More
    KreuLetërsiBibliotekë"Mani në bregore", tregim nga Murat Aliaj

    “Mani në bregore”, tregim nga Murat Aliaj

    Mani ynë ishte i vetëm në fshat. Ai ishte ndër të parat pemë që piqej e na mblidhte poshtë degëve të tij. Kokrrat i bënte të mëdha, të bardha e mjaltë të ëmbla. Trungu i tij ngrihej mbi murin e shtëpisë, dhe degëzohej në tre drejtime. I pari merrte mbi çatinë e  mbuluar me plloça guri, duke i kryqëzuar degëzimet e duke e fshehur shtëpinë nën një mbulesë të freskët degësh e gjethesh. I dyti merrte drejtimin e poshtëm të tarracës, ku s’mund të bleronte asgjë prej hijes së tij, ndaj ajo tokë gjithnjë mbetej e pambjellë. Kurse i treti ngjitej drejt qiellit. Për vjetërsinë e atij mani kishim pyetur shpesh babanë, por ai na vështronte i çuditur, si për të na thënë se ai kështu e mbante mend qysh kur kishte lindur. Por neve na u krijua bindja se të njëjtën gjë do na thoshte edhe gjyshi, po të ishte gjallë, thua se ky man ishte pikënisja më e hershme e fisit tonë. Ajo dukej si një provë, që lidhte shumë breza, ku të dukshëm e të papërcaktuar mbetej i pari dhe… i fundit.

    Edhe pse shumë degë ishin të shtrembra, e shumë të tjera të thara, unë nuk i kisha parë kurrë prindërit e mi, t’i bënin ndonjë shërbim manit. Madje nuk i kishin prerë as degët e thara, të cilat vareshin si krahë të gjymtuar, derisa i rrëzonte era. Të tilla pemë të bekuara ishin për t’u shërbyer njerëzve, duke sakrifikuar veten e tyre. Ndaj mani u lidh pazgjidhshmërisht me jetën e familjes sonë.

    Në këto anë toka është e ashpër dhe në të nuk rritet çdo lloj druri. Mani ynë ishte më i rralli në fshat dhe pas vjetërsisë së tij, kjo mbetej enigma e dytë që ai na fshihte. Askush s’mund të thoshte dot në se e kishte mbjellë dorë njeriu, apo kishte mbirë vetë nga ndonjë farë e sjellë prej erës, që larg. Çudira të tilla nuk ishin të rralla në këto anë. Kishin provuar shumë herë fshatarët të mbillnin mana, që t’i ngjanin manit tonë, por asnjëri s’kishte mbirë. 

       Nëpër degët e tij ne ngrinim shilarse, të cilët gjatë lëkundjeve, na çonin nga oxhaku majë çatisë, deri në humnerat e pjesës së poshtme të tarracës, me një vërtik, që dukej sikur do na çonte drejt e në ferr. Frutat e tij ishin kaq të shumtë sa nga mbrëmja deri në mëngjes ishte kohë e mjaftë që sheshi poshtë tij, të mbushej me fruta të rrëzuar nga era. Babai ishte i kujdesshëm. Ngrihej qysh herët dhe mblidhte kokrrat e rrëzuara nga era dhe i hidhte në fuçi. Ne kujtonim se ai e bënte këtë punë për të pastruar sheshin e madh poshtë manit, ku kishim ndërtuar të gjitha lodrat tona, por kur shihnim se me të njëjtin kujdes ai pastronte edhe tarracën e thepisur, kuptuam se këtë punë ai nuk e bënte thjesht për të pastruar vendin.

    Veçanërisht gjatë muajit të verës, mani i jepte shtëpisë një pamje të veçantë. Dukej sikur gjithë shpendët e pyllit vinin e gjenin kënaqësi tek mani ynë. Kori i tyre i cicërimave ishte një mrekulli që s’do me shuhet kurrë nga kujtesa. Aty s’mungonin lejlekët, mëllenjat, pëllumbat e egër e shumë zogj të tjerë të pyllit, që e kishin zgjedhur manin tonë si mensën e tyre. Aty kishte ushqim për të gjithë.

    Babai kishte çifte gjuetie, por mbi shpendët e ulur në manin tonë, nuk e kishte shkrepur kurrë. Përkundrazi, dilte poshtë përroit dhe gjuante mbi rrapet e lisat e lashtë, jo për t’i vrarë, por thjesht për t’i trembur e për t’u kujtuar se vendi i tyre nuk ishte tek këto pemë pa frute, por tek mani ynë. Dhe ata si ta kuptonin kumtin, vinin e mbushnin degët me cicërima e me turfullime krahësh. Por ajo kurorë e gjerë mani nuk ishte vend aq paqësor sa e mendonte babai. Vetëm ta shikoje si tronditej i gjithë mani kur mbi të vërsulej ndonjë skifter a shqiponjë. Por beteja të tilla nuk zgjatnin shumë. Grabitqarët merrnin çfarë kapnin nëpër degë dhe largoheshin duke lënë pas zhurmën e panikut.

    Atë kohë, duhej të kem qenë rreth gjashtë vjeç. Fëmijë i ndrojtur që më trembte edhe macja kur fshihej pas derës. Ajo ditë për të cilën dua të flas, ishte një ditë e vrenjtur vjeshte me një erë që i shtroi përdhe të gjitha frytet e manit. Babai nuk doli t’i mblidhte siç bënte zakonisht. Pas dite moti ndryshoi krejt. Rrufetë po vizatonin qiellit vullkane të zjarrtë dhe shkreptimat e bubullimat nuk pushuan. Net të tilla të frikshme nuk ishin të rralla, por ajo natë na u ngul në kujtesë se pse erdhi në një kohë të papërshtatshme për të. 

    Po bëheshim gati të flinim, kur u dëgjua një kërcëllimë e tmerrshme pranë oborrit tonë. Dolëm në dritare të shihnim se ç’kishte ndodhur dhe vumë re diçka të tmerrshme. Mbi manin tonë kishte shkarkuar rrufeja, duke e copëtuar dhe ndarë në mes. Njëra degë ishte mbështetur tek muri anësor i shtëpisë, duke rrezikuar për ta marrë me vete edhe oxhakun e gurtë, kurse tjetri ishte rrëzuar poshtë në tarracë. Ngado ndihej era e shkrumbit që kishte përvëluar trungun e tij të trashë.

     Përpara syve tanë shtrihej një pamje që s’na e pranonte dot syri. Na ngjante sikur bashkë me trungun ishin përcëlluar edhe lodrat e gëzimet tona. Kaq e trishtuar ishte bërë kjo pamje, sa vëllai i vogël nisi të përlotet. Atëherë kuptova se lotët e një fëmije përvëlojnë më shumë se flakët e rrufesë. Babai iu afrua, i fërkoi flokët e ngritur si gjemba dhe i tha:

    −Mani ishte plakur shumë dhe sikur të mos e kishte djegur rrufeja, unë do e kisha prerë me dorën time, për të mos u rrëzuar mbi shtëpi. Në vend të tij do mbjellim të tjerë mana, që të na i sjellin këtu të gjithë zogjtë e pyllit.

    Ja njihnim këtë veti babait. Po të jepte fjalën, do e mbante patjetër.

     E nesërmja ishte ditë e vështirë pune. Babai në krye të një grupi burrash me sharra e sëpata, nisën të hiqnin degët e thyera mbi çati. Punuan deri vonë dhe të nesërmen në mëngjes ne pamë se i kishin larguar të gjitha degët e mbështetura mbi murin e shtëpisë. Në këtë jetë askush nuk mund të jetojë pa armikun e vet. Pëllumbi ka armik skifterin. Skifteri ka gjahtarin. Gjahtari ka zotin. Ky armik bëhet kaq i domosdoshëm sa babai shpesh thoshte: Zoti mos na lëntë pa armiq, se ndryshe do hamë njëri tjetrin. 

     Pa manin e madh ne pamë një shtëpi të shpërfytyruar, që s’ngjante me shtëpinë tonë. Një shtëpi pa tendën e blertë mbrojtëse të manit.

     Kaluan ditë dhe jeta në shtëpinë tonë ndryshoi rrënjësisht. Trungun kryesor e prenë rrafsh me tokën. Degët e djegura të manit u sharruan dhe me to u krijua një stivë e madhe drush, me të cilat do kalonim dimrin. Babai vërtet do mbillte mana të tjerë, por derisa të rriteshin ata, ne mund të mos ishim më fëmijë. Prandaj ne filluam të kërkonim të tjera pemë për të vendosur shilarëset. 

    Atë vit babai nuk gjeti qetësi. Si bujk i mirë që ishte, e kish zbatuar parimin e mbjelljes së dhjetë drurëve, po të dëmtoje një. Disa muaj pas djegies së manit të madh, ai mbolli shumë fidanë. Mbolli mollë, dardhë e lajthi. Mbolli edhe mana, por ajo ishte tokë e ashpër dhe manat nuk mbinin lehtë. Babai mbolli tre katër, pranë e pranë,  sepse e donte patjetër një man tek dritarja, që t’i shtrinte degët mbi çati, por ndërsa mollët e dardhët zunë, manat u thanë. Por babai nuk hoqi dorë. Ai mbolli fidanë të tjerë, të cilët, si t’ia bënin për inat, kalonin disa kohë e thaheshin, duke e bërë babanë të kërkonte lloje të tjerë manash, më të qëndrueshëm ndaj baltës sonë. 

    Vitet kaluan shpejt dhe ne e harruam manin e madh. Ishim rritur dhe babai u plak, u tkurr dhe zuri krevatin. Iu shfaqen të gjitha sëmundjet që përmban vademekumi i mjekësisë dhe e vunë poshtë. Ai që rrallë kishte kaluar ditë të jetës së tij, pa bërë të paktën dyzet kilometra rrugë në ditë, tashmë s’kishte fuqi as për të dalë tarracave për të parë pemët, që dukej sikur rriteshin më shumë me bekimin e tij, se sa me pasurinë e tokës. I sollëm mjekun, i cili pasi e vizitoi na tha: Nuk ka ndonjë gjë serioze… Janë  shqetësimet kalimtare të moshës. Dhe iku i dorëzuar përpara sëmundjes së babait.

     Shqetësimet e moshës!!! Ku e kishte gjetur ai këtë diagnozë?! Babai sa kishte lënë pas të gjashtëdhjetat dhe jetën e tij e kishte patur vetëm lëvizje. Ai kishte trup sportiv. I gjatë dhe i shkathët si lastar. Tip që e quante vdekje qëndrimin në një vend. Pa pikë dhjami në organizëm, ndaj ne nuk besuam se për të po vinin kohët fatale të ndarjes. Vërtet që ndonjëherë kishte vuajtur nga rrufa, të cilën e luftonte me një grusht alkool, që e rrufiste me hundë. Asnjëri nga ne bijtë nuk e pranonte faktin se ai po përballej me periudhën më kritike, ndaj prisnim atë mëngjes kur të na befasonte duke e parë me gërshërën e krasitjes së pemëve në dorë, a me bidonin spërkatjes, duke u shërbyer pemëve të kopshtit, siç bënte shpesh herë, për të kaluar kohën.

    Shpresa jonë për ta parë sa më shpejt në këmbë, po venitej. Na u bë zakon, që çdo mëngjes para daljes nga shtëpia, të përshëndeteshim me të. Pyetjes sonë: si ndihesh sot? Ai i përgjigjej me të njëjtën mënyrë: Mirë jam por vazhdoni punët tuaja! Kjo ndodhi deri atë mëngjes, kur ne e pamë ndryshe. Buzagaz siç kishte qenë gjithë jetën e me një dëshirë për t’u shkëputur nga krevati. Kjo na gëzoi dhe atë pamje do e ruaj në kujtesë, sa të kem jetën. Vetëm vëllai i regjur me këto punë, tha i shqetësuar: 

      −Mos!… kjo s’duhet të ndodhë…

     −Pse ç’po ndodh? Ai sot duket më ndryshe.

     −Kjo më tremb. Vetëm qoftëlargu i merr njerëzit buzagaz.

    Sa i pashpirt që ishte vëllai! Ndërsa neve as na shkonte mendja se një ditë do na mungonte, ai shkonte kaq larg. E vështrova me inat duke mos kuptuar se si guxonte ai të kalonte ndër mend këtë gjë, kur babai ngjante më mirë nga ditët e tjera. Unë qëndrova me të dhe biseduam gjatë. Fliste me një ton optimist, i bindur se kishte dorë të mbarë dhe sado fidanë që të thaheshin, do gjendej njëri që të thyente kufizimet e natyrës e të lëshonte rrënjë. E kishte brengë zhdukjen e të vetmit man të fshatit. Ishte gati të ngrihej e të bënte të pamundurën. S’të jepte të besoje se kish marrë rrugën… 

     Nga që dëshiroja ta shihja në këmbë, siç e kisha parë gjithë jetën, nxitova ta ndihmoj. E kapa për krahu dhe e ula në divan. Por ai nuk ishte i kënaqur. Donte të dilte. Të shihte kopshtin e dallëndyshet, të cilat vazhdonin punën për ndërtimin e folesë së re në këndin e ballkonit. I ishin prerë fuqitë dhe këmbët nuk e mbanin. Ishte e mundimshme të lëvizte më tej. Në fytyrën e tij pashë një dëshirë që ngurronte ta shprehte. Duhej ta kuptoja vet, siç bënte ai kur donte të kuptonte dëshirat tona. Ai kurrë nuk na pyeti përse kishim nevojë, nga që s’na linte dëshirë pa plotësuar 

    Kjo ishte e para herë që po ndodhte e kundërta. Atij diçka i mungonte dhe këtë duhej ta kuptonim ne, pa na e kërkuar ai.

    −Do gjë?- i thashë.

      Ai tundi kokën i menduar. Ndoshta nuk deshi të na ngarkonte barrë të tilla.     

     −Shumë gjëra dua, o bir. Kam lënë punë pa mbaruar e më duket se kështu do mbeten. 

     −Mos ki merak për to, baba. Ne ndaj jemi në këmbë.

     −Jeni jeni, por nuk ua dini radhën këtyre punëve, siç ua di unë. Sidoqoftë, mua më duhet një bastun, sa për t’u mbajtur në këmbë e të shkoj pas punëve të mia. 

    Sa kërkesë modeste! Si mund të mos ia plotësoja?! Ai që me gjithë varfërinë e familjes e kishte gjetur mundësinë për të na plotësuar çdo kërkesë, këtë radhë po shtronte kërkesën e tij të vetme për një… bastun. Vesha këpucët dhe fluturova drejt qytetit të afërm, në tregun e të cilit gjeje edhe qumësht dallëndyshe, por mu desh t’i bija anë e kënd tezgave e bastun të mos shihja gjëkund. Ishte koha kur tregtarët shisnin gjithfarë pajisjesh, që na kishin munguar një jetë të tërë, e për bastun s’mund t’i shkonte mendja kujt. Fshatarët tanë rrallë e përmendnin bastunin, pasi preferonin ta jepnin frymën e fundit… në këmbë. U ktheva në mbrëmje i dëshpëruar dhe i thashë babait:

    −Nuk gjeta kund, por po ta bëj një bastun nga degët e manit, që premë dimrin e shkuar.   

    Ai tundi kokën i dëshpëruar, si të donte të thoshte: Lere fare, se mund të mos më hyjë në punë. Bëra sikur nuk e kuptova. Mora veglat që më duheshin dhe nxitova tek degët e sistemuara në haur… Preva një degë të drejtë dhe me limë po përpiqesha t’i bëja dorakun. Lëkurën e blertë që ruante akoma lëng përbrenda, nuk ia hoqa. Pasi e gdhenda dorezën dhe mu duk e përshtatshme për t’u përdorur, iu afrova krevatit të babait, me dëshirën për ta parë sa më shpejt në këmbë, i thashë.  

      −Merre !

     −Rrofsh, o bir!- mërmëriti i pafuqishëm, sikur fliste me vete.

     −Do provojmë të ngrihemi? – i thashë.

    Ai tundi kokën i dëshpëruar që më kishte futur në mundime të kota. E mori në dorë bastunin dhe unë vura re se gishtat i dridheshin e bastuni i ngjante si mjet i pamundur për tu përdorur prej tij. Ai që kishte mbajtur malin në shpinë, sot nuk mbante dot një bastun… 

     −Ik tani!- më tha njeriu që e kishte të shenjtë punën− Shikoni punët tuaja.

    −Unë nuk mund të të lë kështu…

     Dhe me kujdes sikur kisha nëpër duar një enë të qelqtë, e ngrita përgjysmë, i vura një nënkresë pas shpinës dhe u përshëndeta me të. 

    Në mbrëmje kur u ktheva në shtëpi, u përballa me gjëmën. E përcollëm të nesërmen në atë bregore ku preheshin të parët e fisit, që t’i fërshëllenin erërat mbi krye. Bastunin e manit edhe pse nuk ishte ndonjë objekt i spikatur, ia vura tek kreu. Shumë kush nuk e kuptonte dot se çfarë doja të thosha me të, por as e merrnin guximin të pyesnin, pasi ka ca gjëra që duhet t’i vijë vetëm ai të cilit i përkasin. Ai bastun shprehte diçka për mua e babanë. Për të shprehnin brengën, që s’mundi ta zëvendësonte dot manin e djegur nga rrufeja, kurse për mua brengën që edhe në ditën e tij të fundit, nuk munda t’i plotësoj një dëshirë aq të thjeshtë… 

    Ai mbeti viti i fundit të qëndrimit tonë në fshat. Ne u shpërngulëm në qytet dhe shtëpia e brezave u rrënua plotësisht. Varret e të parëve nuk i lëvizëm nga vendi. Ata mbetën njëri nga shkaqet që ne të ktheheshim herë pas here në vendlindje. Në përvjetorin e parë të babait, u bëmë prapë bashkë dhe siç e donte zakoni, vizitën e parë e bëmë tek bregorja ku preheshin të parët. Atje vumë re një çudi befasuese. Bastuni i manit, që i vumë tek koka në ditën e përcjelljes, kishte mbirë e lëshuar lastarë. Çfarë dheu të bekuar kishim lënë pas që rilindte jetën edhe kur të dukej se gjithçka kishte marrë fund.

     Me kalimin e viteve mani hodhi shtat dhe tani ai mbulon me hije gjithë varroshin e njerëzve tanë që prehen nën të. Nëpër degët e të tij kanë ndërtuar fole zogjtë e ndryshëm. 

    …Se pemët janë si njerëzit që edhe kur s’i pranon toka, e gjejnë vetë mënyrën, për të lëshuar rrënjë në të…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË