarësisht bodrumit, pavarësisht komiteteve me ballkon dhe pa ballkon, pavarësisht çvatjes kooperativiste, pavarësisht madje edhe grobnikut-lugat Ferhat Drobniku, që ka guximin tani të mburret për bëmat e tij vdekjeprurëse dhe goditjen e plumbit të fundit për viktimat e tij.

    Vazhdojmë të jemi në shtëpi sepse i vdekuri i përsërit të gjallit-, djalit të Bukojnës/ gazetarit: “Eja se më ka marrë malli, edhe pse ti mund të më kesh harruar”, bacës Fran nga Bjeshkreta: e di që nuk më ke tradhëtuar…e di që nuk më ke tradhëtuar…

    Ç’po kuvendin dy zogj malit,

    Me nji çudi qi po shofin!

    Shkon i gjalli udhës me të deknin…!

    ( Sorprendente es lo que miro,

    viaja un muerto con un vivo!)

    Dhe tani, mbasi kemi mbërritur tek poeti i pushkatuar, i cili që nga bota tjetër u flet të gjallëve, që, pavarësisht gjithçkaje, kanë ruajtur në thelb dinjitetin… gjeografinë e memories së heshtur, shpërthen në memorien historike kërkuese, në hymne ndaj poetëve të asgjësuar nga partia-njerkë, pa të drejtë, nën dritën e hënës: oh, po, dënimi i dytë i Homerit dhe sfida e Antigonës:

    “ Nuk linda për urrejtje, po për dashuri”

    Ngrihen, njeri pas tjetrit, poetët e asgjësuar dhe pa varr që nga epoka e Hadit, apo edhe nga FERRI i Dantes:

    Këndej kalohet në qytet t’mjerimit,

    Këndej kalohet n’dhimbjen pa kufi,

    Këndej kalohet n’shpirtnat humbun shqimit.

    Krijuesin tim e shty’ drejtësia e tij:

    Vetë pushteti hyjnor më ka sajue,

    Ma e larta dije, e para dashuni.

    Para meje gja tjetër s’u krijue

    Veçse e përjetshme,- e un’ qëndroj përjetë

    O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!

    (Dante, FERRI, kënga e tretë)

    Ngrihet, së bashku me Garcia Lorkën, duke vepruar si krushkiparë, i dënuari dhe i përvuajturi Frederik Reshpja ( homazh shumë i merituar ky, si ai që i atribuon Kadareja: Një prill për Fredin, në librin Mëngjeset në kafe Rostand) sepse nusja tashmë është vetë poezia, ceremonia martesore (dasma) antiteza, e kundërta e varrimit pa varr, dhe, në këtë rast, Orfeu nuk e kthen kokën për të parë Euridiken, por e ngjall të vdekurin nga varri, duke prishur magjinë e dënimit të dytë të Homerit. Dhe poezia e poetët e asgjësuar ( njeri i varur, tre të pushkatuar dhe shumë të tjerë të përndjekur me reprezalje) ka rilindur, me një zë të fuqishëm, GJUHËN,

    E ç’do të preferoja tjetër përveç luftës

    I ndjekur pas nga ky fat budalla.

    Vërtetë që kam fituar shumë pak në këtë jetë

    Por humbjet i kam patur të mëdha.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË