More
    KreuLetërsiBibliotekëLumo Skëndo: Përpara shegës me lule

    Lumo Skëndo: Përpara shegës me lule

    DASHURIA
    Me rastin e Ditës së të Dashuruarve po botojmë në gazetën ExLibris disa proza poetike të Mid’hat Frashërit për dashurinë, botuar te përmbledhja me tregime Hi dhe shpuzë, viti 1915, si dhe disa nga 60 rrëfimet e tjera të tij të panjohura, të zbuluara në arkivat shqiptare dhe europiane e të botuara në veprën e zgjedhur të Mid’hat Frashërit nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”. Gjithashtu, po botojmë edhe disa letra dashurie të Mid’hat Frashërit dhe të dashurave të tij, që përbëjnë një kulm të letërsisë epistolare erotike.
    Dashuria e Mid’hat Frashërit është shpuzë e amshuar, e mbuluar me hirin e jetës. Ai i caklon dhe i shpupurit me penën-pupël gacat që valëzojnë në një dritë të gjelbër dhe i derdh me mjeshtëri dhe art në letrat e tij. Dashuria e tij është e çiltër, e vetvetishme, e magjishme, emocionale, e ndershme. Ai e ka provuar atë me pasion më tepër se një herë, si njeri i lirë dhe i kulturuar, atë ndjesi të brendshme e të patjetërsueshme njerëzore, atë prush që djeg e shqerr, si një dritë dhe terr, si shend e vuajtje e bukur, si një poezi e si një dramë, si forcë njerëzore që e çliron dhe e ndryshon botën.
    Qysh në tregimin e tij të parë Përpara shegës me lule, shkruar më 1898, kur ishte 18 vjeç, shihet prirja e tij për një letërsi ekzistencialiste, duke u shfaqur si një pararendës i letërsisë moderne europiane, mandej me prozat poetike si një nga themeluesit e prozës së shkurtër artistike, si një poet i dashurisë dhe i paqes. Më në fund, si një filozof i dashurisë.
    “Dashuria, – shkruan ai, – është kondita e jetës. Po të mos ekzistojë ajo, shkatërrohet lidhka në mes të gjymtyrëve të njeriut, familjes dhe njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës. Pa dashuri s’ka entuziazëm, s’ka shpesë, nuk kryhet asnjë vepër. Entuziazmi dhe shpesa, bijat e dashurisë së sinqertë dhe të thellë, duhet të jenë si ata trëndafila mëngjesi që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet që mbyllen natën, por hapen nën rrezet e para të diellit”.
    Kështu e ndien dhe e jep Mid’hati dashurinë e tij.
    Edhe në letrat e të dashurave të tij shpaloset dashuria e tyre e jashtëzakonshme për të, por edhe për vlerat e tij. Letrat e dashurisë mes intelektuales rumune Angela Romano dhe Mid’hatit dokumentohen për 24 vjet me radhë, pak më tepër se letrat e dashurisë mes Balzakut dhe princeshës Hanska, dhe me një patos të papërshkruar. Po ashtu letrat e për Ninon, Emën, Elsën, Lolottën, të dashurat e tij të përjetshme.
    Lexuesi le t’i gjykojë dhe t’i shijojë vetë.
    Uran Butka

    Stamboll, 1898-1899           

    PËRPARA SHEGËS ME LULE

    Nga Këzëll-Topraku në Eren-Qoj shkonja shpesh dhe kurdoherë kthehesha më këmbë. Ajo orë ecjeje, që në dekor i njihja çdo çip, çdo pikë, ishte për mua një zbavitje me një pëlqim të madh.

    Vetëm sot jam i pikëlluar, pakëz si më tepër se herët e tjera. Tek Murati  kisha qenë prapë dëshmitar i mihjes, i thirrjeve të ashpra me fjalë të vrazhdëta. Asija 1 , kushërira ime më e madhe, buçiti në një shtrëngatë qortimi e sharjesh kundër Muratit, duke e gjetur këtë, tek e shikoja, si një detar brenda në limer të qetë, po edhe jo pa një frikë, të përzier me atë dëshpërim që na jep pamja e një sëmundjeje fizike.

    Pa arritur në Fenerjoll, në të djathtë, shega me lulet e kuqe, që zbukuronte shtëpinë, qoshkun e drunjtë dhe të gjitha foletë e njerëzve, shega, them, më çeli sytë si një mikeshë e njohur dhe nuk munda t’i shkonja përpara pa e përshëndetur. A duhet edhe të them që ishte vjeshtë, koha afër të ngrysurit? Qarkrrethina mbarë, që më shtoi pikëllimin, duke mejtuar skenën që kisha kapërcyer qëparthi, nga një shkallë te tjetra shtigjeve të mejtimit, u gjenda përpara zemrës sime, ballë për ballë me veten time.  Ndjenja e mëshirës për Asijen, që e shihja kurdoherë në përleshje fjalësh, herë me të shoqin, herë me t’ëmën, e kësaj Asije, që me gjithë të metat e saj më ishte aq e dashur, më bëri të më vijë keq për të, të kuptoj se mungesa e butësisë së zemrës, e lidhkave të afeksionit, është padyshim fatkeqësia më e rëndë për njeriun. Edhe befas një re e zezë më shkoi në qiellin tim: a nuk gjendem edhe unë në një zbrazëti, pa mbështetje dhe dhembshuri, pa qëllim, pa një ngrohtësi, ku të zbutet akulli i jetës.

    Ky mendim më solli një hidhërim, se më gjente vetëm, të dobët dhe pa fuqi, përpara këtij labirinti, atij kaosi që i themi Uni. Edhe Uni me trembte, më dukej një gjë e thellë dhe e zezë, si nëndhesat e shtëpive të mëdha, kur isha i vogël.

    Kisha kapërcyer stacionin e Fenerjollit, shtëpitë e fundit të kësaj mëhalle, dhe kisha marrë shtegun drejt skajit të Gjoztepes. Isha në atë lëndinë të madhe si një bjeshkë, që zbret me ngadalë dhe butë drejt Marmarasë në një horizont të gjerë dhe të shkëlqyeshëm. Kur, përnjëherë, një qetësi, një ngushëllim zbret në të thellët e Unit. Fytyra e Mimikës, e kësaj motre të njomë më ishte shfaqur, për të më thënë që kisha në zemër një dashuri të vërtetë për këto krijesa, jo sot, por qëkurse fati m’i kishte dhënë për shoqe në jetë. Edhe kjo fytyrë me ato ide ndriçuan korridoret e labirintit si një rreze në atë kaos. Tani shihnja, kisha fuqi dhe gëzim.

    Shkruar herën e parë më 1898-1899 në Eren-Qoj (Shënim i autorit)

    ***

    Vjeshtë, 1905

    ASAJ

    I

    Si kombet me vetija e me mendime të thjeshtë, q’i falen një fytyre gdhendur në gur a në dru; si kombet më të qytetëruara, që rrinë me orë dhe luten përpara një fytyre bërë me ngjyrë vaji a dy copëra drurë të bashkuar; si ata kombe që marrin me muaj udhë që të venë e t’i falen gurit të zi; si ata të moçmit, q’i falen diellit, zjarrit, shikonin me adhurim të thellë yjtë dhe bëheshin therorë për perëndit’e për perëndeshat, a si ata që dhe sot shtrihen e shtypen nën qere të Budës; ashtu dhe unë, o e bukura ime, dua t’u falem dy yjeve që janë më të bukur se të gjith yjt’e qiellit, dy yjve që janë syt’e shkruar të tu dhe të bëhem hi, o e dashuria ime, nën këmbët tënde vogëloshe!

    II

    Prill, 1906

    N’është vërtet se zemra jote s’rreh kurrë për mua – ashtu si ke dashur të më duash, – në është vërtet se fytyra ime nuk zë asnjë vend në ëndërrimet e tua, pse, o e bukura ime, kur më sheh, ngadalëson çapnë, pse më lëshon vështrimn’ e atij syri tënd të shkruar?

    Nuk e di ti si më buçet dhe më zjen gjaknë ay vështrimi yt kaq i qetë dhe i ftohtë? Nuk e di ti si më çpon zemrën ay vështrimi ngjyrë qielli?

    Vështrimi yt është si një shtizë në dorë të një djali që lot me një zog; vuajtjet e shpesit i heq dhe zemëra ime. Të lutem pusho, pushoje këtë lodër të gjakme!

    Po ç’them unë! shtjermë, shtjermë syt’ e tu, se vështrimi yt, o e bukura ime, m’i thjeshtë se frymë e Jehovajt, i jep gjëllim shpirtit tim.

    III

    Shënëndre, 1906

    Pse ikën ashtu nga unë? nuk e di ti që dashuria është me krahë dhe m’e shpejtë se vrapi yt?

    Dashuria ime të është qepur si hija. Kudo që të vesh, të ka për të rënë pas; kudo që të jesh, do të të dalë përpara, dhe kur të na ndajë një mërgim i madh, hija ime prapë të ka për të ardhur pranë.

    Malet, fushat, as njerëzit s’na kanë për të ndarë, se shpirti im është qepur pas shpirtit tënd, se trupi im të ka për të kërkuar gjithnjë. Edhe vdekja kur të më marrë nga kjo botë, edhe ahere hija ime – e dashura e tmerruar – ka për t’ardhur të të gjejë në të mugëtit e në t’errët.

    Edhe kur për ty – ah, dua që të jetë shumë e largme – do vij’ ora që të shuhen ata sy q’i dua kaq, dhe të bëhet hi ay trup i bukur, edhe ahere, o zemërkeqe, mos pandeh se do të shpëtosh nga ndjekja ime; shpirti im të ka për t’ardhur gjer në varr, se shpirti im është qepur pas shpirtit tënd dhe trupi im ka për të të kërkuar gjithnjë; ahere, brenda në varr t’errët e të ftohtë, eshtrat do të të dridhen, se në dashuri do të jem gjithnjë besnik!

    IV

    1908

    Më pyet sa ësht’ e thellë dhe a është e përjetshme dashuria ime.

    Ahere syt’ e tu, ata sy të zez q’i dua kaq, marrin një shkëlqim, një vështrim të ri, edhe buza jote ka një të qeshur të hidhur.

    Pse, o e dashura ime, pse lë të hyjnë të tillë mendime të hidhur n’atë kokë të bukur?

    Nuk’ e di ti që çdo gjë në këtë jet’ është e vdirshme? Nuk e di ti që çdo gjë mbi këtë dhé ka një fund?

    Prapsi, prapsi, këto mendime. Mos i përsërit këto pyetje.

    Të dua me gjithë shpirt, me dashuri të thellë; sot të dua sa për një jetë të tërë. Mos prish gaz’ e sotmë, duke menduar të nesërmen e errët.

    Mos më pyet më sa ësht’ e thellë dhe sa ësht’ e përjetshme dashuria ime!

    V

    Gusht 1909

    Më pyete pse të dua dhe unë qesha.

    Qesha, ama tani po mendohem dhe them: Pse të dua?

    Të dua për atë të qeshur të bukur, kur të shkëlqen syr’ i kthjelltë nën ballë të qëruar; të dua për ato leshra ku është pështjellë gjithë thellësi e natës, dhe për atë vështrim ku këndohet gjithë gaz’ i ditës, për atë vështrim q’është si një yll i lumturisë; të dua, se kur flet, ay zë më zgjon në zemrën time gjithë zërat e fshehtë të shpirtit; të dua se pranë teje, e ndiej veten time të madh dhe të fortë, se në dashurinë tënde shoh zbardhëllimin e jetës.

    Po të dua se, tekdo, me gëzim të fatbardhësisë, a në t’errët të helmit, se në qeshje të mëngjesit, në tym të të mugëtit, se në ngjyrë të lules a në përkëdhelje të veriut, tekdo, o e dashura ime, ty të gjej dhe ty të shoh; të dua se edhe kur zbres në thellësi të shpirtit dhe në fund të zemrës, edhe atje thellë të gjej.

    ***

    Eren-Qoj, 5 mars 1912

    EJA MOTËR

    Eja motër, të dalim në kopësht, se erdhën kohët e mira! Nuk e sheh që marsi na pru ditët e bukura? A po sheh se qysh qielli duket m’i ëmbël, deti m’i vakur dhe malet atje larg, a i sheh se qysh kanë një ngjyrë më të dashur dhe duken më t’afërt?

    Eja motër, se qershitë janë plot lule! I mban mend këto lule, kur i tërë kopshti mvishej me të bardhë? Shkuan dhjetë vjet q’ahere! E mban mend, kur hipnje në drurët dhe qeshnje me mua, kur s’të gjenja dot? Se ishe dhe ti e bardhë si dëbora veshur dhe nuk shquanje nga lulet.

    Eja motër, të shohim qershitë! Vërtet këta më s’janë ata drurë; ata u thanë dhe humbën. Po lulet janë gjithnjë ato lule!

    ***

    5/19 vjesht’ e parë

     AH, PO BIE SHI PRAPË !

    Eja, mike, se po bie shi!

    Më duket sikur po qan qielli, sikur po derdh lotë të hollë. Edhe zemra ime sot po qan. Jam vetëm; lotët e qiellit rrjedhin jashtë qelqevet dhe po ndjej të ftohtë brenda në zemër.

    E mban mend, mike, kur ishim bashkë sa shum’ e donim shiun? E mban mend gazin që ndjenim afër dritares, kur binin pikat e mëdha të shiut? Ti i prisnje ato ditë, se e dinje që më pëlqenin; i prisnje ato ditë, më prisnje mua.

    Ahere, kur bota mbytej me lotë, ne ishim të gëzuar; ahere, kur bota mbulohej me ujë të ftohtë, ne kishim të nxehtë në zemër.

    Po tani, nga kjo gjysm’ odë shikoj pikat, që po kullojnë dhe po mërdhi.

    ***

    4/ 17 vjesht’ e tretë

    AFRËDITA E MILO-s

    Fidia më s’pat prehje. Gjumi më s’ia çlodhi sytë. Ngrënies më nuk i gjeti shije. Një ethe çdo ditë i digjte dejtë.

    Përpara shkëmbit të mermerit si shkumb’ e bardhë, Fidia po punon dhe po mejtohet. Muskujt e tij po i xhonglohen nën çekanin e rëndë, një djersë ethesh po i kullon nga ballët, një zjarr po i ndriton sytë.

    Edhe më s’pat prehje. Çdo ditë nga shkëmbi po dilte një formë e re. Punoi, punoi, akoma, me zjarrin e shenjtë. Kërkonte bukurinë, gjithnjë të ëndërruar, kurrë të parë.

    Kur u mbarua vepra, Fidia e shikoi me syt’ e nxehtë, me ata sy që s’ishin lodhur kurrë. E shikoi akoma, edhe një herë dhe i mbylli sytë, se guri i ftohtë iu duk i gjallë, me një shpirt, me një frymë, që s’i kish pandehur.

    I lumtur Fidia, m’i lumtur se Hyji!

    Se mendja jote polli bukurinë e pavdekur, gruan, gjithnjë të dëshiruar, kurrë të gjetur.

    ***

    25 prill 1915

    DON ZHUANI

    Don Zhuani po e mbaronte jetën. Kishte dashur akoma të ndjente gazet e miqësisë, dehjet e dashurisë, të kishte ende një kujtim prej jetës së tij edhe gjer në varr.

    E tërë një jetë e gjatë e përmbledhur në një fjalë: dashuri. Kishte dashuruar dhe ishte dashuruar. Sa gra kishin psherëtitur për të, sa gjire çupash kishin rrahur!

    Pa iu shuar ata sy, desh të hidhte një vështrim mbi gjithë fytyrat e dashura: bionde, brune, sy të zinj si nata e thellë, sy të kaltër si qielli me diell;u përpoq të ndjente përkëdheljen e frymës së tyre, drithërimën e trupit të tyre. “Në dehjen time kam pandehur se të gjitha gratë do të jenë të mijat. Kam dëshiruar, që gjithë gratë të mblidhen në një, ose që që dashuria ime të shfaqet nën një numër të pafund”.

    Dëgjoni miq, kam qenë i lumtur dhe po vdes i lumtur. Nuk kam keqardhje për jetën e shkuar, se s’më mbeti e zbrazur.

    Edhe disa minuta do të shihte spektret e fytyrave të adhuruara.

    Pastaj një natë e thellë, një re e zezë,një kurrgjë…

    Ahere Don Zhuani u ngrit mbi shtrat si një statujë mermeri përnjëherë e ngjallur, që zgjohet mbi themelin e tij. Të zbehtit e mortjes i ishte përzier me pikëllimet e iluzioneve gjysmë të shuara.

    ***

    N’ODË TË ASAF MUHAMERIT

    Edhe një herë një dëshpërim më zë shpirtin, një pikëllim më pushton me pluhurin e zi të tij.

    Them: pse kjo rrojtja ime, për ç’qëllim ky mundim i jetës? Kjo lodhje e udhës pse po zvarritet?

    Ah, kur një hije e zezë e ndalon njeriun të shohë një bukuri në udhë; kur sytë kërkojnë një ideal, një gjë të bukur, të mirë dhe të madhe; kur çdo gjë, në turbullim të dëshpërimit i duket e kotë dhe e zbehtë, ahere jeta është një barrë, që shtyp shpirtin dhe fik mendjen.

    Edhe kërkoj një shpëtim nga këto veriga të rënda.

    ***

    Në Skelë, Guirgevo, 3 gusht 1915

    BARIU

    Bariu i ri, i hijshëm, si një lis i ri në mal të egër, me gjethe të njoma të blerta në të çelur e të aromta,po kullot bagëtinë. Është i lumtur se punët i kanë vajtur mbarë; shqerrat s’i janë sëmurur dhe delet e tij e japin qumështin me shtambë.

    Mbështetur në një bredh të ri, në shullë të butë, po shikon kopenë e tij i shtrirë; është i lumtur djaloshi, se rudet dhe kaleshet janë të mbara. Edhe po i bie fyellit.

    Bari, bjeri fyellit! Nuk e sheh si është moti i përtëritjeve, nuk sheh që veriu po fryn i butë dhe i ëmbël, një frymë miqësore, plot dashuri dhe miqësi?

    Bjeri, bari, fyellit! Bari i thatë u ngjall, luleve po u qajnë sytë, fluturat po ndjejnë, zogjtë kërkojnë të vegjëlit e tyre, këngët janë plot mallëngjim; veriu i ëmbël po i përkëdhel:

    Është dashuria që ngjall të vdekurin, që u jep krahë qenieve, që u jep këngë zogjve.

    Bari i ri dhe i lumtur, edhe ti ke dashuri në zemër. Është kohë përtëritjeje dhe gjallimi. Bjeri fyellit, jepi më fort shpirt asaj kallameje, që po e bën të rënkojë e të qajë.

    Ah, bari, kur të vijë dimri me thëllimet e tij,kur të fryjë murlani i egër, shpirti dhe dashuria në çdo gjë të ngrijë, ahere dhe fyelli do të jetë i shurdhët ; ahere edhe drutë, fluturat, zogjtë, edhe lulet do të jenë pa shpirt e të vdekura!

    ***

    6 nëntor 1915

    DASHURIA JE TI VETË, O GRUA!

    Ngreu, mik! Nuk e sheh q’është koha e gjerimeve dhe e shpresës? Shiko jetën, shikoje në sy, mos u tremb. E sheh sa e butë dhe e mirë q’është? Të dukej e egër dhe e shëmtuar, ahere kur kishe frikë. Shikoje jetën dhe duaje.

    Oh, kjo frymë që më jep shpirt, kjo dritë që më ngjall! Dëgjo mik, nuk shoh më gjë të shëmtuar, çdo vend po më duket e qeshur.

    Eja, shpresë, bëmë shok. I mbështetur tek ty, dua të eci mbi det, mbi këtë dhe’, që nuk më dëbojnë më.

    Një mik, duke vdekur, më la këtë kartë:

    “Po vdes, edhe pak mend do të gëzoj dritën; po e shoh që t’errëtit e natës po më qaset. Më duket se rronja për dashurinë. S’doja gjë tjetër në jetë, po të dashuroj dhe të më dashurojnë, t’adhuroj dhe të m’adhurojnë. Zemra në kraharorin tim s’ishte për mua, po për dashurinë time. Zemra, fryma, shpirti, sytë, doja të gjitha të ishin për gruan e dashur”.

    Dashuria është lumturia për mua. Pse lindja, pse rrojtja, pse vuajtja, nuk vlejnë, kur nuk kanë dashurinë? Mike, kjo është dashuria; është fryma e saj, që ka rënë mbi çdo gjë.

    Edhe dashuria je ti vetë, o grua! Ai pylli i malit janë leshrat e tua; në qiell dhe në liqen shoh syt’ e tu; aromat e verës janë fryma jote dhe bukurinë ky mëngjes i adhurueshëm e merr nga buzëqeshja jote.

    ***

    EJA, MIKE!

    Eja, se janë ditë të bukura! O frymë e ëmbël e një mëngjesi vere! O lumturi!

    Shiko, mike, sa i kthjellët e i dashur është qielli!E sheh këtë luadh kaq të qeshur? Atë liqen të qetë e të kulluar dhe këtë pyll të thellë, t’errët e të dendur?

    Më vjen sikur po rroj për herën e parë. Ishin edhe dje, qenë dhe vjet këto bukuri?

    Lermë të shkoj, të iki nga sytë dhe nga krahët e tu, se më duket janë hije, s’janë të vërtetë.

    Po ç’them unë. Nëmi, nëmi ato buzë! Çeli ata krahë dhe shikomë brenda në sy! Dehmë! Dua që sot, nëse ka shpirt zemra, të të dua, të të dua kaq fort, sa kur të vijë dita dhe të bëhet hije kjo dashuri, ahere të adhuroj kujtimin tënd.

    ***

    Calimanesti, 6 korrik 1916

    VJERSHËTORIT

    Në të vënçin mënjanë kurorën e florinjtë të një mbreti dhe m’anë tjetër një rreth hyjnor, mbaj këtë të fundit, o vjershëtor, dhe mos e këmbe me të parën.

    Këndo me atë frymë që të është dhënë prej qielli, shih me ata sy që vështrojnë të fshehtat dhe rrëfejnë ato që të ndjen zemra jote.

    I lumtur ai vjershëtor, që me fjalët dhe vështrimin e tij na çel një rrugë të re e të shkëlqyer; i lumtur ai që kupton gjithë vuajtjet e gëzimet e zemrës sonë!

    ***

    Rupicen Fabrica, 11 dhjetor 1916

    UDHËTARI

    Thotë njeriu se nuk ka për ta njohur kurrë prehjen. Çdo mëngjes nis një udhë të re, çdo mbrëmje dielli, që perëndon, e gjen në një vend tjetër.

    Kur i vihet udhës më këmbë, i duken se kërcinjtë nuk kanë për të qëndruar kurrë. Sytë kurdoherë i kërkojnë një shesh akoma të paparë. Kujton se nuk do të mbarohet udha;pas këtyre lisave, do të duken lisa të tjerë, matanë këtyre maleve, do të zgjatet një fushë tjetër.

    Trapi i thellë i ngushtuar në brinjët shkëmborë, hija e lisave shekullorë, rrëkeja me shkumë mbi zallet e shkëlqyer, fusha me bar të njomë, shkëmbinjtë me myshk të thatë në gërxhet, ku ka bërë çerdhen shqiponja, mali, që me sy të blertë, pushton një botë të gjerë, për udhëtarin janë vende të dashura.

    Mëngjesi e gjen me dëshirën e një udhëtimi tjetër, nata e zë me shpresën e mëngjesit. Edhe në gjumë ëndërron sikur kërcinjtë e tij të bërë prej çeliku në udhën e pambaruar, po ecin akoma një të përpjete kurdoherë të re.

    ***

    Valovat, 10 janar 1917

    ENGJËLLORE

    Mos prit prej meje lëvdata, që nuk i njoh. Emri yt, çdo njeriu do t’i kujtonte ata fluturakët qiellorë, që thonë se rrinë gjithnjë rreth fronit të lartë. Po unë s’kam qenë në qiell, s’kam parë engjëj dhe s’e di si janë. Ty të njoha këtu mbi dhê dhe desha të të njoh edhe më mirë. Ke mjaft mirësi, shumë bukuri. Sytë e tu qeshin bashkë me buzët. Kur fletët e trëndafilit nxjerrin zërin e ëmbël, duken kaq të këndshme edhe shkëlqimet e zeza!

    Edhe zemra ime ka nevojë për dashuri, do që të dojë e të vuajë bashkë me të, kërkon më tepër dhimbje. E sheh pra, nuk të desha si një engjëll qielli, por si një grua të dheut, që di të qeshë e të më flasë dhe që ka mbi krye një pyll leshrash të paparfuar.

    Ajo më shikoi me një vështrim të thellë dhe  tha: “Me të vërtetë të dua.”

    “Më do, se të dua. S’ka një pikë të trupit tënd, që të mos e adhuroj. Ç’është tek ti, më është e shtrenjtë dhe e dashur. Të dua të tërë, grua, kështu si je, me shpirt e me trup”.

    Jashtë po afrohej agimi. Qielli i kulluar po zbardhej pak nga lindja dhe yjet atje afër veç po verdheshin e veniteshin. Ana tjetër e qiellit rrinte akoma e errët, e thellë, e panjohur dhe e tmerruar. Një erë fryu, veri i lehtë; hyri nga dritarja dhe mbuloi odën.

    “Er’e ftohtë” tha gruaja.

    “Po, veri agimi, që sjell ditën e re!”

    Edhe agimi po përparonte madhështor dhe i shkëlqyer. Zbardhëllima po shtohej me një qetësi që mbushte qiellin e dhenë me një zë të panjohur. Duke u shuar yjet, këndezët së largu hidhnin këngën e tyre tingëllimtare drejt flakës së bardhë që buronte nga lindja, një thirrje gazmore dhe e kthjellët, si nj’ëndërr.

    ***

    Valovat, 10 janar 1917

     PO LIND DIELLI

    I.

    Natën çeli sytë dhe më shikoi. Pastaj më tha: kam frikë.

    Pse ke frikë, e dashura ime? Nuk më sheh se jam pranë teje. Nuk më ndjen në brinjët e tua? …

    “Pandeha se isha vetëm” tha.

    “Vetëm! Kur unë jam këtu?  Dëgjo, për mua e tërë bota është plot, se të kam ty pranë. Mund të mbështetemi ne të dy në jetë. Ti më je mjaft.”

    Qeshi dhe ndriti në errësirë të natës, e lumtur.

    “Po mbërdhi!” tha dhe pat një dridhje të vogël.

    Ngrita kokën, u mbështeta mbi bërryl dhe shikova fytyrën e adhuruar, që e ndriçonte një dritë e hollë e ardhur së jashtmi.

    “Kam në zemër kaq zjarr sa më duket se do shkrij gjithë akujt e maleve. Eja të të ngroh ato buzët e tua  me buzët e mia! Eja të të ngroh krahët, kraharorin, gjithë trupin, duart dhe këmbët me frymën time! Shkundu, hidhe brymën e ftohtë. Vish rrobën e dashurisë, që ngroh dhe jep shpirt, edhe më s’do të mbërdhish.

    Mbeti një copë herë përpara agimit, që po kthjellohej më çdo çast; mori frymë këtë zefir të freskët dhe ndjeu një fuqi të re, një gjak të ngrohtë, që i shkoi në gjithë rrembat e trupit.

    II.

    “Ngreu, mike, se po lind dielli!”.

    U zgjua prej gjumit dhe hodhi një sy rreth e rrotull. Ndjeu erën e ftohtë, që po hynte nga dritarja, e zbritur prej qiellit të zbardhur.

    U ngrit, shkundi leshrat e gjatë ngjyrëgështenjë dhe trupi i saj, një thesar i vërtetë për sytë e atij që di të çmojë një grua të bukur, u rrëfye me gjithë madhështinë e saj.

    III.

    Dielli akoma s’kishte dalë, po drita ishte bërë e plotë. Asnjë yll më s’kishte mbetur mbi mëndafshin e kaltër, pak i gjelbër të qiellit. Në tokë drizat dhe lulet përpiqeshin të merrnin ngjyrat dhe hijet e tyre dhe, në mes të gjethit të njomë, zogjtë hidhnin shushurimën e tyre gazmore.

    Po s’qëndruam as përpara luleve, as pranë ujit të kthjellët, që binte në pellg të mermertë. Ajo tha:

    “Të shohim diellin tek del te ai breg” dhe ecëm drejt kodrës. Po shkelnim në një udhë të ngushtë, në mes dy arave të gjelbra: drithi i njomë dhe tërfili kishin akoma rruazat e vesës së natës. Kur arritëm sipër, shikuam me një sy të gëzuar qarkun e gjerë. Tekdo një tokë e nderë, e mbuluar me barin e ri, me fletët e çelura. Atje tej, përkundrejt lindjes, ku formohej skaji i qarkut, një pyll rrëfente njollën e zezë, si lesh i ashpër e i fortë.

    Në këtë kohë, dielli bëhej gati të dilte. Një dritë e shkëlqyer kishte mbushur anën e lindjes. Të dy po shikonim atë vatër të flakëruar. Përnjëherë shkrepi një shkëndijë, doli një yll i vogël, pastaj një vijë e zjarrtë.

    “Të fala dritës së parë. Kësaj dite të re!” thirrëm që të dy.

    Edhe dielli hodhi shigjetat e tij mbi brinjën e dheut të veshur…

    ***

    Valovat, 16 janar 1917

    NJË DËSHIRË E ÇMENDUR

    Nganjëherë kam një dëshirë të çmendur të iki larg, larg teje; të të lë, mos të të shoh më kurrë, ta harroj trupin tënd.

    S’është dashuria, që po vdes. Të dua akoma, po të dua dhe të urrej, të dua dhe kam frikë prej teje. Kam frikë prej këtyre verigave, që ke hedhur mbi shpirtin dhe trupin tim, prej kësaj veteje që më pushton. Dua të shpëtoj prej robërie, se më ke robëruar; dua të shpëtoj prej dashurisë tënde, se më ke marrë lirinë. Tani më s’kam asnjë çast prehjeje, se më ke marrë shpirtin dhe trupin, drejt teje rrjedh mendimi dhe gjaku im.

    Oh, lemë të iki, të iki tani që të dua akoma, tani që edhe s’jemi armiq. Edhe mos u tremb se lotët e mallit nuk do të mundin ta fshijnë fytyrën tënde nga zemra ime.

    ***

    Korrik, 1919

     LERMË, GRUA!

    Lermë grua, lermë të t’admiroj trupin tënd të bërë prej drite dhe shpirti! Dua të ndjej gjakun tënd të rrjedhë nën përkëdheljen time; të shikoj dhe të mos nginjem me këtë kraharor të bardhë. Fryje gjirin, ndehi krahët, se je tërë bukuri dhe ke fuqinë e përjetshme, atë fuqi që rrëmben mendjen dhe zemrën.

    Ndehi krahët, fryje gjirin dhe zgjatmë buzët! Por, oh, më tepër se të gjitha akoma, shikomë në sy, se dua të ndjej atë zjarr, atë dritë, që ndez gjakun, atë vetëtimë që çel errësirën; dua që shpirti im të rrijë i qepur tek i yti dhe trupi yt të më rrëmbejë.

    Lërmë të të shikoj e të t’admiroj, se dua që rrojtja dhe qenia ime të kridhet tek shpirti dhe zemra jote, dua që të humbas fuqinë time në ata krahët e tua të dobët!

    ***

    Paris, 21 maj 1921            

    BUKURIA E FJETUR

    Sikurdoherë, e fjetur ish aq e bukur, sa edhe e zgjuar, me një fytyrëku qetësimi i shpirtit dhe i zemrës, i kishte një hije më tërheqëse. Kur çeli sytë, një dritë e re ra mbi këtë pafajësi.

    Po s’ishte gazmore sot. Pa u zgjuar mirë, një mendim i hidhur i shkiste mbi fytyrën e këndshme. S’qeshi, si zakonisht. Vuri gjithë frymën e saj në vështrim dhe në buzë.

    Edhe pas pak i tha:

    – Mi ami, a mund të dojë njeriu më shumë se ç’dua unë?

     Pushoi një mend dhe me sytë të kthyer larg, shtoi:

    -A pandeh se njeriu e do më shumë Perëndinë?

    Ai s’kuptonte që shpirti i saj aq i kthjellët edhe shkëndijat e syve, i ishin dukur kurdoherë si një shpirt foshnjeje. Edhe po e vështronte, mirë e bukur tani, në trëndafil të faqeve dhe në leshrat e zhdredhura.

    Por ajo pyeti prapë:

    – Më duket se një “Karmelit” e  do shumë Perëndinë e “saj”.

    Edhe mbi ata sy të mëdhenj, të gjelbër si deti e të thellë si nata, një siguri dashurie po hidhte dritën e saj misterioze.

    ***

    1 korrik 1923

    SIZIFI

    Perënditë që s’durojnë njeri të jetë më i fortë se ato, perënditë ziliqare, e dënuan Sizifin në një vuajtje të përjetshme, që ata e gjykonin eshtradërrmuese.

    Çdo ditë Sizifi shtyn shkëmbin e rëndë, të rëndin gur, që do t’i thyejë shpirtin. Me ngadalë, pa nxjerrë zë, me vdekje në dhëmbë, ngjit bregun e mortjes. Sytë e tij shikojnë të madhin e ditës, atë që sheh të drejtën dhe të padrejtën. Po dielli rri i fshehtë dhe shtizat e tij hedhin zjarrin e pamëshirshëm.

    Përditë ato ngadhënjojnë, se heroi i dënuar po vuan. Keqësia e tyre shfaqet në një buzëqeshje të pamëshirë përpara njeriut të mundur.

    Por, atje në majë të bregut, ku ka rrungullisur gurin e rëndë, Sizifi ngre kokën e tij madhështore, zgjat grushtin e lidhur, por jo të bindur. “Ju munda edhe sot, o Perëndi!”

    Ngadhënjimi i një çasti ia largon vuajtjet e hequra, se në fitim të tij harron martiren. Në majë të kalvarit që vuan, gjen burimin e fuqisë, plot durim. Edhe çdo ditë, me ngadalë, pa nxjerrë zë, me vdekje në dhëmbë. Sizifi pret triumfin e një mundi mbi perënditë pa mëshirë.

    ***

    5 tetor 1923

     MË KUJTOHET, MIKE

    I.

    Avulli i flaktë i qiellit ishte ulur mbi malet. Majat e brigjeve, kudo që të shikonte syri, dukeshin të prera në një vijë horizontale. Lartësitë e tyre ishin zhdukur, të pluhuruara prej motit të vjeshtës.

    U ngrit me një shpresë: besonte se dielli do t’i sillte buzëqeshje. Po prej kodrave zbrisnin drejt detit vija të ngushta prej dëbore dhe fytyra e dheut rrinte e rrudhosur dhe e vrenjtur.

    – Edhe kjo ditë … Sa herë jam zhgënjyer!

    Kishte ardhur këtu për të bredhur dhe për të gëzuar tokën e bukur, të çlodhej prej jetës që i lodhte trurin dhe i brente zemrën dhe  t’u jepte liri muskujve të tij. Kishte ëndërruar ecje të gjata në udhë të ngushta në mes të shkëmbinjve, nëpër drurë të thinjosur të pyllit të shpeshtë, që ende s’e kishte humbur gjethen. Tani deti rrafsh dhe të përpjetat që ëndërronte, ishin bërë armiqësore për të dhe i ngjante se kurrë moti s’do të rrëfente një fytyrë miqësore, të qeshur.

    Edhe i mërzitur ndenji përpara tryezës, midis dëshpërimit dhe një dëshire për të qarë. Ishte në atë çast, kur zemra tepër e ngarkuar kërkon të çajë kraharorin si një zog i burgosur dhe të sulet mbi qelqet e dritares. Mori pendën, kërkoi një çlirim në të shkruar, ti rrëfejë kartës vuajtjet e tij.

    II.

    Më kujtohet mike , ajo ditë kur ne ishim ngjitur lart, që të shihnim malet me akull. Ishte edhe ahere vjeshtë, po frymë e diellit i jepte shpirt çdo sendi. E mban mend, me sa gëzim kishim ecur, duke mejtuar se një ecje m’e gjatë, një udhë m’e lartë po na priste atje sipër? Pastaj gjetëm ujë, ujët e qiellit, bashkuar me ujët e dheut në një sy të refkët. Orët na shkuan të ëmbla. Ishe pranë meje, qeshë afër teje dhe melankolia e kësaj cope dimri të shpejtë ishte për ne një afrim i ngrohtë.

    Tani vetmia më jep një të ngjethur në shpirt dhe kërkoj një mbrojtje. Rri kujtoj kohën e shkuar, atëherë kur vështrimi yt hidhte pranverën dhe të ngrohtit e dashurisë, lumturi e shkuar që hedh  dritë gjer në këtë shpellë të jetës.

    Është thënë që njeriu të çmojë të mirën, kur nuk e ka më, se orët e lumtura janë të shkurtra dhe pikëllimi na duket pa mëngjes. Tani që mejtoj atë kohë kur të kisha pranë, tani e kuptoj çfarë humba.

    Atëherë më dukeshe si një thesar i sigurt, që nuk do të ketë fund, një pasuri ku do të mundnja kurdoherë të mbushnja grushtet pa frikë se mos shteronte.

    Nuk ta dita vleftën e vërtetë;dëshira e punës, ethet e të bërit gjësend, siguria se duhet të jem i dobishëm në një punë, dëshira e shërbimit, kush e di, mbase dhe ambicioni i ditëve, kur njeriu është i ri, më bënin që të mos çmonja thesarin, që kisha në gji. Më dukej se ato ditë s’do të mbaronin kurrë dhe, nganjëherë, oh, jepmë leje t’i rregulloj të gjitha, ndjenja një padurim për punë, që më kafshonte kraharorin.

    S’e dinja që livadhet nuk lulëzojnë kurdoherë. Duhet të isha në këmbët e tua, në adhurim të syve të tu dhe të thëthitnja në vështrim të nxehtë të gjithë lumturinë e të dashurit dhe të qenit i dashuruar. S’e dinja që çastet e punës, që i kurseja me aq zili, janë gurë pa ndonjë vleftë, kur s’i ndrit asnjë shkëndijë dashurie.

    Tani po e kuptoj. E kuptoj se ato ditë, në të cilat rrojmë në dritën e syvet qëduam, ato janë të vetmet ditë të bardha të jetës …

    III.

    Nuk e mbaroi dot letrën. Deti po hidhte brenda në odë dritën e tij të gjelbër e të turbullt dhe qielli, duke u lartësuar, kish zbuluar malet, ku akoma copa resh ishin nderë nëpër yje. Dhe në të ftohtët e tanishëm psherëtinte për një dorë, që ta mbante në grushtet e tij si një zog të vogël, për një prehër, ku të mbështillej si në gji të mëmës.

    ***

    KUR MBRËMJEVE KTHEHEM I LODHUR

    Kur mbrëmjeve kthehem i lodhur në shtëpi, kur shtati i tërë më është dehur në lodhje e në forcime, një pikëllim i thellë më pushton shpirtin, se rreth meje nuk shoh veçse vetmi, një zbrazëti të ftohtë. Çdo gjë që më rrethon, më duket e huaj, më jep frikë.

    Padyshim, s’jam edhe lodhur prej mërgimit. Në ëndërrimet e mija, në projektet e mija të pritmit, ushqenj shpresën që të shoh edhe shumë tokë e qiej të huaj, të kem akoma shumë dete dhe male për të kaluar. As këmbët as shpirti s’më janë mpirë dhe nginjur, se një dëshirë çdo ditë të re më djeg dejet.

    Po ajo që dua, mike, është që çdo mbrëmje, pas çdo bredhje të marrë dhe lodhjes pa kursim, të gjej një fole të ngrohtë miqësie dhe dashurie, një vatër të vakur, ku të mund të ngroh këto duar, që më mbërdhijnë nganjëherë.

    ***

    LETRA DASHURIE TË MID’HAT FRASHËRIT:

    Emmës,

    “Mikeshë, as vetë nuk e di në do të ta dërgoj ndonjëherë këtë letër. Por prapë po e filloj si një nevojë konfidenciale, duke dashur të hap zemrën, e po ashtu të ringjall kujtimin.

    Të kisha thënë në Nenchôtel se po linja një pjesë të zemrës sime në Lozanë. Përse po ta shkruaj ty këtë gjë, mikeshë e dashur? Ngaqë isha aq i trishtuar atë ditë. Ajo quhej Elsa dhe shpesh, në çaste shpërthimi ndjenjash – veç kur e quaja me emrin tënd. Kaq shumë ky emër është i gjallë në mishin tim. Tetë vitet që na ndajnë as që e kanë fshirë këtë kujtim; të tjera vite erdhën e u mbishtresëzuan, por ai vit i themeltë mbetet përherë.

    Pra, në pensionatin e vogël ku unë banonja në Lozanë, kishte ndër të tjerë persona edhe një grua, që më habiti që ditën e parë kur e pashë në tavolinë mes të tjerëve. Ishte një brune e gjatë, me floknajë të bollshme, pis të zezë që e rregullonte mbi ballë në mënyrë të tillë si t’i krijonte një mburojë mbi sytë, po ashtu shumë të zinj. Kjo floknajë, hunda e saj paksa e madhe dhe e fortë, forma e buzëve, veshja e përzgjedhur, sa elegante aq edhe me shije të hollë, i jepnin asaj një pamje interesante dhe më bënë ta kundroja si një të dashuruar marrëzisht, si një grua misterioze, me maskë paksa tragjike. Dhe e tërë pamja e saj më tërhoqën vëmendjen.

    Ajo tjetra, gruaja tragjike, pra, që më interesoi, nuk dukej aspak e zemëruar me fqinjet e mia. Më thoshte madje se në u drejtoja atyre fjalën, këtë e bëja vetëm për mirësjellje, sidomos në mënyrën franceze. Vetë ajo kënaqej tepër shpesh, duke më vëzhguar së largu, duke më analizuar dhe gjatë shëtitjeve tona i pëlqente të më përshkruante nga ana morale, shpesh me një saktësi të madhe, gjë që më bënte të mendoja për ty, sepse edhe ti, Emma, më ke njohur mirë dhe shumë mirë nga afër.

    Unë nga ana ime, vëreja se ajo grua ishte e një natyre të çuditshme. Shihja se kisha të bëja me një grua aspak sentimentale dhe me shumë përvojë, disi e zhgënjyer, përvoja këto që ia lejonte mosha e saj, sepse duhej të kishte pak vite më shumë nga unë, gjë që e bënte në sytë e mi edhe më grua dhe sidomos shumë të dëshirueshme. Kisha një pasion të vërtetë për këtë person dhe ndjeja një grishje tek e shihja herë-herë shumë të distancuar nga unë.

    E kaloja kohën mes ca punëve të vogla dhe pasionit që ndjeja. Një ditë në tryezë, po i përshkruaja fqinjit tim në krahun e djathtë rrugën që doja të ndiqja gjatë kthimit, në mënyrë të tillë që t’i bija qark Zvicrës dhe të vizitoja qytetet e mëdha të Italisë; zyrisuaza** përballë meje më pyeti nëse po jepja kësisoj mësim gjeografie dhe kur unë i shpjegova qëllimin, më tha që më mirë se kushdo tjetër mund të pyetej e të konsultohej ajo vetë për itinerarin që lypsej të ndiqja, si një njohëse e mirë e Zvicrës që ishte. E besova dhe iu luta të më kushtonte pak kohë për të studiuar itinerarin te Bedekeri*** im.

    Të nesërmen pas ngrënies shkuam në dhomën time ngjitur me sallën e ngrënies dhe për dy orë studiuam Bedekerin duke biseduar gjerë e gjatë; biseda me të më dukej e këndshme dhe vura re se e kapte në çast mendimin që shprehja.

    Të pasnesërmen, si mbaruam vaktin, më pyeti në dëshiroja të vazhdoja seancën gjeografike dhe më grishi ta shoqëroja në shtëpi. Pranova me shumë dëshirë, duke qenë se më joshte së tepërmi mendimi që ajo grua po tregohej e gatshme të më këshillonte rrugën që duhej të ndiqja për të përfituar kohë dhe vendet më interesante, që ia vlente të vizitoja.

    Si dhe një natë më parë, kur e shoqërova gjatë kthimit, ndoqëm të njëjtën rrugë. Banonte në kat të parë, në një apartament që e kishte të vetin. Dhoma në të cilën hymë, kishte goxha hapësirë, e rregulluar bukur, e mobiluar dhe një piano renditur përgjatë njërit mur. Vura re një këmbalkë me kanate shpalosur si të na priste të vendoseshim para saj, një tryezë të vogël dhe aty-aty, mora në duar një libër e ia nisëm bashkëbisedimit. Më tërhoqi biseda e saj që më dukej më interesante nga konsultimi që do t’i bënim Bedekerit tim.

    Ishte shumë e qeshur, shumë e thjeshtë dhe shumë e zgjuar. Ndjehesha si i lumturuar që ndodhesha në prani të saj, krejt vetëm në atë apartament të madh. Pashë që kishte gjykim të shëndoshë, që më bëri të mos i kurseja fjalët, as gëzimin. Po prapë, e ruaja plotësisht vetëdijën dhe pamjen e ftohtë. Ti e njeh, Emma, atë pamjen time të ftohtë, sepse shumë shpesh më thoje që pështypja që unë lija përgjithësisht te të tjerët ishte e një njeriu tepër të ftohtë, kur ende nuk më njihnin nga afër.

    Folëm, pra, për gjithçka, gjithë gjallëri. Një hop, nuk e di se si, folëm për modën, dorashkat dhe këpucët. Më tha se unë kisha duar shumë të vogla. Vura re të sajat, që ishin vërtet vogëlake e tepër të hijshme; ia pohova, por nuk shfaqi kurrfarë ndjenje; tek e vëzhgoja, më tërhoqi vëmendjen një njollëz e imët, një nishan mbi pulqerin e saj; ia mora dorën dhe e pyeta ç’e kishte atë. – Nishan, ma ktheu me thjeshtësi.

    Ia çova atëherë dorën te goja dhe putha njollëzën e kuqërremtë. Pastaj, u vura në kërkim të të tjerave nishane, i zbulova edhe një syresh mbi pëllëmbë dhe sërish ia putha; më pas, u ringjita drejt krahut: kishte një njollë shumë të vogël në pjesën e brendshme të bërrylit; vura edhe aty në përdorim buzët, ia ngjesha shumë fort mbi atë lëkurë të përsosur, gjithë ngrohtësi. Nuk e kisha më atë gjakftohtësinë time.

    Ajo qendronte mendueshëm, pakëz e tendosur. Ishim që të dy në të njëjtën kanape, shumë pranë njëri-tjetrit. Elsa kishte mbështetur bërrylat mbi gjunjë, duke vështruar para saj, me kryet përkulur para; ky qëndrim ia nxirrte krejt qafën, një qafë e mermertë, që i dilte nga bluza e bardhë dhe ku rendnin cullufe mëndafshi të zi aq fijeholla. Atëherë, ia mbështolla kryet me krahët e mi* dhe shtrova një puthje të gjatë, shumë të gjatë mbi atë qafë. Ajo, as që mbrohej aspak, ndonëse qëndroi ende për një çast e tendosur, si e hutuar.

    I thashë se e dashuroja, që prej disa ditësh. Nuk gënjeja, sepse vërtet, disa ditë më parë, pas një bisede të këndshme në tavolinë, ajo më kishte ngulur sytë e nuk m’i shqiste. Ai vështrim më kishte hutuar, më kishte turbulluar disi. Por u hoqa sikur nuk i kushtova vëmendje. E megjithatë, shpesh mendja më shkonte aty. A të kujtohet Emma vështrimi yt, ai vështrim falë të cilit nisi dashuria jonë?

    Atëherë ajo më pohoi se më dashuronte për një kohë edhe më të gjatë, madje që i kishte folur për dashurinë e saj tim fqinji të tavolinës, një zotni burrë, me të cilin unë e pandehja atë të lidhur, pa e ditur as vetë përse, gjë që ai ia bëra Elsës të ditur duke i thënë se ishte pikërisht kjo arsyeja për të cilën unë nuk i kushtoja në dukje vëmendje. Më pas, ajo më tregoi se e kishte njohur fqinjin tim në një pensionat tjetër, ku kishin qenë që të dy dhe se midis tyre nuk kishte pasur veçse tim një miqësi e rëndomtë.

    Mëngjesi më gjeti zgjuar në dhomën e Elsës. Ishte aq e ëmbël, aq fëmijërore dhe prapë, aq e zgjuar dhe aq e qeshur.

    Mjerisht, lumturia jonë nuk do zgjaste gjatë. Ti e di, Emma, sëmundjen morale nga e cila unë vuaj, ajo mani për t’i analizuar gjërat, ajo ngasje për të gërmuar përherë në thellësi të tyre, duke dashur të shoh larg, ta konsideroj shumë shpesh të tashmen si preokupim të së ardhmes. Isha i lumtur me Elsën, por mendoja edhe të nesërmen, ndarjen. E njëjta gjë e mundonte edhe atë dhe ishte në krizë.

    Mirëpo, një tjetër krizë më e madhe po më priste. Një ditë, ishte një pasdite e bukur, ajo filloi të luante në piano për mua. Para dashurisë sonë, më kishte grishur në fakt një të diel, nëpërmjet tim fqinji, kur do të luante në piano në shtëpi, për të shoqëruar një mikeshë këngëtare të vetën. Nuk e kisha pranuar ftesën, duke nxjerrë një arsye e aq, sepse, në fakt, i kisha premtuar një shëtitje asaj tjetrës, atë që e kam quajtur tashmë në fillim të kësaj letre gruaja tragjike. Këtë radhë, pjesa muzikore që do të interpretonte më kushtohej vetëm mua. Luante në piano dhe këndonte me zë mjaft të ulët, shumë të ëmbël, të butë. Këndonte operetën “Puppchen”, më pas pjesën muzikore “Sikur të më kërkonit emrin e asaj që dashuroj, edhe një perandori të më premtoni, nuk do t’jua tregoj”, të Alfred de Musset, më pas një tjetër po ashtu, si dhe në fund pjesën muzikore gjermane “Der zigeunerkind” (“Fëmija i ciganes”) . Fëmija i thotë t’et: “- Ky vend është kaq i bukur, qëndrojmë këtu, o atë, qoftë ky, atdheu ynë! – Jo, ia kthen i ati, – e pamundur, veç cigani s’ngulet kurrë në një vend!”

    Ajo këtu u ndal e u kthye nga unë: pa që isha i përlotur. A nuk isha edhe unë vetë si fëmija i bohemes, a nuk e kisha edhe unë të pamundur të ndalesha, a nuk do më duhej edhe mua një ditë të largohesha nga ai vend? U përlot edhe ajo bashkë me mua dhe që atëherë, ky kujtim lëshoi një re të errët mbi ne.

    Mjerisht, më duhej të largohesha prej saj sa isha në kohë. I kisha thënë si me shaka se lypsej të mos më donte si tepër. Po ja që më dashuronte marrëzisht dhe kjo më tmerronte. E vërteta është se unë kisha frikë nga vetvetja. Andaj dhe u shkëputa prej saj. Iu largova të dashurës sime thjesht, ngaqë e doja dhe ngaqë ajo më donte. A u tregova i lig, a u tregova egoist e i pashpirt? Kur në fakt, e kisha të pamundur të bashkoja fatin tim me të sajin, për më tepër që e kisha bërë tashmë të vuante. Por, në fund të fundit, si mund të sfidoje atë pendesë se mos ia shkatërroje krejt jetën që kishte përpara? Një martesë, për mua është e pamundur dhe jam i sigurt se nuk do ta bëja kurrsesi të lumtur.

    Ndoshta ti, Emma, mund të më thuash se vajta e sakrifikova dashurinë në emër të arsyetimit. Po, dhe më shkojnë lotët çurg për atë dashuri. Ja ku po detyrohem ta ndërpres këtë letër për të fshirë lotët nga sytë. Po atëherë, pse nuk pranova të shkrihesha në vaj me atë grua që më donte aq shumë? Thjesht ngaqë kisha tri fantazma përpara meje: mjerimin, pendimin, brejtjen e ndërgjegjes. Ah, sa të drejtë të jap, pamëdyshje, sakrifikova dashurinë në emër të logjikës së thjeshtë.”

     Sofie, më 10 shtator 1914

    Hôtel Makedonia, [ora] 23 pothuaj mesnatë*

    ***

    Letra e Mid’hatit, derguar Ninonit e shkruar në formë ditari.

     Tirane 19 prill 1926

    Ninon, po te shkruaj kete leter, por ate qe ndjen zemra, nuk e rrefen dot ikjen prej teje. Eshte e hene Ninon dhe ka kaluar nje jave qe kur jam nisur. Atje ne port, kur zgjate doren drejt meje, kur e mora ne te miat dhe e putha. Ishte puthja e fundit. Eshte e fundit vertet Ninon? Nuk do te shoh me, nuk do te kem asnje shans?

     22 prill

    Dje ne mbremje, ashtu shtrire sic isha, doja te lexoja. Por, e fika menjehere llampen. Doja te rrija vetem me ty. Ishe prane meje per nje kohe te gjate.

    Nuk eshte deshira e trupit ndaj teje, nuk eshte ajo qe ndodh edhe pa pasionin. Dhe kjo nuk ndodh vec nje here ne jete. Sic me ndodhi kete te hene. Ka qene nje nate e pagjume per mua. Perse nuk te kam prane te me besh te lumtur?

    Po lexoj Verlenin. Me ke shkruar se eshte libri yt i preferuar. Fjala “dashuroj” me duket se le tjeter gjurme. Enderroj, e di qe eshte iluzion, por perpiqem te perfytyroj ne jam une ai qe ti dashuron.

     24 prill, ora 6 e mengjesit

    Asgje e re nga ty. U bene dhjete dite qe kur kam ikur nga Athina. Eshte e djele dhe prej nje jave jam ne Durres. O zot, kujtoj te henen tone te fundit, kur ti erdhe

    dhe thoshe “nuk mundem, keshtu nuk mundem”.

    Vuaje dhe kishe te drejte. Me ke shkaktuar nje dhimbje te madhe, duke me shtuar dilemat edhe me. Vec me nje shprese jetoj: te te shoh. Kur do te ndodhe, kur, kete nuk e di. Ky eshte obsesioni im.

    Dielli po hyn ne dritaren time, i perkedhel rrezet, sepse jane te njejtat qe hyjne dhe ne dhomen tende. Me thuaj Ninon, e degjon kete, a ndjen?

     E premte 7 maj, 7 e 30 e mengjesit

    Ninon, nuk kam marre asnje leter prej teje. Te ndjej dhe ndihem i deshperuar. Sa do doja te prehesha ne ato duar, te me perkedhelnin floket. Iku dhe nje jave pa asnje leter prej teje. Cfare nuk shkon, perse s’me shkruan, pas letres sime prej Korfuzit. Do te ikesh prej meje?

    ***

    LETRA TË TË DASHURAVE DREJTUAR MID’HATIT

    (Letër nga Elsa)

    Zyrih, 15 dhjetor 1914

     Mid’hat i dashur,

     Dje në mbrëmje mora letrën tënde të datës 28 nëntor. Nuk e kuptoj përse nuk e ke marrë letrën e dytë dhe dy kartolinat nga Lozana? Unë i kam marrë të tuat.

     Mid’hat, po t’i hidhje një sy zemrës sime, do shihje katastrofë, dëshpërim, vuajtje. Kur më shfaqesh para sysh, më hipën gjaku në kokë, shpirti me digjet, pasioni i vjetër me rrëmben, qaj, prej vetes, me vjen turp, por kjo nuk më lehtëson, nuk më ngushëllon. Gjithçka që më rrethon ngrihet kunder teje. Me mungon edhe kur vërtit në duar korrespondecën tënde…

     Sa për përgjigjen e tim eti, nuk po marr mundimin te shpjegohem, por mendoj se ka të drejtë dhe në të njejtën kohe gabohet.

     Gjatë qendrimit këtu, Mid’hat, një miku ynë erdhi për vizitë në shtëpinë tonë. Është duke u divorcuar nga e shoqja. Njeri i mirë dhe mbi të gjitha është në gjendje të mirë financiare. Më kërkoi të martohem. Nuk do të habitesha sikur të ndodhë për Krishtlindje, unë dyshoj, ndërsa ime ëmë është mëse e sigurt. Nëse vërtet ky njeri më kërkon për grua, besoj se do të më bënte të lumtur. Më njeh qysh fëmijë dhe e di sa kam vuajtur. Unë nuk e dua, thjesht më duket simpatik, e vlerësoj dhe mendoj se pas këtij divorci me të shoqen, ai meriton të jetë i lumtur. Por, zemrën time e ke rrëmbyer ti dhe nuk mund t’ia filloj nga e para. Ndoshta, kjo dashuria ime për ty është marrëzi. Mes nesh ekziston një mister i thellë, raca, besimi dhe sekretet e të kaluares tende. Natyra jote cigane, ti që aq shumë do lirinë, udhëtimin, njohjen e botës, ndryshimin, jetën pa angazhime, pa kokëçarje. Oh, Mid’hat, sikur të mund të shihja në zemrën tende, një lidhje të përjetshme me mua, ashtu siç e deshiroj!

     Mid’hat i dashur, dashuria jonë është një çmenduri e tmerrshme.

     Me shkruaj hapur dhe qartë për të gjitha ndjenjat. Do të doja, i dashur, që gjithë shqetësimet e mia, të gjenin mbeshtetje në shpatullat e tua, të kisha mbrojtjen tende. Dhe të jetoja veç për ty, me ty, si një femijë, që nuk mendon veç për mësuesin e tij dhe jeton veç për të dhe bota të mos më hyjë më në punë. Tek të ndjek kudo, ndaj me ty çdo gjë, gëzimin dhe hidhërimin. Oh! Mid’hat, kur çoj ndër mend dashurinë tënde, përkëdheljet dhe puthjet e tua, as shoh dhe as degjoj gjë ç’bëhet rreth meje, është njëlloj sikur të të bjerë të fikët me sy hapur…

     Zonja P. më ka thënë shpesh se jam e marrë, që një burrë si ty e paskam njohur në kaq pak kohë dhe e dashkam kaq shumë. Më tha edhe se në praninë e saj nuk i ke dhënë të kuptojë asfare dashurinë tënde për mua. Për çfarë arsyeje e paske fshehur kaq bukur, kur ajo e di tashmë se duhemi?

     I dashur Mid’hat, nuk po të qortoj. Eshtë thjesht një pyetje nga ana ime. Kur madam P. po më thoshte këtë, ndjeva të thoshte të vërtetën dhe u bëra keq.

     I kam folur tim eti për ty, për dashurinë tonë. Me pyeti, nëse kam ndërmend të martohem me ty. I thashe pikerisht atë çfarë kemi biseduar mes nesh, se ti vërtet me dashuron, por as që behet fjalë per fejese a martesë dhe se ti nuk je tipi, që krijon familje.

     Por, i vogli im Mid’hat, qenka vërtet monotone të bësh çdo ditë të njejtën gjë, të mendosh për ty, të ëndërrosh, të flasësh për ty, të shkruash dhë qash për ty!

     Të puth fort,

     Elsa

    ***

    (Letra nga Angele Romano)

    29 maj 1915

    Mit’hati im i shtrenjtë,

    I mora njekohesisht dy letrat e tua, te dates 20 dhe 22 maj. Me ne fund jam e qete. I dashuri im, u bë kohe nga letra jote e fundit. Kur i mora ne duar, dridhesha. I lexoja perseri e perseri dhe kam shijuar cdo fjale te dashur per te cilat kisha aq shume nevoje.

    Pardje mora nje leter te shkurter nga Sanija. Ishin ca radhe shkruar me ngut, kur me njoftonte se xhaxhai i saj paskesh vdekur dhe se ishte shume e tronditur. E gjora! Do t’i shkruaj sot, dhe nepermjet saj po i dergoj ngushellimet e mia dhe respektin per te shkreten Xhemile.

    Ketu pas dy javesh shi, ka qene shume ngrohte. Dua ta heq nga mendja se mbeten ende plot kater muaj, qe do me mbajne larg teje, Mit’hati im. Nga vazoja e luleve te mia, po te dergoj kete petal trendafili, per te sjell tek ty, dashurine dhe puthjet e mia,

     Mumi

     (Angele Romano)

    ***

     28 nentor 1933, kartoline

    Miku im,

    Kjo date, eshte nje faqe me vete ne librin tim te kujtimeve. Me mbush me emocion ajo dite qe kemi kaluar ne Kostandinopoje, 9 vjet me pare. Si ikin vitet miku im, e megjithate ato nuk mund t’i fshijne mbresat e jetes sone te perbashket! U be kohe qe s’marr me lajme nga ty, megjithate, di qe gezon shendet te plot. Jeta ime mbetet po ajo. Mes puneve te zyres dhe shtepise. Here pas here, gjej mundesine t’i largohem Bukureshtit. E pergjithshmja mbetet monotone.

    Po te shkruaj me nxit, ngase nuk doja te shpetonte kjo dite pa te thene qe nuk e harroj pervjetorin e nje dite te lumtur per vendin tend.

     Miqesisht, jotja Mumi

    ***

     Më 1 nëntor [1920]

     Bucarest

     Mid’hati im,

     Po i përgjigjem letrës tënde dërguar nga Niagara, që më bëri të derdh lot nga lumturia dhe që më bëri të ëndërroj për ty tërë natën, por ëndrra të ëmbla, prej të cilave u zgjova me një gëzim që nuk e kam ndjerë prej shumë kohësh, sepse jam e sigurt tani që së shpejti do të shihemi. Më thua se do që unë të të dua, por të dua, i adhuruari im, gjithmonë të kam dashur, pavarësisht nga çaste dëshpërimi, pasuar ndonjëherë nga çaste revolte kundër fatit; ti ke qenë qëllimi i vetëm i jetës sime dhe shpresa e vagullt, që unë mund të kem ende për çaste lumturie me ty, më ka mbështetur gjatë gjithë ditëve të ligështimit. Por e gjithë kjo mori fund, kur ti do që të dish nëse unë të ndiej tashmë pranë vetes, gjë që më bën të mos ndihem më aq e vetmuar. Edhe një lajm të mirë: jam emëruar funksionare e klasit të parë në Ministrinë e Punës, në asistencën sociale* ; bëhet fjalë për të shkuar në lagjet e varfëra, për të parë mjerimin e vërtetë dhe për t’i dhënë ndihmë; e kupton që do ta bëj këtë punë me shpirt; po ashtu, jam emëruar funksionare në Drejtorinë e studimeve; nuk e di nëse do mund t’ia dal. Emërimi fillon nga muaji dhjetor, por do ta marr detyrën vetëm në ditët e para të janarit, sepse është një ministri e krijuar rishtas dhe zyrën do ta kem në njërin krah të ministrisë, që është tani duke u riparuar. Jam shumë e kënaqur kur mendoj që do kem një punë, e cila do të më bëjë të duroj më lehtë dhembjen e të qenit larg teje.

    I adhuruari im, që prej letrave të tua të fundit aq të ngrohta, në të cilat të shoh të dëshiruar për të ardhur në Rumani, jam aq e lumtur sa miqtë e mi zor se më njohin si më parë. Risjell në mendje krejt jetën tonë dhe ashti si ti, edhe unë them ato ditë do të rivinë dhe do të jetë lumturia vetë, sepse pavarësisht nga gjithçka, unë vërtet kam qenë e lumtur me ty.

    Këto kartëpostale të vogla me ngjyra që më dërgon flasin aq pak për ty në Amerikë, sa mezi po pres të dëgjoj drejtpërdrejt nga goja tënde të më tregosh gjithçka, duke më mbajtur mbi gjunjë siç bëje aq shpesh, ose ti mbi të miat, siç të merrja, kur ulesha në të vetmin kolltuk të kthinës tënde në Lozanë; e ja, edhe tani tek po të marr e po të shtrëngoj mbi zemrën time, aq shumë, aq shumë, sa të dëgjosh të rrahurat e gëzueshme me mendimin që të të shoh së shpejti pranë meje.

    Mirupafshim, Mid’hati im!

    Mumi

    ***

     28 nëntor 1933, kartoline

    Miku im,

    Kjo date, eshte nje faqe me vete ne librin tim te kujtimeve. Me mbush me emocion ajo dite qe kemi kaluar ne Kostandinopoje, 9 vjet me pare. Si ikin vitet miku im, e megjithate ato nuk mund t’i fshijne mbresat e jetes sone te perbashket! U be kohe qe s’marr me lajme nga ty, megjithate, di qe gezon shendet te plot. Jeta ime mbetet po ajo. Mes puneve te zyres dhe shtepise. Here pas here, gjej mundesine t’i largohem Bukureshtit. E pergjithshmja mbetet monotone.

    Po te shkruaj me nxit, ngase nuk doja te shpetonte kjo dite pa te thene qe nuk e harroj pervjetorin e nje dite te lumtur per vendin tend. (28 nëntori, red)

     Miqesisht, jotja Mumi

    ***

     16 qershor 1939

    I dashur Mit’hat, me ne fund e mora letren tende te 4 qershorit, dhe qava. Kam qene shume e shqetesuar, miku im sidomos keto kohet e fundit. Deshiroj te jesh mire me shendet dhe jo i dekurajuar, me energji, per te realizuar ato qe do. Me vjen keq qe hoqe dore nga udhetimi yt ne Rumani. Do shihemi serish Mit’hati im, jam e sigurte, do jemi te lumtur dhe do besojme se nuk jemi ndare kurre! Me ke treguar per kopshtin tend te vogel per karafilat e tu dhe me sjell nder mend qendrimin tone ne Lozane. Me kujtohet fare mire ajo arome karafilash Sa here u marre ere, te ndjej brenda meje. Do doja shume te vija tek ty, t’i hidhja nje sy shtepise, per te pare nese eshte ajo qe imagjinoj, te jetoj mes objekteve qe te rrethojne. E di eshte nje enderr e pamundur.

    Ketu tek ne po ben vape e padurueshme dhe pres te nisem per ne Pucioase…

    Do te dergoj kartolina prej andej dhe shpresoj qe me t’u kthyer ne Bukuresht, me 1 gusht, te kem te reja prej teje. Gjithe dashurine time, ne nje puthje,

     Jotja Mumi

    ***

    (letra nga Lolotte)

     Paris, më 16 mars 1921

     Mimi im i adhuruar,

    As sot, as dje, nuk pata letër nga ty. U lëndova shumë. Nuk e di në je gjithnjë i vendosur të më presësh atje? Pres me padurim, krejt e përmalluar, letrën tënde përfundimtare për të marrë vizën në pasaportë.

    Këno do që të rrijë këtu, dhe do ta vendos në një pensionat. Zonja Malé do të përkujdeset mirë për të, shpresoj.

    Zoti Godart pati një takim me Z. L. Troquer* në Dizhon. Ministri** me sa dukej ishte i kënaqur, që kishte pasur një bisedë interesante me ty dhe jam aq e lumtur. Z. Godart llogarit të niset për në Shqipëri të shtunën apo të hënën. Por ka diçka për të bërë që këtej, ma thuaj në letrën tënde të ardhshme. Zonja Menard është përherë shumë e sjellshme dhe Z. De Constant*** po ashtu; më sinjalizoi se në revistën Revue des Deux Mondes të 15 marsit ka një artikull të Z. Paléologue për Ballkanin. Po shkoj ta blej.

    Bën një kohë e mrekullueshme në Paris, është një pranverë e ëmbël, që do të ishte edhe më e ëmbël sikur ti të ishe pranë meje, ngaqë vuaj aq shumë pa ty. Palé të mendosh, kur ti më pyesje atë ditë nëse më mjaftonte dashuria tënde! Sa më bëri të vuaj ajo letër e jotja, Mimi im. E kam lexuar e rilexuar atë, duke u përpjekur të zbuloj enigmën, por nuk gjeja veçse hamendësime që mbruja në kokë e që më jepnin shtrëngim në zemër e ndrydhje në shpirt. Përse më flisje në atë mënyrë, kur ti e di mirë që unë jam krejt jotja, si gjëja që më zotëron e s’mund të të largohem, kur ti veç më jep jetë. Nuk është e sjellshme të më tronditësh gjer në atë pikë.

    Por nejse, le ta lëmë këtë. Kam aq gjëra për të të thënë, por që nuk guxoj të t’i çuçuris veçse në vesh – pranë teje, duke këmbyer të puthura të marrëzishme.

    Ende nuk e kam mbaruar unazën me gurë ametisti, që ka dalë mjaft interesante, por jo si unaza me zambakun e kuq.

    Po ti Mimi, a ke kohë të lirë? A të vij ndër mend me këtë rast?

    Më shkruaj sa më shpejt e sa më shpesh, të lutem. Unë nuk të kam dalë nga fjala, të shkrova që të nesërmen e nisjes tënde.

    Po të jap, Mimi im i adhuruar, njëmijë e njëmijë të puthura si dhe krejt dashurinë time

    Mirupafshim së shpejti

    Ti apo unë

     Lolotte

    ***

     Lalizolle, më 2 shtator 1920

    Mimi im i adhuruar,

    Sa të gjata janë tërë këto ditë pa lajme nga ti, kur ti ende ndodhesh në det, ende për tri a katër ditë. As vetë s’e di si jetoj, me një merak e çoroditje të vazhdueshme, deri sa të marr më në fund letrën tënde të shumëpritur, kur më duhen ende tërë këto ditë të pres, e të pres. I kaloj ditët si zakonisht. Megjithatë dje shkova në fshat me automobil së bashku me të tjerë, gjer në St. Pourçain, një vend jo shumë interesant dhe të tërë vunë re se mendjen e kisha gjetiu. As që më bëhet të dalë, për aq kohë sa nuk po e marr dot veten nga kjo rënie shpirtërore. Dua veç të të dashuroj ethshëm, të të ndjej të tërin përbrenda vetes, pa kurrfarë trishtimi, pa kurrfarë mënyre për lojë të dyfishtë.

    Sa kënaqësi ndjemë kur vizituam të dy së bashku le Bourbonnais. Sa të lumtur ishim, kur çuçurisnim aq hareshëm dhe sa zili i kam tërë ata që hiqen të lumtur pa pasur kurrfarë merite, përderisa dashuria ndoshta nuk ekziston tek ata, kur në vendin e tyre do duhej të ishim pikërisht ne. Po ja që fati u desh të na ndajë. Ah, që s’po ikin këta dy muaj, që fundi i tyre të jetë i bukur!

    Sa po vuaj Mimi dhe a më ndjen kur e them? A do të doje të më ngushëlloje, të më thaje me buzët e tua lotët e pashtershme, që më çurgojnë nga sytë e më rrëshqasin mbi faqe? Sa do të desha këtë çast të dija t’i hipja biçikletës e të shkoja e vetme larg, shumë larg, ku askush të mos më ndalte, as të më fliste.

    Çfarë sheh në oqean Mimi, a më gjen dot mua përmbi dallgë duke pluskuar në kërkimin tënd, me sytë e etur veç të të shohë? Apo ke të tjera andrralla që të pengojnë? Shpesh më duket sikur do të të prek por, sapo pandeh se po arrij të të prekë, befas hovem e trembur nga realiteti. Dhe aherë mërzia e melankolia ia rinisin edhe më të thella. E s’kam askënd për t’ia besuar mundimet e mia, për të më kuptuar. Por më mirë po lë gjithkënd të marrë me mend ç’të dojë. E ndërkohë, këta të mallkuar dy muaj do t’ia arrijnë përfundimisht qëllimit dhe vetëm atëherë Mimi im do më shfaqet më i ëmbël, më ledhatues se kurrë, do ketë në krahë një Lolottë edhe më shumë të përvëluar e dashuruar, të lumturuar më shumë se kurrë. Oh, marrçin sa më shpejt fund këto ditë, si në ëndërr, si në fllad! Dhe sa do të desha të marrë letrën tënde të parë, të gjatë sa për dhjetë, ku të më thuash do gjëra nga më të bukurat e që do ta lëçisja e do ta lëçisja gjersa të më vinte letra tjetër, po aq tepër gjatë, tek po shterem së menduari tërë ankth.

    E megjithatë, bën kohë e bukur, po dal pak të harroj vetveten në bisedat e rëndomta të së përditshmes, të këmbej të njëjtat fraza, të njëjtat buzëqeshje, ku do ndihen krejt plasaritjet e zemrës , që kullon gjak për ty.

    Të puth gjatë, i adhuruari im, mbi buzët e tua që aq fort i dua.

     Lolotte

    ***

    Lalizolle, më 4 tetor 1920

    Mimi im i adhuruar,

    Më thua sot në letrën tënde datuar më 22 shtator se më shkruan të paktën çdo dy ditë. Kur jo më larg se një javë, nuk kam pasur asgjë nga ti, e për më tepër që dërgesa jote e fundit ishte një hartë e thjeshtë Buffalo.

    Nëse edhe ti i merr të miat po aq parregullsisht, është e trishtë. Sepse unë të siguroj që të shkruaj të paktën tri herë në javë.

    Do të doja edhe unë të isha si ti, i dashuri im, të vizitoja qytete të bukur, të kundroja do gjëra të hijshme. Koha megjithatë, më duket tashmë më pak e gjatë, por prapë, të rrish kështu, pa kurrfarë kënaqësie tjetër veç duke pritur letër nga i dashuruari e të mos i kesh aq shpesh, e pohoj se s’mbetet më kurrgjë veç të luash nga mendtë. Një çast, nisa t’i nënshtrohem fatit, duke të pritur me durim, por ja ku papritur, mërzi e pashtershme nis e sundon, më e fortë e kurrë.

    Në të vërtetë, jam e lumtur që i miri kryetar i “Vatrës” nuk të lë aspak kohë për të ngelur vetëm. Kushedi ç’do të ndodhte sikur ti të kishe më tepër liri, e ndoshta ti do ta kishe harruar krejt Lolottën tënde, që nuk jeton veçse për të të dashuruar ty.

    Karta që paraqet grupin e mermertë, më mallëngjeu. Ajo vepër më duket me të vërtetë e admirueshme dhe i kuptoj ndjenjat e , duke ia ngulur sytë gjatë. Vetëm se ke harruar të thuash se nga ç’pikëpamje ngacmoheshin ndjenjat e tua. Do të kisha dëshirë t’i njihja, për t’i krahasuar me të miat.

    Shpesh e më shpesh, i adhuruari im, imagjinata më sjell pranë teje, mbi gjunjët e tu, duke të mbështjellë qafën me krahët e mi, teksa kryet i mbështes butë mbi supin tënd. Shpesh e më shpesh, buzët e mia rigjejnë të tuat dhe sytë më pasqyrohen përbrenda syve të tu. E kur dikush më shkëput nga kjo ëndërr e bukur, domosdo që e marrë një hop inat, edhe vetë Kënon, që s’e ka për gjë të më bezdisë. Ende s’e kam dërguar në shkollë, kur mësimi ka nisur tashmë qysh më 1, por e mbaj pranë vetes që të ndihem më pak e vetmuar. Në këtë periudhë, ai është i dhënë krejt pas instrumentit të shpikur nga Edisoni për të folur me të vdekurit*. A je në dijeni se ç’është?

    Mbi të gjitha, më lajmëro paraprakisht që të vij e të të pres kur të zbresësh nga anija, se më ke premtuar që do rrimë ca ditë në Bretanjë, para se të shkojmë në Paris. Të martën që vjen, më 12 të këtij muaji, është përvjetori i të shkretit baba dhe më 23, do të bëhet martesa e tim kushëriri Jean Barrel, vëllai i atij që ndodhet në Paris e që ti e ke takuar te Shkalla e Beaulieu-së. Po martohet me një grua të bukur. Nuk është nisur nga interesi, por thjesht nga dashuria.

    Po t’i them të gjitha këto, Mimi im i adhuruar, ngaqë s’kam tjetër ç’të të them në këtë vrimë të vogël, ku ka veç mërzi, por di ama të të them se të dua, se mezi po të pres, me gjoksin e shtypur gjithë dihatje, për të ngjeshur buzët e mia në gojën tënde.

     Lolotte

    ***

     Lalizolle, më 8 tetor 1920

    Mimi im i adhuruar,

    A thua se jam e pafat, kur jo vetëm kam mërzi të tmerrshme tek jam e shkëputur prej teje, po kur edhe sëmundja më duhet tani mbi të gjitha. E kam Kënon shumë sëmurë. Dje kishte dhembje në grykë, pa më thënë gjë dhe këtë mëngjes doktori u thirr me urgjencë për t’i bërë një gjilpërë serumi antidifterik. Mund të them se është si më mirë tani, duket më i qeshur, por e merr me mend, besoj, sa u tremba. Ah, të të kisha pranë meje, kur je aq i mirë, që di të ngushëllosh me fjalën e ngrohtë dhe krijon veç besim rreth teje, ti, i dashur Mimi, dashuria ime e vetme.

    Po ja që s’guxoj të shkoj nëpër mend çastin kur do vij të të kërkoj në stacion apo kur të zbarkosh, se kam frikë, po, kam tepër frikë se mos pësoj zhgënjim.

    E megjithatë, më bëhet sikur jetoj vetëm për këtë, është e vetmja shpresë që më mban, sepse e sheh dhe vetë, besoj, që jeta është për mua tepër e trishtë dhe, me përjashtim të pranisë tënde, nuk ndjej kurrfarë gëzimi, kurrfarë lumturie, kur s’më mbetet tjetër veç të lutem në kishë, madje gjithë ethe, me epsh, sepse je ti sërish që më ndjek gjer aty, që më mbështjell me pamjen e vetë Perëndisë.

    Edhe tim bir po ashtu e dua, por me tjetër dashuri, sepse e di që ai do jetojë për të krijuar një tjetër familje, ndërkohë që ti krijon familjen time, duke u trupëzuar me mua dhe duke mishëruar të njëjtin ideal.

    Oh! Pale që kësaj gjendjes sime i shtohet edhe një kohë aq e trishtueshme, me një tempo vjeshte që paralajmëron krizantemat dhe ndjell melankoli, ndërkohë që ti, atje tej, ke ngrohtë. Ç’dallim!

    A i ke qejf krizantemat? Unë po, për mua, ato janë të bukura dhe aroma e tyre më pëlqen. Do t’i vëmë mbi tryezë, kur ti të jesh kthyer, Mimi im.

    Nuk e di nëse ti ndjen të njëjtat dëshira, të njëjtat aspirata, por të do doja që ti t’i ndjeje ato lule, kaq të fuqishme e rezistente që janë dhe që kapërcejnë distancat e detin, duke zhdukur tërë pengesat.

    Sapo erdhi doktori. Po, Këno duket më mirë, por duhet të flejë i qetë natën dhe më duhet t’i rri te koka. E kështu do të mendoj për ty, duke shikuar portretin tënd tërë natën dhe duke lexuar letrat e tua të fundit, ndonëse marr aq pak.

    Por, mbase ajo që do të më vijë, do të lajmërojë për mbërritjen tënde dhe shpresoj të ndodhë kështu, sepse shpresa të bën të jetosh.

    Hap krahët, Mimi im i adhuruar, që unë të strukem brenda tyre, duke të dhënë një mijë të puthura.

    Lolotta jote

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË