More
    KreuLetërsiBibliotekë“Lumi i vjedhur i drenushës”, poezi nga Marash Mirashi

    “Lumi i vjedhur i drenushës”, poezi nga Marash Mirashi

    ABSURD ME NJË KALË

    Në këtë skaj të botës
    Mes mjegullash që davariten luginave të dhimbjes
    Poshtë qiellit të pamatë të marsit
    Po ndodh diçka si ulërimë.

    Dikush po rreket të zbusë një kalë
    Që ikën harbuar fushave
    Me hingëllimë.

    Dikush po rreket
    Të zbusë një kalë
    Që ka lindur i lirë.

    Në këtë skaj të botës
    Gjithçka
    Hingëllin.


    NATA E DERRAVE TË KENAQUR

    Një natë e errët pus
    Ra mbi atdhe,
    Një natë e tmerrshme si mizoritë.

    Të verbërve, thotë Alonso
    Nuk u nevojitet drita.

    Është natë e madhe sonte
    Nata e derrave të kënaqur!

    Prej mijëra vjetësh
    Sokrati i vuajtur
    Pret të zbardhë.
    Një natë e errët pus
    Mbi atdhe…
    Një natë e gjatë!


    KUR PAT NDRRUA JETË SADRIA

    Kur bariu i bjeshkës, Sadria
    Që e kish mbush gati nji shekull
    Po jepte shpirt në shtrat të dekës
    Nisi të flasë me gishta…

    Iu afruan djemtë
    Edhe ata, burra të moçëm
    Tu thanë si në të qeshun:
    Baba asht ka numron delet
    Tu i shti në vathë!

    Sadria, bariu legjendë i bjeshkës
    I ndieu dhe foli ashtu nën petka
    I kam shti, i kam shti
    Por veç nja dy dele
    Paskan mbetë në mal
    Dhe shtriu dorën e thatë si krrabë
    Përtej dritares
    Ku dy re të bardha si dele
    Endeshin në qiell.


    LUMI I VJEDHUR I DRENUSHËS

    Zbret drenusha e harlisur për të pirë ujë
    Në lumin e vajzërisë
    Por lumë s’ka askund
    As rrjedhë, as gurgullimë
    Veç një tub.

    E lebetitur mbetet në luginë
    “E mjera unë për ty që s’je më
    Lumi im”!

    Mite, legjenda,
    Këngë vajtimtare zanash
    Brenga kreshnikësh
    Të burgosura përjetësisht
    Në tublumin përbindësh.

    Drenusha e etur merr arratinë.
    Prej mijëra vjetësh
    Ajo
    Nuk e kupton njeriun.


    VONË

    Po ikim ngadalë, ngadalë
    Po humbim,
    Si në një valle zanash.

    Kurrë s’ do ta shohim më lindjen e diellit.
    Shpirti do të na plasë prej mallit.
    Perendimin s’do e shohim më.
    As nuk do të mundemi
    Të fantazojmë një ditë plot diell.

    Një re e madhe, sa një mal
    Endet qiejve.

    Ti ike befas
    Kur ne po prisnim lindjen e diellit
    Në oborrin e trazuar të botës.

    Një natë e errët e pafund
    U rrëzua para gjunjve tanë.
    Tani u bë vonë
    Që dielli të lindë prapë.

    Gjithçka rreth nesh është shkretëtirë
    Qëkur ti ike
    Me lindjen dhe perëndimin
    Ngarkuar si peng
    Mbi shpinë!

    Shpirti im
    Si një gamile e humbur
    Endet
    Në shkretëtirë.


    STINA E DHIMBJES

    Mos e harro kurrë
    Vesën që lag barin
    Cicërmat e zogjve.
    Mos e harro kurrë dhimbjen time
    Si kitarë

    Mos e harro këtë hardhi të moçme.
    Në trungun e saj
    Fle shpirti i paqtë i gjyshërve të tu.

    Mbi gjurmët e tua në pluhur
    Ka rënë shi.
    Një trëndafil ka mbirë aty
    Si dhimbje.

    Bëj kryq në kishën e Shën Françeskut
    Jepja dorën një të vobekti
    Buzëqeshi dhe mundohu t’ia kuptosh dhimbjen
    Se nesër, ti mund të kesh nevojë
    Për dorën e dikujt.

    Mos e harro kurrë këtë mjegull
    Këtë stinë dhimbjesh
    Ku ne
    Humbëm rugën!


    LIDHËSET

    Gjithë jetën
    Ecin së bashku pranë njëra-tjetrës
    Shëtitin të njëjta vende
    Shohin të njëjtat rrugë
    Të njëjtit njerëz.

    Të lidhura nyje
    Ecin pas fatit
    Të tyre.

    Sapo provojnë të zgjidhen
    I zoti përkulet
    I lidh
    Ua merr frymën.

    Vetëm në mbrëmje
    Në korridorin e ftohtë
    I zoti i zgjidh.

    Lidhëseve
    Nuk u pëlqen liria e dhuruar.
    Mbi dysheme
    Ëndërrojnë gjithë natën
    Lirinë e vërtetë
    Të munguarën.
    Në mëngjes i zoti
    Sërish
    I lidh.

    Lidhëset nuk e kanë provuar kurrë lirinë.
    Por luftojnë
    Ta mbërrinjë.

    Mos e shtërngo kurrë
    Një lidhëse
    Që fshehtas teje
    U zgjidh!


    ENDACAKU ME QEN

    Në mesnatën që ngrin
    Me sytë gjysmë të mbyllur
    Mbështetur në një avlli të periferisë
    Nis e dremit…

    Dy hapa pranë tij
    Qeni i moçëm , Xhufi
    Dridhet.

    Endacaku ëndërron një shtëpi.
    Me sytë gjysmë të mbyllur
    Ndërton një vilë
    Me dyer të bukura, dritare të mëdha.
    E sheh e kundron
    Merr Xhufin përdore
    Dhe hyn.

    Ndezin një zjarr
    Dhe digjen
    Të dy!


    NJË PLAK ROM PO END THUPRAT

    Me kokën që e tund si një një ritual të lashtë
    U flet thuprave të shelgut
    Ndanë lumit me ujëra të kaltra
    Në lagjen nomade
    Plot çadra.

    Thuprat e shelgut
    Mes gishtërinjve
    Marrin një formë mahnitëse.

    Romi plak
    End dhe këndon nën zë
    Fatin e tij shëtitës.

    Ai
    End e end paprerë,
    Në sy i bulëzojnë lotë.
    Trishtimin dhe gazin e jetës
    E bën shportë!


    LUNDRIMI I VARKËS SË BARDHË

    I vetëm në atë breg magjik të Shëngjinit,
    Gjysmëshekulli më parë
    Tek mendoja tej horizonteve
    Krejt papritur u shndërrova në varkë.

    Thirrjet e nënës time në muzg
    Nga droja se kam ikur larg
    Dhe britmat e erës shëngjinase
    I hodha si rrjetë mbi varkë.

    E ika pafajëshit
    Për të mos u kthyer prapë.

    Mes detesh lundron varka ime e bardhë
    Me flamurin e ngritur të fëmijërisë
    Era fryn përsëri si më parë
    Nëna përsëri më lutet të vij.

    Lundroj tashmë me barkën e moçme
    Shenoj emra detesh e limanesh të rinj
    Në njërin prej tyre, do të gjej thirrjet e nënës
    Dhe erën që fryn e fryn papushim.

    Një varkë e bardhë
    Që lundron pa kthim!

    Mbi fushën paskaj
    Ra mjegulla
    Por ujqërit e vjetër
    S’ janë më…

    Një mjegull e dendur
    Pafundësisht gri.

    Një mjegull
    Që po lind
    Ujq të rinj!


    NATË E NXEHTË NË SINAI

    Mbi shkretëtirën e Sinait
    Ngrihet magjishëm
    Bashkë me të nxehtin,
    Një këngë e vjetër beduinësh
    Dhe një hënë e ngrënë.

    Të kisha mundësi
    Ta derdhja Drinin tim,
    Mbi etjen e përjetshme
    Të kësaj kënge
    Dhe hënës!


    GAMILJA NUK ËSHTË E PËRDALË

    Europianët hypin e zbresin gamileve
    Në shkretëtirë.
    Sa zbret i pari
    Bëhet gati i dyti.

    Gamilja me gjunjët përkulur
    Pret gjysmë e shtrirë.
    Në ritualin tallës
    Të Europës mbi shpinë.

    Gamilja më e palumtur e botës
    Nuk u buzëqesh europianëve.
    E rraskapitur
    Vazhdon ritualin e saj.

    Zbrit njëri, hyp tjetri.
    Por gamilja
    Nuk është e përdalë.

    Hëna, shikon e çmendet
    Mbi shkretëtirën e Sinait.


    FËMIJA SHTATË VJEÇAR NË SHKRETËTIRË

    Rafiku, fëmija shtatëvjeçar i Beduinit Mustafa,
    Diku në shkretëtirë, larg Charm el Cheikh,
    Më sheh drejt e në sy, më flet
    Tek më shtrin para syve , dorën e vet…

    Unë i vendos mbi pëllëmbë
    Një euro e pesëdhjetë cent.
    Nuk i merr
    M’i kthen sërish
    Dhe diçka flet
    Arabisht.

    Shoqëruesi ynë, Irfan
    Më tërheq ngadalë e më rrëfen:
    Rafiku, i biri shtatëvjeçar i beduinit
    Nuk po lypte me dorën e shtrirë.
    Ai po të thosh se jam rritur
    Dhe mundem që me këtë dorë
    Të mbaj familjen!

    Mbi Gadishullin e Sinait
    Era frynte
    Si një hare e çuditshme beduinësh!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË