More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMalcolm Cowley: Vepra e William Faulkner

    Malcolm Cowley: Vepra e William Faulkner

    përktheu Granit Zela

    Ky studim është hyrja e përmbledhjes me proza të përzgjedhura të Folkerit me titull Folkneri për këdo përgatitur për botim nga Malkom Kaulli (Malcolm Cowley). Kaulli (1898-1989), autor i disa librave, veprave kritike, dhe me ese e poezi, për një kohë të gjatë ka qenë botues i revistës Republika e re (The New Republic) dhe president i Institutit Kombëtar të Arteve dhe Letrave në vitet ‘50- ‘60. Shkak i apogjeut të autoritetit të Follnerit në SHBA mbahet të jetë botimi i Folkneri për këdo 1946. Me ndikim të madh ishte kjo hyrje e Kaullit, në të cilën ai argumenton një hulli interpretimi, duke këmbëngulur bindshëm në vijueshmërinë domethënëse të veprës së Folknerit të marrë si e tërë, përzgjedhja me sqimë e prozës më përfaqësuese deri në vitin 1946, si dhe autoriteti i Kaullit si kritik dhe botues, të gjitha këto i dhanë njëfarë hovi, dhe në disa qarqe letrare, një lloj autoriteti dhe respekti vlerësimit të Folknerit. Hyrja kritike e Malkolm Kaullit është cilësuar si “e shkëlqyeshme” prej vetë Folknerit. Titulli është i redaksisë.


    E shkruajta këtë hyrje në vjeshtën e 1945, atëherë kur librat e Folknerit pak lexoheshin dhe, më së shumti, nënvlerësoheshin. Ai kishte, sidoqoftë, disa përkrahës të zellshëm, porse asnjëri syresh, siç më dukej atëkohë, nuk mbaj mend të ketë sugjeruar, së paku, largas gjerësinë, forcën dhe ndërvarësinë e veprës së tij si një e tërë. Atëbotë po shkruaja për të ftilluar një keqkonceptim të përgjithshëm, dhe bash kjo shpjegon pse çështjeve të ndryshme u kam mëshuar ndryshe nga sa do t’u jepja rëndësi tani. Megjithatë, më duket e vështirë ndyshimi i asaj që kam thënë, përpos çështjes pak a shumë të thjeshtë të përditësimit të fakteve. Teksti origjinal ishte shkruar duke pasur parasysh shumë këshilla të vetë Folknerit. Kjo ka rëndësi historike, andaj parapëlqej ta shtyp sërish me pak rishikime, duke i lënë komentet për në fund.

    1.

    Kur lufta pat mbaruar – lufta tjetër – Uilljam Folkneri u kthye në Oksford të Misisipit në 1918-të, pasi kishte shërbyer në Forcat Ajrore Mbretërore. Tani ishte dhe nuk ishte në shtëpi, ose, së paku, nuk qe në gjendje të pranonte botën e pasluftës. Ai po shkruante poezi, pjesa më e madhe e tyre pa vlerë, dhe dhjetëra tregime të paarrira, porse të dhunshme dhe të qëlluara, ndërkohë që njëherësh bluante me mend gjendjen e tij dhe rënien e Jugut. Pak nga pak, këto mendime të trishta u shestuan vetë në gjedhen e gjithsejtë dhe të ndërvarur që do të përbënte lëndën e romaneve të tij.

    Gjedhja u krijua prej asaj çfarë pa në Oksford ose kujtonte prej fëmijërisë; prej episodesh të traditës familjare (Falknerët, sikundër e gërmëzonin emrin, kishin luajtur rolin e tyre në historinë e shtetit); prej dialogjeve në kuzhinë mes kuzhinieres zezake dhe të shoqit ëmbëlosh; prej thashethmenajës së pasditeve, të dielave te Sheshi i Gjykatës, prej historive të rrëfyera nga burra me kominoshe ulur këmbëkryq, teksa i përcillnin shoqi-shoqit një tabaka frutash plot me pije alkoolike, prej të gjitha burimeve të mundshme për një djalosh që ishte nga një qytezë e Misisipit – por e gjitha kjo ishte përpunuar, shndërruar, mbushur me jetë prej emocioneve të tij tronditëse; gjersa thjeshtë prej dendësisë së kësaj ndjenje, personazhet në të u bënë u bënë pak më shumë se njerëzorë, u bënë heroikë ose djallëzorë, simbole të Jugut të vjetër, të luftës dhe ringritjes, të tregtisë dhe makinerisë që po shkatërronte  traditën  e të kaluarës. Atje në Oksford, Folkneri bëri një punë krijues të pashoqe për kohën tonë, dhe një punë dyfishe: së pari, duhej të krijonte një qark (konte) në Misisipi që ngjante me një mbretëri mitike, por që ishte e plotë dhe e gjallë gjer në detaje; së dyti, duhej të krijonte historinë e tij të Qarkut Joknapatafa si parabolë ose legjendë e të gjithë Juglindjes.

    Për kryerjen e kësaj detyre dyfishe, Folkneri kishte më shumë talent dhe përvojë jetësore se arsimim. Ai u lind në Nju Ellbëni, Misisipi, më 25 shator 1897 dhe ishte më i madhi ndër katër vëllezër. Shumë shpejt familja e tij u shpërngul në Oksford, ku ai vazhdoi shkollën publike, por pa e mbaruar shkollën e mesme. Një ose dy vjetë pas luftës, ishte student i Universitetit të Misisipit, ku veteranët mund të regjistroheshin pa diplomë të shkollës së mesme, por i nënvlerësoi studimet dhe i ndërpreu në fillim të vitit të dytë. Kishte arsimimin më të paktë prej të gjithë shkrimtarëve të rëndësishëm të kohës së vet, përveç Hart Krejnit, më të paktë, madje, se edhe Hemingueji, i cili asnjëherë nuk vajti në kolegj, por mësoi të flasë disa gjuhë dhe studioi shkrimtarinë prej mjeshtrave më të mirë. Folkneri vetëmësoi, jashtëzakonisht, sikundër thotë, “prej leximesh të pandërlidhura dhe i pakëshilluar prej ndokujt. Ndër autorët që ose përmenden ose të kujtohen pas leximeve të tregimeve dhe poezive të tij të hershme janë Kitsi, Balzaku, Floberi, Suinbërni, Verleni, Malarmeja, Uajlldi, Hauzmani, Xhojsi, Elioti, Shervud Andersoni, dhe I. I. Kamingsi, duke të ndërmendur vagullt Heminguejin, (kur kur përshkruan troftat në lumë), Dos Pasosin (në gërmëzimin e fjalëve të përbëra), dhe Skot Fixheraldin. Poezitë që shkruajti në këtë kohë ishin plotësisht të prejardhura, por proza e tij, qysh në fillesë, qe një lloj poezie dhe, pavarësisht nga çfarë të ndërmendte, ishte individuale. Ai udhëtoi më pak se të gjithë shkrimtarët bashkëkohës. Mund të kujtojmë një vit të vetëm të kaluar në Nju Jork si shitës në një librari; gjashtë muaj në Nju Orlins, ku jetoi ngjitur me Shervud Andersonin dhe grupet letrare – madje i satirizoi ato në një roman të dobët të hershëm, në romanin Mushkonjat – mandej gjashtë muaj në Itali dhe Paris, ku ai nuk zuri as një mik. Përveç kohës së shkrimeve që i kërkonin në Hollivud, pjesën tjetër të jetës e kaloi në qytezën ku u lind, më pak se dyzetë milje larg vendlindjes.

    Megjithëse Oksfordi i Misisipit kishte një universitet, dhe ishte një qendër letrare jo më pak se sa ishte Salemi i Masaçusetit, gjatë viteve të para të Houthornit si shkrimtar;  Folkneri vetë ka shfaqur pakënaqësi për qarqet letrare, madje pakënaqësi më të madhe se Houthorni.Veprat e tij janë libra të një njeriu që gjithherë mendon për letërsinë, po nuk diskuton shpesh për këtë me miqtë; mungon qetësia që të japin ata, ndjesia se janë fryt i të paturit të një shije të përsosur prej debateve dhe mendimeve të përbashkëta. Ato më ndërmendin një pjesë nga libri i shkurtër i Henri Xhejmsit për Houthornin: “Gjërat më të mira lindin, sipas një ligji të përgjithshëm, prej talenteve që janë pjesë e një grupi; çdo njeri punon më mirë kur ka bashkëshoqërues që punojnë në të njëjtën hulli, me sugjerimet, përqasjet, rivalitetin. Gjëra të mëdha, sigurisht, janë bërë dhe nga punëtorë vetmitarë; por ato zakonisht janë bërë me mundime të dyfishta, krahasuar me ato që do të nevojiteshin nëse do të krijoheshin në situata më të favorshme. Punëtori vetmitar nuk ka mundësinë e të përfituarit prej shembullit dhe debatit; ai ka gjasë të bëjë eksperimente të paqëlluara; ai shembullzon rastin e të qenurit empirik. Empiriku, mendoj unë, mund të shihet nga të tjerët si specialist; por atij i mbeten të metat dhe vështirësitë që nxjerr empirizmi dhe këto, në të vërtetë, shtohen prej dyshimit që përzihet me mirënjohje, prej një dëshire të shijes së publikut për pasjen e ndjenjës së masës”.

    Sikundër Houthorni, Folkneri ka zgjedhur të jetë punëtor vetmitar, dhe ka bërë gjëra të mëdha vetëm me përpjekje të dyfishta, po ta krahasojmë me mundësinë e hamendur të krijimit në situata më të favorshme, por nganjëherë, gjithashtu, me nevojën e përpjekjeve të dyfishta prej lexuesit. Dy ose tre prej librave të tij në tërësi dhe shumë prej tyre pjesërisht janë eksperimente të paqëlluara. Të gjitha janë plot me fjalë të fryra si “i paparishikueshëm,” “i pavdekshëm,” “i pandryshueshëm” “i kryehershëm” që ai mund t’i kishte përdorur me maturi, ose asfare, nëse do të kishte ndjekur shembullin e Heminguejit dhe do të ishte bërë nxënës i një shkrimtari më të vjetër. Ai është sa s’ka një gjykues që nuk mund t’i besosh kur flet për veprën e vet, ndërkohë që nuk gjen arsye të besojë se gjykimi i të tjerëve për të ka ndonjë arsye për t’u besuar; në të vërtetë, nuk ka autor amerikan që do të ndjehej më i përligjur tek dyshonte për “dëshirën e shijes së publikut, për ndjenjën e masës së gjërave”. Veprat e tij të hershme, në rastin kur nuk janë nënvlerësuar, janë mbivlerësuar për arsye jo të drejta; romanet më të vonshme dhe, në një farë mënyre, më të mira, i kanë përqeshur ose thjesht shpërfillur; dhe më 1945, të shtatëmbëdhjetë librat e tij ishin realisht jashtë qarkullimit, madje, me disa prej tyre vështirë t’i gjeje edhe në librari të dorës së dytë.

    Asnjë prej adhuruesve të tij, të cilët nuk janë të pakët – ndërkohë që asnjë autor nuk ka personalitetin e tij mes romancierëve të kohës së vet – nuk kanë dhënë të paktën një ide të vagullt se çfarë është përpjekur të bëjë ai; dhe as Folkneri vetë kurrë nuk e ka shpjeguar. Ai mban një qëndrim që të ngjall kureshtje ndaj publikut, që s’është gjë tjetër veçse mënjanësi fisnike (gjë që duket në një parathënie që shkruajti për botimin e romanit Faltorja nga shtëpia botuese Libraria Moderne), por, në të vërtetë, ngjan më shumë të jetë përzierje e një mosbesimi lojcak dhe pavetëdijes së kulluar për ekzistencën e publikut.

    Ai nuk jep informacion ose nuk ndreq pasaktësitë në lidhje me të (pjesa më e madhe e skicave jetëshkrimore janë plot me gabime të jashtëmendshme). Nuk i intereson se si ia shkruajnë mbiemrin nëpër dokumente, me apo pa “u”. “Secila mënyrë është në rregull për mua”, komenton. Me të mbaruar një libër, dukshëm duket se nuk e shqetëson çështja se si do të përcillet ai, te çfarë lloj audience do të mbërrij, madje, nganjëherë nuk mban një kopje të tij për vete. Thoshte në një letër: “Mendoj se kam shkruajtur dhe dërguar shumë libra në shtyp pa e kuptuar se në të vërtetë njerëz të panjohur mund ti lexojnë ata.”

    2.

    Mbretëria mitike e Folknerit është një qark në Misisipin verior, në kufirin mes kodrave ranore, mbuluar me pisha të vogla dhe tokës së zezë të shtretërve të lumenjve. Përveç magazinierëve, mekanikëve, dhe punëtorëve me përvojë, banorë të Xhefersonit, e cila është kryeqendra e qarkut, të gjithë banorët janë fermerë ose gjahtarë. Përveç pak lënde drusore, prodhimi i vetëm tregtar i tyre janë dengjet me pambuk për tregun e Memfisit. Pak prej tyre jetojnë në shtëpi mes plantacionesh të mëdha, relike të një epoke tjetër dhe, shumë prej tyre, banojnë kryesisht në shtëpi ferme prej druri; por, sidoqoftë, shumica janë qirammarrës, aspak më të mirëstrehuar se skllevërit në plantacione të mira para Luftës Civile. “Qarku i Joknapatafas – Uilljam Folkner, pronari i vetëm dhe zot i saj”, sikundër shkruajti në një nga nga hartat që vizatoi – ka një popullsi prej 15.611 persona të shpërndarë në 2.400 milje katrorë. Mua më duket se çdo shtëpi a kasolle është përshkruar në një nga romanet e Folknerit dhe se të gjithë njerëzit e qarkut të imagjinuar, të bardhë dhe të zinj, qytetarë, fermerë, dhe shtëpiakë, kanë luajtur rolet e tyre në një histori të përbashkët.

    Ai ka shkruar gjer më tash (viti 1945) nëntë libra, të gjitha merren me qarkun e Joknapatafas dhe njerëzit e saj, të cilët gjithashtu janë pjesë të tre librave të tjerë dhe të tridhjetë a më shumë historive të papërmbledhura. Sartorët ishte i pari ndër librat e botuar, në pranverën e vitit 1929; është roman romantik, pjesërisht jo bindës, por me shumë skena të arrira në të, sikurse vizita e një heroi te familja e një prej fermerëve të pavarur në kodrat me pisha; dhe parashtron pjesën më të madhe të temave që më vonë do t’i shtjellonte me hollësi. Buja dhe tërbimi, botuar gjashtë muaj më vonë, rrëfen shpërbërjen e familjes Kompson, dhe ishte i pari ndër romanet e Folknerit që u diskutua gjerësisht. Librat që pasuan, serinë e Joknapatafas janë: Duke dhënë shpirt (1930), që flet për vdekjen dhe varrosjen e Edi Bëndrënit (Addie Bundren); Faltorja (1931), që ishte për shumë kohë më popullori ndër romanet e tij; Dritë e gushtit (1932), në një farë mënyre më i miri; i shkëlqyeri Absalom! Absalom! (1936), që flet për kolonelin Satpen dhe ambicjen e tij për të krijuar një familje; I pamposhturi (1938), një cikël historish për dinastinë e Sartorëve; Palmat e Egra (1939), gjysma e të cilit flet për një të burgosur prej përtej kodrës me pisha; Katundi (1940), romani i parë për klanin e Snopëve, me romane të tjerë vijues; dhe Shko, Moisi (1942), në të cilin tema kryesore e Folknerit janë marrëdhëniet mes të bardhëve dhe zezakëve. Ka gjithashtu shumë histori të Joknapatafas tek Këta të Trembëdhjetët (1931) dhe Doktor Martino (1934), përveç historive të tjera të shtypura privatisht (si Zonjusha Zilpfia Gant, 1932) ose të botuara në revista të cilat mbeten për t’u marrë dhe përdorur si episode në romane.

    Ashtu si Balzaku, i cili mund të ketë frymëzuar këtë seri romanesh, ndau Komedinë Njerëzore në “Skena të jetës pariziane,” “Skena të jetës provinciale,” “Skena të jetës private”, po kështu Folkneri e ndau veprën e tij në një numër ciklesh: një që flet për pronarët e plantacioneve dhe paraardhësit e tyre, një për qytetarët e Xhefersonit, një për të bardhët e varfër, një për Indianët, dhe një për zezakët. Ose ndryshe, po të marrim ndarjen sipas familjeve, do të kishim sagën e Kompsonëve dhe Sartorëve, sagën e vazhdueshme të Snopëve, sagën e Mekkeslinëve dhe sagën e Ratlif Bëndrenit, kushtuar fermerëve të prapambetur të Frenchmans Bend. Të gjithë ciklet ose sagat janë të ndërlidhura ngushtësisht; duket sikur secili prej librave të rinj është një pjesë ose segment i një gjendjeje tëpërgjithshme që ekzistonte gjithmonë në mendjen e autorit. Nganjëherë një histori e shkurtër është vijimësi e një romani të mëparmë. Për shembull, lexojme te Sartorët se Bajron Snoupsi i vodhi një kuti me letra Narcisa Benbout; dhe tek Na ishte një mbretëreshë, histori e botuar pesë vjetë më vonë, mësojmë se si Narcisa i mori përsëri letrat. Nganjëherë, nga ana tjetër, një roman përmban vijimësinë e një historie; dhe mësojmë prej një përmendjeje rastësore te Buja dhe tërbimi se gruaja zezake, terrori i vdekjes së cilës qe portretizuar në “Ai diell mbrëmjesor”, në të vërtetë qe vrarë dhe trupin ia kishin flakur në një hendek për ngrënësit e kërmave. Nganjëherë një episod ka një histori më të ndërlikuar. Kësisoj, në kreun e parë të Faltorja, mësojmë për vendin e francezëve, një rrënojë e vjetër, afër së cilës njerëzit e lagjes kishin qenë duke “gërmuar me optimizmin rastësor për flori, të cilin ndërtuesit thoshin se e kishin varrosur diku aty kur Granti erdhi në qytet gjatë fushatës së Viksburgut”. Më vonë gërmimi për të kërkuar flori u botua në Postën e të shtunës mbrëma me Zhapij në oborrin e Xhamshidit”. Më vonë, historia u rishikua tërësisht dhe u bë kreu i fundit i romanit Katundi.

    Ndërsa një libër të shpie tek tjetri, autori nganjëherë shfaq mungesë të vijimësisë së detajit. Ka një shitës makinash qepëse me emrin V.K. Surati që del tek Sartorët dhe te disa nga historitë të shkruara pothuajse në të njëjtën kohë. Kur mbërrijmë te leximi i romanit Katundi, emri i tij ka ndryshuar në Ratlif, megjithëse personazhi ka mbetur i njëjtë (edhe mosha, pavarësisht prej njëzetë viteve mes botimit të të dyja romaneve). Henri Armstidi është personazh i pëlqyeshëm në Duke dhënë shpirt dhe Dritë e gushtit; tek Katundi ai është i lig dhe gjysmë i çmendur. E shoqja, karakteri i së cilës mbetet i qëndrueshëm, quhet Lula në një libër dhe Marta në një tjetër; tek i treti nuk ka emër fare. Një prijës indian i quajtur Dum shfaqet në disa histori. Ai del së pari si i ati i Izitibehas (tek Gjethe të kuqe”) dhe përfundon si nipi i tij (në Drejtësi”). Banesa e quajtur Qindshi i Satpenëve është e ndërtuar prej tullash në Absalom! Absalom! por në fund të romanit është e tëra prej druri dhe krejt e djegshme përveç tymtarëve. Por këto gabime janë të parëndësishme, po të marrim parasysh gjerësinë e serisë së romaneve të Folknerit; dhe më duhet të gjykoj se shumica e tyre përbëjnë më shumë ndërrim të mendjes së autorit, sesa pakujdesi.

    Të gjithë librat e ciklit të Joknapatafas janë pjesë e të njëjtit model të jetuari. Është ky model dhe jo botime pjesë të së cilës janë shkruar, bash arritja e njëmendtë e Folknerit. Ekzistenca e saj na ndih të shpjegojmë një tipar të veprës së tij: që secili roman, ose secila histori e gjatë apo e shkurtër në të vërtetë rrëfen më shumë se sa shpreh në dukje dhe të ketë një subjekt më të madh se sa të jep përshtypjen. Të gjitha veprat, në veçanti, janë si blloqe mermeri të së njëjtës gurore: ato shpërfaqin lartësitë dhe humbellat e një toke shkëmbore. Ose, thënë ndryshe, po të përdorim një krahasim jo fort të gjetur, ato janë si degë druri që janë prerë, jo prej ndonjë trungu, por prej një peme ende të gjallë. Degët priten dhe dhe gdhenden në formën e tyre të mbrame, por pema vetë ende jeton dhe plaga vazhdon të rritet. Folkneri nuk mundej të rrëfente të njëjtën histori për së dyti pa shtuar detaje të tjera. Në këtë vëllim, doja të përfshija pjesë të Buja dhe tërbimi, prej romanit që përshkruan rënien e familjes Kompson. Mendova se pjesa e fundit e librit do të ishte më e efektshme si episod i veçantë, por ende varej shumë nga çfarë ishte shkruar më parë. Folkneri qe i gatshëm të shkruante një hyrje për të shpjeguar marrëdhëniet mes personazheve. Ajo çka ai më dha më në fund është pjesa goxha e gjatë e shtypur në fund të vëllimit: gjenealogjia e Kompsonëve qysh prej mbërritjes së tyre në Amerikë.  Ndërkohë që romani kufizohet (po të përjashtojmë kujtimet) brenda një periudhe prej tetëmbëdhjetë vitesh, duke mbaruar me Pashkët e të Dielës së vitit 1928, gjenealogjia na çon prapa në betejën e Kullodenit në 1745, dhe pastaj gjer te viti 1943, kur Xhasoni, i fundit prej meshkujve të Kompsonëve, ka shitur banesën e tyre, dhe Motër Kedi është përmendur për herë të fundit si dashnorja e një gjenerali gjerman. Romani që shkruajti Folkneri shkruajti për Kompsonët kishte marrë kohë më parë atë çka dukej forma e tij e fundme, por modeli, ose ashti i legjendës që ishte burim i romanit – edhe romaneve të tjerë – ende po rritej.

    Megjithëse modeli paraqitet në lidhje me një qark të vetëm të Misisipit, mund të shtrihej në krejt Juglindjen; dhe Folkneri duket se është gjithmonë i ndërgjegjshëm për këtë mundësi shtrirjeje. Ai mund të ketë qenë duke menduar për romanet e tij kur përshkroi regjistrat e dyqanit të plantacionit të Mekkeslinit, te Shko, Moisi. Ata ruanin, thotë ai, “atë pjesë të vogël të mbetur shurupi, mishi dhe vaktesh, këpucësh, kapelesh kashte dhe kominoshesh,  që çdo vjeshtë ktheheshin përdoreshin gjatë punës me pambukun”, një një kuptim ata ishin krahinorë dhe të kufizuar; po ata ishin gjithashtu, “…vazhdimi i atij regjistri për të cilin dyqind vjet nuk kishin mjaftuar të plotësohej dhe një qindvjetësh tjetër nuk do të mjaftonte për ta fshirë; një kronikë që përbënte një vend të tërë në miniaturë, dhe që po të shumëfishohej dhe bashkohej përbënte Jugun e tërë.

     3.

    “Rrëfemë për Jugun,” thotë shoku i dhomës së Kuentin Kompsonit në Harvard, një kanadez i quajtur Shriv Mekkenën i cili është kureshtar për zonën e panjohur përtej Ohajos. “Si është atje?” pyet ai. “Çfarë bëjnë atje? Pse jetojnë atje? Pse ia vleka të jetosh atje?” Dhe Kuentini, përvoja e jetës së të cilit është deri diku si e Folknerit vetë, duke u bërë nganjëherë zëdhënës i tij, përgjigjet, “Ti s’mund ta kuptosh. Duhet të kesh lindur atje”. Megjithatë, ai rrëfen një histori të gjatë dhe të dhunshme që zbulon diçka thelbësore prej historisë së Juglindjes së SHBA-së, e cila nuk është edhe aq shumë një zonë sikundër është, në mendjen e Kuentinit, një komb i paplotë dhe i mllefosur, që përpiqet të rijetojë të kaluarën e vet legjendare.

    Historia rrëfen – po përpiqem të përmbledh historinë e Absalom! Absalom! – rrëfen për një djalosh të zonave malore, të quajtur Tomas Satpen, familja e të cilit shpërngulet në fushat e Virxhinias, vend ku i ati gjeti rastësisht punë në një plantacion. Një ditë ai e dërgon bashkë me një mesazh për shtëpinë e pronarit, por përzihet nga një kryeshërbëtor zezak. Duke vrarë mendjen, i poshtëruar, djaloshi u përfshi nga ambicja e përjetshme, të cilën ai më vonë do ta përmendte si “plani.” Ai, gjithashtu, donte të bëhej pronar i një plantacioni me skllevër dhe një kryeshërbëtor; do të ndërtonte një shtëpi të madhe po aq sa ato të Taiduoterit; dhe do të kishte një bir për t’ia lënë trashëgim pasurinë.

    Vite më vonë Satpeni u shfaq në qytezën kufitare të Xhefersonit, ku arriti të marrë njëqind milje katrorë tokë prej Çiksouve. Me ndihmën e njëzetë zezakëve të egër të marrë prej xhungle dhe një arkitekti francez, ai nisi të ndërtojë shtëpinë më të madhe në Misisipi, duke përdorur lëndë drusore të pyllit dhe tulla që zezakët e tij i modelonin dhe i piqnin aty për aty; dukej sikur bujtina Qindshi i Satpenëve ishte copë e shkëputur nga toka. Vetëm një njeri në Xheferson- dhe ai qe gjyshi i Kuentin Kompsonit, gjenerali Kompson – mundi të mësojë si dhe kur arritën Satpenët të kenë skllevërit e tyre. Ai kishte udhëtuar me anije prej Virxhinias në Haiti, kishte punuar si mbikqyrës në një plantacion sheqeri, dhe qe martuar me të bijën e pasur të pronarit, e cila i kishte lindur një djalë. Mandej, pasi merr vesh se e shoqja kishte gjak zezak, thjesht e kishte dëbuar bashkë me fëmijën dhe pasurinë e saj, duke mbajtur njëzetë skllevërit si një lloj dëmshpërblimi. I shpjegoi gjeneral Kompsonit, me një ligjëratë të fryrë që ai e kishte përvetësuar sipas rolit të ri të zotërisë prej Jugu, se ajo nuk mund të ishte “shtojcë te vënia në jetë e planit”.

    “Krisht, Jugu është shumë i mirë, apo jo”, thotë Shriv Mekkenën. “Është më i mirë se një teatër apo jo. Është më i mirë se Ben Huri, apo jo. Sidoqoftë, duhet të vish këtu herë pas here apo jo?”.

    Në Xheferson ai u martua përsëri, vazhdon Kuentini. Kësaj here gruaja e Satpenit i përkiste një familje të përkorë të sërës dhe i lindi dy fëmijë, Henrin dhe Xhudithën. Ai u bë plantatori më i madh i pambukut në qarkun e Joknapatafës, dhe dukej se “plani” i tij tashtimë ishte përmbushur. Në këtë çast, sidoqoftë, Henri kthehet në shtëpi prej universitetit të Misisipit me një mik më të madh në moshë dhe më të heshtur se ai, Çarsl Bonin, i cili në të vërtetë ishte djali i Satpenit prej martesës së parë. Çarli fejohet me Xhudithin. Satpeni e mer vesh identitetin e tij dhe, pa i dhënë të njohur, e urdhëroi të largohej nga shtëpia. Henri, që nuk e pranonte se Çarli ishte gjysmë-vëlla i tij, hoqi dorë nga e drejta e trashëgimisë dhe shkoi pas tij në Nju Orlins. Në 1861 të gjithë Satpenët meshkuj shkuan në luftë, dhe të gjithë mbijetuan pas katër vitesh lufte. Pastaj, në pranverë të 1865-ës, Çarli papritur vendosi të martohet me Xhudithën, megjithëse tanimë ishte ishte i sigurtë se ajo ishte gjysmë-motër e tij. Henri kalëroi përkrah tij gjatë gjithë rrugës së kthimit për në Qindshin e Satpenëve, por u përpoq ta ndalonte te porta e hyrjes, e vrau kur pa se ai po këmbngulte me jetësimin e planit të tij, i rrëfeu Xhudithës çka kishte bërë, dhe u zhduk.

    “Jugu,” thotë Shriv Mekkenëni ndërsa dëgjon historinë. “Jugu. Për atë Zot. Sidoqoftë ju njerëz të gjithë mbijetoni për vite me rradhë”. Ndërsa Kuentini thotë, tek kujton të motrën me të cilën (ose me imazhin e vagullt të së cilës) ai qe dashuruar – ashtu sikurse Çarls Boni, edhe Henri që, gjithashtu ishin të dashuruar me Xhudithën: “Megjithëse në në të njëzetat, unë dukem më i vjetër se ata që kanë vdekur”.

    Por historia e Kuentinit për Jugun nuk mbaron me luftën. Kolonel Satpeni u kthye në shtëpi, vazhdon ai, për të gjetur të shoqen të vdekur, të birin të arratisur, skllevërit të shpërndarë (ata ia kishin mbathur para se të liroheshin nga ushtria e Unionit,) dhe pjesën më të madhe të tokës së tij në prag të sekuestrimit për larjen e borxheve. Ende i vendosur për të jetësuar “planin,” ai nuk pushoi asnjë grimë para se të niste rindërtimin e shtëpisë dhe plantacionit sa më shumë të qe e mundur, sikundër kishin qenë më parë. Përpjekja dështoi; Satpeni humbi shumicën e tokave dhe dhe u katandis në mbajtjen e një dyqani në një kryqëzim rrugësh. Tashmë në të gjashtëdhjetat, ai u përpoq sërish për të pasur një djalë; po motra e re e së shoqes, zonjusha Roza Koldfild, u zemërua prej propozimit të bërë (“Ta provojmë njëherë”, përmendet të ketë thënë, megjithëse këto fjalë nuk përsëriten drejtpërdrejt prej tij – “nëse lind djalë, do të martohemi”); dhe, më vonë, e shkreta zonjusha Milli Xhouns, të cilën ai e mashtroi, i lindi një vajzë. Në këtë kohë, Satpeni i humbi shpresat dhe u bë shkaku i nxitjes së gjyshit të Millit për vrasjen e tij. Xhuditha mbijetoi me të atin për do kohë, sikurse bëri i biri thuajse i flakur në Nju Orlins. Pas vdekjes së të dyve prej ethes së verdhë, shtëpia e madhe më shumë u pushtua, se sa u banua prej një mulateje të moshuar, e cila ishte e biia e Satpenit me një nga skllavet e saj. Ikanaku Henri Satpen u kthye në shtëpi për të dhënë shpirt; bashkëqytetarët dëgjuan për sëmundjen e tij dhe dërguan një ambulancë për t’i ndihur, por e moshuara Klajti mendoi se po vinin ta arrestonin për vrasje ndaj dhe i vuri zjarrin Qindshit të Satpenit. I vetmi i mbijetuar prej flakëve ishte Xhim Bondi, një krijesë gjysmë e marrë, ngjyrëdheu që ishte nipi i Çarls Bonit.

    “Tani dua të më tregosh edhe një gjë të fundit,” thotë Shriv Mekkenën pasi dëgjon historinë. “Pse e urren Jugun?” “Unë nuk e urrej”, përgjigjet Kuentini, menjëherë. “Unë nuk e urrej” përsëdyt ai duke folur për vete, ashtu sikundër dhe në emër të autorit. “Unë nuk e urrej”, mendon, tek gulçon në ajrin e ftohtë, nëpër terrin e hekurt të Nju Inglëndit; “Nuk e urrej. Nuk e urrej! Nuk e urrej!

    Lexuesi nuk mundet të mos mendoj se pse kjo histori e zymtë dhe, nganjëherë, krejt e pabesueshme, që ishte ngulitur aq thellë në mendjen e Kuentinit, sa e bënte të fërgëllonte prej emocioneve tek e rrëfente, dhe pse Shriv Mekkenëni e ndjente se ajo përbënte thelbin e gjithë Jugut. Duket sikur është marrë prej ndonjë romance gotike, me Qindshin e Satpenëve që zëvendëson një kështjellë të pushtuar prej hijesh në Rin, me kolonel Satpenin si Fausti dhe Çarls Bonin si Manfredi. Pastaj dalëngadalë, ti kupton se personazhet dhe ngjarjet kanë kuptim të dyfishtë. Kupton se përveç vendit të tyre në histori, ato përbëjnë simbole dhe metafora me domethënie më të gjerë. Plani i madh i Satpenit, toka që u vodhi indianëve, arkitekti francez që ndërtoi shtëpinë e tij me ndihmën e zezakëve të egër të xhunglës, gruaja me gjak të përzier me të cilën u martua dhe  nuk e përfshiu në të drejtën e trasgëimisë, i biri i papranuar që e rrënoi atë, i bardhi i varfër të cilin e shpuri në udhë të shtrembër dhe që e vrau në zemërim e sipër, mandej shkatërrimi i fundëm i shtëpisë sikundër rënia e një rendi të tërë social: të gjitha këto mund të përbënin një histori tragjike të historisë së Jugut. Me pak mençuri, i gjithë romani mund të shpjegohet si një alegori e ndërlidhur dhe logjike, por kjo, mendoj, do të shkonte përtej synimeve të autorit. Më së pari ai po shkruante një histori, atë që e kishte prekur së thelli, por ai po bënte gjithashtu, një përsiatje për një gjendje sociale. Pak a shumë në mënyrë të pavetëdijshme, ndodhitë në histori, përfaqësojnë forcat dhe elementët e gjendjes sociale, meqenëse mendja natyrshëm funksionon nëpërmjet simboleve dhe paralelizmave. Në rastin e Folknerit, kjo formë e paralelizmit nuk kufizohet vetëm tek Absalom! Absalom!. Mund të gjendet në të gjithë kuadrin e shkrimeve që ai ka përpunuar roman pas romani, derisa vepra e tij është bërë mit ose legjendë e Jugut. Unë e quaj legjendë pasi nuk është një rrëfim historik i një vendi në jug të Ohajos, ashtu si Damka e turpit u krijua për të qenë histori e Masaçusetit ose Parajsa e humbur si një histori e vërtetë e Rënies. E përmbledhur shkurt, legjenda është e këtillë: Jugu sundohej prej plantatorëve, disa prej të cilëve ishin aristokratë, sikurse klani i Sartorëve, ndërsa të tjerët ishin si koloneli Satpen. Të dy llojet e sunduesve ishin vendosur të krijonin një rend të përhershëm social në tokën që u kishin zaptuar indianëve (çka do të thoshte të linin trashëgimtarë pas tyre). Ata kishin virtytin e të jetuarit në mënyrë të pandryshueshme sipas një kodi të ngulitur sjelljeje; por kishte, gjithashtu, një faj të trashëgueshëm në “planin” e tyre, në mënyrën e tyre të jetesës; ishte skllavëria mallkim për tokën dhe shkak i Luftës Civile. Megjithëse Satpeni kishte më shumë se pjesën e tij të fajit, ai kurrë nuk mëtoi të ndiqte kodin e sjelljes që deri diku e shlyente atë. Për kah temperamenti, ishte aq më pak një jugor se sa një verior zhvatës jashtë kohës dhe vendit të tij; ose atë mund ta marrim si njeriu i të gjitha kohëve i verbuar prej ambicjes. Për plantatorët e tjerë ishte gati një i huaj. Kuentin Kompsoni, pasardhësi i tyre, e shihte atë si “fundërrinë, njeri pa origjinë” – kështu më shkruante Folkneri në një letër – por Kuentinin e pikëllonte fakti që një njeri si Satpeni “Jo vetëm që mund të ëndërronte majat, por kishte forcën dhe fuqinë të dështonte madhërishëm”. Kësisoj, nuk kishte të bënte me karakterin por me fatin e tij, fakti që Satpeni u bë emblemë e Jugut.

    Pasi lufta ishte humbur, pjesërisht prej heroizmit të çmendur të Jugorëve (se kush tjetër përveç burrave trima si Xheksoni dhe Stjuarti mund të kishin frikësuar Jankitë duke ndenjur të bashkuar dhe luftuar sërish?) plantatorët u përpoqën të rivinin në jetë “planin” e tyre me anë të metodave të tjera. Po ata nuk kishin më forcën e duhur për të arritur më shumë se sa një sukses të pjesshëm, edhe pasi kishin çliruar tokat e tyre prej aventurierëve politik që ndoqën ushtritë e Veriut. Ndërsa koha kalonte, për më tepër, ata që ishin për rendin e vjetër panë se kishin, gjithashtu, armiq prej Jugu dhe atyre u duhej të luftonin kundër një klase të re shfrytëzuese që rridhte prej të bardhëve të patokë në kohën e skllavërisë. Në këtë betejë mes klanit të Sartorëve dhe fisit të paskrupullt të Snopëve, Sartorët u mposhtën që në fillim, prej një kodi tradicional që i ndalonte ata të përdornin armët e armikut. Si çmim që duhej paguar për fitoren, Snopsëve u duhej t’u shërbenin civilizimit të mekanizuar të veriut, i cili ishte moralisht i pafuqishëm në vetvete, por me ndihmën e pronarëve të Jugut, u katandis në korruptimin e Veriut.

    Romanet e Folknerit që merren me jetën bashkëkohore të jetës së Jugut – sidomos këta të shkruara para 1945-ës vazhdojnë legjendën në një kohë që ai e sheh si periudhë të pështjellimit moral dhe rënies sociale. Ai këmbëngulshëm kërkon tek ta imazhe të dhunshme për të përcjellë ndjenjën e tij të zemërimit. Faltorja është më i dhunshmi i të gjitha romaneve të tij; ka qenë më i dhunshmi dhe në asnjë mënyrë më pak i rëndësishmi (pavarësisht nga komentet e Folknerit se ishte “një ide e pavlerë…qëllimisht e përpunuar për të bërë para”). Historia e Popejt dhe Tempëll Drejkut ka një kuptim më të thellë nga sa mund të duket pas një leximi të shpejtë – e vetmja mënyrë leximi që krikët e hershëm shfaqën vullnetin të bënin.  Popeji vetë është një nga personazhet që përfaqëson civilizimin mekanik që ka sulmuar dhe pushtuar Jugun. Ai gjithmonë përshkruhet me terma mekanikë: Sytë e tij dukeshin si “gunga gome, fytyra e tij u shtrembërua, mu si fytyra e një kukulle prej dylli lënë shumë afër një zjarri dhe harruar aty”; kostumi i tij i ngushtë dhe kapelja e palëvizshme” gjithë cepa si një llampadar modern”; dhe në përgjithësi ai kishte “atë cilësinë e hermetizmit vicioz të një kuti teneçeje të stampuar”. Popej ishte biri i një grevëthyesi profesionist, prej të cilit kishte të trashëguar sifilizin; ishte nipi i një zjarvënësi, dhe kishte kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë në një institut. Ai ishte njeriu “që kishte bërë para dhe nuk kishte se çfarë të bënte me to, nuk kishte se për çka ti harxhonte, qyshse e dinte se alkooli do ta vriste si helmi, ai që nuk kishte njeri dhe nuk kishte njohur kurrë një grua”, me fjalë të tjera, ishte kombinim i të gjitha cilësive të urrejtshme që Folkneri mendon se ushqejnë kapitalizmin. Faltorja nuk përbën një alegori të ndërlidhur, sikurse Xhorxh Marion O’Donelli ia taksi të jetë, po aq më pak është një grumbull tmerresh pa kuptim. Ai përbën një shembull të metodës Frojdiane të kthyer mbrapsht, plot me kllapi seksuale që në të vërtetë janë simbole sociale. Kjo ka të bëjë deri diku me atë që ndodhet në mendjen e autorit me atë që ai e quan përdhunimi dhe korruptimi i Jugut.

    Me romanet me të cilët merret me të tashmen – kam parasysh këtu ato të shkruara para vitit 1945, Folkneri e bën të qartë që pasardhësit e kastës së vjetër sunduese kanë dëshirën, por jo kurajon ose fuqinë për të parandaluar këtë rrënim të ri. Ata mposhten prej Popejt (sikurse Horac Benbou), ose ikin prej tij, (sikurse Gouan Stivensi, i cili kishte qenë në një kolegj të Virxhinias dhe kishte mësuar të pinte si zotëri, por jo të luftonte për parimet e tij), ose grabiten dhe zëvendësohen në pozicionet e ndikimeve prej Snopsëve (sikurse i moshuari Bajard Sartori, presidenti i një banke), ose trullosen duke pirë alkool (sikur babai i Kuentin Kompsonit), ose i jepen gënjimit të të qenurit zonja të paprekshme të Jugut (sikurse zonja Kompson, e cila thotë, “nuk mundet thjesht të tallet ose të më lëndojë. Kushdo që mund të jetë Zoti, Ai nuk do ta lejonte këtë, unë jam një zonjë”. Ose ato jetojnë kaq shumë në të kaluarën, sa janë të pazotë të përballen me të tashmen (sikurse Reverend Hajtaueri i Dritë e gushtit), ose kalojnë prej njërit rrezik në tjetrin (sikurse Bajard Sartori) duke kërkuar me tërbim rrënimin e vetes.

    Romanet e Folknerit janë plot me individë qëllimmirë, madje të adhurueshëm, jo vetëm nipërit e aristokracisë së pambukut, por, gjithashtu, shitës dhe fermerët e kodrave me pisha, bashkë me shitës makinash qepësesh, kuzhinierë zezak dhe gjysmatarë; po pothuajse të gjithë mposhten nga rrethanat dhe mbartin me vete mallkimin e tyre. Ata mbartin, gjithashtu, sido që të jenë, heronj apo keqbërës, një sens kureshtjendjellës të nënshtrimit ndaj fatit. “Nuk gjendet asnjë personazh i Folknerit,” thotë Andre Zhid në dialogun e tij te Romancierët e rinj Amerikanë, Andre Zhid “që po të flasim në kuptimin klasik të ketë shpirt”; dhe mendoj se do të thotë se asnjëri prej tyre, në romanet e hershme, nuk ka zotësinë e zgjedhjes së ndërgjegjshme mes të mirës dhe të keqes. Ata janë të ndjekur, mendjengulitur, të shtyrë përpara prej një nevoje të brendshme. Sikurse Roza Kornfildi te Absalom! Absalom!  ato ekzistojnë në “atë gjendje ëndrre në të cilën ti vrapon pa lëvizur për të ikur prej një tmerri në të cilin nuk beson dot, drejt një sigurie që nuk beson dot.” Ose, sikurse skllevërit e liruar prej ushtrisë së gjeneralit Sherman, te I pamposhturi, ndjekin verbërisht rrugën që të çon drejt çfarëdo lumi, duke besuar se do të jetë lumi i tyre Jordan. “Ata po këndonin, duke ecur përgjatë rrugës duke kënduar, pa hedhur kurrfarë vështrimi anash. Pluhuri nuk u ul në tokë për dy ditë me rradhë, ngase gjatë gjithë asaj nate ata vetëm kalonin e kalonin; ne u ulëm për t’i dëgjuar ata dhe mëngjesin tjetër pas disa jardëve gjatë rrugëvs do të ishin të moshuarit të cilët do t’i linin fuqitë, do të uleshin ose të shtriheshin madje do shkonin zvarrë, duke u thirrur të tjerëve për ndihmë; dhe të tjerët – ata të rinjtë – duke mos u ndalur, madje pa u hedhur asnjë vështrim. “Po shkojmë drejt Jordanit,” më thanë. “Po shkojmë të kalojmë Jordanin.”

     Pjesa më e madhe e personazheve të Folknerit, të bardhë ose zezakë, janë pak si këta. Ata gërmojnë duke kërkuar flori, të mllefosur, pasi kanë humbur shpresën për ta gjetur (sikurse Henri Armstidi te Katundi dhe Lukas Boshampi te Shko Moisi); ose luftojnë dhe i mbijetojnë përmbytjes së Misisipit për privilegjin e kthimit në fermën burg të shtetit (sikurse i burgosuri i gjatë te “Plaku”; ose, një familje e tërë mbart një trup mespërmes përmbytjes zjarrit dhe lapërdhosjes shpirtërore për ta varrosur në varrezën e Xhefersonit (sikurse Bandrenët në Duke dhënë shpirt”); ose i ngatërrojnë rrugët javë pas jave në kërkim të burrave që u kishin premtuar por asnjëherë nuk kishin patur si qëllim martesën me ta (sikurse Lina Grouvi, gruaja shtatzënë e Dritë e gushtit); ose, të ndjekur prej një turme, kthehen më në fund për t’u përballur dhe pranuar vdekjen (sikurse Xho Krishtlindi në të njëjtin roman). Edhe kur duket të drejtohen prej një qëllimi të ndërgjegjshëm, sikundër kolonel Satpeni, nuk është diçka që ata kanë zgjedhur prej një akti të vullnetshëm, po diçka që i ka zotëruar: plani i madh i Satpenit ishte “jo çka ai dëshironte të bënte, por çfarë ai qe i detyruar të bënte, i duhej ta bënte edhe nëse donte apo jo, sepse nëse nuk do ta bënte, atë ai e dinte se nuk do të mund të jetonte me vetveten për pjesën tjetër të jetës”. Në të njëjtën mënyrë, vetë Folkneri shkruan, jo çfarë ai dëshiron, por çfarë është i detyruar të shkruajë, pavarësisht nëse do apo s’do.

    4.

    Do të ishte më mirë të pranohet që se pothuajse të gjithë romanet e tij kanë një lloj dobësie të dukshme në strukturë. Disa sosh kombinojnë dy ose më shumë tema duke pasur pak lidhje me njëra tjetrën, sikundër bën Dritë e gushtit, ndërsa të tjerët si Katundi, priren të shpërndahen në një seri episodesh duke u ngjarë rruazave në një zinxhiri. Te Buja dhe tërbimi, e cila është e shkëlqyeshme si e tërë, s’mund të jemi të sigurtë se të katër pjesët e romanit janë paraqitur në rendin më të efektshëm; sidoqoftë ne s’mund të kuptojmë krejtësisht pjesën e parë deri sa të kemi lexuar tre pjesët që pasojnë. Absalom! Absalom! megjithëse në krye të herës na step me të paturit e një toni të lartë, strukturalisht është romani më i arrirë i serisë së Joknapatafës dhe fiton forcë në retrospektivë; por edhe këtu vëmendja e autorit duket të lëviz prej temës kryesore të planit të kolonel Satpenit te tema dytësore e inçestit dhe martesës ndërraciale.

    Folkeri më duket më i arrirë, dhe më shumë vetvetja, në historitë e gjata si: Ariu te Shko, Moisi, dhe Plaku, i cili ishte botuar si gjysma e Palmat e Egra, dhe Kuajt laramanë, i cili së pari u shtyp veçmas, mandej u zgjerua jashtëzakonisht dhe u përfshi në strukturën e gjerë të Katundi – të trija historitë janë përfshirë në këtë volum; sikundër në sagën e Joknapatafës si e tërë. Kjo do të thotë se ka qenë më i frytshëm kur është marrë me situatën në tërësi e cila ekzistonte në mendjen e tij si një model i Jugut, ashtu si në njësi më të shkurtra të cilat, megjithëse shpesh, të ndryshuara prej rishikimeve të frymëzuara, sidoqoftë mbeten të formësuara prej një konceptimi të vetëm. Duhet të nisemi nga pjesa më e mirë e veprës së tij për ta gjykuar, sikundër çdo autor tjetër; dhe Folkneri në arritjet më të mira, madje nganjëherë edhe më të dobëtat, zotëron një fuqi, një pasuri jete, një dendësi që nuk gjendet në asjë shkrimtar amerikan të kohës sonë. Ai ka, po citoj sërish esenë e Henri Xhejmsit mbi Houthornin – “elementët e një gjeniu, cilësinë e imagjinatës.”

    Për më tepër ai ka një dashuri mbizotëruese për tokën ku ishte lindur dhe rritur dhe ku, ndryshe nga shkrimarë të tjerë të brezit të vet, kishte zgjedhur për të kaluar jetënj. Është “kjo tokë, ky Jug, për të cilin Zoti ka bërë kaq shumë, me pyje për të luajtur, përrenj për peshqit, një tokë shumë të pasur për farërat që harlisja e pranverës të mugullojë aty, që verat e vjetra ta pjekin, dhe ujëvarat e kthjellëta ta korrin me dimra të shkurtër të butë për njerëzit dhe kafshët. Meqë deri më tash vendi i Folknerit përfshin Deltën, ajo është gjithashtu (sipas fjalëve të Mekkeslinit plak) “…kjo tokë që njeriu e ka tharë dhe çliruar nga  lumenjtë për dy breza që të bardhët të kenë plantacione dhe të vejevijnë çdo natë në Memfis, zezakët të kenë plantacione dhe të ngasin makina zezakësh drejt Çikagos, të jetojnë në shtëpi milionerësh në Leik Shor Draiv, ku të bardhët të japin me qera ferma dhe jetojnë si zezakët dhe zezakët të marrin një pjesë të fitimit dhetë jetojnë si kafshë,  ku kultivohet pambuku dhe  rritet një bojë njeriu bash në plasat e trotuareve, ndërkohë që kamata, hipoteka, falimentimet dhe pasuria e pamatë, kinezët dhe afrikanët dhe arianët dhe çifutët, të gjithë rriten dhe shumohen së bashku”.

    Këtu dalin dy anët e qëndrimit të Folknerit kundrejt Jugut: në njërën anë një dashuri adhuruese dhe zotëruese, në anën tjetër, një frikë angështuese se ajo që ai do, mund të shkatërrohet prej paditurisë së bujkrobërve dhe lakmisë së tregtarëve dhe pronarëve të ardhshëm. Asnjë shkrimtar tjetër amerikan nuk i gëzohet aq shumë natyrën sa ai. Në romane të ndryshme ai flet për “heshtjen përvëlake frymëmbajtëse të pasdites së gushtit”; për “pluhurnajën e pahënë të shtatorit, pemët m’anësh udhës asfare kah qielli si të gjitha pemët, porse të gërmuçura si një trumbë shpesësh”; për “përëndimin heshtak të një dritësimi tetori me tymnajë pyjesh pa erë”; për “vesimin e pakepaktë të shirave të nëntorit një grimë pas pikës së ngrirjes”; për “ato dhjetore pa erna të Misisipit që janë një lloj vere indiane prej gjithato verash indiane”; për janarin dhe shkurtin kur nuk ka “as më të voglën shenje jete pos tymit të ulët e të papushimtë… dhe asnjë tingull s’e mbyt zhurmën e sopatave që çajnë dru dhe fishkëllimën vetmitare të trenave të përditshëm”. Pranvera në vendin e Folknerit është një stinë që ngutet: “Gjithçka dyndet e ndërkryer, rrëmujshëm dhe rrokapjekthi, nisja e frutave dhe lulëzimi, dalja e gjetheve, lëndinat e gjithëngjyrshme dhe këndellja e drurëve bashkë me terrin e fushave të pafundme vështirë për t’u çarë përtej leragjisë dimërake dhe parmendës që çan dheun”. Vera është e mbytur preh pluhurit dhe e flakërimtë, duke kaluar në viset e asj që duhet të jetë vjeshta. “Me këtë të zë belaja në këtë vend” – thotë ai në Duke dhënë shpirt. “Çdo gjë, edhe moti, gjithçka zgjat jashtëzakonisht shumë. Sikundër lumenjtë tanë, tokat tona: të errëta, të ngadalshme, të dhunshme; tek formësojnë jetën e njeriut me imazhin e tij të paepur dhe të gjithhershëm.”

    Dhe Folkneri i do këta njerëz të krijuar sipas imazhit të tokës. Pas një leximi të dytë të romaneve të tij, ti vazhdon të mbetesh i impresionuar prej keqbërësve që përshkruan, prej Popej Xhejsonit dhe Flem Snoupsit; por këtë herë gjen më shumë hapësirë në kujtesën tënde për personazhe të tjerë të cilët qëndrojnë pak më në hije, por, sidoqoftë, janë paraqitur prej autorit me dashuri të njëmendtë: zonja të moshuara si zonjusha Xheni Dy Pre, bashkë me dashamirësinë e tyre fjalamane; tregtarë mendjehollë por miqësorë si Ratlifi, shitësi i makinave qepëse, dhe Uill Varneri me pambukun dhe dyqanin e tij; gra të shumëvuajtura si zonja Henri Armstid (sido që ta ketë emrin Lula ose Marta); dhe patriarkët e pyjeve si Papi Mekkallëm, me gjashtë bijtë mesoburra të pagëzuar me emrat e gjeneralëve të ushtrisë së gjeneralit Li. Të mbeten në kujtesë shtëpitë e mëdha të plantacioneve që shkrumbohen në flakë sikur të qe duke u shuar një qytetërim i tërë, por, të kujtohen, gjithashtu, edhe burra me kominoshe të arrnuara dhe zymtane, por fort të pastra, që rrinë ulur në galerinë – ne në veri e quajmë portik – e një dyqani në kryqëzim rrugësh mbuluar me postera që reklamojnë pije jo alkoolike dhe ilaçe të kontrolluara; të mbeten në kujtesë historitë që rrëfejnë ndërsa grijnë duhan derisa të mos mbetet kurrgjë (çdo gjë e botës së tyre zvogëlohet në një anekdotë dhe çdo anekdotë mbështetet në një personazh). Të kujtohet Kuentin Kompsoni jo në çastet e dëshpërimit, por tek kalëron me të atin duke ndjekur qentë e tij ndërsa pushojnë thellë kodrave me bimësi pasi janë lodhur, duke mos qenë i vëmendshëm ndaj historisë që i rrëfen i ati, por duke e ditur, sidoqoftë, çdo fjalë të tij ngase siç mendon me vete, “ti e ke mësuar, përvetësuar gjithçka, tanimë pa ndërmjetësinë e fjalës së folur, në një farë mënyre thjesht duke u lindur dhe jetuar ndanë saj, me të, sikurse fëmijët mësojnë gjithmonë; kësisoj ajo që yt at të thotë nuk të përbën ndofarë habie, thënë me fjalë të thjeshta, vetëmse tendos fijet e tua të kujtesës.

    Romanet e Folknerit kanë një cilësinë e mundësisë që të jetosh me ta, të të bëhen pjesë e jotja, të të mbeten në kujtesë dhe jo thjesht t’i lexosh. Dhe ato kanë diçka që është e rrallë për romanet e kohës sonë, ngrohtësinë e dashurisë familjare, të vëllait për vëllain dhe motrën, të babait për fëmijët – një dashuri aq krenare sa rreket të shkëputet prej pjesës tjetër të botës. Krahasuar me këtë dashuri, dashuria martesore është dhënë si diçka e përllogaritur, kurse dashuria e rrëmbyer si zjarr shkatërrues. Dhe, meqenëse lidhja e gjakut zë vendin kryesor në romanet e tij, për Folknerin është e vështirë të krijojë personazhe pozitivë të moshës njëzetë dhe dyzet vjeçare. Ai tregohet më i mirë me fëmijët, qofshin të bardhë a të zinj, dhe pafundsisht i mirë me të moshuarit që ruajnë zakonet që u janë përcjellur “qysh prej kohërave dhe ditëve të motshme”.

    Në grupin e romaneve që tërhoqën kaq pak vëmendjen në kohën e botimit aq sa dukej sikur nuk u lexuan fare, duke nisur me Palmat e Egra (1939) gjendet një cilësi jo krejtësisht e re për Folknerin – qe shfaqur tanimë në disa pjesë te Sartorët dhe Faltorja – po tani më fort dhe nuk lihet në hije prej dhunës dhe horrorit. Është një lloj humori familjar, i qetë tipik për zonat kufitare, është arritur rrallë nga shkrimet bashkëkohore (perveç disa rasteve prej Erskin Kollduellit, gjithashtu prej Jugu). Episodet e tregëtisë së kuajve te Katundi, dhe sidomos historia e gjatë kuajve pikaloshë prej Teksasi, duhet të jetë frymëzuar prej vjetarëve të Deivi Krokitit. Plaku, historia e të burgosurit që I mbijetoi një nga përmbytjeve më të mëdha të Misisipit, mund të ishte gjithashtu një vazhdim i Hakëlber Finit. Duket sikur një mik më i vjetër i Hakut ka marrë një trap dhe është nisur prej fermës së teze Selli Fellpsit drejt aventurave të egra, përshkruar me një stil të egër, mes kinezëve dhe kaxhunëve dhe zvarritjeve në breg me krokodilët. Në në mënyrë kërshërindjellëse, Folkneri ndërthur dy prej traditave kryesore ne letrat Amerikane: traditën e horrorit psikologjik, shumë herë afër simbolizmit, që fillon me Çarls Brokden Braunin, romancieri ynë i parë profesionist, dhe fiton përmasa të tjera me Poen, Melvillin, Henri Xhejmsin, (në historitë e fundit), Stivën Krejnin, dhe Heminguejin; bashkë me traditën tjetër të humorit dhe realizmit  kufitar, duke nisur me Skena xhorxhjane të August Longstritit duke pasur Mark Tuenin si shembull.

    Por autori amerikan të cilit i ngjan më shumë është Houthorni, pavarësisht nga ndryshimet e skajshme. Ata qëndrojnë kundrejt njëri tjetrit sikurse korriku përballë dhjetorit, sikurse përvëlimi kundrejt ngricës, sikurse këneta kundrejt malit, sikurse i kamuri kundrejt të skamurit, por që është i përkorë, sikurse plantatori kundrejt një puritani; e, megjithatë, Houthorni mbajti të njëjtin qëndrim ndaj Nju Inglëndit ashtu si Folkneri mbajti ndaj Jugut, të dy me një ndryshim të theksuar sipas zonës përkatëse. Lufta Civile e bëri Houthornin ta ndjej se “Veriu dhe Jugu ishin dy kombe të dallueshëm, në lidhje me mendimet, zakonet, dhe do ishte më mirë të mos provvonin të jetonin me të njëjtat institucione”. Në vitin 1861 ai i shkruajti shokut të tij të klasës Horacio Brixhit: “Ne kurrë s’ishim të njësuar dhe, në të vërtetë, nuk kishim një vend të përbashkët. “Nju Inglënd”, thotë ai më vonë, “është një copë tokë e madhe aq sa mund të zërë zemra ime me të vërtetë”. Por për të ishte më shumë se një copë tokë, ishte një pjesë historie dhe gjendje e përhershmë e ndergjegjes. Sikurse Folkneri në Jug, ai iu kushtua krijimit të historive morale dhe përpunimit të legjendave, të cilat ekzistonin, të plota, në zemrën e tij vetmitare. Duke ecur kodrinës pas shtëpisë së në Konkord, ai mbajti vesh për një zë; dikush mund të thotë se ai e priti atë, pritës dhe dëshirues, si gjuetari i fshehur pas një shkëmbi, mandej, kur zëri kishte folur, ai përktheu fjalët e tij – më me vëmendje se Folkneri, është e vërtetë; me më shumë formë dhe më pak zjarr, por me të njëjtën besnikëri thelbësore. “Një instikt më thotë se është më mirë të hesht,” shkruan ai në një letër dërguar botuesit. “Ndoshta do të kem një shpirt të ri energjik nëse e pres qetësisht atë; mbase dhe jo.” Folkneri është një autor tjetër që duhet të presë për shpirtin dhe zërin. Ai nuk është edhe aq romancier në kuptimin e zakonshëm të të qenit shkrimtar që vëzhgon veprime dhe karaktere, të cilat pastaj i përfshin në kuadrin e një historie, se sa një poet epik, bard i prozës, krijues mitesh të cilët i ndërthur të gjithë në legjendën e Jugut.

    NJË KOMENT

    1. Në intuitën time e prisja kët vlerë t’përkthyer nga G. Z. dhe me doli ,, zhgëndërr” Flm përkthyesit të qmuar Granit , e duhura që duhet për t’mësuar vlerat t”krijuesëve t’mëdhej – botëror

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË