More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMargaret Hasluck: Edipi mbret në Shqipëri

    Margaret Hasluck: Edipi mbret në Shqipëri

    “Edipi në folklor: libër studimor”, botim i Universitetit Wisconsin, (1985), hapet me studimin e Margaret Hasluck “Edipi mbret në Shqipëri”, i botuar për herë të parë në revistën “Folklori”, Volumi. 60, Nr. 3, shtator 1949.

    Përktheu: Granit Zela

    I. Hyrje

    Përmbledhja interesante e gjëegjëzave të incestit të zotit F. J. Norton[1] në revistën “Folklor”, mars 1942, më kujton katërvargëshin e mëposhtme në shqip:

    Nina nina bir!

    I biri i t’em bir!

    I biri i s’em re!

    S’ati vjehërr i ke le[2]

    Në përrallat popullore shqiptare ky katërvargësh i këndohet fëmijës së saj nga një grua ndërsa të dy vdesin nga dora e djalit të saj të madh, me të cilin është martuar pa e ditur. Në fakt është përfundimi i historisë së Edipit siç tregohet në Shqipëri.

    Kuptimi i dy rreshtave të parë nuk kërkon koment, kurse ai i të tretit, një të vogël; si gruaja e djalit të saj të madh, gruaja, është nusja e të birit për nënën e tij, domethënë për veten. Si pasojë, fëmija është fëmija i nuses së të birit të saj. Rreshti i katërt është jashtëzakonisht i ngatërruar. Si nëna e djalit të saj të martuar, gruaja është vjehrra e nuses së tij, e cila përsëri është vetë ajo. Si burri i saj, djali i saj i madh është vjehrri kurse ajo është vjehrra, dhe meqenëse ajo vetë është vjehrra e vetes, ai është vjehrri i saj. Rrjedhimisht, foshnja është fëmija i një burri që është bir, bashkëshort dhe vjehërr i një gruaje e cila është e njëjta, dhe ajo përsëri është nusja e të birit (reja) dhe vjehrra e vetes.

    Strofa, siç do ta shohim tani, është një gjëegjëzë e njohur në Shqipëri, por është edhe më e zakonshme si ninullë. Dy fjalët e para, të cilat ndryshojnë nga nina nina në Shqipërinë e Veriut në nani nani në jug, janë të llojit ndërkombëtar të përfaqësuar, për shembull, nga nini, baba, nini (“fli, fëmijë, fli”) të industanishtes dhe nani nani i arabishtes. Nënat i këndojnë nën zë ato pa pushim derisa përsëritja e bashkëtingëlloreve të buta zanore – neena neena ose nahnee nahnee duke u shqiptuar – e vënë fëmijën në gjumë. Më befasues është fakti që nënat shqiptare shpesh i shtojnë një rresht ose më shumë strofës së Edipit. Për shembull, në qytetin e lindjes së gruas së Tajar Zavalanit, Fier, Shqipëri e Mesme, zakonisht këndojnë:

    Nani nani biri im!

    Vellaj i burrit t’em

    Nuk ka nevojë të thuhet, as që e mendojnë se çfarë thonë. Megjithatë, ata e dinë shumë mirë historinë që qëndron prapa fjalëve. Një nënkuptim ogurzi që rrjedh nga legjenda e Edipit i bashkëngjitet dy fjalëve të para, siç më informon më tej zonja Zavalani. Nëse një mysafir pyet për një djalë ose një djalë të ri që ka bërë një gabim, – të afërmit e tij femra – ndoshta edhe ajo që sapo i ka kënduar fëmijës së saj për ta vënë në gjumë me dyvargëshin e jashtëzakonshëm të sapo cituar- përgjigjet me dy fjalët e para të ninullës, pa mbaruar strofën. Kështu ata i japin të kuptojnë se ai është një shpirt i humbur, por megjithatë ata nuk mund ta heqin nga zemrat e tyre.

    Strofa është gjithashtu një gjëagjëzë e parapëlqyer midis djemve të vegjël shqiptarë. Por shqiptarët janë mendjehollë dhe shmangin të dukshmen. Pra, ka një dredhi në gjëagjëzë, të cilën zoti Dervish Duma e shpjegon kësisoj: gruaja është martuar, jo me të birin e vet si te historia e Edipit, por me birin e gjetur nga gruaja e parë. Ajo ishte gruaja e dytë e burrit të saj të vdekur, ai kishte pasur një djalë me gruan e parë, dhe ishte ky djali me të cilin u martua ajo pas vdekjes së tij. Duke vepruar kështu, vetëm iu bind ligjit sipas të cilit një djalë, duhej të martohej me të venë e babait të tij.

    Duhet thënë se kjo zgjidhje e gjëagjëzës nuk bën më shumë sesa një argëtim shtesë shqiptarët e zakonshëm. Ajo prish të gjithë dramën e historisë së vjetër – incesti i padëshiruar, tmerri përftuar pas zbulimit të tij dhe pasojat tragjike. Sepse nëse do të kishte qenë e ligjshme që mbretëresha e ve të martohej me mbretin e ri, nuk do të kishte asgjë që t’i pengonte të jetonin të lumtur përgjithmonë. Ajo bie gjithashtu në kundërshtim me të gjitha ligjet shqiptare. Ligji zakonor i Shqipërisë nuk e lejon një burrë të martohet me të venë e babait. Edhe ligjet fetare e ndalojnë po aq rreptësisht. Të krishterët duhet t’i binden urdhëresën në tekste të tilla si Libri V i Testamentit të Vjetër XXII: 30 (“Një burrë nuk do të marrë për grua gruan e babait të tij”) dhe muslimanët urdhëresës në Kuran, Sure IV, 26 (“Mos u martoni me gra me të cilat janë martuar baballarët tuaj, sepse ky është një turp, dhe një veprim i keq dhe i urrejtshëm”); Referencën e fundit pati mirësinë të ma dërgojë zonjusha Margaret Smith. Shqiptarët e zakonshëm, të nxitur nga prirja kombëtare për të kërkuar të ndërlikuarën dhe jo të thjeshtën, duket se kanë ekzagjeruar me elasticitetin e rregullave të martesës që pasuan shfaqjen e Islamit pas pushtimit turk të Shqipërisë në shekullin e pesëmbëdhjetë.

    II. Historia

    Versioni më i dobishëm i historisë siç tregohet në Shqipëri është në “Gramatikën shqiptare” të zotit Stuart Mann, f. 90-2. Kjo vjen nga një prej fiseve të Dukagjin në Shqipërinë e Veriut dhe u botua për herë të parë në Shkodër në periodikun katolik “Hylli i dritës” rreth vitit 1929. Përkthimi im i cili ndryshon në mënyrë thelbësore nga i zotit Man (f. 136- 8), është si më poshtë: 

    Mallkimi i zanës

    Një burrë një herë shkoi me të zbardhur agimi majë alpeve për të prerë disa dërrasa për një djep, sepse gruaja e tij ishte gati t’i jepte një fëmijë nga Zoti ynë. Ndërsa po priste një bredh, ai dëgjoi një zanë duke i thirrur shoqes s saj nga ai mal.

    “Qofsh e bekuar!” tha ajo: “Ai djalë i varfër pret t’i lind djalë. Çfarë emri do t’i vëmë?”

    “Oh, na the ç’na the”, u përgjigj tjetra. “S’kam për ta vra mendjen për këdo që lind”.

    Por ajo që foli për herë të parë nuk hiqte dorë aq lehtë. Ajo i thirri dy ose tre herë më shumë, dhe pastaj e inatosur jo u përgjigj: “Babën e vraftë me nënën u martoftë!”

    Kur burri dëgjoi mallkimin e zanave, ai në fillim u trondit. Pastaj ai nuk i kushtoi më vëmendje dhe vazhdoi me punën e tij.

    Pasi e bëri djepin, e çoi në shtëpi dhe atje e gjeti fëmijën të lindur. Nëna e vuri në djep dhe i vendosi gjerdanin e zakonshëm në qafë si një shenjë.

    Kur fëmija ishte rritur pak, i ati, i pazoti ta hiqte mallkimin e zanash nga mendja, i tregoi ngjarjen gruas dhe vendosi ta largonte të birin. Kështu ai bëri një kuti, e futi fëmijën brenda, dhe e la në det. Valët e morën me vete, duke e çuar larg, shumë larg, dhe më në fund e lanë në breg. Atje Zoti ynë i çoi një dhi e cila vinte çdo ditë dhe e linte djalin të pinte qumësht.

    Një ditë të bukur një udhëtar që po kalonte, hasi fëmijën dhe i erdhi keq, prandaj e çoi në shtëpinë e tij. Atje e rriti si të ishte i familjes. Kur fëmija u rrit dhe u bë një djalosh rreth të gjashtëmbëdhjetave apo më shumë, atij iu ngulit në kokë se ishte djalë mbreti. Kështu që nuk pranoi të qëndronte më me mirëbërësin dhe nisi të bridhte në të gjithë botën për të zbuluar se djali i cilit mbret ishte dhe të shkonte dhe të jetonte me të atin.

    Kaluan shumë e shumë vite duke u endur. Pastaj ai ndodhi të kalonte në një vend ku banorët flisnin shumë kundër mbretit të tyre. Ndërsa ai e njihte veten të ishte shumë i zoti, u bashkua me grupin që kundërshtonte mbretin, duke menduar të gjente një mënyrë për ta zhdukur nga faqja e dheut dhe për t’i zënë vendin.

    Ndërsa ditë pas dite pyeste veten se si mund ta përmbushte dëshirën e tij, krejt papritur, ai hasi tre karroca në të dale të qytetit. Pasi disa njerëz I kishin treguar me gisht karrocën në të cilën ishte mbreti, ai vajti drejt tij sikur donte t’i thoshte diçka. Kur u afrua, e goditi me topuz dhe e vrau. Pastaj u fut në karrocë, u grahu kuajve me galop dhe hyri në qytet. Pa shumë poterë, njerëzit e zgjodhën atë mbret dhe i dhanë mbretëreshën e ve për grua meqë ata e pëlqenin njëri –tjetrin

    Para se të kalonte një vit, Zoti ynë u dha e një djalë dhe ata dukeshin të lumtur. Por ishte një gjë që i shqetësonte. Kurdoherë që burri fliste me gruan e tij, pa e kuptuar as vetë se si ndodhte ai përfundonte duke e thirrur “nënë”, dhe ajo i drejtohej duke i thënë të shoqit “bir”! Për të zbuluar se çfarë fshihej pas kësaj pune, të cilën ata nuk e shpjegonin dot, ata pyetën një fallxhore. Ajo u përgjigj se ata duhej të kishin lidhje gjaku dhe sihin të afërm me njëri -tjetrin. Pasi u tha kjo nga fallxhorja, ata filluan një ditë të bisedonin gjerë e gjatë për jetët e tyre. Sidomos për shkak se burri i tregoi gruas së tij gjerdanin që nëna ia kishte vënë në qafë kur ishte i vogël, e kuptuan se me të vërtetë ishin nënë dhe bir, dhe se ai e kishte vrarë padashur babën e vet.

    Në kulm të dëshpërimit burri i nguli thikën në zemër në fillim gruas së tij, pastaj të birit, dhe në fund fare edhe vetes.

    Ndërsa gruaja e tij po jepte shpirt, ajo i këndoi fëmijës së saj që po vdiste:

    Pusho, pusho, biri im!

    Biri i birit tim!

    Djali i nuses së birit tim!

    Lindur prej vjehrrit tënd!

    Me sytë e ngritur lart, ajo pa se si shtëpia po u shembej mbi krye për t’u kthyer në varrin e tyre.

     III. Koment

    E tillë është rrëfenja e Edipit mbret në Shqipëri. Arma e përdorur për të vrarë mbretin në karrocën e tij tregon se është goxha e vjetër. Kjo ngaqë topuzët, armët klasike të jeniçerëve dhe spahinjve të Turqisë Mesjetare, dolën nga përdorimi kur nisën të përdoren mushqetat.

    Përralla ndahet në tre pjesë: mallkimi, largimi dhe martesa me incest. Secili pjesë është një tërësi në vetvete dhe rishfaqet në histori të tjera, e dyta është më popullore. Por nuk duket e sigurt që të treja ishin lidhur së bashku në tregimin popullor në Shqipërinë e Veriut. Në kohën kur u botua historia siç e kemi botuar këtu, disa shqiptarë praktikonin shkrimin e tregimeve dhe rrëfenjave folklorike. “Vasha kërcimtare e Dukagjinit” në librin e zotit Man, f. 92-100, është një shembull dhe ky version i “Edipit mbret” lexohet si një histori tjetër.

    Fatkeqësisht as zoti Man dhe as unë nuk e mbajmë mend kush e botoi atë te “Hylli i Dritës”  dhe për shkak të krijimit të një qeverie komuniste në Shqipërinë të vetmet kopje të këtij periodiku që mbeten në dispozicion për të huajt në Evropë janë në Romë, ku për momentin unë dhe zoti Man e kemi të pamundur t’i kemi në duar. Pamundësia jonë për të identifikuar botuesin e saj të parë e bën të pamundur vlerësimin e saktë të aspektit folklorik të tregimit në tërësi. Por mund të thuhet me të drejtë se secila pjesë, e marrë në vetvete, është folklor i vërtetë shqiptar.

    Pjesët nuk përputhen plotësisht. Në të parën se babai është një fshatar i lindur midis maleve të Shqipërisë së Veriut, të njohura si alpe, bredh, bërja e djepit dhe frazeologjia katolike që na tregon gjithçka. Në të tretën ai është një mbret dhe udhëton në një mënyrë mbretërore në një karrocë, e cila nënkupton një vend shumë më të rrafshët se Shqipëria e Veriut dhe kështu krijon një ndjesi të pranueshme se sa larg kishte shkuar fëmija pasi u largua në fillim dhe pastaj duke u endur.

    Pjesët ndërlidhen prej fillit të mallkimit të pashpjegueshëm. Që nga momenti kur flet zana idhanke, fëmija duhet të përballet me profecinë e pazakonshme. Babai, më merak për ta shmangur vrasjen e tij, por duke mos dashur t’ia marrë jetën pasardhësit të tij të rrezikshëm, e hedh në det, për të vdekur ose për të shpëtuar, sipas vullnetit të Zotit, ashtu si do të kishte vepruar një banor vendas i Ballkanit, me një qen ose ose mace të padëshiruar. Providenca deshi që i dëbuari të shpëtohej, duke dërguar së pari një dhi për ta ushqyer dhe më pas një njeri të mirë për ta birësuar. Në këtë mënyrë babai fshatar shpëton prej mallkimit, por në të vërtetë është i biri ai që e trazon; fati i babait është vulosur me lindjen e tij dhe nëse nuk ishte dënuar të vdiste nga dora e të birit, duhej të ndahej pre tij. Te njerku djali pushtohet nga ideja e marrë se ka gjak mbretëror dhe vihet në kërkim të babait mbret. Ai mendon vetëm të jetojë në paqe me të derisa të vdesë dhe më pas të hip në fron. Por mallkimi do që të pushtohet nga ambicia gjë që do të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve, kur i merr jetën një mbreti të panjohur dhe martohet me mbretëreshën vejushë, për të zbuluar më pas se mbreti ishte i ati dhe mbretëresha e kishte lindur. 

    Megjithëse rrëfenja për Edipin duket të jetë mjaft e zakonshëm në rajonin e Ballkanit, ky është versioni i vetëm shqiptar të cilin ne njohim. Karakteristika më e pazakontë e rrëfenjës është ndodhja e atvrasjes në një karrocë. Ndërsa në mënyrë të habitshme ngjan me episodit përkatës te Sofokliu, elementi i karrocës është jashtëzakonisht i rrallë në traditën orale.


    [1]  Margaret Hasluck (1885-1948), një specialiste e folklorit në Ballkan, i referohet, “I burgosuri që shpëtoi jetën me një gjëagjëzë”, të F.J. Norton -iit botuar në “Folklor”, 53 (1942), 27-57,  shtysa për të shkruar tekstin për Edipin shqiptar. (Shënim në “Edipi në folklor: libër studimor” me redaktor: Lowell Edmunds dhe Alan Dundes, Universiteti Wisconsin, SHBA, 1985).

    [2]  Kjo strofë, ashtu si edhe strofat e tjera ilustruese janë në shqip në origjinal kurse përralla është përkthyer.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË