More
    KreuIntervistaStephen King: “E kam dashur “Perëndinë e Mizave” si fëmijët e sotëm...

    Stephen King: “E kam dashur “Perëndinë e Mizave” si fëmijët e sotëm “Harry Potterin”

    Autori i horrorit mbi Dr Seuss, radikalizmin e Earl Thompson, dhe librin e përsosur me vrasje të mistershme

    Kujtimi më i hershëm i leximit

    Isha pesë vjeç, në apartamentin tonë në katin e tretë në Stratford, Connecticut. Libri ishte “The 500 hats of Bartholomew Cubbins” nga Dr Seuss.

    Libri im i parapëlqyer tek rritesha

    Ndoshta “Dhe nuk mbeti më askush” e Agatha Christie. Është misteri i përsosur me vrasje.

    Libri që më ndryshoi si adoleshent

    “Perëndia e mizave” nga William Golding. Isha tërësisht i investuar në të, tërësisht aty. E ke parasysh mënyrën si ishin fëmijët në kulmin e “Harry Potter”-it? Ashtu isha unë me Ralph dhe Jack.

    Autori që më ndryshoi mendjen

    Isha dymbëdhjetë vjeç kur lexova “Studs Lonigan”, nga James T Farrell.  Bënte atë që bënin romanet rinore por me shqetësime të rriturish. E kuptova “Studs” që në fillim. Është një triologji, e cila ndjek një adoleshent optimist nga Chicago gjatë Depresionit të Madh deri sa në volumin e tretë bëhet një i alkoolizuar i shpëlarë e i hidhët. Ma ndezi cinizmin prej adoleshenti dhe më ofroi një portret fiktiv të forcave shoqërore që po shtypnin amerikanët. Një apo dy vjet më vonë u zëvendësua nga “Vilet e zemërimit” e Steinbeck-ut, si libri im i preferuar mbi Depresionin.

    Libri që më bëri të doja të isha shkrimtar

    Perëndia e mizave: ishte për fëmijët, dhe unë isha fëmijë. Subjekti ishte i thjeshtë dhe zbritja drejt egërsisë ishte e besueshme. E lexova në moshën dymbëdhjetë vjeçare – vetëm më vonë e kuptova simbolin e kokës së prerë të derrit dhe nënteksin seksual. Mendova se nëse do të mund të bëja diçka të tillë, do të isha i lumtur. Dhe gjeje çfarë? Kisha të drejtë.

    Libri të cilit iu ktheva

    “A garden of sand” nga Earl Thompson. Doja të dija nëse ishte aq radikal sa e mbaja mend. Ishte. Gjithashtu, “Last Exit to Brooklyn” nga Hubert Selby Jr. Ishtë më i mirë nga sa mbaja mend, por jo aq radikal.

    Libri që nuk do të mund ta lexoja sërish

    Ndoshta “The Robe” nga Lloyd C Douglas.

    Libri që e zbulova vonë në jetë

    “The Heart is a Lonely Hunter” nga Carson McCullers. Shkruar nga një grua e re e cila ishte thuajse fëmijë, fokusohet në rëndësinë e John Singer, një “shurdh-memeci”, dhe ka tri personazhe. Singer nuk do t’ia dijë vërtet për asnjërin prej tyre, ka punët e veta, por ata mendojnë  se ai di gjithçka. Pakashumë siç ndihen njerëzit për Zotin.

    Libri që po lexoj tani

    “After Midnight”, tregime të shkurtra nga Daphne du Maurier, që do të botohet në tetor 2025.

    (Përktheu E. H.)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË