More
    KreuLetërsiBibliotekë"Lulja e greminës", poezi nga Dhimitër Pojanaku

    “Lulja e greminës”, poezi nga Dhimitër Pojanaku

    PRAG KTHJELLIMI

    Ma shuaj dritën.
    Derën ma mbyll.
    Tani, do jem, i tëri, vetëm.
    Prit!
    M`i shuaj edhe dritat e dhomave të mendjes.
    Diç më sorollatet pasqyrave,
    Si ajo flutura me lara neonit tek qoshja e rrugës,
    Ja, atje!
    E sheh?!

    M`i shuaj edhe dritat e dhomave të trurit,
    Të jem bosh në kujtesë
    Si fëmija në çastin e lindjes,

    Ike?
    Prit, grilat!
    Ulmi grilat!


    SAGA E UJITJES

    Romaca i këndon uji bimës
    E fijet e rrënjës si tela i dredh
    Dhe shpirti i bimës, fjalët përzgjedh.
    E uji çdo çast, fal jetën me gaz
    Se e di që i bëhët lëng në damar,
    Frymë mbi petal,
    Tul në frut,
    Lëmim në lëkurë,
    Puhizë lajthize,
    Kordon kërthize.
    Se e di që bima do flerë e armatosur
    Me ëndrra për mëngjes,
    Se do përdredhë belin,
    Do matet me qiellin,
    Se e di,
    Sado qoftë i thatë dielli,
    Do tregojë me mburrje fytyrën alabastër të ujit.
    Romanca i këndon uji bimës,
    Edhe,
    Himne,
    Domosdo!


    HAJDUTJA

    Vdekja ngrihet natën e zvarritet këmbadoras në kufijtë e tokave të veta.
    Edhe pse në ato orë nuk bëzan frymë njeriu,
    Tregohet e kujdesshme,
    Mos përgojohet nesër.
    Me marifete djallëzore
    Zgjeron territore,
    Enkas vendos kangjella të dala boje
    Të duket sikur asnjë milimetër nuk ka luajtur kufiri
    Edhe nëse në mëngjes ndonjë syresh, larg e larg, i hedh ndonjë llaf,
    Do ia kthejë me qesëndi,
    “Tani edhe hajdute tokash?
    Jo, xhan,
    Kurrsesi.”


    BIE NATA…

    Mbi lumë,
    Muzgu puth dritën e fundit të ditës.
    Është një puthje e gjatë, e ngadaltë, e padukshme.
    Është aq e ëmbël sa dita,
    Meket,
    Mbi gjoks i mbështetet
    Dhe përhumbur të dy,
    Nata e ka të lehtë
    T’i shtjerë në gjumin e thellë.


    MOTRAT

    Lule në acar.
    Deti vaj.
    Tegela uji nën dëborë.
    Bisqe në pyllin e djegur.
    Fenerë mbi shpresën e shterur.
    Bar që na i mban e na e tret lotin si vesën.
    Supi, që na mban e na largon dhimbjen
    Si mali renë e mugët.
    Paqeruajtëse si gjyshet.
    Erëmirat mbi hidhërim.
    Shpirti,
    Që na rrëmben pikëllimin nga sytë dhe e vënë karficë mbi gjoks.
    Shpirti,
    Që nga gëzimi ynë,
    Shpërbëhet në qindra flutura të vogla krahëshkruara.


    MONOLOG I VERDHË
    (nëna pret të bijën te shtrat mermerët…)

    Erdhe Maro?
    Nuk duhet të vije kaq shpejt,
    Nuk duhet të lijë që mungesa jonë të të kthehej në makthe mbytëse,
    Se kishe yjet lart,
    Ne na shihje edhe nga sipër,
    Pa hyrë brenda perandorisë të bardhë.
    Më plastë tëmthi mua më keq se ç’më ka plasur që t’i njoha hapat.
    Tani u bë ç’u bë, nuk kthehet më,
    Ndaj shtriu tamam, ka vend.
    Çlodhu e më prit sa të lajmëroj tanët,
    Ca i kemi afër e ca larg,
    Po ftohesh.
    Je veshur bukur por këtu mardh e veshur.
    Duhet të rrallosh ndonjë rrobë…
    Çlodhu tani.
    Do kthehem,
    Nata e dimrit është e gjatë,
    Do e marrim fjalën me nge.
    Ndaj, shtrihu tamam,
    Ka vend.


    NËN BUTËSI…

    Muzgu zbret ngadalë, vjen me zor,
    I drojtur e i pa fjalë
    Si fëmijë në faj.

    Nga ankthi,
    Pezull rri,
    Se vetëm ai di
    Që brenda tij,
    Nën të rremen butësi,
    Si në barkun e Kalit të Trojës,
    Fshihet nata.


    SHEMËRAT

    S’gjenden të dyta shemëra si ato mbi dhe.
    Aq janë mësuar me luftën, sa betejat u duken paqe.
    Madje marrin hapur hiret dhe salltanetet e njëra-tjatrës.
    Dru për djep – jeta,
    Mogan për qivur – vdekja.
    Këpucë dhëndërie njëra,
    Llusrafin, tjetra, për rrugët e pluhurit.
    Mikiazh nuseve – jeta,
    Retush edhe vdekja mbi fytyrat e përhumbura,
    (Madje edhe burrave, nga lindja, për herë të parë u vë fill të kuq tek buzët.)
    Gosti për gaz – jeta,
    Tryezë mbi tryezë, ngre për mort – vdekja,
    (Madje i ka marrë jetës edhe pijet e forta)
    Lule per festime – jeta,
    Lule mbi lule kremtimesh, për të kallkanosurit – vdekja!
    Dy shemëra si ato,
    Ku s’dihet ku fillon lufta dhe ku mbaron armëpushimi, Zor se gjenden mbi dhe.


    NATËS!

    Më lodhi drita.
    Eja për pak tek unë
    O mbretëreshë e romancës dhe mëkatit,
    O strehë ëndërrash e pabesish,
    Ëndrra çokollatash dhe ëndrra gjëme,
    Melhemplage e zhvarrosëse kujtimesh.

    Është orë e pazakontë për ty, por eja dhe, mos më pyet përse,
    O djep-gjumi e vorbull-orgjie,
    Dashuri e virgjer e shthurrje,
    Nimfë e shtrigë,
    Bukuri e thekshme dhe e pashpirt,
    Terr guve dhe fluoreshente së thelli,
    Shtrat jete e vdekje.
    Drita qënka tepër e fortë sot, për sytë e mi,
    Më lodhi!


    FUNDI I VDEKJES

    Ik po të them, ik me të mirë, mjaft bëmë sherr!
    Në hirin që ty aq shumë të pëlqen,
    Gjeta një xixë,
    Mblodha fuqitë si ujin e shtrydhur nga rrënjët,
    Plasa bulçitë së i fryri,
    Dhe, e,ndeza.

    S’do mend që po çuditesh si po ngjitem vetë,
    Tek shkalla e tretë jam, drejt së katërtës.
    Ik, me të mirë, pa sherr,
    Se me këmbën e poshtme gati në të ngjitur për lart,
    Do të godas në surrat,
    Do të bëj përshesh e do biesh përdhe e do shpërbëhesh si pelte e verdhë.
    Ik,
    Çasti që ishim aq afër sa mund të këmbenim frymët,
    Kaloi.
    Gjaku i ftohur m’u ngroh, m’u ngjyros.
    Po lëviz.

    Në damarët e mi,
    Lëvrijnë erërat e jetës,
    Si klorifili në pyje.


    RRUGËT NATËN

    Ti s’ke që s’ke gjumë, më nojmatisin rrugët
    mbështetur tek parvazi i dritares,
    Vish ç’të veshësh dhe,
    Dil!
    Netëve jemi të vakta,
    Të ftohta si shtretërit në dhomat bosh.
    Të harruara jemi,
    Si lokalet e plazheve në dimër.
    Vish ç’të veshesh dhe,
    Dil!
    Ti s’ke që s’ke gjumë,
    Rëshqit mbi trupin tonë
    Si harku mbi violinë,
    Atëherë do na e dëgjosh këngën si
    Simfoni lumi në prag shirash.


    SHTATZËNAT NË PRAG LINDJE

    Shegë në shporta, shegë në degë.
    Kokrrat kuq – e – prush nga padurimi për të parë botën.
    Veshulë rrushi në kosha, e mijëra kokrra në but.
    Në lëngun musht,
    Luhen notat e para të këngës së verës.
    Hambarët plot – e – përplot u qeshin magjeve ku brumi sapo – ka – ardhur,
    E buka e re në sepetka lëshon avuj si ajri në pikun i verës.

    Në shportat majë më majë me mollët gold, starking, të verdha, të kuqe,
    Fijet e thurrjeve mend këputen prej gëzimit.

    Kajsi push të buta e dardha cucka
    Sheqerosin kanistra.
    Dhjetra të tjera,
    Bien përdhe pa u lënduar,
    Për të ëmbëlsuar prehërin e tokës.

    Sakët me zor ngrehin rrjetat
    N’argjend ngjyer!

    Vjeshta përhapur rrathë-rrathë,
    Në bohçet qarkuar belit,
    Shtie ftonj.

    Shkon e, këndon.


    LULJA E GREMINËS

    Sa rashë, e pashë.
    Ngrihej mbi fundin, e fortë, e bardhë,
    Si dhëmb elefanti.

    Dritën e rrëmben nga një e çarë e zbehtë,
    Dhe mbrëmjeve,
    Si kandil,
    Ma ndriçon edhe mua fytyrën,
    Se ke frymë të butë dhe me aromë mente, më thotë,
    Se fryma jote më qetëson gjethet.

    Rrënjët i ka hapur si katakombe nën greminë,
    E gjuan damarët e ujit.
    Të parët i kanë mësuar një këngë
    Si të ktheje errësirën në dritë,
    Aq sa i duhet, jo me tepër.
    Ma mësoi edhe mua,
    E këndonim tok.
    Mos e këndo, më thosh, kur të ngjitesh sipër,
    (E kish fjalën për këtu, te ju)
    Sipër, më thosh, magjia nuk ka fuqi,
    Se hijeve atje, nuk u njihet asedhepak shembëlltyra,
    Por edhe në harron dhe e këndon
    Këndoje kur pikas se errësira po proftas në mes të ditës,

    E teksa vinte buzën në gaz,
    I dridhej njëri petal.


    Ky cikël poetik u shkëput nga libri “Marta”, botim i sh.b. “ Onufri”, Tiranë 2022.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË