More
    KreuIntervistaLucia Nadin: Shqipëria ishte toka e një kulture për t’u zbuluar

    Lucia Nadin: Shqipëria ishte toka e një kulture për t’u zbuluar

    Bisedoi Andreas Dushi

    A.D: E nderuar zonja Nadin. Kjo bisedë me ju, për mua personalisht merr vlerë të rrallë e të veçantë, sepse, për sa kohë Ju i jeni përkushtuar Shkodrës, ndjej sikur flas me një zë në të tashmen që më tregon Shkodrën e shkuar.  Ndaj, s’rri dot pa e shprehur lumturinë që kjo bisedë më jep. Ku zë fill dashuria juaj me Shqipërinë dhe dëshira për të njohur më shumë rreth të shkuarës së saj?

    L.N: Me Shqipërinë më lidh një raport njohjesh dhe dashurish të zëna fill në vitin e largët 1995, kur erdha me emërim në Universitetin e Tiranës për të dhënë mësim gjuhe dhe letërsie italiane. Pastaj jetova në Shqipëri për 5 vite, duke e njohur nga veriu në jug dhe duke lidhur miqësi që ende i ruaj edhe sot. Për Shqipërinë ishin vite të vështira, ngritja e piramidave, rënia e tyre, dëshira e një shumice të popullsisë për t’u arratisur, vështirësi materiale. Unë isha e ngarkuar edhe me punë jashtë-akademike pranë Ambasadës Italiane, kësisoj kam qenë në dijeni të shumë prej problemeve që hasnin shqiptarët. Zgjodha të jetoj në një lagje të çfarëdoshme të Tiranës, midis njerëzve, duke ndarë me ta shumë vështirësi (dritat që iknin, uji që mungonte shpesh e të tjera, e të tjera). Kështu u njoha me njerëzit, u njoha me solidaritetin e tyre dhe lindën sa e sa miqësi. Ruaj një kujtim shumë të bukur të atyre viteve në të cilat Shqipëria kishte hedhur sytë nga e reja, nga demokracia. Që prej asaj kohe kam lidhur miqësi që ende sot mbeten të pazëvendësueshme.

    A.D: E me Shkodrën, çfarë ju lidh në mënyrë kaq të veçantë?

    L.N: Përpara se të nisesha në Shqipëri për punën që më ishte ngarkuar, kisha kuptuar se historia e qytetit tim, Venecias, kishte një lidhje të ngushtë, tejet të veçantë me Shkodrën. Në Pallatin e Dogjëve, në një tablo të madhe të Paolo Veronese-s që i përket gjysmës së dytë të shekullit XVI, paraqitet Shkodra. Në toponiminë e qytetit, në Lido, gjendet një rrugë që i është kushtuar Shkodrës. Madje edhe mbiemri Scutari (Shkodra, në It.) është i pranishëm të mbiemrat italianë, mjaft të shohësh një listim telefonik. Pastaj, kur hap një libër të çfarëdoshëm mbi historinë veneciane, gjen mjaft faqe të veçanta kushtuar Shkodrës. Në udhëtimin e parë që kreva në Shkodër, kërkova menjëherë, plot emocione, gjurmë të puseve veneciane që edhe në shekullin e kaluar historiani i artit Sergio Bettini i kish parë dhe fotografuar. Për fat të keq, sot kanë mbetur shumë pak syresh. Me një fjalë, raporti im me Shkodrën qe paracaktuar të ishte i veçantë që prej fillimit dhe u vulos mëpastaj me gjetjen e tekstit të Statuteve mesjetare të saj.

    A.D: Botimi i studimeve e zbulimeve tuaja të para, si u prit nga lexuesi italian? A u tregua interes ndaj tyre?

    L.N: Pata fatin që profesori Gherardo Ortalli, një historian i nderuar i Universitetit të Venecias, e kuptoi menjëherë rëndësinë e teksteve të Statuteve dhe dëshironte që një tekst i tillë të bënte pjesë në “Korpusin Statutor të Venecias”, një përmbledhje kjo e të gjitha stututeve të qytetit të Serenissima-s. E kështu ai gjeti fondet për të mbuluar shpenzimet e botimit.  Ama u desh kohë që të vlerësohej puna ime mbi Shqipërinë, dokumentacioni që gjeja në arkivat veneciane ishte një material i ri dhe, ashtu siç ndodh gjithnjë, e reja pranohet pak e nga pak.

    Ndërkohë, gjatë viteve ’90, emigrimi prej Shqipërisë qe një akt që në mjedisin italian ndodhi me njëfarë qëndrese, Italia për herë të parë shndërrohej në tokë emigrimi pasi kish qenë tokë prej nga emigrohej. Që në fillime, puna ime ishte kundra rryme, duhej të dëshmoja se vetëm injoranca e historisë mund të të bënte të besoje se Shqipëria nuk kish një histori ngushtësisht të ndërthurur me atë të Republikës Venedikase. Beteja ime ishte të përmbysja imazhin e anijes “Vlora” dhe të dëshmoja se Shqipëria ishte toka e një kulture të tërë për t’u zbuluar. Jam krenare që ia dola kësaj.

    A.D: Kontributi juaj është i gjerë, përfshin shumë vite e shumë vepra, por ndër to, nga më kryesoret mund të cilësohen “Statuti di Scutari” apo jo? E keni rrëfyer disa herë se si i gjetët ata, ndaj dua të di diçka tjetër: ç’emocion ju shoqëroi në fillim kur prekët me dorë dorëshkrimin e rregjisruar në Bibliotekën e Muzeut Correr?

    L.N: Është e vështirë të përshkruaj një emicion kur, ndër letrat e vjetra të arkivave, befas ti gjen përgjigjen që aq shumë e ke kërkuar. Në vitin 1995, kur gjeta dorëshkrimin e Statuteve të Shkodrës në Bibliotekën e Muzeut Correr, e hapi me emocion dhe zbulova se bëhej fjalë për një gjetje të jashtëzakonshme, e cila do t’i jepte zë Mesjetës shqiptare, duke bërë me dije se sa ishte e përfshirë në rrethin e Adriatikut e të Mesdheut Shqipëria bregdetare, kështu pra edhe në rrethin Europian; pasi përpara se të zbulohej Amerika, ishte Mesdheu qendra e botës dhe rreth tij sillej e gjithë Europa.

    Një kodik prej vetëm dyzet faqesh do të zhbënte heshtjen shekullore! Çfarë emicioni! Kërkimi midis dokumenteve të së shkuarës, në arkiv dhe në bibliotekë, është një fushë magjepsëse, sigurisht e mundimshme, të duhet durim për të kërkuar, për të gjetur gjurmët, për të sistemuar burimet, por lodhja shpërblehet mëpastaj prej ngazëllimit, nga vetëdijësimi se ke shkëpututr prej harresës periudha historike, e në këtë rast të historisë së popullit shqiptar. Ky kodik, ekzemplari i vetëm ekzistues i një rangu me Mesharin e Gjon Buzukut, zeron heshtjen shekullore: kjo është mrekullia e gjetjeve në arkiva.

    Mendimi i parë që më behu ndërsa e shfletoja, ishte që të nisesha sa më parë nga Venecia për të mbërritur në Shqipëri dhe t’ua bëja të ditur të gjithëve se një kodik i vogël ia kthente zërin një shekulli heshtjeje. Solla me vete fotokopjet dhe nisa të punoja, në përgjithësi mbrëmjeve, kur kthehesha nga puna në shtëpinë te Rruga Myslym Shyri në Tiranë. U deshën muaj e muaj për të interpretuar disa radhë, për të kuptuar disa terma, për të gatitur një fjalor. Më pëlqen të përsëris se është një pasaportë për Shqipërinë e cila ishte shtet i Europës dhe sot ka ambicien për të qenë pjesë e bashkësisë europiane. Një tekst i cili, përtej ca bindjeje të ndryshme fetare, duhet të hyjë në çdo shtëpi, pasi është një dokument historik dhe historia njihet e respektohet në etapat e veta të ndryshme, pavarësisht se si zbërthehet.

    A.D: Po studimi për “Shqiptarët në Venedik” si ishte për ju? Kur u vetëdijësuat se duhej shkruar e sqaruar historia e emigrimit të madh të shqiptarëve drejt Venedikut gjatë Mesjetës?

    L.N: Vetë rigjetja e kodikut të Statuteve më shtyu të thellohesha në datat dhe periudhën në të cilën ai u mblodh në Venecia prej bashkësisë shqiptare e cila qe shpërngulur në Venecia pas vitit 1479, pra pas paqes së vendosur midis Venecias dhe Perandorisë Osmane. Kështu nisi kërkimi në arkivat e Arkivit Shtetëror të Venecias, i cili më bëri të dokumentoj procesin e  plotë të emigrimit nga Shqipëria në Metropolin e Adriatikut. Një punë e gjatë e cila u ravijëzua në librin Shqiptarët në Venedik. Mërgim e integrim 1479-1552. Në ndrërkohë, isha kthyer në Itali për shkak të një problemi të rëndë që m’u diagnostikua në Tiranë dhe që më shtrëngoi të hiqja dorë nga puna e ngarkuar e mësimdhënies në Shqipëri. Për fat, e kalova këtë problem dhe iu përkushtova punës kërkimore me kohë të plotë.

    A.D: “Venezia e Albania. Una storia di incontri e secolari legami” Nga çfarë mendoni se burojnë këto lidhje mes Venedikut dhe Shqipërsië?

    L.N: Gjatë studimit të historisë së Shtetit nëpërmjet dokumenteve, zbulova menjëherë raportet përgjatë shekujsh që kishin lidhur Shqipërinë me Republikën Venedikase. Sidomos Shqipërinë e zonës bregdetare, më shumë se atë të thellën, maloren, pasi Shqipëria ishte një tokë strategjike në shkëmbimet tregtare detare midis Venedikut dhe Lindjes. Në veçanti kuptova se sa ishte Venediku i lidhur me Shkodrën, jo se dilte menjëherë në det, por e lidhur saje detit nëpërmjet sistemit të vet të anijeve. Pastaj, Shkodra ishte edhe një kryqëzim i rëndësishëm tregtar me qytetet e brendshme që nuk kishin dalje në det, me qytetet e Europës jugore. Qe e tillë përgjatë gjithë Mesjetës, qe në veçanti përgjatë njëqind vitete të protektoratit venedikas, qe mëpastaj përgjatë shekujve në vazhdim, kur Shqipëria u bë pjesë e Perandorisë Otomane dhe nisën kështu raportet dhe interesat tregtare, edhe pse të ndërprera herë pas here prej luftrave midis dy fuqive. Por sot dihet se gjithnjë qenë kërkuar periudhat e paqes prej të dy palëve për të lidhur raporte tregtare. Dhe prej shekullit XVII në Venedik u hap zyrtarisht zyra e tregtisë së Perandorisë Otomane, Fondaco dei Turchi, një pallat që sheh nga Kanali i Madh dhe i cili ende sot admirohet.

    A.D: Libri juaj “Albania ritrovata” u velërsua me çmimin e parë nga Akademia e Shkencave para pak vitesh. Si ka qenë historia e atij libri dhe cilat ishin të rejat që ai solli në njohjen e historisë shqipe?

    L.N: Studimi i migrimeve të shqiptarëve në tokat venedikase më bëri të thellohesha më pas te tema e veprës së parë të shtypur në gjuhën shqipe, Mesharin e Buzukut. Nisa të studioja botën e botuesve të Pesëqindës për të zbuluar shtypësin e mundshëm të librit. Pista e kërkimeve më shpuri tek emri i një botuesi: Bernardino Vitali, i cili shtypi dy veprat e Marin Barletit, Rrethimi i Shkodrës dhe Jeta e Skënderbeut. Këtu ama u çel një tjetër fushë kërkimesh, Vitali ishte me origjinë shqiptare, ai ishte një botues i rëndësishëm për kohën dhe, duke studiuar raportet midis tij dhe botuesve të tjerë (Venediku i shekullit XVI ishte kryeqyteti europian i shtypshkrimit) nisa të ndërtoj një histori raportesh midis botuesve që shtypnin libra për bashkësitë e huaja, që prej dalmatëve e gjer tek arabët, pra në shumë prej gjuhëve vendase të tyre, nëpërmjet përdorimit të karaktereve të ndryshme të shtypit. Gjeja ndonjëherë edhe të dhëna rreth Buzukëve, jo të lidhura me botën e armatimeve (Bosichio [Bozikiot] qenë stradiotë të njohur në shërbim të Venedikut), por të Buzukëve që vinin nga veriu i Shqipërisë. Hamendësova praninë e Gjon Buzukut në Venedik, në një kuvend françeskan (duke u bazuar te të dhënat françeskane të pranishme në tekst, të vëna në pah tanimë prej studiuesit Roques), hamendësova se Meshari mund të jetë heur nga qarkullimi jo për arsye fetare (pasi në gjysmën e dytë të Pesëqindës u ndalua prej palës romane shtypi i librave në gjuhë të tjera), por ndoshta për shkak të problemeve të lidhura me botuesin e Buzukut që unë e identifikova si Bernardino Bindoni, botimet e së cilit, veçanërisht ato të veprave fetare, paraqesin karakteristika të përbashkëta me tekstin e Buzukut. Ky botues u zbua nga Venediku më 1550 dhe kësisoj zyrtarisht nuk mundte të shtypte më, por punishtja e tij mbeti në njëfarë mënyre ende aktive dhe, duke qenë se bëhej fjalë pavarësisht të tjerash për Mesharin i cili duhej shtypur në një botim ekonomik, kush e kishte komisionuar tekstin lipsej t’i drejtohej për mbështetje një punishteje shtypi si ajo e Bindonit. I ruaja këto pista kërkimi për thellime të mëtejshme pranë bashkësisë shkencore, publikova Shqipëria e rigjetur zbulim gjurmësh shqiptare në kulturën dhe artin e venetos në shk. XVI dhe për këto shtigje të reja të hapura mora çmimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Në po të njëjtin libër paraqisja edhe praninë e emigrantëve të rëndësishëm shqiptarë në Venedik që i përkisnin botës së artit venedikas. Dhe, për sa i përket botës së artit, vlen të përmendur sa më poshtë:

    Në gjysmën e dytë të Katërqindës, pas Skënderbeut dhe pas dy rrethimeve të Shkodrës, Republika Venedikase u hap ndaj kujtdo që dëshironte të shkonte. U krujua një fluks emigrantësh të cilët shkruan një histori të ndryshme nga ajo e arbëreshëve të Italisë së jugut. Qe e pabesueshme politika integruese që u vendos prej Venedikut dhe shqiptarët i ftuan përgjatë të gjitha territoreve të Republikës, ku edhe përziheshin me popullatën e zonave. Shumë kisharëve iu dhanë punë arti në kishat ku u caktuan, punë të cilat ende sot admirohen. Nuk mund të harrosh, për shembull, se midis bijëve shqiptarë që u trasferuan në Venedik, ishte edhe Paolo Campsa (Kamsi), i cili sot vlerësohet si një prej skulptorëve më të rëndësishëm në dru të Venedikut gjatë Rilindjes dhe se veprat e tij janë stoli të çmuara të cilat ende sot mundet të admirohen në kishat e vendeve të ndryshme të provincave venedikase. Ishte i biri i Alessandro Kamsit, skulptor druri në Shkodër, i cili kishte emigruar në vitin 1479. Historia e Shqipërisë së shekullit XV ka mbetur ne kujtesën e Republikës Venedikase, një histori që mbiu brenda vetë historisë, mbi të gjitha Shkodra dhe qëndresa e saj historike, po ashtu si edhe Skënderbeu, i cili u nderua me statuja, piktura dhe tekste teatrore që mbërrijnë deri në shekullin XIX! Gjithaçka e kam përmbledhur në librin Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (nga historia te miti: shekujt XV-XVIII) të botuar në vitin 2018, përkthyer në shqip në mënyrë të shkëlqyer nga profesoresha Evalda Paci.

    Siç u tha, në Venedik u shtyp Meshari i Buzukut më 1555, në Venedik komuniteti katolik i Shkodrës pati zyrën e  vet në një pallat, fasada e gdhendur e së cilit ende sot ruhet në mënyrë të përsosur.

    Skënderbeut i janë kushtuar shumë faqe nga letërsia venedikase, bëmat e tij u bënë pjesë e miteve të Republikës Venedikase, në Arsenalin Venedikas qenë ruajtur një armaturë dhe armë të tijat. Ja, edhe diskutimi i armëve të Skënderbeut të ruajtura në Venedik ka hapur një skenar të ri mbi këtë argument, në lidhje edhe me armët e ruajtura në Vienë.

    A.D: Sërish vini me një rigjetje. Tanimë bëhet fjalë për një biografi të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. “Scanderbeg, una biografia ritrovata” u botua në mars nga “Besa Muci”. Çfarë është ky libër? Çfarë të dhënash biografike kemi për autorin Giancarlo Saracenin dhe për nipin e tij që e përmbylli punën? Si u njohën ato me Skënderbeun dhe pse vendosën të shkruanin pikërisht për të?

    L.N: Në tjetër zbulim i kohëve të fundit tejet interesant lidhet me Skënderbeun, i nxjerrë nga libri Scanderbeg: Una biografia ritrovata, botuar nga Besa Muci pikërisht në vitin 2021. Duke lexuar veprën e një eruditi të gjysmës së dytë të shekullit XVI, Giancarlo Saraceni, pra historinë e njërit prej njerëzve më të famshëm të të gjitha kohërave për bëmat e tij heroike: I fatti d’arme famosi successi tra tutte le nazioni del mondo, vepër në dy vëllime, u ndesha në disa faqe të veçanta kushtuar Skënderbeut, në të cilat autori paraqiste një biografi të plotë të Heroit Shqiptar.  Për Giancarlo Saraceni-n nuk ka shumë të dhëna, ai ishte një qytetar venedikas i cili iu kushtua përmbledhjeve historike. Në kohët që erdhën pas tij u gjykua si historian skrupuloz i cili i kish mbeldhur me shumë korrektësi burimet. La pas veprën në të cilën bën pjesë biografia e Skënderbeut, sigurisht që në dorëshkrim për shak se ia behu vdekja. Qe i nipi (mbi të cilin duhet kërkuar në vazhdim për të gjurmuar një identitik) i cili pati kujdesin të dërgonte në shtyp të dyja vëllimet e veprës në dorëshkrim, duke e kuptuar rëndësinë e punës së madhe, të jashtëzakonshme, të kryer prej të ungjit, dhe e botoi në vitin 1600. Përsëris se bëhet fjalë për një galeri të burrave të armëve më të famshëm të kohërave dhe viseve. Skënderbeu, me të drejtë, bënte pjesë në këtë galeri.

    A.D: A mund të na flisni për ato fakte që lidhen me Skënderbun të cilat dalin për herë të parë në këtë biografi?

    L.N: Në rastin e Kastriot Saracenit, nuk u limitua të rrëfente bëmat e jashtëzakonshme që ndërmori; donte t’i përfshinte brenda një kornize të saktë, donte të rrëfente pikërisht jetën e këtij heroi të cilin, siç shkroi, e quante “Më të madhin” e kohërave: Herkuli i Tebës, Akilin, romanin Licio Dentato. Ndoshta sepse ishte një hero që i përkiste historisë së shkuar dhe ndaj duhej të paraqitej plotësisht. Biografia përqaset qartësisht me atë të Marlin Barletit, ajo nuk paraqet të dhëna të pasakta në lidhje me ato të historianit shkodran. Kësisoj s’ka për të ngritur midis studiuesve të sotëm kritika apo polemika, pasi, e përsëris, rimerr linjat “klasike” të një Barleti dhe të Demetrio Franco-s, dy tekste të përhapura gjatë shekullit XVI kur edhe shkroi Saraceni. Por është forma, është rrëfimi krejt i ri, dhe i lejojnë edhe atyre që nuk janë ekspertë të lëndës të lexojnë shpërfillshëm bëmat e Skënderbeut dhe të kuptojnë saje një qartësie të jashtëzakonshme teknikat e luftimeve të tij, të cilat edhe unë vetë për herë të parë i ndesha me të vërtetë. Për këtë mendova se ia vlente t’i publikoja, pasi shumë pak dihet për Skënderbeun në Italianë veriore; duhej një tekst i qartë dhe i thjeshtë që të të bëjë të kuptosh pse me të drejtë qe mbajtur për hero i kohëve të veta. E kush ndërkohë mundet ta lexojë biografinë e Barletit? Vetëm specialistët; ndërkohë që biografia e Saraceni-t mund të lexohet prej të gjithëve, ashtu siç mundet të lexohen me kënaqësi jetët e personazheve të mëdhenj të historisë. Është ky pra një rast për të afruar jo-ekspertët me historinë e Shqipërisë dhe të kulturës së saj antike. Historia e Saraceni-t, e shkruar me objektivitet të lartë, pa ideologji, pa interpretime “mrekullibërëse, fetare”, përshkrimi se si vërtet dinte të vepronte një strateg ushtarak. Mendoj se kushdo, edhe ata që nuk janë specialistë, mundet ta shijojë një lexim të këndshëm, të rrjedhshëm që të mban gjithnjë pezull. Ja pra, përsëris, arsyet që më kanë shtyrë t’ia propozoj sërish një publiku më të madh, i cili ka shije për bëmat e mëdha të historisë.

    A.D: Mendoni se lexuesit dhe studiuesit janë të gatshëm t’i mirëpresin?

    L.N: Me një fjalë, nuk është një biografi që duhet të ngjallë polemika, interpretime të reja, pikëvështrime të ndryshme, jo, përsëris, ndjek shtegun e Barletit, por pa sforcime ideologjike, Skënderbeu i përkiste të Mëdhenjve, ashtu si Herkuli, Akili, ishte dhe mbetet Hero i të gjithë kohërave, madhështia e së cilit u pranua prej vetë Armikut, është ky dimension i Viganëve ai që të shijon, përtej shpurës së një pale apo të palës tjetër.

    A.D: Po në kopertinën e këtij libri, pse është pikërisht piktura e Vincenzo Giacomellit, “Antonio Loredan e l’assedio di Scutari”?

    L.N: Kopertina e librit?

    Dukshëm, nuk ka të bëjë me Skënderbeun, pasi shfaq rrethimin e parë të Shkodrës, më 1474 dhe mbizotërimin e venedikasit Antionio Loredan. Bëhet fjalë për një tablo që kam “zbuluar” tani së fundmi, e ruajtur në Treviso: i përket gjysmës së Tetëqindës, pra ende në Tetëqindën Venediku promovonte historinë e Shkodrës të lidhur me atë të Venedikut! Dhe kishin kaluar katër shekuj. Venediku kremtonte Shkodrën “e vet”! Është vigjilje e vitit 1848, viti i revolucioneve, dhe në Venedik mbërriti edhe Pashko Vasa…! pra, tabloja flet për Shkodrën dhe bëmat e ndodhura rreth gjashtë vite pas vdekjes së Skënderbeut. Por çdo tablo duhet lexuar dhe studiuar me ngadalësi.

    Në pjesën e poshtme të tablosë, në të majtë paraqitet një personazh i nderuar, i cili nuk ka shumë të bëjë me rrethimin e vitit 1474: besoj se është Skënderbeu, i vendosur lirisht prej piktorit dhe porositësit për të dijësuar se si mbrojtja e Shqipërisë kish mbërritur prej tij gjer në Shkodër, gjithnjë e lidhur me Venedikun. Qe kryer një “montazh i lirë”, qe vendosur personazhi i ndritur i historisë së Shqipërisë, Skënderbeu, i cili dërgonte dëshmitarë në Shkodër: sigurisht që kemi të bëjmë me një interpretim të lirë venedikas, duke qenë i vendosur jo rastësisht në qendrës të telajos kolona me Luanin e Shën Markut. Ja pse zgjodha atë tablo si imazh të kopertinës: është “përmbledhëse” e bëmave të Shqipërisë së Katërqindës, që luftonte për afirmimin e saj si shtet në ndërtim përreth personalitetit të Skënderbeut dhe, – a posteriori – “përmbledhëse” e pranisë venedikase në Shqipëri dhe të interesit që e kish lidhur atë vend me Metropolin detar. Me një fjalë, përsëris, edhe ky imazh risjell shekuj të historisë venedikase të gërshetuar me historinë e Shqipërisë antike, na shpie te lidhjet e forta që Venediku pati me Shkodrën “e vet”, shpie te leximi i një aleance të ngushtë me Skënderbeun, veprimet e të cilit edhe u interepretuar sërishmi sipas optikës dhe interesave të Venedikut; por kjo nuk përjashton faktin se Shqipëria, me faqet e saj të ndritura, ëshët bërë pjesë prej shekujsh në kujtesën venedikase dhe se ëshët pavdekësuar në shumë vepra arti.

    A.D: Kjo nuk është hera e parë kur studimet tuaja fokusohen në figurën e Skënderbeut, apo jo? Kujtoj këtu “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut”. Çfarë ju frymëzon kaq shumë te Heroi?

    L.N: Skënderbeu qe një strateg ushtarak, aq sa qe strateg politik: projekti i tij për të krijuar nëj shtet të bashkuar, për ta bërë Shqipërinë e përçarë një shtet të vetëm, ndikonte edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, të Venedikut së pari, i cili mbante kontrollin e Adriatikut ndaj lindjes së afërt dhe rrugët e komunikimit të Mesdheut. Dhe ndaj historia e Shqipërisë, e shekullit XV në veçanti, e luftrave të Skënderbeut dhe të qëndresës së mëpasshme të Shkodrës, nuk mundet të mos i interesojë atij që merret me historinë e Europës e cila kishte ndikimin e saj në Mesdhe, përpara zbulimit të Botës së Re. Ja pse ky interes i imi ndaj Sëknderbeut.

    A.N: Studimet për të, a janë mjaftueshëm serioze si dhe shterruese?

    L.N: Mendoj se ka ende për t’u shkruar mbi periudhën mesjetare shqiptare, besoj se ende ka dokumente për t’u zbuluar. Po kështu edhe për Skënderbeun dhe politikën e tij ndërkombëtare, e cila e përfshinte Shqipërinë në rrethin politik të disa shteteve. Besoj se në të ardhmen kërkimet në arkiva mund të sjellin njohuri të reja.

    A.D: E së fundmi: Shqipërinë, kur keni në plan ta vizitoni sërish?

    L.N: Në Shqipëri kthehem kryesisht çdo vit. I jam mirënjohëse Autoritetit Shqiptar që më ka dhënë shumë nderime në çmime, përfshirë atë më të çmuarin, “Skënderbeun”! Pasatj jam edhe qytetare nderi e Shkodrës, e kështu e quaj veten veneciano-shkodrane! E si mundet të qëndroj larg një vendi të cilin e kam dashur kaq shumë dhe që kaq shumë më ka nderuar? Një qyteti të cilit ende sot vazhdoj t’i kujtoj gjithë kohën e mundshme për t’i kthyer copëza të historisë? Më duhet të marrë pjesë në dy konferenca në Tiranë, në shtator dhe në nëntor, të shohim nëse situata me Covid-19 dhe shëndeti im do të mund ta lejojnë. Për ta mbyllur, dua të nënvijëzoj kriteret që kam ndjekur gjatë këtyre dekadave punë mbi Shqipërinë: kam dashur gjithnjë të gjej dokumente që edhe studiuesit shqiptarë të mund t’i analizojnë, nuk i kam lejuar kurrë vetes të shkruaj interpretime subjektive, për hir të historisë tërësore të një vendi. Kërkimi, për këtë jam e bindur, duhet të jetë serioz, i ndershëm, i çinteresuar dhe i përshkuar nga përulësia përballë problemeve të mëdha që e shkuara na paraqet.

    Përktheu nga italishtja: Rigel Rizaj

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË