Qyteti i Elbasanit është qytet me tradita të lashta kulturore e arsimore. Historia e këtij qyteti dëshmon ndër të tjera për përpjekjet e gjata shekullore për kulturë e arsim, për ruajtjen e gjuhës amtare e identitetin kombëtar, për përparimin e vendit. Për Elbasanin kanë shkruar shumë udhëtarë apo autorë të huaj që kanë vizituar qytetin tonë. Disa prej tyre po i citoj më poshtë: Kronikani turk Evlija Celebi, që në vitet e largëta 1660, ka thënë: “Ky qytet ka famë se është atdheu i shumë dijetarëve të mocëm…”. Vazhdojmë më tej me Fransua Pukvilin autor, diplomat francez rreth viteve 1800 i cili e përshkruan Elbasanin si qendër të rëndësishme dhe me traditë. Ami Bue udhëtar francez, viziton Elbasanin në vitet 1836-1838, në veprën e tij “Turqia Europiane”, e përshkruan qytetin me një histori të vjetër, me interes arkeologjik. Më pas kemi albanologun gjerman Johan Georg Von Han, për të cilin tradita arsimore dhe kulturore e Elbasanit ka qenë në qendër të vëmendjes së autorit dhe jep të dhëna në shkrimet e tij për Elbasanin me interes gjuhësor, historik, etnologjik, etnografik. Gustav Vajgand balkanolog gjerman, gjuhëtar, rreth viteve 1888-1890, vjen në Elbasan takoi Kristoforidhin dhe mblodhi lëndë gjuhësore për gramatikën që e botoi më 1913 në Lajpcig “Gramatikë e shqipes në dialektin e gegërishtes jugore të Durrësit, Elbasanit, Tiranës”. Në parathënien e librit falënderon elbasanasit e lagjes Kala, si: Simon e Josif Shuteriqin, Lef Nosin, Katerina Shuteriqin etj. Edit Durham (1863-1944) udhëtare, artiste, shkrimtare britanike, që në vitin 1905 në veprën e saj “Brenga e Ballkanit” shkruan: “…Në Elbasan prekesh nga përpjekjet që bëhen për dije dhe kulturë. Ka një numër mjaft të madh njerëzish të shkolluar dhe të ditur… Ky qytet ëndërron për një të ardhme të ndritur dhe vërtet pozita e tij në qendër të vendit, do të ishte ideale për kryeqytet…”. Ka dhe shumë udhëtarë apo autorë të tjerë të cilët sjellin të dhëna, përshkruajnë, japin informacione për dialektin e Elbasanit, kalanë e qytetit, objektet arkeologjike, ngjarjet historike, bukuritë natyrore të zonës. Ne ndjehemi krenarë për këto opinione e përshtypje drejtuar qytetit tonë, e që janë tejet të vërteta.
Personalitet që kanë dalë nga gjiri i këtij qyteti të lashtë janë të shumtë dhe ne krenohemi me to, por kemi dhe detyrim për t’i respektuar, kujtuar dhe promovuar të gjitha vlerat dhe kontributin e tyre ndër shekuj, për gjuhën, historinë, kulturën dhe arsimin shqip. Mund të përmendim disa prej tyre: Anonimi i Elbasanit, i njohur me emrin Theodhor Bogomili shek. XVII, Dhaskal Todri (1730-1805), babai i gjuhës shqipe Kostandin Kristoforidhi (1827-1895), Lef Nosi (1876-1946), Aleksandër Xhuvani (1880-1961), Kostaq Cipo (1892-1952), Aleks Buda (1910-1993), Mahir Domi (1915-200-), Dhimitër Shuteriqi (1915-2003), Mehmet Çeliku (1936-2020) e shumë të tjerë…
Në këtë punim do të mëshoja fort në faktin për të kujtuar, nderuar dhe respektuar akademikun Aleks Buda, historianin e shquar, Mësuesin e Popullit, profesorin, një ndër përfaqësuesit më në zë të shkencës shqiptare. Ai ka lindur në qytetin e Elbasanit, në një familje me tradita qytetare e patriotike ku dhe kreu shkollën fillore. Studimet e mesme dhe të larta për filozofi dhe letërsi i kreu në Austri, vend që ndikoi në formimin e tij intelektual dhe në pasionini e tij për shkencat albanologjike. Këtu ai u njoh me idetë përparimtare të kohës dhe u lidh me intelektualë të rinj shqiptarë që gjithashtu studionin në Austri, si me Eqrem Çabej, Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin. Në formimin kulturor e intelektual të A. Budës binte në sy sidomos zotërimi i shumë gjuhëve të huaja. Përveç latinishtes e greqishtes së vjetër ai njihte mjaft mirë gjermanishten, anglishten, frengjishten, italishten, rusishten, greqishten e re, serbokroatishten dhe rumanishten. Mbas diplomimit punoi si mësues në shkollat e mesme Korçë e Tiranë. Gjatë Luftës II Botërore mori pjesë aktive në Luftën Antifashiste. Me çlirimin e vendit emërohet drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitet 1945-1947 dhe pas vitit 1947 u bë një nga organizatorët e Institutit të Shkencave, ku drejtoi seksionin e historisë. Profesor A. Buda ka dhënë një ndihmesë të çmuar për orientimin dhe drejtimin e studimeve shkencore në përgjithësi dhe të shkencave albanologjike në veçanti. Kontributi i tij më i spikatur shkencor është në fushën e studimeve të historisë së Shqipërisë. Megjithëse drejtonte sektorin e histories së mesjetës shqiptare, veç punës shkencore në këtë drejtim, ndërmori studime edhe për periudhën ilire, etnogjenezën shqiptare, periudhën e Skënderbeut, Rilindjen Kombëtare. E pazevendësueshme ka qenë puna e tij sidomos në konceptimin dhe hartimin e tekstit të Historise së Shqipërisë që ka qenë një vepër voluminoze, e veçantë në llojin e vet. A. Buda ka shkruar edhe hyrjen 18-faqeshe të botimit të veprës së Marin Barletit, “Rrethimi i Shkodrës”, e cila u përkthye nga Henrik Laçaj dhe u botua në Tiranë në 1962. Kontribut të madh dha në hartimin dhe redaktimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985), e para vepër enciklopedike shqiptare. Studimet e tij i ka referuar dhe kumtuar në koferenca e kongrese shkencore brenda dhe jashtë vendit, ka botuar shumë artikuj me vlera të mëdha në shtypin e kohës. Një pjesë e mirë e studimeve janë botuar në vëllimet “Shkrime Historike”. Studimet e tij kanë qenë mjaft frytdhënëse dhe në fushën e pedagogjisë. Puna e frytshme shkencore – pedagogjike e A. B. e rriti autoritetin e tij shkencor dhe e bëri të njohur si në botën shqiptare brenda e jashtë kufijve, ashtu dhe në rrethet shkencore ballkanike dhe europiane. Prandaj atij natyrshëm i takoi vend i kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që me themelimin e saj në vitin 1972. Me autoritetin e padiskutueshëm që fitoi, ai ishte zgjedhur në disa forume shkencore ndërkombëtare, si nënpresident i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve për Europën Juglindore, anëtar i Komitetit Drejtues të Shoqatës Botërore të Historianëve, etj. Është nderuar me titujt “Mësues i Popullit”, “Çmimin e Republikës së Shkallës Parë”, “Urdhrin e Lirisë” etj. President i Republikës së Austrisë e ka dekoruar me “Medaljen e Madhe të Artë” (1990), medalja më lartë që jep Austria për shtetasit e huaj. Këshilli i qarkut të Elbasanit e ka nderuar pas vdekjes (2002) me titullin “Qytetar Nderi”. Pra nga sa u tha më sipër A. Buda ka patur kapacitete të plota të një akademiku të mirfilltë që ka lënë gjurmë të thella në shkencën shqiptare. Elbasani dhe sidomos biblioteka krenohet dhe nderohet me veprat e tij, të cilat sot kanë hyrë në kujtesën historike kombëtare dhe në atë të qytetit tonë. Nderim dhe respekt për A. Budën dhe gjithë akademikët elbasanas për kontributin dhe veprën e tyre!