Është shndërruar gati në prirje, vitet e fundit, që figura të njohura të medias të shpalosen dhe të promovohen, jo pa sukses, edhe në disiplina të tjera, duke filluar nga botimet historike, letërsi artistike dhe përkthim letrar, studime, kritikë, show, fotografi, e deri te librat e kuzhinës. Falë familjarizimit të tyre me publikun, këto vepra nuk kalojnë pa u vënë re, madje në disa raste kanë qenë sensacione në treg.
Kjo lloj alter-ego, më shumë se nevojë për audiencë, vjen si thirrje e brendshme për të përmbushur atë pjesë të personalitetit që ua kufizon puna në media, që gjithsesi mbetet ajo e një ndërmjetësi, që është hapësira subjektive. I tillë vjen edhe ky libër i shkruar nga Alfred Lela, gazetar me një personalitet të spikatur për stilin e tij, racional, të shtruar dhe ironik. Prandaj pritet që ky libër të ngjallë shumë kërshëri, siç ngjall kërshëri edhe fakti që ai zgjedh të komunikojë intimisht me lexuesin, përmes poezisë, veçanërisht në një kohë kur poezia, siç shprehet autori në një nga vargjet e këtij libri, është si “ajo pela gërdallë/ për të cilën askush nuk vë më bast”.
Libri shtrihet në një hark të gjatë kohor, me poezi të shkruara që nga vitet studentore e deri në ditët e sotme dhe si i tillë, reflekton në një farë mënyre historinë e tij personale, e zbërthyer si udhëtim në vende dhe kohë. Por duke qenë të preservuara në përjetimin e tyre origjinal, ato ndihmojnë më së shumti për të kuptuar atë rrugëtim të brendshëm të individit në raport me elementet që krijojnë identitetin e tij, si: vendlindja, historia, dashuria, familja, natyra, politika, arti, dhe jeta në përgjithësi.
Libri e merr titullin nga poezia “Solo”, duket një autoportret, apo një lloj “shfajësimi” para vetvetes për brishtësinë e tij si karakter, për pamundësinë e përshtatjes në një botë që lufton për “lirinë për t’u çmendur”. Kjo poezi shërben si një postludë, një konstatim në procesin e njohjes së vetvetes, pas një përvoje të gjatë dhe të shumëllojshme, që vjen e strukturuar në kapituj: Jam i prerë hollë. Si brisk rroje që kërcënon qafën e një burri kur rruhet për herë të parë. Dhe kjo, natyrisht, shpjegon shumë gjëra, që në poezi shfaqen si shkak dhe pasojë.
Në kapitullin e parë, që mund të quhet i dashurisë, ne si lexues e kemi të vështirë të krijojmë një ide konkrete mbi episode, skena apo karaktere, sepse, pavarësisht detajeve, ata ngjajnë si të mbivendosur mbi njëri-tjetrin, sikur kemi të bëjmë me një dashuri të vetme që i përgjithëson të gjitha. Duket se kjo është një zgjidhje e qëllimshme stilistike e autorit, e cila shoqërohet edhe nga ironia dhe vetë-ironia, dhe vendoset mbi një shtrat mitologjik. Në poezinë “Sa të gjitha netët” shkruhet: Më mungon si një brinjë/ Dhe pyes veten: e humba kur dilja në mal si Abrahami, apo u linda pa të? Përmes një narracioni të tillë, autori e zhvesh rrëfimin nga sentimentalizmi, duke krijuar një lloj demistifikimi. Dhe kur ky element përsëritet vazhdimisht nga njëra poezi te tjetra semantika përforcohet, duke lënë të nënkuptohet që vetë dashuria mund të shndërrohet në një klishe pas një farë kohe: Është brinja ime, e rënë në ijën e një burri tjetër, si një sondë në Mars, apo: Çfarë është dashuria,/ Veçse një grua që di të jetë/ E dashura, bija dhe gruaja. Ky përjetim, analitik më tepër se emocional, bën që poezitë e tij të tingëllojnë disi të ftohta, hera-herës dhe cerebrale, duke i mëshuar më tepër kontekstit se sa vetë ngjarjes.
Cikli “Poezi të Amerikës” është ndoshta më interesanti në libër. E veçanta e këtij cikli, si edhe e poezive të tjera që janë shkruar jashtë Shqipërisë, është se nuk shprehin atë kureshtje apo habi eksploruese të vendeve të panjohura më parë, siç e hasim zakonisht në poezinë e këtij lloji, por vetëm një pikë-vështrimi, distancë fizike dhe emocionale të domosdoshme për të reflektuar mbi atë që bartim, mbi atë që jemi dhe mbi realitetin shqiptar që lëmë pas, përsiatje që përcillen më tepër me nota satirike se sa nostalgjike: Ç’bën e dashura dhe qyteti,/kur pa drita krahu lindor viziton krahun jugor të pa ujë,/dhe Kryeministri pi hënën në një gotë qeveritare? Në poezinë “Ditë Falënderimesh”, që mendoj se është një nga më të bukurat e librit, autori përmes detajesh arrin të krijojë gjendjen e vetmisë fizike dhe kulturore të emigrantit në një vend të huaj, përmes vargjesh të tilla: Zezakja që troket në portë në orën gjashtë/Hapja nervoze e grilës,/Ditë Falënderimesh/Vanden Plas, ujk i vetmuar që fle jashtë. Por edhe këtu poezia zhvillohet si një lloj “inventari” i asaj që mbartim dhe përfaqësojmë si popull, të “Homo Albanicus”, që na kujton formulën tonë të mbijetesës me pak bukë, një kandil, një copë qiell, dhe ca libra (“Ich bin ein albaner!”).
Pavarësisht vendndodhjes, objekti mbartet brenda autorit, dhe kjo është vendlindja dhe çdo gjë tjetër që e lidh me të.
Poezitë e këtij libri dallohen për erudicionin e tyre, me një leksik të gjerë letrar, historik, politik, e deri teknologjik, që dëshmon jo vetëm një kulturë të gjithanshme, por edhe inteligjencën për t’u orientuar dhe abstraguar mbi këtë informacion. Në poezinë “Nënshtrimi” autori shprehet: Kështu shkojmë, varavingo, viadolorozës teknologjike, subjekte të një perandorie të paanë, ku Cezarin, Ajzenhauerin dhe De Golin, i kanë zëvendësuar burra të zbehtë, burragra.
Përveç groteskut, sarkazmës, që na kujtojnë edhe gazetarinë e tij, poezi të kësaj natyre, me këtë lloj peshe kritike, theksojnë një nga tiparet më rëndësishme të poezisë së tij, që është aftësia për të kuptuar përtej përditshmërisë dhe përtej perceptimit lokal, me një vizion shumë më të gjerë human, duke krijuar kështu tablonë e madhe të gjërave.
Referuar kohës kur ka filluar të shkruajë, duke se poezia dhe gazetaria për Fredin kanë ndodhur njëkohësisht, por ndërsa e dyta ka qenë e prekshme, publike, poezia ka ndjekur rrugën e saj të fshehtë, latente, njëlloj si ujërat nëntokësorë që shkojnë paralelisht me autostradën dhe që presin momentin e tyre për të shpërthyer jashtë. Dhe nuk ka rëndësi se kur vjen ky moment, sepse, ndryshe nga lajmi gazetaresk, letërsia nuk vjetrohet, nuk e humb aktualitetin, por “mbetet gjithmonë lajm”, siç thotë edhe Ezra Pound në “ABC-ja e leximit”.