More
    KreuLetërsiBibliotekë"Lufta" tregim nga Mark Simoni

    “Lufta” tregim nga Mark Simoni

    Që nga koha e luftës, në qytet patën mbetur vetëm mëhalla e vjetër me një grusht shtëpishë, (që shtriheshin të përgjumura që nga Fusha e Hanit e deri në Kodër Top),qekëmba e madhe sakate e Urës ku mbështeteshin dy harqet, (që gjermanët e hodhën në erë pasi lanë qytetin), ishin tre a katër pleq që silleshin shkollë më shkollë e ndërmarrje në ndërmarrje për të rrëfyer bëmat e tyre të luftës, (dhe që shpesh fëmijët u bënin pyetjen sakëlldisëse se “sa gjermanë keni vrarë?”), si dhe dëgjoheshin tek tuk disa histori të vogla të atyre tri ditëve, kur gjermanët ndejtën dhe u sollën vërdallë nëpër qytet deri sa ikën. Mbeti po ashtu dhe data 23 e nëntorit, si dita e çlirimit të qytetit, (që festohej për çdo vit), si dhe u ndërtuan Vorrezat e Dëshmorëve të luftës, (por, që për be, asnjëri prej tyre nuk pati rënë në luftë, por vetëm atëherë kur Shqipëria qe çliruar). Po nga ato vite, pati mbetur në qytet  dhe një ushtarak i vjetër, me mustaqe dhe krejt i ngrysur, që i ngjante shumë Stalinit, dhe që thuhej se në luftë kishte qenë trim e azgan djalë.

    Megjithëse nuk kishte asnjë libër shkolle pa tregime për luftën, pa portrete dëshmorësh, apo dhe fjalime e histori që lidheshin deomos me ato vite, prap se prap, dalngadalë imazhi i luftës erdhi dhe u rrudh disi, dhedalë ngadalë e mbuloi një mjegull e lehtë.

    Jehona e luftës dhe e armiqëve kujtohej vetëm atëherë kur mesnatave klithnin e binin sirenat e alarmit, dhe qyteti fikte dritat e mbulohej nga terri. Njerëzit, të lemeritur e të përgjumur, dilnin vrik prej shtretërish dhe nga shtëpitë, dhe turravrap ia mësynin drejt vendstrehimeve me erë myku dhe lagështire, duke tërhequr për krahësh të vjetrit që dihasnin dhe mezi ecnin dhe mbusheshin me frymë, dhe që mallkonin e luteshin me gjithë shpirt që t’i linin aty, se nuk mundeshin të lëviznin dot më, e le të vinte çtë donte, murtaja e lufta dhe t’i zinte në rrugë të madhe.  S’mundeshin dot më, dhe bënin rixha që le t’i merrte dreqi. Tek vraponi me pallto e batanije krahëve, përshpërisnin nën zë dhe në fshehtësi, sikur armiku të ishte aty pranë, në trotuarin tjetër. Sirenat pëllisnin si dema që po thereshin, dhe ashtu të kallnin datën. Autoparlantë të mëdhenj, vendosur mbi pallatin e kulturës dhe mbi shtyllat më të larta të qytetit, e hapnin nëpër terr zërin ushtarak të spikerit dhe fjalët e tij urdhëruese dhe plot nerv dhe ankth, se mbi qytete do fluturonin avionë bombardues dhe se armiku sapo qe nisur drejt nesh. Ndonjë zë britiste me të madhe: Ej, ju atje, fikni dritën, mos të ndezë kush çakmak!

    Nëpër natë, gjithë tërsëllimë, arrogantë dhe në krye të detyrës, mes përmes alarmit, të rreptë dhe të zymtë, nurësezë dhe nevrikë, silleshin ca oficerë, që bënin si të luftës, por që s’patën kurrë fatin, (të mirë a të keq), të kishin qenë së paku një herë të vetme në ndonjë betejë, dhe në trup nuk kishin as varrën më të vogël dhe jo më plagë lufte.

    Ndërsa gjëja tjetër, (që lidhej me luftën), por kuptohej, më e këndshme dhe e hareshme, ishte java kur nëpër qytet përgatitej festa e çlirimit.

    Atyre ditëve, pemët dhe shtyllat lidheshin me vargoj flamurësh trekëndësha të vegjël dhe me llampat elektrike të lyera me ngjyra, që rrinin radhë rradhë si tespiet. Makina e ujit që lagte rrugët dhe pastrueset me fshesa të reja fringo, i binin pash e në pash qytetit, gjithë shend e verë feste.

    Gjatë gjithë asaj jave, nëpër qytet silleshin vërdallë, tërë krenari, ca njerëz me shirita të kuq në krahë, lidhur mbi mëngët e xhakaventove a palltove, ku shkruhej “roje vullnetare”. Thuhej se qenë atje për të ruajtur rendin dhe situatën, se mos ndonjë edepsëz bënte ndonjë zollum dhe prishte gjërat e festës, mos luanin nga pemët vargun e dritave me ngjyra apo ndonjë flamur të varur parvazeve. Kudo, gjithëkund, cepave të trotuareve, natë e ditë, me shiritat e kuq në krahë, me kasketat e ulura deri në vetulla, në  gadishmëri dhe duke përgjuar çdo hap, me sytë katër dhe vigjilentë të mëdhenj. Për to, fshehtas, tinës e nën zë thuhej se qenë fuksa dhe spiuna, që të merrnin në qafë.

    Rrugëve të qytetit, poshtë e përpjetë mëhallave, shëtiste banda muzikore e  qytetit, me veglat frymore, që nga pistonët dhe klarinetat e trompat e vogla, e deri te trombonët e basët e shëmtuar e kabahë. Të gjithë instrumentistët të veshur me kostumet e zinj, me shiritat e bardhë në jaka, në mëngë e në këmbëza, ashtu në kuadrat, rrugicë më rrugicë, në çdo zgëq, me potpuri melodishë partizane. Pas u shkonin, si tufë harabelash, turma kalamajsh, që ose bënin sikur po u binin veglave duke përdredhur gishtat, ose luanin krahët si të ishin dirigjentë.

    Në shesh të qytetit mbërrinin dy a tri makina ushtrie me kapriatat prej dërrasash, me të cilat do të bëhej tribuna e lartë, atje ku në mitingun e festës do të hipnin dhe zinin vend njerëzit më të rëndësishëm të zyrave, (“gameshat”, siç i quanin nëpër qytet). Do ngjiteshin atje dhe  familjarë dëshmorësh, punëtorë të dalluar ndërmarrjesh, kryetarët e qyteteve të tjera rreth e rrotull, ushtarakë pa grada, (por që duartrokisnin të parët me furi kur dënoheshin grupet armiqsore), të rinj si burra të vegjël dhe spitullaqë, të qethur sipas standartit zyrtar dhe që prisnin të ngriheshin në karrierë. Në qendër, fare pranë mikrofonit, ndonjë vajzë e hijshme dhe me biografi të mirë, e veshur krejt me petka kombëtare, që bënte falenderimet dhe u jepte fjalën njerëzve që do përshëndesnin. Anash saj, patjetër si përherë do të zinin vend, Sekretari i parë i qytetit nga njëri krah, dhe në krahun tjetër, më i rëndësishmi i tribunës, i deleguari që vinte bash nga Tirana, dhe që thuhej se këto të deleguarit që niseshin nëpër festat e çlirimit të qyteteve, i bekonte dhe i niste për këndej vetë Ushëheqësi. Dhe aty, tek rëndësia e të deleguarit, tek postet që ai kishte dhe te funksionet që mbante, njerëzit mundoheshin të kuptonin dhe të merrnin me mend se sa e dontë udhëheqësi qytetin tonë.  

    Dërrasat e tribunës visheshin me beze të kuqe, dhe tribuna priste aty tri a katër ditë, (deri sa të vinte festa), e ruajtur me serbesllek nga kapterrët, që zbrapsnin furinë e fëmijëve kurjozë, që donin të hypnin atje lart. 

    Të gjithë asaj jave, majë tribunës ngjiteshin dhe zbrisnin grupe amatore artistike. Kudo, anë e kënd, ia vlonte muzika. Ansamble koperativash mbërrinin nga katër anët. Makinat e fshatrave zbraznin dhe shkarkonin në shesh të qytetit, gjithë ditën e ditës, këngëtarë, trasta me rroba kombëtare, vallëtarë dhe qëleshe, artistë zonash dhe dajre ahengu. Dhe pastaj me rradhë, fshat pas fshati, kooperativë pas kooperative, grupet artistike ngjiteshin në tribunën e kuqe, të udhëhequr nga punonjësit e vatrave të vogla të kulturës, apo nga ndonjë regjisor amator, që bënte si i rëndësishëm dhe kompetent, dhe që mbante kokën ulur, rënduar nga mendimet, idetë e mëdha dhe shqetësimet e punëve të kulturës. Gjithëkah plaste vallja dhe daullja, hare e madhe,  gërneta dhe dajreja. Ia merrnin këngës këngëtarë të suksesshëm të fshatrave, (seriozë në vetdijen e cilësisë së tyre), që kishin lënë namë, jo vetëm në Gjirokastër dhe ngado që kishin shkuar festivalesh, por edhe deri në dasma të mëdha, dhe jehona e namit të tyre kishte shkuar deri larg. Qenë nga ata, që për muzikën nuk ia hapnin dhe lëshonin rrugën askujtë, nuk të falnin centimin.

    Megjithëse e dija fare mirë se lufta pati gati 25 vjet që kishte mbaruar, aq bukur e bënin çlirimin imagjinarë të qytetit, (në mëngjesin e së dielës së festës), me bomba hedhur rrugëve dhe lulishteve, me mitralozë që shtinin batare dhe breshëri nga katër anët, me tym e flakë, granata dhe thirrjet urra, sa unë si fëmijë për çdo vit hutohesha aq shumë, dhe mendoja se ato që bënin këtë lloj lufte nëpër qytet qenë vërtetë  partizanë.

    Unë e kisha shtëpinë te katërkatëshi, pallati më i lartë i qytetit, me një tarracë zifti përsipër. Çdo vit, një natë më parë se të vinte dita e festës, oficerë dhe ushtarë të shumtë, sillnin me makina Zil apo dhe në krahë, mitrolozë të rëndë, arka të mëdha me vargje fishekësh dhe i ngjisnin atje lart, në tarracë, mbi tavanët e shtëpive tona, në sheshin e madh të ziftit dhe katramahit. Gjithë natën e gjatë, se çfarë rregullonin e rrokomiznin atje lart nuk kuptohej dhe s’merrej vesh, por për një gjë dihej fare mirë, se ato gjithësesi prisnin mëngjesin, që me ato mitrolozë të mëdhenj dhe të rëndë sa gazepi, të shtinin gjithë rropamë e tërsëllimë, dhe të zhbinin tokën, duke bërë sikur qyteti po çlirohej vërtetë bash atë ditë.

    Pallati ynë qe rrëzë malit, prej nga do të dukej se po zbrisnin ata që ishin veshur si partizanë, dhe që do e çlironin si çdo vit qytetin. Qyshë herët në mëngjes, shkallët e godinës sonë të madhe e gërdallë, mbusheshin plot e përplot me këto  djem e  vajza, që të ulur shesh  në pllaka, bluanin e përtypnin gurabija, shama dhe gjevrekë. Dhe prisnin shkallëve, me veshët pipzë, urdhërin që të dilnin prej aty dhe pastaj t’ia mësynin dhe t’i lëshoheshin qytetit, me granata dhe tymqe, me rropama, me patllake e pushkaliqe, me pisçolla dhe me bomba manovre, duke bërtitur deri në kupë të qiellit, “urra, urra, urra”, dhe pastaj të mbërrinin atje te sheshi, ku me entuziasëm dhe hare do ngrinin flamurin e madh të çlirimit.

    Sa zbardhte dita ia plasnin mitrolozët sa gazepi, që ua dëgjoja gërvimat e kamalecëve të tyre, të rrëshqisnin lehtë nëpër tarracë, (si këmbë kecash në pllakat e lëmuara të qytetit). Bataretë e gjata e zhbinin tokën nga krismat, ndërsa mbi tavanët tona dëgjoja të binin pa rreshtur gëzhojat, që kërcisnin si kakërdhitë e bagëtive, kur binin në çardakun e thertores së pazarit të vjetër.

    Vetëm e vetëm atëherë kur mbërrinte nëntori dhe vinte festa e çlirimit, i gjithë qyteti kujtohej edhe për ata të dy. Ishin njerëzit më të çuditshëm të luftës.

    Njëri, që e kishte vuajtur gjithë jetën dëshirën e madhe për t’u vrarë dhe rënë në luftë. Kishte dashur me gjithë shpirt të bëhej dëshmorë. Por megjithëse i pati rënë pash e në pash qytetit dhe fshatrave, duke kërkuar luftën, askund për be nuk kishte parë as partizanë dhe as gjermanë, e aq më pak pati dëgjuar krisma dhe batare.

    Kurse ai tjetri qe një i metë. Në ato kohë, kur ishte bërë thirrja se, nga çdo familje njëri prej tyre duhej të dilte partizan, ata të shtëpisë ia patën vënë menjëherë gishti atij dhe e kishi reshtur e nisur për në mal. Dhe kur lufta mbaroi e gjermanët ikën, (dhe partizanët kuptohet u kthyen shtëpive), edhe atij i patën thënë që të kthehej në shtëpi se nuk kishte më luftë. “Jo, dua të rri akoma!”. Thuhej nën zë se, tri ditë përpara se të vinte në festën e çlirimit, (ku e ftonin përherë dhe s’e harronin kurrë), ai e vishte rreth qafës shallin e kuq partizan, dhe nuk e hiqte për qamet, as dhe kur binte për të fjetur. E mbante aty me ditë të tëra, deri sa mitingu i festës të merrte fund.

    Nga të katër anët, nga rrugët e largëta dhe me pluhur, ditën e festës ia mësynin drejt qytetit makinat e fshatrave, Zisa e Gaza, stolisur e bajalldisur me flamuj, parrulla dhe tufa lulesh. Nëpër kabinat e makinave, bashkë me shoferët, zinin vend, kaperdiseshin  dhe rehatoheshin kryetarët e kooperative, barkalecë dhe pompozë, të lumtur dhe krenarë, sikur të qenë bash ata vetë që e kishin çliruar vendin. Ndërsa mbi karroceritë, atje lart, paloseshin si sardelet e thata në kuti, shtërngueshëm me njëri tjetrin, katundarët, mes thëllimit dhe haresë, murlanit dhe këngës e brohoritjeve, duke u tharë prej të ftohti dhe me dajre në dorë, tek tundnin parrullat e banderolat gjithë entuziasëm, duke ia merrë këngës me të madhe, (fare pa hesapë me muzikën). Këngë partizane edhe trimërie, teksa fshinin sa mundnin, hundët e skuqura nga rrufa dhe të ftohtit. Tek tuk ca fëmijë, të marrë me vete gjithë qefë për festë, hipur atje në majë të spontave të larta, veshur  gjoja bukur, dhe që dukeshin allo soj, me xhaketa të reja, por pak më të mëdhaja nga çduheshin, (xhaketat dalloheshin tek gjatësia e mëngëve, mbase të vëllezërve pak më të rritur). Gjatë gjithë rrugës, fëmijët me sytë e hapur jashtë mase dhe të përlotur nga era e fortë e dimrit, prisnin gjithë ankth, habi dhe kuriozitet, që më në fund të shfaqej qyteti dhe festa.

    Rreth orës dhjetë, para mitingut, korteu i njerëzve të rëndësishëm të festës, nisej për tek Vorrezhat e Dëshmorëve. Mes e  përmes rrugës, të rrethuar prej mizërisë që duartokiste entuziaste nga anash, hipur trotuareve. Korteu ecte ngadalë. Të gjithë në heshtje dhe dhimbje, të piklluar dhe të vrenjtur, me sytë e zvogluar disi, por që ama shikonin diku larg. Vargu kishte zyrtarët më të rëndësishëm. Më pas vazhdonte me grupin e atyre që quheshin veteranë, dhe që kishin në jakat e xhaketave dhe mbi gjokse me dhjetra distingtivë dhe medalje trimërie që u xixëllonin si luspa. (Nëpër qytet thuhej nën zë se disa prej veteranëve kishin mbledhur dhe vënë në gjokse edhe medaljet e atyre që patën vdekur, që të dukeshin si trima akoma edhe më shumë). Menjëherë pas tyre, në varg vinin familjarët e dëshmorëve, më të vobegtit dhe të përvuajturit e asaj rradhe të gjatë. Diku nga fundi ca zyrtarë të rinj karriere, kryetarë koperativash, drejtorë ndërmarrjesh, novatorë që kishin shpikur ndonjë bullon a dado. Në fund krejt, karvani mbyllej me shofera dhe traktoristë që punonin për vite e vite që akoma s’kishin ardhur, por që të mjerët, duke rendur pas atyre viteve që nuk i mbërrinin dot kurrë, (dhe që nuk jetuan as dhe ditë vitet e veta normale), ishin vyshkur, plakur e tharë si t’i kishin shpëtuar dreqit nga duart.

    Në krye të korteut të pikëlluar dhe gjithë pezm, ecte ngadalë banda muzikore e qytetit me marshet funebër të saj, ku herë pas here dëgjohej muzika vajtuese dhe plot tinguj këmbanash e Shopenit. Një hap më pas instrumenistëve qenë ushtarakët, krejt heroikë, krenarë si heronj këngësh, nga ata që të merrnin gjak në vetull, dhe që mbanin  në duar, dy e nga dy, kurorat e bukura të atyre fatlumëve që ranë për Atdheun.

    Pritej gjatë kthimin e tyre nga Varrezat. Teksa sheshi bushej cep e në cep me njerëz, të vënë në kuadrate të rregullt, sipas ndërmarrjeve dhe kooperativave. Pallateve dhe godinave përrreth sheshit, ballkonesh, tarracash, dritaresh, hipur e kacavarur qindra koka që shtynin njëra tjetrën, si me brirë, që kush e kush ta shikonte sa më mirë mitingun. Muzikë autoparlantësh, brohorima, valvitje flamujsh, vërdallisje njerëzish nëpër turmë, (duke kërkuar të gjenin kuadratin ku e kishin vendin), si dhe fuksat në lëvizje, me hapa të lehtë por të sigurtë, me sytë katër, gjithë ankth dhe djersë.

    Dhe vetëm atëherë kur njerëzit e korteut ktheheshin më në fund nga Varrezat, dhe merrnin shkallët për të hipur në tribunë, atëherë pra, ia plaste gjithë ethe, gëzim dhe hre entuziasmi i madh. Shugullonte tokë e qiell. Futeshin në rol ato që ishin porositur nga shefat, që të duartrokisnin dhe më brohorimat e tyre të forta, të mundnin edhe ndërmarrjet dhe koperativat e tjera përrreth. Vullneti i duartrokitësve, brohorimat deri në kupë të qiellit, arrinin kulmin. Pastaj himni i flamurit, dhe flamuri i madh, i rëndë dhe prej atllasi, i larë për bukuri, që vezullonte dhe që ngjitej ngadalë në një shtizë shumë të lartë, të cilën e patën ngulur përbrij tribunës.

    Në mikrofon nisnin përshëndetjet, dhe që nga autoparlantët e lidhur kudo, majë shtyllash dhe pemësh, mbi godina pallatesh dhe në parvaze dritaresh, e shpërndanin zërin anë e mbanë. Pastaj vinin fjalimet kryesore, ndarja e flamurëve për punë të mirë dhe realizim të planeve, fletëlavdrimet e shkruara me varak të verdhë, vendosje dinstiktivësh të shëndritshëm, fjalë dhe betime para popullit, (që herë pas here ndërpriteshin nga zëri i rëndë bas i ndonjërit, dhe që thërriste me sa kishte në kry, që të rronte sa malet Partia. I fundit përherë e merrte fjalën i deleguari i Tiranës. Që, sapo thoshte se, po sillte bash përshëndetjet e vetë Udhëheqësit, një dritë lumturie binte në fytyrat e disave, që besonin se udhëheqësi i njihte vërtetë ata përsonalisht dhe ua kishte dërguar urimin enkas atyre.

    Dhe vetëm atëherë kur qenë kryer të gjitha festimet, që nga çlirimi imagjinar, korteu dhe vendosja e kurorave në varret e Dëshmorëve, koncertet dhe hareja, mitingu me fjalimet entuziaste, ndarja e flamujve për koperativat dhe ndërmarrjet e dalluara, fletët e lavdrimit për ata që duheshin lavdruar pa tjetër, (fletë lavdrimi të futur në korniza të thjeshta druri dhe nën xham, që fituesit i mbanin gjithë kujdes përpara duarsh si të ishin foshnje).

    Pra, mbasi mbaronin të gjitha ceremonitë dhe mizëria e njerëzve e lëshonte sheshin e madh, atëherë plaste bolleku deri në gju. Nëpër lulishte, parqe, oborre shkollash dhe kënde sportive, livadhe të vegjël dhe bregut të lumit, Bahçes së Limit shtroheshin me mijra gazeta dhe mushamanj, grumbulloheshin grupet e ardhura nga të katër anët. Shumë prej tyre, poshtë e përpjetë pazarit, kerkonin të gjenin se në cilën lulishte a livadh ishte dreka e festës për fshatin e tyre. Sapo shesheve dhe lulishteve afrohej vargu i pa fund i makinave të fshatrave, kuzhinjerët nga sipër karrocerive nisnin të zbrisnin me krenari kazanët e mëdhenj plot e përplot me pilaf, mish të ftohtë nga ngricat e dimrit, mijra vezë dhe copa djathi, binde dhe faqore rakije, qepë dhe gjizë sa të duash dhe pa hesap. Pjata alumini dhe garuzhde te mëdha kërsisnin teksa mbusheshin kapicë me pilaf e mish, ndërsa sarahoshët trima, ngrinin gjithë krenari dhe tersëllimë, dollitë, duke uruar me të madhe çlirimin dhe bollekun.

    Dhe vetëm atëherë kur terri dhe nata binte mbi lulishtet, mbi parqet, mbi bahqet, fushat sportive dhe oborret e shkollave, atëherë kur njerëzit nuk shihnin dot më dhe nuk dallonin fare pjatat e veta, (dhe që me çakmakët e tyre mundoheshin të ndrinin sado pak atë çfarë kishin përpara dhe mos tua përlante dhe merrte fshatari përbrij), atëherë kur qytetit silleshin vërdallë të dehurit e kooperativave, rrugëve fluturonin lart e poshtë copat e gazetve të drekës që i sukullonte era, atëherë kur fuksat dhe kalecat  përgëzonin njëri tjetrin se duhet ta mbajmë fort njëri tjetrin, atëherë kur njerëzit e ngopur me gëzim dhe festë e drekë, të lodhur nga dita e gjatë tërhiqnin zvarrë këmbët drejt shtëpive, atëherë kur nga të katër anët shoferët u binin borive pa pushim, duke kërcënuar fshatarët e tyre se, makinat po niseshin dhe po të vonoheshin edhe një minut (vetë e kishin fajin), do ktheheshin në këmbë nëpër fshatra. Dhe bash atëherë kur merrej vesh se, dhe Sekretari i parë e kishte përcjellë gjithë dashuri, nga Hoteli i Gjuetisë të deleguarin e Tiranës, kuptohej më në fund me dhimbje, se festa pati mbaruar, pilaf dhe muzikë nuk kishte më.

    Rrugët deri në mesnatë pothuaj boshatiseshin, dhe atëherë mbi të gjithë qytetin binte dhe shtrihej dalë ngadalë qetësia e kënaqësisë se, Festa e çlirimit u mbyll me sukses!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË